termete

edi-rama123-1.jpg
ad min16:18 | 02/10/2019

Qeveria do të paguajë 6 milionë dollarë për dëmet e tërmeteve, ndërsa do t’u rindërtohen shtëpitë atyre që ju janë shkatërruar në 21 Shtator. Kryeministri Rama njoftoi masat lehtësuese që ka marrë qeveria për të ndihmuar zonat e prekura. Paketa ligjore detyron ndërtuesit të sigurojnë pallatet.

Familjet e dëmtuara do të marrin ndihmën e drejtpërdrejtë nga shtetit. Qeveria ka miratuar disa ndryshime ligjore, që detyron çdo ndërtues të paguajë siguracion për 10 vjet për pallatet, duke shpëtuar banorët nga përballimi vetë i dëmeve prej fatkeqësive.

Institucionet do të kontrollojnë të gjithë ashensorët e pallateve, ndërsa kushdo që do të rindërtojë mbi banesat e dëmtuara, do të ketë thjeshtime. Ndërtesat mbi 50-vjeçare do të verifikohen dhe kontroll do të ushtrohet mbi të gjitha objektet publike. Familjet, banesat e të cilëve janë shkatërruar totalisht do t’u falen faturat e ujit dhe dritave.

Kryeministri ende nuk ka një faturë totale se sa do të kushtojnë dëmet e tërmetit të 21 Shtatorit, por rikuperimet do të bëhen edhe me ndihmë të shteteve të tjera apo bankave të huaja./ABC News Albania 24/7

termete.jpg
ad min16:55 | 28/09/2019

Tërmeti i datës 21 shtator 2019 i frikësoi shqiptarët. Edhe pse nuk pati viktima, edhe pse dëmet materiale nuk ishin të konsiderueshme, paniku nga dridhjet, që vijuan edhe në ditët në vijim, ishte i madh. Në fakt shqiptarët duhet të kenë frikë nga tërmetet.

Emisioni Abc Story sjell sot në mbrëmje, në orwn 22:15 një histori të tërmeteve më shkatërruese që kanë goditur vendin tonë qysh nga prehistoria. Statistikat thonë se Shqipëria vendoset mes 50 vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe historia dëshmon se, qysh në lashtësi, tërmete shkatërrues, me intesitet 6 deri në 7 ballë, kanë qenë të shpeshtë.

Zonat më të rrezikuara nga lëkundjet e tokës, janë Shkodra e Lezha në veri, Durrësi e Tirana në qendër të vendit dhe Vlora e Himara në jug. Në Durrës, vendndodhja nëntokësore e tërmeteve të fundit, në zonën ku shtrihet ky qytet dhe një pjesë e nëntokës së detit pranë tij, nuk janë pjesë e një ngjarjeje të rastësishme.

Sipas studimeve të ndryshme, qyteti i Durrësit, në nëntokën e të cilit gjenden Sedimente Kuaternare shumë të dobëta, përfaqëson zonën më të rrezikshme bregdetare në Shqipëri. Këtë e tregojnë edhe tërmetet e shumta dhe shkatërrimtare, nisur nga viti 177 para erës sonë, në vitet 300 dhe 500, në shekullin e 13 dhe sidomos në vitet 1800.

Kështu, tërmeti i shekullit të 5, që pothuaj e rrafshoi Durrësin, e detyroi Perandorin Bizantin, Anastasin e Parë, i cili ishte me origjinë nga ky qytet, që të ndërtonte një mur mbështetës, rreth 12 metër të lartë, me qëllim që të mbronte muret e kalasë së qytetit.

Një nga tërmetet më të fortë, që kanë goditur Durrësin, listohet ai i vitit 1273, pas të cilit banorët, të terrorizuar nga lëkundjet e vazhdueshme, u detyruan në braktisnin qytetin dhe të gjenin strehim në Berat.

Zbritur në jug edhe Vlora dhe rrethinat e saj përbëjnë një tjetër teatër të rrezikuar nga tërmetet. I fiksuar në një pikturë të publikuar në për herë të parë në një gazetë gjermane, tërmeti më shkatërrues në trojet shqiptare duket se mban datën 12 tetor 1851. Në pamje duket qyteti i Vlorës në pluhur e flakë dhe banorët, të cilët të frikësuar nga ajo që po ndodhte me tokën e paqëndrueshme nën këmbët e tyre, që po largohen me varka në det të hapur.

Përpara se të vendosnin të arratiseshin përmes detit, banorët kishin ndier e parë situata e skena nga ferri; shpërthime të fuqishme ishin dëgjuar për disa minuta të gjata të shoqëruara me lëkundje të frikshme tërmeti. Pothuaj të gjitha banesat e tyre ishin shembur. Flaka dhe pluhuri kishin errësuar qiellin dhe deti ishte turbulluar nga një valë cunami, dy këmbë e lartë, siç është fiksuar në histori.

Tërmeti do të shkaktonte rreth 2 mijë viktima në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. 400 ushtarë do të varroseshin njëkohësisht nga rrëzimi i një muri në kalanë e Beratit, ndërkohë që, disa kilometra me tej, maja e një mali do të rrokullisej me një hungërime kërcëllitëse.

Ecur kronologjikisht, më 1 qershor të vitit 1905, një tërmet me magnitudë 6.6 goditi Shkodrën dhe zonat rreth saj duke shkaktuar 120 të vdekur. Në fund të vitit 1930 ka pasur dy tërmete me 60 të vdekur gjithsej, më 27 gusht 1943 tëmeti u ka marrë jetën 43 shqiptarëve, ai i 30 nëntorit 1967 vrau 18 njerëz, ndërsa ai i 15 prillit 1979  35 të tjerë.

Më i afërti në kohë, tërmeti i 15 prillit të vitit 1979, me magnitudë 6.9, me qendër diku në Petrovac të Malit të Zi, ishte tejet shkatërrimtar. 1 487 ndërtesa u rrafshuan me tokën, 101 njerëz humbën jetën. Disa qytete bregdetare me qendra historike, si Budva apo edhe Tivari i Vjetër, pësuan dëmtimet më të mëdha – pas nuk mbeti as Ulqini, një qytet që banohet pothuaj krejtësisht nga shqiptarët.

Kaptuar në territorin shqiptar tërmeti shkaktoi dëme të konsidrueshme në Shkodër e rrethina, ku disa fshatra pranë lumit Buna u shkatërruan krejtësisht, por dëme të mëdha pati edhe në Lezhë.

“Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona”, ishte sllogani i shtetit komunist shqiptar, si pjesë e një propagande të shfrenuar që mbulonte me një shtresë të trashë mjalti plagët reale të popullatës së zonave të prekura nga tërmeti.

E njëjta propagandë e shfrenuar, që sot tingëllon e trashë dhe e pakuptimtë, ka mbuluar edhe plagët e tërmetit të datës 3 prill 1969, me epiqendër në Mallakastër, që la të pastrehë mijëra njerëz, një histori që Abc Story e sjell të plotë përmes një dokumentari propagandistik të kohës./abcnews.al

termeti-pasoja.jpg
ad min12:49 | 27/09/2019

10 vende anëtare të Bashkimit Europian i janë përgjigjur pozitivisht aktivizimit të mekanizmit të mbrojtjes civile të BE për Shqipërinë. Një ekip i mbrojtjes civile të Bashkimit Europian do të mbërrijë në Shqipëri për të lehtësuar koordinimin e kësaj ndihme.

Bashkimi Evropian aktivizon asistencën për tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri. 10 vende anëtare dhe joanëtare të Bashkimit Europian i janë përgjigjur aktivizimit të mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Europian.

Bëhet fjalë për Austrinë, Kroacinë, Italinë, Greqinë, Hungarinë, Finlandën, Malin e Zi, Norvegjinë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Një ekip i mbrojtjes civile të Bashkimit Europian mbërrin sot në Shqipëri për të lehtësuar koordinimin e kësaj ndihme.

“Pas aktivizimit të mekanizmit të mbrojtjes civile nga Shqipëria, disa shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë ofruar ndihmë. Për momentin, ne kemi dhjetë shtete. Pra, bëhet fjalë për një ndihmë të rëndësishme që po ofrohet këto dhjetë vende. Kjo  përfshin furnizime të ndihmës së parë dhe artikuj lehtësimi, siç janë tendat, batanijet, gjeneratorët dhe pompat e ujit për të ndihmuar zonat e prekura. Për më tepër, një grup ekspertësh nga vende të ndryshme pritet të arrijnë në Shqipëri sot për të koordinuar asistencën. Qendra e koordinimit për reagimin ndaj emergjencave të Bashkimit Evropian  rri në kontakt të vazhdueshëm nëse autoritetet shqiptare do të identifikohen nevoja të tjera”.

Bashkimi Europian ka shprehur solidarizimin me Shqipërinë në këtë kohë të vështirë. Qendra e koordinimit për reagimin ndaj emergjencave të Bashkimit Evropian mbetet e hapur ndaj nevojave të mëtejshme që mund të identifikohen në zonat e prekura./ABC News Albania 24/7

erion-veliaj-1.jpg
ad min15:42 | 25/09/2019

Familjet që tërmeti i së shtunës iu shkatërroi shtëpitë në Tiranë do të jenë në banesat e reja para vitit të ri. Kryebashkiaku Erion Veliaj e premtoi gjatë një vizite në një prej familjeve në Petrelë. Banesat e dëmtuara nga tërmeti në Tiranë kanë nisur të rindërtohen. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ishte në njërën prej tyre në zonën e Petrelës.

“S’kemi pritur as tre ditë nga tërmeti, kemi filluar rindërtimin e shtëpive: filluan shtëpitë në Ndroq dhe në Kashar, tani po fillojmë shtëpitë në Petrelë. Mezi pres që edhe në shtëpinë e Xhevdetit të vijnë që sot inxhinierët. Është caktuar kompania që ka marrë përsipër ta rindërtojë, do vijë të bëjë matjet. Ata do të zhvendosin plaçkat e tyre te fëmijët dhe pastaj do fillojmë rindërtimin e shtëpisë”.

Shumica e familjeve premton kryebashkiaku Veliaj do të futen në banesat e re brenda Dhjetorit.

“Shqipëria nuk e ka parë ndonjëherë një solidaritet të tillë. Do fillojmë vetë rindërtimin e shtëpive, sidomos në zonat e fshatit, ku shtëpitë janë monofamiljare dhe një kulm i prishur shkatërron jetën e  një familjeje. Ndërkohë, po vazhdojmë me procesin e adoptimit të shtëpive pothuajse në të gjitha fshatrat e Tiranës. Besoj se shumica e familjeve, përfshirë edhe familjet e Xhevdetit, vitin e ri do ta hamë në shtëpinë e re”.

Ngjarjet e fundit sipas kryetari të bashkisë ishin edhe një test që tregoi se Tirana di të jetë solidare në raste fatkeqësish natyrore./ABC News Albania 24/7

besa-shahini.jpg
ad min13:30 | 23/09/2019

Ditën e nesërme nxënësit e arsimit parauniversitar në Elbasan, Tiranë dhe Durrës do të nisin mësimin normalisht. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një deklaratë për mediat të hënën njoftoi se do të jenë vetëm dy shkolla që nuk do të hapen për efekt sigurie.

Bëhet fjalë për dy shkolla vartëse në Bërxull të Vorës dhe Allgjatë të Tiranës, nxënësit e të cilëve do të transportohen nesër në shkollat qendër. Ministrja theksoi se të gjitha shkollat e tjera që pësuan dëmtime janë rregulluar nga ekipet e bashkive dhe janë të gatshme për të zhvilluar mësim.

“Kemi konstatuar se në territorin e Republikës së Shqipërisë shkollat janë kryesisht të padëmtuara dhe janë plotësisht të gatshme për të rifilluar mësimin nesër. Janë vetëm dy objekte shkollore, konkretisht shkollat vartëse në Bërxull të Vorës dhe tjetra në Allgjatë të Tiranës, të cilat ditën e nesërme nuk do hapen për efekt sigurie, por nxënësit e këtyre dy shkollave ngaqë janë shkolla vartëse dhe kanë numër të vogël nxënësish ato do të transferohen në shkollat qendër dhe u kemi siguruar transportin qysh nesër në mëngjes. 98 shkollat e tjera të cilat kanë pasur plasaritje në fasadat e mureve janë rregulluar qysh ditën e djeshme nga ekipet e bashkive dhe ditën e nesërme do të hapin dyert për mësim”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja bëri të ditur se mësimi të martën do të rifillojë me një video për masat që duhet të marrë gjithsecili në raste të fatkeqësive natyrore.

Në kuadër të mirinformimit, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes po hartojnë materiale të tjera informuese për shkollat që secili nxënës të jetë i pajisur me informacione që të përballet në të ardhmen me fatkeqësi natyrore.

Momenti për panik dhe ankth ka përfunduar sipas ministres. Por rasti i djeshëm kur një media publikoi një lajm të rremë, sipas Shahinit, është sinjali që duhen fuqizuar kurrikulat për edukimin e nxënësve ndaj lajmit të rremë.

“Nuk ka më vend për panik dhe ankth. Po shohim që situata është drejt normalizimi dhe dita e nesërme do jetë një ditë normale e punës dhe e shkollës. Gjej rastin të dënoj një rast të paprecedentë. Atë të mbrëmjes së djeshme të përhapjes së një lajmi të rremë, “parashikues” të një tërmeti të madh, i cili shtoi panikun dhe ankthin tek qytetarët dhe të gjithë dolën në rrugë. Organet e drejtësisë po merren me ata që plasuan lajmin e rremë, ngaqë njoftimet e rreme që përhapin panik janë të dënueshme me ligj. Ajo që duhet të mbajmë në mend është që tërmetet nuk mund të parashikohen në asnjë vend. Nga lajme të tilla në të ardhmen ju lutem mos i merrni seriozisht. Rasti i mbrëmshëm na dha ne si MASR një sinjal të fortë që të fuqizojmë kurrikulat për edukimin mediatik të nxënësve, që t’i pajisim me informacione të nevojshme që t’i bëjë t’i dallojë ata mes lajmit të vërtetë dhe lajmit të rremë”, tha ministrja.  /abcnews.al

sassoli.jpg
ad min12:55 | 23/09/2019

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka reaguar pas tërmeteve që goditën Shqipërinë. Në një postim në rrjetet sociale, ai thekson gatishmërinë e Europës për të asistuar vendin pas atyre momenteve të vështira.

“Në këto orë të vështira qëndrojmë pranë shqiptarëve. Mendime tona shkojnë për ata që kanë mbetur të plagosur apo kanë humbur shtëpisë. Europa është e gatshme të asistojë në rikuperimin dhe rindërtimin”, shkruan Sassoli në Twitter.

/abcnews.al

 

gent-cakaj-1280x718.jpg
ad min16:08 | 22/09/2019

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka falenderuar të gjitha vendet që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë, pas tërmeteve që goditën vendin.

“Shpreh mirënjohje të thellë për interesimin dhe gatishmërinë e shumë shteteve mike për të ndihmuar Shqipërinë në këtë sfidë!”, shkruan Cakaj.

Ai garantoi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është e angazhuar maksimalisht për përballimin e situatës pas tërmeteve të djeshme.

“Ndërkohë që të gjitha institucionet shqiptare janë në këmbë 24 orë në 24 pranë qytetarëve të prekur, edhe stafi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë vendit i mobilizuar për kryerjen e detyrave të tyre duke u gjendur pranë të dëmtuarve në këtë moment të vështirë!”, shkruan Cakaj./ABC News Albania 24/7

GettyImages-695142488-714x480.jpg
ad min12:31 | 22/09/2019

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johanes Hahn ka deklaruar se Unioni është gati të vërë në punë mekanizmat përkatës për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë pas tërmeteve të ditës së shtunë.

Përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, Hahn ka shprehur hidhërimin e tij për personat e lënduar dhe dëmet e shkaktuara nga lëkundjet e fuqishme sizmike.

“Me keqardhje dhe shqetësim mësova për serinë e tërmeteve shkatërruese në Shqipëri, që shkaktuan lëndimin e mbi 100 personave dhe dëme serioze në infrastrukturë. BE ofroi menjëherë ndihmë duke propozuar aktivizimin e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile”, ka deklaruar Hahn në profilin e tij./ABC News Albania 24/7

qytetare-nata-jashte.jpg
ad min10:11 | 22/09/2019

Tërmeti që goditi të shtunën Shqipërinë shkatoi shumë pasoja materiale, por fatmirësisht asnjë viktimë. Gazetarja e ABC News në Durrës, Enkeleda Arapi, raportoi këtë të dielë se bëhet fjalë për 188 shtëpi dhe 8 pallate, të cilat kanë pësuar plasaritje.

Sipas saj ekspertët kanë vlerësuar paraprakisht se një prej pallateve ka pësuar dëme të mëdha dhe nuk do lejohet që banorët të kthehen deri në një njoftim të dytë. Dëme ka pësuar edhe një shkollë 9-vjeçare.

Tërmeti që goditi vendin të shtunën ishte i magnitudës 5.8 të shkallës Rihter dhe me intensitet 7.5 ballë. Epiqendra e lëkundjeve ishte në veri të Durrësit, afër Kepit të Rodonit.

Tërmeti i parë u pasua nga një tjetër 11 minuta më vonë. Tërmete të tjera u regjistruan edhe gjatë natës në qytetin e Durrësit. Gazetarja raportoi se për shkak të lëkundjeve shumë qytetarë e kanë kaluar natën jashtë.

“Kam frikë të shkoj në shtëpi,, jam me serum. S’na mbajtën në spital është mbushur plot. Mirë që bëra serumin dhe ika”, tha një qytetare

“Vështirë është të kalohet. Do rrimë sa të shohim se është e arsyeshme dhe pastaj do ikim në shtëpi”, u shpreh një qytetar.

“Ishte një tërmeti fuqishëm”, the një tjetër

“Kemi frikë të shkojmë në shtëpi. Lëkundjet ishin shumë të mëdha, të frikshme”.

/abcnews.al

pasojat-nga-termeti.jpg
ad min09:12 | 22/09/2019

Vijon gatishmëria e ekipeve mjekësore në spitalin e Traumës, në QSUT dhe në spitalin e Durrësit. Në këto spitale kanë  marre shërbim mjekësor 105 qytetarë të lënduar nga tërmeti, nga të cilët 74 qytetarë kanë marre shërbim në spitalin e Traumës, kryesisht me dëmtime të shkaktuara nga rrëzimet apo goditjet.

Pjesa më e madhe e pacientëve kanë lënë spitalet dhe aktualisht janë 7 qytetarë që po marrin shërbim në spitalin e Traumës dhe 3 qytetarë në spitalin e Durrësit. Spitalet janë në gatishmëri të plotë me staf të përforcuar mjekësor. Ministria e Shëndetësise ka vënë në zbatim planin e gatishmërisë për rastet e emergjencave./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono