toyota yaris

burg-1.jpg
G. P.10:25 | 12/07/2018

Gjykata për Krimet e Rënda la në burg katër të ndaluarit për 3.4 milionë eurot e gjetura në mjetet Toyota në Portin e Durrësit. Ata u paraqitën sot në këtë gjykate, që ka marrë në kompetencë këtë dosje.

4 të arrestuarit pas kapjes së 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg, pas rivlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Kjo gjykatë la në fuqi të njejtin vendim atë të “arrest me burg” të caktuar nga gjykata e Durresit më 28 Qershor, e cila shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Gjykata e Krimeve të Rënda. Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin, Edi Lika, administrator i kompanisë që solli makinat nga Belgjika, djali i tij Klevis Lika, shoferi i trailerit Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, pronar servisi.

Ndryshe nga seanca gjyqësore e zhvilluar në Durrës, ku media ishte e pranishme gjatë gjithë procesit, te Gjykata e Krimeve të Rënda ndodhi e kundërta. Dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelli, kërkuan që mediat të mos ishin të pranishëm pasi mund të dalin fakte që cënojnë hetimin.

Kjo gjë u kundërshtua nga avokatët mbrojës të të pandehurve. Sipas tyre, prokuroria nuk ka sjellë asnjë akt të ri ligjor.

Saimir Vishaj: “Absolutisht ishin të njëjtat prova dhe dyshimet që ishin në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ndërkohë është shtuar akuza e re që ka të bëjë me grup të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave kriminale kryer nga grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë në kerkim për këtë çështje vijojnë të mbeten dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi, të cilët sipas prokurorisë, dyshohet së janë porositesit e makinave Toyota. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letërporosi në 3 shtete, Gjermani, Belgjikë dhe Angli, ku pritet të merret informacion i detajuar, në lidhje me aktivitetin e katër personave që mbahen në qeli, si dhe zbulimin e origjinës së parave të gjetur dy automjete.

taulant-balla.jpg
G. P.21:24 | 05/07/2018

Akuzat e ndërsjella midis kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kanë vazhduar edhe në seancën plenare të së enjtes. Deputeti socialist e ka njoftuar se të martën e pret në gjykatë, ndërsa kreu demokrat e ka paralajmëruar se shumë shpejt një tjetër aferë korruptive do të zbulohet, ku i përfshirë pretendon se është edhe Taulant Balla.

E ka fjalën për kryetarin e grupit socialist Taulant Balla.

Por fjalimin e përgatitur nuk e kishte dedikuar për deputetin Balla kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai kërkoi t’i tregonte shqiptarëve se në 10 muaj u provua se pushteti i Edi Ramës është degraduar, kalbëzuar dhe ka falimentuar plotësisht.

“Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se e gjithë Evropa në 10 vjet”, tha Basha.

Edhe mos hapja e negociatave ishte rezultat i zgjedhjes së vetëdijshme të Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Gjiknurin, Dakon, Habilajt, Balilët dhe të gjithë kokat e krimit dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin deklaroi Lulzim Basha, sipas të cilit, këta janë peshqit e mëdhenj që kërkojnë ambasadorët.

“Oqean? Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë, se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në parlament”, tha Basha.

Përgjigjen ia jep numri dy i Partisë Socialiste, i cili i kujton se nga vjen e kush e strehoi dhe promovoi politikisht peshkun Balili.

I rikujton edhe personazhe të tjerë të lidhur me botën e krimit dhe trafiqeve që Taulant Balla thotë se përgjigjen e Lulzim Bashës e pret në gjykatë.

I sigurtë duket socialisti Balla për vendimin e gjykatës në favor të tij dhe këtë e shpreh me tonet këmbëngulëse nga foltorja e parlamentit.

“Çoje kokën! Të martën të pres në gjykatë dhe mos merr raporte si për Rrugën e Kombit apo të ikësh në Holandë”.

Të njëtën kërkesë ia përsërit, ndërsa shkembehen në korridorin që i ndan, por kryedemokrati vendos t’i përgjigjet publikisht akuzës.

“Derrkuci i Yaris-it harron diçka. Më akuzon mua se kam dalë me vëllain e personave që u dyshonkan se janë pas parave të Toyota-s. E para punës, n.q.s ai qenka i dyshuar pse nuk e keni arrestuar deri më sot. E dyta, po ju keni vëllain e dënuar të ministrit të Brendshëm. Hanit, pinit nga mëngjesi deri në darkë me të. Çfarë standardi keni ju”?

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, reagon pa mikrofon ndaj akuzave. Në fund zgjedh vetëm të dëgjojë vazhdimin e fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike që në të vërtetë është një tjetër paralajmërim.

“Derrkuci i Toyota Yaris-it, garanti i parave të pista të drogës dhe disa të tjerë që nuk janë këtu, jeni të përgjuar nga shërbimet e huaja, duke folur me Bacën në Selanik. Ah sa keq! Se shërbimet tona flenë gjumë. Jeni përgjuar duke dhënë garanci. Jua kanë vënë kryqin nga Uashingtoni në Bruksel, nga Belgjika në Romë. Së shpejti kryqin do t’ua venë shqiptarët”.

Kaq detaje dha Lulzim Basha për përgjimin e radhës, duke lënë të hapur se koha do ta vërtetojë vërtetësinë e deklaratës së tij./abcnews.al

3.4-MILIONE-EURO-HETIMI-TEK-KRIMET-1280x720.jpg
ent ela14:25 | 05/07/2018

Dosja hetimore e 3.4 milionë eurove të gjetura të fshehura në dy makina në Portin e Durrësit i kalon për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Shkak dyshimet se këto para vijnë nga aktivitete kriminale të lidhura me narkotrafikun.

Procedimi penal i nisur nga Prokuroria e Durrësit për 3.4 milionë eurot e gjetura në dy mjetet “Toyota” i kalon për kompetencë Krimeve të Rënda. Materialet e dosjes kanë mbërritur te Krimet e Rënda, ku edhe është regjistruar procedimi penal. Brenda një afati 10 ditor të arrestuarit për çështjen, të lënë në “arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit, pritet të dalin para Gjykatës për Krimet e Rënda për rivlerësim të masës së sigurisë. Një javë më parë Prokuroria la në burg katër të arrestuarit për 3.4 milionë eurot e bllokuara në Portin e Durresit në dy makina tip Toyata Yaris  në 24 qershor. Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç dhe i biri, Klevi Lika (Cani), 21 vjeç, si dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç vijojnë të qëndrojnë në burg pas masës së siurisë të dhënë nga gjykata e Durrësit. Ndërkohë në kërkim në lidhje me këtë hetim vijojnë të mbeten kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi. Prokuroria po zbardh dhe rolet në këtë grup kriminal. Elvis Vladi dyshohet se ishte personi që ka gjetur mjetet me qëllim transportin e parave, Lika dhe Cani siguruan transportin e mjeteve, ndërsa Alfred Vladi do priste mjetet kur të vinin në port, ndërkohë që Mollaymeri do zhdoganonte mjetet. Dyshimet se 3 milionë e 366 mijë euro vijnë nga droga kanë bënë që dosja hetimore nga Prokuroria e Durrësit të përcillet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. /abcnews.al

toyota-1.jpg
G. P.15:14 | 25/06/2018

Mbajtja në përgjime e disa personave të dyshuar për trafik droge nga Krimet e Rënda ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro me dy “Toyota” në Durrës.

Përgjimet telefonike për llogari të një hetimi të Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër një grupi të dyshuar për trafik droge ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro cash të bllokuara të dielën në portin e Durrësit. Burime të rezervuara bënë me dije për ABC News se gjatë veprimeve hetimore proaktive përmes metodave speciale gjatë këtij hetimi autoritetet kanë dëgjuar biseda mbi përpjekjen e trasnportit të një shume cash drejt Shqipërisë.

Transkiptimi i përgjimeve ka bërë më të qartë tablonë dhe faktin se paratë do vinin në bordin e një mjeti të porositur për tregun shqiptar. Pas mbërritjes së kësaj ngarkese në portin e Ankonas në kushte të konfidencialitetit të plotë janë sinjalizuar autoritetet policore portuale të Durrësit, të cilët kanë pritur trailerin, ku ndodheshin mjetet e dyshuara.

Kontrolli fizik zbuloi shumën prej 3.4 milionë euro në brendinë e dy automjeteve “Toyota” të ngarkuara në trailerin që shërben për transportin e automjeteve. Ato ishin pjesë e një ngarkese prej 9 automjeteve në total, nga të cilat shtatë “Toyota”, një “Opel” dhe një “Alfa Romeo”.

Sipas burimeve, sasia e parave ishte voluminoze për shkak të prerjeve të vogla dhe ishin vendosur në të gjithë xhepat anësore të mjeteve, në kroskot dhe poshtë sediljve. Burime të ABC News konfirmuan se porositësi i mjeteve është një biznesmen shqiptar, pronar i një servisi automjetesh në kryeqytet.

Pas kryerjes së veprimeve të para prokuroira e Durrësit ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërkohë që pritet që dosja të merret në dorë nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht, policia ka ndaluar dy shoferët e trailerit dhe administratorin e shoqërisë së transportit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono