trajner

ardian-mema.png
G. P.19:17 | 15/10/2018

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, ka folur për herë të parë për mediat. Ai u shpreh i shqetësuar për gjendjen e ekipit, por premtoi për të reaguar që në ndeshjen ndaj Flamurtarit në Superligë.

Gjendjen e vërtetë nuk mund ta njihte nga Vlora.

Ardian Mema, trajneri i ri i Tiranës, e mori informacionin nga dora e parë, nga lojtarët dhe stafi, me të marrë detyrën fundjavën e kaluar, dhe nuk mund të thuash se dëgjoi fjalë që ta ngrohnin.

Pas vetëm pak ditësh punë, ai bëri një prezantim para mediave, duke folur edhe për gjendjen e ekipit.

“Tirana klub i madh, unë kam dalë prej tij, por erdha me skepticizëm për situatën. Kalendari është i vështirë, por sëbashku do ta kalojmë”, tregoi ai.

Mema ka shqetësim edhe për kalendarin e ndeshjeve në Superligë, që në fillim të punës së tij.

“M’u deshën vetëm 10 minuta për të kuptuar anën psikologjike të lojtarëve. Duhet të punojmë. Kam folur gjatë me lojtarët, kam kuptuar problemet, por nuk i kaloj dot i vetëm. Të gjithë sëbashku mund t’i kalojmë”, tha Mema./abcnews.al

shqiperia.png
G. P.17:52 | 12/10/2018

Një trajner shqiptar mund të ulet në stolin e kombëtares. Presidenti Duka mësohet se ka biseduar me emra të njohur të Superligës, në rast dështimi të Kristian Panuçit.

Pas 16 vitesh mund të ndodhë ndryshimi i madh. Një trajner shqiptar mund të kthehet në stolin e kombëtares.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se presidenti Armand Duka ka kontaktuar me disa emra të njohur, që kanë punuar me vite në Superligë, ndërsa po mendon një alternativë për Kristian Panuçin.

Nuk ka siguri për emra konkretë, por besohet se njëri prej trajnerëve të kontaktuar është Ilir Daja.

Tekniku i sotëm i Flamurtarit ka dalë tri herë kampion i Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun, ndërsa ka edhe përvojë ndërkombëtare, pasi është kualifikuar me Skënderbeun në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Ndërkohë, në një prononcim zyrtar për ABC News, Duka ka përgënjeshtruar zërat se po kërkon një zëvendësues të Panuçit. Por pavarësisht kësaj, ai gjykon se duhet të jetë i përgatitur për çdo rast.

Nëse italiani do të vazhdojë me rezultatet negative, presidentit nuk do t’i mbetet rrugë tjetër përveçse ta shkarkojë, ndonëse nuk pritet që kjo të ndodhë pas sfidës ndaj Izraelit këtë të diel në Ligën e Kombeve.

Me shumë gjasë, numri 1 i Federatës do të presë deri në nëntor, në përfundim të ndeshjeve të këtij kompeticioni.

Që nga viti 2002, me zgjedhjen e Dukës si president, kombëtarja ka pasur vazhdimisht trajnerë të huaj, ku më i suksesshmi doli Xhani De Biazi, me të cilin Shqipëria u kualifikua për në finalet e Euro 2016-ës.

Trajneri i fundit shqiptar në stolin kuqezi ishte Sulejman Demollari, ndërsa përpara tij ishin edhe i ndjeri Medin Zhega apo Astrit Hafizi./abcnews.al

ze-maria.png
G. P.18:42 | 11/10/2018

Ze Maria nuk është më trajner i Tiranës. Braziliani ka rënë dakord me presidentin Halili për t’u larguar përfundimisht, ndërsa si pasardhës mund të jenë Ardian Mema, Ilir Daja ose Besnik Prenga.

Pritej të ndodhte, por jo tani. Ze Maria tashmë nuk quhet më trajner i Tiranës, ndërsa klubi pritet të lajmëroi pasardhësin e tij në konferencën për shtyp, këtë të premte në mesditë.
Braziliani mbërriti me 15 minuta vonesë në stërvitjen e kryeqytetasve në kompleksin “Skënder Halili” dhe pastaj vendosi të mos dilte për të drejtuar ekipin.
Këtë gjë e bëri vetëm trajneri i portierëve, Emanuel Egbo.

Ky është kulmimi i një situate që u përkeqësua vazhdimisht, dhe që ishte e keqe që pas javës së parë të kampionatit, ndërsa si pasardhës të tij përfliten Ardian Mema Ilir Daja, ose Besnik Prenga.
Ze Maria dhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, kanë biseduar për mënyrën e prishjes së kontratës, pasi trajneri nuk ka dhënë dorëheqje, ndërsa palët duan të arrijnë një kompromis.
Lajmi më i bujshëm, pas largimit të brazilianit, është ai që si pasardhës i tij mund të jetë trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja.

Nuk ka konfirmim nga palët, por këtë e bëjnë të ditur për ABC News-in, burime shumë pranë presidentit Halili. Besohet se drejtuesit e Flamurtarit nuk janë të kënaqur me Dajën, por burimet e mësipërme pohojnë se Halili i ka një borxh trajnerit kryeqytetas, dhe se mund t’ia shlyejë pikërisht tani. Tirana ndodhet në vendet e fundit të renditjes me vetëm 8 pikë në 8 javë kampionat./abcnews.al

agim-canaj.png
G. P.13:30 | 09/10/2018

Partizani dhe Skënderbeu do të jenë rivalët kryesorë për titull në Superligë. Kështu gjykon trajneri me përvojë, Agim Canaj, i cili gjithashtu komentoi gjendjen e kombëtares, nën drejtimin e Panuçit.

Ka përfunduar thuajse një fazë dhe diçka është qartësuar. Partizani duket për shumëkënd si kandidati numër 1 për titull këtë sezon të Superligës, dhe nuk bën përjashtim as njëri nga trajnerët me më shumë përvojë, Agim Canaj. Njeriu që drejtoi në 14 skuadra, mes të cilave Dinamo, Vllaznia, Flamurtari apo Kukësi, e vlerësoi kështu skuadrën e Gegës pas fitores me Kukësin.

“Partizani ishte më dominant në mesin e fushës ndërmjet gabimeve të Kukësit arriti që ta kapte në 3-4 raste me kundërsulm. Nuk kanë hyrë me bujë, që ne jemi Pratizani dhe do fitojmë të gjitha. Kanë përshtatur shumë mirë psikologjinë e një sistem loje, i cili i vjen për shtat grupit. Me të drejtë, Partizani ka shprehur një futboll cilësor, të thjeshtë dhe rezultativ”, tha Canaj.

Kukësi humbi dhe duket se po mbetet prapa.

“Kukësi ka diçka ndryshe nga vitet e tjera. Rexhinaldo nuk pati hapësira dhe u tërhoq shumë. Unë i jap të drejtë trajnerit që foli pas ndeshjes për largësinë e lojtarit kryesor”, u shpreh Canaj.

Canaj, gjithsesi, mendon se Partizani do ta ketë një rival kryesor, Skënderbeun.

“Unë e kam vlerësuar gjithmonë klubin e Skënderbeut, sepse është një nga klubet më të mirëmenaxhuara në këto vitet e fundit”, theksoi ai.

Nuk mund të mos flitet për rekordmenen e titujve, Tiranën.

“Mosnjohja e Superiores nga trajneri, stafi teknik, duke pasur shumë lojtarë me ngjyrë të ardhur nga menaxherë të ndryshëm, prishi ekuilibrat. Trajnerit i ka dalë çdo gjë nga dora”, tha Canaj.

Kombëtarja luan me Jordaninë në mesjavë dhe pastaj ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Canaj e sheh Panuçin shumë nervoz, duke akuzuar lojtarë dhe njerëz të jashtëm.

“Ai e ndërtoi grupin dhe ai duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Nga ajo që unë nuhas si trajner shoh puna në skuadër ka qenë problematike në marrëdhëniet me lojtarët, ambientindhe pastaj vijnë gjithë këto situata negative. Panuçi do ta ketë të vështirë për të marrë rezultat”, nënvizoi ai./abcnews.al

ze-maria.png
G. P.17:25 | 02/10/2018

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka sqaruar bisedimet që pati me presidentin Halili dhe futbollistët. Braziliani pohoi se edhe ai vetë ka bërë gabime.

E keqja kaloi dhe thuhet se u lidh një besë. Sesa e fortë, këtë do ta shohim në vijim, por për momentin Ze Maria mund të vazhdojë punën normalisht si trajner i Tiranës.

Tekniku 45-vjeçar sqaroi për mediat se çfarë bisedash pati me numrit 1 të klubit dhe me pjesëtarët e skuadrës. Dy orë kokë më kokë me Halilin, dhe dy orë e gjysmë sy në sy me ekipin, do të thonë se gjendja ishte tepër serioze.

Ze Maria pranoi problemet me lojtarët dhe faktin se ai disa herë e ka shkelur, duke u sjellë me arrogancë, ndonëse u shpreh në mënyrë tjetër. A mund të quhet ky një hap prapa i tij për të mbajtur detyrën?

Braziliani e hodhi poshtë këtë version, duke thënë se në verë refuzoi oferta më të mëdha sesa 5 000 euro në muaj që merr tek Tirana. Tek Tirana puna vazhdon, por akordi siç tha trajneri, vlen thjesht për momentin.

Në radhë është ndeshja e mesjavës në Superligë, këtë të mërkurë në fushën e Kastriotit, dhe një tjetër gabim mund të ishte fatal.

Në klub janë përmendur edhe alternativat e mundshme, si Ardian Mema, ndihmës i Ilir Dajës tek Flamurtari, Julian Ahmataj trajner i Kamzës, por edhe Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit./abcnews.al

mezani.jpg
G. P.22:48 | 21/09/2018

Gentian Mezani është trajneri i ri i Luftëtarit. Vlonjati bëhet i treti teknik i gjirokastritëve në pak muaj, ndërsa synon t’i largojë nga fundi i Superligës.

Ky lloj futbolli nuk u kuptua përse nuk bindi.

Luftëtari largoi në fund të sezonit të kaluar, trajnerin Hasan Lika, pavarësisht nga kualifikimi për herë të parë në histori në Europë, por për pak muaj detyrohet ta nisë gjithçka nga e para.

Slloveni Kostiç, i sjellë me bujë për Luftëtarin europian, u largua me 4 humbje radhazi në Superligë, e me dyshime të mëdha në sfidën kontinentale, për t’i bërë vend, teknikut të tretë që nga pranvera.

“Kemi zgjedhur një trajner nga më ekspertët të Superligës shqiptare, Gentian Mezani, i cili me mbështetjen time totale dhe me mbështetjen e të gjithë stafit  drejtues jam i bindur që Luftëtari do ecë dhe do arrijë gjithçka që kishim në dorë që në fillim të kampionatit”,  tha Tavo.

Do të jetë pra, vlonjati Gentian Mezani, që do të drejtojë gjirokastritët.

Një ekip me jo pak vlera, me një trajner vërtet simpatik, që arriti vjet finalen e Kupës së Shqipërisë me Laçin.

Mezani do të duhet të punojë shpejt për ndeshjen e kësaj të shtune ndaj Teutës.

“Ka qenë një dëshirë e imja që vitin që shkoi. Ju e dini mirë. Këtë vit u konkretizua. Më kanë folur shumë mirë për ambientin, për njerëzit këtu. Më pëlqeu në katër ndeshjet kam parë një skuadër me lojtarë të rinj”, tha Mezani.

Nuk dihet sesa do të jetë në gjendje Mezani të arrijë kthesën me një ekip pa rezultate dhe të tronditur rëndë, ndërsa mbetet dyshimi se përse duheshin kaq shumë lëvizje në stolin e Luftëtarit.

Specialisti Hysen Dedja u shpreh kështu pak ditë më parë për Abc News.

“Këto janë enigma shumë të mëdha që e kanë kap futbollin shqiptar. Pupulli e di mirë. Njerëzit e ndershëm e dinë mirë se si ka ardhur vetëm Tavo dhe ai e dinë se si rri ai”, tha Dedja./abcnews.al

aksident123.jpeg
G. P.18:41 | 09/09/2018

Një aksident tragjik i mori jetën trajnerit të skuadrës italiane të Siracusa-s.

Davide Artale, 27 vjeç po udhëtonte së bashku me portierin e ekipit 20-vjeçarin Maurice Gomis në momentin e ngjarjes.

Ky i fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe ka pësuar një plagosje të lehtë në qafë dhe kokë. Ai ka luajtur me akademinë e Torinos dhe është më i vogli i tre vëllezërve, gjithashtu portierë.

Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së dielës disa kilometra larg qytetit të Siracusa-s. Ndërkohë stafi drejtues i skuadrës italiane ka shprehur ngushëllime familjes së Artale-s.

“Jam i habitur. Davide ishte me ne që prej Janarit dhe menjëherë bëri një punë të mirë. Mendimet e mia i shkojnë familjes së tij”, ka thënë presidenti i skuadrës./abcnews.al

MERGJYSHI-TRAJNER-I-LACIT-ABC-M-1-T1-HD.mpg_snapshot_00.09-1280x702.jpg
ent ela16:51 | 07/08/2018

Laçi nuk qëndroi shumë kohë pa trajner. Pas largimit të Besnik Prengës, kurbinasit afruan një teknik të njohur nga kryeqyteti.

Kjo skuadër e gjeti drejtuesin e saj të ri.

Laçi emëroi në stol Artan Mergjyshin, i cili pritet të drejtojë kurbinasit gjatë sezonit të ri.

Ishte vetë Mergjyshi që e pohoi detyrën e tij për abc neës, në një komunikim telefonik, ndërsa do të zëvendësojë Besnik Prengën, trajnerin e ardhur nga Kroacia, dhe që e drejtoi Laçin në dy ture të Ligës së Europës, ndaj Anorthosisit të Famagustës dhe Moldes së Norvegjisë.

Mergjyshi, 50-vjeçar, ka qenë futbollist i disa skuadrave përpara sesa të niste karrierën në stol si ndihmës trajner tek Dinamo.

Më pas, ai u bë disa herë trajner i parë i Dinamos, si dhe punoi tek Kastrioti i Krujës, Besa e Kavajës, Apolonia e Fierit dhe Korabi i Peshkopisë.

Trajneri tiranas nuk ka kohë për të humbur dhe do të nisë menjëherë punën me kurbinasit, pasi fundjavën që vjen nis sezoni i ri i Superligës, ndërsa Laçi do të luajë edhe finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, si finalist i Kupës, edicionin e kaluar. /abcnews.al

GUARDIOLA-ME-25-TROFE-1280x720.jpg
ent ela13:53 | 06/08/2018

Pep Guardiola vazhdoi sukseset e tij në karrierën e madhe si trajner. Fitorja e Superkupës së Anglisë, ishte trofeu i 25-të për teknikun katalanas.

Një tjetër fitore dhe një tjetër trofe. Pep Guardiola ishte sërish fitues me Mançester Sitin e tij që mposhti 2-0 Çelsin në finalen e Superkupës së Anglisë, të quajtur ndryshe “Çeriti Shild”.

Suksesi 2-0 në “Uembli”, me golat shënuar nga Kun Aguero, i dhuroi trajnerit 47-vjeçar, suksesin e radhës, titullin e 25-ët në karrierën e tij të lavdishme. E gjitha kjo në vetëm 11 vjet në stol.

Përballë kampionëve në fuqi të Anglisë, edhe Çelsi i Mauricio Sarrit  u duk i vogël, një provë më shumë e aftësisë profesionale të Guardiolës.

“Dua t’i bëj komplimentet më të mëdha lojtarëve të mi, – tha katalanasi pas finales. Ishte shumë nxehtë, disa prej tyre nuk ishin stërvitur sa duhet, por sërish ata treguan se janë kampionë, se janë fitues dhe se ata janë krenaria ime”.

Ky ishte trofeu i tretë i Pepit në stolin e të mbiquajturve “Qytetarët e Mançesterit”, pas titullit kampion dhe Kupës së Ligës fituar edicionin e kaluar.

Ai nisi sukseset me Barcelonën, ku mori 14 kupa të ndryshme, përfshirë 3 La Liga e dy Champions, ndërsa pati një trofe me Barcelonën C, në kategorinë e tretë

Nuk zhgënjeu me Bajernin, edhe pse nuk e mori dot Ligën e Kampionëve, ndërsa u detyrua të kënaqej me 7 tituj, mes të cilëve 3 Bundesliga.

Pak trajnerë mund të mburren se kanë fituar më shumë se ai, dhe ëndrra e tij është të barazojë Sër Aleks Fergusonin që ka fituar plot 49 tituj me Aberdinin e Mançester Junajtidin.

Guardiola ka qenë edhe një lojtar i madh, dhe ka fituar 14 trofe në karrierën, me Barcelonën si dhe titullin olimpik me Spanjën në 1992. /abcnews.al

hasan-lika.jpg
G. P.16:15 | 22/07/2018

Vllaznia e ka gjetur trajnerin për sezonin e ardhshëm. Në stol do të ulet i njohuri, Hasan Lika, që ka pranuar ta drejtojë ekipin në Kategorinë e Parë.

Detyra e re do të jetë prestigjioze, pavarësisht kategorisë. Hasan Lika ka zgjedhur Vllazninë për ta drejtuar sezonin e ardhshëm, po ashtu shkodranët janë bindur se tekniku tiranas do të ishte mundësia më e mirë.

Skuadra nga Shkodra u rrëzua në Kategorinë e Parë në fund të sezonit të kaluar, një dramë e vërtetë, veçse synimi është për të kopjuar Tiranën e për t’u kthyer shpejt në Superligë.

Lika e ka pohuar vetë arritjen e marrëveshjes, ndërsa pritet vetëm fillimi i punës.

Sezonin e kaluar, ai drejtoi me sukses Luftëtarin, duke e kualifikuar për në Ligën e Europës për herë të parë në histori, e duke dhënë një futboll të nivelit të lartë.

Në mënyrë të habitshme, Likës nuk iu rinovua kontrata për sezonin në vazhdim.

Vllaznia pati edhe vjet një trajner nga Tirana, Ernest Gjokën, që zëvendësoi Armando Cungun e dorëhequr, por nuk qe e mundur që skuadra më e vjetrër e futbollit shqiptar të mbijetonte në Superligë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono