takime

kuvendi-i-republikes.jpg
G. P.15:07 | 26/09/2019

Kuvendi nuk u mblodh sot në seancë plenare dhe një javë në muaj do të jetë pushim, kjo pasi rregullorja ka ndryshuar, dhe i detyron deputetët që javën e katërt të çdo muaji ta kalojnë në zonë, me banorët që përfaqësojnë. Të hënën do të zhvillohet një seancë parlamentare e posaçme për të diskutuar mbi problemet e zgjedhësve. 

Kjo e enjten e gjen oborrin e parlamentit pa makinat luksoze apo parakalimet përpara kamerave të deputetëve. Nuk ka seancë plenare. Kështu do të jetë në fakt një prej të enjteve të çdo muaji. Rregullorja e Kuvendit ka ndryshuar dhe java e katërt e çdo muaji nuk do të ketë as seancë parlamentare e as komisione, por ligjvënësit duhet të zhvillojnë gjithë javën takime me banorët e zonave që përfaqësojnë.

Në përfundim të kësaj jave të gjelbër siç e quajnë deputetët, menjëherë të hënën pasdite do të zhvillohet një seancë e posaçme parlamentare. Në të deputetët do të diskutojnë për 4 orë, mbi problemet që kanë evidentuar gjatë takimeve me zgjedhësit.

Të hënën e ardhshme do të zhvillohet një seancë e tillë në orën 5 pasdite, dhe meqë kjo javë e parë dedikuar zgjedhësve përkoi me tërmetet dhe përmbytjet, këto çështje do të jenë tema kryesore e debatit si nga mazhoranca edhe nga opozita e re./ABC News Albania 24/7

MAQEDONI-TAKIMI-MBULIM_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela23:01 | 10/09/2019

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë mbledhur që prej orës 20.00 të mbrëmjes, në një tryezë të përbashkët, për të diskutuar mbi ligjin për Prokurorinë Speciale. Në tryezë janë të pranishëm edhe krerët e partive më të mëdha, Zoran Zaev nga LSDM dhe Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE. Takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e asnjë prej partive shqiptare. Ligji për Prokurorinë Speciale, diskutimet mbi të cilin përkojnë me publikimin e skandalit “Zhvatja”, është jetik për marrjen e dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në në tetor. Më herët gjatë së martës, partitë politike shqiptare reaguan lidhur me takimin, duke shprehur indinjatën për përjashtimin e tyre. Aleanca Shqiptare dhe Lëvizja BESA kërkun angazhimin e profesionistëve nga Bashkimi Europian ose Shtetet e Bashkuara për zbardhjen e proceseve hetimore në vend. /ABC News Albania 24/7

 

komisioni-i-venecias.jpg
G. P.09:30 | 10/09/2019

Komisioni i Venecias ndodhet në Tiranë që prej ditës së djeshme pas kërkesës së Komisionit Hetimor për të dhënë opinionin e saj në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Mëngjesin e kësaj të marte, delegacioni i “Venecias” zhvilloi një takim me dy përfaqësues të opozitës joparlamentare, respektivisht Oerd Bylykbashin për PD-në dhe Klajda Gjoshan për LSI-në. Ish-deputetët patën një prononcim të shkurtër për mediat në përfundim të takimit.

Ata thanë se kanë sqaruar pozicionin e tyre, që sicc e quajtën ata për tentativën në lidhje me shkarkimin e Presidentit. Gjithashtu, Bylykbashi dhe Gjosha i kanë thënë komisionerëve të “Venecias” që Presidenti nuk e shkeli ligjin dhe se ai mund të shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

“Komisioni i Venecias ka ardhur këtu me ftesë të Kuvendit për të dhënë një opinion në lidhje me procedurën e turpshme për shkarkimin e Presidentit të Republikës që Parlamenti ka nisur. Ne ua bëmë të qartë se kjo është një përpjekje e qeverisë që, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, në themelet e një krize kaq të madhe, Parlamenti përpiqet që të tërheqë Komisionin e Venecias dhe Këshillit të Europës në lojën e tij të turpshme për të kapur të gjitha pushtetet, përfshirë Presidentin e Republikës. Kushtetuta është e qartë. Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën. Presidenti i Republikës është përpjekur të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, unitetin e popullit dhe pluralizmin politik në Shqipëri dhe kjo është një nga detyrat fisnike që ka luajtur në këtë rast Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës u dha garancinë zgjedhësve shqiptarë që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë, në kushte më të mira. Parlamenti përpiqet që të shkarkojë Presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare, të cilat janë shumë të qarta në lidhje me këtë”, tha Bylykbashi.

“Sot diskutuam për një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që kërkon të çelë negociatat, për një vend që dëshiron të jetë anëtar i BE-së dhe në momentet kyçe, kur të gjitha palët sidomos qeveria do duhej të përqendrohej në plotësimin e kushteve për të marrë çeljen e negociatave në tetor ne merremi me një çështje që është jashtëzakonisht e rëndë edhe për imazhin e vendit. Aq më tepër të ftosh institucionet ndërkombëtare për të zgjidhur një çështje që në fakt për mua është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen shqiptare”, tha Gjosha.

Ndërkohë, delegacioni është duke zhvilluar një takim në këto momente me një grup deputetësh të Partisë Socialiste. Më vonë ata do të takohen me deputetët e opozitës parlamentare. Gjithashtu një takim është planifikuar me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Pas tij, komisionerët do të takohen me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili po hetohen nga komisioni parlamentar nëse ka shkelur ligjin apo jo me shfuqizimin e dekretit të 30 Qershorit.

Pas drekës, do të jetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj që do të presë delegacioni, ndërsa më vonë ata do të shkojnë në kryeministri për t’u takuar me kryetarin e qeverisë, Edi Rama.

Gjatë së martës është rezervuar gjithashtu takim edhe me anëtarët e KQZ-së si edhe me anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Delegacioni i Komisionit të Venecias do ta përfundojë punën e saj nesër pas takimit me anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe shoqërisë civile.

Në Tetor pritet përgjigja e Komisionit Hetimor nëse Meta e shkeli ose jo Kushtetutën kur firmosi anulimin e datës së zgjedhjeve në 30 Qershor./abcnews.al

BASHA-PPE-MBULIM-ABCM5T1.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela20:00 | 09/09/2019

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel.

Në ditën e parë të punimeve të Asamblesë, Basha u takua me përfaqësues të partive Popullore, drejtues të politikës së jashtme dhe të zgjerimit në Parlamentin dhe Komisionin Europian, si dhe ne Parlamentet e vendeve anëtare.

Sic njofton zyra e shtypit te PD, kryedemokrati ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.

“Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore- theksoi Basha.

Punimet e Asambelesë Politike të PPE-së do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme, ku në axhendën e diskutimit, do të jenë sfidat me të cilat përballet Evropa aktualisht dhe përgatitjet për Kongresin e PPE-së, i cili këtë vit mbahet në Zagreb. /ABC News Albania 24/7

ldk-dhe-vv.jpg
G. P.17:00 | 29/08/2019

Një ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shpeshtuar takimet në kërkim të një marrëveshjeje të mundshme.

Kur ka mbetur vetëm edhe një  ditë për t’u regjistruar në KQZ partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 6 Tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje kanë intensifikuar takimet për një marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Sot janë takuar sërish krerët e këtyre dy partive politike Isa Mustafa e Albin Kurti në një nga restorantet e Prishtinës.

Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e mbyllur për media sa i përket koalicioneve parazgjedhore, deri më tash vetëm kanë paralajmëruar se do të ketë befasi edhe nga kjo parti.

Shikuar nga praktikat e mëhershme partitë politike gjithmonë e lënë ditën e fundit për të treguar për marrëveshjet e koalicioneve parazgjedhore, duke shikuar veprimet e njëra tjetrës paraprakisht.

Ndërsa koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje partive politike që të respektohet barazia gjinore në lista zgjedhore. Zgjedhjet e parakohshme mbahen me 6 Tetor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7

edi-rama-ne-lezhe.jpg
G. P.15:17 | 27/08/2019

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Lezhë drejtuesit e qarqeve veriore të Partisë Socialiste. Burime për ABC Neës bëjnë me dije se është diskutuar ristrukturimi i bashkive që deri dje drejtoheshin nga Partia Demokratike ku ka nënvizuar edhe një herë kërkesën për të mos larguar asnjë nëpunës të kualifikuar edhe pse ndajnë bindje politike të ndryshme.

Kreu i qeverisë ka kërkuar që një prej nënkryetarëve të bashkive të jenë gra dhe zgjedhja e tyre të nisë pa humbur kohë. Nuk dihet ende se çfarë do të vendosë shefi i mazhorancës me vendin vakant që ka krijuar dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga posti i kryebashkiakut të Shkodrës. Nesër paradite kryeministri do të zhvillojë një mbledhje me ministrat ndërsa pasdite me anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste./ABC News Albania 24/7

veliaj-4-1280x724.jpg
Sej rie19:50 | 07/06/2019

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili kërkon të fitoje një mandat të dytë zhvilloi takim me banorët e njësisë Nr. 6 në kryeqytet dhe prezantoi kandidatët e PS për Këshillin Bashkiak. Veliaj bëri një rezyme të projekteve që kanë transformuar zonën e kësaj njësie gjatë këtij mandati, që sipas tij ishte lënë jashtë në harresë.

Sipas Veliajt, në 4 vitet e ardhshme në njësinë nr. 6 do të vihen në zbatim projekte mjaft të rëndësishme siç është zona ekonomike mes Kombinatit dhe Kasharit që do iu vijë në ndihmë kompanive të huaja

Gjatë takimit me qytetarët në Kombinat, Veliaj tha se transformimi i Tiranës do të vijojë pavarësisht dallimeve nëse votohet nga socialistët apo demokratët./ABC News Albania 24/7

presheve-1280x728.jpg
Sej rie22:15 | 05/06/2019

Një grup deputetësh nga Kosova, gjatë një takimi me banorë të Luginës së Preshevës, kanë deklaruar se mbështesin referendumin për bashkim. Gjithashtu, ata kanë premtuar ndihma për banorët, të cilat deri më sot kanë qenë të pakta e të pamundura.

Tri komisione të Kuvendit të Kosovës kanë vizituar Luginën e Preshevës dhe kanë takuar përfaqësuesit politik të shqiptarëve nga Medvegja, Bujanoci e Presheva. Deputetet nga Prishtina kanë premtuar ndihmë në arsim, administratë publike, qeverisje lokale dhe në kujdesin për ta. Gazetarët shqiptarë të këtushëm i ka interesuar çfarë konkretisht dhe a do të bëhet bashkimi me Kosovën.

Përfaqësuesit shqiptarë që i kanë pritur në Këshillin Kombëtarë të Shqiptarëve dhe në Komunën e Bujanocit kanë falënderuar delegacionin dhe kanë kërkuar që Kosova, por edhe Shqipëria të mos i harrojnë.

Ndihmat kanë qenë të vogla dhe pak të mundshme deri më tani. Së fundmi qeveria shqiptare ka premtuar mbështetje. Deputetët e Kosovës që arritën këtu u kanë premtuar se kërkesat e tyre do ti delegojnë në Kuvend dhe do të lobojnë në qeveri që të bëhen të aprovuara zyrtarisht./ABC News Albania 24/7

delegacioni-franko-gjermane.jpg
nev ila15:30 | 03/06/2019

Delegacioni franko – gjerman është takuar në Prishtinë fillimisht me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi e më pas me kryeministrin Ramush Haradinaj e zyrtarë të tjerë. Prishtina zyrtare njëzëri përsëriti se nuk do të heqë taksën e vendosur ndaj Serbisë, dhe që pret liberalizimin e vizave.

Dialogu Kosovë Serbi sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi do të vazhdojë pa kushte.

Pas takimit me delegacionin e këshilltarëve diplomatikë të presidentit të Francës dhe të kancelares së Gjermanisë Thaçi tha se taksa do të mbetet në fuqi ndërsa nuk do të pranojnë kushte shtesë për liberalizimin e vizave.

Theksuam shumë qartë se tarifa duhet  të mbetet në fuqi, është një vendim legjitim në anën tjetër duhet të respektohet të gjitha marrëveshjet që janë arritur në vitin 2013 nga të gjitha palët. Shpresoj që do të ketë një angazhim serioz edhe për javët e ardhshme që kanë mbetur në mënyrë që të jetë një koordinim i plotë”, tha Thaci.

Zyrtarë të këtij delegacioni kanë zhvilluar takim edhe me krerët e tjerë të shtetit të Kosovës.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka mirëpritur angazhimin e Gjermanisë dhe Francës për të rikthyer dialogun siç ka thënë ai në binarët e duhur./ABC News Albania 24/7

Jens-Stoltenberg-l-reu.jpg
Sej rie15:15 | 31/05/2019

Sekretari i përgjithshëm i atlantikut të veriut Jens Stoltenberg do të udhëtojë drejt Shqipërisë ditën e diel të 2 Qershorit. Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, njoftuar në faqen zyrtare të NATO-s, Stoltenberg pritet të zhvillojë takime me presidentin e vendit Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe ministren e mbrojtjes Olta Xhaçka. Takimet do të përmbyllen me një konferencë të përbashkët për shtyp të Stoltenberg dhe Kryeministrit Rama./ABC News Albania 24/7

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono