Tiranë-Durrës

auto_Nje-aksident-me-pasoje-vdekjen-ne-autostraden-Tirane-Durres1488704091.jpg
ent ela10:52 | 04/10/2019

Dy automjete u përplasën në autostradën Tiranë-Durrës mëngjesin e së premtes, ku për pasojë një i ri humbi jetën. Shkaku i përplasjes sipas specialistëve të policisë rrugore ka qenë lagështira në rrugë dhe shpejtësia tej normave e lëvizjes. Ngjarja ndodhi pranë Vorës. Edhe pse 19-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës me ugjencë, përsëri nuk mundi të shpëtonte nga goditja e marrë. Ndërkohë të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, të cilët sipas bluzave të bardha ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Për më shumë se 30 minuta njëra nga dy korsitë e autostradës u bllokua, duke krijuar edhe radhë automjetesh për ata që udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Tiranës. /ABC news Albania 24/7

tirane-durres.jpg
ent ela21:47 | 16/05/2019

Autostrada Tiranë – Durrës do të jetë me pagesë, por tarifa që do të paguajnë qytetarët në këtë aks nuk është vendosur ende. Ministria e Infrastruktures thotë se gara për të zgjedhur konçesionarin do të hapet në shtator dhe trau i pagesës do të vendoset vetëm pas zgjerimit dhe rehabilitimit të autostradës.

Autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë.  Kjo do të ndodhe vetëm pasi ajo të jetë zgjeruar dhe segmenti rrugor nga Tirana në Plepa të ketë përfunduar së rikonstruktuari.

Vlera e tarifës nuk është vendosur, ndërkohë që në vjeshtë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapë garën për të përzgjedhur kompaninë e cila do ta marrë me konçesion.

Fituese sipas Ministrisë do të zgjidhet kompania që ka bërë ofertën më të mirë, si për cilësinë e rrugës, ashtu edhe për nivelin e taksës për automjetet që do të kalojnë aty.

Ndryshe nga koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës së Kombit, pagesa për autostradën Tiranë – Durrës do të bëhet në bazë të kilometrave që do të përshkojë automjeti.

Mendohet që rruga të ketë 3 dalje të tjera veç hyrje –daljeve krysore në Tiranë e Durrës: një në aksin që të lidh me aeroportin, një në Vorë dhe një tjetër në afrësi të Sukthit.

Në 2018-ën një kompani indiane e përfaqësuar në Shqipëri nga firma “Albstar” dhe “Trema inxhiering” dorëzoi një ofertë të pakërkuar për të zgjeruar autostradën e më pas për të rehabilituar rrugën e vjetër të Ndroqit, e cila nuk do të jetë me pagesë dhe do të jetë si një segment alternativ.

Qeveria ende nuk ka dhënë një bonus për këtë ofertë.

Kostoja e zgjerimit të autostradës që u propozua nga kjo kompani ishte 380 milion euro, para të cilat do të jepen nga kompania dhe do të mblidhen më pas sipas një formule, ku një pjesë do t’i japë buxheti i shtetit e një pjesë do te sigurohet nga tarifa që do të vilet.

Në bazë të një studimi fizibiliteti të kryer nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rekomandohet që tarifa për një kalim në këtë aks prej 34 kilometrash të jetë 1.2 euro. /ABC news Albania 24/7

 

 

autostrada.jpg
ent ela11:52 | 03/03/2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë bën me dije se në autostradën Tiranë – Durrës, nga Rrethrrotullimi Shqiponja u raportua nga ana e kontraktorit për mirëmbajtjen e këtij aksi, një tentativë për vjedhje të kabllit të linjës së ndriçimit në një gjatësi prej 820 m.

Sipas ARRSH-së, prsona të paidentifikuar kishin gërmuar dhe thyer betonet duke dëmtuar në shumë vende kabllin e ndriçimit në këtë gjatësi të rrugës dhe duke marrë një sasi të tij.

Pas njoftimit Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët gjatë së shtunës vodhën kabllin e energjisë elektrike të shtyllave të ndriçimit.

Policia paralajmëron se kushdo që cënon apo vjedh pronën publike, do të penalizohet me forcën e ligjit! /abcnews.al

GJIKNURI-INSPEKTON-PUNIMET-NE-AUTOSTRADE-1280x720.jpg
ent ela14:31 | 07/01/2019

Kjo ndërhyrje pritet t’i japë fund përmbytjeve në autostradën Tiranë-Durrës pavarësisht intensitetit të reshjeve. Punimet që po kryhen  për vendosjen e dy tombinove në segementin nga mbikalimi i Kamzës në atë të Kasharit u inspektuan nga Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.

“Është bërë një studim hidrik për gjithë këtë pjesë të autostradës dhe ka rezultuar si nevojë emergjente vendosja e dy tombinove. Këto dy tombino bashkë me pastrimin e kanaleve do të bëjnë të mundur që sasia e reshjeve në maksimumin e tyre të mos krijojë më përmbytje në autostradë. Është një projekt i bërë në kuadër të programit të qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve. Punimet po bëhen tani sepse nuk dëshironim të bëheshin gjatë Dhjetorit për shkak të trafikut të rënduar të festave”.

Më pas në segmentin nga mbikalimi i Kasharit deri në Vorë do të nisë ndërhyrja për pastrimin e tombinove. Në vlerësimin e ministrit Gjiknuri kjo është ndërhyrja e parë serioze që po bëhet për sistemimin e një problemi shumëvjeçar. Ndërkohë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për trafikun me të cilin po përballen, ndërsa kryhen punimet.

“Investimi është në kuadër të programit rehabilitues të rrugëve. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pengesë që mund të krijohet gjatë këtyre ditëve në trafik por kjo është e domosdoshme për të evituar probleme edhe më të mëdha. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë në këtë rast. Vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro. Një vlerë e cila nuk ishte menduar më parë për mirëmbajtjen e rrugëve. Produktet janë të prekshme, me sinjalistikën, riparimin e disa akseve kryesore. Edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullim shtresash asfaltike”.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren. Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342,000 euro pa TVSH. /abcnews.al

 

autostrada.jpg
ad min14:14 | 04/01/2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar që në orët e para të ditës së premte ka nisur punimet në autostradën Tiranë-Durrës, punime që parashikoht të zgjasin për rreth dy javë. Vendosja e dy tombinove rrethore te Kthesa e Rinasit për të shmangur përmbytjet, pritet të sjellë edhe devijim të trafikut të automjeteve.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar punimet në autostradën Tiranë-Durrës parashikohet të zgjasin për rreth dy javë, kjo edhe në varësi të kushteve atmosferike. Autostrada është bllokuar pjesërisht dhe trafiku do të devijohet për shkak të ndërtimit të dy tombinove rrethore te Kthesa e Rinasit, për të shmangur situatën e përmbytjeve.

Gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve autostrada Tiranë–Durrës në segmentin mbikalimi Kamëz–mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugët dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje. Sipas ARRSH dalja në rrugët dytësore është e mundur te Spitali Hygeia, QTU,  si dhe te kthesa e Domjes ku është krijuar një rrugë aksesi e përkohshme.

ARRSH rekomandon përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut nga Kamza dhe në drejtim të jugut nga Ndroqi ose Elbasani. Punonjësit e ARRSH-së dhe të policisë do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të miratuar. Vlera e punimeve është 342.000 euro pa TVSH. Kujtojmë se kjo është ndërhyrja e dytë që bëhet në autostradë brenda pak muajve, pasi në verë u bë riparimi i shtresave asfaltike./abcnews.al

BLLOKOHET-AUTOSTRADA-TIRANE-DURRES-1280x720.jpg
ent ela16:25 | 30/12/2018

Nga data 4 janar në orën 5 të mëngjesit do të devijohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se do të fillojë ndërhyrja emergjente për përmirësimin e situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy (2) tombinove në segmentin rrugor Tiranë–Qafë Kashar (kthesa Rinas).

Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve:

  1. Autostrada Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalimi Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.
  2. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.
  3. Përdoruesëve të rrugës u rekomandohet që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

Sinjalistika rrugore që do të vendoset në terren duhet respektuar në mënyrë rigoroze kërkon ARRSH dhe Policia Rrugore me qëllim shmangien e bllokimit të qarkullimit.

Në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk saktësohet data e fillimit të qarkullimit normal të automjeteve, por sqaron se punimet parashikohet të realizohen sipas grafikut të miratuar. /abcnews.al

policia-naten-aksident-933x445.png
ent ela16:50 | 28/08/2018

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur pak pas mesnatës në autostradën Durrës – Tiranë. Policia njofton se një automjet tip benz ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një Volksvagen. Për pasojë ka humbur jetën pasagjeri i mjetit tip benz. Ai është pakistanezi me iniciale N. R. Ndërsa është arrestuar drejtuesi i mjetit tip “Mercedez Benz”, 25, vjeçari Sabah Maçi, i cili ka pësuar dëmtime të lehta.

Njoftimi i Policisë

Më datë 28.06.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi Sabah Maçi, 25, vjeç, lindur në Has e banues në Angli, pasi rreth orës 00:40 në autostradën “Durrës – Tiranë”, duke drejtuar mjetin tip “Mercedez Benz”, me pasagjer shtetasin e huaj pakistanez N. R., ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe është përplasur me mjetin tip “Volksvagen”, me drejtues shtetasin B. Ll., ku për pasojë ka gjetur vdekjen pasagjeri i mjetit tip “Mercedes Benz”, shtetasi i huaj N. R., ndërsa drejtuesi S. M., ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. /abcnews.al

RADARI-SHOFERET-TIRANE-DURRES-1280x720.jpg
ent ela17:11 | 19/08/2018

Thirrjet e përsëritura të Policisë Rrugore për kujdes gjatë drejtimit të automjeteve  vazhdojnë të injorohen nga disa shoferë. Nëntë drejtues mjetesh humbën patentat e tyre të shtunën, pasi radarët i kapën duke ecur me shpejtësi 150-170 km/h në aksin Tiranë-Durrës.

Një prej tyre është ky drejtues mjeti, i ndaluar nga një patrullë e rrugorëve mbrëmjen e së shtunës në aksin Tiranë-Durrës.

Radari kishte fiksuar lëvizjen e tij me shpejtësi 170 km/h, në një kohë që në këtë segment rrugor kufiri maksimal është 90 km/h.

Kjo shkelje i ka kushtuar heqjen e patentës shoferit 24 vjeçar.

“Drejtuesi i mjetit kësaj here, ishte me fat pasi shpëtimtari ishte polici dhe radari e drejtuesi i mjetit shkoi shëndoshë në banesë, por pa patentë”, thuhej në postimin e Policisë së Shtetit në facebook.

Sipas policisë, nëntë drejtues mjetesh kanë humbur patentat, për shkak të drejtimit në këtë aks në shpejtësi që varionin nga 150-170 km/orë.

Sipas të dhënave të shërbimit të Policisë Kufitare dhe Emigracionit në 15 ditët e para të muajit Gusht 2018, në pikat e kalimit kufitar në territorin e Shqipërisë janë futur rreth 100 mijë mjete.

Për këtë shkak në Policia Rrugore ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese duke u kërkuar drejtuesve të mjeteve të ngasin me përgjegjshmëri.  /abcnews.al

durresa.jpg
ad min15:52 | 24/07/2018

Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë Durrës do të nisi në janar të vitit 2019. Zbatimi i projektit do të bëhet i mundur pasi u miratua në parlament granti i fundit prej afro 90 milionë eurosh. Linja e re hekurudhore përfshin largimin përfundimtar të trenave me naftë dhe zëvendësimin e tyre me trena elektrikë.

90.6 milionë euro është granti që përmbyll faturën financiare të projektit për rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës me gjatësi 34.2 kilometra si dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit, me gjatësi 4.7 km.

Këtu përfshihen edhe degëzimet shtesë në Tiranë dhe Durrës, me gjatësi 980 metra dhe 800 metra respektivisht, për të lidhur linjën e re me terminalin publik.

Projektigji i miratuar në seancën e fundit parlamentare parashikon që projekti të nisë zbatimin në Janarin e ardhshëm dhe të përfundojë më 31 Dhjetor të vitit 2020, pas sigurimit të fondeve nga qeveria shqiptare.

Sistemi ekzistues hekurudhor i Shqipërisë u zhvillua në mes të 1947 dhe 1986. I tërë rrjeti është një pistë e vetme, jo të elektrizuar, me kalime unazore në stacione.

Linja e re hekurudhore përfshin largimin përfundimtar të trenave me naftë dhe zëvendësimin e tyre me trena elektrikë në linjën Durrës-Rinas-Tiranë e anasjelltas.

Përfitimet që parashikon të sjellë ky projekt është reduktimi i kohës së lëvizjes, zvogëlimin e trafikut rrugor, komoditetin në lëvizje, reduktimin e ndotjes dhe zhvillimin e ekonomisë dhe punësimit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono