superiore

asani-1280x853.jpg
Veronik Istrefaj10:37 | 22/11/2019

Jasir Asani vazhdon të thumbojë në distancë trajnerin Franco Lerda. Dyshja e Partizanit dukshëm nuk kanë raporte të mira me njëri-tjetrin dhe që në momentin kur Lerda mori drejtimin e “Demave” në verë, Asani e ka humbur vendin e titullarit.

Kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga Jasir Asani dhe njerëzit pranë tij. Disa kohë më parë, agjenti i lojtarit, Aleksandar Jovkov, sulmoi hapur Franco Lerdën, duke shkruar në Instagramin e tij zyrtar: “Franko Lerda, të jam mirënjohës për gjithçka që bëre për Asanin, për 30-40 minuta gjatë ndeshjes. Ai ishte një nga liderët e Partizanit, të cilët u shpallën kampionë, pa ty në krye të pankinës. Shpresoj ta kesh kuptuar se ke shkatërruar gjithçka që u ndërtua me shpirt e zemër. Të lumtë!”

Ndërsa pak çaste më parë, një mik i Asanit ka shpërndarë një story në Instagramin e tij, duke sulmuar në mënyrë indirekte Lerdën. Në mbishkrim, shkruhej: “Ai dinte si t’i përdorte asat”, referuar trajnerit Gega. Ky postim është “aprovuar” edhe nga vetë Asani, i cili i ka bërë re-share këtij postimi. Pritet një “tërheqje veshi” nga Partizani për numrin 10./abcnews.al

PArtizani-1280x741.png
Veronik Istrefaj09:04 | 22/11/2019

Komiteti Ekzekutiv është mbledhur një ditë më parë në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe është diskutuar për problematika të ndryshme. Një detyrë e lënë është përcaktimi i tarifës që duhet të paguajnë klubet që duan të luajnë në “Air Albania Stadium”, me ose pa drita.

Në një artikull të botuar në “Panorama Sport”, bëhet me dije se UEFA ka përcaktuar edhe Fondin e Solidaritetit për klubet e Superiores, që duhet të dorëzojnë projektet e tyre për akademitë, në mënyrë qe çdo klub te marrë pjesën e vet nga 470 mijë eurot që jep qeveria e futbollit europian.

FRIKA TE PARTIZANI – Seanca e djeshme te “demat e kuq” nuk ka kaluar fort mirë, pasi sulmuesi Theophilus ka marrë një goditje me top, që e ka lënë pa fryme. Nigeriani ka parë t’i përplaset topi në kraharor dhe ka përfunduar i shtrirë.

Për një moment kishte probleme me frymëmarrjen. Solomon ka marrë ndihmën e parë të mjekëve dhe më pas ka dalë veçmas grupit, por ka bërë vetëm pak stërvitje dhe i është drejtuar dhomave të zhveshjes. /abcnews.al

partizani-kukesi.jpg
Vladimir Prenga22:01 | 21/11/2019

Sporti është përdorur dhe vazhdon të përdoret. Futbolli më shumë. Stadiumet, në kohë fushatash mbushen me politikanë, të cilët nuk ngurrojnë edhe të japin bileta falas e të vendosin premio për ekipe të caktuara. Askush nuk mendon për zgjidhje që japin stabilitet dhe që bëjnë të mundur që të sporti të zhvillohet.

Prej më shumë se gjashtë muajsh flitet për ligjin e ri të sportit, për lehtësirat fiskale që do të ketë për ata që investojnë në sport dhe që bëjnë terrene sportive. Zero dashamirësi. Qeveritë kanë hallet e tyre që janë më të mëdha se sporti dhe sigurisht as që kanë kohë të mendojnë për të mirat që sjell. Në fakt të vjen keq kur mendon se kryeministri Edi Rama e ka provuar vetë parketin e basketbollit.

BOJKOTI – Armand Duka, presidenti i FSHF, të hënën në emisionin Pressing në ABC Neës u shpreh se ka pak shpresa që t’u plotësohen kërkesat e bëra. Pritet që sërish tatimi i zbritshëm të jetë 5%, jo 20% sa është tentuar, pas refuzimit për ta bërë 30% sa e ka Kosova. Duka, mes të tjerash nuk e përjashtoi mundësinë e një bojkoti.

“Mendoj se është një luftë mes premtimit dhe mundësive reale nga ekspertiza që ka më poshtë. Qoftë Idrizi, apo kushdo tjetër, do të ketë vështirësi. Nuk po flasim vetëm për klubet profesioniste, edhe të tjerat do të kenë të vështirë të mbijetojnë. Futbolli është i diskriminuar, ndryshe nga shumë degë të ekonomisë që u bëhen lëshime. Nëse këto nuk do të ndodhin, do e vuajë futbolli. Idrizi do mërzitet e do largohet.

Pa pasur një bazë të shëndoshë, pa pasur një rrugë me perspektivë, do të largohet ai dhe të tjerët. A e mendoni bojkotin? Edhe mund të ndodhë që të bojkotohet kampionati”, tha Duka mes të tjerash, ndërkohë që në FSHF pritet të mbahet një tjetër takim dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë një bojkot të garës. Klubet janë lodhur nga shpërfillja që i bëhet futbollit, ndërkohë që kësaj nisme mund t’i bashkohen edhe federata të ndryshme. /abcnews.al

Derbi.jpg
Vladimir Prenga15:13 | 20/11/2019

Partizani kërkon zyrtarisht nga Federata që të luajë derbin ndaj Tiranës në “Arenën Air Albania”, por ka dy probleme. Fusha nuk është gati, dhe po ashtu nuk është përcaktuar ende qiraja për të zhvilluar ndeshjet aty.

Dëshira është shprehur, por përgjigja pozitive nuk do të jetë e lehtë. Partizani dëshiron nga Federata Shqiptare e Futbollit që ta luajë në “Air Albania Stadium” derbin e javës tjetër ndaj Tiranës, veçse ka një problem të dyfishtë.

Drejtori i stadiumit, Bardhyl Minxhozi, deklaroi në një bisedë telefonike me Abc Neës se së pari duhet të përcaktohen kostot për zhvillimin e ndeshjeve dhe nga kjo do të vendosen edhe tarifat. Shifrat kanë qenë të ndryshme,  jo zyrtarisht, nga 8 mijë euro deri në 2 milionë lekë të reja. Gjithsesi në Federatë ende nuk kanë vendosur asgjë.

Problemi i dytë ka të bëjë me fushën, pasi ende nuk është në 100 për qind. Minxhozi u shpreh se ndeshja ndaj Francës ishte e detyrueshme që të luhej aty, por pas saj do të tregohet më shumë kujdes.

Burime në Federatë u shprehën për televizionin se dëshira është që derbi të jetë pikërisht aty, pasi ai është stadium futbolli, por reshjet e shiut të këtyre ditëve nuk po ndihmojnë aspak përmirësimin e fushës.

Gjithsesi, shpresa është që deri pas dy javësh tapeti të jetë gati. Ndeshja e kësaj jave ndaj Laçit u vendos që të luhet në “Elbasan Arena”, diçka që Partizani e njoftoi zyrtarisht në rrjetet sociale. Fillimisht ishin dy alternativa të tjera, por lojtarët nuk deshën stadiumin e Lushnjës, ndërsa fusha e Durrësit po ashtu pati probleme me reshjet. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Partizani-Laci.jpg
Veronik Istrefaj21:47 | 19/11/2019

Partizani-Laçi do të jetë sfida më e rëndësishme e javës së 13-të në Superiore dhe tashmë, janë përcaktuar të gjitha detajet e kësaj sfide. “Demat” dhe kurbinasit do të përplasen kundër njëri-tjetrit ditën e hënë, ora 18:00, në “Elbasan Arena”.

Kjo sfidë, do të jetë shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Partizani vjen si kryesues pas 12 javëve të para. Të besuarit e Franco Lerdës qëndrojnë në krye të Superiores me 22 pikë. Ndërsa Laçi, ka bërë një ngjitje të jashtëzakonshme javët e fundit.

Që kur Cungu erdhi në krye të pankinës, kurbinasit kanë marrë vetëm rezultate pozitive, duke u ngjitur në vend të tretë, me vetëm 3 pikë më pak se Partizani./abcnews.al

SUPERIORE, JAVA 13

E hënë, ora 18:00 (Elbasan Arena)

Partizani – Laçi

IMG_2526-1280x853.jpg
Vladimir Prenga13:35 | 19/11/2019

FSHF vendos të ndryshojë programin e Kategorisë Superiore për javën e 13-të. Ishte programuar që kampionati të rikthehej të premten, me sfidën Partizani-Laçi, por nuk do të ndodhë kështu. Kryesuesit e Superiores do të përballen të dielën me kurbinasit, ndërkohë që ende nuk dihet se ku do zhvillohet ky takim.

Në stadiumin “Selman Stërmasi” fusha nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe është bërë një mbjellje, çka do të thotë se Partizani duhet të gjejë këtë javë një tjetër impiant për të luajtur. “Air Albania Stadium” është një mundësi, por ende nuk është konfirmuar. Edhe derbi, javën e ardhshme, me shumë mundësi do të luhet aty.

Për të mbetur te java e 13-të, dy takimet e para janë Kukësi-Bylis dhe Flamurtari-Luftëtari. Verilindorët duan fitoren e kthesës, kurse në Vlorë luajnë dy ekipet e vendit të fundit dhe tre pikët i kanë jetike për të shpresuar në qëndrimin në Superiore.

Tri orë më pas, veç Partizani-Laçi, luhet edhe Skënderbeu-Tirana. Një sfidë mjaft interesante, që pritet me interes të madh. Java mbyllet të dielën, me sfidën Vllaznia-Teuta që luhet në stadiumin “Loro Boriçi” prej orës 16:30.

Kategoria Superiore – Java 13
E shtunë, më 23 nëntor 2019
Ora 13:30 | Kukësi-Bylis
Ora 13:30 | Flamurtari-Luftëtari
Ora 16:30 | Partizani-Laçi
Ora 16:30 | Skënderbeu-Tirana

E diel, më 24 nëntor 2019
Ora 16:30 | Vllaznia-Teuta

/acbnews.al

radas-1280x719.jpeg
Vladimir Prenga08:52 | 19/11/2019

Skënderbeu një vit më parë ka pasur ka pasur probleme financiare, ndërkohë që ka lojtarë që ende nuk janë shlyer. Një prej tyre është edhe kroati Marko Radas, që sipas “Panorama Sport” pret të marrë nga klubi korçar një shumë prej 15 mijë eurosh.

Gazeta në fjalë raporton për një marrëveshje të bërë mes mbrojtësit qendror dhe klubit të Skënderbeut dhe tashmë ai pret muajin janar për të rishikuar edhe njëherë gjendjen në llogarinë e tij bankare.

Ndërkohë presidenti Takaj i ka ofruar atij edhe një bashkëpunim të mëtejshëm si drejtues në klub, ose si zbulues talentesh në Ballkan. Radas, tashmë 36 vjeç, aktualisht aktivizohet me Rudes në Kroaci dhe karriera e tij si futbollist është drejt fundit.

Kështu që padyshim ai do ta marrë në konsideratë propozimin e korçarëve, sigurisht nëse merr garancitë e duhura në aspektin financiar. Me një Skënderbe jashtë Europe, padyshim që situata nuk do të jetë e lehtë në këtë aspekt. /abcnews.al

Luftetari-Tirana-Superiore.jpg
Vladimir Prenga23:24 | 18/11/2019

Superiorja në fokusin e Armand Dukës. Në emisionin “Pressing” në ABC News, ai foli për bilancet dhe licencimet dhe përçoi një mesazh për klubet, që sipas kreut të FSHF duhet të prodhojnë futboll për aq sa kanë mundësi.

“Klubet nuk kanë pse të jenë në kushte të vështira financiare. të ruajnë bilancet, të prodhojnë futboll me aq sa kanë. Mos të bëjnë blerje jashtë mundësive, le t’i shtrijnë këmbët sa kanë jorganin. Nëse nuk kanë para, të luajnë në një kategori më poshtë. Me rëndësi në atë zonë është të luhet futboll dhe në ekipe të ketë sa më shumë vendas. Kjo është gjëja më e mirë.

Bilancet negative nuk i bëjnë mirë askujt. Patjetër që ka klube me bilance negative. Mundohemi t;i kanalizojmë në drejtimin e duhur. Nuk ka probleme vetëm Flamurtari. Nuk ka një zgjidhje mes administratorit dhe bashkisë. Sa di unë nuk ka një harmoni të plotë. Ka edhe klube të vogla që financojnë në mënyrë të padrejtë”, u shpreh Duka.

“Viti zero për licencimet? Nuk ka vit zero, ka gjithmonë progres. Çdo vit vendosen objektiva, e rritim stekën. Idealja nuk arrihet. Nuk ka tolerime. Te bilanci kuptohet që nuk ka toleranca”.

“Tifozët në Superiore? Ka raste që stadiumet janë plot, kryesisht në derbi. Ka raste që nuk ka as 50% të kapacitetit. Nuk ka të bëjë vetëm me nivelin e lojës. Ka kampionate të tjera ku niveli është i njëjtë, por stadiumi është plot. Mbase ka të bëjë me promocionin. Edhe dyshimet për garën ndikojnë. Në një vend ku nuk besohet në asgjë, patjetër mendojmë që edhe teatri është i manipuluar. Kam parë edhe teatro bosh”.

“Ekipet e Superiores në stadiumin e ri? Kukësi po ndërton impiantin e ri dhe nuk mendoj se do të luajë në Tiranë. Unë nuk jam në gjendje të them kostot e stadiumit, por politika është e tillë: Klubeve tona t’iu ofrohen non-kosto”. /abcnews.al

abazaj-1.jpg
Vladimir Prenga13:09 | 17/11/2019

Pogradeci po kalon një moment të mirë. Liqenorët në pesë ndeshjet e fundit kanë marrë 13 pikë, duke regjistruar katër radhazi në ndeshjet e fundit. Tashmë ata renditen në vendin e dytë, me dy pikë më pak se Lushnja kryesuese. Trajneri Ardjan Abazaj, i rikthyer te Pogradeci, ka dhënë një intervistë për “Albeu.com” dhe fillimisht tregon pse u rikthye.

“Dëshira për të kontribuar për qytetin tim dhe për ta ngritur këtë ekip atje ku i takon ishte arsyeja e rikthimit tim te Pogradeci”, është shprehur fillimisht Abazaj,  i cili i druhet vetëm euforisë në vazhdim. “Nuk i trembemi askujt, përveç euforisë së momentit”, shton trajneri i Pogradecit.

Sigurisht, për një ecuri të mirë duhet edhe përkrahje: “Mbështetja e Bashkisë ndaj këtij ekipi ka qenë maksimale, si në anën financiare, ashtu edhe për kushtet e ofruara për stërvitje”. Nëse Pogradeci do të futet në merkato, duhet pritur janari: “Të shohim vazhdimësinë në këto ndeshjet e mbetura dhe do ulemi të flasim me presidentin për ecurinë”.

Kur pyetet për objektivin Superiore, Abazaj thotë: “Po i marrim ndeshjet një nga një, duke i bërë vlerësimin që i takon ndeshjes së radhës”. Sa i takon një moduli të preferuar, trajneri i liqenorëve shmanget. “Për punën e sistemit të lojës është më mirë të mos flas, pasi e ndryshoj në varësi të kundërshtarit, si brenda dhe jashtë fushe”.

Turbina është rivali i radhës për Pogradecin dhe Abazaj thotë: “Për ne është një ndeshje e radhës dhe do bëjmë më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv”. Si çdo trajner, apo futbollit, Abazaj ka një ëndërr: të drejtojë Tiranën, klub ku ka luajtur vetë dhe tashmë bën pjesë edhe djali i tij, Marini.

“Favoriti për titullin kampion? Tirana, për një arsye. Kam veshur për një sezon atë bluzë dhe dëshira time është që një ditë ta drejtoj atë ekip”, përfundon Abazaj, i cili pret nga mbështetje nga tifozët e Pogradecit që ekipi i tyre të luftojë deri në fund për rikthimin në elitë. /abcnews.al

 

cungu.png
Vladimir Prenga09:11 | 17/11/2019

Laçi barazoi një ditë më parë në miqësore me Kastriotin. Kurbinasit kishin lënë pushim Kyrian Nwabueze dhe Aleksandar Ignjatovic, ndërkohë që mungonte edhe Redon Xhixha. Sulmuesi anësor ishte lënë pushim, pasi të premten ishte titullar me Shqipërinë U21 kundër Anglisë.

Gjatë ndeshjes pati edhe një dëmtim. Sulmuesi Renato Spahiu, autori i golit me Kastriotin, la fushën e blertë dhe mbetet të shihet nëse ka diçka serioze për të. Në lidhje me ndeshjen, trajneri Armando Cungu u shpreh se i vlejti shumë atij dhe skuadrës para takimit me Partizanin.

“Ishte një miqësore, që normalisht shërben për të parë gjenden e ekipit dhe mundësitë e lojës për ndeshjen e radhës me Partizanin. Jemi të bindur që është një kundërshtar i fortë, që meriton respekt”, shprehet Cungu, i cili nuk ndalet me kaq.

“Mendoj se edhe Laçi meriton respekt, pasi javët e fundit ka treguar shumë karakter dhe lojëra të mira të shoqëruara edhe me rezultate. Edhe kundër Partizanit shkojmë për të marrë më të mirën e mundshme, pasi kjo duhet të jetë edhe filozofia e një sportisti. Nuk bën përjashtim as kjo ndeshje”, shtoi shkodrani.

Në lidhje me modulin 3-5-2 që Lerda përdor shpesh te Partizani, Cungu në fund tha: “Nuk është gjë e re sistemi i Partizani. Ne duhet të bëjmë lojën tonë. Nëse vazhdojmë me këto lojëra e me këtë ritëm, besoj se do të dalim edhe me objektivin që kërkojmë”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono