Teatri Kombëtar

teatri-1.jpg
G. P.11:32 | 12/09/2018

Qeveria do të tërhiqet nga ligji për Teatrin e Ri Kombëtar. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku, i tha ABC News se për ndërtimin dhe zhvillimin urban të zonës do të zhvillohet një garë.

Qeveria do të ndryshojë ligjin për Teatrin Kombëtar. Pasi Komisioni Europian i sugjeroi autoriteteve shqiptare amendimin e tij me qëllim përfshirjen e një thirrje për tender të hapur, ku çdo kompani private të mund të aplikojë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tregon për ABC News se për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar do të zhvillohet një garë.

“Ky ka qenë edhe shqetësim i grupit që merrej me hartimin e ligjit, por që pengohej në atë moment nga fakti që aplikanti është fqinje e Bashkisë.  Ka gatishmëri të shihet mundësia që të lejohet edhe opsioni në ligj që kompani të tjera të mund të sjellin propozime të ngjashme dhe komsioni që ngrihet t’i shqyrtojë”, tha Mazniku.

Kompania “Fusha” do të jetë një nga pjesëmarrëset në garë, por për të shmangur paragjykimin, nënkryetari i Bashkisë thotë se procesi do të jetë transparent dhe do të mirëpritet çdo opinion për të përmirësuar ligjin.

“Kompania Fusha është propozueseja dhe aktori që ka marrë nismën dhe do të jetë pjesë e këtij procesi. Natyrisht që edhe të gjithë aktorët e tjerë do të jenë të mirëpritur të japin sugjerime. Kemi qenë të gatshëm të dëgjojmë opinonin e opozitës, por nuk erdhën. Garantojmë proces të hapur dhe transparent ku çdo aktor që ka opinion për të përmirësuar dokumentin është i mirëpritur për të dhënë sugjerime si dokumenti mund të përmirësohet”, u shpreh Mazniku.

Aktualisht në sirtarët e Kuvendit  po qëndron dekreti i Presidentit të Republikës, i cili në fund të Korrikut i ktheu për rishqyrtim ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Kreu i Shtetit e shpjegoi vendimin e tij duke renditur tetë argumenta ku si pikë të parë evidentoi shkeljen e parimit të barazisë para ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike ekonomike të shtetasve. /abcnews.al

jorida-tabakkk.jpg
G. P.16:23 | 10/09/2018

Komisioni Europian, sipas partisë Demokratike, ka rrëzuar ligjin special Rama-Fusha për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave me paratë e drogës dhe korrupsionit, si një ligj korruptiv dhe klientelist.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se letra e KE-së për çështjen e Teatrit rrëzoi ligjin “Rama-Fusha”. Në një deklaratë nga selia blu, Tabaku theksoi se qeveria mbajti 4 ditë të fshehtë letrën e KE.

Jorida Tabaku: Përgjigja e Komisionit Europian qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore. Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurencës. Patëm të drejtë edhe kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe klient preferencial, si “Fusha shpk”. Prandaj dhe qeveria shpiku ligjin “FUSHA: për t’i grabitur tokën Teatrit Kombëtar dhe për t’ia dhuruar atë kësaj kompanie me qëllim ndërtimin e kullave me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit”.  

Tabaku pohoi se Partia Demokratike zotohet se do të luftojë për ta rrëzuar ligjin i cili shkatërron Teatrit Kombëtar për të pastruar paratë e pista të drogës.

“Por, sikundër edhe letra artikulon qartësisht, Komisioni Europian nuk mund të jetë një institucion gjykues për saktësinë e ligjit në fjalë në raport me Kushtetutën e vendit. Për një veprim të tillë është përgjegjëse Gjykata Kushtetuese, e cila mbahet sot e bllokuar nga mazhoranca pikërisht për të prodhuar ligje si Ligji Fusha dhe për të kënaqur orekset e oligarkëve apo pastruar paratë e kriminelëve dhe pushtetarëve”, tha Tabaku.

Në fund deputetja e PD theksoi se Përgjigja e Komisionit Europian u dha qytetarëve dhe opozitës fitoren e parë dhe mesazhi është i qartë, të bashkuar ne mund ta ndalim të keqen dhe ta rrëzojmë atë./abcnews.al

41315584_241367229910234_5638198724183195648_n.jpg
G. P.13:33 | 08/09/2018

Arkitekti i Teatrit të ri Kombëtar, Bjarke Ingels ka hedhur në letër një tjetër projekt madhor, i cili që tani ka fituar vëmendjen e arkitekturës botërore. Bëhet fjalë për projektimin e restorantit me famë botërore të shqiptarit nga Maqedonia, Rene Rexhepi, “NOMA”, në Danimarkë.

Bjarke Ingels, i njohur si djali i artë i arkitekturës daneze, dhe arkitekti më në zë sot në botë, i vendosur në Kopenhagen dhe Nju Jork, ka sjellë një model krejtësisht të ri restoranti, një fshat i dedikuar për bujqësinë, studimin dhe eksperimentimin gastronomik. Restoranti NOMA, i cili ka fituar 4 herë çmimin si restoranti më i mirë në botë, përmban një grumbull ndërtesash të vogla në fermë, ku Rene Rexhepi do të shërbejë një kuzhine të ndarë në tre segmente sezonale: ushqim deti në dimër dhe pranverë, vegjetarian për verë, dhe produkte pylli në vjeshtë.

Ingels, themelues dhe drejtor kreativ i grupit BIG-Bjarke Ingels, e krijoi këtë “fshat” prej 14.000 metra katrorësh, të përbërë nga 11 pavionë njëkatëshe që korrespondojnë me vizionin e Rexhepit./abcnews.al

erii.jpg
G. P.14:04 | 30/07/2018

Sabotim e quajti këtë herë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, projektin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Ndërkohë përsëriti se kthimi i ligjit nga Presidenti ka krijuar vetëm një vonesë 40-ditore pasi Paralmenti do ta miratojë sërish në Shtator.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu rikthye projektit të Teatrit të ri Kombëtar edhe gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e FRESSH-it në kampingun e Jalës.

“Në fillim patëm një histeri kolektive, kurse aktorët që punojnë aty ishin të shqetësuar. Presidenti i Republikës bëri një thirrje dhe tha: ‘Kryetari i Bashkisë të gjejë gjuhën me aktorët, që ne të ecim përpara’! Bëmë një takim me aktorët, një me urbanistët, një me arkitektët, një me të gjithë së bashku. U treguam projektin, në fund aktorët u bindën; pra ata që ishin grupi legjitim, që ka vetë interes, u bind. Pasi u bindën aktorët, politika e mbrapshtë, që nuk do që t’i shkojë asgjë mbarë Shqipërisë, tha: ‘Ou, na u prish plani, tani o burra ta marrim vetë kontrollin e kësaj dhe me ç’na ka ngelur nga ata të lodrave, ç’a kemi portale, hajde ta sabotojmë me çdo kusht! Projekti u sabotua vetëm për 40 ditë. Në shtator do të futemi në fazën e tretë, ku politika e mbrapshtë do të mundet sërish me votat që populli shqiptar i ka dhënë Tiranës dhe Shqipërisë për ndryshim”, tha Veliaj.

Veliaj renditi një sërë nismash, të cilat në fillim hasën rezistencë ndërsa akuzoi opozitën se nuk do ndryshimin e vendit.

 “Filmi është i njëjtë, nuk ndryshon. Fillimisht ka kundërshtim, pastaj shumë energji për të shpjeguar vizionin, përqafim të vizionit nga ata që e kuptojnë se duam të sjellim ndryshim dhe refuzim nga ata që nuk duan të shohin jo vetëm ju një ditë të bardhë, por as vendi, sepse po pati vendi paqe, s’ka punë për ta. Për ata ka punë vetëm nëse vendi ka krizë dhe sherr. Ndaj, ka shumë politikanë që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, ndërkohë detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njeri-tjetrin. Kjo është motoja jonë dhe ndaj do fitojmë”. 

Puna iu tha kryetari i bashkisë së Tiranës të rinjve është ajo që bën ndryshimin dhe sipas tij socialistët do të zbresin në arenën e zgjedhjeve të ardhshme për të treguar se mund të jenë më shumë./abcnews.al

 

keshilli.jpg
G. P.15:33 | 26/07/2018

Pas parlamentit, debati për shembjen e Teatrit Kombëtar u zhvendos në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Këshilltarët demokratë vendimin për të shembur godinën ekzistuese e cilësuan antikushtetues dhe braktisën mbledhjen. Ndërkohë, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, deklaroi se teatri i ri do të ndërtohet pasi e duan aktorët.

17 vendime kryesisht për shpërndarje të ndihmës ekonomike, pagesa për aftësinë e kufizuar apo ndryshime të emrave të shkollave e rrugëve u miratuan në mbledhjen e fundit të këtij sesioni në këshillin bashkiak të Tiranës. Projektvendimet morën vetëm votat e socialistëve në këshill.

Opozita braktisi mbledhjen në kundërshtim të shembjes së Teatrit Kombëtar. Kryetari i këshilltarëve të djathtë përpara largimit nga salla deklaroi se ligji i posaçëm u miratua në parlament në shkelje të Kushtetutës. Këshilli bashkiak, i cili vendos për lejimin ose jo të tjetërsimit të truallit u shmang sipas Çollakut pasi nuk arrihej shumica e cilësuar.

Audicion për teatër e ka quajtur qëndrimin e opozitës kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili iu përgjigj akuzave ndonëse këshilltarët demokratë dhe ato të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ishin në sallë. Teatri do të ndërtohet deklaroi Veliaj ashtu siç u ndërtua edhe këndi i lojrave në Parkun e Liqenit dhe Sheshi “Skënderbej”, ndërkohë që iu kthye kohës në kohën që qeverisnin demokratët.

Me vendimin e bashkisë nuk ishte dakord as pëfaqësuesja e vetme e Frymës së Re Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Mirela Bogdani, e cila deklaroi se nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e koalcionit të majtë, por kalon në opozitë./abcnews.al

teatri-1.jpg
G. P.13:57 | 26/07/2018

54 artistë, kryesuar nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Leka Bungo, etj i janë drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, krerëve më të lartë të shtetit në vend, Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë dhe OSBE-së përmes një peticioni, ku shprehin vullnetin për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar bashkëkohor. Një teatër që sipas tyre t’i  ti sherbeje  komunitetit artistik teatror e publikut artdashës.

“Ritheksojmë, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone. Le të mos humbasim me kohë, por t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të ardhmes”, shkruhet në peticion.

Më pas, në të janë listuar emrat dhe firmat e aktorëve, regjisorëve dhe përfaqësuesve më të njohur të artit skenik shqiptar./abcnews.al

teatri-1.jpg
G. P.13:55 | 23/07/2018

Një përfaqësi e artistëve të aleancës për mbrojtjen e teatrit depozituan një letër në presidencë drejtuar kreut të shtetit, Ilir Meta. Artistët tashmë që ka mbetur edhe një javë nga dekretimi i ligjit, i bëjnë thirrje presidentit që të rikthejne për rishqyrtim ligjin për teatrin, nga ana tjetër ata kërkojnë edhe takim me presidentin.

Sipas tyre me këtë ligj shkelet balanca e pushteteve pasi parlamenti miraton ligjet që sjell qeveria. Artsitët e argumentojnë mosdekretimin e këtij ligji nga Presidenti edhe si filtri i fundit, pasi Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, organ ku ata mund të ankimonin. Nga ana tjetër, artistët thonë se tashmë çështja e Teatrit Kombëtar ka marrë përmasa europiane, duke ju referuar pyetjeve nga Brukseli drejtuar qeverisë.

Kujtojmë se Ilir Meta ka zhvilluar në muajin Prill një takim me një përfaqësi të artisteve kryesuar nga aktori Robert Ndrenika. Ndërkohë që pas miratimit të ligjit në parlament, kjo është hera e dytë që artistët i drejtohen Presidentit, herën e parë nuk kanë marrë përgjigje./abcnews.al

teatri-1.jpg
G. P.15:44 | 18/07/2018

Afatikushtetuese i dekretit presidencial lidhur me ligjin për teatrin kalon atë të punimeve të Kuvendit, duke e çuar potencialisht shqyrtimin e dekretit për sesionin parlamentar të Shtatorit. Kjo për demokratët është tërheqje e pjesshme e qeverisë, por kryebashkiaku Veliaj shpreson ndryshe.

Teatri Kombëtar vijon të angazhojë në deklarata publike pushtetin vendor, atë qëndror por edhe Kreun e Shtetit, afati kushtetues i të cilit, për dekretim apo jo të ligjit për teatrin, duket se kapërcen atë të punimeve të Kuvendit. E pikërisht mbyllja e sesionit parlamentar përpara afatit 20 ditor të Presidentit për dekretim të ligjit është konsideruar si tërheqje e qeverisë nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.

“Më në fund qeveria i thirri mendjes, vendosi të mos presë dekretin e Presidentit dhe të mbyllë Parlamentin para se të vijë dekreti i Presidentit. Pas pushimeve të Gushtit, t’i thërrasë mendjes përfundimisht për ta tërhequr plotësisht ligjin e shembjes së Teatrit Kombëtar”, tha Tabaku.

Kreu i Shtetit Ilir Meta, i pyetur lidhur me vendimin që pritet ta marrë përpara datës 30 korrik, ka folur për pandikueshmëri.

“Dua t’ju siguroj se nuk do ndikohem nga asnjë faktor jashtë përgjegjësive të presidentit”, tha Meta.

Por kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj shpreson ndryshe nga forca politike e drejtuar nga zoti Meta deri në marrjen e postit të kretu të shtetit LSI, e pozicionuar fort kundër këtij ligji.

“Unë shpresoj te presidenca si institucion dhe person sepse Ilir Meta është një person konstruktiv. Kam besim. Qetësi dhe dashuri”, tha Veliaj.

Afati 20-ditor i Presidentit Meta për kthimin apo jo të ligjit të Teatrit kapërcen atë të mbylljes së sesionit parlamentar, duke e çuar shqyrtimin e dekretit për në sesionin e ardhshëm parlamentar i cili nis në Shtator./abcnews.al

debatt.jpg
G. P.15:28 | 16/07/2018

Në komisonin e medias ishte thirrur për dëgjesë drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, Valdrin Dalipi. Por opozita e ka mbyllur mledhjen me pretendimin se kryeregjistruesi nuk pranon të përgjigjet se sa metra katror truall publike dhe private do t’i jepen kompanisë që do të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar.

Prej kohësh Komisionin e Medias dhe Edukimit e karakterizon zhurma dhe debatet me zë të lartë.

Deputetë të majtë e të djathtë janë mbledhur të dëgjojnë drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave, Valdrin Pjetri, i cili duhet t’i informojë mbi truallin, ku do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar.

“Kërkesa juaj që keni firmosur ishte vetëm për kartelë”, tha Pjetri.

“E ke kërkesën në hartë”, u shpreh deputeti i PD-së, Luçiano Boçi.

Por kryeregjistruesi nuk është përgatitur t’i japë përgjigje pyetjeve të opozitës.

“Por refuzoni të përgjigjeni sa ka kompania “Fusha” dhe sa kanë privatët. Harta duhet të vinte bashkangjitur”, tha Vokshi.

“Zona kadastrale nuk është hartë. Duhet ta kuptoni mirë këtë. Zona kadastrale përbëhet nga 14 mijë e 700 e 50 pasuri. Këtyre pyetjeve nuk kam çfarë t’ju shtoj asnjë presje më”, u përgjigj Pjetri.

Përballë akuzave të opozitës, drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave nuk u ndje i vetmuar, në krah i dolën deputetët e majtë.

“Këtu krijohet iluzioni sikur harta është sekret. Absolutisht jo. Nëqoftëse ne nuk e kemi specifikuar këtu që jemi të interesuar për filan pronar, por kemi thënë për pronat në tërësi, zotëria duke iu referuar zonave kadastrale e dha përgjigjen”, shtoi Besnik Bare.

Dhe siç ndodh rëndomë në Komisionin e Medias dhe Edukimit mbledhja mbaron ashtu siç fillon, me pyetje pa përgjigje. Teatri vazhdon të ketë role pro dhe kundër shembjes së tij./abcnews.al

albana-vokshi-1.jpg
G. P.14:10 | 13/07/2018

Partia Demokratike ka vijuar dhe sot akuzat ndaj kryeministrit Rama për godinën e re të Teatrit Kombëtar. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, tha se nga plani për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit, Rama, sipas saj, fiton të paktën 205 milionë euro.

Një ditë pas protestës marshim kundër ligjit të miratuar në parlament për shembjen dhe ndërtimin e një teatri të ri kombëtar… Partia Demokratike denoncoi me kronologji atë që quan aferën shumë-vjeçare të kryeministrit Rama për shembjen e teatrit kombëtar.

“ Sipas përllogaritjeve të ekspertëve ….Fitimi i planifikuar nga Edi Rama nëpërmjet skemës mafioze të grabitjes së pronës publike duke shembur Teatrin për të ndërtuar 6 kulla është të paktën 205 milionë euro”.

Është ky fitim marramendës i klientit të kryeministrit dhe atij vetë, deklaron Vokshi, ajo që ka angazhuar Edi ramën në plotësimin e kësaj skeme të vënë në jetë prej 20 vitesh.

Që kur ka marrë pushtet në vitin 1998, kur u bë Ministër Kulture… Edi Rama caktoi se godina rrezikohej nga zjarri dhe urdhëroi mbylljen e sallave të shfaqjeve. Dha me qera me 1USD/m2 ambientet e Teatrit Kombëtar, i cili u kioskëzua, u kthye në bingo dhe bar kafe, duke e zhytur teatrin në borxhe për shkak të lidhjeve të paligjshme të bizneseve të Ramës brenda Teatrit”.

Ishte koha kur Pandeli Majko ishte kryeministër dhe u doli në krah artistëve, thekson PD, të cilët kërkonin rikonstruksionin e Teatrit, që bazuar në studimet e kohës kushtonte vetëm 1 milion dollarë.

Edi Rama Ministër Kulture devijoi qëllimshëm çdo fond buxhetor dhe të donatorëve të destinuar për Teatrin në projekte personale. Këtë gjë ai e bëri edhe si Kryetar Bashkie”.

Në vitin 2002 nisi promovimin e idesë së ndërtimit të Teatrit me koncesion,thenkson Vokshi, por kjo u zmbraps nga protestat e artistëve, për t’iu rikthyer sot kur në krye të Bashkisë Tiranë është Erion Veliaj.

Në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës 2017, ndryshe nga zonat e tjera ku sipërfaqja e ndërtimit, koeficienti i shfrytëzimit dhe numri i kateve janë të përcaktuara, në zonën ku është Teatri gjithçka u la hapur, që ta vendosë vetë Edi Rama në bazë interesave të tij financiarë”.

Kjo menjëherë pas Vendimit të këshillit të Ministrave të vitit 2016, theksojnë demorkatët, përmes së cilit Edi Rama vendosi përgjysmimin e çmimit të truallit në zonën e teatrit në mënyrë që të përmbushte skenarin e vënë në lojë gjatë viteve të tij në pushtet.

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono