tarifat

DEMOKRATET-TRUMP.mpg_snapshot_00.00-1-1280x720.jpg
ent ela11:08 | 10/05/2019

Pekini ka reaguar ashpër pas hyrjes në fuqi, mesnatën e të enjtes, së tarifave të reja amerikane për më shumë se 200 miliard dollarë produkte kineze. Ndërkohë në Uashington vijon raundi i 11-të i negociatave mes delegacionit kinez dhe atij amerikan.

Mesnatën e të enjtes në Uashington, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja ndaj Kinës: nga 10 në 25 për qind ndaj më shumë se 200 miliard dollarë produkte kineze. Por ndërkohë në Uashington vijojnë negociatat, pavarësisht burimeve pranë dy delegacioneve të cilat konfirmojnë progrese shumë të vogla, gati të pakonsiderueshme. Pekini reagoi menjëherë duke thënë se do të kundërpërgjigjet shumë shpejt.

Ministria kineze e tregtisë në një deklaratë për media u shpreh se do të pritej deri në përfundimin e raundit të 11 të negociatave në Uashington, dhe se kishte ende shpresë që palët të bashkëpunojnë për të zgjidhur problemet ekzistuese.

Zv/kryeministri kinez Liu, i cili drejton dhe delegacionin në Uashington, para nisjes së bisedimeve u shpreh se rritja e tarifave nuk janë zgjidhja e problemit. Ai shtoi se do të fliste sinqerisht dhe synonte t; jepte fund betejës tregtare. Por gjithësesi ai pranoi se kishte problem, por çdo gjë mund të zgjidhet me vullnetin e mirë të palëve, përfundoi ai. / ABC News Albania 24/7

trump-1280x778.jpg
ent ela10:41 | 09/05/2019

Brenda pak orësh, delegacioni kinez i drejtuar nga zv/kryeministri i Kinës, do të jetë në Uashington për një raund të ri negociatash tregtare. Ndërkohë mesnatën e të premtes pritet të hyjnë në fuqi tarifat e reja ndaj produkteve që vijnë nga Kina – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendës kryeministri kinez po udhëton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vijuar negociatat tregtare, por Kina e ka shkelur marrëveshjen dhe tani duhet të paguajë. Është kjo deklarata më e fundit e presidentit amerikan Donald Tramp, në Florida. Negociatat tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, pritet të rifillojnë orët në vijim, dhe në mesnatën e së premtes parashikohet të hyjnë në fuqi tarifat e reja kundër Pekinit.

Qëndrimi i ashpër i Kinës në marrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ndoq nga deklaratat e forta të presidentit amerikan Donald Tramp. Ëoll Street Journal raporton, duke cituar disa burime, se nuk përjashtohet të ketë pasur keqkuptime nga të dyja palët në interpretimin e sinjaleve respektive.

Ndërkohë mediat kineze e cilësojnë Liu He në krye të delegacionit kinez që do të zhvillojë një raund të ri negociatash në Uashington, vetëm në rolin e zëvendëskryeministrit dhe jo në atë të të dërguarit special të Presidentit. /ABC News Albania 24/7

trumpp.jpg
ent ela15:07 | 05/03/2019

Do të ketë tarifa për sa i përket produkteve që hyjnë në territorin amerikan nga India dhe Turqia. Është ky vendimi i presidentit amerikan Donald Tramp, sipas të cilit këto dy vende nuk meritojnë më statusin preferencial.

Presidenti amerikan Trump ka hapur dy fronte të reja lufte tregtare me eliminimin e statusit preferencial që i garantohej Indisë dhe Turqisë duke vendosur tarifa për importet nga këto dy vende. Lajmi është koonfirmuar nga zyra e përfaqësuesit për tregtinë amerikane, me anë të një deklarate për mediat. Uashington vendos të anulojë cilësimin e Indisë dhe Turqisë si dy vende në zhvillim përfitues të termave të preferencës; thënë ndryshe do të vendosen tarifa në disa pordukte të caktuara pasi nuk përmbushin më parametrat. India nuk ka respektuar kushtet e qasjes reciproke, ndërsa Turqia është zhvillluar mjaftueshëm për sa i përket ekonomisë, vijon më tej deklarata. /abcnews.al

SHBA-KINE-TARIFA.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela14:30 | 14/02/2019

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1 mars hyn në fuqi vendimi për vendosjen e tarifave të reja, deri në 200 miliardë dollarë ndaj produkteve që vijnë nga Kina. Por Kreu i Shtëpisë së Bardhë Tramp pritet ta shtyjë dhe për 60 ditë këtë afat.

Presidenti amerikan Donald Tramp po vlerëson hipotezën për të zgjatur dhe për 60 ditë afatin e vendosjes së tarifave të reja prej 200 miliard dollarësh për produktet që vijnë nga Kina. Objektivi është ai i lejimit të negociatave me Pekinin për të arritur rezultatet e pritura. Afati aktual, i vendosur në takimin e atëhershëm mes Tramp dhe homologut kinez Xi Jinping, është fiksuar për në 1 mars

Sekretari Amerikan i Thesarit Stiven Mnuhin, dhe përfaqësuesi për tregtinë Robert Lajtizes, ndodhen në Pekin për raundin e fundit të bisedimeve të nivelit të lartë me delegacionin kinez të drejtuar nga zëvendëskryeministri Liu He.

Qëllimi i takimeve është ai I hartimit të një projekti fillesar marrëveshjeje që do i prezantohet dy presidentëve Trump e Xi. Gjithashtu është parashikuar një takim mes dy liderëve, të cilin Presidenti amerikan dëshiron që të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. /abcnews.al

MANAS.MPG_snapshot_12.26-1280x720.jpg
ent ela20:08 | 04/02/2019

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar qytetarët se nuk do të ketë rritje të tarifave për shërbimet dentare, pas vendimit të Asamblesë së Urdhrit të Stomatologut. Manastirliu e ftuar në studion e Mbrëmje në ABC News tha se Asambleja e Stomatologut tejkaloi kompetencat.

 “Qëndrimi i Ministrisë së Shëndetësisë është për anulimin edhe mosmarrjen për bazë të këtij vendimi që mund ta prodhojë Urdhri i Stomatologut. Asambleja e Stomatologut i ka tejkaluar kompetencat që i lejon urdhri i stomatologut”.

Ministrja theksoi se janë bërë hapat ligjorë dhe një kërkesë padi për anulimin e këtij vendimi që sipas saj është në kundërshtim me ligjin.

“Ne kemi bërë hapat ligjorë, kemi bërë  kërkesë padi në gjykatë për anulimin e këtij vendimi që nuk gjen zbatim dhe është në kundërshtim me ligjin. Unë siguroj qytetarët që nuk do ketë rritje të tarifave se urdhri i Stomatologogut nuk vendos tarifa për shërbimet që u ofrohen qytetarëve”.

Sipas saj vendimi i Asamblesë për rritjen e tarifave dentare është nul, pasi vendimi nuk është marrë nga komisioni dhe dy anëtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Këshillin Kombëtar të dentistëve, votuan kundër.

“Dy anëtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Këshillin Kombëtar të dentistëve, votuan kundër, i cili nuk është refklektuar në votën e procesverbalit. Procesverbali do paraqitet në gjykatë se ne kemi bërë padi për tejkalim kompetencash, se vendimi nuk është marrë nga komisioni, por nga asambleja. Nuk preken tarifat. Ky vendim është nul”. /abcnews.al

BESA-SINKRON-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela15:45 | 14/01/2019

54 punonjës të Ministrisë së Arsimit janë shpërndarë nëpër fakultete për të sqaruar studentët rreth vendimeve të marra nga qeveria në muajin dhjetor.  Zëvendësministrja e Arsimit Besa Shahini në një deklaratë për mediat, i bëri thirrje studentëve që për çdo paqartësi t’i drejtohen sekretarive mësimore.

“Për çdo paqartësi në sekretariatet e universiteteve keni punonjësit e Ministrisë, drejtohuni te ata dhe ata do t’ju japin përgjigje dhe do t’ju qartësojnë. Aplikimi i VKM që kanë efekt financiar dhe që ju prekin te tarfiat dhe bursat zbatohet nga universiteti. Qeveria ndan fondin ku trajtohen të gjithë kategoritë e studentëve, por aplikimi, detajimi i listave të studentëve, identifikimi i studentëve dhe kalkulimi i notës mesatre bëhet nga universitetet”. /abcnews.al

rama-1-1280x615.jpg
ent ela12:13 | 26/12/2018

Nga janari qeveria do të financojë nga buxheti i shtetit 100% të tarifes për disa kategori studentësh në nivelin Bachelor. Për to do të japë edhe bursë 10 mijë lekë. Për gjithë studentët e tjerë të bachelorit, qeveria do të subvencionoje gjysmën e tarifës së studimit. Përgjysmim të tarifës do të kenë edhe disa kategori të masterit.

“Studentët nga familje në ndihme ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit. Studentët nga familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj”.

Është ky vendimi i qeverisë i marrë sot dhe i bërë publik nga vetë kryeministri Rama. Në konferencën për shtyp, kreu i qeverisë tha se është e domosdoshme për të maksimizuar potencialin e krijuar nga protesta dhe për ta futur universitetin në një fazë të dytë të një reforme transformuese që jo vetëm duhet të zbrapset, por edhe të thellohet.

“Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit, nga tarifë e plotë që paguanin përpara këtij vendimi.

Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj, ndërkohë që kjo masë ishte në nivelin 8,100 lekë dhe vetëm për studentët me mesatare 10.00.

Të gjithë studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit.

Studentët e humbasin këtë mundësi nëse nuk mbajnë gjatë studimit një mesatare mbi 6 në vitet pasardhëse”.

 Ram theksoi se mesin e muajit të ardhshëm do të bëhet publik pakti për universitetin.

Punësim i studentëve më të mirë në administratë

Një tjetër vendim i qeverisë është edhe punësimi i studentëve më të mirë në administratën publike. Pa konkurs, por me kreditet e arritjeve në universitet, studentët më të mirë, ata që do mbarojnë do kenë zgjehdjen e parë, të dyttë ata nga universitete publike dhe të tretët ata nga universitetet private.

“Kemi vendosur sot që të gjitha vendet në administratën publike të jenë në dispozicion të studentëve më të mirë. Është vendim i Këshillit të Ministrave për punësimin e studentëve më të mirë në institucionin e administratës shtetërore, sepse sot kanë një pengesë që s’kanë eksperiencë. Pa konkurs por me kreditet e arritjeve në universitet, studentët më të mirë, ata që do mbarojnë, ata që janë jashtë dhe sistemi i zgjedhjes do fillojë nga lart poshtë.

Ekselentët që kanë studiuar jashtë kanë zgjedhjen e parë, në universitetin publik të dytën dhe të tretën ata që janë në privat.

Hipoteka, ALUIZNI në adiminsutarën jopublike do jenë në dispozicion të më të mirëve, do të jenë zgjedhje individuale me çfarë ke në bankën e dijes dhe askush as ministra, as drejtorë as pareli nuk kanë mundësi të ndërhyjnë”./abcnews.al

SENATI-UT-MBULIM.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
G. P.17:09 | 12/12/2018

Senati akademik i Universitetit të Tiranës bën të ditur se ky universitet nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura, pika 4 e VKM nr.288 datë 21 maj 2108, e cila u shfuqizua disa ditë më parë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Senati sqaron se Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit dhe ngarkon Bordin e Administrimit të Universitetit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për Universitetin e Tiranës.

Po ashtu në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës, sipas kësaj deklarate, do të parashikohen rregulla të qarta për pjesëmarrjen e studentëve në veprimtarinë financiare dhe akademike. Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune me pedagogë dhe studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura nga studentët./abcnews.al

KRONIKE-RRETHET-STUDENTET-ABC-M2-T1.mpg_snapshot_01.20-1280x717.jpg
G. P.16:23 | 06/12/2018

Studentët në Korçë, Elbasan, Durrës, por edhe një pjesë e tyrë në Vlorë, protestuan për katër kërkesat e tyre ekonomike. Tubimet në Korçë dhe Elbasan ishin më masive.

Korça
Ishte masiv dhe i fuqishëm reagimi i studentëve të Korçës. Që në mëngjes, ata bojkotuan mësimin dhe para godinës së Universitetit “Fan Noli”, u bashkuan studentë nga të gjitha fakultetet e tij. Më pas ata marshuan në bulevardin Republika, duke u ndalur e bllokuar sheshin qendror të qytetit të Korçës. Qarkullimi në dy anët e rrugës u bllokua. Njëlloj si studentët e Tiranës, Elbasanit e Durrësit, edhe ata të Universitetit të Korçës protestuan kundër tarifave të larta, përfshi tarifën për provimet e prapambetura si dhe kërkuan përmirësim të kushteve universitare.

Studenti 1: “Ne solidarizohemi me të gjithë studentët. Kërkesat tona i kanë thënë të gjithë ata që po protestojnë. Ne i kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ti mbështesim.”

Student 2: “Për provimet e mbartura thonë se është 6500 lekë të vjetra për një kredit. P.sh. Dikush që mund të jetë student i mirë mund ta lerë provimin e mbartur sepse nuk i pëlqn nota, pse duhet të paguajë ai prapë shtesë?!…”

Durrës
Studentë të universitetit Aleksandër Moisu në Durrës, i cilësuan poshtëruese deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protestojnë ata që janë ngelësa. Rinia nuk është ngelëse, por është një rini që përpiqet për të mësuar e studiuar, që merr para borxh për të paguar tarifat e rritura të Edi Ramës, thanë protestuesit.

Studenti 3: “Nëse nuk e ndalim tani këtë fenomen, pavarësisht se prek vetem një pjesë, atëhere ky tren i madh tarifash dhe kartonash nuk do të ndalet kurrë.”

Studenti 4: “Të ulet dhe tarifa kryesore që është e vitit dhe të hiqen edhe tarifat e provimeve të prapambetura. Çfarë i kushton atyre të na sjellin një fletë provimi që ta bëjmë aty.”

Studenti 5: “Jam në master shkencor në UAMD dhe tarifa është shumë e lartë dhe e papërballueshme. Prindërit janë pa punë dhe meritokracia nuk ekziston nëse kam mbaruar me rezultate shumë të mira nuk është se mund të futem në punë. Ërderisa punët janë me militantë politikë, unë kërkoj thjesht drejtësi, përmirësim të cilësisë së shërbimit dhe uljen e tarifës.”

Elbasan
Edhe studentët e Elbasanit kanë bojkotuar mësimin, duke iu bashkuar kërkesave të shpallura nga ata të Tiranës. Nga fakultete të ndryshme ata u mblodhën dhe protestuan në sheshin para universitetit. Në këtë protestë nuk u panë pedagogët, por politikanë të cilët kanë thënë, se shkuan aty me kërkesën e vetë studentëve.

Studenti 6: “Kauza jonë është që vendimi të anulohet dhe nuk do të ndalemi deri sa kjo gjë të realizohet.”

Studenti 7: “Është shumë shumë e tepërt që ne studentët të paguajmë këto tarifat dhe taksa që janë të papërballueshme për xhepat tanë dhë për prindërit tanë.”

Studenti 8: “Kërkesa tjetër është përgjysmimi, sepse është aluduar që do të ngrihet taksa jonë vjetore. Sigurisht që kjo është një pengesë për ne dhe përveç krediteve duhet të përgjysmojmë dhe tarifën tonë sepse jemi universitet publik dhe tarifa jonë është e barabartë me të privatit.”

Shkodra
Pritej të ishte më e fuqishme protesta e studentëve në Shkodër. Por në një njoftim të tyrin, tubimi ishte parashikuar të premten. Megjithatë studentët e disa fakulteteve të Universitetit të Shkodrës, protestuan para godinës së rektoratit. Ata thanë se tarifat kanë rënduar. buxhetin e tyre.

Studenti 9: “Kërkojmë dhe mbështetjen e pedagogëve të Universitetit të Shkodrës, sepse edhe ata janë të akuzuarnga shumë eksponentë që kanë qenë ata që kanë kërkuar rritjen e këtyre tarifave.”

Studenti 10: “Kemi absolutisht nevojë për ndihmën e pedagogëvenë qoftë se ata nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë, janë akuzuar padrejtësisht dhe të vijnë këtu me ne nëse nuk e kanë kërkuar dhe ta kërkojmë rrëzimin e VKM-së që është e pakuptimtë dhe shkatërruese për studentët.”

Studenti 11: “Këtu është duke u shkelur Kushtetuta haptazi. Ne që e studiojmë Kushtetutën me imtësi ne e kuptojmë më mirë se të gjithë.”

Studenti 12: “Që të paguajmë një taksë mbi taksë është komplet e palogjikshme. Nuk kemi ngrohje, nuk kemi ftohje, ne juridiku nuk kemi një sallë ku të zhvillojmë mësimin.”

Në Vlorë dhe në Gjirokastër studentët nuk arritën të organizoheshin. Disa nga ata u thanë gazetarëve se nuk kishin informacion, por edhe kanë patur frikë nga drejtuesit e Universiteteve./abcnews.al

MAKINAT-AMERIKANE-KINA-1280x575.jpg
ent ela11:17 | 03/12/2018

Pekini do të “reduktojë dhe heqë” tarifat prej 40% të venodsura ndaj importimit të automjeteve amerikane në Kinë. Kjo është bërë e ditur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Kina nuk ka komentuar njoftimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, të cilin e bëri përmes tuiterit pa dhënë shumë detaje. Lëvizja, nëse do të konfirmohet, do të mirëpritet nga industria e automjeteve e dëmtuar nga përshkallëzimi i luftës tregtare SHBA-Kinë. Presidenti Trump dhe Xi Jinping u dakordësuan për një armëpushim të përkohshëm në përplasjen e tyre.

Gjatë një darke në samitin e G20, ata u pajtuan që të mos rrisin tarifat për 90 ditë për t’i hapur rrugë bisedimeve. Dështimi për të arritur një marrëveshje do të kishte parë që tarifat mbi $ 200 miliardë mallra kineze të rriten nga 10% në 25% në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të hapnin rrugën për tarifat shtesë për mallra kinezë. Të hënën, ministria e jashtme e Kinës tha se presidentët e Kinës dhe të SHBA kishin udhëzuar ekipet e tyre ekonomike që të punonin drejt heqjes së të gjitha tarifave pas takimit të G20, raportoi Reuters.

Lufta tregtare ka bërë që SHBA dhe Kina të godasin njëri-tjetrin me tarifa përshkallëzuese në përpjekje për të bërë prodhimet vendase të tyre më konkurruese. Uashingtoni thotë se politikat tarifore janë një kundërpërgjigje ndaj praktikave të padrejta të Pekinit. Që prej korrikut SHBA ka goditur Kinën me tarifa shumë të rënda dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe vendi komunist. Ndërkohë, analistët në të dy vendeve thonë se kjo luftë tregtare dëmton rëndë xhepin e konsumatorit pasi ngre çmimet e produkteve. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono