tatime

tatimet.png
G. P.16:37 | 10/11/2018

Pas rasteve të fundit në strukturat tatimore të Tiranës dhe Shkodrës, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka kërkuar prej inspektorëve në vend respektim rigoroz të ligjit. Drejtori Adrian Shehu ka qenë i prerë ndërsa ka deklaruar tolerancë zero ndaj shpërdoruesve të detyrës.

Tolerancë zero ndaj çdo inspektori tatimor që shpërdoron detyrën apo shkel etikën në punë. Paralajmërimi vjen nga Drejtori i Hetimit Tatimor, Adrian Shehu. Shehu zhvilloi një mbledhje të posaçme me strukturat e zbatimit të rajonit qendror, jugor dhe verior lidhur me ecurinë e zbatimit të planit operacional.

Profesionalizëm, etikë dhe korrektësi në trajtimin e rasteve, në respekt rigoroz të legjislacionit në fuqi, kërkuan prej vartësve të tyre drejtuesit e Hetimit Tatimor në këtë takim. Apeli i Drejtorisë së Hetimit Tatimor vjen pas dy rasteve të konstatuara javën e fundit.

Tre punonjës të Hetimit Tatimor në Tiranë u arrestuan nga policia e Korçës me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Inspektorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kundrejt shumës prej 30.000 lekësh kanë favorizuar një subjekt tregtar në qytetin e Korçës.

Ndërsa pas denoncimeve në platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion rekomandoi largimin nga detyra të drejtorit të Hetimit Tatimor në Shkodër dhe 21 inspektorëve. Ndërkohë që për 14 të tjerë sugjeroi paralajmërimin për largim nga puna./abcnews.al

atentatii.png
G. P.13:50 | 03/11/2018

Sasia e vogël e eksplozivit që ishte vendosur pranë mjetit të punonjësit të Tatimeve në Shkodër dyshohet të jetë një atentat i dështuar ose mesazh kërcënues. Pista kryesore e hetimit është detyra që ushtronte si inspektor, por Nehat Zaganjori ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte me askënd.

Atentati ndaj punonjësit të Tatimeve në Shkodër, Nehat Zaganjorit, ka mbetur mister. Lënda shpërthyese ishte vendosur rreth gjysmë metra larg mjetit në anë të trotuarit ndërsa fitili zjarrpërcjellës nuk ka qenë i ndezur.

Ndërkohë që nuk është gjetur asnjë pajisje tjetër për një komandim në distancë si dhe mbështjellja e lëndës plasëse është bërë më një letër të bardhë.  Grupi hetimor është i paqartë nëse kemi të bëjmë më nje mesazh kërcënues apo me një atentat të dështuar. Punonjësi Nehat Zaganjori nuk rezulton të këtë konflikte më dikë, po ashtu as të afërm të tij.

Detyra që ushtron tek Tatim-Taksat e Shkodrës është ajo e inspektorit për vjeljen e detyrimeve të prapambetura. Kjo mbetet edhe pista kryesore e hetimit.  Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje tek Ura Dervish Beg në Shkodër. Ende policia nuk ka një autor për ngjarjen. Gjatë këtij viti në Shkodër kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të cilat kanë tronditur kryeqendrën e veriut./abcnews.al

IMG_9221-1280x853.jpg
G. P.12:51 | 31/10/2018

Nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, demokratja Jorida Tabaku akuzoi kryeministrin Rama për tenderin, sipas saj korruptiv, në favor të kompanisë kroate, që u shpall fituese për menaxhimin e faturimit të bizneseve.

Tenderi i fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomik Jehona Software, Datech dhe Neos me vlerë 15 milionë euro për kontrollin online të faturave tatimore të bizneseve, sipas Partisë Demokratike është haptazi korruptiv dhe kjo për Jorida Tabakun vërtetohet nga vetë dokumentat publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

“Tregojnë se në tenderin fasadë prej 15 milionë euro kanë marrë pjesë 3 garues. Dy prej tyre kanë qenë aty në garë për të legjitimuar  skemën korruptive”.

Një nga dy ofertat ishte ajo e BNT Electronics me çmim lehtësisht më të lartë se ajo e ofertës fituese.

“Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë, në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh”.

Kjo për të mundësuar plotësimin e kriterit të çmimit më të ulët për fituesin, theksojnë demokratët. Për këtë shërbim, kompania B360 merr shpërblimin e saj, sipas Tabakut.

“Jo pak, por 15.6 milionë euro tendera i ka dhënë qeveria e Edi Ramës baxhanakut të Edi Ramës nëpërmjet ortakut të baxhanakut”.

Selia blu paralajmëron se do t’i shkojë në fund asaj që quan aferë korruptive, duke zbuluar skemën sesi kompania kroate u bë fituese e tenderit që sipas llogarive të demokratëve do t’i kushtojë çdo biznesi 600 deri në 1000 euro shpenzime./abcnews.al

jorida-tabaku.png
G. P.13:18 | 30/10/2018

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, nënkryetare e komisionit të ekonomisë, nga selia blu doli të konfirmonte, atë çka 5 javë më parë e paralajmëroi nga e njëjta sallë.

 “Qeveria e Edi Ramës e kishte paracaktuar fituesin kroat të tenderit korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin. Sot, paralajmërimi ynë është bërë realitet. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret”, u shpreh Tabaku.

Tender korruptiv me garë fasadë sipas demokratëve sepse për ta, ishin kriteret e tenderit që iu  përshtatën kompanisë kroate dhe jo anasjelltas si e do rregulli.

“Kjo qeveri jo vetëm ka pafytyrësinë t’i shkojë deri në fund një tenderi të denoncuar si korruptiv, por po e shet Shqipërinë me copa tek klientë që kanë mbajtur në këmbë pushtetin e inkriminuar dhe të korruptuar të Edi Ramës”, tha deputetja e PD-së.  

Kostoja prej 15 milionë eurosh nuk është fatura e vetme që do të paguajnë shqiptarët për këtë tender korruptiv, thekson deputeti demokrat Endri Hasa.

“Monopoli që vulosi qeveria, me një faturë skandaloze për bzineset, 80-100 milionë euro, detyron çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisje te reja fiskale, që do të punojnë sipas kërkesave që do të përcaktojnë kroatëve, kur të ndërtojnë sistemin e ri”, tha Hasa.

Kjo do të thotë se bizneset do të duhet të hedhin në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzustuese, për t’i zëvendësuar ato kundrejt një pagese që kap shifrat 600 deri në 1000 euro me sistemin e kroatëve, sipas Hasës.

“Ftoj çdo ekspert të IT apo Ekonomisë të përllogarisë vetë kostot. Do të zbulojë fare lehtë që ky shpenzim do të jetë realisht më i lartë, po të llogariten kostot e tjera që kanë të bëjnë me stafin dhe infrastrukturën e nevojshme për të transmetuar në kohë reale në sistem çdo shitje”, tha deputeti.

Ky sistem cënon konkurencën e ndershme në treg, thekson selia blu, pasi i jep mundësi individëve të pakontroluar të kenë akses në informacione komerciale, industruale, produktet apo xhepin e çdo tatimpaguesi. Partia Demokratike njoftoi se po merr informacionin e nevojshëm për të zbuluar kush qëndron prapa kësaj kompanie./abcnews.al

ministria.png
G. P.16:11 | 07/10/2018

Në kuadër të hartimit të paketës së re fiskale, Konfindustria i kërkon Ministrisë së Financave të zerojë tatimin e dividentit për bizneset që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura.

Ndërsa për bizneset që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura, koncesionet apo të tjerë subjekte, të cilët kanë shkallë të ulët konkurrence, Konfindustria propozon që masa e dividentit të përshkallëzohet në rritje, në varësi të vlerës absolute të fitimit.

Në rast se tatimi i dividentit ulet për të gjithë kategoritë e bizneseve në të njëjtën masë, prej 8%, si propozon qeveria Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, thotë se ndryshimet do të kenë vlerë vetëm për kompanitë e tregjeve të mbyllura me akte ligjore, kontratat e Partneritetit Publik Privat.

Konfindustria gjithashtu kërkon ulja në vlerën zero edhe të tatimit për fitimin e riinvestuar nga bizneset. Sipas Buxhukut kjo masë që është në fuqi pothuajse nga të gjitha vendet e Rajonit nxit rritje e investimeve./abcnews.al

Donald-Trump-e1526640469549.jpg
G. P.23:23 | 03/10/2018

“New York Times” ka hedhur poshtë mitin që rrethon Donald Trump, si një njeri që ka arritur gjithçka me forcat e tij në jetë. Përmes një shkrimi investigativ, gazeta prestigjoze ka bërë të ditur, se para se të niste aktivitetet sipërmarrëse, Trump trashëgoi nga i ati një shumë marramendëse, të cilën ua fshehu institucioneve fiskale.

Presidenti Donald Trump i ka fshehur autoriteteve amerikane një shumë prej 413 milionë dollarë, të trashëguar nga i ati, Fred Trump. Gazeta “New York Times”, që bën të ditur lajmin, ka ekzaminuar dokumentat mbi kalimin e pasurisë nga brezi i parë tek ai i dytë i familjes Trump.

Bëhet fjalë për një dosier që përmban një seri dokumentesh fiskale e që hedh poshtë mitin e Trump si njeriu që arriti gjithçka me forcat e tij. sipas së përditshmes, në vitet ’90 presidenti amerikan mori shumën madhore për të nisur aktivitetin e tij sipërmarrë dhe ua fshehu atë autoriteteve fiskale.

Babai i tij do të transferonte rreth 1 miliard dollarë për tre fëmijët, Marjen, Robert dhe Donald dhe sipas ligjit, kryefamiljari duhej të paguante rreth 550 milionë dollarë në formë taksash. Por nga investigimi i “New York Times” rezulton se familja ka paguar vetëm 52 milionë.

Madje, vijon gazeta, ishte pikërisht Donald Trump ai që krijoi një seri kompanish fantazmë për të fshehur paratë dhe pasurinë. Gjithashtu, presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara zhvlerësoi pasuritë e patundshme të ngritura nga i ati, të cilat shumë shpejt do t’i kalonin atij, për të paguar sa më pak taksa.

Vetë Trump ka reaguar të mërkurën ndaj “New York Times”, duke deklaruar se kjo gazetë e falimentuar ka bërë diçka që nuk është parë e dëgjuar më parë./abcnews.al

taksaa.png
G. P.22:02 | 02/10/2018

Qeveria ka nisur diskutimet me biznesin për paketën e re fiskale. Pritet që në draft të bëhen ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat ku pritet ulja e tatimit mbi dividentin dhe pragun për tatimin e pagës.

Qeveria do të bëjë disa ndërhyrje në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke ulur tatimin mbi dividentin dhe duke riparë dhe njëherë pragun për tatimin e pagës.

Ekzekutivi i ka nisur për konsultim biznesit disa pika të paketës fiskale, ku i bën të njohur atij ndryshimet në ligjin e taksave, por pa shpallur normën që do të ketë tatimi i ri. Diskutimet janë që tatimi i dividentit të ulet në 10 ose 8%, nga 15% që është sot, ndërsa synohet që të zbutet progresiviteti për kufijtë e tatimit të të ardhurave mga paga.

Biznesit i është propozuar po ashtu përjashtim nga tatimi mbi vlerën e shtuar për lëndët e para të fabrikave të prodhimit farmaceutik, përjashtim nga TVSh për furnizimin me shërbim nga nënkontraktorët në industrinë fason dhe normë të reduktuar prej 10% të këtij tatimi për autobusët elektrikë të trasportit publik.

Minsitria e Financave po sheh mundësinë e heqjes së akcizave për fishekzjarret, llampat dhe bateritë dhe rritjen e akcizës për duhanin. Rregullime do të ketë edhe në skemën e pagesës së rentës minerare në industrinë e kromit, për të rritur vlerën e tij në eksport.

Mësohet se brenda kësaj jave, Minsitria e Financave do të shpallë edhe normën e tatimit për të gjithë rishikimet që do t’u bëjë ligjeve fiskale./abcnews.al

ekonomii.jpg
G. P.13:46 | 31/08/2018

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka orientuar tatimpaguesit drejt një një forme tjetër për shlyerjen e borxhit tatimor, atë të pagesës me këste. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp tatimet rendisin hapat që duhet të ndiqen.

Ka një mundësi të re se si të shlyhen detyrimet tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton tatimpaguesit se mund të lidhin një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore të papaguara.

Për të përfituar nga kjo lehtësi, tatimpaguesi duhet  të justifikojë paaftësinë likujduese të përkohshme financiare.

Marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Janë këto katër tatime të listuara për tu paguar me këste, të cilat duhet të ndiqen nga tre hapa për të nënshkruar një marrëveshje me këste.

Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.

Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar./abcnews.al

hetimi-tatimor.jpg
G. P.15:17 | 20/07/2018

Inspektorët e tatimeve po vijojnë kontrollet në bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në turizëm në bregdetin e jugut. Pas kontrolleve në terren i kanë bllokuar aktivitetin 9 hoteleve dhe 2 lokaleve.

Jugu i vendit vijon të jetë në lupën e tatimeve.

Kontrollet e detajuara me qëllim reduktimin e informalitetit dhe garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, Drejtoria e Hetimit Tatimor i ka përqendruar në Sarandë, Ksamil, Himarë e Dhërmi.

9 hotele janë bllokuar pasi nuk ishin regjistruar në organet tatimore, ndërsa dy biznese për moslëshim të kuponit tatimor për herë të dytë.

Këto të fundit nuk do të ushtrojnë aktivitetin për 30 ditë, ndërkohë që për hotelet, masa e marrë do të qëndrojë në fuqi deri në regjistrimin e tyre si subjekte me TVSH.

Vetëm një javë më parë, tatimet raportonin bllokimin e 7 subjekteve të tjera të paregjistruara në zonat bregdetare. Bllokimet e aktivitet kanë përfshirë edhe restorantet e lokalet.

Drejtoria e Hetimit Tatimor ka deklaruar se do t’i vijojë kontrollet përgjatë të gjithë sezonit veror, ndërsa iu ka bërë thirrje tatimapaguesve në zonat turistike të respektojnë detyrimet ligjore si për turistët vendas, ashtu edhe për ata të huaj./abcnews.al

tatimee.jpg
G. P.14:57 | 18/07/2018

Qytetarët dhe bizneset nuk do të duhet të paraqiten më pranë zyrave të administratës publike për të dorëzuar një sërë dokumentesh.

Bëhet fjalë për 14 certifikata dhe vërtetime për familjarët dhe 10 për bizneset.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në faqen e saj në internet listën e dokumentave që në kuadër të reformës së deregulimit mund të merren përmes platformës elektronike e-Albania.

Që nga një certifikatë e thjeshtë, autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit, vërtetim si punëkërkues i papunë, vërtetim për përgjegjësitë tatimore  apo për regjistrimin e biznesit, e të tjerë mund të merren online në çdo kohë dhe pa kosto printimi./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono