Tirana

Mema.png
Veronik Istrefaj18:31 | 20/09/2019

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, foli për mediat para ndeshjes kundër Kukësit në konferencën e zakonshme për shtyp, ku u shpreh:

RIVALI – “Kukësi është ekip shumë i fortë, ka elementë mjaft cilësorë brenda vetes, duhet menaxhuar shumë mirë kjo ndeshje. Duhet të përgatisim mirë ndeshjen dhe shpresojmë që të bëjmë më të mirën nesër dhe të marrim një rezultat pozitiv”.

RËNDËSIA – “Kjo është më e rëndësishme. Nëse do fitosh është shumë test i mirë. Për të fituar, duhet të punojmë goxha mirë gjatë lojës. Nuk duhet të jetë test shansi, por test pune, për të matur forcat tona në raport me kundërshtarin.

GRUPI – “Torasa është pjesë e grupit nesër. Nuk do ta fillojë nga minuta e parë, por do të jetë pjesë e grupit. Ndryshe nga viti i kaluar, Kukësi ka kontingjent të ri lojtarësh, por i kanë ikur lojtarë të rëndësishëm si Shameti dhe Rama”.

LOJTARËT – Diçka fola me futbollistët pas ndeshjes me Skënderbeun. Euforia na bën dëm, entuziazmi është goxha i mirë. Pashë shumë lojtar nëpër media, nuk është se ka ndonjë gjë. Opinioni sportadësh po flet para kohe. Akoma nuk është bërë gjysma e fazës së parë. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Ne na duhet ti shikojmë ndeshjet hap pas hapi. Duhet të jemi të thjeshtë në lojë dhe në qëndrimet pas ndeshjes. Nuk më intereson se çfarë mendojnë mediat apo sportdashësit, kjo ka qenë më e rëndësishmja.

BARAZIMI – “Kjo është një ndeshje futbolli. Ka të mirat dhe të këqijat e veta. Mund të luash shumë mirë dhe t’a humbasësh. Duhet të bëjmë maksimumin për të mos humbur. Të shikojmë dhe të masim forcat nesër me kundërshtarët”.

DERBI – “Partizani ka pasur një ecuri jo të mirë këto ndeshje. Elementët brenda ekipit i ka. Çdo gjë varet nga periudha, lojtarët, trajneri i ri. Shpresojmë fillimisht të kalojmë Kukësin dhe pastaj të shohim për Partizanin. Tifozët e Tiranës mezi e presin atë ndeshje për ta fituar”.

kukesi-tirana.jpg
Vladimir Prenga10:11 | 20/09/2019

Kukësi dhe Tirana përballen nesër prej orës 19:00, duel ky i 30-ti mes këtyre dy skuadrave. Bilanci është në favor të skuadrës verilindore, që ka fituar 14 herë, kurse bardheblutë janë gëzuar në 9 ndeshje. Gjashte prej sfidave janë mbyllur në barazim.

Këtë herë do të jetë një sfidë ndryshe, me Tiranën që nuk niset si jo favorite. Skuadra e Ardian Memës kryeson kampionatin pas katër javësh kampionat, ndërkohë që kjo përballje luhet në fushë asnjanëse, në Elbasan.

Gjithsesi te Kukësi nuk e kanë problem këtë pjesë, teksa në faqen e tyre zyrtare kanë postuar videon me rastet dhe golat e ndeshjes së fundit në kampionat me Tiranën. Triumf në “Selman Stërmasi”, me dy gola të Vasil Shkurtajt. Sigurisht në kampin bardheblu nuk e harrojnë as finalen e Kupës, në Elbasan, ku Kukësi doli me kokën lart. /abcnews.al

FB_IMG_1568906186116.jpg
Vladimir Prenga17:17 | 19/09/2019

Tirana e ka nisur mbarë kampionatin, por për të realizuar objektivin titull duhet vazhdimësi. Kampionati sapo ka nisur dhe në kampin bardheblu e dinë shumë mirë se asgjë nuk do të jetë e lehtë. Trajneri Ardian Mema e ka thënë hapur që çdo ekip i mobiluar është në gjendje t’i prishë punë çdo kundërshtari.

Ndaj edhe çdo ndeshje do vlerësimin e duhur. Tirana ndeshjen e radhës e zhvillon të shtunën, ndaj Kukësit në stadiumin “Elbasan Arena”. Stafi teknik për këtë ndeshje do të ketë të gatshëm edhe portierin Ilion Lika, i cili është rikthyer nga Gjermania.

Në sfidën me Skënderbeun ishte Edvan Bakaj në mbrojtje të katërkëndorit dhe bëri një paraqitje të mirë. Me shumë mundësi edhe ndaj Kukësit ai do të jetë titullar, duke pasur parasysh formën dhe faktin që Lika nuk është stërvitur gjatë kësaj periudhe.

Lajmi tjetër i mirë vjen nga Agustin Torassa. Sulmuesi argjentinas është rikuperuar dhe trajneri Mema mund të bëjë llogari me të. Me Kobbinah që po kalon një moment të mirë, ashtu sikurse edhe Grent Halili, trajneri Mema duhet të mendohet mirë për lojtarin që do të aktivizohet në të djathtë të sulmit. /abcnews.al

bashkepunimi-tregtia.jpg
G. P.16:13 | 19/09/2019

Infrastruktura mbetet problemi kyç për bashkëpunim mes biznesmenëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria. Gjatë një takimi në Shkup, ata kanë kërkuar nga politikanët që të përshpejtojnë projektet infrastrukturore dhe të reduktojnë procedurat për qarkullim më të shpejtë të mallrave, që do të rezultonte me bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh tregtar.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka iu bëri thirrje autoriteteve të nisin punët në teren për rehabilitimin e infrastrukturës që lidh këto vende, lehtësimin e proceduarve administrative dhe heqjen e barrierave jotarifore.

Kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, fajin e adresoi tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, dy vendet kanë potenciale për bashkëpunim më të mirë ekonomik, por se kjo duhet të zbatohet në praktikë.

Kryetari i OEMVP- Nebi Hoxha kërkoi nga autoritetet e vendit të përshpejtojnë ndërtimin e autostradës Shkup Bllacë pasi afati i për ndërtim e të njëjtës deri në vitin 2023 për ta është i papranueshëm.

Ndërkohë, autoritetet e premtuan përfundimin e shpejtë të procedurave për autostradën. Por, rruga deri në Bllacë ende është në fazën tenderuese të pjesës së parë, ku sipas autoriteteve të Shkupit ndërtimi fillon në fund të këtij viti, e pjesa tjetër e 12.5 kilometrave do të tenderohet me gjasë fillim vitin që vjen, e pritet të përfundoj në vitin 2023. /ABC News Albania 24/7

tirana-ndeshja-e-jetes.jpg
G. P.22:18 | 18/09/2019

Tirana barazoi pa gola në transfertën e Shenkollit, sfidë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në datën 2 Tetor.

Skuadra e Tiranës ka zhgënjyer në takimin e parë ndaj Shënkollit në sfidën e vlefshme për kupën e Shqipërisë. Bardheblutë luajtën në transferte dhe treguan një paraqitje krejtësisht ndryshe si në kategorinë Superiore.

Trajneri Mema inkuadroi nga minuta e parë disa prej futbollistëve titullarë. Bakaj, Kerçiku, Muça, Imami, Vangjeli, Karabeci, Çelhaka, Doka, Torasa, Muçi dhe Dunga startuan tek bardheblutë.

Tirana ishte dominuese, por në kampin kryeqytetas janë të përqendruar më tepër në kampionat ku bardheblutë po konfirmohen nga ndeshja në ndeshje si skuadra për t’u mundur.

Tirana ishte dominuese në pjesën më të madhe të lojës, por lojtarët e Shënkollit u vendosën në mbrojtje duke mbyllur hapësirat. Për Tiranën u bë tepër e vështirë të depërtonte në zonën kundërshtare dhe sfida përfundoi me rrjeta të paprekura.

Futbollistët miq nuk harxhuan më tepër energji pasi në fundjavë kanë një tjetër transfertë, por kësaj radhe ndaj Kukësit për kampionat. Një ndeshje që peshon shumë për 24 herë kampionët e Shqipërisë.

Transferta e Shënkollit për kupën e Shqipërisë është ndalesa e parë për këtë edicion tek skuadra e Tiranës. Takimet e kthimit në ndeshjet e kupës do të zhvillohen në datën 2 Tetor./ABC News Albania 24/7

migjen-basha.jpg
G. P.23:09 | 17/09/2019

Skuadra e Tiranës është e interesuar për të siguruar shërbimet e ish-futbollistit të kombëtares Migjen Basha. Aktualisht mesfushori aktivizohet tek Aris në kampionatin grek.

Skuadra e Tiranës u përforcua në merkaton e verës me lojtarë tepër cilësorë. Bardhbelutë po marrin frytet e këtyre lëvizjeve pasi aktualisht renditen në vendin e parë në kampionatin shqiptar.

Mesa duket kjo nuk i ka mjaftuar drejtuesve të klubit më të titulluar në Shqipëri që tashmë kanë hedhur vështrimin nga ish-futbollisti i kombëtares Migjen Basha. Mesfushori lajmëroi pak ditë më parë tërheqjen nga ekipi përfaqësues ndërkohë që është në kërkim të një aventure të re në rang klubesh.

Futbollisti i cili aktivizohet në kampionatin grek me skuadrën e Aris, mund të vijojë karrierën në Australi, por së fundmi mediat greke zbulojnë se në garë për të siguruar shërbimet e 32-vjeçarit është futur Tirana dhe skuadra zvicerane e Lozanës.

Për 24 herë kampionët e Shqipërisë, Basha do të ishte një përforcim i madh në repartin e mesit të fushës. Kampionati shqiptar është i përballueshëm për ish-futbollistin e kombëtares dhe do të forconte akoma më tepër kryesuesit e superiores./ABC News Albania 24/7

71041089_534761534006721_7326923330315878400_n-1280x960.jpg
ent ela11:50 | 17/09/2019

Sikurse është bërë tashmë traditë, kryebashkiaku Erion Veliaj u ka dërguar dje nga një letër të gjithë nxënësve të kryeqytetit për t’i uruar për vitin e ri arsimor. Në letrën frymëzuese e plot këshilla për nxënësit e kryeqytetit, Veliaj u kërkon atyre që të jenë mendjehapur ndaj së resë dhe të marrin me pozitivitet dhe entuziazëm çdo sfidë bashkë me familjarët e miqtë si një skuadër. Duke i cilësuar ata si motivin e punës së tij dhe aleatët më të mirë që ka në sfidën e madhe për ndryshimin e qytetit, Veliaj liston një sërë projektesh të rëndësishme që priten të realizohen në Tiranë.

Letra emocionuese e Veliajt për nxënësit e Tiranës:

Përshëndetje! Urime dhe suksese në këtë vit të ri shkollor! Këshilla ime e vetme ndaj të gjithëve ju është: “Jini mendjehapur”, pasi, siç e thotë një shprehje e njohur, “Mendja është si parashuta, funksionon më mirë kur hapet”! Merreni me pozitivitet dhe entuziazëm çdo sfidë; mos ngurroni ta doni atë me shokët e familjarët, pasi në skuadër sfidat janë më të lehta se sukseset më të ëmbla. Doja t’ju folenderoja nga zemra! Jeni ju motivi i punës sime dhe aleatët e mi më të mirë, në sfidën e madhe për ndryshimin e qytetit! Jam i lumtur që këtë vit kam patur mundësinë të takoj kaq shumë të rinj të zgjuar dhe entuziastë, apo të njihem me projektet e tyre fantastike. Jam kaq krenar për Arlën, Dean dhe Jonadën, që fituan çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar në SHBA me aplikacionin “GjejZa”, po aq edhe për Denin e Arkidin, që fituan medaljet e bronzit në Kimi dhe Informatikë, në Olimpiadën e Metropoleve, Moskë.

Shkollat janë vendet ku ju edukoheni dhe formoheni si qytetarët e së ardhmes dhe si të tilla, ato duhet të ofrojnë kushtet më të mira. Palestrat, fushat sportive, laboratorët dhe hapësirat rikrijuese do të jenë në dispozicionin tuaj edhe pas përfundimit të shkollës, në mënyrë që të hapni dyert e imagjinatës dhe të zhvilloni më tej aftësitë tuaja.

Do të vijojmë intensivisht punën për projektin e Piramidës, për ta kthyer në qendrën më të madhe të zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit në Ballkan. Aty do të keni mundësi të mësoni e të njiheni me shumë shokë e shoqe, të cilët ndajnë të njëjtin pasion me ju. Por, që të kemi mundësi të zhvillojmë më tej të ardhmen, ju mirëpres në nismat e mbjelljes së pemëve, pastrimit të qytetit apo riciklimit të mbeturinave. Gjatë shtatorit do të nisim një fushatë të quajtur STEPtember, dhe zotohemi të përdorim më pak makinat, duke ecur e pedaluar më shumë. Kështu, bëhemi gati edhe për maratonën në 13 Tetor. Më e mira na pret! Le të ndërtojmë së bashku qytetin që Ju ëndërroni, hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi. Jemi një skuadër e madhe pune për Tiranën, të cilën kemi fuqinë dhe mundësinë ta projektojmë ashtu siç ne dëshirojmë. Forca dhe suksese! Gjithmonë fansi juaj më i madh, Erion VELIAJ. /abcnews.al

tirana-skenderbeu-1-1280x822.jpg
nev ila21:17 | 14/09/2019

Trajneri i Tiranës Ardian Mema tha pas ndeshjes se skuadra e tij duhet të zgjidhë takimin më shpejt ndërkohë që kreu i pankinës së Skenderbeut Ilir Daja deklaroi se mungesat e shumta ndikuan në këtë përballje.

Tirana shkëlqeu ndaj Skënderbeut duke fituar me rezultatin 3-1.

Një paraqitje mjaft e mirë e të besuarve të trajnerit Ardian Mema i cili nuk e fshehu  lumturinë për fitoren e radhës por kërkon nga lojtarët ti mbyllin ndeshjet më shpejt.

Autori i golit të dytë për Tiranën, Grent Halili tha pas ndeshjes se bardh e blutë nuk janë favorite për titull si dhe theksoi se është momenti i duhur që të mundin Partizanin në derbi.

Trajneri i Skënderbeut Ilir Daja tha pas ndeshjes se skuadra e tij nuk është në krizë pas dy humbjeve radhazi si dhe korçaret kanë si synim vendet e para të renditjes./ABC News Albania 24/7

tirana-ndeshja-e-jetes.jpg
nev ila19:41 | 14/09/2019

Tirana mund Skënderbeun në minutat e fundit dhe mban kreun e renditjes së Superligës. Skuadra kryeqytetase e meritoi suksesin në stadiumin “Selman Stërmasi”

E ka talentin dhe fanelën, ndërsa mbetet të tregojë vazhdimësinë.

Tirana hodhi një tjetër hap drejt konfirmimit si pretendente e fortë për titullin në Superligë, me fitoren 3-1 ndaj Skënderbeut, një sukses që ishte më i vështirë sesa e tregon rezultati.

Skuadra e trajnerit Ardian Mema e dominoi lojën në “Selman Stërmasi”, por tri pikët u siguruan vetëm në 5 minutat e fundit.

Aksionet e shumta dhe rastet ishte vështirë të ktheheshin në gol, ndërsa Skënderbeu i trajnerit Ilir Daja pati edhe fatin e keq që iu dëmtua një nga lojtarët e paktë me përvojë, kapiteni Gjergji Muzaka, që doli nga fusha që në pjesën e parë.

Tiranasit, 24 herë kampionë të Shqipërisë, e gjetën vonë avantazhin 1-0, me anë të Ngosë në sekondat e fundit të pjesës së parë, dhe po ashtu edhe suksesin final.

Korçarët, që kanë ende një lloj hijeje të rëndë nga e kaluara, barazuan papritur me anë të Pollozhanit, dhe u duk se mund ta merrnin barazimin, për të mos u shkëputur shumë nga kreu i tabelës.

Nuk ia dolën dhe kjo erdhi logjikshëm, pasi Tirana pati më shumë cilësi, po ashtu një stol me më shumë alternativa.

Goli më të rëndësishëm, atë të avantazhit 2-1, e shënoi djali i presidentit, Grent Halili, që minutat në fushë i ka për meritë të tij, dhe jo të babit.

Kaq u desh, dhe bardheblutë mbyllën gjithçka më pas, me golin e tretë të shënuar nga Hoxhallari.

Tirana ka 10 pikë pas 4 ndeshjeve, një seri rezultatesh që nuk ishte parë prej kohësh dhe tifozët mund të mendojnë seriozisht për titullin, që nuk fitohet që nga viti 2009./ABC News Albania 24/7

tirana-skenderbeu.jpg
G. P.13:26 | 13/09/2019

Tirana-Skënderbeu është kryendeshja e javës së katërt në kategorinë Superiore. Kampionet në fuqi të Partizanit udhëtojnë në transfertën e Laçit ndërkohë që Kukësi luan ndaj Bylis.

Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë ku spikat dueli Tirana-Skënderbeu. Një ndeshje kornizë për javën e katërt në elitën e futbollit shqiptar, e cila do të startojë të shtunën në orën 16:00. Bardheblutë do të shfrytëzojnë faktorin fushë pasi sfida do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”. Kryeqytetasit janë në një formë të shkëlqyer pasi kryesojnë tabelën e klasifikimit në kuotën e 7 pikëve.

Nuk qëndron pas Skënderbeu që ka bërë një nisje të mirë të sezonit me dy fitore dhe një humbje. Përtej tre pikëve fitorja vlen shumë në aspektin moral në të dyja kampet. Skënderbeu vjen në këtë sfidë me disa mungesa ndërkohë që Tirana paraqitet e plotë.

Të shtunën do të zhvillohen edhe dy takimet e tjera. Flamurtari udhëton në transfertën e Luftëtarit. Një sfidë delikate për vlonjatët pasi nuk kanë marrë ende pikën e parë në këtë edicion. E njëjta situatë paraqitet edhe në kampin gjirokastrit që do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë.

Teuta do të presë Vllazninë në “Niko Dovana”. Një sfidë me interes shumë të lartë pasi objektivat sezone në të dyja kampet janë maksimale. Teuta është disi më e avantazhuar, por shkodranët nuk duhen nënvlerësuar pasi në tre ndeshjet e para kanë treguar një futboll sulmues.

Kampionët në fuqi të Shqipërisë, Partizani do të luajë të dielën në transfertën e Laçit. Një sfidë delikate për të kuqte që do të udhëtojnë në një fushë të vështirë ndërkohë që në kampin e kryeqytetasve nuk ka mungesa të rëndësishme me përjashtim të Solomon i cili u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit.

Kukësi i teknikut Shpëtim Duro do të luajë ndaj Bylis. Tre pikët janë detyrim për verilindorët që synojnë vendin e parë në renditje. Kukësi është favorit absolut, por Bylis vjen në këtë takim në formën më të mirë pasi mposhti në ndeshjen e fundit skuadrën e Skënderbeut me rezultatin 3-0./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono