tregtare

kine-washington-1280x711.jpg
Sej rie10:15 | 01/07/2019

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë gjasa të rinisin shumë shpejt negociatat për t’i dhënë fund luftës tregtare. Por pavarësisht shkrirjes së akujve në samitin e G20-s, si Pekini dhe Uashingtoni janë të vetëdijshëm se arritja e një marrëveshjeje do të jetë një mision thuajse i pamundur.

Rifillimi i negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është një hap i madh përpara, por do të duhet kohë që të dilet në krye. Kështu ka deklaruar këshilltari ekonomik pranë Shtëpisë së Bardhë, Lerri Kuldou, në një intervistë për “Fox News”. “Nuk ka premisa dhe nuk ka një afat sa i takon ecurisë së bisedimeve. Mund të themi se 90 për qind e marrëveshjes është arritur, por mbetet 10 për qind që është dhe pjesa më e vështirë”, ka thënë Kudlou.

Në të njëjtën linjë, edhe mediat shtetërore kineze kanë deklaruar se Pekini dhe Uashingtoni kanë një rrugë të gjatë përpara për t’i dhënë fund luftës së hidhur tregtare. Sipas burimeve mediatike, pritet që procesi i negociatave në vijim të jetë më luftarak, pavarësisht se presidentët Trump dhe Xi shkrinë akujt në samitin e G20-s në Japoni.

Dy ekonomitë më të madhe në botë janë përfshirë në një betejë tregtare në kuadër të të cilës i kanë rritur tarifat e importit për produktet e njëra-tjetrës. “China Daily”, një e përditshme kineze në gjuhën angleze përmes të cilës Pekini i dërgon mesazhe pjesës tjetër të botës, raportoi të dielën se pavarësisht gjasave për rinisjen e bisedimeve, nuk ka asnjë garanci që do të ketë një marrëveshje. “Edhe pse Uashingtoni pranoi të shtynte rritjen e mëtejshme të tarifave për produktet kineze, gjërat janë ende në ajër dhe nuk ka asgjë konkrete”, thuhet në një editorial të së përditshmes./ABC News Albania 24/7

brazil-argentina.jpg
nev ila23:25 | 28/06/2019

Bashkimi Europian dhe Amerika e Jugut kanë arritur një marrëveshje historike tregtare pas disa dekadash negociata. Akordi do të stimulojë tregtinë e lirë mes dy kontinenteve dhe do të mbulojë rreth 800 milionë konsumatorë.

Bashkimi Europian dhe blloku ekonomik i Amerikës së Jugut, Merkosur, kanë arritur një marrëveshje tregtare pas 20 vjet negociata. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker deklaroi se është marrëveshja më e madhe që Unioni ka arritur ndonjëherë, në një kohë kur tensionet tregtare janë më të larta se kurrë.

Ndërsa presidenti i Brazilit, Hair Bolsonaro tha se marrëveshja është historike dhe një nga më të rëndësishmet e të gjithë kohërave. Në bllokun Merkosur bëjnë pjesë Argjentina, Brazili, Uruguaji dhe Paraguaji dhe sipas zotit Junker, marrëveshja do të jetë në dobi të konsumatorëve të të dy palëve nënshkruese.

Në të njëjtën linjë, sekretari argjentinas për marrëdhëniet ndërkombëtare, Horasio Rejser tha se marrëveshja do të krijojë një treg të mirë për produktet dhe shërbimet, që do të mbulojë mbi 800 milionë konsumatorë.

Ndërsa në një komunikatë, qeveria e Brazilit saktësoi se marrëveshja parashikon eliminimin e tarifave për produkte si lëngu i portokallit, kafenë dhe frutat. Ndërsa prodhuesit e produkteve të tjera si mishi, sheqeri dhe etanoli do të kenë një akses më të madh në tregun europian.

Vitin e kaluar, Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje për tregtinë e lirë me Japoninë, që mbulon rreth një të tretën e GDP-së së botës dhe 600 milionë konsumatorë./ABC News Albania 24/7

MISIONI-I-FMN-DEKLARATA-1280x720.jpg
Sej rie23:45 | 06/06/2019

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po vë në rrezik ekonominë globale. FMN ka akuzuar entet amerikane për shpërfillje të risqeve që i kanosen sistemit financiar global.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar të enjten se tensionet tregtare globale të shkaktuara nga rritja e tarifave nga Shtetet e Bashkuara do të dëmtojnë ekonominë globale. Sipas FMN, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të zgjidhin kontestin e tyre me Kinën, pasi përdorimi i tarifave për t’i bërë presion gjigandit aziatik po minon sistemin global të tregtisë. FMN ngriti gjithashtu shqetësimin se sistemi financiar amerikan po bëhet i cënueshëm në kushtet aktuale të tregut, duke nënvizuar se të ardhurat mesatare të korporatave kanë qenë historikisht të larta, ndërsa standardet e shërbimeve po vijnë drejt dobësimit. Fondi paralajmëroi se një ndryshim i papritur i këtij ambjenti komod për korporatat amerikane mund të përmbysë situatën dhe të krijojë një tkurrje të aktiviteteve, investimeve dhe krijimit të vendeve të punës. “Sistemi financiar duket i shëndetshëm por rreziqet afatmesme ndaj stabilitetit financiar po rriten”, deklaroi FMN. Fondi kritikoi entet rregullatore të Shteteve të Bashkuara se ofrojnë reagime të vakëta për t’i bërë kontrast këtyre rreziqeve dhe gatishmëri për të lehtësuar masat shtrënguese./ABC News Albania 24/7

perime-te-mykura.jpg
G. P.13:30 | 21/05/2019

Në tregjet e Lushnjes ka shumë pika, ku tregtohen fruta dhe perime të mykura. Ndërsa mjekët thonë se prej tyre rrezikohen konsumatorë, AKU në këtë qytet është inekzistente.

Fruta dhe perime të mykura shiten në tregjet e pakicës në Lushnje. Këto pika tregtimi, janë jashtë vëmendjes së Autoritetit Kombëtar Ushqimor. Këtë fakt e pohojnë vetë tregtarët. Sipas tyre të paktën prej pesë vitesh, AKU nuk ka qenë asnjëherë e pranishme në stendat e tyre.

“Ku kanë ardhur ndonjëherë këtu ata moj… Ne nuk i njohim fare. Ne po shesim si ato lopët në fushë, pa kushte pa gjë”, tha një prej tyre.

“Nuk ka ardhur njeri fare”, tha një tregtare.

“Asnjëherë nuk kemi parë njeri këtu, fare. Shikoje si është malli, me hormone, ça të duash i ke të gjitha këtu”, tha një tregtar.

“Asnjëherë, s’mbaj mend unë të vijnë kontrolli këtu”, tha një tregtare.

Domatet, bizelet apo qepët po shiten në vlerat minimale, 10 lekë për kilogramë. Shkak nuk është cilësia e dobët, por fillimi i prishjes së produktit. Kjo tregtare, një ditë më parë është furnizuar me mollë të kalbura të ardhura nga Korça.

I ka nxjerrë në treg me idenë se njerëzit nuk kanë lekë të blejnë, ndaj edhe pse janë me myk, ato shiten. Më të rrezikuar janë konsumatorët, të cilët janë të detyruar të blejnë produktet e mykura dhe të kalbura që u ofron tregu.

“S’jam e sigurt. Si të gjithë të tjerët… marrim, blejmë”, tha një qytetarë.

“Duhet të ketë kontrolle nga shteti, jo nga mua”, tha një tjetër.

“Ishte speci, gjysmë jeshile, gjysmë i verdhë… pulla-pulla. Ça tregon kjo pulla nuk e dimë”, tha një qytetare tjetër.

Frutat dhe perimet e mykura kanë toksina. Më e pakta është helmimi ushqimor që shkaktohet nga konsumimi i tyre. Në këto kushte, asnjë kilogram i këtyre produkteve nuk duhet të dalë në treg, por mungesa e kontrolleve, nga institucionet ligjore, po vë në rrezik jetën e konsumatorëve./ABC News Albania 24/7

trump-xi-janpin.jpg
nev ila10:28 | 14/05/2019

Vijon të përshkallëzohet beteja tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Uashingtoni ka gati planin e ri për shtimin e tarifave ndaj produkteve kineze, çka analistët e interpretojnë si presion të administratës Trump ndaj Pekinit për të arritur një marrëveshje.

Zyra e përfaqësuesit tregtar të Shtëpisë së Bardhë, publikoi planin që do të çojë në shtimin e tarifave deri në 25% ndaj të gjitha importeve nga Kina. Pas hyrjes në fuqi të tarifave prej 25 për qind mbi 200 miliard dollarë importesh kineze, zyra e përfaqësuesit tregtar deklaroi se presidenti amerikan Trump urdhëroi nisjen e procesit për shtimin e tarifave tek të gjitha produktet e tjera kineze për një vlerë prej 300 miliard dollarë.

Vendimi shënon një përshkallëzim të ri mes Washingtonit dhe Pekinit më kuadër të negociatave për marrëveshjen tregtare.

Administrate amerikane publikoi listën e 3.805 kategorive të produkteve që do të goditen nga tarifat e reja, duke përjashtuar vetëm produktet farmaceutike, disa produkte mjekësore dhe mineralet e rralla.

Pavarësisht tensioneve, negociatat vijojnë ende dhe presidenti amerikan Trump tregohet optimist për suksesin e tyre. Thelbësor do të jetë takimi me presidentin kinez Xi Jinping i parashikuar gjatë samitit të G 20-ës në Japoni./ABC News Albania 24/7

Bruseeles-1024x735.jpg
Sej rie20:30 | 01/05/2019

Gjashtë persona kanë përfunduar në pranga në kuadër të një operacioni të koduar “Transportuesi”.

 Sipas policisë në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve:

M.Sh., 47 vjeç, lindur dhe banues në Shkoder.
D.K., 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë,
K.Sh., 44 vjeçe, banuese në Durrës.
I.N, 56 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
D. M., 55 vjeç, banues në Tiranë.
M.N., 56 vjeçe, banuese në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës në aksin rrugor “Tuneli Elbasanit – Rrethrrotullimi Tegut” , me një sasi mallrash të dyshuara kontrabandë, si veshje dhe produkte të tjera në vlerë të konsiderueshme.

Theksojmë se të gjithë personat e arrestuar janë subjekte tregtare me NIPT dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale në funksion të këtij procedimi u sekuestruan mallra të ndryshme kontrabandë, si veshje të ndryshme për të gjitha moshat , parfume dhe barna mjekësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera’ në bashkëpunim” dhe ” Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprime doganore”./abcnews.al

trump-junker-1280x608.jpg
Sej rie00:15 | 16/04/2019

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë gati një plan të ri për rifillimin e bisedimeve tregtare. Këtë herë propozimet kryesore vijnë nga Brukseli që ka autorizuar Komisionin të menaxhojë procesin për llogari të vendeve anëtare.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar planin e ri të bisedimeve tregtare me Shtetet e Bashkuara, rreth një vit pasi presidentët Donald Trump dhe Zhan Klod Junker ranë dakord për të reduktuar barrierat. Vendimi i ministrave të BE-së i jep Komisionit Evropian autorizimin për të kryer bisedime formale. Por mes palëve ka mosmarrëveshje sa i takon përfshirjes së produkteve të fermerëve në dialog. Nëse bisedimet nisin, ato nuk do të jenë përpjekja e parë nga dy palët për të arritur një marrëveshje tregtare.

Gjatë presidencës së Barak Obama, Shtetet e Bashkuara dhe Unioni kishin një program negociatash të njohur si Partneriteti Ndër-atlantik i Tregtisë dhe Investimeve. Por programi ishte shumë kontradiktor për faktin se propozimet e palës amerikane u jepnin pushtet bizneseve që të sfidonin vendimet e qeverive. Për rrjedhojë, plani u anulua. Tani propozimet vijnë nga Brukseli dhe janë më pak gjithëpërfshirëse se programi paraardhës. Ministrat e vendeve anëtare i kanë dhënë Komisionit një mandat për të negociuar në dy drejtime.

Njëri është eliminimi i tarifave të importit për produktet industriale me bazë reciproke. I dyti synon të reduktojë barrierat rregullatore sidomos në aspektin e njohur si vlerësimet standarde, që është procedura sipas të cilës entet rregullatore sigurohen që mallrat të jenë në përputhje me rregullat e sigurisë para se të dalin në shitje./abcnews.al

sellers.jpg
G. P.23:41 | 28/01/2019

Tregtarët e shitjes me pakicë në Britaninë e Madhe i kanë bërrë thirrje klasës politike që ta marrë seriozisht procesin e Breksit, pasi një dalje pa marrëveshje nga BE-ja do të sillte pasoja të rënda për tregun vendas.

Një dalje nga BE pa marrëveshje vë në rrezik sigurinë ushqimore të Mbretërisë së Bashkuar dhe rrezikon të çojë në një rritje të çmimeve dhe në një zbrazje të tregut në një periudhë shumë të shkurtër. Paralajmërimi është dhënë nga tregtarët britanikë të shitjes me pakicë, të cilët vënë në dukje se mbajtja stok e ushqimit të freskët është e pamundur dhe se Britania është shumë e varur nga BE sa i takon disa produkteve. Paralajmërimi jepet në një letër të Shoqatës Britanike të Shitësve, që mban edhe firmat e kompanive më të njohura britanike të shitjes me pakicë.

“Do të ketë rreziqe serioze sa i takon cilësisë dhe mirëmbajtjes së ushqimit. Ne jemi shumë të shqetësuar se konsumatorët do të jenë ndër të parët që do të përjetojnë realitetin e hidhur të një daljeje pa marrëveshje”, thuhet në letër.

Mesazhi vjen para seancës parlamentare ku ligjvënësit do të diskutojnë disa amendamente të planit të kryeministres Theresa May, të cilat mund t’i japin një formë tjetër daljes nga Unioni Europian. Tregtarët e shitjeve me pakicë nuk ishin përfshirë më parë në debatin për Breksit, por vendosën të ndërhyjnë në një kohë kur data e daljes nga BE, 29 Marsi, po afron. Ata iu bëjnë thirrje ligjvënësve që të bashkëpunojnë, me qëllim që të gjejnë urgjentisht një zgjidhje që shmang tronditjen që do t’i shkaktonte tregut një dalje pa marrëveshje./abcnews.al

peshku.png
G. P.21:57 | 06/10/2018

Në Japoni ka mbyllur dyert tregu historik i peshkut në Tokio, që çdo vit tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota për shkak të variacionit të ushqimeve me bazë peshku. Kompleksi do të zhvendoset në kuadër të një plani të ri të Bashkisë së Tokios në shërbim të Lojrave Olimpike 2020.

Tregu i famshëm i peshkut në Tokio ka mbyllur dyert të shtunën, për t’u zhvendosur në një zonë tjetër të kryeqytetit japonez. Tregu më i madh i peshkut në botë, i hapur prej 83 vjetësh, do të zhvendoset në kuadër të një projekti zhvillimi të qeverisë për Lojërat Olimpike të vitit 2020.

Tregtarët kanë mbajtur të shtunën ankandin e fundit për shitjen e peshkut tuna, aq të përdorur në ushqimin vendas, i njohur si sushi. Ata do të lëvizin për shkak të amortizimit të kompleksit të vjetër dhe kompleksi i ri ku do të vendosen do të jetë më modern dhe vetëm 2 kilometra larg.

Largimi i tregut historik ka qenë i planifikuar prej vitesh nga pushteti vendor në Tokio, por zbatimi i planit ishte shtyrë për shkak të protestave të shumta, që zgjatën deri në ditët e fundit.

Rreth 500 lloje të ndryshme ushqimesh detare shiten në tregun e famshëm të kryeqytetit japonez i ngritur në rajonin Tsukizhi, në një distancë të afërt me rajonin Ginza, ku ndodhen restorantet më luksoze të Tokios, të cilët kanë kërkesat kryesore për produktet dhe ndër vite kanë vendosur marrëdhënie të ngushta me tregtarët.

Tregu u ndërtua 83 vjet më parë pas tërmetit të madh të 1923-shit me streha metalike të ndërthurura me njëra-tjetrën. Me kalimin e viteve ai u kthye në një atraksion turistik, por për autoritetet ambjenti në të kishte degraduar për shkak të mbipopullimit./abcnews.al

shkodra.png
G. P.16:29 | 06/10/2018

Në Shkodër, bashkia ka investuar rikonstruktimin e Merkatës së Rusit. Por tregtarët që prej gjashtë muajsh tregojnë në rrugë, duket se nuk i ka kënaqur ajo çfarë është bërë në tregun e fruta-perimeve në Shkodër.

Për pak ditë çdo gjë është gati. Tregtarët ambulantë do të rikthehen në ambientin e rikonstruktuar të Merkatës së Rusit. Ose siç njihet ndryshe tregu i fruta-perimeve në Shkodër. Por ky investim duket se nuk i ka kënaqur tregtarët. Ata thonë se banakët janë shumë të vegjël dhe e gjithë zona është e ekspozuar pasi nuk ka mbulesë.

“S’ka kushte aspak. Kabinat janë të vogla, të papërshtatshme, pa kushte brenda standardeve”, tha një shitës tjetër.

“Nuk është për ne, nuk i ka kushtet tamam”, u shpreh një tjetër.

“Ka bërë pothuajse një kaçorre pëllumbash. S’ka bërë banaqe. Dy arka domate s’kemi ku i vendosim, njëkohë që banaku ka qenë superbanak”, tha një tjetër shitës.

Në tregun e lagjes Rus në Shkodër, Bashkia ka rreth 6 muaj që ka nisur rikonstruksionin me një fond prej 30 milionë lekësh, ku janë përfshirë edhe sistemimi i kanalizimeve si dhe vendosja e banakëve.

“Në rrugë kemi qenë gjithë kohës, por tani kemi dalë midis rrugës. Kushtet janë pothuajse hiç të rregullta për ne”, u shppreh shitësi.

Në këtë treg kanë qenë rreth 60 tregtarë që zhvillonin aktivitetin e tyre. Kurse tani këtu janë vendosur 116 banakë. Prej 6 muajsh, ata shisnin produktet në mes të rrugës, që nga peshku e deri te fruta-perimet./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono