urime

pashket-1.jpg
ad min12:53 | 28/04/2019

Besimtarët ortodoksë kanë marrë urime edhe nga politikanët.

Presidenti i Republikës Presidenti Ilir Meta vizitoi katedralen Ngjallja e Krishtit ku u prit nga Kryepeskopi i Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastasi dhe klerikë të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale.

Në mesazhin e tij, ai kërkoi më shumë bashkëpunim midis shqiptarëve.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë me pamjet nga Kisha e Marmiroit në Orikum të Vlorës, kisha 9-shekullore që përfaqëson një nga objektet më me vlerë të kultit në këtë zonë, njëkohësisht është edhe një ndër më të vjetrat në shkallë vendi.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nëpërmjet një shporte me vezët e kuqe, simbol i kësaj dite i ka uruar të gjithë besimtarëve ortodoksë këtë festë të shenjtë siç e quan ai, që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës dhe dritës mbi të keqen dhe errësirën, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë, babëzinë dhe injorancën!/abcnews.al

bashkiaaa.jpg
ad min15:13 | 14/03/2019

Në orë të ndryshme të ditës kanë përshkuar të njëjtat rrugë në Elbasan për të uruar ditën e verës, secili sipas mënyrës së tij.

“I uroj të gjithëve gëzuar Ditën e Verës këtu nga Elbasani. Është një vit i veçantë edhe për ditën e Verës. Lala me 14, Luli me 16 Lali me 16. Gëzuar të gjithëve”, tha Rama.

Iu shmangën njëri-tjetrit, por jo elbasanasve edhe në këtë 14 Mars. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministra, deputetë e kryebashkiaku i Elbasanit përveç ballokumeve shijoi edhe ekspozitën e fotografëve austriakë dedikuar qytetit të Elbasanit. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi disa vizita në familje tradicionale elbasanase.

Pavarësisht motit të vrenjtur banorët, por edhe dashamirësit e kësaj feste nga qytete të tjera të vendit nuk iu trembën lajmërimeve për kushtet e këqija atmosferike por morën pjesë në të gjitha aktivitetet e organizuara.

Parada e karnavaleve! Veprimtari të ndryshme sportive, performanca, lojëra popullore dhe koncert në qendër të qytetit. Nuk mungoi panairi i librit dhe ai tregtar. Për qytetarët kjo festë është e rëndësishme sepse simbolizon ripërtëritjen, mirësinë e mbarësinë.

Këtë vit, Elbasani ishte qendra e vetme e festimeve pas shtyrjes për  në 17 Mars që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i bëri organizimeve për të kremtuar ditën pagane në kalendarin shqiptar./abcnews.al

kosova-3.jpg
ad min11:58 | 17/02/2019

Edhe autoritetet më të larta të shtetit dhe politikës në Tiranë kanë përcjellë mesazhet e urimit për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në ditën e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, politika shqiptare ka shprehur urimet e saj të rastit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një kujtim të veçantë, dy fotografi të shkrepura në zyrën e kongresmenit Eliot Engel, kryetar i komisionit për politikën e jashtme në kongresin amerikan.

Në njërën nga fotot shfaqet kreu i shtetit shqiptar, teksa sheh një kopje të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në murin e zyrës se kongresmenit amerikan. “Kujtim të paharrueshëm”, e quan presidenti momentin e kapur në foto.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, mesazhin e tij të mëngjesit e nisi me urimin për ditëlindjen e shtetit të Kosovës, duke i uruar të gjithëve një të djelë të bukur.

Ministri për Diasporën, ish-kryeministër i Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, ka uruar gjithashtu 11-vjetorin e Pavarësisë së shtetit kosovar, me foton e heroit kombëtar Adem Jashari dhe mesazhin, “Të gjithë dhanë diçka, por dikush i dha të gjitha”.

Një urim 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ia dedikoi edhe kryeopozitari Lulzim Basha, i cili e quan atë arritjen më të madhe kombëtare të historisë së shqiptarëve.

Sot është dita për të kujtuar me krenari dhe mirënjohje të thellë kombëtare të gjithë ata që për dekada punuan dhe sakrifikuan për këtë arritje – shkruan Basha – si amanet që me vendosmëri të vijojmë rrugëtimin e përbashkët në mbrojtjen dhe fuqizimin e pavarësisë, sovranitetit dhe vlerave të së ardhmes euro-atlantike të Kosovës.

Për ish-kryeministrin Sali Berisha, Pavarësia e Kosovës, vepër e gjeniut politik të kombit, Ibrahim Rugova, komandantit Adem Jashari dhe aleatëve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fton shqiptarët të përulen me nderimin më të thellë përpara qindra mijëra bijëve dhe bijave që vendosën në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, jetën dhe rininë e tyre.

“Por sot – shkruan Berisha – pas 11 vitesh liri dhe pavarësi, Kosova përballet me rrezikun e coptimit të trojeve të saj nga ata që kanë marrë në dorë flamurin e serbisë së madhe dhe tregtojnë territoret e saj”.

Ky qëndrim, antikombëtar për ish-kryeministrin, është një kushtrim për çdo shqiptar për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës prej tyre./abcnews.al

pompeo.jpg
ad min11:45 | 17/02/2019

Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar Kosovën për 11-vjetorin e pavarësisë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën që të hapë dyert drejt së ardhmes me më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet në dekadën e dytë të pavarësisë”, ka thënë Pompeo.

Në mesazhin e tij, shefi i diplomacisë amerikane nënvizon se, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si boshtin e tyre, është një proces jetik për suksesin e Kosovës.

“Përmbushja e këtij vizioni kërkon përpjekje të vazhdueshme për të forcuar institucionet tuaja demokratike”, ka vijuar Pompeo.

Ai ka theksuar se, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të vazhdojnë ndërtimin e partneritetit dypalësh, të bazuar në vlera dhe prioritete të përbashkëta.

“Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lidhjen e fortë mes popujve tanë dhe do t’i mbështesin hapat e atyre që punojnë për të nxjerrë në pah potencialin e madh të Kosovës”, ka shtuar Pompeo./abcnews.al

Presidenti_Ilir_META.jpg
ad min12:11 | 06/02/2019

Presidenti Ilir Meta uroi Republikën e Maqedonisë së Veriut për nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në NATO. Meta përshëndeti udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se ky vendim i duhur vjen në kohën e duhur.

“Shqipëria dhe 28 aleatët nënshkruan sot protokollin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në #NATO! 
Urime udhëheqësve politikë vizionarë dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë arritje të merituar, që nxit përparimin e mëtejshëm të vendit, rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe forcon Aleancën e vlerave të përbashkëta Trans-Atlantike.
Vendimi i duhur në kohën e duhur”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Ambasadorët e 29 vendeve anëtare të NATO-s sot nënshkruan protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se ky është një moment historik për vendin dhe se kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras kanë treguar guxim të madh me arritjen e Marrëveshjes së Prespës, duke dhënë kontribut të madh për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Secili shtet anëtar i NATO-së nënshkroi Protokollin, ndërsa shteti i parë që nënshkroi ishte Shqipëria./abcnews.al

TSIPRAS-ZAEV-NOBEL.mpg_snapshot_00.11-1280x739.jpg
ent ela18:40 | 25/01/2019

Marrëveshja e Prespës duhet të shërbejë si precedent për zgjidhjen e kontesteve të tjera në Ballkan dhe Europë. Ka qenë ky reagimi i Brukselit pas ratifikimit të paktit nga Parlamenti grek. Në të njëjtën linjë, liderët ballkanas kanë deklaruar se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Greqisë është pritur me ovacione në Ballkan dhe mbarë Europën. I pari që e ka përshëndetur këtë hap të rëndësishëm të politikës greke ka qenë kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili ka uruar homologun Aleksis Tsipras, të cilin e ka cilësuar “mikun e tij”.

“Urime miku im Aleksis Tsipras! Bashkë me kombet tona shënuam një fitore historike! Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës dhe po ashtu paqja dhe integrimi i Ballkanit në Europë”, ka thënë Zaev në profilin e tij në Facebook.

Nga Brukseli, presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker, shefja e Politikës së Jashtme Federika Mogerini dhe komisioneri Johanes Hahn e kanë përshëndetur në unison ratifikimin.

“Që nga fillimi BE e mbështeti fuqishëm marrëveshjen historike të kryeministrave Tsipras dhe Zaev. U desh guxim, lidership dhe përgjegjshmëri që të tejkalohej një nga kontestet më të vjetra në rajon”, thuhet në një deklaratë të liderëve të BE. Ata vlerësojnë se, marrëveshja do të shërbejë si shembull për pajtim në të gjithë Europën dhe do të nxisë perspektivën europiane për rajonin.

Ndërkohë, nga Prishtina, kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar një “hap historik” ratifikimin e marrëveshjes së Prespës.

“Edhe njëherë u konfirmua se rruga e vetme për stabilitet në rajon është ajo e dialogut dhe e paqes. Ballkani po ecën  i sigurt drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Haradinaj në Facebook. Ndërsa ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka vlerësuar lidershipin e treguar nga kryeministrat Tsipras dhe Zaev për marrjen e vendimeve të guximshme për të ardhmen e dy vendeve. “Ky është një hap i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, ka shkruar Pacolli në rrjetet sociale./abcnews.al

krishlindje-e1545681919582.jpg
ad min21:22 | 24/12/2018

Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sonte lindjen e Krishtit, datën më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar. Meshat e shenjta mbahen në mesnatë, në Tiranë, për besimtarët katolikë në katedralen e “Shën Palit” dhe ata ortodoksë në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Besimtarët kremtojnë lindjen e birit të Zotit, Krishtit, që sjell simbolikën e shpresës, një moment që shoqërohet me urimet për paqe, harmoni e dashuri mes njerëzve./abcnews.al

PAPA-DITELINDJA.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ad min17:20 | 17/12/2018

Festimet për 82 vjetorin e Papa Françeskut kanë nisur që të dielën. I lindur në 17 dhjetor të 1936-s në Buneos Aires, jezuiti Horge Bergolio u zgjodh Papë në 13 mars 2013.

Papa Françesko mbush 82 vjeç. Festimet nisën të dielën kur fëmijët e institucionit “Santa Marta” një strukturë e Vatikanit që ndihmon të sapolindurit në vështirësi, i dhuruan Papës një tortë të madhe ditëlindjeje.

I lindur në 17 dhjetor të 1936-s në Buneos Aires, jezuiti Horge Bergolio u zgjodh Papë në 13 mars 2013. Por nuk kanë munguar urimet më institucionale duke filluar nga presidenti Italian Serxho Matarela, i cili ka dërguar një urim shumë të gjatë zyrtar. Kreu i shtetit italian e uron Papën në emër të gjithë populllit që sipas tij kanë një respect dhe dashuri të sinqertë për Papa Françeskon.

Përveç tortës së dhuruar nga vogëlushët, Papa Françesko ka pritur dhe tortën tradicionale e cila çdo vit mbart një mesazh shumë të veçantë. Mesazhi i këtij viti shoqërohej me një shirit të kuq për të treguar lidhjen e Papa Françeskut me të rinjtë./abcnews.al

sheshi.jpg
ad min15:45 | 20/10/2018

Një hap të rëndësishëm shprese dhe besimi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur e cilëson kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, votimin në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës së ndryshimeve kushtetuese.

Presidenti Meta mesazhin e tij e ka bërë publik në rrjetet sociale ku gjithashtu përgëzoi qeverinë e kryeministrit Zaev dhe ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i dërgoi një letër urimi homologut të tij në Maqedoni, Talat Xhaferi, ku shkruan se Maqedonia e Veriut është nje vendim historik i duartrokitur nga partnerët.

Menjëherë pas votimit që i hapi udhë ndryshimeve kushtetuese, për të proceduar më pas me miratimin e ndryshimit të emrit në Republikën e Maqedonisë Veriore reagoi edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkroi kreu i ekzekutivit shqiptar në Twitter.

Ndërsa Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zgjodhi një shprehje të Nelson Mandelës për të përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë për çështjen e emrit.

“Mandela thoshte ‘Gjithmonë të duket e pamundur diçka, derisa të realizohet’”, shkruan Bushati sipas të cilit votimi në Parlamentin maqedonas për ndryshimet kushtetuese është një hap i madh drejt zbatimit të marrëveshjes së Prespës.

Përzemërsisht ka përshëndetur këtë votim edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili po në rrjetet sociale shkruan se ky është një proces që do të na bashkojë edhe si aleatë rreth vlerave të përbashkëta euroatlantike./abcnews.al

erdogan.jpg
ad min12:40 | 25/06/2018

Presidenti i Turqisë, Erdogan ka marrë mesazhe urimi nga shumë liderë dhe Bashkimi Europian. Ndërsa SHBA nuk ka dhënë ende asnjë prononcim për fitoren e Erdogan në zgjedhjet e djeshme.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, arriti të sigurojë një fitore të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Megjithatë ky sukses i tij nuk është pëlqyer nga disa vende të ndryshme. Por aleatët e tij nuk kanë ngurruar në urimet e tyre për mandatin e ri 5-vjeçar. Aleati i tij më i afërt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka përgëzuar kreun e shtetit të Turqisë për suksesin e tij dhe nënvizoi në një deklaratë se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë plotësisht autoritetin politik të presidentit Erdogan.

Në një reagim nga Bashkimi Europian, në lidhje me zgjedhjet në Turqi është vënë theksi “në vazhdimin e bashkëpunimit me Turqinë” në çështje të rëndësishme si emigracioni, siguria, stabiliteti rajonal dhe lufta kundër terrorizmit. Më herët kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe ai i Bullgarisë, Bojko Borisov përgëzuan Erdogan. Një mesazh urimi, atij i ka mbërritur edhe nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Por triumfi i tij nuk është pritur me aq shumë entuziazëm nga SHBA e Donald Trump, që shpresonte për një rezultat tjetër në këto zgjedhje. Nga Uashingtoni nuk ka dalë asnjë mesazh lidhur me zhvillimet në Turqi. Ndër liderët e tjerë të botës që e kanë uruar presidentin Erdogan për fitoren janë: presidenti I Venezuelës, Nikolas Maduro, autoritetet e Katarit, Palestinës, Azerbajxhanit e shumë të tjerë. Ndërsa, sa i përket Ballkanit, kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti kosovar Hashim Thaçi, ai maqedonas Ivanov, ai serb Aleksandër Vuçiç si dhe autoritetet e Bosnjë Hercegovinës bëjnë pjesë në vendet që kanë uruar presidentin Erdogan për fitoren e arritur në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono