uefa

uefa.jpg
G. P.10:36 | 18/06/2019

Arrestohet në Francë ish presidenti i UEFA-s Michel Platini. Ish legjenda e futbollit francez akuzohet për korrupsion në rastin e zgjedhjes së Katarit si vend organizator për kampionatin botëror të futbollit në vitin 2022.

Policia franceze ka arrestuar ish presidentin e UEFA-s Michel Platini. Ai akuzohet për korrupsion në rastin e dhënies së Katarit të drejtën për të organizuar kampionatin botëror të futbollit 2022. Platini u zgjodh president i UEFA-s në vitin 2007 dhe mbajti postin deri në 2015-n. Mediat franceze bëjnë të ditur se ai është arrestuar mëngjesin e të martës.

Legjenda franceze e futbollit u largua nga posti i presidentit të UEFA pas vendimit të komitetit etik. Sipas të dhënave të para nga hetimet Platini akuzohet se ka marrë një shumë të konsiderueshme parash për ti dhënë Katarit të drejtën e organizimit të kampionatit botëror të futbollit në vitin 2022.

Në dhjetor të vitit 2010, Katari mes shumë kritikave u zgjodh si vendi organizator për 2022-shin.

Menjëherë pas këtij vendimi pati shumë akuza për mënyrën e zgjedhjes së vendit organizator, për faktin se Katar është në qendër të kritikave për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe statusit të homoseksualitetit, i cili dënohet me ligj.

Në vitin 2014, Platini pranoi se kishte pasur një takim sekret me zyrtarin Mohamed Bin Hamam, pak para votës së tij për Katarin. Burime pranë ish-presidentit të UEFA-s konfirmuan për britaniken “Telegraf” në atë kohë se Platini ishte takuar me zyrtarë të Katar për një mëngjes pune në një hotel në Zvicër, disa ditë para vendimit kontrovers./ ABC News Albania 24/7

500.jpg
G. P.18:15 | 05/06/2019

Ndahet nga jeta ish-presidenti i UEFA-s, Lenart Johanson. Suedezi i shquar do të mbahet mend si krijuesi i Ligës së Kampionëve në 1991.

Konkurrimi magjik ishte pikërisht ide e tij. Liga e Kampionëve, e nisur në 1991-1992, u krijua nga presidenti i famshëm i UEFA-s në atë kohë, Lenart Johanson, i cili sot u nda nga jeta. Suedezi i shquar vuante nga një sëmundje dhe u shua në moshën 89-vjeçare.

Johanson u zgjodh president I UEFA-s në vitin 1990 dhe ishte kreu më jetëgjatë i saj, duke mbajtur postin për 17 vjet, deri në 2007, kur u mund nga Mishel Platini në Kongresin e mbajtur në Dyseldorf të Gjermanisë.

Ai do të mbahet mend pikërisht për krijimin e Championsit, një garë që ndryshoi tërësisht futbollin europian të klubeve, duke u bërë kompeticioni më i madh dhe më i pasur në botë.

Në moshë të re, Johanson luajti sportin e quajtur Bandi, një lloj hokeji në akull, duke u aktivizuar në skuadrën e qytetit të tij të lindjes, AIK i Stokholmit. Më pas, ai kaloi tek futbolli ku u bë president i Federatës Suedeze për 7 vjet, deri në 1991.

Pasi u largua nga UEFA, ai shpall president nderi i saj nga Mishel Platini, ndërsa u bë edhe kryetar i një komitetit për ta bërë bandin sport olimpik. Në Suedi, që në vitin 2001, u krijua Kupa Lenard Johanson, që luhet për nder të tij./ABC News Albania 24/7

armand-duka.jpg
G. P.19:24 | 11/02/2019

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, flet për ABC News pas zgjedhjes në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ai tregon strategjinë e përdorur, ndërsa bën kritika për qeverinë dhe paralajmëron klubet e Superligës.

Misionin në UEFA e përfundoi, ndonëse sfidat vazhdojnë. Armand Duka është padyshim krenar dhe i lumtur që u zgjodh në forumin më të lartë të futbollit europian, pas një gare e cila, siç thotë edhe vetë e lodhi jo pak. Pasi bëri nxemjen dy vjet më parë, duke mos ia dalë, cila ishte strategjia fituese?

“Para se të shkoj me ia thënë votuesve ia kam bërë këtë pyetje vetes. Ia kam bërë këtë pyetje disa njerëzve të mi rreth e rrotull. Më thuaj tre arsye pse njerëzit duhet të më votojnë mua dhe me këto tre arsye që unë kam menduar që pse duhet të më votojnë kam shkuar dhe kam kërkuar që të më mbështesin. Tre arsyet që kam kërkuar të jem: eskperienca që unë kam në drejtimin e FSHF dhe duke qenë anëtar dhe drejtues në disa komisione në UEFA dhe në FIFA. Europa përbëhet nga shumë vende dhe ka nevojë Komiteti Ekzekutiv që të ketë në përbërjen e tij përfaqësuesin e një vendi specifik apo të vogël”, tha Duka.

Duka nuk flet për ndarje politike, por e qartë që pati një mbështetje në Perëndim, dhe një kundërshti në Lindje.

“Mbështetja ime ka qenë nga të gjitha rajonet, kryesisht nga Europa Qendrore. Të gjithë vendet e mëdha, duke filluar nga Anglia, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Austria, Hungaria, Polonia, vendet nordike më kanë mbështetur pothujse të gjithë. Vendet nga ish-Bashkimi Sovjetik kanë pasur një lloj skepticizmi ndofta dhe sepse nuk e njohin shumë mirë Shqipërinë, nuk e njohin shumë mirë realitetin”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Ndryshe nga sa pritej, Ballkani ishte pozitiv me kandidatin shqiptar, madje edhe Serbia.

“Ky nuk është votim politik, është votim sportiv. Marrëdhëniet me të gjitha federatat janë korrekte. Luajmë kundër njëri-tjetrit. Hyjmë në fushë që të fitojmë kundër njëri-tjetrit. Ka një lloj solidariteti dhe vendet e rajonit në përgjithësi kanë qenë pozitive, e kanë mbështet kandidaturën time”, tha Duka.

Pritet që Shqipëria të fitojë më shumë përkrahje pas zgjedhjes së Dukës, por presidenti e sheh ndryshe.

“Shqipëria nuk ka vuajtur në realizimin e projekteve të veta nëpërmjet FIFA-s apo UEFA-s. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse është mbështet kandidatura e Shqipërisë sepse një vend si Shqipëria, të paktën vetëm me dy projektet e mëdha të vitit 2019, stadiumin e Tiranës dhe zyrat, pothuajse asnjë federatë nuk ka finalizuar projekte të tilla. Nuk është ky qëllimi i anëtarësimit në Komitetin Ekzekutiv. Qëlli është për të kontribuar bashkarisht për të tërën”, tha ai.

Armand Duka duhet të ketë një ekzistencë të dyfishtë, në UEFA dhe në realitetin shqiptar.

“Të qenit pjesë e një organizate shumë të rëndësishme si UEFa apo FIFA, pjesa e të qenit anëtar i një komuniteti europian apo botëror i futbollit është patjetër pjesa e kënaqësisë, pjesa e lumturisë e të qenit president i Federatës së Futbollit. Pjesa e menaxhimit të brendshëm të garave, e probleme, e pengesave, policia, arbitri, ankesa, kontestime është pjesa e halleve të mëdha”, tha presidenti i FSHF-së.

Problemet e futbollit Duka i sheh tek indiferenca e aktorëve, si qeveria, parlamenti, drejtësia apo policia. Vlerëson investimet e kryeministrit Rama, por i quan spordike, pa strategji.

“Klubeve dhe Federata kanë një investim Zero. Investime pothuajse përveç këtyre që thamë Zero. Qeveria të marrë një vendim dhe të thotë do të financojmë 200 fusha futbolli në Shqipëri. Kush i dëgjon mund t’i duken shumë, por janë pak. Tirana që vërtetë luajnë futboll të gjithë fëmijët që duan të luajnë futboll, ka nevojë për 100 fusha futbolli. Është e vështirë për hapësirat, por duhet t’i gjejmë dhe to, por buxheti qoftë i Bashkisë së Tiranës, qoftë dhe i qeverisë nuk është se varfërohet për kaq pak para për një sport që shqiptarët e dashurojnë shumë”, tha Duka.

Duka risjell një propozim të harruar të vitit 2013.

“Kur Rama do vinte në qeveri u mendua, madje mbaj mend që Fidel Ylli bëri fushatë me këtë që do kishte Ministri Sporti, e cila do mendonte për sportin dhe realisht kur ka një ministri, kur ka një administratë, e cila bashkon dhe mbledh grupet e interesit dhe prodhon vërtetë strategjira dhe politika të pakteave fiskale që ndihmojnë sportin, gjërat nëse nuk realizohen 100% do realizohen 50”, tha ai.

Problemi tjetër i madh është ai ligjor.

“Tek ne ka një ligj që është qesharak. Më duket se është i ’94-s. Është pakësuar. Kanë lindur herë pas here iniciativa të cilat shuhen shpejt. Iniciativë të cilën e kemi marrë dhe ne. E kemi propozuar një herë një paketë fiskale që shkuam ta mbronim dhe në komision parlamentar dhe çuditërisht ca njerëz të sportit brenda komisionit i dolën kundra dhe u shua dhe ajo”, u shpreh Duka.

Duka vlerëson se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova.

“Politika kosovare e mështet sportin më shumë se politika shqiptare. Në mënyrë strategjike dhe jo në mënyrë spontane. Buxhetet që ka Kosova qoftë dhe buxhetet për financimin e sporteve janë 10 ose 20 herë më të mëdha se Shqipëria. Ajo paketë fiskale që për mua nuk është e plotë dhe që ka duhet të jetë dhe më e mirë e Kosovës”, tha ai.

Maksimumi, sipas tij, do të ishte përvoja hungareze.

“Hungaria i detyron kompanitë, shoqëritë e biznesit të shkojnë të bien dakord me një nga federatat e 4 sporteve prioritare dhe të investojnë nga fitimet e tyre. Kjo pjesë nga Tatimet. Në tre-katër vitet e fundit janë shifra marramendëse. Janë ndërtuar fusha futbolli pa fund dhe do ketë ndryshime”, u shpreh Armand Duka.

Pavarësisht nga problemet financiare të klubeve, numri 1 i Federatës e sheh gotën gjysmë plot.

“Nëse do shohim kolonën e të ardhurave dhe shpenzimeve të 10 viteve më parë me sot ndryshimi është më shumë se 200% nga sponsorizimet që kanë vetë klubet, të cilat nuk kanë ekzistuar dikur. Ka të ardhura nga e drejta televizive. Ka të ardhura nga shitjet e lojtarëve dhe vetëm të ardhurat e klubeve nga UEFA nëse 10 vite më parë e gjithë Shqipëria në total kishte të ardhura 700-800 mijë euro, në 3-4 vitet e fundit të ardhurat totale janë mesatarisht 8-9 milionë euro”, tha Duka.

Gjithsesi, ai ka një këshillë për klubet e Superligës.

“Duhet të bëjmë aq futboll sa kemi të ardhurat. Sa prodhojmë në atë lloj niveli gare duhet të jemi. Ekipet e kategorisë Superiore në Shqipëri me një menaxhim të mirë mund të jenë me një bilanc pozitiv. Disa prej tyre janë”, tha Duka.

Përveç këshillës, ja ku vjen një kërcënim.

“Deri më sot ne nuk është se kemi marrë ndonjë masë për të përjashtuar nga aktivitete apo për të zbritur nga një kategtori më poshtë. Duhet të jemi akoma më strikt dhe duhet t’i ndihmojmë që të jenë me bilanc pozitiv dhe në të njëjtën kohë mos t’i lejojmë për të vazhduar me bilanc negativ”, tha kreu i FSHF-së.

Së fundmi, një ngacmim për përzgjedhjet në kombëtaret e moshave, ku përflitet se ka padrejtësi dhe korrupsion.

“Selektimi sot nuk bëhet nga një indidvid. Selektimi bëhet nga i gjithë stafi teknik i Federatës së Futbollit dhe sot e them me bindje, në edicionin që jemi, që nuk ka shans që të selektohet një njeri që nuk e meriton. Të gjitha të tjerat që fëmija im është si Maradona por nuk e thirrin janë legjenda urbane. Është i gjithë stafi, të gjithë trajnerët, drejtori teknik bashkë me ta, të cilët shkojnë në fushë, japin vlerësimet individuale të pavarur nga njëri tjetr pa ia ditur emrin lojratir, vetëm me numra”, theksoi Duka./abcnews.al

armand-duka.jpg
G. P.17:30 | 09/02/2019

Armand Duka nuk priste të merrte 36 vota në zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare, do të synojë të fitojë më shumë fonde për infrastrukturën.

Në Shqipëri u kthye disi edhe i habitur për fitoren. Armand Duka u zgjodh në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, por nuk e priste që të merrte kaq vota. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për ABC News, se Duka ishte shprehur që më parë se mendonte të fitonte 30 vota, që sërish do të kishin qenë të mjaftueshme për t’u zgjedhur, veçse doli nga procesi elektoral me 36.

Siç ka njoftuar më parë ABC News, presidenti i FSHF-së pati mbështetjen e federatave të mëdha si të Anglisë, Francës, Italisë, besohet edhe të Spanjës apo Gjermanisë. Duka pritet që ta shfrytëzojë postin e lartë në UEFA për të ndikuar që federatat e vogla, si Shqipëria, të kenë më shumë financime. Të njëjtat burime në Federatë pohojnë se theksi do të vihet tek shtimi i fondeve të projektit “Hatrik”, të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturën.

“Hatriku” ka bërë të mundur investimet në Shkodër apo në stadiumin e ri kombëtar, si dhe kompleksin e Federatës në Kamzë, ndërsa UEFA parashikon që çdo anëtar të ketë mundësi të marrë fonde deri në 1.9 milionë euro në vit. Në garën e zhvilluar në hotelin “Kavalieri Valdorf Astoria” në Romë, Duka zuri vendin e gjashtë nga 7 anëtarë që u zgjodhën gjithsej. Ai la prapa me 9 vota, përfaqësuesin e Ukrainës, Andrij Pavelko, ndërsa të eleminuar dolën ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Boris Mihajlov I Bullgarisë dhe përfaqësuesi i Bosnjë Hercegovinës, Elvedin Begiç./abcnews.al

duka-2.jpg
G. P.13:33 | 07/02/2019

Armand Duka zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit mori 36 vota në Kongresin që po zhvillohet në Romë.

Një shqiptar mes krerëve të Europës. Ndodhi në futboll, në Kongresin e UEFA-s që po mbahet në Romë, me Armand Dukën që fitoi garën për anëtar të Komitetit Ekzekutiv. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit fitoi me 36 vota, duke ia dalë në një konkurrencë të fortë, në votimin ku merrnin pjesë 54 federatat anëtare të UEFA-s.

Ishte hera e dytë që numri 1 i Federatës kandidonte, pas humbjes së ngushtë 4 vite më parë. Duka ishte optimist që përpara votimit, pasi besonte se mbështetej nga federatat kryesore europiane, si Anglia apo Franca dhe parashikimi i tij doli i saktë.

Kjo është hera e parë që një përfaqësues i futbollit shqiptar arrin kaq lart në hierarkinë kontinentale. Që nga fillimi i vitit, presidenti ka qenë vazhdimisht në udhëtim, në një fushatë të gjatë dhe të fortë. Tani që fitoi, Duka besohet se do të ketë mundësi të lobojë më fort për federatat e vogla në përgjithësi, dhe për atë shqiptare në veçanti.

Komiteti Ekzekutiv ka mandat 4-vjeçar, dhe përbëhet nga 16 anëtarë të federatave europiane, plus presidentin e UEFA-s.  Në kryeqytetin e Italisë pati votim për 8 nga anëtarët, të cilëve u përfundonte mandati dhe po ashtu pati votim për presidentin. Në Kongresin e Romës u rizgjodh presidenti aktual, Aleksandër Çeferin, pasi slloveni mori sërish besimin e anëtarëve./abcnews.al

duka-1-1280x699.jpg
G. P.17:04 | 06/02/2019

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të garojë këtë mesjavë, për t’u zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ai është optimist se këtë herë do të ketë sukses.

Mund të jetë udhëtimi drejt ëndrrës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shpreson të zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në Kongresin që zhvillohet këtë mesjavë në Romë. Forumi më i lartë i futbollit europian do të zgjedhë presidentin e ri, dhe po ashtu 8 anëtarë të bordit drejtues, të cilëve u përfundon mandati pikërisht tani.

Duka do të jetë i vetmi kandidat nga ata që humbën 4 vjet më parë, që do të synojë sërish suksesin. Burime në Federatë bëjnë me dijë për ABC News se ai është optimist, por cilat janë arsyet që Duka beson?

Këto burime theksojnë se presidenti ka mbështetjen e federatave të mëdha, si ajo e Anglisë, presidenti i të cilit vizitoi Tiranën pak ditë më parë, apo edhe të Federatës Franceze. Duka është shprehur se edhe federatat e tjera britanike kanë premtuar se do ta votojnë. Që nga fillimi i vitit, presidenti ka qenë vazhdimisht në udhëtim, në një fushatë lobimi të gjatë dhe të fortë.

Katër vjet më parë, ai humbi vetëm për pak vota, ndaj përfaqësuesit të Federatës Turke, por beson se shanset i ka shumë më të mira këtë herë. Nëse Duka do të arrinte të zgjidhej, në Kongresin e kësaj të mërkure, atëherë besohet se ai do të ketë mundësi të lobojë më fort për federatat e vogla në përgjithësi, dhe për atë shqiptare në veçanti./abcnews.al

2422026_w2.jpg
ent ela17:07 | 31/12/2018

Goli i Milot Rashicës u shpall nga UEFA, si më I bukuri në Ligën e Kombeve. Futbollisti i Kosovës e shënoi atë rrjetë në barazimin në fushën e Ishujve Faroe.

Një dhuratë për fundvit. Kosova ia kishte bërë vetes dhuratën me kualifikimin në Ligën e Kombeve, por UEFA i shtoi edhe një tjetër.

Ajo shpalli golin e shënuar nga Milot Rashica në fushën e Ishujve Faroe, si më të bukurin e garës, për fazën e grupeve.

UEFA postoi edhe një video të golit, në faqen e saj të Kampionatit Europian 2020, në FB.

Kosova zuri vendin e parë në grupin 3 të nivelit D, duke u ngjitur një kategori më lart, e duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në plej ofin e Euro 2020-ës, pra një shans të madh për t’u kualifikuar direkt për në fazën finale.

Ajo fitoi 14 pikë në 6 ndeshje, me 4 fitore e dy barazime, duke lënë pas Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.

Kjo ishte pjesëmarrja e dytë e Kosovës në eleminatoret e turneve të mëdhenj, pas asaj në Kupën e Botës.

Tashmë, nën drejtimin e trajnerit Shaland, ajo shpreson të ketë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen, ndërsa në radhët e ekipit më të ri përfaqësues të Europës ka mjaft lojtarë të talentuar.

Mes tyre, Arbër Zeneli, shënues i 4 golave në grup, Benxhamin Kololli, vetë Milot Rashica, portieri Arijanet Muriqi, Rrahmani, Zhegrova apo Kastrati. /abcnews.al

UEFA-VIZITE-NE-TIRANE-1280x720.jpg
ent ela15:50 | 20/12/2018

UEFA vjen në Tiranë, në një mbështetje të qartë për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Theodhoridhis, vizitoi stadiumin e ri kombëtar dhe foli për arsyet e mbërritjes në Shqipëri.

Një vizitë e tillë padyshim që ka shkaqe të forta. UEFA mbërriti në Tiranë, në personin e vetë Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Theodhor Theodhoridhis, në një shenjë të qartë mbështetjeje për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Theodhoridhis, krahu I djathtë i presidentit të UEFA-s, Aleksandar Çeferin, vizitoi stadiumin e ri kombëtar dhe shtëpinë e re të Federatës, në ish-kompleksin Dinamo, ndërsa besohet se në Tiranë ka ardhur edhe për lobim tek qeveria shqiptare.

Federata nuk e ka fshehur se është në konflikt me ekzekutivin lidhur me financimin e stadiumit, por njeriu I UEFA-s e thjeshtoi shumë ardhjen e tij.

Theodhoridhis: “Arsyeja e vizitës sime këtu është që të takoj disa miq të mirë përpara pushimeve, dhe të shikoj ecurinë e punimeve në stadium, dhe në zyrat e reja të Federatës. Duhet të them se jam shumë i impresionuar. Duket si një epokë e re. Unë kam qenë shpesh këtu, kam qenë në “Qemal Stafën” e vjetër, dhe nuk ka krahasim. Po ashtu, jam shumë i lumtur me shtëpinë e Federatës, e cila po hyn në një epokë të re, shumë më moderne, dhe në drejtimin më të mirë të mundshëm”.

Dakord, sekretari i UEFA-s nuk foli për qeverinë, por mos ka të bëjë vizita me kandidaturën e Dukës për në Komitetin Ekzekutiv?

Theodhoridhis: “Jo, vizita ime nuk ka të bëjë me kandidaturën e presidentit për në UEFA. Unë jam sekretari i përgjithshëm dhe duhet të jem i paanshëm. Ka shumë kandidatë dhe unë nuk mund t’i lejoj vetes, që të rri më shumë afër me njërin apo me tjetrin. Ne erdhëm për të mbështetur Federatën për punën e shkëlqyer që ka bërë me stadiumin dhe zyrat e saj”.

Presidenti i Federatës, Duka, që natyrshëm e shoqëroi në çdo hap mikun e tij të rëndësishëm, sqaroi për planet me stadiumin.

Duka: “Ka ardhur të shohë zhvillimin e projektit të nisur, zyrat e reja dhe për të biseduar sesi mund të kemi më shumë aktivitete nga këto investime që po bëjmë. Nuk mund të jetë vetëm finalja e superkupës por edhe aktivitete të tjera”.

Duka pohoi se Federata ka marrë mbështetje nga UEFA për stadiumin e ri të Kukësit, impiant me 6 000 spektatorë, dhe do të shikojë edhe për të tjera, duke i përzgjedhur edhe sipas të ardhurave që mund të përfitohen. /abcnews.al

MILANI-NDALET-NE-BOLONJE.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
G. P.20:02 | 19/12/2018

Milani mori një tjetër goditje në një sezon tepër të vështirë për të. Barazimi në fushën e Bolonjës, në Serinë A, tregoi se skuadra e trajnerit Gatuzo nuk do ta ketë të lehtë të arrijë Championsin.

Nuk është e lehtë të kthehet koha e lavdishme. Milani nuk mundi të kalonte në Bolonjë, duke u ndalur në një barazim 0-0 për Serinë A, në një tjetër ngecje drejt synimit kryesor të sezonit. Skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo u detyrua të kënaqej me vetëm 1 pikë, dhe të mos niste shkëputjen nga rivalët për vendin e katërt që të kualifikon për në Champions. Kuqezinjtë kanë 27 pikë, shumë pranë me Lacion, Atalantën, Romën, Sampdorian apo Fiorentinën, pa harruar Sasuolon. Vendet e para, Juventusi, Napoli dhe Interi po shkëputen gjithnjë e më shumë, një tregues I qartë I mundësive të sotme të milanistëve.

“Ne nuk mundëm t’ia dilnim në Bolonjë, – deklaroi trajneri Gatuzo, – gjithsesi, në këtë fushë nuk ishte e mundur ndryshe. Interi fitoi po me këtë stil, Roma humbi. Nga ana cilësore, ishte një ndeshje mediokre”. Mediat italiane nuk është se e falën skuadrën e madhe. “As Milani dhe as Pipita”, shkruan “La Gazeta delo Sport”, në fushën e ngritë të Bolonjës, Higuain bën 7 ndeshje pa shënuar gol”. “Il Korriere delo Sport” vazhdon duke titulluar se “fitoi vetëm Pipo”, duke e pasur fjalën për Inzagin, trajnerin e Bolonjës, që sipas gazetës ndaloi një Milan të shëmtuar. Kjo ishte goditja e radhës për klubin e madh milanez, pas dy lajmeve negative që erdhën këto ditë.

Së pari, gjoba prej 12 milionë eurosh vendosur nga UEFA, një nga gjobat më të mëdha në histori, për shkeljen e Lojës së Ndershme Financiare. Po ashtu, dënimi I mundshëm me 1 vit përjashtim nga Europa, nëse kjo vazhdon. Goditja tjetër ishte eleminimi nga Liga e Europës, pas disfatës në fushën e Olimpiakosit, me një objektiv më pak për të luftuar këtë sezon, me humbje të tjera financiare, dhe me dëm të madh për besimin./abcnews.al

duka123.jpg
G. P.15:56 | 11/12/2018

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të hedhë sërish kandidaturën për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ishte vetë Duka që e njoftoi vendimin, në një deklaratë në faqen e tij në Facebook.

“Shpresoj që në Kongresin që do të mbahet në Romë, në shkurt 2019, të kem sa më shumë federata mbështetëse, – shkruan Duka, – kandidoj për të pëfaqësuar futbollin shqiptar dhe interesat e federatave të vogla”.

Duka kandidoi për herë të parë në Kongresin e UEFA-s në vitin 2017, duke marrë 22 vota, dhe duke mos arritur të zgjidhej vetëm për pak vota. Ai është president i Federatës Shqiptare të Futbollit, që nga viti 2002, dhe ky është mandati i tij i pestë në këtë post./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono