trajner

gentian-mezani.jpg
G. P.20:55 | 05/06/2018

E ardhmja e trajnerit Gentian Mezani është mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ish-tekniku i Laçit flet për ofertat dhe vlerëson sezonin që kaloi në stolin e kurbinasve.

Padyshim njëri nga trajnerët më të mirë të sezonit.

Gentian Mezani i dha fund një viti sportiv vërtet të shkëlqyer me Laçin, duke e ndihmuar të kualifikohej për në Ligën e Europës, duke zënë vendin e katërt në kampionat e duke dalë në finale të Kupës, veçse menjëherë u largua.

Tekniku vlonjat natyrisht nuk pritet ta ketë shumë të vështirë të gjejë punë të re, ndërsa pyetet nga ABC News se ku mund të shkojë.

Gentian Mezani: “Është shumë shpejt të them se kam pasur oferta. Një ofertë kam pasur nga një klub në Kosovë, që mirë është mos ta them përderisa nuk kam vendosur absolutisht asgjë. Shpresoj në të ardhmen padyshim, por për momentin po shijoj këto ditë pushimi”.

Kë do të preferonte Mezani, Superligën e Shqipërisë apo atë të Kosovës?

Gentian Mezani: “Padiskutim që Superligën shqiptare pasi vitet e fundit është rritur shumë. Ka një nivel të kënaqshëm mendoj. Pothuajse që të gjitha skuadrat e Superligës kanë një nivel të kënaqshëm profesional. Nuk e njoh kampionatin kosovar kështu që është e kotë të flas për të”.

Si do ta vlerësonte ai edicionin në stolin kurbinas?

Gentian Mezani: “Kemi bërë një sezon të mirë. Jam i kënaqur se objektivi erdhi nga kampionati dhe jo nga Kupa”./abcnews.al

TRAJNERI-I-LACIT-1280x720.jpg
G. P.17:43 | 01/06/2018

Gentian Mezani nuk është më trajner i Laçit. Vlonjati deklaroi dorëheqjen nga skuadra kurbinase nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale dhe theksoi se u mori vendimin për arsye personale. Mezani arriti finalen e Kupës së Shqipërisë me Laçin, duke u mundur 0-1 nga Skënderbeu, ndërsa Superligën e përfundoi në vendin e katërt.

Mezani largohet edhe pse ekipi kurbinas u kualifikua për në Ligën e Europës, ku do të marrë pjesë gjatë verës. Tekniku 42-vjeçar cilësohet si një nga më të mirët të futbollit shqiptar, madje u shpall trajneri më i mirë sezonin e kaluar. Nuk dihet se ku do të jetë edicionin e ardhshëm, ndërsa pak mendohet se mund të ulet sërish në stolin e Flamurtarit.

Mezani ishte një nga dy trajnerët e vetëm të Superligës që nuk ishin shkarkuar apo dorëhequr gjatë sezonit, së bashku me Ilir Dajën e Skënderbeut, por tashmë edhe Laçi do të duhet të kërkojë një pasardhës për të./abcnews.al

mancini-2.jpg
G. P.12:59 | 16/05/2018

Roberto Mancini ka ambicie të mëdha, ndërsa pritet të nisë detyrën si trajner i Italisë. Ai foli për objektivat e tij me të kaltrit, ndërsa kërkon maksimumin nga futbollistët.

Ka qenë i rëndësishëm që kur mbante veshur këtë fanelë.

Roberto Mancini ka qenë një nga yjet e Italisë kur luante në fushën e lojës, në Europianë e Botërorë, ndërsa tani do të jetë ylli i stolit.

Ish-sulmuesi i madh, sot trajner i dëgjuar i futbollit, flet se cili është synimi i tij, në punën më të rëndësishme të karrierës së tij.

Roberto Mancini: “Dua të jem një trajner për mirë dhe shpresoj ta kthej Italinë aty ku e meriton, pra në majë të Botës dhe të Europës. Prej vitesh nuk e fitojmë Europianin, ndaj do të kemi një provë të fortë, që do të nisë me Ligën e Kombeve. Dua që të jem unë njeriu që ta rindërtojë kombëtaren dhe ta ngjisë përsëri në nivele të larta. Dua që lojtarët që do të thërras, të kuptojnë se mund të realizojnë ëndrrat e tyre, pra të dalin kampionë të botës me Italinë. Ëndrrat janë shumë të rëndësishme për të dhënë maksimumin për kombëtaren”.

Mancini e vlerësoi ftesën e Federatës Italiane si diçka që nuk mund të refuzohej, dhe jo vetëm sepse e quajti krenari që të drejtonte ekipin përfaqësues.

Ndërsa udhëtonte drejt selisë së Federatës në Romë, ai bëri llogaritë e tij.

Roberto Mancini: “Kam shumë vite që stërvis skuadra dhe mendoj se ky ishte momenti i duhur, sepse gjykoj se secili prej nesh duhet të mendojë që të bëjë diçka të mirë për kombëtaren. Fakti që nuk shkuam në Botëror është diçka e rëndë për ne, që kemi qenë gjithnjë tifozë të kombëtares sonë, prandaj mendova se ky moment i vështirë ishte çasti i duhur për çdo trajner që dëshiron të bëhet selektor i kombëtares”.

Mançini ka firmosur kontratë deri në vitin 2020, në përfundim të Europianit, ndërsa mund ta rinovojë në rast suksesi./abcnews.al

mancini-1.jpg
G. P.12:14 | 15/05/2018

Roberto Mançini është trajneri i ri i Italisë. Ish-trajneri i Interit dhe Manchester City-t cilësohet si shpresa e fundit e të kaltërve për t’u kthyer në lavdinë e dikurshme.

I përzgjedhuri zbriti më në fund nga qielli.

Roberto Mançini vuri këmbë në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, në rrugën e tij drejt selisë së Federatës Italiane të Futbollit.

Do të jetë ai trajneri i ri i Italisë, personaliteti i vetëm që i plotësonte kushtet pas refuzimeve të Ançelotit apo Kontes.

I sulmuar nga mediat nga të katër anët, ndërsa nxitonte drejt makinës, Mançini nuk pati dëshirë të fliste, në përpjekje për të lënë gjithçka për në konferencën e prezantimit.

“Jam i lumtur dhe krenar për këtë detyrë, – u mjaftua të thoshte ai, – pas këmbënguljes së gazetarëve, nuk dua të flas para kohe për të ardhmen, të shohim se çdo të ndodhë”.

Më pas, erdhi firma në kontratë, që besohet të jetë e vlefshme për një cikël eleminator, atë të Europianit, dhe prezantimi me fanelën e shpalosur të Italisë, në krah të komisarit të jashtëzakonshëm Fabriçini, dhe të Alesandro Kostakurtës.

Pesëdhjetetrevjeçari cilësohet si shpresa e fundit e të kaltërve për t’u kthyer sërish në nivelet e dikurshme, pas dështimit për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës në Rusi.

Karriera e Manços nuk ka të sharë, pasi fitoi tre tituj me Interin, disa Kupa të Italisë po me Interin, me Fiorentinën apo Lazion, si dhe Superkupën e Italisë.

Në Angli, u bë kampion me Manchester City-n, të njëjtën skuadër me të cilën fitoi Kupën dhe Superkupën e Anglisë, ndërsa në Turqi fitoi Kupën me Gallatasarajin.

Këtë sezon ai ishte në stolin e Zenitit të Shën Peterburgut në Rusi, detyrë të cilën e la në mirëkuptim me klubin, për të marrë drejtimin e kombëtares së vendit të tij.

Italia pësoi një katastrofë të vërtetë nën drejtimin e Giampiero Venturës, duke u mundur nga Suedia në play off-in e Botërorit.

Më pas, të kaltrit u drejtuan në disa miqësore nga Luigi Di Biago, në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare.

Ndeshja e parë e Mançinit si trajner i Italisë do të jetë në 28 Maj ndaj Arabisë Saudite në Zvicër, pastaj në Nicë ndaj Francës në 1 Qershor, dhe në 4 Qershor në Torino ndaj Holandës.

Synimi është që gjithçka të jetë gati që italianët të kualifikohen për në Europian, në një grup ku ndodhen Portugalia e Polonia./abcnews.al

mancini.jpg
G. P.11:45 | 01/05/2018

Kombëtarja Italiane ka një trajner të ri. Roberto Mançini do të drejtojë ekipin që në ndeshjen e parë miqësore, në 28 Maj kundër Arabisë Saudite. Mediat italiane shkruajnë se ai dhe stafi i tij do të paguhen 5 milionë euro.

Do të jetë Roberto Mancini trajneri i ri i kombëtares italiane të futbollit. Aktualisht në drejtim të Zenit, Mançini u takua mbrëmjen e së hënës në Romë me drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit, me të cilët arriti de marrëveshjen. Njoftimi zyrtar do të bëhet pas largimit nga drejtimi i ekipit rust ë futbollit me të cilin ka dhe dy vjet kontratë. Në 13 Maj do të jetë dhe dita e fundit e tij në Rusi. Debutimi si trajner i kombëtares italiane do të jetë në 28 Maj në ndeshjen miqësore kundër Arabisë Saudite.

Pra Mançini do të drejtorë Italinë në Ligën e Kombeve, Champions League e Kombëtareve, që do të nisë në 6 Shtator. Italianët janë në grup me Portugalinë e Cristiano Ronaldo dhe Poloninë e Levandovskit, në kualifikimet për Kampionit Europian të 2020-s dhe në prag të ndeshjeve për kualifikimin në Botërorin e Katarit në 2022-shin.

Mançini ka pranuar marrëveshjen dhe para përfundimit të kampiontit rus në 13 Maj, ai do të jetë sërish në Romë për të vendosur dhe termat ekonomikë, ku flitet se ai ddhe stafi i tij do të paguhen 5 milionë euro, plus bonuset për cdo objektiv të arritur. Miqësoret e tjera pas Arabisë Saudite do të jenë me Francën dhe Holandën në 1 dhe 4 Qershor. Ndërsa takimi i parë zyrtar është ai kundër Polonisë në 7 Shtator në kuadër të Ligës së Kombeve./abcnews.al

kamza.jpg
G. P.19:34 | 10/04/2018

Ramadan Ndreu është shkarkuar nga detyra e trainerit të Kamzës. Vendimi është marrë sot pas takimit të tij me presidentin e skuadrës dhe kryetarin e bashkisë së qytetit.

8 javë para përfundimit të kampionatit, Kamza vendosi të largojë trajnerin Ramadan Ndreu. Pas një takimi në mesditë të teknikut me Presidentin e ekipit, Naim Qarri dhe kryetarin e Bashkisë Xhelal Mziu u vendos shkëputja e marrëdhënieve mes palëve.

Mësohet se Ramadan Ndreu kishte disa javë që po mendonte largimin për t’i lënë mundësi skuadrës që të afronte një tjetër trajner në shpresën që situata të ndryshonte. Këtë të martë, Ndreu është parë bashkë me Qarrin në ambientet e stërvitjes. Lajmi u është komunikuar futbollistëve.

Ndreu ka falenderuar lojtarët pasi për trajnerin, ata kanë dhënë maksimumin e tyre duke rivalizuar me skuadrat më të mira të superligës. Në dy fazat e para të kampionatit Kamza ishte skuadra surprizë, por mungesat e lojtarëve dhe kalendari jo i favorshëm sollën rënie në tabelën e renditjes. Në 9 ndeshjet e fazës së tretë, Kamza mori 2 barazime, dy fitore dhe 5 humbje. Aktualisht gjendet në vendin e 7 me 34 pikë./abcnews.al

migen-memelli.jpg
G. P.12:13 | 22/03/2018

Një ngjarje e rëndë trondit futbollin shqiptar. Sulmohet dhe kërcënohet me thikë trajneri i Tiranës U17, Migen Memelli. Agresori ishte prindi i njërit prej lojtarëve të skuadrës, ndërsa u ndalua nga policia.

Një ngjarje e rëndë tronditi “Skënder Halilin”.

Në kompleksin e Klubit të Futbollit të Tiranës, në prani të dhjetëra lojtarëve e prindërve, u godit trajneri i ekipit U17, Migen Memelli.

Ishte një prind, i identifikuar si Abdyl Çejku, i cili u përplas me trajnerin, duke pretenduar se ndaj djalit të tij ishte bërë padrejtësi.

Vetë Memelli u shpreh se u godit me grusht, dhe se prindi nxorri edhe një biçak duke e kërcënuar, e po ashtu ai bëri kallëzim penal pranë policisë.

Tirana U17 po luante një miqësore me Tiranën B, dhe Memelli e nxorri nga loja futbollistin me mbiemër Çejku, duke bërë një zëvendësim.

Vetë trajneri sqaroi më pas se futbollisti i ri, një mesfushor sulmues, ishte trajtuar gjithnjë mirë dhe madje kishte qenë kapiten i ekipit, pra ai nuk i kishte bërë asnjë padrejtësi.

Klubi i Tiranës nxorri një deklaratë zyrtare për shtyp, duke i dalë në krah trajnerit, duke dënuar ashpër agresionin, dhe duke premtuar se do të marrë masa për të mbajtur larg prindërit që cënojnë integritetin e trajnerëve dhe që, njëkohësisht, dëmtojnë fëmijët e tyre.

Policia, ndërkaq, veproi dhe bëri ndalimin e dhunuesit, ndaj të cilit ka një kallëzim nga ana e Memellit, ndërsa pritet të marrë dënimin sipas ligjit.

Burime në klub bëjnë me dijë se Memelli vlerësohet shumë pozitivisht, qoftë si trajner, qoftë në aspektin njerëzor, ndërsa skuadra U17 ka pasur rezultate mjaft të mira nën drejtimin e tij.

Interesant është një diskutim në rrjetet sociale, mes Memellit dhe njërit prej tifozëve të njohur të ekipit, Alban Berishës.

Aty, trajneri vlerësohej që nuk pranonte ndërhyrje, por aktivizonte ata që e meritonin, ndërsa Memelli përgjigjej se miqtë dhe shokët janë të respektuar, por nuk duhet të ndërhyjnë tek puna.

Sulmi ndaj trajnerit kryeqytetas është i dyti që ndodh në futboll në vetëm pak ditë, pasi më parë u sulmua dhe u kërcënua trajneri i ekipit të parë të Vllaznisë, Ernest Gjoka, besohet për të njëjtat motive./abcnews.al

vlcsnap-error690-1280x720.jpg
ent ela16:21 | 02/03/2018

Bernar Shalond është trajneri i ri i ekipit të futbollit të Kosovë. Gjatë konferencës për shtyp ai u tregoi gazetarëve se shpresën më të madhe për formimin e një skuadre të mirë janë lojtarët kosovarë që luajnë jashtë vendit. “Nuk jam Mourinho as Guradiola, por dua të bëjë diçka më shumë për ta dhe të çoj Kosovën përpara”- tha Shalond gjate prezantimit.

Trajneri i ri i kombëtares së futbollit të Kosovës është Bernard Challandes. Ish-trajneri i kombëtares armene, i cili u dorëhoq pas humbjes me kombëtaren shqiptare në eliminatoret e Euro 2016, premtoi para gazetarëve dhe presidentit të Federatës Kosovare të Futbollit se do të çonte Kosovën përpara.

Challandes, 66-vjeç, u shpreh se Kosova ka shumë lojtarë të mirë që luajnë jashtë vendit, dhe janë pikërisht ata, burimi kryesor për krijimin e një ekipi të mirë.

“Kemi shumë lojtarë të mirë jashtë. Do të formojmë një ekip shumë të mirë dhe është detyra e trajnerit ta bëjë këtë. Në qoftë se vazhdojmë kështu kemi shanse të fitojmë dhe kualifikohemi”

Ai tha se po ndjek të gjitha ekipet kombëtare të Kosovës, U-17, U-19 dhe U-21, duke shtuar se i njeh futbollistët kosovarë dhe mentalitetin e tyre, prandaj, edhe ka zgjedhur Kosovën.

“Po ndjek të gjithë brezat U-17 U-19 dhe U-21. I njoh futbollistët e Kosovës dhe e njoh mentalitetin e tyre. Kam punuar shumë me lojtarë shqiptarë në Zvicër, si për shembull Valon Behrami, dhe e njoh mentalitetin e tyre, të cilët e duan gjithmonë fitoren. Prandaj e kam pranuar ftesën për të drejtuar kombëtaren e Kosovës. Nuk jam Mourinho as Guradiola por dua të bëjë diçka më shumë për ta dhe të çoj Kosovën përpara”.

vlcsnap-error922-1280x720.jpg
G. P.22:24 | 26/01/2018

Zhoze Murinjo shpreson të arrijë suksese të mëdha me Mançester Junajtidin. Trajneri portugez ndihet i privilegjuar që rinovoi kontratën me klubin anglez.

Dëshiron më shumë trofe si ky.

Mançester Junajtidi është skuadra e sotme e Zhoze Murinjos dhe me shumë gjasa do të mbetet e tillë deri në vitin 2020.

Trajneri portugez nënshkroi kontratën e tij të re me klubin e famshëm anglez, i bindur se do të arrijë të jetë aty po aq i suksesshëm sa tek Porto, Çelsi, Interi apo Reali i Madridit.

Kontrata e re mund ta mbajë atë në “Old Traford” deri në 2021-shin, pasi ka një mundësi rinovimi me një sezon tjetër.

“Ndihem i lumtur dhe krenar që jam trajner i kësaj skuadre, – u shpreh ai, – jam i privilegjuar që punoj me këtë grup lojtarësh dhe që drejtuesit e klubit menduan se unë jam trajneri i duhur për ta. Ne po hedhim bazat për një të ardhme të shkëlqyer dhe fituese”.

Edhe klubi anglez pati po këtë reagim, duke deklaruar në Tuiter se “jemi të lumtur që lajmërojmë se Murinjo ka firmosur zgjatjen e kontratës”.

Murinjo ende nuk ka arritur maksimumin me “djajtë e kuq”, edhe pse sezoni i parë solli tre suksese.

Ai fitoi Superkupën e Anglisë, Kupën e Ligës angleze dhe Ligën e Europës, por gjithsesi, ëndrra e madhe mbetet Premier Liga dhe padyshim Championsi.

Do të jetë e vështirë që të fitohet titulli në Angli, me Mançester Sitin shumë të shkëputur, por në Europë edhe mund të triumfohet./abcnews.al

vlcsnap-error696-1280x719.jpg
G. P.22:39 | 12/01/2018

Kriza e Real Madrid duket se do të prekë trajnerin Zidane. Mediat spanjolle shkruajnë për një zëvendësim të mundshëm të tij, 2 vjet pasi mori drejtimin dhe fitoi çdo trofe.
Në dy vite si trajner i Realit, Zinedine Zidane fitoi thuajse gjithçka, por tashmë duket se epoka e tij në drejtimin e Los Blancos duket se ka ardhur në fund.

Real po dështon jo vetëm në rezultate por edhe në lojë, gjë që është e papranueshme jo vetëm nga tifozët por edhe e pajustifikueshme për drejtuesit e klubit.
Nën shënjestrën e shigjetimit është pikërisht trajneri sepse dihet se kur gjerat nuk shkojnë sipas parashikimeve, përgjegjësia bie mbi të.

Ka zëra se presidenti Perez është duke vlerësuar zëvendësimin e tij, saktësisht 2 vjet pasi e promovoi në postin e trajnerit. Në momente kritike duhet të ruhet qetësia, ka thënë ish-kapiteni Fernando Hierro, por nëse Zidane nuk shkarkohet këto ditë, atij i duhet ofruar një zgjatje e kontratës, që aktualisht është e vlefshme deri në fund të këtij sezoni.

Me të marrë vesh lajmin, në media u raportua një lëvizje e Juventusit në drejtim të francezit. Zizou është një nga lojtarët që ka lënë gjurmë në klubin torinez dhe rikthimi si trajner do të ishte arsye motivimi për lojtarët dhe drejtuesit e bardhezinjve./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono