thirrje

lul-basha-konference-1.jpg
eri Ida11:16 | 26/02/2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë thirrje strukturave të partisë që ti bashkohen tubimit të thirrur nga Presidenti i Republikës me 2 mars.
Kryedemokrati përmes një mesazhi të dërguar strukturave të PD-së thekson se duhet t’i përgjigjen çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura.

Ndër të tjera ai ka theksuar se e mbështet tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën

Gazetari i ABC News Juxhin Mustafaraj raporton se mesazhi që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar strukturave të partisë, ka qenë në formën e një thirrje që të marrin pjesë në këtë tubim të thirrur nga presidenti i Republikës në mbrojtje të Kushtetutës. Ndërkohë një gjë që vihet re është se zakonisht në protesta PD-ja ka pasur një mirorganizim ku simpatizantë të ndryshëm vinin me makina, ndërsa në këtë tubim duket se nuk ka një angazhim të tillë. Gjithashtu ai ka bërë me dije se nga ana e opozitës nuk do të ketë fjalime në tubimin e 2 marsit.

Mesazhi i plotë:

Të nderuar Kryetarë,

Më poshtë mesazhi i Kryetarit Basha për tubimin e organizuar nga Presidenti i Republikës më datën 2 Mars 2020, ora 17:00, ne Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”:

“Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”.

Persa i perket kujdo qe ju pyet sigurisht qe te gjithe ne duhet te jemi atje ne mbeshtetje te presidentit , ne mbrojtje te kushtetutes ! Organizim me autobuze apo me makina per arsye financiare nuk do te kete !/abcnews.al

meta1.jpg
nev ila09:03 | 25/02/2020

Presidenti i vendit, Ilir Meta vazhdon akuzat dhe thirrjet e forta per shqiptaret, te cileve u kerkon te zgjohen dhe te ngrihen, pasi sipas kreut te shtetit “ketu institucionet kane rene pertoke”.

Me nje shenim ne faqen e tij ne Facebook, Meta sqaron arsyet se përse i drejtohet Popullit qe të protestojnë në 2 mars: “Përse Presidenti i drejtohet popullit?” është pyetja e Metës.

Duke renditur të gjithë arsyetimet e tij dhe shkeljet e bëra nga Kuvendi dhe KED që sipas Presidentit janë bërë për të marrë pushtetet në mënyrë që të  mos hetojnë veten, “mafia nuk heton veten“, shkruan Meta.

“Ndaj të dashur qytetarë, zgjohuni dhe ngrihuni se këtu institucionet kanë rënë përtokë. Ngrihuni për të rivendosur sovranitetin tuaj të nëpërkëmbur përmes rivendosjes së rendit kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës.

Mirësevini në Manifestimin historik dhe shembullor të 2 marsit. Koha që sovrani të rimarre sovranitetin në duart e tij! E gjithë bota demokratike ta shohe se jemi komb shqiponjash që s’mund të përdhosemi nga një bandë sorrash”, e përmbyll postimin e tij presidenti.

Postimi i plotë:

“Kur rrëzohen institucionet, ngrihet populli

Përse Presidenti i drejtohet popullit?

Sepse sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit shqiptar. Të gjithë ne të tjerët, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, jemi vetëm ushtrues të përkohshëm të këtij sovraniteti dhe asgjë më shumë.

Sa shkresa zyrtare i ka drejtuar Presidenti i Republikës, Kuvendit dhe Kryetarit të tij, ku i ka kërkuar bashkëpunim për të parandaluar situatën e rëndë që po krijohej për shkak të bllokimeve të qëllimshme të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zbrazjes së Gjykatës Kushtetuese? Nuk numërohen.

Po përgjigje nga Kuvendi? Zero në mënyrë zyrtare. Po publikisht? E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët: Jemi më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Pse? Se bëjmë çfarë të duam e s’na kontrollon njeri.

Sa shkresa zyrtare i ka dërguar Presidenti, Kuvendit vetëm këtë vit për tejkalimin e situatës së rëndë në Gjykatën Kushtetuese? Nuk numërohen. Të gjitha me etikë dhe frymë pozitive për bashkëpunim në respekt vetëm të Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. A mori ndonjë përgjigje bashkëpunuese? Zero.

Sa herë e ka paralajmëruar Presidenti, Kryetarin e KED i cili ka zero kompetencë në Kushtetutë që të respektojë radhën kushtetuese dhe ligjin e Gjykatës Kushtetuese për të evituar përplasjet e mundshme midis institucioneve të Presidentit dhe Kuvendit? Nuk numërohen. Po reagimi i tij? Shkeli me të dyja këmbët edhe vendimin e vetë KED-së, e cila respektoi radhën e vakancave në mënyrë korrekte President, Kuvend, President, Kuvend.

Po ky Dvorani që s’ka asnjë kompetencë tjetër veç të qenit korrier i vendimeve kolegjiale të KED, përse nuk i nisi të katër vendimet njëherazi edhe Presidentit edhe Kuvendit në një ditë siç vendosi KED? Kush i tha këtij t’ia niste Presidentit të dy vakancat njëherazi dhe Kuvendit t’ia çonte me kokën e tij 6 ditë më vonë?

Nëse sipas këtij, radha s’qenka e rëndësishme, edhe pse është detyrim kushtetues, lind pyetja e pafajshme e çdo fëmije: Përse xhaxhi Dvorani nuk ia nisi në fillim dy vakancat Kuvendit e pas 6 ditësh t’ia çonte Presidentit? Se ke degjuar ti xhaxhi Dvorani, xhaxhi Gramozin dhe xhaxhi Ulsiun që thonë çdo ditë që Parlamenti është i pari se jemi Republikë Parlamentare, e jo Presidenciale?

Mjafton çdo fëmijë në këtë vend të lexojë vetëm letrën e fundit zyrtare të Presidentit të Republikës drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të KED, Avokatit të Popullit (për dijeni të gjitha ambasadave të vendeve të BE dhe SHBA) dhe po kështu të lexojë letrat që xhaxhi Gramozi me xhaxhi Dvoranin shkëmbejnë në 8 nëntor që të verë duart në kokë për vendin ku po rritet dhe të ardhmen që e pret ketu.

A nuk ndoqi Presidenti rrugën institucionale duke shkuar vetë në Prokurori përpara 100 ditësh për kallëzimin penal ndaj Dvoranit i cili çdo ditë që rri në atë detyrë përbën një rrezik shtetëror dhe shoqëror? Cili ka qenë reagimi nga “Drejtësia e Re”? Heshtje. Ndërkohë që Prokuroria duhet të niste vetë hetimin prej muajsh edhe ndaj celulës mafioze dhe falsifikatore në krye të Ministrisë së Drejtësisë që kishte botuar në mënyrë të paligjshme një vendim të KED për qëllime mashtrimi të opinionit publik e ndërkombetar me objektiv të vetëm rrëmbimin e shumicës në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Përse duhet shtyrë pafund një hetim kaq i thjeshtë (për shkak të flagrancës skandaloze të shumë veprave penale) që ka të bëjë me vetë Gjykatën Kushtetuese? Sepse mafia thonë nuk e heton veten. Ndaj vendosi të ngutet në panik të miratojë në mënyrë të pabesë ligjin anti-kushtetues “Të betimit buzë Lanës” një ditë para mbërritjes së Komisionit të Venecias duke shkelur çdo kod të sjelljes demokratike e institucionale dhe duke iu lutur përfaqësuesve të Komisionit të Venecias që të mos iu përgjigjen pyetjeve që Kuvendi u kishte drejtuar prej tre muajsh, me argumentin se “ne e votuam mbrëmë atë ligj. Po pse ju duhet me patjetër ky ligji anti-kushtetues këtyre? Që Dvoranin, jo vetëm të mos e ndëshkojë drejtësia për shkeljet e rënda penale që ka bërë, por ta dekorojnë duke e futur përmes këtij ligji anti-kushtetues nga oxhaku në Gjykatën Kushtetuese.

Po kështu edhe atë ngelësen e provimit të Magjistraturës, që Dvorani e nxori të parën në të katër vakancat, si mund ta lenë në baltë, kur ajo për hir të Partisë u betua në Lanë. Dhe kuptohet që kur Gjykata Kushtetuese të mbushet me këta, mos kini asnjë dyshim se Etilda do mbajë një fjalim plot “Etikë” e madje do i dalin dhe lot gëzimi nga kontributi i saj për realizimin e kryeperlës së Ramaformës.

Ndaj të dashur qytetarë, zgjohuni dhe ngrihuni se këtu institucionet kanë rënë përtokë. Ngrihuni për të rivendosur sovranitetin tuaj të nëpërkëmbur përmes rivendosjes së rendit kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës.

Mirësevini në Manifestimin historik dhe shembullor të 2 marsit. Koha që sovrani të rimarre sovranitetin në duart e tij! E gjithë bota demokratike ta shohe se jemi komb shqiponjash që s’mund të përdhosemi nga një bandë sorrash. #PërKushtetutën #PërShqipërinë #PërKombin 🇦🇱”./abcnews.al

86757820_2821958981183690_3508893151601360896_n.jpg
eri Ida12:20 | 22/02/2020

Presidenti Ilir Meta ka zbuluar detaje të reja në lidhje me 2 marsin teksa fton shqiptarët të vijnë vetëm me flamuj kuq e zi me vete.

Kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bashkengjitur  një foto me dorën mbi Kushtetutën e vendit. Presidenti Meta ndër të tjera në këtë postim ka theksuar dhe sisa nga mesazhet që do të shoqërojnë atë siç ai e quan këtë manifestimi historik i 2 marsit.

Postimi i Plotë:

Të dashur qytetarë!

Në manifestimin historik të 2 marsit ju ftoj të gjithëve t’u përmbahemi vetëm këtyre mesazheve:

PËR KUSHTETUTËN!

PËR SHQIPËRINË!

JO GRUSHTIT TË SHTETIT!

JO SHPOPULLIMIT!

TË GJITHË TË BARABARTË PARA LIGJIT!

Dhe meqënëse jemi kthyer 30 vjet pas, le ta degjojë e gjithë bota mesazhin e Shqiponjave:

LIRI DEMOKRACI!

E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA!

Ju ftoj të vini vetëm me flamuj kuq e zi!

Ju përshëndes të gjithëve me këtë foto të jetës time!/abcnews.al

ilir-metaa-1.jpg
in a09:12 | 21/02/2020

Presidenti Ilir Meta përmes një statusi në facebook u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e 2 Marsit. Sipas tij beteja nuk është për kompetencat e Presidentit por për vete ekzistencën e shtetit. Meta shprehet se nëse e lëmë mazhorancën në këtë rrugë, mbetet vetëm nënshtrimi pa kushte ose shpopullimi i vendit.

Thirrja e plotë e Metës

Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme.

Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t’i asgjesojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit.

Por jo vetëm kaq. Me rrëmbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese synohet dorëzimi “de facto” i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare.

Duhet të kuptoni se kjo nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte “de facto” Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.

Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë.

SHQIPËRIA E PARA!

SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT!


 

Screenshot_3-17.png
R D09:15 | 20/02/2020

Greva e urisë së naftëtarëve të Ballshit ka hyrë në ditën e katërt. Gjendja e tyre mëngjesin e sotëm nuk është aspak e mirë. Gazetarja e Abc News Valbona Davidhi thotë se naftëtarët kanë refuzuar ujin dhe ndihmën mjekësore. Ata kanë dhimbje koke, kollë, dhe dobësi trupore.
Përmes mikrofonit të Abc News, një prej naftëtarëve grevistë u shpreh se qeveria duhet të gjejë zgjidhje sa më shpejt.

“Jemi shumë keq, shumë të ngarkuar nga stresi, lodhja… duam zgjidhje sa më parë, qeveria të mos bëjë eksperiment me ne. I kërkojmë Kryeministrit Edi Rama të gjejë zgjidhjen sa më parë. Jeta jonë është këtu në Ballsh, uzina mban me bukë gjysmën e qytetit. Ajo nuk duhet lënë të falimentojë. Duam pagat e prapambetura. Ne nuk dalim nga këtu pa marrë zgjidhje të problemit nga qeveria”, u shpreh naftëtari i grevës së urisë.

Aktualisht në grevë janë 10 naftëtarë, ndërsa të tjerët i mbështesin me protesta jashtë uzinës. Kërkesa e tyre permanente prej tetorit 2019 e deri më tani është të marrin pagat e prapambetura dhe të garantohet vijëmisia e punës në uzinën e rafinerisë së naftës e cila është ndërprerë për shkak se mungon nafta bruto.

/abcnews.al

Lexo edhe: Rëndohet gjendja e grevistëve të Ballshit

 

kongresi-i-lushnjes.jpg
R D10:33 | 21/01/2020

Sot është 100 vjetori i Kongresit të Lushnjes, ngjarje e rëndësishme historike ku u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Presidenti i vendit, Ilir Meta marrë shkas nga kjo ngjarje shprehet se “100 vjet më vonë, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar”.

Po kështu ai bën thirrje për bashkim mes politikanëve, duke u shprehur: “Koha i thirri burrat e shquar atdhetarë shqiptarë me bindje të ndryshme politike në vitin 1920 për t’i vënë mendjen dhe energjitë e tyre në shërbim të kombit e për të shpëtuar Shqipërinë”.

Statusi i plotë i Metës në facebook

Kongresi i Lushnjës, 100-vjetorin e të cilit festojmë sot, është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Kongresi i Lushnjës rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij, krijoi Kushtetutën e parë të vendit, zgjodhi të parën trupë legjislative mbi baza pluraliste, dhe shprehu vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.

100 vjet më vonë, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar.

Koha i thirri burrat e shquar atdhetarë shqiptarë me bindje të ndryshme politike në vitin 1920 për t’i vënë mendjen dhe energjitë e tyre në shërbim të kombit e për të shpëtuar Shqipërinë.

Nderimi për ta e për veprën e tyre është sot obligim, por edhe një detyrë që në emër të idealeve që frymëzuan ata, të ecet drejt për ta bërë atdheun tonë një vend të qëndrueshëm dhe frymëzues për brezat e rinj, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në një Shqipëri demokratike dhe anëtare të Bashkimit Europian.

***

Kongresi i Lushnjes, që njihet si një ngjarje e madhe e historisë së kombit tonë u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

rama-dritat.jpg
ger ta21:26 | 09/12/2019

Në sheshin “Skënderbej” mbrëmjen e sotme u organizua ndezja e dritave për festat e fundivitit. Të pranishëm ishin edhe kreu i bashkisë Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama.

Mirëpo, në momentin që kreu i qeverisë ishte duke mbajtur fjalën e tij para qytetarëve të pranishëm, është ndeshur me një incident.

Një grup të rinjsh fare pranë tij, kanë bërë thirrje në shenjë proteste. “Turp! Turp! Bëj shkollat leri dritat”, dëgjohen të thonë ata.

Ndërkohë, këtë situatë e ka komentuar edhe vetë kryeministri Rama.

“Për të mos prishur syrin e keq kemi edhe 3-4 harrupielë këtu. Unë nuk dua ta zgjas, dua vetëm t’ju uroj të gjithëve një vit të ri të gëzuar dhe dua ti siguroj të gjithë për një gjë, çfarë nuk vret të bën më të fortë”, tha Rama./abcnews.al

lejla.jpg
ger ta14:35 | 20/11/2019

E ngarkuara me Punë  e SHBA në Shqipëri, Leyla Moses-Ones ka dhënë mesazhe të rëndëisshme ditën e sotem për situatën politike por jo vetëm në Shqipëri.

Moses-Ones ka marrë pjesë në konferencën “Fuqizimi Ekonomik i Njerëzve me Aftësi të Kufizuara” i Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Diplomatja e vuri theksin te theksin tek ligji, duke thënë se duhet të kapërcehet hendeku midis asaj që shkruhet në letër dhe çfarë ekziston në të vërtetë.

“Dhe ndërsa është arritur shumë, mbetet ende shumë hapësirë për përmirësim. Ligji duhet të kapërcejë hendekun midis asaj që ekziston në letër dhe çfarë ekziston në të vërtetë dhe që ndikon jetët e njerëzve. Thënë troç: asnjë nga këto nuk ka rëndësi përveç nëse praktika përputhet me politikat në mënyrë që realiteti i përditshëm i personave me aftësi të kufizuara të ndryshohet përgjithmonë”, tha Ones.

Më tej ajo i bëri thirrje qeverisë që të mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke tejkaluar linjat partiake.

Së pari, i bëj thirrje Qeverisë së Shqipërisë të sigurohet që legjislacioni i duhur të jetë i shkruar dhe i zbatueshëm. Mbrojtja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është një përpjekje që duhet të tejkalojë linjat partiake dhe të bashkojë zyrtarët në një kauzë të përbashkët. Aftësia e kufizuar nuk diskriminon në bazë të përkatësisë politike dhe këtë nuk duhet ta bëjnë as ligjbërësit apo ligj zbatuesit: kjo është një çështje që i prek të gjithë.

Së dyti, ju bëj thirrje si individë të siguroheni që personave me aftësi të kufizuar t’iu jepen të njëjtat mundësi – në punë ose në kohën e lirë – si pjesa tjetër e shoqërisë. Jini proaktivë – shqyrtoni si mund t’i bëni bizneset dhe vendet tuaja të punës më të aksesueshme për njerëzit me aftësi të kufizuara. Mendoni se si praktikat tuaja të punësimit mund të përshtaten për t’iu dhënë personave me aftësi të kufizuara mundësi të barabarta për punësim dhe mundësi të barabarta për t’u trajnuar, për të mësuar dhe për të kontribuar në përparimin e Shqipërisë”, përfundoi Leyla Moses-Ones./abcnews.al

 

kocijanic.jpg
ger ta18:22 | 14/11/2019

Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha institucioneve shqiptare që të zgjidhet sa më shpejt çështja e Gjykatës Kushtetuese.

Është zëdhënësja e BE, Maja Koçijançiç, e cila i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kocijançiç tha se zgiidhja e kësaj çështjeje është thelbësore për popullin shqiptar dhe për efektivitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, si edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE./abcnews.al

protesta-unaza-e-re.jpg
nev ila12:47 | 06/11/2019

Autoriteti rrugor Shqiptar ka shpërndarë për median një njoftim ku bën thirrje banorët e Unazës së re të cilët janë shpronësuar me vendimin e këshillit të ministrave të paraqiten pranë këtij institucioni për të tërhequr vlerën e shpronësimit të pasurive të tyre.

“Në kuadër të realizimit të projektit “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor ‘Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja’”, njoftojmë të gjithë pronarët e pasurive pronë private, të cilët janë shpronësuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.231 Datë 17.04.2019, të dorëzojnë dokumetacionin për tërheqjen e vlerës për shpronësim, sipas dokumentacionit në vijim:

  1. Çertifikatën e pasurisë (fotokopje të noterizuar).
  2. Kartelën e pasurisë (të rifreskuar pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë).
  3. Hartën e pasurisë (të rifreskuar pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë).
  4. Numër llogarie (Iban), në emër të pronarit të pasurisë, ose prokurë të posaçme për personat e autorizuar për tërheqjen e vlerës.
  5. Kopje të kartës së identitetit.

Dokumentacioni mund të dorëzohet pranë Autoritetit Rrugor Shqiptarë, ose nëpërmjet postës.

Adresa: Rruga “Sami Frashëri”,nr.3, Tiranë, ++355 4 2223300“, thuhet në njoftimin e ARSH.

Ndërsa ARSH bën thirrje për dorëzimin e dokumentave të pronarëve të shpronësuar, banorët e Unazës së re që preken nga ky projekt, prej 1 viti protestojnë kundër vendimit të këshillit të ministrave për shpronësimin e tyre./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono