tregti

kine-rusi-1280x853.jpg
nev ila17:11 | 05/06/2019

Sipas analistëve aktualisht Rusia ka nevojë për marrëdhënie të forta me Kinën, më shumë se me cilindo partner tjetër. Sipas tyre rendi botëror po ristrukturohet, duke preferuar gjithnjë e më shumë një sistem bipolar, ku dy protagonistët janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina.

Çdo gjë është e shkruar në gjuhën kineze dhe në atë ruse. Në “Business park Greenuood”, pak larg Kremlinit, prezantohet një nga projektet më të mëdha të investimeve kineze në Rusi. Zyra, një hotel, një qendër kongresesh dhe një parking shumë i madh: më shumë se 120 shoqëri të mëdha kineze shtetërore dhe private kanë vendosur zyrat në këtë zonë. Investimi kryhet nga shoqëria shtetërore kineze “Chengtong International”.

Pala kineze shprehet se përveç burimeve natyrore, teknologjive të fundit, ka dhe shumë profesionistë shumë të kualifikuar që veprojnë në Rusi. Dhe në 10 vitet e fundit në vend janë parë shumë mundësi të mira zhvillimi. Delegacioni kinez theksoi se nëse nuk do të kishte besim total në palën ruse, atëherë nuk do të kishte pasur asnjë marrëveshje. Shtoi kësaj marrëdhënie shumë të qëndrueshme në nivel qeverie mes Pekinit dhe Moskës.

Në 10 vitet e fundit sipërmarrjet kineze kanë investuar më shumë se 50 miliardë dollar në Rusi. Tashmë ka tendenca të reja , me investitorët që shohin dhe në drejtim të agro kulturës dhe farmaceutikës. Çdo gjë me miratimin e plotë të Kremlinnit.

Vitali Mankevich, përgjegjësi i unionit ruso – aziatik në fushën industrial dhe sipërmarrëse, u shpreh se Kina po bëhet e mbipopulluar dhe iniciativa e presidentit kinez Xi Jinping “One Belt One Road” shtyn dhe sipërmarrjet kineze që të kërkojnë tregje të reja, dhe ky sigurisht që është një fat i madh për Rusinë.

Analistët shprehen se aktualisht Rusia ka shumë nevojë për marrëdhënie të forta me Kinën se me cilindo partner tjetër. Sipas tyre rendi botëror po ristrukturohet duke preferuar gjithnjë e më shumë një sistem bipolar ku dy protagonistët, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina. Moska do të luajë rolin e një katalizatori dhe nuk i lejohet të dështojë. Aleanca Rusi – Kinë është jetësore për Moskën./ABC News Albania 24/7

KRONIKE-BUSHATI-ME-SLLOVENIN.mpg_snapshot_01.47-1280x720.jpg
ad min12:47 | 27/11/2018

Ministri i punëve të jashtme të Republikës së Sllovenisë, Miro Cerar u prit në një vizitë zyrtare nga homologu i tij shqiptar Ditmir Bushati. Në përfundim të takimit, dy ministrat në konferencën e përbashkët për shtyp folën për përforcim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Ditmir Bushati: “Së bashku me komunitetin e biznesit në dy vendet tona, të mbajmë një forum biznesiu në Tiranë. Të jetë dhe një sinjal i qartë, një shkëndijë inkurajuese, për të shtuar vëllimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona.”

Miro Cerar: “Faktikisht unë kam ardhur këtu me një grup të shquar biznesmenësh sllovenë e përfaqësues të dhomës sonë të tregtisë dhe unë besoj se takimi i njerëzve nga biznesi do të kontribuojë për një bashkëpunim më të mirë ekonomik që për momentin është ende modest.”

Sllovenia, e rreshtuar në kampin “pro zgjerimit” mes antarëve të Bashkimit Europian, theksoi mbështetjen ndaj Shqipërisë si për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm, ashtu edhe për kandidaturën e Shqipërisë në OSBE.

“Siç dihet vendi ynë ka shprehur ambicjen për të marrë drejtimin e OSBE-së në vitin 2020 dhe jemi të gëzuar që Sllovenia e mbështet zyrtarisht kandidaturën e Shqipërisë.”

“Ne në mënyrë konstante dhe aktive mbështesim integrimin në BE të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë diçka të tillë. Presim që negociatat do të nisin qershorin e vitit tjetër. Do ta mbështesim Shqipërinë, kandidaturën e kryesisë së Shqipërisë në OSBE për vitin 2020.”

Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Sllovenisë kap shifrën 53 milionë euro, modeste kjo sipas dy ministrave Bushati – Cerar sipas të cilëve potenciali për rritjen e këtij shkëmbimi është ende i pashfrytëzuar./abcnews.al

TRUMP-MEKSIKA-KANADA_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.20-1280x725.jpg
ad min13:37 | 02/11/2018

SHBA dëshiron të arrijë një marrëveshje tregtare me Kinën në samitin e G20 në Argjentinë. Kjo është bërë e ditur nga mediat amerikanë që raportojnë se presidenti Trump ka urdhëruar administratën e tij të përgatisë një draft marrëveshje që do t’i japë fund luftës tregtare mes dy vendeve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron të arrijë një marrëveshje me presidentin kinez, Xi Jinping, të cilin do ta takojë në sajë të samitit të G20 që mbahet në fund të nëntorit. Për këtë i ka kërkuar administratës së tij që të përgatisë një draft për akordin. Kjo është raportuar nga gjencia e lajmeve Bloomberg që citon burime afër këtij dosieri.

Shtyrja drejt një marrëveshje të mundshme erdhi pas një telefonate të orëve të fundit mes Trump dhe Xi Jinping. Pas një bisede mes dy liderëve, kreu i Shtëpisë së Bardhë u ka kërkuar anëtarëve të administratës së tij që të fillojnë me përgatitjet për draft marrëveshjen.

Telefonata mes presidentit kinez dhe atij amerikan lidhur me tregtinë dhe çështje të tjera ishte “shumë positive”. Dy liderët janë dakordësuar për të “shtuar shkëmbimet ekonomike”, tha në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kand, por pa dhënë detaje për një zhbllokim të mundshëm të negociatave sa i përket përshkallëzimit të mardhënieve mes dy vendeve për shkak të tarifave të vendosura për importet.

Kina dhe SHBA u përfshin këtë vit në një luftë të ashpër tregtare që filloi me vendosjen e tarifave nga Trump për importin e çelikut dhe aluminit. Presidenti amerikan e arsyetoi vendimin e tij duke thënë se Uashingtoni duhet të reduktojë defiçitin tregtar me shumë vende të botës, kryesisht me Kinën. Një vendim i tillë shkaktoi reagim zinxhir dhe përshkallëzoi në luftë tarifash./abcnews.al

shkodra.png
ad min16:29 | 06/10/2018

Në Shkodër, bashkia ka investuar rikonstruktimin e Merkatës së Rusit. Por tregtarët që prej gjashtë muajsh tregojnë në rrugë, duket se nuk i ka kënaqur ajo çfarë është bërë në tregun e fruta-perimeve në Shkodër.

Për pak ditë çdo gjë është gati. Tregtarët ambulantë do të rikthehen në ambientin e rikonstruktuar të Merkatës së Rusit. Ose siç njihet ndryshe tregu i fruta-perimeve në Shkodër. Por ky investim duket se nuk i ka kënaqur tregtarët. Ata thonë se banakët janë shumë të vegjël dhe e gjithë zona është e ekspozuar pasi nuk ka mbulesë.

“S’ka kushte aspak. Kabinat janë të vogla, të papërshtatshme, pa kushte brenda standardeve”, tha një shitës tjetër.

“Nuk është për ne, nuk i ka kushtet tamam”, u shpreh një tjetër.

“Ka bërë pothuajse një kaçorre pëllumbash. S’ka bërë banaqe. Dy arka domate s’kemi ku i vendosim, njëkohë që banaku ka qenë superbanak”, tha një tjetër shitës.

Në tregun e lagjes Rus në Shkodër, Bashkia ka rreth 6 muaj që ka nisur rikonstruksionin me një fond prej 30 milionë lekësh, ku janë përfshirë edhe sistemimi i kanalizimeve si dhe vendosja e banakëve.

“Në rrugë kemi qenë gjithë kohës, por tani kemi dalë midis rrugës. Kushtet janë pothuajse hiç të rregullta për ne”, u shppreh shitësi.

Në këtë treg kanë qenë rreth 60 tregtarë që zhvillonin aktivitetin e tyre. Kurse tani këtu janë vendosur 116 banakë. Prej 6 muajsh, ata shisnin produktet në mes të rrugës, që nga peshku e deri te fruta-perimet./abcnews.al

SHBA-KANADA.mpg_snapshot_00.09-1280x712.jpg
ad min20:35 | 01/09/2018

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për një traktat të ri të tregtisë së lirë kanë dështuar. Në raundin e negociatave të zhvilluara të premten palët nuk lëvizën nga pozicionet e tyre.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për ndryshimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë mes vendeve të Amerikës së Veriut u mbyllën pa një marrëveshje. Autoritetet amerikane deklaruan megjithatë se do të takohen sërish me homologët kanadezë javën e ardhshme, në përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët. Për momentin, pala amerikane synon të avancojë marrëveshjen me Meksikën sipas kushteve të reja për të cilat u ra dakord më herët gjatë javës.

Sidoqoftë, skepticizmi i Kanadasë vë në dyshim se cili do të jetë fati i marrëveshjes trepalëshe, që lëvron rreth 1 trilion dollarë në vit nga tregtia. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Kanadaja të ofrojë akses për produktet bulmetore dhe medikamentet amerikane dhe të tërhiqet nga panelet ndërkombëtare, në mënyrë që mosmarrëveshjet të zgjidhen mes investitorëve dhe qeverive përkatëse. Produktet bulmetore ishin një çështje e diskutuar mes palëve ditën e premte, për të cilën amerikanët deklaruan se kanadezët nuk kishin bërë asnjë lëshim. Kryeministri kanadez Xhastin Trudo deklaroi se qeveria e tij është e vendosur për këtë çështje. Ndërsa presidenti Donald Trump i bëri me dije Kongresit se synon ta nënshkruajë marrëveshjen e re me Meksikën brenda 90 ditëve dhe me Kanadanë, nëse ajo do të dëshirojë./abcnews.al

eu.jpg
ad min17:15 | 31/08/2018

Bashkimi Evropian tenton të shuajë mosmarrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Brukseli ka propozuar për Uashingtonin një marrëveshje tregtare me zero tarifa për mallrat industrialë, përfshirë dhe automjetet.

Bashkimi Evropian bëri të ditur se në bisedimet tregtare me SHBA-të ka shprehur gatishmëri për të hequr tarifat ndaj të gjitha produkteve industriale, përfshirë edhe automjetet.

“Thamë se BE-ja është e gatshme për të zbatuar zero tarifa ndaj të gjitha mallrave industriale, natyrisht, nëse edhe SHBA zbaton një gjë të tillë. Prandaj, kjo do të jetë në baza reciproke”, tha Cecilia Malmström, Komisionerja Evropiane Përgjegjëse për Tregti, në një mbledhje të komitetit tregtar të Parlamentit Evropian.

Malmström shtoi më tej se bisedimet me SHBA-në nuk janë zhvilluar për të rifilluar Marrëveshjen e Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, por ajo që është synuar ka qenë një “marrëveshje tregtare më e kufizuar”.

“Nëse edhe SHBA bën të njëjtën gjë, ne jemi të gatshëm të ulim në zero madje edhe tarifat ndaj automjeteve”, theksoi më tej Malmström, duke shprehur bindje se marrëveshja e mundshme do të ishte e dobishme për të dyja palët.

Ndërkohë, Brukseli dhe Washingtoni aktualisht janë duke zhvilluar bisedime të natyrës përgatitore për të përcaktuar kornizat e një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen. Edhe pse në mbledhjen e javës së kaluar në Washington u diskutua edhe për zbatimin e zero tarifave ndaj automjeteve, SHBA refuzoi propozimin e BE-së./abcnews.al

marredhenie.jpg
ad min09:31 | 29/07/2018

Marrëdhëniet tregtare mes Amerikës dhe Europës janë përmirësuar nga vizita e fundit e Jean Claude Juncker në Uashington. Por ministrja gjermane e Agrikulturës paralajmëron se ato mund të cënohen sërish pasi BE mund të mos bjerë dakord me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës po përmirësohen, por nuk ka asnjë garanci se ky trend pozitiv do të vazhdojë. Kështu ka deklaruar në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” ministrja gjermane e Agrikulturës, Julia Kokner. Ministrja ka nënvizuar se nuk është e sigurtë nëse Bashkimi Europian do të pranojë blerjen e produkteve amerikane në sasinë e dëshiruar nga Uashingtoni.

“A do të bëjmë ne çfarëdo lloj gjëje që presidenti Trump dëshiron? Nuk e di. Të shohim ç’do të ndodhë”, ka thënë Kokner.

Tendenca e marrëdhënieve dypalëshe ndryshoi gjatë vizitës që presidenti i KE, Jean Claude Juncker kreu në fillim të javës në Uashington. Në përfundim të saj, presidenti Trump publikoi marrëveshjen surprizë, që sipas tij do të ndihmojë fermerët amerikanë.

“Bashkimi Europian do të fillojë thuajse menjëherë blerjen e farave të sojës”, tha Trump për gazetarët.

BE pritet të importojë mbi 15 milionë tonelata fara soje në periudhën e korrjeve 2018-2019. Për ministren gjermane, më tepër sesa një fitore, marrëveshja e nënshkruar me Juncker ka qenë një domosdoshmëri për Trump për shkak të tarifave reciproke të vendosura nga Europa, por edhe Kina.

“Duke pasur parasysh se fermerët janë mbështetësit kryesorë të presidentit amerikan, pa dyshim që ata e kanë ndjerë presionin. Mendoj se Trump e ka kuptuar këtë, ndaj dhe tani po hyjmë në një marrëdhënie të re, më pozitive”, ka vijuar Kokner.

Edhe zyrtarë të tjerë europianë janë shprehur të lehtësuar pasi Trump dhe Juncker vendosën t’i japin fund luftës tregtare në dy anët e Atlantikut. ­­­/abcnews.al

be.jpg
ad min13:24 | 17/07/2018

Bashkimi Europian ka arritur marrëveshjen tregtare më të madhe në histori me Japoninë. Fillimisht vendet e unionit do të eksportojnë pa tarifa prodhime të bulmetit. Ndërsa Japonia do të dërgojë në BE automjetet e prodhuara nga kompani si Toyota apo Honda. Nga kjo marrëveshje përfitojnë kryesisht konsumatorët.

Liderët e Bashkimit Europian firmosin një marrëveshje të madhe tregtare me qeverinë e Japonisë, një nga partnerët më të ngushtë të Brukselit në Azi. Akordi emërtohet Marrëveshja e Partneritetit Ekonomik “EPA”, dhe do të jetë më i madhi i negociuar ndonjëherë nga Unioni.

Do të eliminojë shumicën dërrmuese të tarifave për produktet dhe shërbimet që tregtohen midis Japonisë dhe vendeve të BE-së. Sipas vlerësimeve zyrtare, fillimisht do t’i shpëtojë një miliard euro në vit, kompanive evropiane, ndërsa me kalimin e kohës duhet të rriten ndjeshëm eksportet e produkteve të caktuara evropiane, veçanërisht produktet ushqimore të bulmetit dhe rrjedhimisht edhe vendet e punës të lidhur me këto sektorë.

EPA do të hyjë në fuqi në 2019-n, por që tashmë ka tërhequr kritika nga politikanë dhe ekonomistë skeptikë të traktateve të mëdha tregtare. Sipas tyre, do të rriten importet dhe do të eksportojë për kompanitë europiane dhe një konkurrencë të madhe nga kompanitë japoneze. Ky akord do të favorizojë pa masë konsumatorët, por natyrisht do të shkaktojë vështirësi deri në mbyllje për kompanitë që nuk do të jenë në gjendje të përballojnë konkurrencën.

Ndërkohë, marrëveshja mes BE-së dhe Japonisë është cilësuar edhe si “djath në këmbim të automjeteve”, pasi fillimisht do të prekë dy katëgori produktesh si: mishi, djathi, çokollata dhe vera, të cilat për momentin taksohen në Japoni deri në 40%. Ndërsa nga ana tjetër qeveria e Tokios do të sjellë në Europë automjete të kompanive si Toyota dhe Honda, që janë shumë më pak të përhapura në vendet e Unionit në krahasim me SHBA-të. Pas nënshkrimit, akordi duhet të aprovohet në Parlamentin Europian dhe nga secili shtet anëtar./abcnews.al

theresamay1311a.jpg
ad min14:46 | 07/07/2018

Qeveria  britanike miratoi një marrëveshje për tregtinë e lirë me Bashkimin Europian. Vendimi u mor pas një mbledhjeje maratonë prej 12 orësh të kryeministres May me ministrat e saj.

Qeveria britanike ka pranuar të ndjekë pas Brexit, një zonë të tregtisë së lirë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimin Europian. Deklarata është bërë nga kryeministrja britanike Theresa May, pas një mbledhjeje maratonë prej 12 orësh me ministrat e saj.

Ministrat britanikë firmosën një plan për krijimin e një zonë për tregtinë e lirë për mallrat industrialë me Bashkimin Europian, të bazuar në një rregullore të përbashkët. Ata kanë miratuar dhe atë që mund të jetë një territori doganor i kombinuar.

Marrëveshja parashikon dispozita më fleksibël për shërbimet. Plani propozon dhe atë që cilësohet si një kornizë institucionale të përbashkët për interpretimin e marrëveshjeve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian.

Deklarata e qeverisë mbështet idenë e të ashtuquajturës marrëveshje doganore lehtësuese, një sistem kompromisi që mund të jetë i pranueshëm dhe për Londrën dhe për Brukselin.

Plani, sipas kryeministres britanike May do t’i japë Mbretërisë së Bashkuar një politikë tregtare të pavarur, me mundësinë për të vendosur tarifat e saj dhe për të përfunduar marrëveshje tregtare të veçanta./abcnews.al

russian_prime_minister_dmitry_.jpg
ad min09:06 | 07/07/2018

Rusia do të vendosë tarifa të reja që variojnë nga 25 në 40 për qind për produktet amerikane, një lëvizje kjo që e vendos atë përkrah Kinës në luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Ka qenë kryeministri Dmitri Medvedev që ka firmosur urdhërin për tarifat në fjalë, që do të prekin mallrat amerikane për industrinë e ndërtimit, atë metalike, makineritë, naftën, gazin dhe fibrat optike.

Sidoqoftë, kostoja e kësaj rritjeje për Amerikën do të jetë 87 milionë dollarë në vit, një shifër shumë modeste krahasuar me kostot miliardere që kanë shkaktuar tarifat e vendosura nga më herët gjatë vitit nga Uashingtoni.

Rusia, sikurse Kina, India, Bashkimi Europian, Norvegjia, Kanadaja dhe Meksika ka bërë kërkesë për debat në Organizatën Botërore të Tregtisë mbi tarifat e administratës Trump./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono