tsipras

TSIPRAS-DEKLARATA-1280x609.jpg
G. P.22:21 | 16/01/2019

Aleksis Tsipras i ka mbijetuar votëbesimit në Parlament, i mbajtur pas braktisjes së koalicionit qeverisës nga Grekët e Pavarur. Me 3 vota më shumë, Tsipras do të mund të udhëheqë mazhorancën helene deri në fund të mandatit, me shpresë për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Me 151 vota pro, qeveria greke e Aleksis Tsipras i mbijetoi votëbesimit në Parlament, i përfshirë prej dy ditësh në debate mbi marrëveshjen e Prespës. Me deputetët e partisë Syriza u bashkuan edhe 6 ligjvënës të tjerë, 4 prej të cilëve të pavarur dhe 2 nga Aleanca Patriotike Kombëtare, që votuan pro qeverisë. Ndërkohë, votat kundër ishin 148. Menjëherë pas votimit, në një bashkëbisedim me mediat, kryeministri Tsipras u shpreh se Parlamenti votoi në favor të stabilitetit. “Votoi një qeveri që e ka ndryshuar Greqinë dhe që do të vazhdojë punën deri në përfundim të mandatit të saj”, deklaroi Tsipras. Votëbesimi i ekzekutivit erdhi pasi pak ditë më parë partia Grekët e Pavarur, e udhëhequr nga Panos Kamenos njoftoi largimin nga koalicioni për shkak të përplasjeve me Syrizën mbi marrëveshjen që i jep fqinjit të Greqisë emrin Maqedonia e Veriut. Duke njoftuar dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes, Kamenos tha se për hir të interesit kombëtar nuk mund të mos e flijonte postin e tij. Gjatë seancës nuk munguan përplasjet mes kryeministrit Tsipras dhe liderit të opozitës, Qirjakos Micotaqis. Tsipras mbrojti lëvizjet e tij duke nënvizuar se, dilemat që Greqia ka përpara kërkojnë zgjidhje të qarta.

parlamenti-grek.jpg
G. P.11:57 | 16/01/2019

Mbrëmjen e së mërkurës parlamenti grek do të votojë për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së kryeminstrit Aleksis Tsipras. Vetëm pas kësaj do të caktohet data për votimin e marrëveshjes së Prespës.

Debati i tensionuar mes liderëve politikë në parlamentin grek, i nisur të martën, do të arrijë kulmin mbrëmjen e të mërkurës ku dhe pritet të votohet për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Aleksis Tsipras. Mediat greke parashikojnë se qeveria do të mund t’i mbijetojë votimit dhe pse me shumë pak vota në favor. Qeveria e Tsipras ndodhet në një situatë të vështirë pas largimit nga koalicioni i “Grekëve të Pavarur” të Panos Kamenos.

Debatet mes Tsipras dhe liderit të Demokracisë së Re, Mitsotakis, ishin shumë të ashpra duke dhënë shijen e një fushata zgjedhore, në një kohë që ideja e zgjedhjeve të parakohshme sa vjen e bëhet më reale. Tsipras u kërkoi deputetëve që të votonin duke dëgjuar ndërgjegjen e tyre për sa i përket mocionit votëbesimit dhe Marrëveshjes së Prespës, dhe vetëm në këtë mënyrë demokracia do të fitonte.

Mitsotakis nga ana e tij e cilësoi si një shfaqje të qeverisë, e cila sipas tij është e gatshme të miratojë marrëveshjen e dëmshme të Prespës, vetëm për të mbijetuar. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë se po përpiqej të korruptonte deputetë jo të Syrizës për të pasur votën e tyre.

Qeverisë së Tsipras i duhen 151 vota për të mbijetuar, ndërsa deputetët e Syrizës janë 145. Ndërkohë pritet që data e saktë për votimin në parlamemt të marrëveshjes së Prespës do të bëhet e ditur pas votimit të mbrëmjes së të mërkurës për mocionin e votëbesimit të qeverisë së kryeministrit Tsipras./abcnews.al

TSIPRAS-DEKLARATA-1280x609.jpg
ent ela13:28 | 10/01/2019

Në një intervistë televizive, kryeministri grekAleksis Tsipras u shpreh se marrëveshja e Prespës i shërben edhe  Greqisë. Tsipras tha se Greqi nuk ka interes për një Shqipëri të madhe, pranë kufijve te saj.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka paralajmëruar se një shpërbërje e mundshme e Maqedonisë, mbart rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe. Tsipras e përdori këtë hamendje gjatë një interviste televizive, duke argumentuar se Marrëveshja e Prespës i shërben interesave të Greqisë.

Alexis Tsipras, Kryeministër i Greqisë:  “Greqia nuk ka asnjë interes nga një destabilizim në kufijtë e saj veriorë. Nuk ka asnjë interes të ketë një front të hapur në një vend që do të mund të ishte një hapësirë jetike për ekonominë tonë dhe bizneset tona. Nuk ka asnjë interes nga shpërbërja e atij vendi dhe mundësia e një “Shqipërie të Madhe” në kufijtë tanë. Dhe sigurisht, nuk ka asnjë interes të shpenzojë kapitale diplomatike në një periudhë kur kemi një komshi nevrik (Turqia), i cili përbën kërcënim për Greqinë, ndërsa ish Republika  Jugosllave e Maqedonisë nuk përbën kërcënim”.

Gjatë intervistës për televizionin Open, Tsipras tha se e konsideron marrëveshjen e Prespës si arritjen më të madhe të mandatit të tij, pas daljes së Greqisë nga programet e shpëtimit. Kryeministri grek sqaroi se ai do të nisë procedurën për miratimin e marrëveshjes nga parlamenti grek, sapo të përfundojnë procedurat në parlamentin e Shkupit.

Alexis Tsipras, Kryeministër i Greqisë:  “Synoj që sapo të votohet në parlamentin e Shkupit dhe ministria e jashtme greke të njoftohet me notë verbale mbi përfundimin, menjëherë do t’ia kaloj rezultatin presidentit të republikës, kryetarit të parlamentit dhe partive politike, që të verifikojnë. Nëse ndryshimet kushtetuese respektojnë kuadrin e marrëveshjes së Prespës. Pastaj do të merrem vesh me kryetarin e parlamentit që të fillojnë procedurat”.

Tsipras tha se nota verbale nga Shkupi do të mbërrijë jo më vonë se fundi i javës së ardhshme. Rrjedhimisht, kryeministri grek, ai parashikoi se Marrëveshja e Prespës do të kalojë për votim në parlamentin vendas brenda janarit.

Gazetar i ABC News, Greqi: Robert Goro

/abcnews.al

MBULIM-TELEFONATA-ZAEV-TSIPRAS.mpg_snapshot_00.19.jpg
ent ela22:17 | 18/12/2018

Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev mund të jenë kandidatë për çmimin Nobel për Paqen vitin e ardhshëm. Fituesja e Nobelit për Paqen në vitin 2015, ekonomistja tuniziane Uided Bushamaui, ka deklaruar se do të nominoje kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras për çmimin e ardhshëm, për të vlerësuar angazhimin e tyre në arritjen e marrëveshjes së Prespës.

“Personalisht e konsideroj marrëveshjen në fjalë një proces jashtëzakonisht domethënës, që meriton të emërohet për çmimin Nobel”, ka deklaruar Bushamaui.

Ekonomistja tuniziane, e cila ndodhet në Shkup, ka thënë se pakti i arritur mes Zaev dhe Tsipras duhet të shërbejë si shembull për konteste të tjera nëpër botë. Maqedonia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen e Prespës në qershor, që i jep zgjidhje përplasjes dhjetëravjeçare për emrin dhe i hap rrugën e integrimit ish-republikës jugosllave. /abcnews.al

RAMA-PER-GAZETEN-GREKE-2-1280x695.jpg
ent ela15:38 | 03/12/2018

Një takim i mundshëm pritet të ndodhë së shpejti mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek. Konfirmimi erdhi nga kreu i qeverisë Edi Rama gjatë një intervistë dhënë Agjencisë  shtetërore të lajmeve në Greqi, AMPE.

“Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Pjesa tjetër është vetëm politike”.

Me këto fjalë e ka përmbledhur marrëdhënien e dy shteteve fqinjë kryeministri Edi Rama. Shpjegimin e bëri në një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, në kuadër të konferencës “News agencies vs Fake News”, që e organizoi Agjencia Telegrafike Shqiptare në Tiranë.

 “Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe, siç gjithmonë ndodh me fqinjët, nuk është gjithçka perfekte. E dimë këtë nga rajoni ynë, me çdo fqinj, qoftë në fshat apo në qytet, ose midis vendeve, është gjithmonë e njëjta marrëdhënie”.

Duke qeshur kreu i qeverisë ia ilustron me shembullin e ndeshjes së futbollit.

 “Mund ta kuptoni plotësisht këtë, nëse shikoni një ndeshje futbolli midis fqinjëve, është si…luftë”.

Megjithatë kryeministrit Rama nuk i ka munguar gatishmëria për të përmirësuar këtë marrëdhënie. Ai ka pohuar gjithashtu edhe mundësinë e një takimi me homologun grek Aleksis Tsipras.

“Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por pritet të takohemi së shpejti. Jemi në një proces të një dialogu shumë intensiv dhe të diskutimeve për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite, si dhe të çështjeve të tjera që kurrë nuk janë shtruar me vullnet të plotë, kurajo dhe vendosmëri për t’i zgjidhur. Unë mendoj se ne jemi shumë afër zgjidhjes së gjithë këtyre çështjeve dhe kjo do të ishte e mrekullueshme”.

I vetëdijshëm është shprehur kreu i qeverisë shqiptare edhe gjërat që nuk janë pozitive por sipas tij më e rëndësishme është që mes popujve nuk ka armiqësi. /abcnews.al

 

GREQI-ZGJEDHJET.mpg_snapshot_00.35-1280x745.jpg
G. P.22:19 | 26/11/2018

Analistët grekë parashikojnë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme që në muajin mars të vitit të ardhshëm. Sipas tyre janë pikërisht zhvillimet e fundit politike në vend që do të detyrojnë kryeministrin Tsipras të marrë këtë vendim.

Një seri zhvillimesh të brendshme dhe faktorë të jashtëm po shtojnë dhe më shumë zërat se kryeministri grek Aleksis Tsipras mund të përfundojë duke shpallur zgjedhje të parakohshme në muajin mars. Edhe pse Tsipras gjatë gjithë kohës këmbëngul se ka ndërmend të përfundojë mandatin katër vjeçar, duke nënkuptuar se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në vjeshtën e 2019-s. Burime pranë kryeministrit shprehen të shqetësuar rreth pasojave që mund të japë në Greqi një krizë në marrëdhëniet mes Italisë dhe Bashkimit Europian.

Një tjetër faktor që mund të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme janë dhe përplasjet për sa i përket marrëveshjes së Prespës në zgjidhjen e çështjes së emrit me Maqedoninë. Një marrëveshje që pritet të ratifikohet në parlamentin grek në muajin janar. Pikërisht për këtë arsye pritet që kryeministri grek Tsipras të ndahet nga partneri i tij i koalicionit qeverisës. Liderin e grekëve të pavarur Panos Kamenos, i cili kundërshton marrëveshjen me Maqedoninë./abcnews.al

TSIPRAS-PER-KACIFAS-MBULIM-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.08-2-1280x575.jpg
ent ela19:59 | 08/11/2018

Kryeministri grek Aleksis Tsipras, në një intervistë dhënë mbrëmjen e sotme në studion e Televizionit grek ALFA, u pyet edhe për ceremoninë mortore të Kostandinos Kacifas në fshatin Bularat.

“Sot është një ditë zie për familjen dhe atdheun tonë”- tha Tsipras. Ai u shpreh se nuk do të shtonte asnjë koment të veçantë për këtë ditë, por siguroi se Greqia bëri gjënë e duhur që nga dita e parë e kësaj ngjarjeje.

Pala shqiptare- tha kryeministri grek, na premtoi se autoritetet do të na japin një informacion të plotë në lidhje me këtë ngjarje shumë të pakëndshme.

Disa herë gjatë përgjigjes në intervistë, kryeministri i Greqisë e quan ngjarje të pakëndëshme vrasjen e Kacifasit. Tsipras shprehet më tej:

“Ne  duhet të ecim përpara për te caktuar të drejtat e minoritetit tone dhe do të vazhdojmë në këtë dialog. Ne kemi percaktuar një politikë për të zgjidhur problemet kronike në politikën e jashtme”- përfundoi kryeministri grek Tsipras. /abcnews.al

TSIPRAS-1280x720.jpg
ent ela10:10 | 20/10/2018

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme pas dorëheqjes së ministrit të Jashtëm, Nikos Kocias. Nga Brukseli, Tsipras ka deklaruar se qeveria e tij gëzon ende mbështetje absolute për të ruajtur mazhorancën në Parlament. Ai ka konfirmuar se do të marrë vetë nën kontroll drejtimin e Ministrisë së Jashtme dhe se do të punojë për ta çuar deri në fund marrëveshjen me Maqedoninë. Administrata e Tsipras kontrollon 153 nga 300 vende të Parlamentit grek, përfshirë këtu partinë e vogël të së djathtës të udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos, i cili thuhet se u bë shkas për largimin e Kocias. Kamenos e sheh marrëveshjen e emrit me Shkupin si një shitje të interesit kombëtar. Ndërkaq, Syriza po përpiqet të fitojë terren kur po afrojnë zgjedhjet politike të vitit të ardhshëm. /abcnews.al

tsipras.jpg
ent ela15:48 | 16/10/2018

E përditshmja greke “Ta Nea”, raporton se në një fjalim jashtë radhe kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras u ka bërë apel ministrave të qeverisë së tij që të mos mendonin rrëzimin e saj për shkak të marrëveshjes me Maqedoninë. Më herët e njëjta e përditshme raportonte se kreu i ekzekutivit grek Tsipras është takuar në fshehtësi me partnerin e tij të koalicionit, njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos.

Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras i ka dhënë një mesazh të qartë ministrave të tij dhe partnerëve të koalicionit qeverësisës. Ai u ka kërkuar që as të mos mendojnë të rrëzojnë qeverinë për shkak të marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Kryeministri grek kërkoi unitet në mënyrë që të mund të korrnin sukeseset e 3 vjet e gjysëm qeverisjeje. Në një moment që sipas tij dhe ekonomia në vend po rimëkëmbet. Ai i kërkoi ministrave që të mos mbështesin përpjekjet e të djathtës ekstreme, që kërkon rrëzimin e qeverisë me justifikimin e marrëveshjes së Prespës.

Më herët e njëjta e përditshme konfirmonte një takim të fshehtë, të hënën mes kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe partnerit të tij të koalicionit njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos. Takimi nuk është bërë në kryeministri në Klubin e Ushtrisë. Sipas “Ta nea”, dy partnerët e koalicionit,  kanë konfirmuar marrëveshjen e tyre për të vazhduar qeverisjen deri në muajin mars, kur Marrëveshja e Prespës do të diskutohet në parlamentin grek.

Takimi vjen pas kthimit të Kamenos nga SHBA-ja, ku foli për planin B ndaj Marrëveshjes së Prespës duke shkaktuar reagime në Greqi, si nga anëtarët e Qeverisë, ashtu edhe nga partitë opozitare.

Për këtë takim nuk ka ende një konfirmim zyrtar as nga zyra e Kryeministrisë dhe as nga stafi i ministrit të brendshëm. /abcnews.al

POROSIA-E-TSIPRAS-1280x895.jpg
ent ela12:14 | 14/10/2018

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka paralajmëruar Shkupin se nuk do të lejojë anëtarësimin e këtij vendi në BE dhe NATO pa implementimin e marrëveshjes së Prespës. Gjithashtu ai porositi edhe aleatin e tij qeveritar, Kamenos se nuk ka alternativë tjetër për këtë çështje.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras në fjalimin e tij në Keshillin e Lartë të Partisë qeveritare Syriza, vetëm disa ditë para se parlamenti i Greqisë të votojë për ndryshimet kushtetuese që kërkon pakti për emrin, paralajmëroi Shkupin. “Nuk ka mundësi tjetër për të dy popujt përveç implementimit të marrëveshjes së Prespës”, u shpreh ai. “Marrëveshja e Prespës është një mundësi unike dhe e pazëvendësueshme për të dy popujt dhe për stabilitetin në Ballkan. Nëse fqinjët tanë nuk e aprovojnë atë, duhet të dinë dhe unë them me sinqeritet, se nuk ka alternativa të tjera”, tha Tsipras.

Në të njëjtën kohë, shefi i qeverisë greke i bëri të qartë edhe aleatit te tij qeveritar ,ministrit te Mbrojtjes, Panos Kamenos, se nuk ekziston ndonjë plan alternativ. Ky i fundit në vizitën e tij në SHBA kishte parashtruar një plan të dytë në rast se dështon miratimi i marrëveshjes së Prespës, që parashikon një marrëveshjeje ushtarake midis Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe madje Serbisë, me qëllim krijimin e një barriere që do të ndalë depërtimin rus në Ballkan.

“Nëse nuk ndryshojnë emrin e tyre kushtetues, dua të jem i qartë, edhe Greqia nuk do ta lejojë ketë. Nuk do të pranojë hyrjen e vendit fqinj në NATO, BE , ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare ose ne ndonjë formë bashkëpunimi ushtarak me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë”, u shpreh Tsipras. Duke ju përgjigjur disa kritikave që përse e majta greke është kaq e lidhur me politikën e SHBA , Tsipras ka theksuar se Greqia kërkoi dhe arriti vendosjen e mardhënieve të respektit me fuqitë e mëdha, por nënvizoi se nuk kërkon mbrojtës. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono