termetet

KRONIKE-TERMETI-KORCE.mpg_snapshot_00.26-1280x720.jpg
ent ela20:23 | 31/07/2019

Në qytetin e Korçës dhe zonat përreth janë regjistruar lëkundje të forta sizmike duke shkaktuar panik dhe frikë tek banorët. Ndërsa ka raportime për disa shtëpi të dëmtuara në Qafëzezë dhe në Vidohovë.

Korçës nuk po i ndahen tërmetet. Pasditen e së mërkurës në qytet dhe zonat përreth pati lëkundje të forta sizmike.

Tërmeti i rënë ishte me magnitude 4.7 Shkalla rihter dhe me epiqendër 3.4 km në jugperëndim të Dardhës.

Banorët e qytetit u përfshinë nga paniku dhe vrapuan deri tek lulishtet e lagjeve.

Në fshatin Qafëzezë sipas raportimeve nga banorët janë dëmtuar rreth 12 shtëpi të cilat u prekën edhe nga tërmeti i 1 qershorit.

Dëmtime nga tërmeti ka edhe në Vidohovë. /ABC News Albania 24/7

TERMETET-NUK-PARASHIKOHEN.mpg_snapshot_00.50-1280x720.jpg
ent ela17:00 | 31/07/2019

Ballkani konsiderohet zonë me sizmicitet të lartë, por tërmetet nuk parashikohen. Sizmologët në këtë mënyrë i përgjigjen Presidentit Ilir Meta i cili foli për një tërmet apokaliptik. Ndërkohë specialistët thonë se lëkundjet që u ndjenë në Kretë këtë mëngjes nuk ndikojnë në vendin tonë.

“Shkenca e sizmologjisë nuk ka arritur deri më sot që të parashikojë ngjarje sizmike, qofshin ato të një madhësi  të vogël, qoftë edhe të mdhënjes ose siç quhen shkatërrues”.

Këtë përgjigje Përgjegjësi i Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit do t’ia kishte dhënë dhe Institucionit të Presidentit të Republikës nëse letra përmes të cilës kreu i shtetit shqetësohej për një tërmet apokaliptik që do të godasë Ballkanin do t’i kishte mbërritur në zyrë.

Presidenti thotë se mori shkas nga një paralajmërim i sizmologut të njohur grek Akis Tselentis, por homologët e tij në vendin tonë tregojnë se institucionet e vendeve fqinje nuk flasin për diçka të tillë.

“Është një çikë e habitshme faktikisht se është një sizmolog i dëgjuar dhe nuk ma merr mendja ta ketë thënë këtë lajm. Varet se në ç’kontekst ai mund ta ketë përdorur. Ne marrim regjistrimet nga stacionet e Greqisë së veriut. Rezulton një lloj aktiviteti normal pa asnjë lloj shqetësimi. Nuk mund të themi që këto stacione kanë treguar një aktivitet sizmik të shtuar edhe pritet se pas këtyre ngjarjeve do të ketë një ngjarje shumë të fuqishme”.

Pavarësisht kësaj një tërmet me mangnitudë 5.3 të shkallës Richter mëngjesin e të mërkurës goditi Kretën. A ka ndikim ai në vendin tonë?

“Një tërmet mesatar, i cili nuk ka asnjë lloj ndikimi në territorin shqiptar, për t’u regjistruar ai regjistrohet, por ndjeshmëria është fare e ulët”.

Megjithatë Ballkanin specialistët e konsiderojnë një rajon me aktivitet sizmik të shtuar. Në Shqipëri brezi me sizmicitet më të lartë është ai Peshkopi-Korçë- Ersekë dhe pjesa perëndimore e vendit. Tërmeti më i fundit në vendin tonë u regjistruar Qershorin e këtij viti në Floq të Korçës, ndërsa më i forti është ai i Prillit 1979 që goditi zonën e Shkodrës. /ABC News Albania A 24/7

Bahri-Shaqiri-1280x611.jpg
nev ila14:00 | 30/07/2019

Një ditë pas letrës së Presidentit Ilir Meta, për informacion drejtuar kryeministrit të vendit dhe institucioneve, lidhur me një paralajmërim të dhënë nga sizmiologu grek për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë rajonin me pasoja shkatërruese, reagoi me një deklaratë për mediat këshilltari i Presidentit për Sigurinë, Bahri Shaqiri.

Ai theksoi se letra e presidentit erdhi pas shqetësimit të ngritur e pasqyruar nga një sërë mediash fqinje, lidhur me parashikimin e bërë për tërmet nga Akis Tselentis.

Duke pasur parasysh që kushtetuta në nenin 92, sanksionon se presidenti kërkon mendim për çështje që kanë të bëjnë me shqetësime të tilla, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi, për planin e masave. Greqia nuk është fqinje me Zelandën e Re por me Shqipërinë”, tha Shaqiri.

Sipas tij, “Presidenti ka kërkuar informacion dhe ka inkurajuar institucionet që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga institucionet greke”.

 

Deklarata e plotë:

“Nisur nga Aktiviteti i shtuar sizmik regjistruar në Qarkun e Korçës dhe pasojat në dëm të qytetarëve;

Aktiviteti i shtuar sizmik në vendet fqinje Greqi dhe Itali;

Deklarimi publik i Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë;

Mungesa e përgjegjshmërisë së treguar nga institucionet përgjegjëse shtetërore për të trajtuar me seriozitetin e duhur këtë deklarim;

Fakti që fatkeqësitë natyrore përcaktohen si rrezik i nivelit të parë në strategjinë e Sigurisë Kombëtare;

Rekomandimet e dakordësuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, datë 16.05.2018 mbi: “Strategjitë sektoriale, paketën ligjore, strukturat, kapacitetet, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, rajonale dhe organizatave ndërkombëtare në përballjen me emergjencat civile, si: përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet, aksidentet teknologjike etj”

Presidenti i Republikës i është drejtuar dje me një “Kërkesë për informacion” kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mbi kapacitetet dhe masat e parashikuara nga autoritetet qendrore dhe lokale për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Për më tepër, duke patur parasysh:

Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional lidhur me këtë çështje në institucionin e Presidentit të Republikës;

Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse;

Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh që:
– Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 92, gërma “h” sanksionon se: Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre;
– Ligji për emergjencat civile neni 5, pika 2, gërma “ç”sanksionon se:

Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:

ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj;

Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimitë bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare.

Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.

Është detyrë thelbësore e një sërë institucioneve zinxhir të shtetit shqiptar të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllimsigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile.

Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës,  me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.

Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar vetëm 2 muaj më parë në menaxhimin e pasojave të tërmetit në Korçë, e verifikuar jo vetëm nga këshilltarët e Presidentit, por dhe nga vetë banorët dhe mediat e pakapura, ishte dhe është e mjaftueshme që Presidenti të kërkojë marrjen e masave në kohë.

U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve.

Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në institucionin e Presidentit.

Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar”, deklaroi Shaqiri./abcnews.al

 

SINKRON-SPIROPALI.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela17:40 | 03/06/2019

Ministrja e Shtetit dhe njëkohësisht deputete e PS në Korçe Elisa Spiropali ka takuar banorët që kanë mbetur të pastrehe nga tërmetet. Spiropali tha se situata është shumë e vështirë, por të gjitha institucionet janë në këmbë për tu’ ardhur në ndihmë familjeve.

“Situata është e vështirë po ne do mundohemi që me ekipet tona të jemi në gatishmëri që të vlerësohet dhe të shmaget rreziku i shembjes së banesave. Fatmirësisht nuk ka pasoja në njerëz. Ne jemi në këmbë të gjithë për të bërë të mundur që qytetarët ta kalojnë sa më lehtë këtë fatkeqësi natyrore”. /abcnews.al

termet-933x445.jpg
ent ela23:13 | 17/08/2018

Shqipëria bënë pjesë te vendet me aktivitet të lartë sizmik. Ditët e fundit janë shënuar lëkundje të mëdha, por edhe dëmtime në banesa. Sipas pedagoges dhe ekspertes në fushën e inxhinierisë dhe gjeoteknikës, Luljeta Bozo, ndërtimet në Shqipëri, paraqesin aktualisht problematika të shumta duke nisur që nga ligji me të cilin po punohet, që është hartuar në vitin 1989.

Pas viteve `90 në vendin tonë lulëzuan pallatet shumëkatëshe për të cilat ekspertët e kanë të vështirë të thonë nëse janë të sigurta, pasi edhe baza ligjore mungon. Ndërkohë që më të riskuara janë godinat e ndërtuara në vitet 63-`75 pasi edhe teknologjia e ndjekur nuk ishte shumë e përparuar.

 “Ne kemi një kod të `89 i parashikuar për ndërtesa 6-7 kate. Kërcyem direkt në katet 10-15 dhe 20 kate. Nuk e dimë si reagojnë këto objekte. U kam frikën ndërtimeve në zonën ranore në Durrës. Ato nëse ndodh një tërmet mund të rrezikojnë dhe të zhyten”.

Profesore Luljeta Bozo, thekson se objektet e ndërtimit kanë një jetëgjatësi të përcaktuar, përfshi edhe ndërtimet beton-arme.

Duke e lidhur edhe me tragjedinë e ndodhur në Xhenova,  sipas profesores Bozo, për  të gjitha objektet që kanë një rëndësi të veçantë duhet të bëhet kontroll, pasi asnjë objekt nuk shembet pa dhënë shenja paraprake.

“Ura në Xhenova kishte dhënë shenja që kishte problem. Asnjë objekt nuk shembet pa dhënë shenjat e para. Por duhen ekspert që të bëjnë kontrollin dhe të shikojnë se sa është degradimi. Ndaj nëse edhe në dikasteret tona ka problem, ka çarje apo dëmtime duhet që ekspertët të shikojnë dhe të bëjnë analizimin e duhur. Sot ka mundësi të bëhen kontrolle, studime dhe analiza sepse shkenca ka përparuar”.

Klan Plus

TERMETI-CAKO.mpg_snapshot_01.12-1280x720.jpg
G. P.16:04 | 12/08/2018

Në materialin e përgatitur paraqitet një nga shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i të shtunës në Macukull të Matit. Por jo e vetmja. Aktualisht në bashkitë: Mat, Bulqizë dhe Klos jane raportuar 176 banesa të dëmtuara. Ndërkohë, shtabet e Emergjencave Civile nuk kanë përfunduar ende verifikimin.

Veç dëmeve materiale, lëkndjet e tokës kanë lënë pas frikën. Banorët tregojnë se e kanë kaluar natën jashtë.

Banori: “Jashtë kam fjetur. Ku të flesh, mund të shembet prapë. Shtëpiat janë shembur, çatia, suvatimi, tavani, krejt kanë rënë për tokë.”

Për të parë situatën në zonën më të prekur nga tërmeti, fshatin Macukull të Matit, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako. Familjeve të cilave shtëpitë iu janë kthyer në të pabanueshme, iu tha se do t’ju shpërndahen çadra.

Haki Çako, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile: “Ka banesa të cilat nuk rekomandohet që të banojnë dhe me ta kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në komunikim. Janë siguruar nëpërmjet rezervave të shtetit çadra për të sistemuar dhe rregulluar banorët të cilët nuk do të duhet të hyjnë më nëpër banesat, të cilat janë dëmtuar masivisht.”

Tërmeti me magnitudë 5.4 i shkallës rihter me epiqendrën në Bulqizë, eshte tërmeti i dytë i forte brenda disa javësh, pas atij me epiqendër në Gjirin e Lalzit. Ndërsa dhe gjatë natës deri mëngjesin e sotëm, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka regjistruar 10 lëkundje të tjera me intenstiet më të ulët./abcnews.al

VIJOJN-TERMETET-1280x720.jpg
ent ela13:58 | 14/07/2018

Vijojnë lëkundjet e tokës në zonën e Durrësit. 2 tërmete janë regjistruar mëngjesin e sotëm, i pari, pak para orës 05, prej 2.3 ballësh në Manëz e re. Instituti gjeoshkencave bën të ditur se një tërmet I dytë është shënuar në të njëjtën zonë e me të njëjtën magnitudë, pak pas orës 8.

Lëkundjet e mëngjesit të të shtunës I paraprinë 12 tërmeteve që u regjistruan një ditë më parë në Budulle të Durrësit e në zonën e gjirit të Lalëzit, më I forti prej 3 ballësh me epiqendër detin Adriatik në gjirin e Lalëzit.

Këto lëkundje pasojnë tërmetin e fortë 5.2 ballësh që tronditi disa qytete të vendit më 4 korrik, me epiqendër në zonën e gjirit të Lalëzit. Sipas sizmiologëve, lëkundjet janë brenda tipologjisë së tërmeteve, pasuese të goditjes së parë, e për pasojë të parrezikshme. /abcnews.al

TERMETET-GJATE-NATES-1280x720.jpg
ent ela10:18 | 05/07/2018

Vijojnë lëkundjet e tokës pas tërmetit të fuqishem me intensitet 6 ballë dhe magnitudë 5.1 e shkallës Rihter që goditi vendin tonë paraditen e djeshme. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, që nga mesnata e mbrëmshme e deri më tani janë regjistruar edhe gjashtë tërmete të tjera që kanë goditur vendin tonë.

Epiqendra e tyre vijon të jetë zona bregdetare e Adriatikut pranë Gjirit të Lalëzit, si dhe disa fshatra në zonën e Fushë-Krujës.

Lëkundja më e fortë tokës gjatë orëve të fundit ndodhi rreth orës 02.10 të ditës së sotme, kur është regjistruar një tërmet me magnitudë 3.9 ballë dhe epiqendër fshatin Shetaj pranë Kepit të Rodonit.

Ndërsa lëkundja më e lehtë sot është regjistruar ajo me magnitudë 2.3 ballë dhe epiqendër 3 kilometra në jugperëndim të Thumanës në Fushë-Krujë.

Në pothuajse 24 orët e fundit që kur u regjistrua tërmeti i parë i fortë me intensitet 6 ballë, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka publikuar në faqen e tij në internet rreth 20 post tërmete më të vogla, ndërkohë që goditjet e tjera të tokës më të vogla përllogariten të kenë ndodhur edhe disa dhjetra të tjera. /abcnews.al

TERMETET-NE-JUG-VIJOJNE-1280x720.jpg
ent ela15:41 | 22/05/2018

Në rreth një javë Jugu i vendit është goditur nga 26 tërmete. Kjo është një zonë aktive në aspektin tektonik shpjegojnë sizmologët, të cilët thonë se lëkundjet vijojnë. Specialistët nuk përjashtojnë edhe goditje me intensitetin e atyre të ditëve të shkuara.

Lëkundjet e tokës vijojnë në jug të vendit, ndërsa sizmologët tregojnë se ato do të zgjasin deri në relaksimin e plotë të zonës në aspektin tektonik.

Goditjet janë më të lehta se ato të regjistruara në datat 14 dhe 20 maj në zonën e Vermikut megjithëkëtë specialistët nuk përjashtojnë mundësinë e riaktivizimit të një tërmeti me intensitetin e ditëve të shkuara.

 “Gjykuar nga ecuria e pasgoditjve, mangnituda është në rënie, por nuk përjashtohet riaktivizimi, sërish në këtë zonë ose në një tjetër fqinj”.

Kjo zonë sipas sizmologëve ështëe aktive në aspektin tektonik.

“Efekti njihet në mbarë botën kryesisht në zona me ndërtim gjeologjik të tillë. Jemi pranë vatrës së tërmetit të Tepelenës rënë në vitin 1920 me magnitude 6.4 që shkaktoi dëme të konsiderueshme deri në kështjellën e Beratit dhe pranë atij të Qafës së Llogarasë në vitin 1930 edhe ky  tërmet me pasoja”.

Në një jave jugu i vendit është goditur nga 26 tërmete. Me intensitet më të lartë ka qenë ai me magnitudë 4.2 i shkallës rihter i regjistruar mesditen e 14 majit dhe tërmeti me magnitudë 4.5 gradë i shkallës rihter më 20 maj. Të shtunën shpjegojë sizmologët kemi pasur të bëjmë me një çift tërmetesh që kanë goditur zonën në të njëjtën kohë prandaj ndjeshmëria dhe dëmet e shkaktuara kanë qenë më të mëdha.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono