titull

toronto-1.jpg
G. P.14:16 | 08/06/2019

Toronto është në prag të titullit kampion në basketbollin amerikan. Skuadra kanadeze triumfoi sërish në fushën e kampionës në fuqi, Golden Stejtit, dhe kryeson 3-1.

Në prag është diçka krejtësisht e re. Një skuadër jo amerikane është vetëm një hap larg fitores së titullit në atë që quhet liga amerikane e basketbollit, pra në NBA.

Toronto Raptors arriti një tjetër fitore të madhe, sërish në fushën e kampionëve të Golden Stejtit duke marrë epërsinë 3-1 me ndeshje, ndërsa trofeu mund të shkojë për herë të parë në Veri, në Kanada.

Dueli i radhës luhet pikërisht në Toronto, pra gjasat janë të gjitha që mrekullia të realizohet. Fitorja e miqve ishte bindëse 105-92, madje me përmbysje, gjë që flet shumë për karakterin dhe talentin e mëtuesve të rinj.

Koui Leonard po bën realitet atë që nuk mundi ta arrinte tek San Antonio e famshme e Greg Popoviçit, dhe ishte sërish një udhëheqës. Ai shënoi 36 pikë dhe kapi 12 topa në tabela, duke shtuar vetëm 2 pasime për kosh, por 4 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje.

Për fat, ai u mbështet fort nga Paskal Siakam, Kajl Louri e Serg Ibaka, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha qendra spanjolle Mark Gasol, si dhe Fred Vanvlit.

Ç’po ndodh me kampionët?

Golden Stejti e pati në parket kapitenin Klej Tompson, të kthyer nga dëmtimi, dhe ai luajti shumë mirë duke shënuar 28 pikë, me 6 gjuajtje tripikëshe. Stefën Kërri nuk ishte keq, dhe pati 27 pikë, por gaboi shumë në gjuajtje, ndërsa vetëm Drejmond Grin ishte në lartësinë e detyrës, nga pjesa tjetër e skuadrës.

Ai ishte pranë një tripëll dabëlli, me 10 pikë, 9 tabela e 12 asistë. Vendasit ishin deri në 12 epërsi në pjesën e parë, por fitorja u shpëtoi nga duart. Shpresa e vetme ndoshta është kthimi më në fund i Kevin Durantit, për ta ndihmuar ekipin në momentin më të vështirë.

Siç theksuan pas ndeshjes Kërri e Grin, Golden Stejti ka qenë në fitore 3-1 në të kaluarën dhe ka humbur titullin, pra këtë herë mund të ndodhë e kundërta. Veçse, ai që ua mori atë titull quhej Lebron Xhejms, pra kampionët duhet të imitojnë Lebronin që t’ia dalin. Ndeshja e pestë luhet në Toronto mëngjesin e së martës./ABC News Albania 24/7

150419-23-1280x854.jpg
nev ila13:44 | 15/04/2019

Bashkia e Tiranës ka nderuar me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Gjeneral-Lejtnant Rrahman Parllakun.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa i dorëzoi titullin e vlerësoi gjeneral Parllakun si simbol të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.

“Bashkia Tiranë, i jep çertifikatën për titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” z. Rrahman Parllaku, me motivacionin “patriot që luftoi fashizmin, figurë emblematike e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, gjenerali që sfidoi regjimin e diktaturës komuniste, dhe Hero i Popullit, titull që diktatura komuniste ia hoqi, por historia ia përjetësoi. Ndaj, qyteti i Tiranës, që sapo ka hyrë në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë, ka krenarinë që t’i japë titullin e nderit “Simbol i Qytetit” bashkëmoshatarit të saj shekullor, i cili për kontributin e tij është kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike” , tha Kryebashkiaku.

Heroi i Popullit Rrahman Parllaku ndërsa kujtoi betejat në luftën për çlirimin e Tiranës, në këtë 100-vjetor të tij shprehu mirënjohjen ndaj kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim që i bëhet në përvjetorin e lindjes.

“Në Tiranë kam ardhur me Brigadën e III-të dhe luftova një muaj e gjysmë. Kemi bërë 22 aksione brenda qytetit, komandën e kishim në Priskë. Kur kujtoj këto ngjarje, ato baticat e zbaticat e mia në jetë, them që jetova. Jeta nuk është siç thonë, hyra këtu e dola atje. Jeta është e këndshme, me të mirat e të këqijat e saj. Edhe nga të këqijat, edhe nga burgu, mësova diçka. Njeriu mëson edhe nga vuajtjet, jo vetëm nga të mirat, mëson edhe nga të këqijat. Ju faleminderit për nderimin”, u shpreh Gjeneral Parllaku.

Gjenerali Rrahman Parllaku është ndër të paktët partizanë që jetojnë dhe dëshmojnë histori të tre kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist./abcnews.al

liverpul-1280x622.jpg
ent ela13:09 | 28/02/2019

Titulli në Angli do të vendoset nga gara mes Liverpulit dhe Mançester Sitit. Dy skuadrat janë shkëputur në renditje, ndërsa trajnerët e tyre janë të lumtur për mënyrën sesi u arritën fitoret

Diferenca mbeti po ajo sepse rivali nuk gaboi, por mënyra sesi u fitua ndeshja krijoi më shumë besim për titullin. Liverpuli mundi 5-0 Uatfordin duke lënë pas dy barazime pa gola, ndaj Bajernit dhe Mançester Junajtidit, dhe mbajti vendin e parë në Premier Ligë.

Sadio Mane shënoi dy gola, dhe njëri prej tyre ishte sublim, me goditje me takë, shenjë e klasit të tij të lartë, por edhe e klasit të skuadrës së Jurgen Klopit, klas që vetëm pak ditë më parë ishte kritikuar nga trajneri i Junajtidit, Solskjer.

Norvegjezi u kishte thënë lojtarëve se “Liverpuli nuk ka shans për titullin, nuk ka klasin e duhur, nuk më bëri shumë përshtypje”. Besohet se do t’i kenë bërë përshtypje golat e Manesë, i Origit dhe dy golat e mbrojtësit Van Dajk.

Liverpuli mbajti kreun e renditjes me 69 pikë ndaj 68 të Sitit, që iu fal një penalltie të Kun Agueros për të mundur Uest Hemin në “Etihad”.

“Kështu duhet të luhet futbolli, – deklaroi i lumtur Jurgen Klopi, – një fitore 5-0 është e tillë, por unë dua të vlerësoj edhe mbrojtësit tanë, dhe portierin që bëri dy pritje të mëdha. Kundërshtari ishte shumë i fortë. Gjithsesi, nesër është një ditë e re, të harrojmë fitoren dhe të merremi me atë që na pret”.

Mançester Siti arriti fitore të vogël, por gjithsesi plotësisht të merituar. U shënua vetëm një gol, ai nga Kun Aguero me penallti në pjesën e dytë, por mund të ishin realizuar pesë apo gjashtë. Uest Hemi pati vetëm një rast gjatë gjithë ndeshjes.

“Do të ndodhin shumë gjëra deri në fund të sezonit, – u shpreh Guardiola, – Ka edhe 10 ndeshje për t’u luajtur dhe çdo fitore vlen tri pikë. Besoj se ne dhe Liverpuli, do të humbasim pikë, pra le të presim deri në fund. Fitorja ishte e mirë, dhe le të mendojmë tani për ndeshjen e radhës”.

Mediat vlerësuan siç duhet dy pretendentët për titull. “Deili Meil”: Super Sadio kthen Liverpulin siç duhet të luftën për titull, duke mbajtur epërsinë me 1 pikë në krye të Premier Ligës!

Aguero i saktë dhe Siti jep një goditje vareje për të qëndruar pranë Liverpulit! Liverpuli kryeson me 69 pikë ndaj 68 të Sitit, ndërsa Totenhemi mbeti prapa pas humbjes 0-2 në fushën e Çelsit./abcnews.al

golden-stejt-kari-san-antonio0517-112.jpg
G. P.19:22 | 16/01/2019

Golden Stejti arriti një fitore të madhe në basketbollin amerikan, duke triumfuar në fushën e një rivali për titull. Kampionët dominuan ndaj Denverit, falë tre yjeve të tyre kryesorë

Nëse donte të jepte një mesazh, gjeti ndeshjen e duhur.

Nuk kishte sfidë më domethënëse për Golden Stejtin sesa ajo në fushën e kryesuesit të Konferencës Perëndimore, Denver Nagets, pra një rivali direkt për titull.

Kampionët në fuqi të NBA-së jo thjesht fituan, por arritën një triumf të tillë që do të bëjë të ndryshojnë mjaft parashikime të sezonit.

Vendosën një rekord të ri në NBA për pikët e shënuara në çerekun e parë të një ndeshjeje, plot 51, ndërsa diferenca ishte plot 31 pikë, me shifrat 142-111.

E gjitha kjo, jashtë fushe dhe ndaj një kundërshtari kaq të fortë.

Siç ndodh shpesh, përcaktuese ishte treshja e madhe e përbërë nga Stefën Kërri, Kevin Duranti dhe Klej Tompsoni, që shënuan së bashku gati 90 pikë, shumicën e të cilave në 30 minutat e para.

Prej 25 vitesh, asnjë treshe nuk e bën një gjë të tillë në basketbollin amerikan, por kjo e Golden Stejtit e ka bërë dy herë.

Kërri e Tompson realizuan nga 31 pikë secili, Durant pati 27, ndërsa Drejmond Grin, vërtet shënoi shumë pak pikë, vetëm 4, por mori notën më të lartë nga të gjithë, për lojën e shkëlqyer në mbrojtje dhe në sulm.

Ylli serb, Nikola Jokiç, nuk mundi t’i përballonte kaq shumë kundërshtarë, dhe e mbylli ndeshjen me 17 pikë të shënuara, 4 topa në tabela e 8 asistë.

Ai gaboi shumë në gjuajtje, dhe ashtu si shokët, nuk e përballoi dot presionin psikologjik të një dueli të tillë.

Golden Stejti doli në vend të parë në Perëndim, pas këtij suksesi, ndonëse dy skuadra të Lindjes, Toronto e Miluoki, kanë ende një bilanc më të mirë./abcnews.al

kukesii-123.jpg
G. P.16:18 | 20/12/2018

Kukësi pritet të përforcohet ndjeshëm për gjysmën e dytë të sezonit. Presidenti Gjici besohet se do të sjellë lojtarë të tjerë, për të synuar titullin kampion.

Ishte e qartë që kur mori ekipin në verë. Trajneri Armando Cungu nuk ngurroi t’ia bënte të qartë presidentit Gjici, se me atë përbërje Kukësi vështirë se do të ishte pretendent. Kaluan muajt, dhe skuadra veriore, diku mirë e diku keq, u ngjit në renditje me titullin që nuk duket aspak utopi, veçse Cungu kërkon përforcime në janar. Klubi ka lëvizur dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi duket se ka folur me disa emra.

Emri më i njohur që mund të bashkohet me ekipin në Janar, është ai i Vasil Shkurtajt. Sulmuesi i Luftëtarit, i kërkuar edhe nga Partizani, besohet se ka pranuar ofertën e Kukësit prej 60 000 eurosh në sezon, një shifër vërtet e lartë për Superligën shqiptare, sidomos në këtë kohë krize. Për presidentin gjirokastrit, Tavo, ky transferim është një lehtësim jo i vogël financiar, pasi tek Luftëtari lojtarët thonë se nuk marrin rrogat prej kohësh.

Bashkë me Shkurtajn, Kukësi do të marrë nga Luftëtari edhe organizatorin e ekipit, Rrocën, gjithashtu një lojtar shumë të mirë. Burime tek veriorët bëjnë me dijë se objektivi është përforcimi pikërisht në sulm dhe në mesfushë, ndërsa në mbrojtje besohet se ka garanci të mjaftueshme. Vetë trajneri Cungu nuk ka dashur të prononcohet, duke u mjaftuar të thotë se ka biseduar me klubin për disa lojtarë të rinj.

Drejtori Nexhipi ka biseduar edhe me klube ballkanas, dhe përmendet emri i sulmuesit të Buduçnostit, Igor Ivanoviç. Kukësi mban vendin e tretë në Superligë, me 31 pikë, pesë pikë prapa Partizanit, kur duhet edhe një javë deri në mbyllje të gjysmës së sezonit./abcnews.al

napoli-1280x720.jpg
ent ela21:14 | 04/12/2018

Napoli beson ende tek titulli kampion në Serinë A. Skuadra ku luan Elseid Hysaj, nuk lejoi shkëputjen e Juventusit pas fitores në fushën e Atalantës.

Ndeshja ishte e vështirë, por doli për mbarë. Napoli mund të thotë se në Serinë A ekziston gara për titull, dhe kjo pas fitores 2-1 në fushën e Atalantës. Formacioni i trajnerit Karlo Ançeloti u ngjit në 8 pikë diferencë me Juventusin kampion e kryesues, dhe padyshim shanset i ka, kur duhen edhe 24 javë deri në përfundim.

Napolitanët e nisën dhe e mbyllën me gol, pasi kaluan shpejt në avantazh, që në minutën e 2-të me anë të Fabian Ruizit, veçse vuajtën shumë nga agresiviteti i vendasve. Skuadra nga Bergamo, që kishte në portë titullar Etrit Berishën, ushtroi presion dhe arriti të barazonte me anë të Zapatës në fillim të pjesës së dytë, por energjitë nuk i dolën deri në fund.

Me më shumë alternativa në stol, Ançeloti bëri lëvizjet e duhura dhe rezultoi fitues. Shënoi Arkadiush Milik, që hyri si zëvendësus, dhe po si zëvendësues edhe Elseid Hysaj, që nuk luajti dot më shumë se 15 minuta. Duel shqiptarësh pati pra vetëm pjesërisht. Karlo Ançeloti nuk deshi të fliste për titullin pas ndeshjes.

“Atalanta është një skuadër shumë e mirë, dhe këtë e dinë të gjithë. U tregua shumë agresive dhe na detyroi të ndryshonim lojën tonë. U detyruam të mbroheshim më shumë sesa e kishim parashikuar, pasi na sulmuan fort. Në fund, kundërshtari u lodh dhe ne arritëm të godisnim. Realizuam objektivin për këtë ndeshje, por duhet të shikojmë përpara”.

“Il Korriere delo Sport” e quan “Areku i Artë, me Napolin që fiton në Bergamo dhe që kthehet në -8 me Juven”.

“La Gazeta delo Sport” vlerëson se “mendoi Miliku, Napoli mbetet 8 pikë prapa Juves”.

Napoli ka 32 pikë pas 14 ndeshjesh të luajtura, ndaj 40 të Juventusit, ndërsa u shkëput në tri pikë diferencë nga Interi që arriti vetëm barazim në fushën e Romës./abcnews.al

partizoni.png
G. P.22:24 | 03/10/2018

Partizani u ngjit në mënyrë impresionuese në krye të Superligës, pas fitores bindëse me Teutën. Kryeqytetasit triumfuan 3-0 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

E mira do kohën e vet, por duket se më në fund ka ardhur.

Partizani është, mesa kuptohet, e mira numër 1 e këtij kampionati, siç e tregoi me suksesin ndaj Teutës edhe pse duhet të presë reagimin e rivalëve. Një sukes 3-0 ndaj një ekipi që pak ditë më parë mundi 2-0 Skënderbeun kampion, pra diçka aspak e vogël.

Ky është Partizani i Skënder Gegës, trajnerit që ka provuar kapriçot e profesionit duke punuar me ndërprerje të mëdha, por që po ndihet vërtet profesionist në atë që mund të quhet shtëpia e tij. Epërsia e të kuqve në “Selman Stërmasi” ndoshta nuk ishte dërrmuese, por gjithsesi e tillë që mund ta ketë vetëm një skuadër e përgatitur mirë, që e meriton emrin kolektiv.

Jasir Asani është lojtari i momentit, autor i dy golave, ndërsa dallohen edhe të tjerët, Mala, Hila, Mensah apo Telushi, pa harruar kapitenin Alban Hoxha, një garanci në portë. Me këtë fitore, Partizani u ngjit në kuotën e 16 pikëve, me 5 fitore në 7 javë Superligë, ndërsa humbja e javës së parë në Korçë ka nisur të harrohet, ashtu siç po harrohet edhe goli i vetëm i pësuar.

Tifozët u kënaqën jo vetëm për fitoren, por sidomos për lojën dhe për golat që po shënohen të shumtë, dhe për herë të parë pas kaq kohësh, ekipi i tyre ka më shumë rrjeta sesa ndeshje. Tashmë, kryeqytetasit presin rezultatin e rivalëve direktë për titull, në sfidën e Korçës, që do të luhet këtë të enjte, mes Skëndebeut e Kukësit.

Gjithsesi, ata e kanë hedhur bindshëm kandidaturën për titull./abcnews.al

partizz.png
ent ela18:50 | 01/10/2018

Superliga shqiptare këtë vit pritet të ketë një kampion tjetër. Ky është mendimi I ish-futbollistit të njohur, Alpin Gallo, që gjykon se Skënderbeu do ta ketë më të vështirë.

Nuk është se u bind vetëm nga derbi. Partizani vlerësohet si pretendenti kryesor për titull këtë sezon, sipas njërit prej njerëzve të brendshëm të futbollit.

Alpin Gallo, ish-mbrojtës i qendrës i Tiranës, Dinamos dhe vetë Partizanit, sot trajner i futbollit të moshave, bën këtë vlerësim.

“E shoh më shumë Partizanin dhe është më stabël, më skuadër, nuk ka ulje-ngritje, kurse Skënderbeu nuk është më ai i vjetshmi, bëri ndeshje të mirë me Flamurtarin, luajti me Tiranën dhe rrihet nga Durrësi”.

Gallo e sheh Superligën me më shumë rivalitet sesa vjet, besohet në thonjëza “për meritë” të Skënderbeut, që nuk është aq i fortë sa më parë.

“Jo për meritë të Skënderbeut, se jo vetëm Skënderbeu ka pasur lëvizje e merkato, por edhe skuadrat e tjera janë fuqizuar si psh. Pratizani që jo vetëm në ndryshim në lojtarë, por edhe në elementë, Kukësi që është mjaft potent”.

Si e gjykon Gallo, ekipin ku luajti për disa vjet, Tiranën?

“Pashë një Tiranë që ka dalë nga shpirti i garës, lufta, sakrifica, 45 minutëshi i dytë që nuk pati asnjë gjuajtje nga Tirana, tifozët nuk duhet ta pranojnë”.

Superliga, me përjashtim të derbit, nuk ka shumë tifozë, dhe nuk ka shumë gola.

“Duhet shpejtësi, sepse shumë lojtarë hyjnë në javën e 6, ekipet jashtë i kushtojnë rëndësi përgatitjes fizike dhe qëndrueshmërisë. Samë të larta të jenë këto elementë aq më shumë ritme do kemi”. /abcnews.al

PARTIZANI-ME-I-MIRE-1280x720.jpg
ent ela17:51 | 22/09/2018

Partizani mund të quhet pa frikë pretendent për titull, pas paraqitjes që bëri ndaj Flamurtarit. Suksesi i skuadrës së trajnerit Gega u arrit falë dominimit me lojë.

Duhej të vinte java e pestë për t’u bindur sado pak. Partizani, po, që mund të quhet pretendent për titull në këtë kampionat, siç u pa qartë në fitoren ndaj Flamurtarit në kryeqytet.

Formacioni i trajnerit Skënder Gega tregoi një dominim kaq të madh, ndaj një ekipi padyshim të fortë, saqë nuk mund të mos e mendosh si konkurrent për Skënderbeun apo çdo ekip tjetër që synon kurorën.

Lojë sulmuese, harmoni mes reparteve dhe lojtarë që luajtën për njëri-tjetrin. E qartë që ky nuk është Partizani i vjetshëm, me egot e shumta si Moxhi, Iuliano apo Starova.

Flitet për ekipin e një trajneri që, edhe pse nuk e dimë nëse do të bëhet i madh, është padyshim një autoritet që i jep seriozitet postit të tij.

Ai e bëri një parashikim para ndeshjes. Kryeqytetasit nuk e patën problem që lojtarë si Batha apo Torasa janë larguar, madje ishin kundërshtarë këtë të premte, ndërsa të rinjtë luajtën me besim.

A mund të quhet ky sezoni i Partizanit?

Është e parakohëshme ta vlerësosh kështu, pas vetëm një ndeshjeje shumë të mirë, sidomos me një Skënderbe që mbetet në krye.

Sidoqoftë, mund të thuhet pa frikë se gabon, se kryeqytetasit nuk do të jenë sërish një zhgënjim. /abcnews.al

napoli.jpg
G. P.09:20 | 19/04/2018

Gara për titullin në Serinë A mbetet e hapur. Juventusi gaboi, ndërsa Napoli arriti një fitore të vështirë, duke qenë tani vetëm 4 pikë larg
Një tjetër roveshatë ndëshkon kampionët.
Pas asaj që i ndodhi me Cristiano Ronaldon në Champions, ja goditja e radhës, këtë herë në kampionat, në fushën e modestes Crotone.
Ishte një nigerian shtatlartë, me emrin Simi, që realizoi golin vërtet të veçantë që i hoqi Juventusit fitoren nga dora, dhe ia ndërlikoi rrugën drejt titullit.
Barazim 1-1 dhe diferencë e shkurtuar në 4 pikë ndaj Napolit ndjekës, kur duhen edhe 5 ndeshje deri në përfundim të Serisë A.
Ja që edhe kampionët mund të gabojnë, e të mos jenë të përsosur, ndonëse mbeten favoritë për suksesin përfundimtar, duke pasur 85 pikë ndaj 81 të napolitanëve.
Juve kaloi në epërsi me golin e Alex Sandros që në minutën e 16 dhe u mendua se do të fitonte, por nuk ia doli.
Napoli përfitoi, ndonëse e pati tepër pisk ndaj Udinese, brenda në “San Paolo”.
Fitoi 4-2 pasi u ndodh dy herë në dizavantazh, duke treguar se nuk i mungon karakteri edhe kur gjendja duket e pashpresë.
Insigne, Albiol, Milik e Tonelli ishin autorët e golave për ekipin e trajnerit Maurizio Sarri, që kishte sërish si titullar mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.
Nëse gara për titull mbetet e çelur, edhe më e hapur është ajo për kualifikim në Champions.
Lazio, Roma e Interi janë në garë, dhe diferenca mes tyre është vetëm 1 pikë.
Lacialët e Tomas Strakoshës kaluan një dramë në Firence, duke ia dalë në fund ndaj Fiorentinës.
Përfundoi 4-3 në stadiumin “Artemio Franki”, ku fillimisht pati dy kartonë të kuq e pastaj 7 gola.
Për kryeqytetasit shënuan Luis Alberto, Martin Casseres, Felipe Anderson dhe sërish Luis Alberto.
Rivalët e tyre, po ashtu nuk gabuan me Romën që kaloi 2-1 Genoan në stadiumin “Olimpico” dhe me Interin që mposhti 4-0 Cagliarin, një ditë më parë.
Nga Championsi abdikon Milani pas barazimit 1-1 në fushën e Torinos.
Ky rezultat e lë ekipin e trajnerit Gatusso10 pikë pas, një diferencë që praktikisht nuk mund të kapërcehet.
Në renditje, Lazio e Roma kanë nga 64 pikë, Interi 63, ndërsa Milani 54./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono