totenhem

pe-770x470.png
Sej rie14:40 | 05/08/2019

Skuadra e Interit ka fituar ndaj Totenhem në ndeshjen e vlefshme për International Champions Cup. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1 ndërkohë që në ruletën e 11 metërshave, zikaltërit u treguan më të saktë.

Skuadra e Interit ka mposhtur Totenhemin në sfidën e vlefshme për International Champions Cup. Zikaltër fituan në ruletën e 11 metërshave pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1. Edhe ndaj skuadrës londineze Inter zhvilloi një paraqitje dinjitoze edhe pse nuk ka ende një sulmues të mirëfilltë në fazën offensive. Totenhem kaloi fillimisht në avantazh falë brazilianit Lukas Moura në minutën e 2. Sulmuesi lëshoi një goditje të fuqishme duke mos i dhënë asnjë shans portierit Handanovic.

Inter nuk dorëzohet dhe vendos baraspeshën në minutën e 35. Esposito jep një assist fantastik për Sensin i cili tregohet i saktë përballë portierit Hugo Loris dhe barazon shifrat. Në pjesën e dytë të trajnerët bënë disa ndryshime por rezultati mbeti i njëjti. Nga seria e 11 metërshave italianët tregohen më të saktë duke fituar me rezultatin 4-3. Fillimisht Eriksen e më pas Skip për Totenhemin dhe Pushkash për Interin gabuan nga pika e bardhë e 11 metërshit ndërkohë që braziliani Zhoa Mario realizoi penalltinë fituese për zikaltërit. Një fitore morali për skuadrën e Interit e cila ka ndryshuar tërësisht pas mbërritjes se trajnerit Antonio Konte./ABC News Albania 24/7

PRAG-FINALE-CHAMPIONSI-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_01.41-1280x720.jpg
ent ela14:46 | 01/06/2019

Liverpuli dhe Totenhemi luajnë sonte finalen e Championsit në Madrid. Dy skuadrat angleze luftojnë për trofeun e madh, në duelin e orës 21:00

Udhëtim drejt parajsës apo ferrit? Dy skuadra angleze, Liverpuli dhe Totenhemi, fluturuan me shpresë dhe shqetësim drejt Madridit, ku do të luajnë finalen e Championsit, sonte në orën 21:00.

Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop po përsërisin rrugën e vjetshme, veçse më të shkurtër, dhe shpresojnë që kthimi të jetë bashkë me trofeun.

E kërkon tradita e klubit pesë herë kampion të Europës, nënkampion i kontinentit në fuqi.

E dëshiron nga thellësia më e madhe e zemrës vetë Klopi, trajneri i madh i futbollit spektakolar, specialist për të shkuar në finale, por deri tani një humbës serial në to.

“Unë nuk jam një humbës, – shprehet trajneri i Liverpulit, – mos mendoni vallë se e gjithë karriera ime ka qenë pa fat? Jo e gjitha ka qenë e tillë, dhe dështimet thjesht më shtyjnë që të arrij suksesin. Që nga viti 2012 e deri më sot, me përjashtim të 2012-ës, skuadrat e mia kanë qenë në finale. Jam rekordmeni botëror për fitoret e gjysmëfinaleve në 7 vitet e fundit, por nëse do të shkruaja një libër për to, nuk do të ma lexonte kush. Kemi mjaft përvojë tani dhe duam që të fitojmë”.

E vetmja mungesë për Liverpulin është ajo e mesfushorit Nabi Keita, pasi Roberto Firmino është 100 për qind I gatshëm, dhe pritet të luajë titullar.

Presioni mbi Totenhemin mund të cilësohet më I vogël, por paradoksalisht edhe më I madh.

Nëse londinezët nuk jepen favoritë dhe kanë thyer çdo rekord në historinë e klubit deri tani, kjo i lehtëson lojtarët vetëm pjesërisht.

Tensioni më i madh është nga mungesa totale e përvojës si klub, që nuk ka luajtur asnjë finale Championsi, ndryshe nga Liverpuli që do të luajë të 10-ën.

Eksperienca më së shumti ka qenë vendimtare.

Gjithsesi, lajmet janë të mira pasi sulmuesi kryesor Harri Kejn, si dhe Davidson Sançez janë gati, edhe nuk dihet nëse Kejn do të jetë në formacion.

Uanajama është në dyshim, ndërsa Ben Dejvis nuk luan.

Trajneri Maurisio Poçetino, gjithsesi, ka besim se gjithnjë ka një herë të parë.

“Ne duam të shkruajmë historinë, – tha argjentinasi, – ky është momenti ynë dhe duhet të mos e lëmë të shkojë kot. E dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Ne nuk cilësohemi favoritë, por kjo nuk ka rëndësi, pasi do të fitojë ajo skuadër që do të luajë më mirë, jo ajo që do të parashikohet si më e mirë. Nuk e di nëse Kejn do të luajë apo jo, do të jetë një vendim i vështirë”.

Gazetat angleze komentojnë finalen angleze.

“Tajmsi” i Londrës titullon “Kush do të triumfojë në Madrid”, dhe I kushton 12 faqe në brendësi, finales së Ligës së Kampionëve.

“Deili Ekspres”: Ja ku jemi! Është momenti vendimtar pas një udhëtimi të pabesueshëm deri në finale!

“Star Sport”: Epshi i Uandës! Klopi i dëshpëruar të vendosë duart mjbi kupë! Spërsat duan të bëhen legjenda!

“The Gardian”: Finalja e Championsit! Ja ku jemi, tifozët e futbollit pushtojnë Madridin!

Klopi dhe Klopi janë ndeshur 9 herë mes tyre, dhe trajneri I Liverpulit ka epërsi me 4 fitore, 4 barazime dhe një humbje.

Parashikimet janë në favor të të kuqve, me koeficientin 1.95, ndaj 4.33 të Totenhemit.

Mbi 160 milionë shikues në të gjithë botën pritet të ndjekin finalen, duke e bërë ndeshjen më të ndjekur sportive në histori. /ABC News Albania 24/7

 

106850101_moura_origi.jpg
Sej rie11:20 | 09/05/2019

Totenhemi ishte mrekullia e dytë e Championsit, pas Liverpulit. Jehonë e madhe në të gjithë botën pas suksesit të skuadrës londineze ndaj Ajaksit dhe kualifikimit për në finale.

Nuk u desh të kalonte shumë kohë që këto skena të përsëriteshin.

Një tjetër mrekulli pritej të ndodhte në Ligën e Kampionëve, dhe strategu i saj u përmendi lojtarëve të tij pikërisht Liverpulin.

Totenhem Hotspuri në finalen angleze të Madridit do të thotë Championsi më i çmendur i të gjitha kohëve, me përmbysjet që nuk ishin parë kurrë.

Strategu i Totenhemit ishte pikërisht trajneri Maurisio Poçetino, që frymëzoi skuadrën për të fituar 3-2 në Amsterdam ndaj Ajaksit, edhe pasi humbi 0-1 ndeshjen e parë, edhe pasi humbi 0-2 pjesën e parë.

“Faleminderit futboll, – u shpreh ai në mes të emocioneve, – e kam të vështirë të flas, emocionet nuk po më lejojnë. Lojtarët e mi janë heronj, ndërsa Lukas Moura është superhero. Këtë e kam thënë që vjet. Është shumë e vështirë të konkurrosh në këtë nivel, dhe është fat i madh për mua që jam trajner i kësaj skuadre”.

Nëse Liverpulit I munguan Salah e Firmino, dhe kualifikimin ia dhanë Origi, Vajnaldum apo Shaqiri, Spërsat nuk kishin yllin kryesor, Harri Kejn, dhe triumfin e siguroi Lukas Moura.

Ai realizoi në minutat 55, 59 dhe 96, për fitoren 3-2.

Braziliani ishte pa asnjë dyshim, njeriu më i lumtur në stadium.

“Pa dyshim kjo është dita më e madhe e karrierës sime, – tha sulmuesi, – e pabesueshme të shënosh 3 gola në gjysmëfinale të Championsit. Një mbrëmje shumë emocionuese. Futbolli është i mrekullueshëm dhe të jep një moment kaq të veçantë sa ky”!

Gazetat në Angli, Holandë dhe gjithë Europën mbetën të mrekulluara.

“Deili Star”: Krejtësisht angleze! Moura ishte vendimtari, ndërsa Spërsat arritën finalen!

“Deili Meil”: Anglia mund të bëhet vendi I parë me të katër ekipet finaliste të kupave të Europës, nëse Arsenali dhe Çelsi kualifikohen!

Hidhërimi ishte I madh në Holandë pasi pesë herë kampionët e Europës dominuan pjesën e parë, duke shënuar me anë të kapitenit De Ligt dhe sulmuesit Zijeç.

Ata kishin fituar edhe në Londër me golin e De Bekut, por kjo nuk mjaftoi.

Gazeta “De Telegraf” thekson: Mallkimi I 8 majit godet përsëri Ajaksin! Në këtë datë ka humbur tituj apo është eleminuar në 1977, 1988, 1994, 2011, 2016 dhe 2019!

“L’Ekip” në Francë: Lukasi shekullor! Finalja e Championsit, pra, do të jetë 100 për qind angleze! Totenhemi u bashkua me Liverpulin pas një mrekullie të krahasueshme me atë të të kuqve!

“Marka” spanjolle perifrazon titullin e himnit britanik: Zot, ruaje Championsin! Një tjetër mbrëmje e pabesueshme tregoi se është një garë e papërsëritshme dhe e paprekshme!

“La Gazeta delo Sport” në Itali: Champions që nuk është parë kurrë! Totenhemi përmbys Ajaksin, finale me Liverpulin! Gol në minutën e 96-të!

“Bild” në Gjermani: Champions, mrekullia e radhës e gjysmëfinaleve! Dramë në minutat shtesë, Totenhemi përmbys Ajaksin me 3 gola!

Kënaqësi e madhe për argjentinasin Poçetino edhe nga Argjentina e tij.

Gazeta “Ole”: Poçetino në finale! Ata janë kampionët! Totenhemi rikuperoi 3 gola në 45 minuta, Europa do të jetë për anglezët!

Totenhemi arriti në finalen e parë të Championsit në histori, ndërsa do të ketë përballë një kundërshtar me shumë më tepër përvojë, si 9 herë finalisti Liverpul.

Gjithsesi, pas kësaj që ndodhi me Ajaksin, vetëm besimi që nuk mungon./ABC News Albania 24/7

de-beek.jpg
G. P.12:16 | 01/05/2019

Jehonë e madhe në Europë pas fitores së Ajaksit në fushën e Totenhemit në Champions. Trajneri i holandezëve lavdëroi skuadrën e tij, por trajneri i Totenhemit ka ende besim për kualifikimin në finale.

Kanë kaluar 23 vjet që kur ia dolën për herë të fundit, dhe tani janë fare pranë. Yjet e rinj të Ajaksit e mahnitën sërish Europën duke fituar në fushën e Totenhemit, në gjysmëfinalen e parë të Championsit, ndonëse e kanë të qartë se ende nuk janë në finale.

Është e qartë tani se përse u dorëzuan Reali i Madridit dhe Ajaksi, ashtu siç kishte theksuar trajneri i Bajernit, Kovaç, pas dy barazimeve në grup me holandezët. Gazetat dhe Angli dhe Holandë kuptuan gjithçka.

“Daily Mail”: Spërsat mbeten me gisht në gojë! Djemtë e Poçetinos marrin një leksion futbolli nga Ajaksi plot klas!

“Daily Express”: Spërsat me hundë të thyer! Dëmtohet Vertongeni, ndërsa holandezët hedhin valle në Londër!

“Times” i Londrës: Spërsat me shpatulla pas murit! Ajaksi merr kontrollin ndërsa Vertongeni pëson dëmtim serioz në kokë!

“De Telegraf” nga Holanda: Hap i madh drejt finales për Ajaksin! Gjysmëfinalja e parë e Championsit fitohet 1-0 në fushën e Totenhemit!

“Algemeene Dagblad”, po nga Holanda, i bën jehonë mediave europiane që shkruajnë se skuadra sensacionale e Ajaksit mund ta vazhdojë ëndrrën!

Ajaksi u tregua i zoti jo vetëm në lojën ofensive, por edhe në mbrojtje, kur u detyrua të kthehej prapa në pjesën e dytë.

Këtë herë nuk shkëlqyen vetëm kapiteni De Ligt, organizatori De Jong apo serbi Tadiç, por më shumë sesa ata shënuesi i golit, Doni De Beek.

“Ne luftuam si luanë, – tha me krenari trajneri Ten Hag, – një arritje fantastike. Kemi bërë gjysmën e rrugës, por kemi besim sepse jemi në formë të mirë. Jam shumë I lumtur për vullnetin e treguar nga lojtarët e mi. E veçanta e këtij Ajaksi është se ne mund të luajmë stile të ndryshëm futbolli, mund të sulmojmë, por edhe mund të mbrohemi si ekip, kur jemi të detyruar. Nuk jemi ende të kualifikuar”.

Vetë De Beek foli i kënaqur, por edhe i kujdesshëm.

“Jam i lumtur për golin dhe për fitoren, – tha De Beek, pas ndeshjes, – nuk ishte aspak e lehtë, edhe pse në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Tani duhet të përfundojmë punën dhe të kualifikohemi në fushën tonë”.

Totenhemi ndjeu mungesën e lojtarëve kryesorë të sulmit si Harri Kejn dhe Son. Trajneri Poçetino, po ashtu, theksoi se ekipi I tij ishte i lodhur në pjesën e dytë, edhe për shkak të ngarkesës më të madhe në Premier Ligë.

“Mendoj se gjithçka është ende e hapur, – deklaroi ende me besim Poçetino, – natyrisht, do ta kemi shumë të vështirë pasi e humbëm ndeshjen e parë, madje në shtëpi. Problemi është që nuk patëm shumë energji, Ajaksi ishte më i freskët se ne. Tani, le të përgatitemi për ndeshjen e dytë dhe shpresojmë që ta fitojmë. Kemi nevojë vetëm për një rezultat, fitoren, dhe duam që të jemi në finale”.

Ndeshja e kthimit Ajaks-Totenhem do të luhet të martën e 7 Majit në Amsterdam./ABC News Albania 24/7

Donny-van-de-Beek-.jpg
ent ela23:36 | 30/04/2019

Skuadra e Ajaks surprizoi sërish në ligën e kampionëve. Holandezët fituan në gjysmëfinalen e parë me shifrat minimale 1-0 në transfertën londineze te Totenhem fal golit të Van De Bek.

Ajaks vazhdon të surprizojë në Ligën e Kampioneve. Holandezet triumfuan edhe në transfertën londineze ndaj Totenham me shifrat minimale 1-0 duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe të Madridit. Ajaks luajti më mirë në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën mbrojti me të gjitha forcat rezultatin. Van de Bek kaloi në avantazh Ajaksin në minuten e 14. I gjendur në limitet e pozicionit jashtë loje, mesfushori shënon lehtësisht përballë portiert Hugo Loris. Pak minuta më pas janë sërish miqtë që i shkojnë pranë golit, por pa rezultat. Reagon Totenham me Lorente, por topi nuk përfundon ne kuadrat. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e Ajaksit, ndërkohë që Totenhem nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Në fraksionin e dytë të lojës skuadrat ndërrojnë rolet por sërish kjo nuk mjafton pasi të besuarit e trajnerit Pocetino nuk ia dalin të shënojnë të paktën një gol para tifozëve të tyre. Në të 77 minutë Neres pati mundësinë për të dyfishuar shifrat, por topi ndalet në shtyllë. Minutat e mbetura nuk sjellin ndryshim rezutlati dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet e kthimit në Johan Krojf Arena javën e ardhshme.

/ABC News Albania 24/7

TOTENHEMI-HUMB-NE-ANGLI.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela22:39 | 27/04/2019

Totenhemi mori një goditje të rëndë në shpresat për t’u kualifikuar në Champions. Londinezët u mundën në fushën e tyre, në derbin e Premier Ligës ndaj Uest Hemit.

Gara duket jo si për të fituar, por për të humbur.

Jo vetëm për Totenhemin që pësoi disfatën e parë në stadiumin e tij të ri, por edhe për pretendentët e tjerë për në Champions të kampionatit anglez.

Spërsat u mundën për të dytën herë radhazi, pas rezultatit minimal 0-1 në fushën e Mançester Sitit.

Pretendenti tjetër Arsenali po ashtu ka provuar dy disfata njërën pas tjetrës, Çelsi vazhdon të humbasë pikë që nuk priten, ndërsa Mançester Junajtid është në pozitën më të vështirë nga të gjithë, sepse humbi derbin me Sitin në “Old Traford”.

Me të drejtë, tabloidi anglez “Deili Meil”, pyet: A dëshiron ndokush që të jetë në katërshen e parë këtë sezon?

Gjithsesi, nuk pritej kjo rënie e Totenhemit në fushën e tij ndaj Uest Hemit, edhe pse ishte një derbi.

Çfarë ndodhi pra, me skuadrën kaq shumë të vlerësuar të trajnerit Maurisio Poçetino, të kualifikuar për në gjysmëfinalen e Championsit, duke eleminuar pikërisht Mançester Sitin?

Poçetino pohoi pas ndeshjes se lojtarët e tij ishin të lodhur, dhe kjo ndikon shumë në një kampionat tepër fizik dhe me ritëm të lartë si Premier Liga.

Në pjesën e dytë, të mbiquajtur “çekiçët” merituan gjithçka, duke vrapuar më shumë e duke patur ndeshjen në dorë.

Totenhemi mori një goditje të rëndë, kur I mbeten edhe dy ndeshje deri në fund të kampionatit, veçse Poçetino kërkoi që të harrohet sa më shpejt kjo që ndodhi, pasi objektivat duhen arritur në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve.

vlcsnap-error871-1-1280x720.jpg
ent ela14:52 | 13/02/2018

Liga e Kampionëve rifillon sonte me një përballje të madhe. Juventusi pret Totenhemin në Torino, në orën 20:45, në një duel të spikatur mes futbollit italian dhe atij anglez.

Mrekullia e Mario Manxhukiçit nuk mjaftoi herën e kaluar.

Juventusi u detyrua të dorëzohej përballë Realit në finalen e Championsit në maj të 2017-ës, por tashmë kemi vit të ri dhe shpresa të reja.

“Zonja e Vjetër” po përgatitet për të pritur Totenhemin, në ndeshjen e parë të turit të dytë, ndërsa kompeticioni kryesor I klubeve në Europë rifillon pikërisht sot.

Dueli italo-anglez është ndër më të bukurit e këtij raundi, edhe pse jo një klasike.

Në çfarë mënyre do të paraqitet Juventusi, do të jetë I kujdesshëm?

Alegri: “Jo, nuk do të luajmë për 0-0. Duam vetëm të mos pësojmë gol në shtëpi. Kjo çerekfinale do të jetë e ekuilibruar, secila nga skuadrat ka nga 50 për qind shanse për kualifikim. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi nuk duhet të lejojmë që kundërshtari të shfrytëzoi cilësitë e tij të larta fizike dhe teknike. Gjithsesi, jemi Juventusi dhe kemi fituar respet të madh për veten me rezultatet që kemi arritur vitet e fundit”.

Xhorxho Kielinit, mbrojtësit më të fortë të Juventusit, iu bë menjëherë pyetja për sulmuesin kryesor kundërshtar, Harri Kejn.

Kielini: “Është një sulmues i jashtëzakonshëm, siç e tregojnë statistikat e tij vitet e fundit. Është përmirësuar shumë këto kohë, diçka që nuk është e lehtë, por ai ia ka dalë. Është futbollist i kompletuar, pasi shënon gola, luan për skuadrën, ndihmon shokët të realizojnë. Është një nga numrat 9 më të mirë në botë”.

Kejn, nga ana e tij, nuk vonoi t’ia kthente komplimentat italianit.

Kejn: “Po, po. Ai është një mbrojtës i mahnitshëm. E mbaj mend në ndeshjen time të parë për Anglinë, kur isha përballë tij, ndërsa luante për Italinë. Bëri një ndërhyrje të ashpër, sikur të më jepte mirëseardhjen në futbollin ndërkombëtar. Gjithsesi, Juventusi nuk ka vetëm Kielinin, por e gjithë skuadra është e fortë. Është një ndeshje vërtet e madhe, nga ato ndeshje që ne kemi dëshirë t’i luajmë”.

Po trajneri i londinezëve, Maurisio Poçetino, si e mendon përballjen.

A është Totenhemi në nivelin e kundërshtarit?

Poçetino: “Juventusi është një klub masiv. Ne nuk mund të krahasohemi me të, dhe këtë e tregon historia e madhe e Juventusit. Po ashtu, vitet e fundit ka fituar gjithçka në Itali dhe ka luajtur dy nga tri finalet e fundit në Champions. Totenhemi, ndërkaq, është një ekip i ri, dhe po ndërton një projekt të rëndësishëm, por ne duam që të jemi në nivelin e Juventusit dhe do ta provojmë. Për mua është emocionuese, gjithashtu, që të vij për herë të parë në Torino, në vendin e origjinës së familjes sime”.

Historia padyshim është në favor të Juventusit, që ka fituar dy herë Championsin, po ashtu edhe Kupën e Kupave të Europës dhe Kupën UEFA, pa harruar Superkupën europiane dhe Kupën e Botës për klubet.

Totenhemi ia ka dalë të fitojë vetëm nga një herë Kupën e Kupave dhe dy herë Kupën UEFA, duke mos qenë i suksesshëm në Champions.

Anglezët kanë fituar vetëm dy tituj në vendin e tyre, ndaj 33 titujve të italianëve në Serinë A.

Dueli më interesant I sfidës është ai mes dy sulmuesve kryesorë, Gonzalo Higuain e Harri Kejn.

Argjentinasi, 30-vjeçar me shumë përvojë, ka fituar 10 trofe të rëndësishëm tek Reali, Napoli e tani tek Juventusi, dhe do të jetë rreziku kryesor për anglezët.

Kejn, ende vetëm 24 vjeç, është në formë të jashtëzakonshme aq sa cilësohet si sulmuesi më i mirë i botës për momentin.

Ai doli shënuesi më i mirë i vitit 2017 duke mundur Lionel Mesin, ndërsa ka fituar Këpucën e Artë të Premier Ligës në dy sezonet e fundit, duke qenë sërish në golshënuesi më i mirë edhe këtë vit.

Juventusit i mungon njëri nga lojtarët më të rëndësishëm, Paulo Dibala, edhe pse u stërvit me skuadrën, dhe po ashtu nuk është as Barxali.

Totenhemi, në të kundërt, nuk ka asnjë problem me dëmtimet apo pezullimet, me përjashtim të mbrojtësit Alderveired që mungon prej 3 muajsh./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono