vendimi

shkelzen-berisha-1280x720.jpg
nev ila15:56 | 19/06/2019

Pas rrëzimit të padisë për shpifje nga gjykata për kreun ne grupit parlamentar të PS Taulant Balla, Shkëlzen Berisha u shpreh se do ta ankimojë vendimin. Ndërsa deputeti socialist e cilësoi vendimin si një triumf i drejtësisë.

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha pasi ky i fundit kishte paditur kreun e grupit parlamentare të Partisë Socialiste Taulant Balla për shpifje. Balla pas përfundimit të seancës deklaroi  se ky është një triumf i drejtësisë.

Ndërsa Shkëlzen Berisha u shpreh se Balla vazhdon që të shpifë dhe mohoi faktin që ka detyrime tatimore të pa shlyera. Berisha tha se gjykatësja ka dashur të lajë duart për shkak të presionit politik të organizatës kriminale në pushtet.

Djali i ish-kryeministrit Berisha paralajmëroi se do të ankimojë vendimin deri sa të marrë drejtësi. Shkëlzen Berisha kishte paditur deputetin e PS Taulant Balla pasi pretendon se ky i fundit ka shpifur për të nga foltorja e drejtuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar të çështjes CEZ teksa ka thënë se ai kishte shmangur pagimin e taksave./ABC News Albania 24/7

cakaj-3-1280x711.jpg
Sej rie19:30 | 18/06/2019

Bashkimi Evropian do të marrë në fund të Tetorit vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet anëtare kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar raportet e Komisionit Evropian për vendet aspirante.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ku është shprehur se për Shqipërinë do të jepet vendim pozitiv në Tetor. Nga ana tjetër ai tha se kjo shtyrje e vendimit nuk është një lajm inkurajues, sepse Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar.

“Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim pozitiv në muajin Tetor. Shpresa jonë në fakt nuk do të thotë pritje pasive, por duhet të marrë trajtën e një angazhimi aktiv për t’i paraprirë pozitivisht vendimit të Tetorit për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shtyrja e vendimmarrjes sidoqoftë nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Nuk mund të jetë një lajm inkurajues sepse Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që vitin e shkuar, që në Qershor të viti 2018. Vonesa e vitit të shkuar nuk është shkaktuar aspak nga rezultatet e padiskutueshme të Shqipërisë në agjendën evropiane, por nga shpërpushja midis rekomandimeve teknike të Komisionit dhe llogarive politike të Këshillit. Nga kjo pikëpamje nënvizoj se Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që vinin e shkuar”, tha Cakaj./abcnews.al

negociatatata-1280x728.jpg
Sej rie17:15 | 18/06/2019

Këshilli Evropian do të marrë në fund të Tetorit një vendim substancial për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtë vendim morën Ministrat e Jashtëm në takimin e sotëm në Luksemburg, që thanë se për arsye kohe Bashkimi Evropian vijon shqyrtimin e rekomandimeve te Komisionit.

“Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë lënë mënjanë konkluzionet ambicioze lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE. Në këto konkluzione thuhet se mbahet shënim për rekomandimet e Komisionit Evropian dhe rekomandimet pozitive, të përmbushjes së kritereve të vendosura nga Këshilli i Evropës vitin e kaluar. Por suke u nisur nga koha e kufizuar në dispozicion, duke u nisur nga rëndësia e marrjes së vendimit për të dyja vendet Këshilli Evropian do t’i kthehet këtij vendimi në fund të tetorit të këtij viti për të marrë një vendim substancial”, tha Erisa Zyka gazetare e ABC News në Bruksel./ABC News Albania 24/7

ilir-meta-1-1280x853.jpg
G. P.20:55 | 16/06/2019

Në një intervistë dhënë për televizionin Al Jazeera, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka sqaruar vendimin për anulimin e datës së zgjedhjeve, si dhe ka sqaruar këndvështrimin e tij për situatën politike në vend. Meta ka siguruar se dekreti tij për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e tij kushtetuese si President i Republikës.

Ky vendim, sipas Metës i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend, sepse zgjedhje pa opozitën, thotë Meta, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur.

Lidhur me mundësinë e shkarkimit nga Kuvendit, Meta ka deklaruar se nga ana e Presidentit nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës.  Sipas Metës I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por sipas tij ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi dekreti per anullimin e dates se zgjedhjeve është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.

Meta siguron se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Sipas tij zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendi.

Presidenti ne interviste deklaron se shpreson që  Rama të shkojë së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato. Meta ne intervistë deklaron se pret nga Rama që ai ta lërë pas retorikën përçarëse.

Intervista e Presidentit Meta për televizionin “Al Jazeera”:

Gazetari (John T. Psaropoulos): Situata aktuale në Shqipëri përcaktohet si një “krizë kushtetuese”. Kushtetuta e përcakton Shqipërinë një “republikë parlamentare”, që do të thotë se ju jeni zgjedhur nga Parlamenti dhe jeni në këtë detyrë për sa kohë gëzoni besimin e Parlamentit.

Parlamenti ka fuqinë t’ju largojë nga kjo detyrë dhe t’ju zëvendësojë nëse ka numrin e mjaftueshëm të votave në rast se Gjykata Kushtetuese e cilëson të drejtë vendimin e Parlamentit. Por mund ta bëjë këtë vetëm në rast se keni ndërmarrë një akt të rëndë në shkelje të Kushtetutës sipas Parlamentit. A mendoni se e keni shkelur Kushtetutën dhe a mendoni se Parlamenti e ka ndërmarrë një proces për t’ju zëvendësuar? A është kjo ajo që pamë me rezolutën e miratuar nga Parlamenti?

Presidenti Meta: Unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht.

Por që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikës unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve. Në këtë aspekt, dua t’i siguroj të gjithë se dekreti im për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës.

Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur.

Gazetari: Por a mendoni se Parlamenti po përpiqet t’ju zëvendësojë apo është thjesht një akt politik teatral dhe Kryeministri Edi Rama ju ka sanksionuar publikisht përmes ligjvënësve për të treguar se është sfidues dhe se ai mbetet i vendosur për të mbajtur zgjedhje. Aka nisur tashmënjë proces kushtetues?

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj se nuk dua ta përdor këtë intervistë për të folur rreth Parlamentit dhe përgjegjësive të këtij institucioni, por është shumë e qartë sa i përket Kushtetutës së Shqipërisë se në cilat raste Parlamenti mund të shkarkojë Presidentin. Është shumë e qartë për rastet kur Presidenti bën një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës, që gjithashtu duhet të përcaktohet qartë më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, duhet t’jua bëj me dije se nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe dua gjithashtu t’ju siguroj gjithashtu se rendi kushtetues i Shqipërisë është i bazuar mbi pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Dhe ajo që ka bërë Presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimn e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse Shqipëria ka pasur për 45 vjet votime gjatë regjimit komunist, por të gjithë e dinë se ka një ndryshim të madh mes zgjedhjeve dhe votimeve.

Gazetari: Siç e dini, muajin e kaluar miliona qytetarë të Europës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të Parlamentit Europian. Shqipëria po shfaq probleme sa i përket vendimit se kur të zgjedhë 61 kryebashkiakë. A është Shqipëria gati për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian?

Presidenti Meta: Shqiptarët, qytetarët e këtij vendi, kanë qenë gati, edhe më parë, për të qenë pjesë e BE-së, por në orët dhe ditët në vazhdim udhëheqja politike e vendit do të testohet nëse ka maturinë e duhur, për të mos qenë pengesë e kësaj aspirate të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë se 95% e shqiptarëve mezi presin që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, dhe me vendimin tim kam dashur t’u jap kohë këtyre udhëheqësve që të reflektojnë, të qetësohen dhe të krijojnë kushtet për një dialog të arsyeshëm, që të tregojnë pjekuri, para së gjithash kundrejt qytetarëve tanë, por edhe ndaj BE-së, të provojnë se ky vend është gati të bëjë një hap tjetër përpara.

Gazetari: Duke u kthyer te çështja kushtetuese, argumentet kundër jush të shprehura nga qeveria theksojnë se ju nuk keni të drejtë të anuloni datën e zgjedhjeve.. 

Presidenti Meta: Nuk jam duke folur për spekulime politike. Unë ju sigurova se ky është një vendim kushtetues solid. I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju siguroj është se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe duke iu referuar kuadrit kushtetues dhe ligjor, nga çasti i publikimit është detyrim i çdo institucioni, qoftë në pushtetin qendror apo vendor, ta zbatojnë këtë dekret.

Gazetari: Nw rregull, por duke folur politikisht, Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka ndërmend të ulet në dialog me opozitën për të gjetur një datë konsensuale për zgjedhjet dhe se opozita kishte mundësi të regjistrohej në proces zgjedhor, por vendosi të mos merrte pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, ai thotë se i qëndron vendimit të mëparshëm për datën e zgjedhjeve. Si mund të gjendet në zgjidhje në këtë situatë? A do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve vendore nëse do të mbahen?

Presidenti Meta: Pasi dekreti u firmos dhe hyri në fuqi, nuk ka më datë formale dhe ligjore për zgjedhjet më 30 Qershor. Sa u përket pretendimeve të Kryeministrit Rama dua t’ju bëj me dije se precedenti i shtyrjes së zgjedhjeve vendore është krijuar për herë të parë në vitin 2006 dhe 2007, kur zoti Rama ishte udhëheqës i opozitës dhe kryebashkiaku i Tiranës. Ai kërkonte që një dokument shtesë të përfshihej në këtë proces teknik me kushtin që të merrte pjesë në zgjedhje. Pikërisht atëherë patëm precedentin e parë, që më pas do të përsëritej në disa raste të tjera.

Dua të them se kjo nuk është diçka e re. Sigurisht, nuk është diçka normale, sepse kur gjithçka shkon mirë nuk ka asnjë arsye për të marrë një vendim të tillë dhe unë shpresoj se Kryeministri ynë duhet të jetë më shumë i vetëdijshëm për këtë parim qeverisës, që qeveritë kanë më tepër përgjegjësi për të gjithë vendin, jo vetëm për mbështetësit e vet apo militantët. Unë shpresoj që ato t’i marrin përsipër e t’i përmbushin këto përgjegjësi dhe të reflektojnë sa më shpejt në interesin më të mirë të vendit.

Gazetari: Por a do ta njihni rezultatin e zgjedhjeve nëse qeveria do t’i zhvillojë ato?

Presidenti Meta: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë.

Gazetari: Ka dy interpretime krejtësisht të ndryshme të Kushtetutës, për të cilat Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendoste. Por meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse gjyqtarët po i nënshtrohen procesit të Vettingut etik… 

Presidenti Meta: Është vetëm një autoritet suprem që mund të gjykojë këtë dekret, që është Gjykata Kushtetuese, e që nuk është funksionale për momentin, siç e përmendet ju me të drejtë. Të gjithë e dinë se Presidenti i Republikës ka bërë çdo përpjekje prej kohësh për të shmangur një situatë të tillë, por kjo tani nuk ka më rëndësi. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim dhe jam i sigurt se kam bërë më të mirën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit midis qeverisë dhe opozitës, si edhe duke iu dhënë të dyja palëve mundësinë për t’u qetësuar, për të reflektuar dhe për t’u ulur sa më parë në dialog për interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve. Veçanërisht, në këto ditë para vendimit shumë të rëndësishëm që do të merret nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Gazetari: Le të flasim pak për aspektin politik të brendshëm të dekretit tuaj. Siç thatë, ju keni shprehur nëpërmjet atij dekreti dëshirën për të shmangur kërcënime të sigurisë publike dhe për të shmangur kërcënime ndaj stabilitetit demokratik. U keni kërkuar të dyja palëve të ulen në tryezën e dialogut, por deri më tani Partia Socialiste nuk ka pranuar. Disa përfaqësues të partive të vogla opozitare janë takuar me ju dhe kjo duket si një shenjë e nisjes së dialogut, por nuk kemi asnjë tregues se do të përfshihet aktorët kryesorë. Qeveria e udhëhequr nga Partia Socialiste thotë se do të shkohet në zgjedhje, ndërsa opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila thotë diçka pak a shumë kriptike dhe nuk jep asnjë sinjal pajtimi, teksa lideri i opozitës zoti Basha u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë atë që çdo qytetar europian do të ishte i detyruar të bënte kur përballet me një “grusht shteti”. Kështu e ka përkufizuar ai qeverinë e Edi Ramës. A jeni i shqetësuar për faktin se dekreti juaj duket se nuk ka efektin e dëshiruar?

Presidenti Meta: Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve.

Por unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar ato.

Gazetari: Të flasim pak për aspektin evropian të dekretit tuaj për shtyrjen e zgjedhjeve. Ju keni deklaruar se do të mbronit kriterin kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, garantimin e funksionimit të duhur të institucioneve demokratike si edhe pjesëmarrjen më të madhe të mundshme të partive. Dhe më 9 qershor ju nxorët dekretin teksa i bëtë të qarta këto qëndrime. Më 10 qershor Kryeministri Rama shkoi në Bruksel dhe u takua me Presidentin e Komisionit Europian. Ky i fundit tha se ishte pro zhvillimit të zgjedhjeve më 30 Qershor, pasi nëse nuk do të zhvilloheshin, kjo gjë mund të dëmtonte perspektivën europiane të Shqipërisë. Zoti Juncker ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm të asaj se çfarë është në interesin më të mirë të perspektivës suaj europiane krahasuar me Ju. Si e shpjegoni këtë?

Presidenti Meta: President Juncker është gjithashtu një mik i mirë i imi dhe është demokrat i madh. Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.

Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë.

Gazetari: Gjithsesi, duket se Shqipëria nuk do të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian këtë muaj. Si mendoni se do të pritet ky vendim nga shoqëria shqiptare dhe si e parashikoni impaktin politik të këtij vendimi?

Presidenti Meta: Unë ende shpresoj që Shqipëria të marrë ftesën për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian sa më parë të jetë e mundur, madje brenda këtij muaji, së bashku edhe me Maqedoninë e Veriut. Por është shumë e rëndësishme që në orët e ardhshme dhe në ditët e ardhshme të demonstrojmë pjekuri për të kapërcyer këtë krizë dhe kjo është mënyra e vetme që Shqipëria të ketë shanse më të mira për një vendim pozitiv në qershor apo shtator – kjo nuk është më e rëndësishmja, – por sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, nëse kriza do të vazhdojë, shanset mund të minohen për vite me radhë, e jo për disa muaj. Kjo është e qartë.

Gazetari: Pse e keni këtë opinion? A mendoni se përplasja aktuale politike është kriter kyç për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian?

Presidenti Meta:Funksionimi i institucioneve demokratike është thelbësor për çdo vendim të niveleve më të larta politike. Siç e kam nënvizuar, standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kanë qenë gjithmonë vendimtare për vendime të tilla. Shqipëria ka pasur disa probleme edhe në të kaluarën me zgjedhjet dhe nëse nuk tregojmë normalitet dhe përparim në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore do të ishte një katastrofë.

Gazetari: Ka gjithashtu shqetësime të tjera të shprehur nga vendet anëtare të BE-së dhe që janë përfshirë në raportin e Komisionit Europian. Do të veçoja zhgënjimin sa i përket mungesës së dënimeve ndaj personazheve të rëndësishme të botës së krimit, të përfshirë në trafik droge si edhe luftës ndaj krimit të organizuar. A vazhdon Shqipëria të ketë probleme serioze me krimin e organizuar sipas këndvështrimit tuaj?

Presidenti Meta:Sundimi i ligjit dhe përparimi i prekshëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe ndaj korrupsionit është thelbësor për të ecur përpara. Shqipëria ka nisur një reformë mjaft të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, por duhet bërë akoma më shumë për të treguar vullnet politik për ta zbatuar me përpikmëri. Gjithashtu, për të qenë partnerë edhe më të besueshëm për të gjithë partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.

Gazetari: Pra, ju mendoni se duhet bërë akoma më shumë përparim. Pse është dashur kaq shumë kohë për procesin e Vettingut? Përse Shqipëri është pa Gjykatë Kushtetuese për tetëmbëdhjetë muaj?

Presidenti Meta:Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një problem i madh për vendin dhe kjo e ka ndihmuar qeverinë për të marrë autoritet shtesë që nuk është i përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Gjithsesi, unë shpresoj që gjërat të përmirësohen në muajt e ardhshëm, por tani është e rëndësishme të adresojmë krizën dhe të kemi më shumë kohë për të gjitha reformat që duhen zbatuar.

 Gazetari: Nëse Shqipëria nuk merr ditën jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE këtë muaj, a mendoni se do të ketë rrezik për rritjen e emigracionit në masë, të ligjshëm apo të paligjshëm, pra shkaktimin e një vale të re emigrimi nga ky vend? Ne shohim që tani se një numër shumë i madh shqiptarësh largohen nga vendi i tyre për të nisur punë në një vend të huaj, sepse këtu pagat janë të ulëta. Papunësia e të rriturve është në nivelin 12%, e të rinjve është 22%. Numra shumë të vështirë për t’u menaxhuar nga çdo qeveri… 

Presidenti Meta: Nuk do kisha dëshirë të përshkruaja skenarin më të keq, atë që ju përmendni. Jam i vendosur të luftoj për skenarin më të mirë, që do të thotë gjetja e një zgjidhje sa më parë, të tregojmë pjekurinë e duhur që qytetarët tanë të kenë më shumë besim për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe që gjithashtu partnerët tanë të jenë më të bindur se ne e meritojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian sa më parë të jetë e mundur.

Gazetari: A mendoni se Shqipëria është gati për të nisur bisedimet për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në?

Presidenti Meta:Unë mendoj se shqiptarët janë gati, por udhëheqja politike dhe përfaqësuesit e institucioneve duhet të tregojnë më shumë pjekuri në mënyrë që të rrisim besimin te vendimmarrësit në Bashkimin Europian për ta hedhur këtë hap. 

Gazetari: Të kthehem pak të situata politike, që ju e cilësuat si pengesa kryesore. Polarizimi është ekstrem, situata shumë konfrontuese dhe duket se edhe ju jeni përfshirë tashmë në këtë vorbull. Ndërsa ju prisni që këto zhvillime të fuqishme politike të shpëtonin sistemin, sistemi duket se ju ka thithur.

Kryeministri Rama vuri në dyshim neutralitetin tuaj gjatë fjalës së tij në Parlament të enjten dhe tha se ju i keni dhënë fund të drejtës për të qëndruar në zyrën e Presidentit të Republikës, sepse ju jeni bërë të njëanshëm në postin tuaj, duke mbështetur qëndrimin e opozitës dhe keni kërkuar anulimin e zgjedhjeve. Qëndrimi i qeverisë është në krahun e kundërt. A druheni se do të humbisni të paktën imazhin e neutralitetit tuaj në shoqëri dhe në opinionin publik?

Presidenti Meta:Jo, unë jam i sigurt se vendimi im gëzon një mbështetje mjaft të madhe në shoqërinë shqiptare dhe opinionin publik, sepse çdo familje shqiptare ishte nën trysni nga kjo situatë konfrontuese dhe njerëzit në përgjithësi nuk dëshironin të shikonin e të ishin dëshmitarë të këtyre lloj zgjedhjeve.

Por dua t’ju bëj me dije se zoti Rama nuk ka arsye për të qenë i zhgënjyer me mua, sepse një nga argumentet e tij më të forta kur më propozoi për President i Republikës, – asokohe ishim edhe partnerë në koalicionin qeverisës, – ishte se ai nuk mund të gjente dikë tjetër më të mirë që do të garantonte të drejtat e opozitës se sa zoti Meta. Dhe duke marrë një vendim të tillë, unë nuk po përpiqem të mbaj anën e partive opozitare, por jam gjithashtu i detyruar të garantoj të drejtat e opozitës në Shqipëri, sepse ky është një parakusht për të garantuar pluralizmin politik, mbi të cilin është ndërtuar i gjithë sistemi kushtetues i vendit. Gjithashtu, pluralizmi politik është i garantuar vetëm nga zgjedhje të lira e të ndershme sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Dhe është shumë e rëndësishme gjithmonë t’i kujtojmë edhe Kryeministrit se qeveria ka përgjegjësi më të mëdha, sepse ka përgjegjësi për të gjithë vendin dhe gjithashtu për të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët janë taksapagues dhe kontribuojnë në buxhetin që menaxhohet nga kjo qeveri.

Thënë kjo, shpresoj se qeveria dhe Kryeministri do të reflektojnë në mënyrë konstruktive në ditët në vazhdim dhe do t’i shërbejnë interesit më të mirë të vendit.

Gazetari: Pyetja e fundit. A gëzon Kryeministri Rama besimin dhe mbështetjen tuaj si kreu i qeverisë së këtij vendi?

Presidenti Meta:Kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë. Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar. 

Gazetari: Zoti President, faleminderit që dhatë këtë intervistë për Al Jazeera-n!

Presidenti Meta:Faleminderit edhe ju!

lulzim-basha-2.jpg
G. P.19:29 | 16/06/2019

Lulzim Basha e ka cilësuar vendim burracak atë të Prokurorisë dhe Gjykatës së Elbasanit që mbajti në burg  4 prej 7 të arrestuarve. Kryedemokrati Basha akuzoi  kryeministrin Rama se ai ka urdhëruar procesin gjyqësor duke u premtuar gjykatësve dhe prokurorëve se do t’u kalojë Vettingun.

“Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë. Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se kryeministri  Rama po nxit urrejtje dhe përplasje mes militantëve të partive.

“Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve. Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike”.

Në mbyllje të deklaratës, Lulzim Basha ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës së 21 Qershorit në moton për Shqipërinë si gjithë Europa!/ABC News Albania 24/7

assange-1-1280x853.jpg
nev ila23:10 | 14/06/2019

Vendimi për ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të themeluesit të Wikiliks Julian Asangge do të merret vitin e ardhshëm. Një gjykatë në Londër ka vendosur që procesi gjyqësor të nisë në shkurt të 2020-s dhe do të zgjasë 5 seanca.

Një gjykatë në Londër vendosi të premten se procesi për esktradimin në Shtetet e Bashkuara të themeluesit të Uikiliks, Xhulian Asanzh do të nisë vitin e ardhshëm. Gjyqtarja Ema Arbuthnot vendosi që procesi të mbahet më 25 shkurt dhe do të zgjasë 5 ditë, me seanca të plota.

u hap pasi ministri i Brendshëm britanik, Sajid Xhavit pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e Asanzh, duke i hapur kështu rrugë nisjes së procesit. Ekipi ligjor që përfaqëson Xhulian Asanzh e quajti këtë lëvizje një “sulm agresiv ndaj të drejtave të gazetarisë”.

Ndërsa vetë Asanzh, përmes një video-konference iu përgjigj me ironi gjyqtares duke i thënë se në lojë janë 175 vjet të jetës së tij, që është dhe numri i viteve të burgut që ai rrezikon nëse deportohet në Amerikë, ku akuzohet për spiunazh. Asanzh mbrojti sërish faqen e tij të internetit nga akuzat për hakerim, duke thënë se Uikiliks është vetëm një faqe që publikon të dhëna.

Mark Samers, përfaqësues i Asanzh, i tha gjykatës se ekstradimi përmban një seri çështjesh të thella që duhen shqyrtuar. Por përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Ben Brendon tha se çështja lidhet me një nga rrjedhjet më të mëdha të informacioneve të klasifikuara në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Dokumentet e publikuara kishin të bënin me sekrete të luftës në Irak e Afganistan, si dhe të shërbimeve inteligjente amerikane./ABC News Albania 24/7

kryeministria_1-933x445.jpg
Sej rie11:20 | 10/06/2019

Pas vendimit të kreut të shtetit për të shfuqizuar datën e dekretuar prej tij për mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, Kryeministri Rama  mbajti një takim  për gati 1 orë e 30 minuta me ambasadorët e vendeve të BE, të akredituar në Tiranë. Më herët diplomatët evropianë janë mbledhur sot në orën 10.00 në zyrën e ambasadorit e delegacionit të BE-së në Tiranë Luixhi Soreka dhe me pas kanë shkuar në zyrën e shefit të qeverisë, në Kryeministri./ABC News Albania 24/7

 

 

vendimi-prokuroria.jpg
G. P.15:39 | 06/06/2019

Urdhri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë ndaluar publikimin në media të përgjimeve të dosjes “339/1” të botuar nga gazeta gjermane “Bild” për përgjimet e bandës së Avdylajve në Shijak bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Neni 22 përcakton:

  1. Liria e shprehjes është e garantuar.
  2. Liria e shtypit, radios dhe televizionit janë të garantuara.
  3. Ndalohet censura paraprake e një mjeti të komunikimit.
  4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve radiotelevizive.

E po kështu edhe neni 23 i Kushtetutës

  1. E drejta e informimit është e garantuar.
  2. Secili ka të drejtën, në përputhje me ligjin, të marrë informacion në lidhje me veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
  3. Secilit i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive

Një urdhër që del për herë të parë në 30 vite demokraci ka sjellë reagimin e gazetarëve dhe analistëve.

“Arta Marku në qoftë se e ka vënë këtë sepse është si thikë me dy presa se të ndalohet publikimi thotë ajp. Na e hedh ne fajin. Nuk ka të drejtë ta thotë ajo. Unë po kapa një të drejtë nuk kam pse të yes fare kush është në pushtetin gjyqësor. Kjo është detyra ime. Arta ta mbajë për vete atë”, tha Shpëtim Nazarko nga emisioni”Byro Politike” me Juli Xhakoxhi.

“Të gjitha skandalet janë zbuluar duke shkelur ndonjëligj të vogël që lidhet me shkeljen e ligjit për sekretet, dhe unë si gazetar nuk jam në mënyrë absolute as për ruajtjen e sekretit nga media, as nga njerëz të devotshëm, sepse prokuroria do duhej ta kishte zbardhur”, tha Mentor Kikia.

Ndërsa gazetari Blendi Fevziu nga studio e emisionit opinion i ka kujtuar dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, të cilët ndalojnë mediat për publikimin e këtyre përgjimeve se është shkelur edhe deklarata universale e të drejtave të njeriut.

“Është artikulli nr.19 i deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut, është artikulli nr.10 i Konventës Europiane. Është një precedent i mbyllur në botë, është një precedent i mbyllur në Shqipëri, është më pak se dritëshkurtësi, nuk dua ta quaj idiotësi sepse e quajti Hakorja dhe nuk vlen më shumë se idiotësi, që Prokuroria t’i kërkojë shtypit të mos publikojë”, tha ai.

 Një reagim ka ardhur edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e refuzojmë kategorikisht këtë urdhër të paprecedent, i cili në vetvete e tradhton inteligjencën juridike të vetë Prokurorisë! Organi i prokurorisë mund të nxjerrë një urdhër të tillë vetëm për stafet e tyre, për punonjësit që përfaqësojnë grupin hetimor, por kurrsesi nuk mund të urdhërojnë një pushtet tjetër që nuk ka lidhje me të, i cili kontribuon në transparencën publike dhe rritjen e informimit publik”! 

Sipas Unionit të Gazetarëve ky urdhër është një kërcënim megjithatë gazetarët shqiptarë nuk do të ndalen. Përkundrazi do të stimulohen më shumë për të operuar në mënyrë maksimale në interes të informimit publik.

metalurget-elbasan-1280x707.jpg
ent ela15:06 | 26/05/2019

Në Elbasan aktualisht banojnë gjysma e atyre që kanë punuar në metalurgji, miniera e në naftë. Kjo për shkak që ky qytet dikur ishte qendra industriale e vendit.

Kalojnë kohën këtu bashkë duke luajtur domino a tavëll në lulishte. Pas shumë përpjekjesh kanë fituar statusin. Projektligji mori miratimin në parlament.

Elbasani dikur ishte qendra industriale e Shqipërisë dhe rreth gjysma e tyre në shkallë vendi ndodhen këtu. Kjo për shkak të Kombinatit Metalurgjik dhe përqëndrimit të industrisë së rëndë. Vetëm në metalurgji punonin 12 mijë punëtorë dhe metalurgë. Në minierat e Përrenjasit ishin të angazhuar me punë mbi 1500 minatorë, kurse në Rafinerinë e Naftës në Cërrik 500 vetë. Janë të gjitha kategori që përfitojnë nga vendimi i fundit i qeverisë për statusin e metalurgëve, minatorëve dhe naftëtarëve.

Sali Dardha, inxhinier dhe ish metalurg:Çdo gjë sado e vogël po qe e mirë duhet vlerësuar. Në këtë parim nisma e qeverisë duhet çmuar”.

Sipas projektligjit mosha e daljes në pension për minatorët bëhet 55 vjeç. Për naftëtarët dhe metalurgët bëhet 60 vjeç ose 5 vjet para daljes në pension të shtresave të tjera.

Parashikohet që paralelisht ata që kanë punuar në miniera, naftë apo metalurgji kur të dalin në pension do të marrin edhe një shtesë të lidhur me vitet e punës në këto profesione të vështira.

“Unë e prita shumë mirë këtë vendim dhe shpresoj që të marr një pension të mirë” .

Për minatorët 1 për qind shtesë për çdo vit pune në minierë, për naftëtarët dhe metalurgët 0.6 për qind shtesë për çdo vit pune. Në total përfitojnë 23 mijë e 450 persona pjesa dërmuese e të cilëve, ose gjysma, banojnë në qarkun e Elbasanit. Sa i përket prespektivës ligji detyron kompanitë private të minierave, metalurgjisë apo naftës që të paguajnë kontribute shtesë, me qëllim që punonjësit e tyre të marrin pagesa më të larta kur të dalin në pension.

Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu

/ABC News Albania 24/7

talebane.jpg
G. P.10:30 | 24/05/2019

John Walker Lindh shtetasi amerikan i cili u kap në vitin 2001 ndërsa luftonte krah talibanëve në Afganistan, doli të enjten nga një burg federal i shtetit të Indianës.

I njohur si “talebani amerikan” ai kreu 17 vite nga një dënim me 20 vjet heqje lirie, nën akuzat se siguroi ndihmë të paligjshme për talebanët, sunduesit islamikë të vijës së ashpër të Afganistanit.

Por sekretari i Shtetit Mike Pompeo e kritikoi vendimin për lirimin e John Walker Lindh dhe tha se vendimi duhet të rishkohet.

Zoti Pompeo e konsideroi vendimin “të pashpjegueshëm dhe të paarsyeshëm“, gjatë një intervistë për rrjetin televiziv Fox News. Ai tha gjithashtu se John Walker Lindh” po kërcënon ende Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ai është ende i përkushtuar ndaj xhihadit.

John Walker Lindh nga Kalifornia ishte 20-vjeç kur u kap, moment që përkoi me ditët e para të pushtimit të Afganistanit nga SHBA, çka erdhi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Uashington dhe Nju Jork. Ai kishte udhëtuar në Jemen në vitin 2000 për të mësuar arabisht pasi kishte përqafuar fenë islame. Më pas ai u nis drejt Afganistanit, ku u bë vullnetar për talebanët.

Ai u mbajt në një burg ku u mor në pyetje nga oficeri i CIA-s Mike Spann, i cili u vra gjatë një kryengritjeje në burg. Autoritetet e sollën John Walker Lindh në Shtetet e Bashkuara dhe ai bëri një marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.

Një gjykatës federal ka vendosur një sërë kufizimesh të forta ndaj John Walker Lindh-ut si kusht për lirimin e tij, përfshirë monitorimin e qasjes së tij në internet, kryerjen e seancave të këshillimit për shëndetin mendor si dhe ndalimin për të poseduar apo patur qasje tek materialet ekstremiste.

Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin pasi Talibanët në pushtet refuzuan të dorëzojnë kreun e al-Kaidës Osama bin Laden, i cili orkestroi sulmet e 11 shtatorit 2001./VOA


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono