turizmi

turizmi.jpg
G. P.15:21 | 21/08/2019

Këtë Gusht, Shqipëria ka pritur 16% më shumë turistë se Gushtin e vitit të shkuar. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e bëri të ditur, ndërsa foli për një rekord të ri në turizëm në vendin tonë.

Muaji Gusht shënoi rekordin e ri në turizëm, 1 milion turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri, në vetëm 1 muaj. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e bëri të ditur nga porti i Sarandës ku priti familjen austriake Forster që shënoi dhe turistin e 1 miliontë.

“Familja Forster u përcaktua si turisti i 1 miliontë në vendin tonë për muajin gusht. Rastisi që turisti i 1 miliontë për këtë muaj të hyjë në Sarandë dhe ne së bashku me kryetarin e bashkisë, drejtoreshën e portit e mirëpritëm me të rinjtë e Smile duke dëshmuar një moment simbolik në këtë ofertë të re turistike që ka Saranda dhe i gjithë bregdeti shqiptar për vitin 2019. Siç e thashë është turisti i 1 miliontë, pra kanë hyrë 1 milionë turistë të huaj vetëm brenda muajit gusht deri në ditën e sotme duke shkuar në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të gushtit të vitit të kaluar”.

Të surprizuar nga kjo ngjarje turistet vlerësuan mikpritjen shqiptare.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Miqtë na treguan se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, që duhet ta vizitoni patjetër tani! Na thanë që është një vend i bukur turistik, i qetë, me njerëz të mirë gjithashtu! Ne do të qëndrojmë këtu për 1 javë, me shpresën që do ta shijojmë qëndrimin këtu”.

Për ministrin Klosi kjo është një ngjarje, që flet për sezon të suksesshëm turistik, por që sipas tij, me rritjen e numrit të turistëve, rritet edhe përgjegjësia për të punuar për më shumë standarde./ABC News Albania 24/7

turiste.jpg
G. P.19:40 | 20/08/2019

Vetëm në 20 ditët e para të gushtit në Shqipëri kanë hyrë 1 milionë turistë të huaj. Shifrën e ka bërë publike vetë kryeministri Rama, i cili ka publikuar në rrjetet sociale, vajzën nga Austria e cila kur hyri në portin e Sarandës u prit nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

“Në njëzetë ditët e para të këtij gushtit, kanë hyrë në Shqipëri plot 1 milionë turistë të huaj ose 16.5 % më shumë, se sa i gjithë gushti i kaluar”, deklaroi kryeministri duke theksuar se rritja që po shënon turizmi vit pas viti, është një arsye e madhe për të besuar gjithnjë e më shumë tek ky vend dhe e ardhmja e tij.

Rama ka bërë apel që patriotizmin të gjithë duhet ta masim me kontributin në pastërtinë e mjedisit, respektimin e rregullave dhe në rrezatimin e traditës shqiptare të mikpritjes./ABC News Albania 24/7

blendi-klosi.jpg
G. P.15:14 | 02/08/2019

Të rinjtë e projektit “Buzëqesh Shqipëri” do të jenë promotorët e turizmit dhe mbrojtjes së natyrës. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi  e bëri të ditur ndërsa lançoi tre konkurse për të rinjtë e projektit;  “Video më e mirë”, “Foto më e mirë” dhe “Buzëqeshja më e bukur”.

Një detyrë tjetër u ngarkohet të rinjve të projektit “Buzëqesh Shqipëri” veç asaj për të informuar turistët rreth bukurive që ofron vendi ynë.

“Detyra e smajl-istëve është që të evidentojnë problematikat që kemi në zonat ku ju ushtroni aktivitetin tuaj si mikpritës të turistëve; Të evidentoni problematikat e menaxhimit të zonave të plazhit, një detyrë që duhet ta bëni çdo ditë, problematikat në kuadër të pastërtisë, të sigurisë dhe në kuadër të gjithë sistemit, që duhet të ndërtojmë për mikpritjen”.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi iu bëri të ditur në Vain të Lezhës ku tregoi dhe për zhvillimin e tre konkurseve që do zhvillohen.

“Do të kemi edhe nga një çmim, që kanë të bëjnë me atë që thashë më parë; detyrën kryesore që ne kemi për të promovuar vendet tona turistike. Janë 3 konkurse, ku do të zgjedhim foton më të bukur, pra foto që merr më shumë klikime dhe më shumë pëlqime në rrjetet sociale, video më e bukur promovuese për zonat turistike të vendit me prezencën e turistëve tuaj dhe buzëqeshja më e bukur.”

Shqipëria do të jetë e suksesshme tha ministri Klosi nëse do të arrihet që turistët, të mos vijnë në vendin tonë vetëm për plazhet, por edhe për natyrën./ABC News Albania 24/7

KLOSI-MASAT-PER-TURIZMIN-ABCM5T1.mpg_snapshot_00.21-1280x720.jpg
ent ela14:20 | 25/07/2019

Është shtuar numri i turistëve në vendin tonë këtë vit njofton Ministri i Turizmit dhe Mjedisit. Në prani të prefektëve të 7 qarqeve bregdetare ministri Blendi Klosi bëri publike masat që janë marrë për sezonin turistik.

Ka kush punon kur njerëzit pushojnë gjatë sezonit veror. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit njofton se nuk është e nevojshme të paguash çadrën kur shkon në bregdet.

Këto hapësira gjenden në të gjitha plazhet i siguron Blendi Klosi shqiptarët. Jo vetëm kaq por edhe jeta e tyre duket më e sigurtë këtë vit.

Bizneset që kanë mbetur pa plotësuar dokumentacionin të nxitojnë i këshillon ministri i turizmit dhe mjedisit nëse nuk duan të jenë edhe ata vetë në radhët e pushuesve.

Pavarësisht imazhit jo pozitiv që lanë protestat dhe jeta politike në vend ministri Blendi Klosi raporton për rritje të numrit të turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe edhe shërbimet në bregdet dhe ngritja e strukturave të reja akomoduese. / ABC News Albania 24/7

 

dardha-1280x701.jpg
ent ela15:30 | 23/07/2019

Dardha, fshati turistik i Korçës është një nga zonat më të preferuara në çdo stinë të vitit. Turizmi atje është traditë e trashëguar dhe mësuar prej të parëve, të cilët kanë emigruar përtej Oqeanit.

Sapo i afrohesh Dardhës, kupton arsyen pse fshati, që ndahet nga më pak se 20 km nga Korça, është kthyer në epiqendrën e turizmit malor.

E njohur, eksploruar dhe zbuluar nga vizitorë të përhershëm apo rastësorë, Dardhën e ke të vështirë, të mos e mbash mend.

Pozicionuar rreth 2 mijë metër mbi nivelin e detit, me natyrë dhe peisazh magjepsës dhe mikëpritur ngrohtësisht nga vendasit, pushimet këtu jane idilike.

Kapacitetet akomoduese janë shtuar vit pas viti. Kurse  banorët e vjetër janë rikthyer dhe kane transformuar shtëpitë në bujtina,ku vizitorët qëndrojnë gjithë verën.

Për dardharët, turizmi është traditë e trashëguar dhe mësuar  prej të parëve, emigruar përtej Oqeanit dhe që po arrin shekullin, duke u konsoliduar si një industri konkuruese.

Prej kësaj tradite vjen edhe çifti Batelli, e para familje,që ka ndërtuar bujtinë dhe ka pritur turistë prej shekullit të 19.

Pandi merret me gatimin e mishit në hell,ndërsa për lakrorin me dy petë të duarve të Shadijes, duhet të prenotosh ditë më parë, për ta shijuar.

Dardha,mbetet destinacioni më i preferuar në të gjitha stinët, por vera sjell në fshatin piktoresk edhe adhurues të aventurës dhe natyrës së patjetërsuar. /ABC News Albania 24/7

 

 

profimedia-0232331913-1280x757.jpg
nev ila14:09 | 18/07/2019

Turi i Francës është një sukses i madh sportiv, por edhe promovim i turizmit. Gara më e vjetër e çiklizmit në botë tërheq çdo vit miliona njerëz.

Ky qytet përfitoi shumë në fare pak ditë.

Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, besohet se ka futur në xhep rreth 60 milionë euro vetëm sepse organizoi nisjen e Turit të Francës, pra etapën e parë të tij.

Rreth 1 milionë turistë vizituan qytetin historik, me hotelet, transportin dhe shitoret e gjithçkaje, që patën të ardhura të mëdha.

“Le Grande Bukle”, gara e madhe franceze, është më e lavdishmja e çiklizmit në të gjithë botën, një sukses sportiv, por edhe financiar.

Rreth 15 milionë spektatorë e ndjekin Turin në rrugët e Francës çdo vit, ndërsa mbi 20 milionë të tjerë e shohin nga televizori.

Kjo do të thotë turizëm i pastër, dhe reklamë e fuqishme e vendeve më të bukura, historike, gjeografike apo artistike të shtetit të famshëm të Europës Perëndimore.

Kështjella, sheshe e rrugë të veçanta, masive pyjorë, fshatra turistikë, liqene e lumenj, filmohen me helikopterë apo dronë dhe promovohen në gjithë rruzullin.

Vetë Parisi ka 50 milionë turistë në vit, për shumë arsye, ndërsa Francës i shtohen miliona sa herë vjen korriku, thjesht nga çiklizmi.

Në Angli, numri i turistëve u rrit me 12 për qind, dhe shpenzimet totale të tyre arritën në 465 milionë paundë stërlina, në vetëm pak ditë që ndoqën etapat që kaluan në ishull, pak vjet më parë.

Kompanitë e ndryshme japin nga 200 000 deri në 500 000 euro për të qenë pjesë e karvanit çdo vit, ndërsa xhiroja vjetore e Turit arrin në 150 milionë euro, me fitimet që janë mbi 30 milionë euro.

Vetë çiklistët, protagonistët kryesorë të, nuk është se kanë fitime kaq të mëdha.

Fituesi merr 500 000 euro, shumë herë më pak sesa një yll i futbollit apo sesa emrat e mëdhenj të tenisit, basketbollit apo futbollit amerikan.

Që nga vendi i 20-të e më pas, çdo çiklist merr vetëm nga 1 000 euro, diçka qesharake./ABC News Albania 24/7

klosi-velipoje-1280x716.jpg
nev ila15:47 | 16/07/2019

Përplasjet politike, fushata dhe zgjedhjet e 30 qershorit kanë ndikuar negativisht në përgatitjen dhe menaxhimin e sezonit turistik, tha ministri Blendi Klosi nga Velipoja. Ai deklaroi në mbledhjen e Task Forcës se ende nuk janë lidhur kontratat me përdoruesit e plazhit nga Bashkia Shkodër.

Në mbledhjen e Task Forcës për menaxhimin e turizmit në Velipojë ministri Blendi Klosi ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit kanë patur një impakt negativ në përgatitjet për sezonin turistik.

“Jemi më keq se një vit më parë“,- tha Klosi duke renditur disa nga problematikat e konstatuara në terren.

“ Janë 29 të evidentuara prej tyre 17 janë të regjistruara në tatime, por pa lidhur kontratë me Bashkinë e Shkodrës, ndërsa në gjithë plazhin janë vetëm 10 kulla vrojtime”, tha Klosi.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe ministrat Balluku dhe Cakaj.

Në mbledhje morën pjese përfaqësues të Prefekturës Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe institucioneve qendrore në nivel vendor./ABC News Albania 24/7

labirinte.jpg
G. P.14:46 | 14/07/2019

Skutat e fshehtat në Gjirokastër ose njohur ndryshe si labirinte do t’u afrohen turistëve si një atraksion i rrallë. Ato janë zbuluar gjatë punimeve në Qafën e Pazarit dhe 400 vjet më parë shërbenin për mbrojtjen e produkteve të ndryshme të tregtarëve.

Dikur u ndërtuan që banorët e tregtarët të ruanin produktet në kushtet frigoriferike. Sot labirintet e lashta të zbuluar në themelet e banesave në Gjirokastër do të kthehen në atraksion turistikë për vizitorët.

Ishin punimet për rehabilitimin e Qafës së Pazarit që hodhën dritë në këtë anë të panjohur të qytetit të gurtë. Objektet e vjetra janë ndërtuar në një moment të caktuar të historisë që përkon me themelimin e qytetit, dhe para viteve ‘90 ato janë mbyllur.

Të fshehtat e Gjirokastrës e vërtetojnë edhe harqet mahnitëse tek lokal “Kashau” të cilat u zbuluan pak kohë më parë. Pronari i këtij biznesi Hairi Kashahu thotë se është një sipërfaqe prej 28-30 m që do të rikonstruktohet duke ruajtur elementët antikë të saj.

Labirintet e qytetit të gurtë shërbenin si mënyrë komunikimi mes tregtarëve, të cilët shkëmbenin mallrat e tyre pa qenë nevoja të shkonin në pjesën e sipërme të qytetit.

Pjesa më e madhe e bizneseve ishin të ndërtuara në disa nivele dhe labirintet përbënin nivelin më të ulët, të ndërtuar në mënyrë të tillë edhe për të ruajtur produktet në kushte frigoriferike për të mos u prishur.

Sa i takon periudhës së ndërtimit nuk ka një datë fikse, megjithëse sipas historianëve mendohen se kanë nisur rreth shekullit të 17-18 periudhë kjo që përkon dhe me themelimin e qytetit të gurtë.

Pazari në formën që ka sot është ndërtuar rreth 400 vjet më parë. Fillesat i ka brenda mureve të kalasë që identifikonin qytetin e Gjirokastrës. Me rritjen e popullsisë familjet u detyruan të dalin jashtë mureve rrethuese të kështjellës duke hedhur themelet e para të konstruksioneve tregtare. Vjetërsia e Pazarit të Gjirokastrës përmendet në dokumentet e udhëtarëve të njohur të pas Mesjetës./ABC News Albania 24/7

KLOSI-TASK-FORCA-POGRADEC-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela16:00 | 13/07/2019

Nga Pogradeci në mbledhjen e Task-Forcës së turizmit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paralajmeroi të gjitha subjektet që shfrytëzojnë hapësirën e bregdetit se duhet të respektojnë hapësirat publike në zonat e plazhit. Nëse nuk zbatohet ligji, Klosi deklaroi se subjektet do të ndëshkohen me gjobat përkatëse.

Nuk do të tolerohet mungesa e respektimit të ligjit për hapësirën publike të plazheve. Ky ishte paralajmërimi i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga Pogradeci gjatë mbledhjes së Task-Forcës së turizmit.

 “Është rritur numri i turistëve, është rritur turizmi, por na duhet të ecim paralelisht me standartet. VKM-ja për stacionet e plazhit parashikon 20 % të hapësirës së bregdetit brenda njē njësie, duhet të jetë plazh publik. Kjo nuk është respektuar dhe tashmë institucionet do të veprojnë, sikundër në Durrës që iu kthye hapësira e plazhit publik, qytetarëve. Vendimi i Këshillit të Ministrave për këtë është i prerë. Mozbatimi i tij penalizon drejtpërsëdrejtë ata që ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme, organet vendore që duhet ta kontrollojnë dhe natyrisht edhe të gjithë ne organet shtetërore që duhet të bëjmë monitorimin”

Ministri Klosi gjithashtu theksoi se duhet kthyer vemendja edhe tek kullat e vrojtimit dhe rojet e certifikuar të ruajtjes së jetës në plazhe.

 “Nga 50 subjekte të monitoruara, vetëm 14 i zbatojnë të gjitha kriteret e VKM për stacionet e plazheve. Nuk mund të kemi rritje cilësore të turizmit, nëse nuk kemi rritje të shpejtë të shërbimeve dhe standarteve”.

Klosi gjatë takimit në Pogradec u tërhoqi vëmendjen tur operatorëve përsa i përket mjedisit duke kërkuar trajtimin e ujërave të zeza, pajisjen me leje mjedisore dhe zbatimin e tyre, çka do të ofronte turizëm me standarde. /ABC News Albania 24/7

 

PAKETA-TURISTIKE-RAJONALE-1280x720.jpg
ent ela15:40 | 11/07/2019

Shqipëria do të ketë paketa të përbashkëta turistike me vendet e tjera të rajonit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se vendi ynë do të jetë dhe pjesë e projekteve për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit.

Gjashtë vende të rajonit po synojnë hartimin e një pakete të përbashket turistike. Ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit ka nisur diskutimet me homologet në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.

“Mendoj që jo vetëm në rajonin e Mesdheut, por të gjithë rajonet kanë filluar të mendojnë si destinacione të përbashkëta pasi tregu i turizmit ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që udhëtojnë ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që përfitojnë nga turizmi ka ndryshuar shumë dhe gjithmonë e më shumë ofertat janë bërë komplekse. Prandaj unë do të doja shumë që t’ju nxisja të gjithëve ju që jeni këtu për të qenë pjesë e ideve të përbashkëta”.

Ministri Klosi kërkoi bashkëpunimin e shoqërisë civile për gjetjen e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, ndërsa i premtoi mbështetje të institucioneve shtetërore. /ABC news Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono