tërmet

ff-1.jpg
in a14:32 | 19/01/2020

Pas tërmetit 4.5 ballë që ra në Kukës, një tjetër lëkundje e fortë me magnitutë 4.6 ballë është ndier në Dibër.

Në Kukës ka rënë rreth orës 1 të mesditës dhe ka qenë me thellësi 10 kilometër. Raportohet se lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda kurse epiqendra ka qenë në Barrë të Kukësit, 18 km nga Kurbneshi dhe 15 km në veri-perëndim të Peshkopisë.

Deri tani nuk bëhet me dije nëse ka persona të lënduar apo dëme materiale.

termete.jpg
in a10:06 | 19/01/2020

Greqia para disa orësh është tronditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.0 i shkallës rihter.

Mësohet se epiqendra e tërmetit ka qenë 6 kilometra larg, Valsamáta, 15 kilometra larg Argostólion, 95 kilometra larg Pátra, dhe 269 kilometra larg Athinës.

Nga tërmeti nuk bëhet e ditur të ketë pasur dëme, por janë ndjerë lëkundje të forta.

Veliaj-gjate-vizites-ne-familjet-e-prekur-nga-termeti-ne-zonen-e-Vaqarrit-2-1280x720.jpg
in a19:15 | 17/01/2020

Në Tiranë janë inspektuar më shumë pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Vendimet e zbardhura në fletoren zyrtare i kanë akorduar Bashkisë së Tiranës më shumë fonde për inspektimin e objekteve të cilat reultojnë se në total janë 448 pallate dhe 548 banesa individuale. Për inspektimin e thelluar të këtyre godinave Bashkisë së Tiranës i janë akorduar 200 mln lekë.

Por Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për përballimin e shpenzimeve për inspektimin dhe vlerësimin e thelluar të dëmeve në njësitë e vetëqeverisjes vendore të prekura nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor i është dhënë një fond vetëm prej 160 mln lekësh.

Ndërkohë Durrësi i cili ishte qarku më pranë epiqendrës  së tërmetit ku u  regjistruan edhe viktima janë realizuar inspektime të thelluara vetëm në 62 pallate dhe në 557 banesa individuale.

Kruja rezulton se ka numrin më të lartë të banesave individuale të inspektuara me 1500 të tilla.

Ndërkohë një tjetër vendim  i qeverisë parashikon fondet që do të jepen për hartimin e planeve vendore. Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për hartimin e planeve të detyruara vendore për 9 bashki: Durrës, Kamzë,Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirëditë, Shijak,Vorë; i shtohet  një fond  prej 137.4 mln lekësh, për hartimin e planeve të detyruara vendore. Ndërsa Bashkisë Tiranë, i akordohen 124.8 mln lekë, për hartimin e planit.

Në total në Shqipëri rezulton se janë kryer 739 inspektime të thelluara të pallateve dhe 4593 banesa individuale./abcnews.al

termet-1.jpg
in a17:53 | 15/01/2020

Pas hetimeve të nisura për tërmetin e 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës ka firmsour 41 urdhër ndalime për abuzime me ndërtimet e dëmtuara në disa zona të Tiranës. Policia ka ekzekutuar 31 urdhër-ndalime, ndërsa 10 persona janë shpallur në kërkim. Burime i thanë “ABC News” se 6 prej tyre rezultojnë të kenë dalë jashtë vendit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Eliabeta Imeraj, deklaroi se hetimet do të vijojnë edhe në ndërtesat brenda Tiranës që janë konstatuar të pabanueshme.

“Kemi arritur të evidentojmë disa ndërtesa dhe banesa që janë shpallur të pabanueshme. Duke marrë në kosnideratë elementët teknikë të nevojshëm për tu hetuar, në rastin konkret është arritur në konkluzionin që pas ekpsertimeve përkatëse janë identifikuar autorët”, sqaroi Elisabeta Imeraj.

Prokurori që ka drejtuar hetimin për tërmetin, Erjon Imeri thotë se janë gjetur një sërë shkeljesh nga ana e ndërtuesve dhe zbatuesve të projekteve ndërtuese. Në disa raste është konstatuar edhe mungesa e lejes së ndërtimit nga njësia administrative.

 “Funksionarë të ish komunave kanë miratuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të theksuar dokumentacioni teknik dhe ligjor. Në disa dosje mungojnë oponenca teknike”, tha Erjon Imeraj.

Grupi hetimor ka vendosur nën akuzë, edhe ata persona të cilët kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, që kanë kryer shtesa, të cilat dyshohet që kanë sjellë dobësimin e strukturës mbajtëse të objekteve. Ndërkohë hetimet vijonë edhe për të tjera objekte të cilat janë shpallur të pa banueshme në të gjithë Tiranën. Në kryeqytet janë 25 institucione, 134 pallate dhe rreth 200 objekte të dëmtuara, të cilat janë objekt hetimit. Prokuroria po kryhen hetime edhe në zonën e njësisë administrative Dajt, bashkinë Kamëz e në të gjitha njësitë bashkiake ku ka pasur objekte të dëmtuara.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës u shpreh e rezervuar për të dhënë detaje të tjera lidhur me hetimet e tërmetit.

I pranishëm në konferencën e Prokurorisë së Tiranës, ishte i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi. Të ndaluarit nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, falsifikimit të dokumenteve dhe ndërtimit të paligjshëm do të dalin të enjten me gjykatën për caktim të masës së sigurisë./abcnews.al

termete.jpg
Autor E17:50 | 15/01/2020

Disa dridhje toke janë ndjerë para pak çastesh në veri të Kosovës duke u ndjerë të forta edhe në Prishtinë.

Nga të dhënat e para mësohet se lëkundjet kishin një magnitudë 4.3 të shkallës Richter.

Tërmeti kishte epiqendër një zonë mes Mitrovicës, Leposaviqit dhe Istogut dhe një thellësi 10 kilometra.

Nuk ka ende të dhëna për dëme materiale apo në njerëz. /abcnews.al

trmet.jpg
in a16:24 | 15/01/2020

Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit do të përfitojnë banesa nga proçesi i rindërtimit në bazë të numrit të anëtarëve të familjes.

Vendimi i zbardhur në fletoren zyrtare parashikon që sipërfaqja që do të përfitojnë familjet do të jetë edhe sipas kategorive të banesave apartament apo shtëpi individuale. Qytetarët si fillim duhet të  bëjnë një aplikim pranë bashkive ku do të duhet të deklarojnë të dhënat në lidhje me banesat dhe anëtarët që kanë. Përparësi në renditjen e përfituesve do të kenë familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore, familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna, familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit, familjet në skemën e ndihmës ekonomike dhe të rënët në krye të detyrës.

Në vendim përcaktohet se familjet që kanë humbur banesat e tyre në pallate përfitojnë nga program i rindërtimit në të njëjtin truall. Ndërsa në bazë të anëtarëve përcaktohet se një familje me dy anëtare do të marrë një apartament 1+1 me sipërfaqe 45 -60 m2.

Për familje me 2-4 anëtarë sipërfaqja parashikohet të jetë 75 deri 80 m2 dhe hyrja 2+ 1 ndërkohë për familjet me më shumë se 5 anëtarë sipërfaqja llogaritet 90- 100 m2  dhe hyrje 3+1. Po ashtu në vendim parashikohet që në rastet kur zona do të rindërtohet me shtëpi individuale atëherë edhe sipërfaqja e banesës ndryshon. Sipas tabelës B parashikohet që një familje me 2 anëtarë të përfitojë një sipërfaqe prej 60- 70 m2.

Familjet me 2 -4 anëtarë 70-80 m2 , ndërsa për familjet me mbi 5 anëtarë hapësira e shtëpisë llogaritet mbi 90 m2. Po ashtu në fletoren zyrtare është miratuar një tjetër vendim për ata qytetarë që janë të akomoduar në hotele. Në vendim thuhet se Ministria e Turizmit do të negociojë me hotelet për ofrimin e shërbimit me çmime tregu.

Të gjithë qytetarëve në këto struktura akomoduese, u ofrohet fjetje, ushqim tri vakte, shërbime higjiene, sigurie dhe ndihmë e shpejtë mjekësore thuhet në vendim.

Ndërkohë Shoqatat e turizmit kanë kërkuar që të gjendet zgjidhje për të dëmtuarit nga tërmeti duke i spostuar në hotele me 2 apo 3 yje pasi po afron sezoni dhe duhet të përgatiten për pritjen e turistëve. Aktualisht të prekurit janë të strehuar në hotele me 4 dhe 5 yje./abcnews.al

bonusi.png
in a16:20 | 11/01/2020

Zona e Laçit ishte një nga zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar, i 26 nëntorit.

Lëkundjet e forta të tokës lanë të pastrehë 802 famijë, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan plotësisht, për këtë arsye ekspertët i shpallën të pabanueshme. Zëvendëskryetari i Bashkisë Kurbin Gëzim Dika u shpreh se të gjitha këto familje kanë përfituar banus qiraje.

“Deri në mbledhjen e fiundit të Këshillit Bashkiak 802 familje kanë përfituar bonus të rinj, këto janë kryesisht banorë të apartamenteve në qytetin e Laçit, Mamurrasit dhe zonat përreth”, tha Dika.

Edhe pse kaluar më shumë se një muaj, Dika thotë se në këtë zonë ka ende familje që jetojnë nëpër çadra. Sipas tij janë kryesisht ato familje që nuk kanë pranuar të largohen vetë nga banesat e tyre.

“Një pjesë e banorëve janë ende në çadra, ndërsa pjesa tjetër te të afërmit e tyre. Është bërë zëvendësimi i disa çadrave me çadra të reja”, u shpreh ai.

Tërmeti 26 nëntorit dëmtoi një numër të konsiderueshem banesash dhe pallatesh në Laç. Deri më tani janë shembur shtatë pallate, ndërsa në pritje janë edhe 58 të tjera. Ndërsa u shkatërruan plotësisht 438 shtëpi./abcnews.al

marre.png
in a13:00 | 11/01/2020

Banorët e zonës së Laçit të mbetur pa strehë, brenda 6 muajve do të kenë banesa të reja. Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe ministri turk  Murat Kurum firmosën marrëveshjen për nisjen e projektit.

Ndërtimi i 500  banesave të reja në zonën e Laçit për banorët e prekur nga tërmeti pritet të nisë brenda pak javëve. I pranishëm në këtë aktivitet kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se projekti turk do të zgjidhë  edhe problemin e infrastrukturës në këtë zonë si edhe do ti japë fund përmbytjeve.

Ndërkohë ministri turk, Murat Kurum u shpreh se tashmë ata presin dorëzimin e truallit për të vijuar me projektin.

“Menjëherë pas tërmetit ne ofruam ndihmë ndaj Shqipërisë. Ekipet tona kanë verifikuar 6 mijë njësi të dëmtuara si dhe kemi ofruar ndihma me çadra, më pas presidenti na dha porosinë edhe për ndërtimin e 500 banesave të reja. Shpresojmë që autoritetet të na dorëzojnë truallin sa më parë për të nisur projektin. Do të jetë një lagje shembullore me institucionet përkatëse si dhe do ndërtohet në përshtatje me kulturën dhe zonën”, tha ai.

Ndërtimi i 500 banesave në zonën e Laçit është projekti i parë që pritet të zbatohet në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Kryeministri Rama dhe ministri turk pas nënshkrimit të marëveshjen realizuan një vizitë në Bashkinë e Laçit për tu njohur nga afër me zonën ku do zbatohet projekti./abcnews.al

ursula.jpg
in a14:00 | 10/01/2020

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen konfirmoi se konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel. Ajo ka përçuar gjithashtu një mesazh të qartë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga Erisa Zykaj

Konferenca e donatorëve për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri do të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel. Këtë e ka konfirmuar presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në një konferencë për shtyp me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç në Kroaci.

Ursula Von der Leyen, presidente e KE-së tha se “Jam në gjendje t’ju them, duke qenë se po flasim për angazhdimin tonë krah për krah miqve tanë të Ballkanit Perëndimor, se konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të zhvillohet në 17 shkurt. Konferenca e donatorëve zhvillohet pas tërmetit të tmerrshëm në Shqipëri dhe ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë në proçesin e rindërtimit”.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë shtetet anëtare të Bashkimi Evropian, partnerët e Ballkanit Perëndimor, organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore. Presidentja e Komisionit Europian ka përçuar gjithashtu edhe një mesazh të qartë për hapjen e negociatave të anëtarêsimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ursula Von der Leyen më tej u shpreh se “”Samiti i Zagrebit do të jetë një samit potencialisht historik. Ne kemi ende shumë punë për të bërë që ky samit të jetë i tillë. Ne do të bëjmë një propozim per metodologjinë e re së shpejti për të reflektuar, se si mund të përmirësojmë proçesin e antëtarësimit, por jam thellësisht e bindur që kjo nuk duhet të na pengojë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne u kemi kërkuar vendeve të bëjnë shumë. Ata kanë përmbushur kriteret dhe ne tani ne duhet të përgjigjemi për premtimet që kemi bërë”.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka theksuar se samiti për Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet në Zagreb në muajin maj midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të shënojë një histori suksesi për politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian. /abcnews.al

termet.jpg
Autor E16:08 | 07/01/2020

Tetë nga nëntë anëtarët e familjes Lala humbën jetën më 26 nëntor, pasi lëkundjet e tërmetit shkatërrimtar e kthyen ndërtesën 4-katëshe ku ata banonin, brenda pak sekondash, në një pirg rrënojash betoni dhe hekuri në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Dy muaj më vonë, prokurorët po analizojnë me kujdes të dhënat e përftuara nga analizat laboratorike të materialeve të ndërtimit të përdorura në ndërtesën e rrënuar, në përpjekje për të gjetur shkaqet e rrëzimit të saj.

“Prokuroria Durrës ka administruar analizat laboratorike nga laboratori ‘A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’ dhe nga të dhënat paraprake dyshohet se betoni i përdorur është jashtë standardeve të ndërtimit,” sqaroi për BIRN një prej tre prokurorëve që po hetojnë çështjen.

Pas tërmetit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës regjistroi një procedim penal për veprat e shpërdorimit të detyrës, ndërtimit në kundërshtim me rregullat teknike me pasojë vdekjen dhe vrasjen me dashje.

Më 14 dhjetor, me urdhër të prokurorisë, Policia e Shtetit arrestoi 9 persona dhe shpalli në kërkim 8 të tjerë, të dyshuar si përgjegjës për shembjen e 4 ndërtesave me pasojë humbjen e jetëve njerëzore. Në total vetëm në Durrës, nga tërmeti u shembën tërësisht 7 ndërtesa ku humbën jetën 23 persona – përshirë dhe 8 anëtarë të familjes Lala.

Analizat e betonit për 7 ndërtesat e shkatërruara, të para nga BIRN, tregojnë se në të paktën 4 prej tyre, marka e betonit të përdorur për ndërtim dyshohet se ka qenë nën standard. Megjithatë, tre inxhinierë ndërtimi të pavarur, të konsultuar nga BIRN, këshilluan që të bëhet kujdes për të arritur në përfundime mbi shkaqet që mund të kenë determinuar ose kontribuar në kolapsin e ndërtesave.

Përveç shtatë ndërtesave ku u regjistruan viktima, hetimi i Prokurorisë së Durrësit mbi materialet e ndërtimit pritet të shtrihet edhe në qindra pallatet e dëmtuara nga tërmeti, duke pasur qëllim zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësit që kanë kontribuar në dëmtimin e tyre.

Beton jashtë standardit

Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë, ndërkohë që qindra ndërtesa u dëmtuan duke u kthyer në të pabanueshme dhe mijëra vetë u lanë të pastrehë.

Klasa e betonit apo “marka”, siç njihet në gjuhën e përditshme, shpreh cilësinë e betonit kur ai testohet përmes forcave shtypëse. Nga analizat e lexuara nga BIRN, të realizuara nga laboratori ‘A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’ me kërkesë të Prokurorisë, rezultoi se gjysma e 20 mostrave të ndryshme të betonit të marrë nga 7 ndërtesat e shkatërruara rezultojnë me vlera rezistence në shtypje kubike nën standard.

Fletët e analizave për cilësinë e betonit përfshijnë shtëpinë e familjes Lala, pallatin 6-katësh ku ndodhej ish-bar “Baron’s”, pallatin 6-katësh pronë e familjes Konomi, hotelet ‘Mira Mare’, ‘Vila Palma’ ‘ Tropikal’, si dhe “Godinën e Re numër 4” tek Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Brendshme.  Për të mos cënuar sekretin hetimor, BIRN do t’i referohet rezultatit te analizave të këtyre ndërtesave vetëm nëpërmjet një numri rendor.

Sipas fletëve të analizave, pas testimit të rezistencës në shtypje kubike të betonit, rezultoi se nga mostrat e marra në 7 objektet, janë përdorur klasa të betonit që luhaten nga  6.32 megapaskal deri në 42.08 megapaskal.

“Grupi hetimor sapo ka nisur hetimet për 7 objektet me pasoja në njerëz, ka marrë pjesë betoni nga strukturat e godinave, në prani të një specialisti të Institutit të Ndërtimit, për t’u analizuar më pas,” sqaroi për BIRN një prej 3 prokurorëve që udhëheqin hetimin.

“Jo gjithmonë klasa e ulët është tregues i keq. Nga këto përjashtohen vlera nën 20 megapaskal. Çfarë është nën të, teorikisht është gabim sepse nuk është beton strukturor,” shtoi ai.

Nga analizat laboratorike të 7 ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, 3 objekte i kishin të gjitha mostrat nën 20 megapaskal, 2 objekte i kishin të gjitha mostrat e betonit mbi 20 megapaskal, ndërsa në dy të tjerat, mostrat ndaheshin në gjysmë – poshtë dhe lart vlerës 20 megapaskal që i kalsifikon ose jo si beton strukturor.

I kontaktuar nga BIRN, menaxheri i laboratorit “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’, Skënder Allkja konfirmoi realizimin e analizave të betonit me kërkesë të Prokurorisë, por shtoi se laboratori i tij, përveç rezultateve nuk mund të jepte përfundime nëse cilësia e betonit kishte kontribuar në kolapsin e ndërtesave nga tërmeti.

“Ne kemi realizuar analizat për mostrat e betonit të marra dhe ia kemi vendosur në dispozicion prokurorisë, por nuk bëjmë interpretimin e tyre,” sqaroi Allkja. “Për këtë duhet të shprehet një specialist i fushës,” shtoi ai.

Sipas ekspertëve, standardi minimal për betonin që përdoret në konstruktin e godinave është C16/20, pra klasa 20 e betonit.

Alier Cara, një inxhinier strukturor nga Durrësi me të cilin BIRN konsultoi të dhënat e analizave laboratorike të betonit të ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, vuri në dukje se vetëm 3 nga 7 objektet kishin marka betoni brenda normave.

“Objekti 1 dhe Objekti 3 duken me klasë normale betoni dhe pjesërisht Objekti 5 deri diku është brenda normave,” tha Cara. “Në vitet ’90, kur ka nisur ndërtimi në Shqipëri ka pasur një gamë të vogël klasash betoni, të vlerave 20, 25 dhe rrallëherë 30 megapaskal,” shtoi ai.

Sipas inxhinierit durrsak, edhe në raste si ai i objektit 2, ku vetëm një nga mostrat e betonit tregon vlerë poshtë standardit të betonit strukturor, ky i fundit mund të ketë kontribuar në rrëzimin e ndërtesës.

“Mostrat e betonit në “Objektin 2” tregojnë për përdorimin e klasës së betonit 40, por nëse ajo është përdorur në katin e dytë dhe në të parin betoni ka pasur vlerën 17.74 megapaskal sipas analizave, objekti e ka marrë goditjen nga kjo cilësi betoni,” tha ai.

“Më duket e çuditshme se si në një objekt është përdorur beton i klasës 40 dhe një vlerë tjetër, që nuk konsiderohet fare klasë betoni për strukturë,” shtoi ai.

Cara shpjegoi se ka godina ku nga tërmeti i 21 shtatorit, betoni mund të ketë pësuar plasaritje apo të ketë dalë jashtë funksionit dhe tërmeti i 26 nëntorit e ka shembur strukturën që mbështetej deri në atë moment vetëm në hekurat e godinës.

“Nëse betoni porositet në një pikë prodhimi, vjen i garantuar dhe ke garancinë se ka një shmangie prej 3 njësi nga klasa e kërkuar, që është normale,” tha Cara. “Ndërsa kur betonin e bën vetë me punëtorë dhe betoniere, nëse nuk ndjek gramaturën e saktë, merr klasën e betonit nga 7 deri tek 40 megapaskal,” shpjegoi ai.

Megjithatë, Cara dhe dy inxhinierët konstruktorë të pyetur nga BIRN theksuan se çdo gjykim mbi analizat është paraprak, pasi ka shumë rëndësi edhe mënyra se si janë marrë mostrat e betonit. Sipas tyre, ato duhen marrë në elementët strukturorë, në disa kolona të objektit, trarë dhe soletë, që të krijojnë një panoramë të plotë.

“Është pak të gjykosh mbi 2 rezultate analizash [për një objekt], por sigurisht që kupton se ka një lajthitje të vlerave në mes,” tha Cara.

Këto dilema, sipas prokurorisë do të zgjidhen nëpërmjet akteve të ekspertimit teknik që do të përpilohen nga specialistë për secilën nga ndërtesat e shkatërruara.

“Pasi t’i vendosen në dispozicion një specialisti analizat e betonit, hekurit, ato gjeologjike, aktet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe aktet e tjera, më pas do të dilet në një konkluzion përfundimtar se kush është shkaku i rrëzimit të godinave,” sqaroi një prej prokurorëve të çështjes.

Ndërtues pa shkollë

Hotel Mira Mare. Rruga Pavarësia, Plazh, pas kolapsimit nga tërmeti. Foto Geri Emiri

Ruzhdi Xheka, pronari i hotel ‘Mira Mare’-s në plazhin e Durrësit është njëri prej 9 të arrestuarve nga prokuroria, me akuzën e vrasjes me dashje. Nga shembja e hotelit të tij më 26 nëntor humbën jetën dy persona.

Gjatë caktimit të masës së sigurisë për Xhekën në Gjykatën e Durrësit, avokati i tij mbrojtës deklaroi se 79-vjeçari kishte vetëm 7 klasë shkollë dhe ai ishte fajtor vetëm se kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme – si shumica e shqiptarëve.

“Ruzhdiu nuk kishte njohuritë e nevojshme,” u shpreh avokati mbrojtës gjatë seancës gjyqësore. “Dy ditë pas shembjes doli nga rrënojat, për të vetmin fakt se ka ndërtuar pa leje si gjysma e shqiptarëve,” shtoi ai.

Pëerveç hotel ‘Mira Mare’-s, grupi hetimor i përbërë nga prokurorët Edmond Kaloshi, Madrid Kullolli dhe Pali Deçolli ka evidentuar si ndërtime pa leje hotelin “Tropikal”, lokalin në katin e parë të pallatit 6-katësh në Durrës ku humbën jetën Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana, si dhe banesën 4-katëshe të familjes Lala. Ndërkohë, edhe hoteli “Vila Palma” ka pasur 3 kate shtesë, jashtë projektit fillestar.

Një nga pjesëtarët e grupit hetimor i tha BIRN se ndërtimet pa leje, në mungesë të një projekti, “librit të masave” ku përshkruhen me detaje punimet e realizuara, materiali i përdorur, burimi i tyre, kanë kufizuar dhe vështirësuar hetimin e prokurorisë.

“Godina është ndërtuar në vitet ’94-‘96 nuk e prodhoi vetë hekurin, tullën dhe nëse do kishte të arrestuar, duhej të ishin ndërtuesit,” tha në seancën gjyqësore avokatja Shqiponja Meta, që mbronte ndërtuesin e “Hotel Tropikal”, Avdulla Osmani.

Sipas kërkesës për masë sigurie kundër Osmanit, hotelit i tij është ndërtuar “pa studim gjeologjiko-sizmik, pa projekt konstruksioni dhe pa mbikëqyrje punimesh.”

“Për efekt të marrjes së lejes së ndërtimit dhe legalizimit, projekti është bërë pas realizimit të ndërtimit,” shpjegojnë prokurorët në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës, ku kanë kërkuar burg pa afat për Osmanin, i akuzuar për veprën penale ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese.”

Hetime për ndërtuesit e pallateve

Pallat i dëmtuar nga tërmeti në Durrës | Foto : LSA

Grupi hetimor i Prokurorisë së Durrësit e ka fokusuar hetimin tek përgjegjësit për shembjen e 7 godinave ku humbën jetën 23 persona. Përveç ndërtuesve të këtyre godinave informale, në pranga kanë përfunduar dhe zyrtarë të ALUIZNI-it dhe bashkisë së Durrësit.

BIRN ka mësuar gjithashtu se paralelisht me hetimin për përgjegjësit në humbjen e jetëve njerëzore, policia po referon çdo ditë materiale për një tjetër çështje, që pritet të kalojë në sitë cilësinë e ndërtimit në pallatet ku janë shënuar dëme të mëdha materiale.

Në këtë hetim përfshihen rastet e pallateve, të cilat kanë pësuar dëme në strukturë ose në muraturë. Mostra betoni janë marrë edhe në godinat e shembura nga qeveria, pasi u shpallën të pabanueshme. Ato janë këqyrur përpara shembjes dhe është mbledhur materiali dokumentues i gjendjes së tyre fizike, përpara shembjes së komanduar.

Megjithatë, njëri nga anëtarët e grupit hetimor i tha BIRN se jo domosdoshmërish faji për këto dëme mund t’u adresohet pronarëve të kompanive të ndërtimit.

“Ndërtuesit në vetvete mund të kenë probleme të tjera, por nuk mund të merren menjëherë në përgjegjësi penale,” shpjegoi njëri prej prokurorëve në kushtet e anonimatit.

“Projektin e ka bërë një projektues, bëhet edhe studimi sizmologjik etj. dhe nëse në njërën nga këto hallka ka abuzime, identifikohet më lehtë përgjegjësi,” përfundoi ai. /Reporter.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono