Superliga

TIRANA-FLET-TRAJNERI-MEMA.mpg_snapshot_00.52-1280x720.jpg
ent ela15:50 | 24/08/2019

Tirana nis sezonin e saj në Superligë, me synim rikthimin tek titulli pas 11 vitesh. Presioni ndaj trajnerit Ardian Mema është i madh, por ai ka besim dhe tregon sesi mund të fitohet kampionati.

Titulli i fundit mund të shihet vetëm në televizor.

Jo bardhezi, siç bënin shaka tifozët e Tiranës me ata të Partizanit, por gjithsesi 10 vjet pa kampionat nuk pranohet lehtë nga bardheblutë.

Gjithsesi, ky është realiteti, që u bë edhe më i dhimbshëm kur të kuqtë siguruan titullin e tyre pas çerek shekulli pikërisht në derbin ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”.

Sot, nis sezoni i ri i Superligës, dhe për një klub 24 herë kampion, pavarësisht nga problemet, kërkohet vetëm një gjë, vendi i parë, diçka që e di trajneri Mema dhe futbollistët e përzgjedhur prej tij.

Pas një faze të gjatë përgatitore, në Ohës e kryeqytet, ja ku vjen ndeshja e hapjes, ajo ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”, sot në orën 19:00.

Memës i thuhet se gjirokastritët vijnë të papërgatitur nga problemet.

A mund ta deklarojë Mema se Tirana do të luftojë për titull?

Skuadra është përforcuar, por mbi ç’bazë është bërë afrimi i lojtarëve. /ABC News Albania 24/7

KUKESI-PARTIZANI-FITORJA.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela15:00 | 24/08/2019

Kukësi bindi trajnerin e tij Shpëtim Duro, duke mundur Partizanin në startin e Superligës. Trajneri i kryeqytetasve, Franko Lerda, pranoi gabimet e ekipit të tij.

Superkupa iku e shkoi dhe hareja duhej të kishte zgjatur diçka më pak tek fituesit.

Partizani doli për herë të dytë në pak ditë në fushën e “Elbasan Arenës”, duke pasur përballë sërish Kukësin, tashmë në ndeshjen e parë të kampionatit, dhe kuptoi se nuk do ta ketë të lehtë për të mbrojtur titullin.

U mund nga nënkampionët dhe nga ata që shihen si rivalët kryesorë të kampionëve (të shohim si do të jetë Tirana), të cilët bënë gjoja sikur luajtën në fushën e tyre, për t’u gjendur përsëri në Elbasan.

Kur një ekip mund kundërshtarin kryesor duke luajtur në fushë asnjanëse, kjo është shenjë se ai e ka seriozisht me pretendimet për trofeun.

Kjo duhet thënë për kuksianët, që u drejtuan nga Shpëtim Duro, partizanas 24-karatësh, por që profesioni “me valixhe” në dorë, e ka bërë që të falë besnikërinë aty ku punon.

Ndryshe nga Superkupa, Kukësi e nisi ndeshjen mirë, duke përballuar Partizanin në fushë të hapur e duke e mbyllur në avantazh pjesën e parë.

E pati më të vështirë pas pushimit, duke u ndërruar rolet në krahasim me finalen, por ia doli ndihmuar edhe nga shtylla.

Vendosi goli i Shkurtajt, ndërsa të kuqtë e patën në tribunë një nga lojtarët kryesorë, Jasir Asanin, që duket se do të transferohet jashtë vendit.

Trajneri i kryeqytetasve, Franko Lerda, pranoi gabimet e ekipit të tij.

Për Duron, Kukësi ka nevojë ende për përforcime, por presidenti Gjici mendon se ekipi i ka të gjitha për të dalë kampion, edhe pse nuk luan ende në fushën e tij. /ABC News Albania 24/7

JAVA-E-PARE-E-SUPERLIGES-ABCM1T1.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela15:55 | 23/08/2019

Superliga shqiptare nis sezonin e saj të 81-të në histori. Përballjet e javës së parë janë të forta, por problemet janë të shumta, me mjaft skuadra ende të papërgatitura.

Futbolli është festë dhe kjo në Shqipëri do të fillojë sot.

Zë fill edicioni i 81-të me ndeshjen mes Kukësit e Partizanit në “Elbasan Arena”, veçse spektakli duket tepër i zbehtë që në fillim.

Të paktën katër skuadra janë thuajse plotësisht të papërgatitura, pasi e kanë nisur stërvitjen shumë vonë.

Skënderbeu, Flamurtari, Luftëtari e Vllaznia besohet se i fillojnë ndeshjet jashtë formës normale, përveçse kanë pasur edhe të papritura të tjera.

Në Vlorë, kanë ndryshime mbi 95 për qind tek lojtarët, por u ndryshuan edhe dy trajnerë ditët e fundit.

Në Gjirokastër njoftojnë se trajneri Klevis Dalipi u largua një ditë para ndeshjes, për mosdakordësi financiare, ndërsa në stol do të ulet drejtori teknik, Klodian Duro.

Në disa prej klubeve, si në Vlorë, Korçë apo Gjirokastër ka detyrime të prapambetura financiare, ndërsa mbahet mend mirë sesa telashe dolën gjatë edicionit të kaluar.

Më të përgatitur, Partizani, Kukësi, Laçi, Teuta, Tirana apo Bylisi, që I kanë nisur seancat prej kohësh, e disa prej tyre kanë qenë edhe në kupat e Europës.

Në javën e parë të kampionatit është ky kalendar.

Sot, Kukësi-Partizani në19:00, ndërsa nesër Vllaznia-Laçi në16:00, e Teuta-Bylis, Skënderbeu-Flamurtari e Tirana-Luftëtari në19:00. /ABC News Albania 24/7

sinan-idrizi.jpg
G. P.17:00 | 14/08/2019

Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi ka pranuar se nisja e fazës përgatitore është e vonuar ndërkohë që ka zbuluar se baza e skuadrës për sezonin e ri do të jenë futbollistët vlonjatë. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka premtuar mbështetje të plotë për skuadrën kuqezi.

Pritja merr fund dhe Flamurtari do të startojë fazën përgatitore në prag të sezonit të ri nën drejtimin e trajnerit Gerd Haxhiu. Gjithçka është konfirmuar edhe nga vetë presidenti Sinan Idrizi në një takim të përbashkët me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kreu i bashkisë së Vlorës ka rikonfirmuar mbështetjen që bashkia ka dhënë dhe do të vijojë të japë për klubin dhe skuadrën e Flamurtarit. Administratori Idrizi ka pranuar faktin që skuadra është me vonesë në përgatitje ndërkohë që zbulon se baza e Flamurtarit do të jenë futbollistë vlonjat.

Flamurtari është licensuar për sezonin e ardhshëm ndërsa Idrizi dhe Leli kanë pranuar se ligji për sportin në Shtator do t’i japë zgjidhje futbollit jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë.

Flamurtari ka konfirmuar tashme sulmuesit Ardit Hoxhaj dhe Xhevair Sukaj boshnjakun Bajraktareviç ndërsa priten edhe konfirmimet e Veliut, Ribajt, Gocajt, Vatnikajt dhe portierit Nurkoviç./ABC News Albania 24/7

fshf-1280x720.jpg
G. P.09:12 | 31/07/2019

Superliga shqiptare është në prag të shtyrjes. Federata Shqiptare e Futbollit pritet të marrë vendim këtë mesjavë, ndërsa gjendja e klubeve vazhdon të jetë kritike.

Ishte parashikuar të fillonte vetë një javë më vonë se vjet, por duket se nuk do të realizohet. E shtuna e 24 gushtit është tepër afër për një Superligë shqiptare që i afrohet nisjes së sezonit aq keq sa nuk mbahet mend.

Federata Shqiptare e Futbollit, që pritet të vendosë për fatin e licencimit të 4 klubeve këtë të mërkurë, pritet të marrë tjetër vendim, pikërisht shtyrjen e kampionatit. Zv/presidenti i Federatës, Edvin Libohova, njëkohësisht president i Ligës Profesioniste, e la këtë si mundësi, kur foli javën e kaluar.

Edicioni i 84-t mund të nisë vetëm në shtator, të paktën siç bëjnë me dijë burime në institucion. Nuk dihet nëse shtyrja do të jetë 2 javë apo më shumë, kjo varet nga diskutimet në Komitetin Ekzekutiv, dhe nga e vërteta e gjendjes së klubeve.

Flamurtari, Tirana, Vllaznia dhe Luftëtari rrezikojnë përjashtimin, pas paralajmërimit të bërë në fillim të këtij muaji, ndërsa Skënderbeu po ashtu është në pozita të vështira pas konfirmimit të dënimit të UEFA-s edhe nga ana e KAS-it  në Lozanë.

Tirana ka dërguar skuadrën në fazë përgatitore, por duket se kjo mund të shkojë kot gjithnjë në rast shtyrjeje të Superligës. Klubi thuhet se ka 1.8 miliardë lekë të vjetra detyrime, ndonëse presidenti Halili pohon se i ka bërë shlyerjet.

Një marrëveshje me tatimet është e mundshme, ndonëse mbetet peng e premtimit të qeverisë për falje të detyrimeve, ndërsa tiranasit kanë bërë pagesa.

Gjithsesi, problem i madh mbetet detyrimi ndaj ish-presidentit Metus Seferi, që ka fituar të gjitha shkallët e gjyqeve, dhe burime nga familja bëjnë me dijë se Tirana ende nuk ka paguar asgjë.

Më e qetë gjendja tek Vllaznia, ku 200 milionë lekë të vjetër janë miratuar nga Këshilli Bashkiak për tatimet. Detyrimet janë rreth 700 milionë, ndonëse klubi ka hapur gjyq duke pretenduar parregullsi.

E vështirë gjendja tek Luftëtari ku ka konflikt mes ish-presidentit Tavo dhe aksionerëve të tjerë. Tavo akuzohet se nuk dorëzon vulën, ai pretendon se aksionerët nuk kanë derdhur kontributin, ndërsa borxhi thuhet se është 400-500 milionë lekë të vjetër.

Tek Flamurtari, ndërkaq, nuk ka asnjë lëvizje, të paktën siç bëjnë me dijë burime në klub. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me variantin e Dinamos si skuadër e Korçës, ndërsa thuhet se ka marrëveshje mes presidentit Takaj dhe familjes Nuri për të financuar bashkërisht për pagesën e lojtarëve./ABC News Albania 24/7

FSHF-KLUBET-RREZIKU.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela15:30 | 25/07/2019

Federata Shqiptare e Futbollit pritet të veprojë seriozisht me klubet që nuk do të shlyejnë borxhet. Burime brenda saj pohojnë se ka rrezik për Flamurtarin, ndërsa Tirana e Vllaznia kanë nisur pagesat.

Premtohet se ky vit do të jetë ndryshe. Federata Shqiptare e Futbollit mesa duket ka ndërmend ta cilësojë 2019-ën si vitin Zero për zbatimin e rregullave financiare, dhe burime brenda saj pohojnë se klubet që nuk do të jenë në rregull në 31 korrik, nuk do të pranohen në kampionat.

Pavarësisht skenarëve që publikohen ditë pas dite, pritet që edhe emrat më të njohur t’i nënshtrohen kontrollit, ndonëse të paktën dy prej tyre kanë nisur të veprojnë.

Tirana ka bërë pagesa në organet tatimore prej mbi 200 milionë lekësh të vjetër, si dhe ka nisur shlyerjen mujore prej mbi 20 milionësh.

Gjithsesi, muajt e fundit, klubi bardheblu nuk ka paguar në tatime, duke pritur edhe një falje të mundshme nga ana e qeverisë, sipas premtimit të kryeministrit Rama në tryezën me sportin.

Nga rreth 1 miliardë lekë të vjetër që tiranasit i detyrohen shtetit, vetëm 400 milionë janë detyrimi principal, ndërsa pjesa tjetër janë gjoba dhe kamatëvonesa.

Vllaznia po ashtu ka nisur shlyerjet e detyrimeve.

Sipas burimeve në Federatë, rreziku më i madh i kanoset Flamurtarit, I cili nuk ka bërë ende asnjë veprim, të paktën sipas këtyre burimeve.

E vështirë edhe gjendja e Luftëtarit, presidenti i të cilit Tavo dha dorëheqjen pak ditë më parë.

Në Federatë pohojnë se gjendja u bë edhe më e vështirë, pasi kryeministri Rama nuk mbajti premtimin për të miratuar ndryshimet ligjore për sportin në muajin qershor, gjë që ndodhi pas acarimit të situatës politike.

Përsa i përket Skënderbeut, nuk dihet nëse do të ketë ndonjë vendim të Komisionit të Etikës, pas konfirmimit nga KAS të dënimit të UEFA-s, ndonëse korçarët kanë bërë me dije se do ta ndjekin çështjen në Gjykatën Federale në Zvicër.

Burime pranë klubit pohojnë se presidenti Takaj mund të presë të paktën edhe një vit, deri në shqyrtimin e çështjes, ndërsa mund ta mbajë pa problem ekipin në Superligë me 350 milionë lekë të vjetër të dhënë nga Bashkia, dhe me një buxhet të vetin, kuptohet shumë më të vogël se vitet e tjera. / ABC News Albania 24/7

 

laci.jpg
G. P.21:29 | 11/07/2019

Skuadra e Laçit barazoi ndaj Hapoel me rezultatin 1-1 në ndeshjen e vlefshme për turin e parë kualifikues të Europa League. Kualifikimi do të vendoset javën e ardhshme në Izrael.

Skuadra e Laçit nuk shkoi më shumë se barazimi me rezultatin 1-1 në ndeshjen e parë kualifikuese të Europa League përballë Hapoel Ber Sheva. Një rezultat që mban të hapur shanset për kualifikim në ndeshjen e kthimit.

Kurbinasit e nisën mjaft mirë pasi kaluan në avantazh me blerjen e kësaj vere, Nuabueze i cili realizon me kokë. Skuadra e teknikut Starova u vendos mirë në fushë dhe vendosi jo pak herë në vështirësi izraelitët.

Në minutën e 30-të, Redon Xhixha tenton të realizojë një gol nga mesi i fushës, por gardiani i Hapoel devijon në vështirësi. Pjesa e parë përfundon me avantazhin minimal të Laçit.

Në fillimin e fraksionit të dytë, kurbinasit patën një rast mjaft të mirë me autorin e golit, por sulmuesi gabon në momentin e fundit. Reagojnë miqtë në minutën e 61, por Gentian Selmani pret në tre raste duke e mbajtur portën e paprekur të paktën deri në minutën e 77.

I sapofuturi në lojë, Levi realizon duke vendosur baraspeshën në stadiumin e Laçit. Pak çaste më vonë janë sërish miqtë që i afrohen golit, por fati është me Laçin pasi topi ndalet në traversë.

Të dyja skuadrat e kërkuan fitoren, por sfida u mbyll në barazim 1-1. Kualifikimi do të vendoset në Izrael javën e ardhshme./ABC News Albania 24/7

shpetim-duro.jpg
G. P.14:45 | 03/07/2019

Dy prej skuadrave shqiptare kanë shanse më të mëdha për kualifikim në kupat e Europës. Trajneri i njohur Shpëtim Duro bën analizën e tij, dhe jep një vlerësim për ish-ekipin e tij, Partizanin.

Përgatitjet jashtë vendit janë në përfundim, dhe dita e së vërtetës po afron. Skuadrat shqiptare për pak ditë do të luajnë në dy konkurrimet europiane, duke bërë çfarë mendojnë më të mirën për t’ia dalë mbanë, dhe një vlerësim për to e jep një trajner me përvojë si Shpëtim Duro.

Si janë shanset në Europë?

“Duke iu referuar kundërshtarëve që kanë përballë kam mendimin që Teuta me Kukësin kanë mundësi më të shumta. Më të vështirë normalisht e ka Karabagu, por edhe Laçi që ka skuadrën izraelite. Megjithatë them që të gjitha skuadrat të bëjnë maksimumin në ndeshjet e para se janë shumë të rëndësishme”, tha Duro.

Duro, ish-trajner i Partizanit, vlerëson afrimet në ekip që rrisin konkurrencën, por quan minus një nga largimet.

“Ishte një ndryshim pas dorëheqjes së Skënder Gegës. Nuk ishte pozitive, klubi bëri zgjedhjen e tij. Zgjodhi totalisht një staf italian. Ky staf ka pasur kohën e duhur gjatë kësaj faze përgatitore për të njohur ekipin. Ajo që është e rëndësishme të Partizani është po ajo skuadër, madje kanë arritur të marrin dy-tre lojtarë të rinj”, tha Duro.

Shpëtim Duro ka punuar në Kosovën e Maqedoni, pra mund të bëjë një krahasim mes realitetit atje dhe në Shqipëri.

“Kur një skuadër fillon me probleme, me deficite institucioni i federatës të dalë bllok që kjo skuadër të mos marrë pjesë në kampionat. Të mos agravohen problemet vit pas viti dhe situata thellohet më keq. Në këtë aspekt në Kosovë dhe në Maqedoni nuk i lejojnë këto situata. Unë i kam parë vetë. Kanë qenë skuadra që kanë qenë gati për përjashtim, por kanë arritur të zbatojnë ligjin”, tha Duro.

Si pritet sezoni i ri i Superligës, për Shpëtim Duron?

“Vlen për t’u parë si do shkojë situata me Skënderbeun sepse Skënderbeu ka qenë një skuadër dominante këto vite. Tirana po lëviz, por unë jam pak skeptik”, tha Duro./ABC News Albania 24/7

fshf-1280x720.jpg
G. P.17:15 | 02/07/2019

Sezoni i ri i Superligës mund të nisë në 24 gusht. Ky është propozimi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa pritet vendimi i Komitetit Ekzekutiv.

Pritet të fillojë një javë më vonë se vjet. Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vendosur për datën 24 Gusht si startin e Superligës, diçka që do të bëhet zyrtare vetëm pas miratimit nga ana e Komitetit Ekzekutiv, që mblidhet këtë të premte.

Shefi i Sektorit të Garave në Federatë, Lysien Nurishmi, e pohoi këtë vendim, në një komunikim telefonik me ABC News-in, ndërsa më parë është marrë mendimi i klubeve. Çdo klub duhet të ketë gati infrastrukturën për t’u licencuar në sezonin e ri, por besohet se me rënien e Kastriotit, problemet duhet të jenë më të pakta.

Gjithsesi, ekziston frika se mund të ketë shqetësime me dhunën e tifozëve, siç ndodhi në ndeshjen e parë të sezonit të kaluar, mes Skënderbeut e Partizanit në Korçë, për shkak të tërheqjes së Policisë së Shtetit jashtë rrethimit të jashtëm të stadiumeve.

Një tjetër propozim i Sektorit të Garave për Komitetin Ekzekutiv është që sezoni të mos nisë, sipas traditës, me Superkupën e Shqipërisë, ndërsa mendohet që finalja Partizani-Kukësi të luhet në Dhjetor ose Janar të vitit të ardhshëm.

Komiteti Ekzekutiv, të premten, duhet të vendosë edhe për datën e fillimit të kampionateve të tjerë, si të Kategorisë së Parë, të së Dytës, të femrave dhe të moshave U17 e U19. Pritet, ndërkohë, të propozohet formulë tjetër për Kategorinë e Parë./ABC News Albania 24/7

skenderbeu.jpg
G. P.22:00 | 27/06/2019

Në pritje të vendimit të KAS, skuadra e Skënderbeut po harton strategjinë për merkaton e transferimeve. Fillimisht juglindoret do të tentojnë rinovimin me lojtarët kyç në skuadër.

Skënderbeu është një nga skuadrat më pasive sa i përket merkatos së transferimeve në krahasim me ekipet si Partizani, Tirana apo Kukësi. Natyrisht strategjia e merkatos së juglindoreve nuk është hartuar pasi pritet vendimi përfundimtar i KAS që pritet të jepet në fillim të muajit Korrik.

Gjithsesi klubi korçar ka filluar të lëvizë dhe të bëjë disa hapa konkrete në merkato. Juglindorët mësohet se kanë gjetur akordin me mbrojtësin Leonit Abazi. Futbollisti me origjinë nga Kosova kërkohej nga disa klube të tjera si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Futbollisti ka rënë dakord për një zgjatje të kontratës me Skënderbeun deri në vitin 2021. Firma pritet të hidhet pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Një tjetër futbollist në organikën e Skënderbeut ka gjetur akordin për rinovimin e kontratë.

Bëhet fjalë për Oto Xhon, i cili konsiderohet në kampin korçar si një pikë e rëndësishme dhe një garanci më vete. Në udhëkryq janë edhe Marko Radas dhe Gjergji Muzaka.

Të dy futbollistët janë pa kontratë aktive dhe kanë shprehur dëshirën për të përfaqësuar ende ngjyrat e Skënderbeut. Hapat konkrete pritet të ndërmerren pas vendimit të KAS që ka ndikuar plotësisht në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono