Suel Çela

capjacela-1280x720.jpg
nev ila08:51 | 21/11/2019

Policia e Shtetit, me anë të një deklarate mëngjesin e sotëm, ka reaguar në lidhje me lirimin ditën e djeshme të Florenc Çapjas dhe Suel Çelës. Sipas policisë, të dy këta persona, janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dhe se lirimi i tyre është si pasojë e korruptimit dhe depërtimit në sistemin e drejtësisë.

Korruptimi i sistemit të drejtësisë ka bërë që të dy t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor. Kështu, po sipas policisë, të dy këto vendime nga ana e Gjyqësorit për lirimin e tyre, i japin krahë krimit dhe hedhin poshtë punën e Policisë së Shtetit.

Më tej Policia e shtetit, në deklaratën e saj thotë se, për të dy personat Policia e Shtetit ka bërë punën e saj dhe ka arritur të dokumentojë fajësinë e tyre, por se ata kanë ka arritur të lirohen, dhe t’i shpëtojnë ndëshkimit, në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë të cilat sipas policisë janë të paligjshme.

Po kështu në deklaratën e saj Policia e Shtetit, ka përmendur edhe me emra trupën gjyqësore dhe prokurorët që kanë ndjekur çështjet e dy të akuzuarve për krime të rënda. Për rastin e Florenc Çapjas, Policia e Shtetit thotë se Tomorr Kullolli gjyqtari çështjes, ka vendosur lirimin e Çapjas pasi ka mbajtur dosjen e tij prej 1 muaj e gjysmë.

Ndërsa për rastin e Suel Çelës me kryetar seance Klodian Kurtishi, anëtar Fran Prendi, anëtar Sandër Simoni, shpalli të pafajshëm të pandehurin Marjus Lulaj alias (Suel Çela), i cili gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë.

Në reagimin e saj Policia e Shtetit thekson se, falë punës së saj në bashkëpunim dhe me partnerë ndërkombëtarë, kanë bërë të mundur sigurimin e provave me shumë sakrifica nga ana e punonjësve të saj.

Njoftimi i Policisë së Shtetit: 

Dje, më datë 20.11.2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, konkretisht gjyqtari Tomor Kullolli ka vendosur të lirojë nga burgu një prej personave me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Gjyqtari Kullolli ka vendosur pushimin e çështjes penale nr. 40, viti 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja, në dëm të viktimës F.M., me argumentin se nuk provohet se ai e ka kryer këtë vepër penale.

Sqarojmë opinionin publik se Florenc Çapja është arrestuar në datën 14.06.2019, gjatë operacionit policor “Krasta”, zhvilluar në Elbasan, pasi gjatë hetimeve të kryera nga Njësia Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në provat e administruara në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan rezultoi se ishte autor i vrasjes së mbetur në tentativë të ish-punonjësit të Policisë, shtetasit F. D., ngjarje e ndodhur në vitin 2006.

Në lidhje me këtë ngjarje, pas kryerjes së disa veprimeve hetimore dhe procedurale në vitin 2007, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur pushimin e hetimeve në ngarkim të këtij shtetasi e pezullimin e hetimeve në lidhje me procedimin penal nr. 40, të vitit 2006 dhe aktet e këtij procedimi penal i kanë kaluar Drejtorisë së Policisë Elbasan, me qëllim zbulimin e autorit.

Në vitin 2018, oficerët e Njësisë Hetimore të Task Forcës Speciale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, kanë nisur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan një relacion, me qëllim rifillimin e hetimeve në lidhje me këtë çështje penale.

Mbi bazën e këtij relacioni, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka rifilluar hetimet në lidhje me këtë procedim penal.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, gjatë vitit 2018 dhe 2019, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj ngjarjeje dhe më pas Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin e dyshuar si autor, Florenc Çapja.

Nga provat e administruara, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore e proceduriale, pas analizës në bashkëpunim me Prokurorinë, është vendosur që ngjarja të marrë një tjetër kualifikim, nga “Vrasja me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Theksojmë faktin se shtetasi Florenc Çapja, i cili ishte i ndaluar gjatë operacionit “Krasta”, ka apeluar në dy raste masën e sigurimit, por përsëri Gjykata e Shkallës së parë Elbasan dhe Gjykata e Apelit Durrës kanë lënë në fuqi masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Me komunikimin e akuzës shtetasit Florenc Çapja, Prokurori i çështjes i ka kërkuar Gjykatës kalimin e çështjes në gjykim, e cila është shqyrtuar nga gjyqtari Tomorr Kullolli.

Ai e ka mbajtur dosjen për rreth një muaj e gjysëm ne shqyrtim dhe dje në datën 20.11.2019, me shkurtimin e vendimit (13-2019- 6855) ka vendosur pushimin e çështjes penale nr. 40, vitit 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja, në dëm të viktimës F.M..

Sjellim në vëmendje faktin se shtetasi Florenc Çapja është i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të rrezikshëm kriminal që vepron në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i arrestuar shumë herë për vepra të rënda penale, po që ka arritur të lirohet dhe t’i shpëtojë ndëshkimit në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të paligjshme.

Ky vendim nuk është i formës së prerë, por gjithsesi ka bërë që ky individ me rrezikshmëri te lartë shoqërore të lirohet nga burgu dhe sot të jetë i lirë.

Po dje, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me gjyqtarë: kryetar seance Klodian Kurtishi, anëtar Fran Prendi, anëtar Sandër Simoni, shpalli të pafajshëm të pandehurin Marjus Lulaj alias (Suel Çela), i cili gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë.

I kërkuari Marjus Lulaj (Suel Çela) më datë 10.09.2017, rreth orës 20:00, pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, Elbasan, në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës.

Në seancën e datës 04.11.2019, nga ana e Prokurorisë janë paraqitur konkluzionet përfundimtare, ku është bërë ndryshimi i akuzave për të pandehurit, Marjus Lulaj (Suel Çela) dhe është kërkuar dënimi i tij për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, dënim i parashikuar me 7 vjet burgim, por sot kjo trupë gjykuese ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.

Ky shtetas është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.

Aktualisht në ngarkim të shtetasit Marjus Lulaj (Suel Çela) është dhe një masë tjetër sigurimi personal, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së shkallës së parë Elbasan ka dërguar urdhrin e vendimit penal datë 11.06.2019, të Gjykatës Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Heqja e paligjshme e lirisë” dhe ”Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim dhe me partnerë ndërkombëtarë ka bërë një punë shumë të madhe dhe punonjësit e saj kanë sakrifikuar shumë për sigurimin e provave të shumta të këtij procesi.

Policia e Shtetit shpreh zhgënjimin e thellë për këto dy vendime të paligjshme, të cilat i japin krah krimit dhe synojnë të frenojnë punën e saj, por ajo është e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në tërësi.

Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të cilitdo që shkel ligjin dhe fton aleatin e saj më të çmuar, qytetarët, që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112 çdo paligjshmëri, me qëllim ndërtimin e një mjedisi të sigurt e të qetë“, thuhet në deklaratën e Policisë./abcnews.al

artan-hoxha-1280x750.jpg
Autor E17:11 | 20/11/2019

Gazetari intestigativ i Abc Neës, Artan Hoxha ka bërë një paralajmërim të fortë për viktima dhe probleme të mëdha në Elbasan pas vendimeve të sotme të gjykatave përmes të cilave është liruar nga burgu Florenc Ccapja, ndërsa është rrëzuar çështja për Suel Çelën.

Sipas tij, “qysh nga sot, ekspertët e mjekësisë ligjore duhet të jenë gati për çdo kufomë të lënë pas nga atentatet në Elbasan.
Shërbimi zjarrfikës i këtij qyteti duhet të jetë gati për të shkuar sa më parë të shuajë zjarrin që do jetë duke djegur mjetin dhe armët e atentatoreve pas krimit”.

Atentati ndaj policëve në Elbasan, Suel Çela i pafajshëm, 11 vite burg për Xhaferrin e Bekteshin

Postimi i plotë i gazetarit

Elbasan i bukur, Elbaaaasaaan..

Presidenti takon ish-presidentet gjoja ne mbrojtje te kushtetutes dhe reformes ne drejtesi, ndersa ia kane pluguar nenen kushtetutes sa here u ka dashur qejfi dhe po mundohen tia lerojne nenen edhe reformes ne drejtesi nese SHBA e le ne mes projektin e saj, …

Nga ana tjeter kryeministri pret e percjell ambasadoret po gjoja ne mbrojtje te kushtetutes dhe reformes ne drejtesi, duke na treguar se nderkombetaret jane me te..

Pas Suel Çelës, gjykata liron edhe Florenc Çapjan: Bien akuzat për tentativë vrasje dhe pengmarrje

Meta cirret e bertet te holli presidences se Rama ka kapur reformen ne drejtesi, ndersa Berisha nga gardhi presidences thote me sokellime se “reforma ka falimentuar”.

Vetem 100 metra me poshte, nga holli i kryeministrise Rama shan e akuzon Meten se po shkel kushtetuten, po pengon reformen ne drejtesi dhe e kercenon me shkarkim.

Vetem 30 metra perballe, nga seli e kryesise se kuvendit Taulant Balla uleret se nuk duhet humbur asnje minute pa shkarkuar Meten…

Pastaj te gjithe se bashku kercenojne gjyqtaret, prokuroret, KLP-ne, KPK-ne, KED-ne e dreqin me te bir…

Populli nuk thote kot se “ujku mjegull do”, dhe organizata e “Kap c’a t’kapesh”(KCK) nuk e la rastin ti shpetoje nga dora.

Mediat raportuan me zhurme se gjykata e Elbasanit denoi me 10 vite burg, Shkelzen Hasanpapen, i ekstraduar nga Hollanda dhe i akuzuar per atentatin e 6 qershorit 2016 kur u plagosen te dera e Drejtorise se Policise Elbasan, Bledar Muca dhe nje oficere policie kalimtare e rastit, ndersa Florenc Capja shpetoi pa pasoja nga ky atentat.

Nje ore me vone mediat njoftuan po me zhurme se Gjykata e Krimeve te Renda ne Tirane shpalli te pafajshem Suel Celen, denoi me 5 vite burg Klement Xhaferrin dhe me 6 vite burg Enea Bekteshin, per ngjarjen e 15 shtatorit 2017 gjate tentatives se policise lokale per te kryer nje kontroll ne nje automjet te blinduar tip Audi…

Por ne fakt, nisur nga kronologjia kohore, ngjarja e pare sot, ishte vendimi i gjykates se shkalles se pare Elbasan, e cila ne seancen paraprake e rrezoi kerkesen e prokurorise per te cuar ne gjykim dosjen e nje personazhi mjaft te njohur ne kete qytet, Florenc Capja.

Ky i fundit akuzohej per atentatin ndaj ish-shefit te qarkullimit Elbasan, Fadil Mema ne vitin 2006. Mema i mbijetoi atij atentati duke marre plage te renda dhe u largua ne Itali ku te njejtet autore e gjeten serish dhe e egzekutuan ne Torino ne vitin 2015.

Por para se ta vrisnin ish- shefin e policise, vrasesit kishin provuar dhe ne vitin 2009 po ne Itali per ta hequr qafe, ndersa i ekzekutuan dhe kunatin Ardian Ibrahimi para dyqanit te tij.

Florenc Capja eshte arrestuar 3 here per kete ngjarje dhe 3 here i ka shpetuar drejtesise per atentatin e nje oficeri policie te kryer para familjareve te tij. Capja u kap me buje nga forcat RENEA me 14 qershor 2019 gjate operacionit “Krasta” por nga sot gjykata e Elbasanit e ktheu serish te lire ne rruget e ketij qyteti.

Per me teper asnje media ne Elbasan nuk guxoi ti afrohej gjykates gjate seances se sotme, madje as ta jepte lajmin e lirimit te tij per ore te tera. Lajmi u publikua vetem pasi mediat ne kryeqytet kishin publikuar vendimin e pafajsise te Suel Celes.

Ndersa per atentatorin e Florenc Capjas, Shkelzen Hasanpapa u dhane 10 vite burg, per kundershtarin e tij, Suel Cela gjykata e krimeve te renda ne Tirane vendosi pafajesi, per vet Florenc Capjan gjykata e Elbasanit as pranoi ta merrte ne gjykim ceshtjen. Pra e cilesoi kohe te humbur te merrej me ekzekutorin e nje oficeri policie.

Degjoni o popull, mos u hutoni nga zhurma e “mbrojtesve” te kushtetutes dhe reformes ne drejtesi, por qendroni vigjilent, shikoni nga shkoni dhe ku shkelni qe te mos mbeteni papritur viktima me tru te derdhur ne ndonje cep rruge, nga vrases te panjohur qe po qerojne hesapet me njeri-tjetrin…

Pra qysh nga sot, ekspertet e mjekesise ligjore duhet te jene gati per cdo kufome te lene pas nga atentatet ne Elbasan.

Sherbimi zjarrefikes i ketij qyteti duhet te jete gati per shkuar sa me pare te shuaj zjarrin qe do jete duke djegur mjetin dhe armet e atentatoreve pas krimit.

Qytetaret e pafajshem te Elbasanit duhet ti luten zotit te mos ndodhen rastesisht ne rrezen e bresherive te vrasesve qe e mbajne prej 2 dekadash te terrorizur kete qytet.

Ndersa “baballaret e kombit”, “i gjati”, “i shkurtri”, “doktori”, “piktori”, “artisti”, “doktoresha”, do jene duke “mbrojtur” kushtetuten e nje shteti te shpartalluar fund e krye.

Prandaj vrases profesioniste, me pagese apo me klering, nese e keni ndare mendjen ta vendosni vet drejtesine me tyten e kallashnikovit, sepse ne kete shtet te diskredituar nuk ka kush tua vendos tjeter, dilni ketej nga Bulevardi “Deshmoret e Kombit”, mbase ishallah bresherite tuaja u fershellejne afer veshit “baballareve te kombit”, qe ta kuptojne keta funderrina se cfare eshte shkelja e kushtetutes dhe kapja e reformes ne drejtesi…

KRONIKE-SUEL-CELA-_ABC-M5-T2.mpg_snapshot_01.03-1280x720.jpg
ent ela17:09 | 20/11/2019

Suel Çela shpallet i pafajshëm nga gjykata e krimeve të rënda për atentatin ndaj policëve në tregun agroushqimor në 18 shtator të 2017.  Sipas togave të zeza, prokuroria nuk paraqiti prova bindëse për të faktuar, se makina audi drejtohej nga Çela. Gjykata dënoi 5 vite burg Klemend Xhaferrin dhe me 6 vite burg Enea Bekteshin.

Gjykata për Krime të Rënda shpall të pafajshëm Suel Çelën, i akuzuar për përlasjen e mjetit të policisë tek tregu agro ushqimor në Elbasan në vitin 2017. Për këtë ngjarje, togat e zeza  kanë dënuar me 6 vite burg Enea Bekteshin dhe 5 vite burg  Klement Xhaferrin.

Sipas gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur dot të vërtetojë me prova të qarta, përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen në tregun agro-ushqimor në Elbasan. Togat e zeza shprehen se, provat e gjetur në automjetin tip “Audi”, nuk tregojnë  nëse Suel Çela ka qenë ose jo në momentin e ngjarjes në automjet.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Klodian Kurushi nuk është bindur për fajësinë e Suel Çelës, pasi edhe dëshmitë e dhena nga ana e punonjësve të polisë përpara gjykatës, kanë thënë se në makinë ishte vetëm një person, e ndërsa njëri prej policëve përjashtoi mundësine që në mjet të ishte Suel Çela. Sipas gjykatës, të gjitha provat tregojnë se Enea Bekteshi ka qenë në makinën Audi i vetëm dhe ka gjuajtur në drejtim të efektivëve, por pa ndihmën e askujt, gjë që përjashton akuzën e grupit të strukturuar kriminal.

Prokuroria për Krime të Rënda  kishte kerkuar dënimin e Çelës me 7 vite burg me argumentin ai ishte në drejtim te Audit, ndërsa Enea Bekteshi ishte pasagjer. Në makinen Audi është  gjetur një puro e fikur.

Nga analiza ADN ka rezultuar të ishte e Suel Celës. Prokurori renditi dëshmi, pamje filmike dhe rezultatet të ekspertimeve për materialet biologjike të gjetura në makinë, si prova kundër të pandehurve.

Këta tre persona u akuzua se në 18 shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, kanë goditur makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut Gjergj Oshafi dhe disa oficerëve të tjerë. /abcnews.al

 

 

PD-selia-1-847x445-1.jpg
in a17:01 | 20/11/2019

Pas shpalljes së Suel Çelës nga Gjykata e Elbasanit të pafajshëm, ka reaguar Partia Demokratike duke e cilësuar si një shërbëtor i pushtetit të Ramës. Në deklaratën e saj PD thekson se me shpalljen e Çelës të pafajshëm drejtësia ka rënë, kriminelët blejnë vota për Edi Ramën dhe drejtësisa nuk është e lirë të ndëshkojë krimin.

“Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit”, thuhet në reagimin e selisë blu.

Suel Çela u akuzua si personi, i cili me makinën e tij tip “Audi” goditi në 18 shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut Gjergj Oshafi dhe disa oficerëve të tjerë.

“Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi. Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit. Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët”, thuhet në reagimin e PD./abcnews.al

1548268291_cela.jpg
nev ila12:35 | 04/11/2019

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 7 vite burg për Suel Çelën.

Për Çelën po ashtu Prokuroria ka zbutur akuzën nga “vrasje ndaj punonjësit të policisë mbetur në tentativë”, që akuzohej më herët në “kundërshtim të forcave të policisë dhe goditje për shkak të detyrës”.

Ndërkaq, për Enea Bekteshin dhe Kelmend Xhaferrin organi i akuzës ka kërkuar dënim me 6 vite burgim. Bekteshi akuzohet për “kundërshtim të forcave të policisë”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “prodhim narkotikësh”.

Ndërsa, Xhaferri akuzohet për armembajtje pa leje, largim nga vendi i qëndrimit.

Suel Çela akuzohet për ncidentin e ndodhur në shtator të vitit 2017 në Elbasan, ku ky i fundit drejtonte makinën Audi që goditi automjetin e ish zv.drejtorit të policisë Elbasan Gjergji Oshafi.

Përplasjen ndodhi në Tregun Agro-Ushqimor në 18 shtator të 2017-së në Elbasan. Asokohe policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.

Ndërkohë, në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas hetimeve të Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit. Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor./abcnews.al

elbasanii.png
ad min16:12 | 27/06/2019

Shtyhet seanca ndaj Suel Çelës, Enea Bekteshit dhe Klemend Xhaferrit, për sulmin ndaj policisë në hyrje të Tregut Agroushqimor në Elbasan. Shkak për shtyrjen është bërë shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të njërit nga anëtarët e trupës gjykuese Luan Hasneziri.

Ndërkohë Gjykata për Krime të Rënda, do të hedhë shortin për të caktuar gjyqtarin e tretë në këtë proces, që do ti bashkohet Fran Prendit  dhe Klodian Kurushit. Në këtë seancë duhet të pyeteshin dy dëshmitarë të thirrur nga prokurori Behar Dibra, i cili nuk ishte i pranishëm  në seancë pasi ishte në një tjetër proces gjyqësorë.

Për dy dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës më herët gjykata kishte urdhëruar shoqërim të detyrueshëm, por ata ishin paraqitur vetë vullnetarësh, e për pasojë urdhri ka rënë poshtë.

Suel Çela që ndodhet në arrati dhe Klemend Xhaferri në burg, i kanë dërguar gjykatës deklaratat duke shprehur pëlqimin që të përfaqësohen vetëm nga avokatët e tyre Sokol Hazizaj dhe Genc Gjokuta.

Ndërsa Enea Bekteshi sipas gjykatës nuk e ka bërë një deklaratë të tillë dhe për pasojë do të njoftohet për seancën e ardhshme, e cila u la për në datë 11 Korrik ora 9:00. Suel Çela akuzohet nga prokuroria si personi, i cili me makinën e tij tip “Audi” goditi në Shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë. /ABC News Albania 24/7

 

florec-sueli.jpg
ad min15:49 | 14/06/2019

RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë  zhvilluan një operacion në qytetin e Elbasanit, për kapjen e elementëve të kërkuar dhe kriminale. Sipas policisë në pranga përfundoi Florenc Çapja dhe u shpall në kërkim Suel Çela, të akuzuar nga prokuroria për disa vepra të rënda kriminale të ndodhura vite më parë.  Në total u shoqëruan për verifikim rreth 60 persona dhe u kontrolluan 30 objekte.

Rreth 100 Forcat Speciale të RENEA-s dhe të Forcave të ndërhyrjes së shpejtë iu rikthyen edhe njëherë kontrolleve blic në qytetin e Elbasanit.

Në pranga përfundoi Florenc Çapja i akuzuar për disa vepra të rënda penale të ndodhur në qytetin e Elbasanit. Ndërsa u shpall në kërkim Suel Çela.

Florenc Çapja dhe Suel Çela

“Për Proçedimin Penal nr. 40 viti 2006 nga hetimet e zhvilluar ka rezultuar se, autor i kësaj ngjarje është shtetasi : 

F.Ç, 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagjia “Emin Matraxhiu”. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 477   datë 11.06.2019,  per të cilin ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Për Proçedimin Penal nr.  627 viti 2013 nga hetimet e zhvillura ka rezultuar se,  autorë të kësaj ngjarje janë shtetasit :

M.L (alias S.Ç), 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia 5 Maji”, aktualisht person i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale.”

Operacioni “forca e ligjit” i koduar “Krasta” kishte si qëllim goditjen e grupeve krimanale që operojnë prej vitesh në qytetin e Elbasanit, ku janë shënuar disa viktima.

Që bën fjalë për vrasjen e shtetasit G.B (alias A.M) dhe të babait të tij shtetasit N.B, ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012,  në lagjen “Çlirimi” Elbasan. Proçedimit Penal nr 40 të vitit 2006, i rregjistruar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim mbetur tentativë”, “Mbajtjes pa leje armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 78-22, 278/2 të Kodit Penal, që bën fjalë për tentativën e vrasjes së shtetasit F.M, ngjarje e ndodhur më datë 30.01.2006  në Elbasan”.

Ndërkohë u arrestuan edhe janë arrestuar 8 persona punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat.

“Në kuadër të hetimeve të kryera mbi Proçedimin Penal nr 627 viti 2017, është bërë e mundur të dokumentohet aktiviteti jashtëligjshëm në lidhje me disa veprime korruptive, të kryera nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat. Si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohej aktivitetit korruptiv i shtetasve të mëposhtëm, si dhe u ekzekutuan  vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me Burg”.

Policia gjatë konferencës për shtyp theksoi se u sekuestruan edhe armë e municione luftarake.

-Revolver “Nagant” me mulli , me gjashtë fishekë, kalibër 9 mm.

-Pistoletë gjysëm automatike e markës “Zoraki”, me gjashtë fishekë, kalibri 7.65 mm

-Nje krehër pistolete TT, me katër fishekë, model 54.

-26 copë fishekë, model 54.

-4 jelekë antiplumb

-Një shkop metalik nga ata me hapje me stampo police USING

-Një portofol lëkure me stampe policia e shtetit”.

RENEA u mbështet Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë dhe policia lokale, efektivet e se cilës u mbajtën rreptësishtë nën kontroll për të mos pasur mundësi dekonspirimi të aksionit. Në total u kontrolluan 30 banesa, resorte, lokale dhe ambiente të dyshuara se mund përdoren nga eksponentë të krimit të organizuar.

Disa pjesëtarë të fisit Çapja në Elbasan janë arrestuar si dhe janë shpallur në kërkim nga policia e shtetit gjatë një operacioni që nisi sot në mëngjes, i koduar “Krasta”.

Policia sqaron se janë zbardhur dhe dokumentuar tri ngjarje kriminale të ndodhur vite më parë.

Por kush janë shtetasit e arrestuar në këtë operacion?

Nga materialet e Policisë Gjyqsore:

“1. Florenc Çapja, 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagjia “Emin Matraxhiu”. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 477 datë 11.06.2019, per të cilin ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Për Proçedimin Penal nr. 627 viti 2013 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se, autorë të kësaj ngjarje janë shtetasit :

  1. Marjus Lulaj (alias Suel Çela), 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia 5 Maji”, aktualisht person i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale.
  2. Endri Çopja, 30 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale dhe vendimi ndaj këtij shtetasi u ekzekutua në ambientet e IEVP Elbasan.

Për Proçedimin Penal nr. 1121 viti 2012 nga hetimet e zhvillura ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarje janë shtetasit:

  1. Ervis Bardhi, 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan, “Lagjia Shënkoll”, i cili është shpallur në kërkim.
  2. Etien Cani, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjia Çlirimi” i cili është shpallur në kërkim.

Si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohej aktiviteti korruptiv i shtetasve të mëposhtëm, si dhe u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me Burg” për veprat penale:

“Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,

“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga nenet 244, 245/1,2, dhe 149/a,

  1. Bledar Karaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan,
  2. Adem Boriçi, 61 vjeç, lindur e banues në Elbasan.
  3. Andrea Nathanaili, 67 vjeç, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë.
  4. Suela Musta, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
  5. Izmir Hajdari, 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
  6. Artan Drazhi, 34 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan,
  7. Shkelqim Sula, 38 vjeç, lindur dhe banues në Labinot Mal-Elbasan, i cili u shpall në kërkim.
  8. Ervin Tahiri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë”./ABC News Albania 24/7
KRONIKE-SUEL-CELA-_ABC-M5-T2.mpg_snapshot_01.03-1280x720.jpg
ent ela18:52 | 18/04/2019

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi seancë për Suel Çelën, Klemend Xhaferrin dhe Enea Bekteshin të akuzuar për sulm ndaj Policisë së Elbasanit në 2017. Shefi i Antidrogës Ylli Bici deklaroi para gjykatës se në makinën audi nuk ishte Suel Çela. Ndërsa shefi i krimeve i shpjegoi togave të zeza se Çela u arratis sepse brenda tregut agro-ushqimor në Elbasan ka dalje të fshehta me dyer të blinduara. 

Dy vjet pas ngjarjes së ndodhur në Elbasan, ku u godit një makinë policie gjatë një operacioni, gjykata dëgjoi më se fundmi disa prej dëshmitarëve të kësaj dosje. Para togave të zeza dolën 4 oficerë policie të cilët kanë qenë prezent kur 3 të rinjtë të marrë të pandehur pretendohet se goditën makinën e ish-zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit Gjergj Oshafi. Në seancë dëshmuan Fadil Meta, Ylli Bici, Ervin Ballanca dhe Arben Belba. Kontradiktore me njëra-tjetrën ishin dëshmitë e ylli Bicit dhe Ervin Ballancës. Dy oficerët pavarësisht se kanë qenë në të njëjtin vend duket se kanë parë gjëra të ndryshme. Bici tha se në makinën tip Audi që goditi makinën e policisë nuk ishte Suel Çela dhe Enea Bekteshit, por një djalë i shëndoshë, i paidentifikuar prej tij. Më i pasigurtë dhe i paqartë në dëshmi ka qenë shefi i krimeve, Ervin Ballanca i cili tha se identifikimin e Suel Çelës nuk e ka bërë dot në vendngjarje, por nga këqyerja e pamjeve të regjistruara.

Interes në dëshminë e Ballancës, ishte dhe momenti kur tregoi se brenda tregut- agro ushqimor të elbasanit ka kalime të fshehta nëpërmjet te cilave kanë dalë personat e dyshuar për këtë ngjarje.

I pyetur nga Gjyqtari Kullushi në lidhje me personat që janë të akuzuar në këtë proces ai tha se janë shumë rrezikshëm dhe të përfshirë në trafikim narkotikësh dhe vrasje. Suel Çela ka më shumë se një vit i cili ndodhet në arrati, Enea Bekteshi është nën masën e sigurisë “arrest Shtëpie” i vetemi që ndodhet në burg është Klemend Xhaferri. /abcnews.al

 

 

 

elbasani.jpg
ad min19:25 | 14/02/2019

Për të dytën seancë radhazi, Gjykata për Krimet e Rënda dështoi të niste gjykimin ndaj Suel Çelës dhe dy të akuzuarve të tjerë për sulmin ndaj policisë në portën e tregut Agro-Ushqimor në Elbasan. Shkak u bë mosnjoftimi i Çelës, aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për gjyqin në ngarkim të tij.

Njoftimi për të ishte firmosur nga babai i tij, Petrit Çela, i cili deklaronte se i biri gjendej jashtë vendit. Gjykata urdhëroi prokurorinë të kërkojë edhe ndihmën e Policisë së Shtetit, si edhe Interpolit për gjetjen dhe njoftimin e të pandehurit Suel Çela.

Sulmi ndaj policisë në Elbasan u regjistrua në Shtator 2017, ku një mjet “Audi” përplasi mjetin e zv/drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Gjergji Oshafi duke rrezikuar edhe jetën e 3 të tjerëve.

Prokuroria ia ka ngarkuar këtë ngjarje Suel Çelës, Enea Bekteshit dhe Kelmend Xhaferrit, të cilët akuzohen për “vrasje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë”, “prodhim shitje narkotikësh” dhe “armëmbajtje pa leje”./abcnews.al

elbasani.jpg
ad min22:25 | 23/01/2019

Një vit e gjysmë pas ngjarjes së ndodhur në Elbasan, ku një makinë tentoi të godiste një grup efektivësh të policisë lokale ndërsa ishin në aksion, Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet dhe çon para drejtësisë tre persona të akuzuar për “vrasje së punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë. 

Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet lidhur me sulmin e kryer ndaj një grupi efektivësh të Policisë së Shtetit në Shtator të 2017, në hyrje të tregut Agroushqimor në Elbasan. Në përfundim të këtyre hetimeve tre persona janë dërguar në gjyq me akuzën e “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim.

Para drejtësisë do dalin Enea Bekteshi, Kelmend Xhaferri dhe Suel Çela, i cili vijon të jetë person në kërkim. Ngjarja për të cilën do të dalin para drejtësisë Bekteshi, Xhaferri dhe Çela ndodhi në 18 Shtator të 2017, kur pas një sinjalizimi të marrë nga një qytetar i frikësuar nga dy automjete në tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan, policia lokale ka dalë në një aksion.

Pikërisht në rrugën para tregut Agroushqimor, punonjësit e policisë konstatuan në lëvizje në kah të kundërt me ata, një automjet Range Rover të cilit i bënë shenjë të ndalonte. Sipas prokurorisë pikërisht në atëmoment nga krahu i pasagjerit zbriti një person me një radiomarrëse në dorë, të cilën tentoi t’ja linte rojës së tregut.

Më pas, makina hyri brenda tregut dhe dera e jashtme u mbyll me shpejtësi. Nga verifikimet rezultoi se automjeti ndodhej në pronësi të biznesmenit Petrit Çela dhe personat që udhëtonin në të u identifikuan si Ledio Zabeli dhe Endri Çopja.

Pikërisht kur policia po tentonte shoqërimin në polici të personave që ishin me fuoristradë, një mjet tjetër ka mbërritur me shpejtësi mes makinave të policisë, duke goditur njërën prej tyre. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se në drejtim të këtij mjeti ishte Suel Çela. Këto veprime, sipas prokurorisë, vunë në rrezik jetën e oficerëve të policisë, mes të cilëve dhe të nëndrejtorit të policisë asaj kohe Gjergj Oshafit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono