valverde

Valverde.jpg
Veronik Istrefaj18:28 | 04/11/2019

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ishte i pranishëm në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Slavia Prague. Pasi i thuri elozhe kundërshtarit, numri një i stolit katalanas foli edhe për atë humbje ndaj Levantes, si dhe rezultatet e fundit të Barcelonës.

“Ne presim një ndeshje të njëjtë si ajo në Pragë. Slavia na e bëri shumë të vështirë, por skuadra ime ia doli të fitojë dhe të zhvillojë një ndeshje shumë të mirë. Ata ishin shumë të fortë fizikisht dhe pres të njëjtën gjë sërish.

E filluam sezonin shumë dobët në ndeshjet jashtë shtëpisë, por u rikthyem në formën e duhur duke fituar tre takime radhazi. Pësuam një humbje ndaj Levantes, por para asaj sfide, kemi bërë ndeshje të mira. Do të rikthehemi te rezultatet pozitive, duke filluar që nga sfida ndaj Slavias”, tha trajneri katalanas./abcnews.al

Barcelona.jpg
Veronik Istrefaj15:59 | 29/10/2019

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka hedhur dritë mbi të ardhmen e mesfushorit të talentuar, Carlos Alena. 21-vjeçari ka dalë nga akademia e katalanasve, “La Masia”, dhe që nga viti 2017, është pjesë e skuadrës së parë. Një mesfushor me cilësi shumë të mira teknike, por rivaliteti në mesfushën e Barcelonës është shumë i madh.

Skuadra e Tottenham kërkoi të përfitonte nga kjo situatë dhe të paguante për kartonin e talentit spanjoll, por Valverde e ka bllokuar këtë transferim, duke thënë se e ardhmja e Alenas është vetëm në Camp Nou. Në fjalën e tij për mediet spanjolle, strategu i Barcelonës tha: “Alena është një lojtar i talentuar, meriton të luajë më shumë.

Por të gjithë e dimë se rivaliteti në atë pozicion është shumë i madh, por çdo lojtar do të ketë mundësinë të luajë. Alena është një njeri me karakter shumë të mirë, punëtor dhe që nuk ankohet asnjëherë. Shansi i tij do të vijë shumë shpejt”, përfundoi Valverde./abcnews.al

Barcelona-1280x720.jpg
Veronik Istrefaj18:55 | 19/09/2019

Barcelona dhe Real Madrid e kanë humbur shkëlqimin në Europë dhe dy presidentët e gjigantëve spanjollë, kanë filluar të shohin alternativa për trajnerë të rinj. Pas lajmeve që Zidane mund të zëvendësohet me Mourinho, mediat iberike janë fokusuar te situata në kampin katalanas, aty ku Valverde nuk po bind prej muajsh.

Kreu i pankinës së Barcelonës është kritikuar shpeshherë për stilin e lojës së tij dhe rezultatet e marra, si dhe ai eliminim me përmbysje sezonin e shkuar në Champions League nga Liverpuli, nuk është harruar ende.

Në Spanjë janë të bindur që Valverde nuk do t’i festojë Krishtlindjet si trajner i Barcelonës, pasi presidenti Bartomeu e ka gjetur pasuesin e tij. Bëhet fjalë për gjermanin Thomas Tuchel, numri një i PSG-së. Tuchel ka bërë një punë shumë të mirë në krye te PSG dhe Bartomeu e sheh si njeriun e duhur për të drejtuar Barcelonën. Negociatat mes palëve pritet të nisin në fundin e muajit nëntor./abcnews.al

neymar-1.jpg
ad min23:35 | 30/05/2019

Pas zyrtarizimit të trajnerit Valverde, drejtuesit e Barcelonës po mendojnë për të rikthyer brazilianin Neymar. Kapiteni i Real Madrid, Ramos i premton besnikëri klubit mbretëror.

Pasi i besuan stolin të paktën edhe për sezonin e ardhshëm teknikut Valverde, drejtuesit e skuadrës së Barcelonës po mendojnë për rikthimin në skuadër të Neymar. Ylli i Paris Saint Germain nuk ka përmbushur pritshmëritë në dy sezone tek kampionët në fuqi të Francës.

Në kampin katalanas janë të vetëdijshëm se një operacion i tillë ka një kosto të jashtëzakonshme, por e kanë gati planin për të reduktuar kërkesën e PSG. Klubi spanjoll ofron shërbimet e Dembele plus diferencën për të nënshkruar me brazilianin. Rikthimi i sulmuesit të talentuar në Camp Nou do të formonte sërish treshen e famshme MSN, të cilët triumfuan edhe në Ligën e Kampionëve plot 4 vite më parë.

Largimi i dyshes veterane Robben dhe Ribery nga Bayerni ka lënë një hapësirë që duhet mbushur me patjetër. Drejtuesit e kampionëve në fuqi të Gjermanisë kanë shfaqur hapur interesimin për sulmuesin që aktivizohet tek Manchester City në Angli, Sane. 23-vjeçari nuk është në planet e Guardiolës dhe largimi në merkaton verore është i padiskutueshëm.

Gjithsesi në kampin bavarez po shohin edhe për mundësi të tjera ku spikat ylli i juventusit, Paulo Dybala. 24-vjeçari zhvilloi një sezon për t’u harruar dhe nuk e përjashton mundësinë e largimit nga “Zonja e vjetër”. Bayern është i gatshëm të investojë plot 80 milionë euro për shërbimet e mëngjerashit ndërkohë që Juventus nuk e lë të lirë lojtarin për ofertat nën 100 milionë euro.

E ardhmja e kapitenit të Real Madrid, Sergio Ramos është kthyer në një telenovelë, fundi i së cilës nuk dihet. Ditën e sotme është mbajtur një tjetër takim mes Ramos dhe presidentit Perez ku mediat spanjolle raportojnë se qendër mbrojtësi ka deklaruar se do të qëndrojë në Madrid dhe do të mbyllë karrierën tek klubi që luan prej 15 sezonesh. Pak ditë më parë raportohej se iberiku kishte pranuar një ofertë nga Kina ku do të përfitonte 35 milionë euro në sezon./ABC News Albania 24/7

BARCELONA-6-000-GOLA-NE-LA-LIGA.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
ad min13:42 | 19/08/2018

Barcelona arriti një shifër historike të golave në kampionatin spanjoll. Edhe pse trajneri Valverde nuk mbeti i kënaqur me lojën, skuadrës katalanase i mjaftoi sërish Lionel Mesi.

Çfarë do të ndodhte, po të mos ishte ky? Futbolli është vërtet lojë me 22 lojtarë, por shpesh zgjidhjen një ndeshjeje ia jep një i vetëm.
Këtë bëri edhe Lionel Mesi në përballjen e parë të La Ligës për Barcelonën, që doli shumë e vështirë ndaj Alaveshit. Skuadra modeste luajti ndeshjen më të mirë të mundshme, me rregull dhe disiplinë, duke neutralizuar çdo rrezik nga kampionë të tillë si Suarez, Rakitiç, Zhordi Alba, Dembele apo edhe vetë Mesin, si dhe Kutinjon në pjesën e dytë.

Kapiteni i ri “azulgrana”, gjithsesi, gjeti zgjidhen sipas mënyrës së tij, me goditje dënimi. Këmba e majtë e tij solli golin numër 6 000 të Barçës në historinë e kampionateve spanjollë, pastaj edhe golin numër 6 002. Në mes të dy rrjetave të Mesit, ishte ajo, gjithashtu shumë e bukur, e Filip Kutinjos, ndërsa katalanasit e nisën sezonin me këmbën e mbarë, edhe pse trajneri Valverde nuk mbeti i kënaqur.

“Kjo nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, – u shpreh ai, – kundërshtari u mbrojt me shumë lojtarë pranë portës së tij, dhe na e ngadalësojë lojën. E patëm të vështirë, por jemi në gusht dhe shpresoj se do të përmirësohemi. Për fat kemi Mesin, që gjithnjë mund të të habisë”.
Numri 10 gjithnjë do t’i japë kohë ekipit të tij për t’u përmirësuar, dhe do të vazhdojë t’i zgjidhë ndeshjet personalisht.
Ndërkaq, ai u bë i pari lojtar në La Liga që shënon në 15 sezone radhazi, në shekullin e XXI-të, duke pasur gjithsej 385 gola në kampionat, një rekord absolut.Leo prezantoi trofeun e Superkupës së Spanjës para tifozëve në “Kamp Nou”, duke premtuar tituj të tjerë. Përsa kohë të jetë në fushë, Barcelona mbetet favorite për të qenë kampione./abcnews.al

barce-1280x720.jpg
ad min12:31 | 05/04/2018

Barcelona arriti një fitore të thellë ndaj Romës, por me shumë polemika. Katalanasit nuk bindën në përballjen e parë çerekfinale në Champions.

Kishte futboll, por edhe politikë në “Camp Nou”, në çerekfinalen e parë të Championsit.
Skuadra e Barcelonës luftoi për të fituar në fushën e lojës ndaj Romës, ndërsa tifozët në tribuna, përveçse e mbështetën, bënë edhe thirrje për lirimin e udhëheqësve katalanas të burgosur nga shteti spanjoll.
Gjithsesi, çështja e politikës është punë e gjatë, ndërsa kualifikimi ndaj Romës duhet të merret deri javën tjetër, me Barçën që nuk është se bindi.

Fitoi vërtet 4-1, por Roma pretendoi për të paktën një penallti, ndërsa detyra e vendasve u lehtësua shumë nga dy autogola të miqve.
Daniele De Rosi gaboi rëndë në pjesën e parë, i detyruar nga prania e Mesit, ndërsa mbrojtësi Manolas ishte i vendosur për të shkaktuar autogol pas pushimit, duke goditur fillimisht shtyllën e portës së tij, e duke e dërguar pastaj topin në rrjetë.

Askush nuk i refuzon dhuratat, ndërsa pjesën tjetër Barça e bëri vetë, por pa shkëlqimin e dikurshëm.
Një nga simbolet e barcelonizmit dhe katalonizmit, Gerard Pike, nuk u duk shumë i kënaqur në përfundim, pavarësisht nga ato që tha.

Pike: “Luajtëm një ndeshje të mirë, dhe arritëm një rezultat të thellë që na jep mundësi të jemi pak më të qetë për duelin e kthimit, të cilin sidoqoftë, duhet ta përgatisim mirë. Gjithsesi, duhet të mendojmë për ndeshjen ndaj Leganjesit në ligë, pastaj për kthimin në Romë”.

Është e çuditshme të kritikohet Barcelona, skuadra e vetme në Europë brenda të gjithë objektivave, në krye të La Ligës, në finale të Kupës së Mbretit dhe thuajse në gjysmëfinale të Championsit.

Trajneri Ernesto Valverde, megjithatë, nuk u fsheh pas statistikave.

Valverde: “Ishte një ndeshje e komplikuar dhe e vështirë. Roma bëri një paraqitje shumë të mirë përtej asaj që thotë rezultati i thellë. Kundërshtari ushtroi presion të madh, deri tek zona jonë e rreptësisë dhe kjo bëri që hera-herës të mos kishim vazhdimësi në lojë. E patëm të vështirë të kalonim barrierën e parë të tyre, por kur dilnim në sulm ishim të rrezikshëm ndaj erdhën edhe golat”.

Skuadra italiane duke e pashpresë pas kësaj disfate të thellë, edhe pse trajneri Di Françesko e pati për detyrë t’u jepte kurajë lojtarëve të tij.

Di Françesko: “Barcelona mund të ndihmohej më pak nga arbitrat, sipas mendimit tim. Pati disa vendime që ndikuan tek rezultati dhe Barcelonë është një skuadër e madhe që nuk ka nevojë për këtë. Kundërshtari ishte i fortë, por edhe ne bëmë pjesën tonë, me disa gabime individuale, duke ia lehtësuar punën, gjëra që nuk mund të lejohen ndaj një skuadre të tillë. Gjithsesi, jam i kënaqur për karakterin dhe paraqitjen e skuadrës, edhe pse e prishëm punën vetë. Duhet të kërkojmë të zhvillojmë një ndeshje të madhe në “Olimpiko” për të vazhduar të ëndërrojmë. Kurrë nuk i dihet”.

Përtej kritikave, Barcelona mbetet e frikshme.
Nëse Mesi, Iniesta apo Pike do të jenë në formën e duhur fizike dhe psikologjike, formacioni katalanas do të kthehet sërish ai I zakonshmi.
Jo më kot, nuk ka humbur deri tani asnjë ndeshje në kampionat dhe në Champions./abcnews.al

azpilicueta-1280x663.jpg
ad min15:56 | 14/03/2018

Barcelona-Çelsi është sfida e madhe e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve. Katalanasit cilësohen favoritë pas barazimit 1-1 në Londër, por anglezët synojnë të shkaktojnë një surprizë.

Përballja e parë i la gjërat të hapura.

Barcelona mori një barazim të çmuar 1-1 në fushën e Çelsit, duke qenë favorite për ndeshjen e dytë të Championsit që luhet sot.
Taktikat jo simpatike, por të sakta të Antonio Kontes u ndëshkuan nga një gabim, ndërsa tifozët u ndjenë edhe krenarë, por edhe të dëshpëruar dhe pa fat.

Fati për kalimin në çerekfinale do të përcaktohet në Barcelonë.

Kryeqendra katalanase e priti duelin me një klimë më shumë sesa pranverore, siç e tregon edhe njëra nga gazetaret e televizioneve ndërkombëtare që do të mbulojë sfidën në “Kamp Nou”.

Tifozët kanë besim se ky është viti i duhur për të mposhtur dominimin në Champions të Realit.

Askush nuk dëshiron që të kujtojë se madrilenët kanë fituar tre nga 4 trofetë e fundit, veçse katalanasit e trajnerit Valverde janë të pathyer në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.

Pritshmëria në Barcelonë është e madhe, siç e shprehin edhe gazetat.

El Mundo Deportivo”: Misioni Çelsi!

Gazeta “Sport”: Iniesta është gati!

Gjithsesi, Iniesta duhet të jetë në 100 për qind të formës që të luajë, ndërsa të sigurta janë mungesat e Semedos, Denis Suarezit dhe Minës, por edhe ajo e Kutinjos që nuk e lejon rregullorja, pasi ka luajtur në Champions me Liverpulin.

Geri Lineker, ish-sulmues i Anglisë dhe i Barcelonës, këshillon: “Barcelona duhet të sulmojë në ballë të gjerë dhe të bëjë presion të lartë”.

Trajneri Ernesto Valverde ndjen padyshim stresin e një takimi të vështirë, të cilit nuk i dihet fundi.

Ernesto Valverde: “Çelsi është ai që pamë në ndeshjen e parë. Ekip shumë i organizuar, i fortë psikologjikisht dhe mund të shënojë në çdo moment me lojën e shpejtë që zhvillon. Nuk e di sesi do të jetë taktika e anglezëve këtë herë, por mund të them se nuk mund t’i besojmë rezultatit të ndeshjes së parë, ndonëse është pozitiv për ne. Besoj se do të ndodhin shumë gjëra sonte, ndaj duhet të sulmojmë për të shënuar dhe për të fituar, por pa kaluar në aventurë”.

Një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kësaj skuadre, Sergi Buskets, pranon se do të jetë një betejë e vështirë taktike.

Sergio Buskets: “Pritet që të luajmë një ndeshje të fortë dhe aspak të lehtë. Në fund të fundit, ky është Championsi dhe ne do të përballemi me kampionen e Anglisë. Sidoqoftë, ne duhet të luajmë sipas mënyrës sonë, të qarkullojmë topin dhe të shfrytëzojmë rastet, por duket pasur kujdes sepse Çelsi është i vendosur shumë mirë në mbrojtje dhe të rrezikon me kundërsulm. Duhet të mendojmë për ta fituar ndeshjen”.

Lojtarët e Çelsit mbërritën në “Kamp Nou” të qeshur, por padyshim me tension të brendshëm. I dhanë dorën e fundit përgatitjeve, ndërsa kanë pak probleme, me mungesat e David Luizit dhe Barklit. Trajneri Antonio Konte kërkon që të mos përsëritet ajo që ndodhi në “Stemford Brixh”.

Antonio Konte: “Kamp Nou është një stadium i shkëlqyer dhe me një fushë të madhe. Është shumë emocionuese që do të luajmë një ndeshje të tillë, ndërsa për të fituar do të na duhet të bëjmë paraqitjen perfekte. Në ndeshjen e parë e bëmë këtë gjë, por kryem edhe një gabim dhe e paguam shtrenjtë. Barcelona ka lojtarë shumë të mirë, ka Mesin, por ka edhe Iniestën që është një gjeni. Unë e krahasoj me Andrea Pirlon, dhe është një gjeni i futbollit”.

Një nga shpresat e mëdha të Çelsit është te ky lojtar, Uillian.

Uillian: “Ne kemi lojtarë të mëdhenj, ata kanë po ashtu lojtarë të mëdhenj. Ata kanë më të mirin në botë, Mesin. Kushdo e di se çfarë cilësish ka Mesi. Ne duhet të bëjmë një ndeshje të përsosur dhe pa gabime”.

Ndeshja luhet në 20:45 në stadiumin “Kamp Nou” që pritet të jetë plot me mbi 90 000 spektatorë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono