ushtri

SIRIA-SAMITI.mpg_snapshot_01.26.jpg
G. P.08:17 | 28/10/2018

Rusia, Gjermania, Franca dhe Turqia zhvilluan të shtunën në Stamboll një samit katërpalësh në lidhje me Sirinë. Propozimi më i rëndësishëm gjatë diskutimeve ishte ai i kancelares Merkel, se zgjidhja ushtarake për Sirinë duhet të ndiqet nga një proces politik dhe zgjedhje të lira.

Të nxitur nga dhuna e regjistruar gjatë javës në bastionet e mbetura të rebelëve, liderët e Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Turqisë u mblodhën të shtunën në Stamboll për një samit mbi Sirinë. Duke reaguar në përfundim të takimit, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se zgjidhja e krizës siriane nuk mund të jetë vetëm ushtarake, por duhet të përfshijë edhe një proces politik të mbikëqyrur nga OKB. “Dhe në fund të këtij procesi duhet të ketë zgjedhje të lira, tek të cilat duhet të kenë akses të gjithë sirianët, përfshirë diasporën”, tha Merkel. Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi bashkëpunimin me palën turke për implementimin e marrëveshjes dypalëshe për Sirinë, që lidhet me rajonin e Idlibit, bastioni i fundit i rebelëve.

Ndërsa presidenti francez Emanuel Makron tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbikëqyrë situatën, për t’u siguruar se Turqia dhe Rusia do të respektojnë marrëveshjen e negociuar të shtunën, për të krijuar një zonë joushtarake në rajonin në fjalë. “Ne do të tregohemi tejet të vëmendshëm për t’u siguruar që angazhimet e marra përsipër të përmbushen dhe që armëpushimi të jetë solid dhe i qëndrueshëm”, tha Makron. Makron shtoi se çdo ofensivë e nisur nga regjimi i presidentit Bashar al Assad dhe aleatët e tij do të ketë pasoja të papranueshme humanitare dhe në aspektin e sigurisë. Takimi i së shtunës në Stamboll shërbeu edhe që Gjermania dhe Turqia të ulnin tonet mes tyre. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i tha kancelares Merkel se shtetasit gjermanë të dënuar në Turqi për përfshirje në grushtin e shtetit do të mund ta apelojnë vendimin./abcnews.al

ushtriiia.jpg
G. P.11:16 | 25/09/2018

Forcat e Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë stërvitjet intensive në pritje për tu transformuar në ushtri. Vendimi për krijimine ushtrisë u mor nga qeveria e kryeministrit Haradinaj ditë më parë, por  ky projektligj ende nuk ka shkuar në parlament.

Ditë më parë, qeveria e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj, procedoi projektligjin për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës ditët e fundit po kryejnë stërvitje intensive me grupe të ndryshme, me qëllim që të jenë sa më të përgatitur në të ardhmen.

Mediat kosovare shkruajnë se një grup ushtarësh kosovarë ndodhen në Shqipëri ku edhe po kryejnë një super-stërvitje nga NATO, disa të tjerë po kryejnë stërvitje në kampin “Bondsteel”, në Ferizaj nga KFOR-i.

Gjatë këtij trajnimi, FSK kanë mësuar për lëvizjet individuale, teknikat e kujdesit mjekësor dhe gamën e sulmeve të shpërthimit të granatës.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës tashmë kanë nisur procedurat për transformimin e FSK-së, pavarësisht se kjo mund të përdoret si argument nga Serbia, se ushtria po bëhet pa pëlqimin e serbëve të Kosovës./abcnews.al

STERVITJA-PUTIN-KINA.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
ent ela23:03 | 11/09/2018

Rusia ka filluar stërvitjen më të madhe ushtarake që prej Luftës së Ftohtë. Në këto ushtrime merr pjesë Kina dhe Mongolia. Ndërkohë, presidenti Putin u takua sot me homologun e tij kinez.

Rusia zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, duke përfshirë rreth 300,000 ushtarë, në Lindje të Siberisë. Kina ka dërguar 3,200 trupa për të marrë pjesë në “Vostok-2018”, me shumë automjete të blinduara kineze dhe avionë. Mongolia gjithashtu ka dërguar disa njësi. Ushtrimi i fundit rus i shkallës së ngjashme ishte në vitin 1981, gjatë Luftës së Ftohtë, por Vostok-2018 përfshin më shumë trupa. Manovrat, që zgjasin një javë, mbërrijnë në një kohë të tensionuar mes NATO-s dhe Rusisë.

Ndërsa ushtrimet filluan, Presidenti rus Vladimir Putin u takua me homologun e tij kinez Xi Jinping në një forum në qytetin lindor të Vladivostok dhe i tha atij se “kemi një marrëdhënie besimi në sferën e politikës, sigurisë dhe mbrojtjes”. Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s – aleancës mbrojtëse prej 29 anëtarësh të dominuar nga SHBA-të – janë përkeqësuar që kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në 2014. Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov tha se stërvitjet ishin të justifikuara duke pasur parasysh qëndrimet “agresive dhe jo miqësore” ndaj Rusisë.

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se 36.000 tanke, transportues të personelit të blinduar dhe automjete të këmbësorisë të blinduara do të marrin pjesë në Vostok-2018, nga 11 deri më 17 shtator, së bashku me më shumë se 1,000 avionë. Vostok do të thotë lindje. Ushtrimi do të përhapet në pesë baza të stërvitjes ushtarake, katër bazave ajrore dhe zonave në Detin e Japonisë, Rrethin Bering dhe Detin e Okhotskut. Deri në 80 anije detare do të marrin pjesë, nga dy flota ruse. Shkalla e Vostok-2018 është ekuivalente me forcat e vendosura në një nga betejat e mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Rusia numëron deri në 1 milionë personel ushtarak në total.

erdogan-sot-betimi.jpg
G. P.17:12 | 15/07/2018

Qeveria e presidentit turk, Erdogan, ka marrë në kontroll ushtrinë e vendit dhe shtabin qëndror. Ky zhvillim ka ndodhur në përvjetorin e dytë të grushtit të dështuar të shtetit. Erdogan njoftoi se do të vijojë beteja kundër ndjekësve të imamit Gylen, të cilin e akuzon si organizator të grushtit të shtetit.

Presidenti i Turqisë nuk njeh limite dhe vijon të zgjerojë pushtetin e tij. Qeveria e re turke e Rexhep Tajip Erdogan do të kontrollojë stafin e përgjithshëm të ushtrisë. Kjo u mundësua me një dekret të lëshuar në bazë të fuqive të reja të sistemit presidencial, në ditën kur Turqia përkujton përvjetorin e dytë të grushtit të dështuar të shtetit. Tashmë Forcat e armatosura kalojnë nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes, në kokën e të cilit Erdogan emëroi ish-shefin e shtabit të Ankarasë disa ditë më parë, Hulusi Akar.

Ndërkohë, në një event për 15 Korrikun, Presidenti i Turqisë tha se organizata e drejtuar nga imami Fetullah Gylen, ashtu si kurdët dhe ISIS, si dhe organizata të tjera të ngjashme duan të rrezikojnë unitetin dhe të ardhmen e vendit. Me rastin e përvjetorit të dytë të përpjekjes së dështuar të grusht shtetit, për të cilin Ankaraja akuzon imamin Gylen dhe organizatën e tij, duke iu referuar me shkrutimin FETO, Erdogan porositi se Turqia dhe populli i saj nuk do ta harrojnë dhe as nuk do të lejojnë që të harrohet 15 Korriku.

“Nuk do të ndalojmë së luftuari kundër FETO-s. Do t’i zbulojmë dhe do t’i shkatërrojmë të gjitha celulat dhe poret ku ata kanë deportuar”, paralajmëron Erdogan, duke lënë të kuptohet se do të vijojë me heqjen nga puna të qytetarëve që dyshohen se kanë qenë pjesë e strukturave të Gylen. Ndërkohë, nga ana tjetër, kleriku që jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjet e 15 Korrikut të 2016-s./abcnews.al

fsk.jpg
G. P.13:10 | 04/07/2018

Në Kosovë vijon presioni i Beogradit ndaj komunitetit serb. Kadetë të shumtë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, po detyrohen të paraqesin kërkesa për dorëheqje, pas kërcënimeve që kanë marrë se mund të burgosen, apo se mund t’i ndodhë ndonjë gjë familjeve të tyre.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike e kanë dënuar presionin e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë nisur të parashtrojnë kërkesat për largim nga kjo forcë. Për shkak të presionit të Beogradit 8 kadetë nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesa të tilla.

Lidhur me këto zhvillime, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm. Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se ata rrezikojnë deri në 10 vite burg, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura. Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve. Për këtë situatë, zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, bën të ditur se janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe NATO-n.

Ai shton se tashmë është e qartë që, siç i ka quajtur ai, politikave të vjetra të Serbisë u dhemb në mënyrë të jashtëzakonshme integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës dhe besimi i tyre ndaj këtyre institucioneve. Zëvendësministri Ramadani gjithashtu thotë se mbi 5 për qind e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, i takojnë bashkësisë serbe. Në muajin Shkurt të këtij viti, në Zubin Potok, komunë kjo në veri të Kosovës, janë parë afishe, në të cilat në mënyrë të hapur kërcënohen pjesëtarët serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ky presion i Serbisë vjen për të penguar shndërimin e FSK-së në ushtri, gjë të cilën nuk mund ta bëjë pa mbështetjen e politikanëve serbë në Kosovë. Për momentin ky grupim politik kundërshton një veprim të tillë, megjithatë, Beogradi kërkon të sigurohet./abcnews.al

gaza.jpg
G. P.22:52 | 30/03/2018

Të paktën 15 manifestues palestinezë janë vrarë të premten në përleshjet e dhunshme me ushtrinë izraelite, përgjatë barrierës mbrojtëse mes Gazës dhe shtetit hebre. Lajmin e bën të ditur Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës, e cituar nga agjencia palestineze “Maan”, që flet edhe për 1.200 të plagosur.

Manifestimi ishte organizuar nga lëvizja islamike Hamas për të përkujtuar marrjen e tokave të pronarëve arabë nga Izraeli. Ushtria izraelite deklaroi më herët se ishin rreth 17 mijë manifestuesit që hidhnin ndaj trupave të saj bomba molotov dhe gurë, duke i detyruar të përgjigjen me mjete për shpërndarjen e turmës dhe duke qëlluar nxitësit e dhunës. Për shtetin hebre, është lëvizja e Hamasit ajo që vë në rrezik jetët e civilëve duke i përdorur për qëllime terroriste dhe për gjithçka që i leverdis asaj./abcnews.al

vlcsnap-error861-1-1280x720.jpg
G. P.21:41 | 13/02/2018

Ekspertë të çështjeve ushtarake kanë paralajmëruar se ritmet e zhvillimit të forcave të armatosura kineze po lënë pas simotrat e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, të cilat duhet të zgjohen nga gjumi.

Modernizimi i forcave të armatosura kineze po vijon me ritme më të shpejta nga sa kishin parashikuar ekspertë të fushës. Aktualisht, sipas specialistëve të Institutit Ndërkombëtar për Studimet Strategjike me bazë në Londër, do të jetë Kina dhe jo Rusia që do të shënojë atë gur kilometrik që Shtetet e Bashkuara duan ta arrijnë për ushtrinë e tyre.

Vlerësimi, sipas specialistëve, përputhet sa i takon zhvillimit të forcave ajrore dhe detare kineze. “Sigurisht, ky transformim i ushtrisë kineze ka kërkuar kohën e tij, por tashmë vendi ndodhet në një pikë kur mund të kthehet në konkurrentin kryesor të Uashingtonit”, thonë ekspertët.

Dhe në fakt, progresi i kapaciteteve teknike të “dragoit” janë të dukshme; që nga raketat balistike me rreze ultra të gjatë veprimi e deri tek avionët luftarakë të brezit të pestë. Vitin e kaluar aeroplanmbajtësja e parë kineze doli në det; një lëvizje kjo që sipas specialistëve duhet të zgjojë NATO-n nga gjumi.

Ndërkohë që vendi po punon për ndërtimin e aeroplanmbajtëses së dytë. Gjithashtu, Pekini po riorganizon strukturën komanduese të ushtrisë për të koordinuar më mirë të gjitha njësitë e saj. Sa i përket artilierisë, mbrojtjes ajrore dhe sulmeve tokësore, ushtria kineze ka armatime që lënë pas çdo pajisje që mund të përdorin Shtetet e Bashkuara, thonë ekspertët. Që prej fundit të viteve ’90, kur mori në dorë teknologjinë e avancuar ushtarake ruse, Marina Kineze ka rikapitalizuar korpusin e flotës mbi dhe nënujore të saj./abcnews.al

vlcsnap-error285-1-1280x720.jpg
ent ela12:57 | 13/02/2018

Karriera në Forcat e Armatosura të jetë e pastër si një garë sportive. Apeli vjen nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sporteve në ushtri.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë iu bashkuan ushtrive nga 135 vende të tjera në Ditën Ndërkombëtare të Sporteve në ushtri.

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave garuan në dy disiplina, 10 km për vrapuesit djem dhe 6 km për vrapueset vajza.

Në vendin e parë për djem u rendit kapiten Bledar Mesi, i ndjekur nga ushtar Alban Faslliu nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Në vendin e tretë u rendit toger Renato Dordi nga Forca Ajrore.

Në kategorinë e vajzave, vendin e parë e zuri kadete Xhuliana Tahillari nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vendin e dytë u rendit ushtare e tretë Sadete Popshini, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u pozicionua Artemisa Axhami nga Policia Ushtarake.

“Ne jemi plotësisht të angazhuar që edhe karriera juaj t’i përngjajë kësaj gare të bukur sportive. Dhe po punojmë që kjo garë të jetë e pastër, e ndershme dhe e shëndetshme. Një garë ku secili prej jush të vlerësohet dhe promovohet në bazë të meritave dhe të performancës së treguar gjatë punës.

Kjo garë e ndershme do t’ju krijojë mundësinë të gjithëve që të shprehin sa më mirë që të jetë e mundur, nivelin e përgatitjes profesionale, në shërbim të Forcave tona të Armatosura dhe do të rrisë nivelin profesional të saj, si rrjedhim edhe cilësinë e realizimit të detyrave.”

Dita e vrapimit të Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve në ushtri zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes./abcnews.al

vlcsnap-error896-1280x720.jpg
G. P.12:52 | 04/02/2018

Ushtria turke ka pësuar disfatën më të rëndë, që prej nisjes së ofensivës kundër milicive kurde në Siri. Mësohet se 7 pjesëtarë të forcave të sigurisë së Turqisë janë vrarë.

Ushtria e Turqisë ka pësuar ditën më vdekjeprurëse në ofensivën kundër milicive Kurde brenda veriut të Sirisë. Mësohet se 7 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë. 5 prej tyre humbën jetën pasi tanku i tyre u sulmua në rajonin Afrin. Kryeministri Binali Jëlldërëm u zotua se militantët do të paguajnë dyfishin e asaj që kanë bërë ndërsa avionët e Ankarasë kanë goditur vendndodhje të kurdëve në verilindje të qytetit Afrin.

Operacioni i ushtrisë turke, i quajtuar “Dega e Ullirit”, ka nisur me 20 Janar dhe qëllimi i tij është largimi i milicisë kurde YPG nga provinca Afrin. Ankaraja i shikon militantët YPG si një grupim terrorist dhe si zgjatim i Partisë Punëtore të Kurdistanit “PKK”. Kjo lëvizje ka luftuar prej 3 dekadash për autonomi në juglindje të Turqisë.

Sipas konfirmimeve zyrtare, 14 ushtarë të forcave të sigurisë së Ankarasë kanë humbur jetën në ofensivë. Ndërsa nga ana tjetër, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadollu, janë neutralizuar mbi 900 militantë kurdë, të cilët konsiderohen si terroristë.

Në këtë ofensivë, forcat turke shoqërohen dhe nga rebelët e Ushtrisë së Lirë Siriane. Ndërkohë, fuqitë perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Francë, prej kohësh bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje në mënyrë që të shmangen viktimat në civilë. Pikërisht për këtë ka ardhur dhe një bilanc provizor. Sipas një zyrtari siriano-kurd, 150 civilë janë vrarë dhe 300 të tjerë janë plagosur që prej nisjes së ofensivës së ushtrisë turke./abcnews.al

vlcsnap-error417-1280x720.jpg
ent ela10:43 | 02/02/2018

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Francë gjatë mëngjesit të së premtes. Mësohet se dy helikoptërë ushtarakë të shkollës së trajnimit janë përplasur në rajonin juglindor Var duke shkaktuar viktima. Një zyrtar i ushtrisë franceze ka konfirmuar se 5 persona kanë humbur jetën në aksidentin ajror. Mediat shkruajnë se nuk ka detaje të menjëhershme lidhur me shkakun e përplasjes. Autoritetet kanë hapur një hetim për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit po kërkojnë dhe për një persona të gjashtë, i cili gjendej në njërin prej helikopterëve të rrëzuar. Kjo lë të kuptohet se bilanci i viktimave mund të rritet ende./abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono