studente

shkoder-1.jpg
ad min15:24 | 05/02/2019

Në Universitetin e Shkodrës vazhdon të mos zhvillohet mësim në tre fakultete. Protesta e studentëve sot u organizua në Fakultetin e Infermierisë, por pezullim pati edhe tek Juridiku dhe tek Fakulteti i Ekonomikut.

Debatet mes studentëve protestues dhe Rektorit Adem Bekteshi u spostuan nga rektorati, tek Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Ngujimi i një grupi studentësh pas valës së protestave ka bërë që prej dy muajsh mësimi të jetë i pezulluar. Orët e pakta që po zhvillohen në fakultete të caktuara dhe zvarritja e zgjidhjes po rrezikon këtë vit akademik./abcnews.al

lulzim-basha.jpg
ad min08:48 | 04/02/2019

Pas deklaratës që bëri të dielën Kryeministri Edi Rama se studentët nëse vazhdojnë të bojkotojnë mësimin rrezikojnë të humbasin vitin shkollor reagoi edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.

Sipas tij, Rama po kërcënon studentët pasi është i kapur nga paniku. Ai i siguroi ata që nuk do ta humbasin vitin akademik pasi kauza e tyre është e drejtë.

“I kapur nga paniku Rama kërcënon #studentët me humbjen e vitit shkollor. Me mirënjohje për shembullin e tyre, opozita i siguron studentët që viti akademik nuk do të humbasë duke ju bërë thirrje të mos kenë frikë. Kauza e tyre është e drejtë! Mbarë shoqëria është me ta”, shkruan Basha në Twitter.

/abcnews.al

konviktet.jpg
ad min17:06 | 03/02/2019

Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Bardh Spahia ka publikuar disa foto të cilat sipas tij i përkasin ambienteve të konvikteve të studentëve në Shkodër. Nuk janë thjesht kushtet primitive, shkruan deputeti demokrat në rrjetet sociale- por mbi të gjitha ato higjenike që janë shndrruar në burim sëmundjesh.

Duke iu drejtuar ministres së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, deputeti Spahia i kërkon përgjigje se përse studentët vazhdojnë të paguajnë qira për ambiente që duhet të mbyllen urgjentisht./abcnews.al

artan-hoxha.jpg
ad min15:05 | 01/02/2019

Në një deklaratë për median Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, është shprehur se studentët bojkotues duhet të respektojnë ligjin dhe të lejojnë shumicën të zhvillojë mësim normalisht. Hoxha theksoi se studentët duhet të tregohen të përgjegjshëm për të respektuar të tjerët që duan mësim.

Senati i Univesitetit të Tiranës votoi për lirimin e menjëhershëm të fakultetit të Drejtësisë nga një grup studentëshqë prej javësh tashmë qëndrojnë të ngujuar. Vendimi u mor pa asnjë votë kundër.

Senati i Universitetit të Tiranës do t’i drejtohet studentëve të ngujuar në Fakultetin e Drejtësisë që të lirojnë mjediset universitare.

Vendimi u mor në mbledhjen e 1 shkurtit në të cilën Dekani i këtij fakulteti ka folur dhe për kushtet e papërshatshme për të zhvilluar leksione në klasat e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” ku  janë zhvendosur studentët.

Në rast se studentët e ngujuar nuk do t’i përgjigjen kërkesës së Senatit të Universitetit të Tiranës për mënyrën e reagimit ky i fundit do të vendosë në një tjetër mbledhje.

Ndërkohë Senati i Universitetit të Tiranës i kërkon qeverisë të rishikojë vendimet dhe urdhrat e Këshillit të Ministrave dalë në fundin e dhjetorit të vitit të shkuar, pasi vlerëson se shfaqin probleme. /abcnews.al

 

 

juridikuuuuuuuuuuuu.jpg
ent ela20:12 | 28/01/2019

Përplasja mes studentëve të ngujuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe atyre që kërkojnë t’i rikthehen mësimit ka degjeneruar në dhunë fizike këtë të hënë. Dekani i Fakultetit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit mjedise të tjera ku studentët të zhvillojnë leksionet dhe seminaret. Por çfarë parashikon ligji i arsimit të lartë në një kohë kur studentë dhe jo studentë po mbajnë të bllokuar Fakultetin e Drejtësisë?

Kështu nisi e hëna në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Përplasja mes studentëve të ngujuar në mjediset universitare dhe atyre që kërkojnë t’i rikthehen mësimit arriti deri në dhunë fizike. Një prej studentëve të pranishme tregon ngjarjen.

“Dera ishte e hapur po kishim bankat, pastaj disa çuna nga brenda filluan te hidhnin ujë dhe ti hidhnin bankat nga ne. Një bankë më ra në kokë, një vajzë u dhunua. Donin të futeshin brenda ata e goditën”.

A ka pasur dhunë fizike mes jush në mëngjes?

“Mesa di unë nuk ka pasur dhunë fizike se nuk e kemi bërë asnjë ditë këtë gjë dhe nuk do ta bënim sot “

Vetë me studentët po bëhet një luftë që nuk duhet të jetë, se kauza është e njëjtë dhe nuk duhet të sillemi kështu me njëri tjetrin”.

“Edhe policinë e kemi thërritur po është institucion publik dhe nuk lejohet”.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha thotë se për të zhbllokuar situatën ka kërkuar ndihmën e Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, por ai nuk i është përgjigjur.

Hoxha: “Unë nuk kam akoma një njoftim nga Rektori se çfarë ka biseduar me studentët që kanë ambjentet, i kam çuar dhe një shkresë tjetër sot në mëngjes, por mesa duket edhe ato gjëra që nuk janë kompetencë e jonë janë kompetencë e Autoritetit Qëndror t’i bëjmë vetë. Që nuk janë vetëm studentët e Fakultetit të Drejtësisë apo të universiteteve të tjera, por ka edhe persona që nuk janë fare studentë”.

Ndërkohë ligji ngarkon me përgjegjësi rektorin e Universitetit të Tiranës,  si titullar i tij, për garantimin e paprekshmërisë së institucionit. Neni 5 i ligjit të arsimit të lartë, pika DH, thotë se titullari garanton paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe territoreve të tyre. Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën, ose lejen e titullarit të arsimit të lartë.

Ndërsa neni 34 i Statutit të Universitetit të Tiranës, që përcakton funksionet e Rektorit, në Pikën GJ, shprehet se ai autorizon në rast nevoje futjen e forcave të rendit në mjediset universitare.

Por Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nuk po reagon përballë kësaj situate bllokimi të studentëve për të zhvilluar mësim dhe tensionit të krijuar te mjediset e Fakultetit të Drejtësisë.

Në këto kushte dekani Artan Hoxha i ka kërkuar Ministrisë së Arsimti t’i vërë në dispozicion të tjera mjedise për të zhvilluar mësim.

Hoxha: “Besoj se Ministria do të na ofrojë mjedise të tjera që nuk janë të Universitetit të Tiranës, unë shpresj që duke filluar nga nesër programi mësimor të rifillojë në fakultetin e drejtësisë”.

Ndërkohë mësim nuk po zhvillohet as në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku studentët  kanë dhe mbështetjen e  pedagogëve.

“Ne kemi vazhduar bojkotin dhe pedagogët na janë bashkuar duke mbajtur ligjërime”.

“Nuk kemi pasur asnjë përplasje me studentët që kanë dashur mësim. Ditën e sotme asnjë klasë nuk ka zhvilluar mësim”.

Ndërsa  në Fakultetin e Ekonomisë, sipas studentëve leksionet dhe seminaret zhvillohen normalisht që prej një jave.

“Kemi vazhduar javën e kaluar. Pjesëmarrja është e lartë. Pothuaj të gjithë studentët të pranishëm në leksione e seminare, si para protestës”.

Bojkoti i mësimit vijon dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale, ndërsa tek Shkencat e Natyrës mësimi zhvillohet pjesërisht.

./abcnews.al

fleckenstein.jpg
ad min14:14 | 27/01/2019

Në një intervistë për ABC News, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein deklaron se studentët e kanë arritur qëllimin e tyre së paku pjesërisht. Por parimi “Gjithçka ose asgjë” përgjithësisht nuk ndihmon. Fleckenstein shpreson, që qeveria të realizojë sa më shumë të jetë e mundur lidhur me aksesin më të mirë për të gjthë në sistemin e arsimit dhe pë t’i pajisur të rinjtë me aftësi dhe njohuri më të mira për tregun e punës.

Pyetje: Protestat e studentëve në Shqipëri vazhdojnë prej më shumë se 5 javësh, fillimisht të përqëndruara në sheshe dhe më pas në gjirin e disa fakulteteve. Shumë prej tyre janë të gatshëm për grevë. Në deklaratën tuaj, ju i keni mëshuar dialogut. Ndërkohë studentët konsiderojnë që 8 kërkesat e tyre nuk kanë nevojë për dialog, por ato duhen plotësuar nga qeveria. Ç’mendoni për këtë?

Knut Fleckenstein, eurodeputet: Eshtë një shenjë e qartë e një shoqërie civile aktive dhe plot jetë dhe gjithashtu një tregues i demokracisë. Demokracia nuk është vetëm të votosh çdo katër vjet. Ka një qeveri të zgjedhur, që duhet t’i marrë çështjet shumë seriozisht, t’i shqyrtojë ato dhe të shohë se ç’mund të realizohet. Kam dëgjuar, se disa çështje po diskutohen, dhe ministrja e ri për Arsimin ka marrë përsipër disa detyra. Kjo do të thotë që studentët e kanë arritur qëllimin e tyre së paku pjesërisht. Nuk jam gjyqtar. Nuk mund të ndërhyj në çështje të brendshme dhe të cilësoj nëse kjo është e mjaftueshme apo jo. Por parimi “Gjithçka ose asgjë” përgjithësisht nuk ndihmon. Gjithsesi, të përcaktosh kërkesa të qarta dhe të luftosh për to është pjesë e demokracisë.

Pyetje: Akses më të mirë për të gjithë në arsim dhe aftësi dhe njohuri më të mira për të përgatitur të rinjtë për tregun e punës. Ju e keni kërkuar këtë prej vitesh dhe sërish këto pika bëjnë pjesë në rezolutën e Nëntorit të 2018-s. A mendoni se këto janë konsideruar nga qeveria shqiptare? Nuk kemi parë ndryshim deri tani.

Knut Fleckenstein: Mendoj se mund të kishte qenë më mirë dhe protesta e studentëve e inkurajon qartësisht qeverinë që të shkojë më larg në këtë drejtim. Por duhet kuptuar gjithashtu, që nuk mund të financohet çdo gjë që do, nëse nuk ke një ekonomi të fortë, që sjell taksat. Pra është e mundshme vetëm hap pas hapi. Ju i përmendët disa pika të raportit, akses më të mirë për të gjthë në sistemin e arsimit, pajisje me aftësi dhe njohuri më të mira për t’i përgatitur të rinjtë për tregun e punës. Janë pika shumë të rëndësishme dhe shpresoj që qeveria të bëjë sa më shumë të jetë e mundur.

Pyetje: A ju duket e drejtë ulja e tarifave për studimet?

Knut Fleckenstein: Nuk i njoh tarifat.

Pyetje: Ato janë më të larta se në shtete anëtare të Bashkimit Europian. Një student në Master në Shqipëri paguan më shumë se një student në një shtet anëtar të BE-së, Belgjikë apo Gjermani. A mendoni se me standardin e jetesës në Shqipëri mund të përballohet kjo?

Knut Fleckenstein: Por kam dëgjuar, se tani propozimi është që të paguajnë 50%.

Pyetje: Jo për të gjithë.

Knut Fleckenstein: Nuk jam politikan shqiptar, por europian. Nuk jam në brendësi të çdo detaji, por në parim jua dhashë mendimin tim./abcnews.al

fakulteti-i-drejtesise.jpg
ad min13:08 | 27/01/2019

Mbetet pa zgjidhje situata në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe pas dy takimeve të studentëve që qëndrojnë të ngujuar në mjediset universitare me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Një grup studentësh vijojnë të qëndrojnë në fakultet, ndonëse ditë e dielë.

Ndërkohë edhe hyrja për në auditore mbahet e mbyllur me karrige. Studentët shprehen se bojkoti i mësimit do të vijojë derisa të marrin zgjidhje për kërkesat e tyre të cilave tashmë i kanë shtuar dhe shfuqizmin e ligjit për arsimin e lartë.

Për këtë pikë të fundit studentët kanë kërkuar dhe mbështetjen e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr  Koni. Nuk ka një reagim zyrtar nga Rektorati ndërkohë që studentët thonë se Rektori ka shprehur dakordësinë për këtë kërkesë të tyre, por ai që do të vendosë është Senati./abcnews.al

ngujimi1.jpg
ad min16:47 | 26/01/2019

Pas dështimit të takimit mes studentëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni gjatë së premtës, studentët zhvilliuan takim tjetër të shtunën. Grupi i studentëve të Drejtësisë bën me dije se Rektori Koni ka deklaruar se është dakord me kërkesat e tyre.

Takimi i zhvilluar gjatë së premtes mes Rektorit të Universitetit të Tiranës me studentët e Fakultetit të Drejtësisë nuk rezultoi konstruktiv. Duke marr shkas nga kjo situatë, një grup studentësh nga ky fakultet zhvilluan një takim tjetër gjatë së shtunës me Rektorin Mynyr Koni, të cilët thonë se rektori është dakord me kërkesat e studentëve.

“Ishim një grup studentësh nga Fakulteti i Drejtësisë që shkuam në Rektorat për të biseduar me Rektorin. Prandaj dhe Rektori doli në mbrojtjen tonë. Ne kërkuam një vendim nga rektorati që të dalë kundër Ligjit për Arsimin e Lartë dhe të kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji”.

“Një argument që ne përdorëm te Rektori në mënyrë që ai të kuptonte që jo bvetëm studentët, por edhe një masë e madhe pedagogësh janë pro studentëve dhe ata kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë që e dimë të gjithë që është burimi i gjithë këtyre pakënaqësive të viteve të fundit”.

Pavarësisht se studentët e Drejtësisë na e konfirmuan takimin me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Rektorati vetë nuk pranoi të komentonte diçka të tillë. Grupi i studentëve të Fakultetit të Drejtësisë që vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në ambientet e fakultetit prej rreth 15 ditësh, deklarojnë se bojkoti i mësimit dhe ngujimi i tyre do të vazhdojë.

“Me shumë mundësi ngujimi do vazhdojë deri në plotësimin e nëntë kërkesave tona”./abcnews.al

eduard-kukan.jpg
ad min17:20 | 24/01/2019

Eurodeputeti  Eduard Kukan shprehet në një intervistë eskluzive për ABC News, se protesta e studentëve në Shqipëri duhet të merret seriozisht nga qeveria. Për Kukan, receta e zgjidhjes së situatës kalon përmes dialogut dhe studentët nuk mund t’i vendosin ultimatume qeverisë.

Protestat e studentëve në Shqipëri vazhdojnë prej më shumë se 5 javësh, fillimisht të përqëndruara në sheshe dhe më pas në gjirin e disa fakulteteve. Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave nga qeveria e Shqipërisë dhe janë të gatshëm madje të fillojnë grevë urie për këtë. Cili është këndvështrimi juaj?

Eduard Kukan, eurodeputet: Mendoj, se të rinjtë janë në të drejtën e tyre të protestojnë. Gjithmonë kam menduar, se studentët duhet të kenë një dell revolucionar në aksionet e tyre dhe duhen marrë seriozisht, sepse entuziazmi i tyre mund të sjellë progres. Qeveria shqiptare duhet t’i marrë shumë seriozisht. aksionet e studentëve. Por kjo nuk duhet marrë si një luftë dramatike kundër qeverisë, por si pakënaqësi që duhet trajtuar përmes dialogut. Ky është qëndrimi im. Edi Rama është një politkan me eksperiencë dhe ka shumë aftësi retorike të shkëlqyera. Dhe mendoj, se nëse ai do të ulet me studentët.

Pyetje: Studentët nuk duan të ulen në dialog, sepse konsiderojnë se 8 kërkesat e tyre janë shumë të qarta, dhe ato duhet të plotësohen.

Eduard Kukan: Kjo nuk është korrekte. Mendoj, se kur ndodhin gjëra të tilla, duhet të ketë një dialog. Nëse vendosen ultimatume, kjo nuk është rruga për të marrë rezultate. Do t’ju bëja apel edhe studentëve që të dëgjojnë argumentat e palës tjetër. Receta për situatën kalon përmes dialogut dhe konsiderim shumë serioz të qëndrimeve të secilës palë. Jam i sigurtë, që rezultati i dialogut do të çojë në një kompromis. Nëse secila palë nuk luan nga pozicioni i saj, kjo do të zvarrisë procesin. Sa më shumë kohë merr gjetja e një zgjidhje, aq më shumë e  dëmshme do jetë për vendin, shoqërinë, studentët dhe qeverinë. Ndoshta duhet të ketë një palë të tretë për ndërmjetësim, por studentët duhet gjihashtu të kuptojnë, se nuk është e mundur që t’i diktosh qeverisë.

Pyetje: Prej vitesh ju jeni raportuesi në hije i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian e aprovuar në Nëntor të 2018-s përfshin edhe disa pika lidhur me reformën e arsimit. A mendoni se në këto pikë reflektohen edhe disa nga kërkesat e studentëve, si akses më të mirë për të gjithë qytetarët në sistemin e arsimit dhe pajisje me aftësi dhe njohuri më të mira të të rinjve për tregun e punës?

Eduard Kukan: Përgjithësisht, në rezoltën e Parlamentit Europian nuk përfshihen të gjitha detajet, por nisur nga situata në vend, ndoshta do jetë e arsyeshme që fokusi të vihet më gjerësisht në situatën e sistemit të arsimit në Shqipëri dhe ndoshta të përfshihen edhe kërkesat e studentëve./abcnews.al

protesta-3.jpg
ad min18:45 | 23/01/2019

Një grup i vogël studentësh iu rikthyen sot protestës para Ministrisë së Arsimit dhe kryeministrisë. Ndërsa një pjesë tjetër studentësh janë kundër bojkotit të fakulteteve dhe kërkojnë rifillimin e mësimit.

Ashtu siç kishin njoftuar në rrjetet sociale, një grup studentësh nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës zhvilluan një protestë para godinës së Ministrisë së Arsimit. Edhe kësaj radhe, studentët qëlluan me vezë dhe sendet e tjera drejt Ministrisë së Arsimit, madje nuk i kursyen ato edhe drejt efektivëve të policisë.

Të pyetur për këtë rikthim para Minsitrisë së Arsimit studentët u shprehen se protesta e tyre vijon.

“T’i kujtojmë që jemi akoma në protestë, nuk jemi kthyer akoma në auditore. Ne jemi duke protestuar”.

Pas Ministrisë së Arsimit, grupi i studentëve iu drejtua godinës së Kryeministrisë. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që protestojnë, studentët e Drejtësisë kërkojnë që t’i rikthehen mësimit dhe të mos vijojnë më me bojkot.

 “Duam që të vazhdojmë mësimin dhe na u njoh edhe një shkresë që na u dha përgjigje nga Rektori i Uuniveristetit të Tiranë ku thotë që shtë pro protestës por kundër formës, mënyrës që studentët e bëjnë.”

“Protesta është e drejtë e gjithkujt. Ne kemi qenë edhe në protestat e mëdha që u bënë në ditët e para, por jemi kundër kësaj forme. Ne duam të fillojmë mësimin sepse janë realisht pro mësimit shumica”.

E njëjta panoramë paraqitet në shumicën e fakulteteve të Tiranës, ku  pjesa dërmuese e studentëve kërkojnë të vijojnë procesin mësimor./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono