Vedat Muriqi

Muriqi-1.png
Igli Nikolli16:17 | 28/11/2019

Vedat Muriqi ishte mungesa e madhe e Kosovës në dy ndeshjet e fundit eliminatore të Euro 2020. Mungesa e “gjigantit” të sulmit u ndje në dy humbjet përballë Çekisë dhe Anglisë.

25-vjeçari pësoi një dëmtim në fitoren 3-2 kundër Kasimpasa. Në ndeshjen e 8 nëntorit, Muriqi shënoi një dygolësh dhe qëndron pushim prej asaj përballje. Sulmuesi dardan ka lënë pas krahëve problemet fizike dhe ka rinisur stërvitjen me Fenerbahcen.

Klubi turk ka dhënë lajmin e mirë me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku shkruan: “E gjeni dot se kush është rikthyer?” Muriqi është golashënuesi më i mirë i ekipit në kampionat, teksa numëron 7 gola të shënuar dhe një asist të dhuruar. /abcnews.al

Muriqi-1.png
Vladimir Prenga09:58 | 28/11/2019

Vedat Muriqi është një nga lojtarët më të kërkuar te Fenerbahce. Gjiganti turk nuk ka ndërmend ta shesë pa ofertën e duhur. Sulmuesi ka bërë paraqitje të mirë dhe është pjesë e rëndësishme e formacionit. Veç golave në fushë, shtatlarti nga Prizreni mund të shënojë edhe një tjetër jashtë fushe.

Sulmuesi mund të ndihmojë që të bindë Florent Hadergjonajn të transferohet në kampionatin turk. Duke qenë se Isla është në fund të kontratës, te Fenerbahce po shikojnë për një lojtar që ta zëvendësojë. Lojtari i Kosovës është opsion, sikurse raportojnë mediat në Turqi.

Futbollisti 25-vjeçar është pjesë e Huddersfield Town në Championship dhe deri më tani është aktivizuar në 11 ndeshje. Vjet në Premier League u aktivizua në 24 ndeshje. Hadërgjonaj është pjesë e klubit anglez prej verës së vitit 2017 dhe dëshira e tyre është që ta shesin anësorin e djathtë. /abcnews.al

Florent Hadergjonaj, me fanellën e Huddersfield (Foto: Alamy.com)
kumbulla1111.png
Vladimir Prenga11:43 | 21/11/2019

Marash Kumbulla është vënë në shënjestër të shumë klubeve italiane. Qendërmbrojtësi i Hellas Verona synohet edhe nga Lazio, por klubi kryeqytetas do të duhet të mendohet mirë nëse do ta blejë futbollistin e kombëtares shqiptare.

Verona e vlerëson kartonin e Kumbullës rreth 15 milionë euro, një shifër që konsiderohet e lartë. Lazio po mendon të lëvizë në verë për të afruar një qendërmbrojtës, ndërkohë që në listën e objektivave është edhe Strahinja Pavlovic, i Partizan Beograd. Për 18-vjeçarin serb interesohet edhe Monaco.

Në lidhje me Kumbullën dhe Pavlovic, ka folur edhe gazetari Alberto Abbate, i cili nuk i beson shumë zgjedhjeve të Igli Tares për mbrojtjen, madje përmend precedentët e mëparshëm. Në lidhje me emrat e përmendur më lart, ai jep mendimin e tij.

“Kumbulla më duket lojtar i fortë dhe me perspektivë, por mendoj se nuk është gati për nivele të larta. Sa i takon Pavlovic, është një lojtar i fortë, por ka më shumë treg dhe duket e vështirë ta transferojnë”.

Një tjetër objektiv i Lazios është edhe Vedat Muriqi, për të cilin Abbate shton: ” E vështirë për ta marrë në janar, por Lazio mund të përpiqet të përfshijë Durmishajn në negociatat me Fenerbahce. Një sulmues me ato karakteristika Inzaghi e ka kërkuar, por nuk e di nëse Muriqi është profili i duhur”. /abcnews.al

Kosova-Zhegrova.jpg
Vladimir Prenga13:19 | 12/11/2019

Kosova ka një ndeshje të rëndësishme me Çekinë më 14 nëntor, sfidë vendimtare për vendin e dytë në grup. Dardanët duan kualifikimin në Euro 2020, që do të ishte një mrekulli. Gjithsesi për të marrë rezultat pozitiv në Plzen, trajneri Bernard Challandes do të duhet të bëjë pa një prej lojtarëve më të rëndësishëm, sulmuesin Vedat Muriqi.

FFK ka konfirmuar mungesën e tij për shkak dëmtimi, edhe pse theksohet se lojtari i Fenerbahce ka bërë maksimumin që të rikuperohet për të qenë gati. “Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen.

Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këtë ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë. Për çdo ndryshim eventual në gjendjen e futbollistit do t’iu informojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /abcnews.al

Muriqi-Fenerbahce.jpg
Vladimir Prenga11:33 | 25/10/2019

Vedat Muriqi po spikat në Turqi. Një vit më parë shpërtheu me Rizespor, duke shënuar 17 gola. Në verë ishte Fenerbahce që e bleu sulmuesin nga Prizreni, i cili ka shënuar katër gola në kampionat këtë sezon. Muriqi po bën paraqitja të mira edhe me Kosovën dhe kjo ka bërë që të ketë goxha interes për shërbimet e tij.

Sulmuesi ka arritur t’i shënojë edhe Anglisë dhe në Turqi përmendin klube si West Ham, Tottenham dhe Manchester United si të interesuara. Gjithashtu në Itali lakohet Lazio dhe Interi së fundmi. Në skenë tashmë ka dalë edhe një tjetër klub.

Gazeta Fanatik Në Turqi shkruan se për Muriqin është futur në garë fuqishëm Napoli. Drejtori sportiv i Napolit, Cristiano Giuntoli, është takuar me Damien Comolli për Muriqin. Fillimisht ka marrë informacion mbi situatën e sulmuesit dhe në vazhdim do të ketë sërish bisedime.

Fenderbahce nuk është se e ka në plan ta shesë 25-vjeçarin, por do të mendohej mirë para një oferte të madhe. 25-30 milionë euro pretendeohet të përfitohet nga shitja e Muriqit, një shifër mjaft e lartë. / abcnews.al

Faksimile e lajmit të botuar nga Fanatik në Turqi
lenjani.jpg
ad min23:00 | 20/10/2019

Si çdo fundjavë, edhe sot pati shumë sfida në kampionatet evropiane. Si pasojë, edhe futbollistët shqiptarë që zbritën sot në fushë ishin të shumtë. Në Spanjë, Sadiku dhe Bare u aktivizuan titullarë për Malagan.

Sadiku arriti të gjejë dhe golin në takimin kundër La Coruna, rrjeta e tij e tretë në La Liga 2. Ndërsa Rey Manaj ishte “spektator” për Albacete, pasi qëndroi 90 minuta në stolin e rezervave.

Në Bjellorusi, mesfushori shqiptar, Azdren Llullaku, luajti vetëm 6 minuta në humbjen 2-0 të Soligorsk përballë Dnyapro, ndërsa Dermaku u aktivizua titullar dhe luajti 75 minuta për ekipin e Parmës në Serie A.

Edhe Etrit Berisha luajti titullar për SPAL-in në takimin kundër Cagliari. Në Kroaci, Uzuni, Kastrati, Mersinaj dhe Cokaj u aktivizuan titullarë për Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa Tuci e ndoqi nga stoli sfidën ndaj Hajduk Split.

Mesfushori Klaus Gjasula luajti 90 minuta për ekipin e Paderborn kundër Koln, sfidë e vlefshme për javën e tetë në Bundesligë. Vedat Muriqi arriti të shënojë sërish për Fenerbahce në Turqi, duke i dhënë fitoren 1-2 ekipit të tij në sfidën ndaj Denzlispor.

Në kampionatin zviceran, Lenjani vazhdon të jetë ndër më të mirët, pasi dhe sot ishte protagonist për Sionin, duke dhënë një asist të përkryer për sulmuesin Doumbia./abcnews.al

Muriqi.jpg
Vladimir Prenga14:56 | 27/09/2019

Vedat Muriqi është në qendër të vëmendjes në Turqi. Sulmuesi po paraqitet mirë edhe me Fenerbahce, teksa ka shënuar tre gola në pesë ndeshje. Gjatë këtij muaji ai ka realizuar edhe dy herë për Kosovë, madje njërin prej golave ia ka shënuar Anglisë.

Në Turqi raportojnë se janë disa klubet që janë vënë pas sulmuesit shtatlartë, masje flitet për shifra që kapin shifrën e 20 milionë eurove. Së fundmi ka dalë në skenë një tjetër klub anglez që interesohet për Muriqin.

Aksam raporton se në derbin Fenerbahce-Galatasary pritet të ketë përfaqësues të klubit të West Ham United. Ata kanë në fokus pikërisht sulmuesin nga Prizreni. “Çekiçët” kanë edhe një tjetër shqiptar në ekip, Albian Ajetin e blerë nga Baseli këtë verë. /abcnews.al

Muriqi-Fenerbahce.jpg
Igli Nikolli13:17 | 24/09/2019

Fenerbahce mposhti 2-1 në shtëpi ekipin e Ankaragucu ditën e shtunë dhe u rikthye te fitorja. Goli i Vedat Muriqit në minutën e 73-të i dha tre pikë të rëndësishme ekipit nga Stambolli, që është ngjitur në vendin e dytë me 10 pikë.

Goli i tretë në kampionat për bomberin dardan, i cili po kalon momentin më të bukur në karrierë. 25-vjeçari ishte edhe autori i asistit te goli i parë i shënuar nga danezi Jorgensen.

Alanyaspori i vendit të parë është vetëm 3 pikë larg, ndërsa ndeshja e radhës për Fenerbahcen do të jetë të shtunën në derbin e zjarrtë kundër Galatasaray.

Skifterja e zemrës në stadiumin e Fenerbahçes on Vidnews.

Një episod i këndshëm ka ndodhur në pushim të ndeshjes. Zakonisht 15 minutat e pushimit shtyhen me muzikë dhe kështu ndodhi edhe kësaj here. Një prej këngëve të zgjedhura ishte shqiptare.

Moment i bukur në stadiumin e Fenerbahces, aty ku filluan të dëgjoheshin tingujt e “Skifterja zemrës”, kënduar nga Bes Kallaku dhe Klajdi Haruni. Video është shpërndarë nga këngëtari korçar në rrjetet sociale, ndërsa tingujt e saj mesa duket i bëjnë efekt pozitiv Muriqit në shënimin e golave të tjerë. /abcnews.al

beri.jpg
ad min16:46 | 14/09/2019

Vedat Muriqi dhe Valon Berisha shpresojnë të hedhin hapa të rëndësishëm në karrierë pas golave ndaj Anglisë në Euro 2020. Muriqi mund të kalojë tek Tottenham në Angli, ndërsa Berisha shpreson të aktivizohet me Lacion në Itali.

Dihej që ishin të mirë, dhe pas kësaj ndeshjeje, synojnë për shumë më tepër. Vedat Muriqi dhe Valon Berisha ishin dy heronjtë kryesorë të Kosovës në duelit ndaj Anglisë në Southampton, dhe golat e shënuar bënë që të tërhiqnin shumë më tepër vëmendje.

Muriqi, sulmuesi i Fenerbahçes në Turqi, do të ndiqet edhe më seriozisht nga Tottenham, i cili ishte i interesuar që më parë për të. Shtatlarti 25-vjeçar u vëzhgua nga skautë të klubit anglez në stadiumin “Sent Meri”, dhe mediat shkruajnë se trajneri Pocchetino do të dërgojë njerëz në Turqi, për ta ndjekur edhe një herë në Superligën vendase.

Një tjetër media angleze, e quajtur “The Boot Room”, apo “Dhoma e Zhveshjes”, raporton fjalët e futbollistit gjerman të Fenerbahçes, Maks Kruze, që e krahason Muriqin me sulmuesin e Bayernit, Robert Levandovski.

Gjithsesi, shpresë më të madhe sesa Muriqi ka Valon Berisha, që po kalon një periudhë jo edhe aq të lehtë tek Lacio në Itali. Ai realizoi dy gola ndaj Anglisë në Euro 2020, të parin që në sekondën e 34-ët. Kjo ishte hera e parë që Anglia pësoi gol në minutën e parë, që nga ndeshja me San Marinon në 1993, kur Gualtieri shënoi për 8.3 sekonda.

“Ka qenë e vështirë për mua, por ishte e vështirë të kaloje nga Austria në Serinë A, – thotë Valoni për televizionin norvegjez, TV2, – gjithsesi, klubi deklaroi se unë jam i rëndësishëm, ndaj edhe qëndrova dhe shpresoj të luaj sa më shumë që të jetë e mundur”.

Konkurrenca në skuadrën italiane është shumë e madhe, por Berisha beson se ka dhënë prova se mund të jetë i vlefshëm, sidomos në një edicion kaq të gjatë, në Serinë A dhe në Ligën e Europës./ABC News Albania 24/7

VEDQT-1280x718.jpg
ad min16:45 | 07/07/2019

Vedat Muriqi kalon tek Fenerbahçe e Stambollit. Sulmuesi shqiptar i Kosovës bashkohet me gjigantin e futbollit turk për 6 milionë euro.

Një transferim i rëndësishëm më në fund u krye.

Fenerbahçe njoftoi zyrtarisht se mori Vedat Muriqin, sulmuesin e Kosovës dhe të Çajkur Rizesporit të Superligs turke.

Shënuesi I 17 golave në kampionatin që kaloi do të bashkohet me një nga skuadrat më të mëdha të Turqisë, 19 herë kampion, dhe që ka një shifër rekord të trofeve kombëtarë, plot 28.

Nuk ishte gjithsesi, një biznes i lehtë.

Muriqi këmbënguli se dëshironte të shkonte te Gallatasaraji, klubi i parë që u interesua për të, ndryshe kërcënoi se do të respektonte kontratën tek Rizespori.

Gazeta “Hyrrijet” informon se klubi ushtroi presion të madh mbi shqiptarin e Kosovës, që ai të pranonte kalimin tek Fenerbahçe.

Presidenti Hasan Kartal i tha se Rizespori dëshironte të lante borxhet, dhe Feneri jepte 6 milionë euro, ndërsa Gallatasaraji jo më shumë se 3.6 milionë.

Tashmë, gjithçka u zgjidh sipas vullnetit të dy klubeve, dhe Muqiri do të veshë një fanelë vërtet të madhe, edhe pse fillimisht dëshironte tjetër.

Ai do të përpiqet ta ndihmojë Fenerbahçen të fitojë titullin e parë kampion që nga viti 2014./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono