studente

protestat-2.jpg
G. P.11:57 | 17/06/2019

E hëna ka nisur me protestë studentore në Shkodër. Kanë qenë sërish studentët e Fakultetit të Drejtësisë, të cilët kanë reaguar për godinën e re e cila vijon të qëndrojë e kyçur ndonëse sipas tyre, ajo është gati për të nisur procesin mësimor.

Ato thonë se as premtimi i kryeministrit Edi Rama për çeljen e saj brenda 45 ditëve nuk u përmbush. Pas proteste ka reaguar rektori i universitetit “Luigj Gurakuqi” sipas të cilit sapo të përcaktohen oraret mësimore nga dekanët e Juridikut dhe Ekonomikut do nisë mësimi aty./ABC News Albania 24/7

karta-e-studentit-1280x853.jpg
G. P.22:22 | 10/06/2019

Ka qenë Universiteti i Arteve ndalesa e radhës e kryebashkiakut Erjon Veliaj për pajisjen e studentëve me Kartën e Studentit, angazhim i marrë nga Pakti për Universitetin. Erjon Veliaj tha se 4 mijë studentët e parë që janë pajisur me karta dhe  kanë nisur të përdorin shërbimet që u ofrohen. Deri në fund të verës sipas tij do të pajisen 80 mijë studentë.

Kryebashkiaku Tiranës, njëherësh edhe kandidat për një mandat të dytë për këtë bashki, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe rektori i universitetit, Kastriot Çaushi, ndoqën nga afër procesin e aplikimit dhe marrjes së kartës nga studentët e arteve, falë së cilës do të përfitojnë një numër të madh shërbimesh falas ose me kosto të reduktuar, në institucionet shtetërore dhe ato private.

“Vetëm në Tiranë, falë bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, shumë muzeume publike apo private, nga Shtëpia e Gjetheve, Shtëpia Kadare, të gjitha pikat ikonike, teatrot, muzetë e galeritë, janë me ulje; është koha ideale për ta maksimizuar kartën. Edhe nga Shkodra në Butrint e Ksamil, nga Veriu në Jug, kemi një shpërndarje të vendeve ku përdoret karta e studentit. Mezi pres të vazhdojmë ritmin”, u shpreh Veliaj.

Veliaj bëri të ditur se pasi të pajisen të gjithë studentët me karta, do bëhet edhe porositja e aboneve të udhëtimit me autobusët urbanë në Tiranë.

“Pasi të kemi të gjitha kartat e shpërndara dhe të shohim se sa është realisht kërkesa, atëherë do të parablejmë abonetë për Bashkinë e Tiranës nga Ministria e Financës, e cila është pronarja e letrave me vlerë”, shtoi më tej Veliaj.

Erjon Veliaj u shpreh i kënaqur se 4 mijë studentët e parë që janë pajisur me karta kanë nisur të përdorin shërbimet që u ofrohen. Deri në fund të verës do të pajisen 80 mijë karta./ABC News Albania 24/7

kina.jpg
G. P.08:22 | 05/06/2019

Konflikti tregtar midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon të zgjerohet gjithnjë e më shumë. Tani, udhëheqja e Pekinit i paralajmëron qytetarët e saj kundër fillimit të shkollimit në një universitet amerikan.

Para se të ndërmarrin një hap të tillë, studentët dhe shkencëtarët duhet të vlerësojnë me kujdes rrezikimin për ta dhe të marrin masa të përshtatshme e paraprake, thuhet në një deklarate të shkurtër të Ministrisë së Arsimit në Pekin. Në disa raste ka pasur probleme me kohëzgjatjen ose me dhënien e vizave. Hollësi ministria nuk përmend. Në televizionin shtetëror një zëdhënëse tha se gjendja e përgjithshme e studentëve kinezë në SHBA është e qëndrueshme.

Por Hu Xijin, kryeredaktori i gazetës kineze Global Times, shkruante në rrjetin informativ Twitter: “Ky paralajmërim është një përgjigje ndaj serisë së fundit të diskriminimit të SHBA ndaj studentëve kinezë dhe gjithashtu mund të kuptohet si një përgjigje ndaj luftës tregtare të shkaktuar nga SHBA”

Studentët si faktor ekonomik

Studentë nga Republika Popullore përfaqësojnë një faktor të rëndësishëm ekonomik për universitetet amerikane. Rreth 360.000 studentë në vit i sjellin SHBA rreth 14 miliardë dollarë me shkollimet dhe me taksat e tjera që paguajnë në vend.

Në kuadër të mosmarrëveshjes për doganat të nisur nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, marrëdhëniet midis dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme. Për këtë kontribuojnë sanksionet amerikane kundër gjigantit teknologjik kinez Huawei si dhe mbështetja amerikane për Republikën e Tajvanit të qeverisur në mënyrë demokratike, por të cilën Pekini e konsideron një provincë të pabesë.

Republikanët e Presidentit të SHBA, Donald Trump, prezantuan muajin e kaluar një projektligj për Kongresin, i cili parashikon ashpërsim të kushteve për studentë nga Republika Popullore. Sipas tij, në të ardhmen nuk duhet të marrë një vizë studimi apo një vizë për qëllime kërkimore, askush që punësohet ose mbështetet nga ushtria kineze.

Vitin e kaluar, Ambasada kineze në Uashington publikoi një rekomandim sigurie për bashkatdhetarët në Shtetet e Bashkuara. Ndër të tjera, në të paralajmërohet për fatura të larta mjekësore si dhe për konfiskime nga autoritetet doganore./VOA

flakadane.jpg
G. P.12:41 | 22/05/2019

Studentët i janë rikthyer protestave. Për një orë, para godinës së Ministrisë së Arsimit ata paraqitën 5 kërkesa të reja, që sipas tyre nuk janë plotësuar nga Pakti për Universitetin. Sende të forta dhe flakadanë u hodhën drejt godinës, duke i lënë afat 24 orë qeverisë për një përgjigje.

I tillë ishte rikthimi i studentëve në protestë që pas fundit të muajit janar para Ministrisë së Arsimit.

Edhe pse ishte thirrur një protestë kombëtare, të pranishëm ishin vetëm studentët e universiteteve të Tiranës me pankarta dhe flakadanë në duar.

Studentët gjatë së mërkurës kanë publikuar kërkesat e tyre zyrtare, ku spikasin edhe 5 kërkesa të reja në krahasim me ato të fundvitit:

-Rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë
-Arsim cilësor për të gjithë të rinjtë, duke i mundësuar mbështetjen financiare

-Rankimi i programeve sipas modeleve më të mira bashkëkohore

-Rritja e peshës së përfaqësimit në institucionet e arsimit të lartë

-Autonomi reale e IAL-ëve dhe jo e diktuar nga bordet qeveritare

Ata pohuan se “Pakti për universitetin” nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre dhe se u rikthyen për të fituar të drejtat e tyre, duke i lënë qeverisë afat 24 orë kohë për t’u përgjigjur.

“Sot jemi mbledhur pasi pakti për universitetin nuk u zbatua. pakti ishte pjesor, por edhe ai qe u bë nuk u zbatua as 10 % e pikave. Protesta do vazhdojë të zgjatet dita ditës”, u shprehen disa prej tyre.

Por protestës nuk iu bashkuan te gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Ne fakultetet e ekonomisë, gjuhet e huaja dhe Histori-Filologji në salla dhe auditorë mësimi vijoi si ditët e tjera.

Jashtë kamerës studentët shprehen se nuk kanë arsye t’i bashkohen protestës, pasi  duan të ndjekin rregullisht leksionet e seminaret për të përfunduar më së miri provimet e këtij viti shkollor./ABC News Albania 24/7

 

robert-smith.jpg
G. P.14:30 | 21/05/2019

Një miliarder afro-amerikan, Robert Smith, pagoi kreditë e të gjithë studentëve në universitetin amerikan të Atlantës, në vlerën e 40 milionë dollarëve.

Një dhuratë e shtrenjtë dhe e papritur për studentët afro amerikanë të kolegjit “Morehouse” të Atlantës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Robert Smith, sipërmarrësi me ngjyrë më i pasur në botë, gjatë përshëndetjes së tij për të sapodiplomuarit deklaroi se do të paguajë borxhet e të gjithë studentëve të regjistruar në institut. Shifra e dhurimit është 40 milionë dollar dhe do u lejojë të rinjve të programojnë të ardhmen pa paguar këste.

“Në emër të tetë gjeneratave të familjes sime që kanë jetuar në këtë vend, do i hedh pak benzinë autobusit tuaj”.

Deklarata e miliarderit dhe filantropit, ka lënë pa fjalë studentët, të cilët e kanë mirëpritur ofertën me duartrokitje të forta. Kolegji deklaroi se kjo është shifra më e madhe e dhuruar në histori për studentët. Këta të fundit falë bujarisë së sipërmarrësit arritën të blejnë dhe 1.5 milionë dollar pajisje për mësimdhënien.

Nuk është hera e parë që Robert Smith bëhet i famshëm për bamirësitë e tij. Ai menaxhon “Vista Equity Partners”, një fond investimesh aktiv në sektorin e teknologjisë dhe softuer dhe ka një pasuri prej 45 miliardë dollarësh.

Që nga fillimet e aktivitetit të tij sipërmarrës ai gjithnjë ka mbrojtur popullsinë afro-amerikane edhe familjet në vështirësi financiare. Shpesh ka financuar aktivitete kulturore dhe projekte që lidhen me arsimin. Ndër të tjera moto-ja e tij flet qartë: “Jam këtu për të dëshmuar se ti vlen”.

Shpenzimet e mëdha universitare kanë marrë përmasat e një emergjence kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të siguruar një arsimim të mirë, studentët shpesh janë të detyruar të kërkojnë kredi në një afat kohor prej 10-20 deri në 30 vjet, duke u detyruar të paguajnë dhe vite të tëra pas përfundimit të studimeve.

Bëhet fjalë për një presion ekonomik të tillë, që sipas të dhënave të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një student me kredi nuk arrin të mbulojë shpenzimet pas diplomimit, shpesh duke u detyruar të heqë dorë nga krijimi i familjes apo blerja e një shtëpie.

Sistemi i kredive  të kësaj natyrë hyri më pas në krizë me reduktimin e ofertave të punës, duke sjellë që shumë studentë të mos regjistrohen fare në universitet. Një perspektivë e papranueshme për Smith, i cili deklaroi se vendi ku jeton nuk duhet të përcaktojë mënyrën se si je edukuar.

Dhe shkolla nuk dihet të përcaktojë mënyrën e studimit. Sipas tij mundësia për arsimim duhet të vendoset vetëm nga intelekti i personit, kuraja dhe vendosmëria për të tejkaluar pritshmëritë./ABC News Albania 24/7

studente-1280x659.jpg
G. P.19:14 | 15/03/2019

E premtja është një ditë marshimi për studentët në të gjithë botën, të cilët kanë braktisur auditorët për të manifestuar në mbrojtje të ambientit dhe kundër ndryshimeve klimatike.

Studentë në të gjithë botën, ditën e premte kanë lënë auditoret për të manifestuar në mbështetje të betejës ambientaliste të aktivistes 16-vjeçare suedeze Greta Thunberg. Për të është propozuar dhe çmimi Nobel për paqe. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës protesta është dhe një sfidë për presidentin Trump pas largimit të tij nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Në Milano ishin katër mijë studentët e mbledhur për të marshuar në mbrojtje të ambientit, duke thënë se ata që qeverisin u kanë lejuar pak njerëzve të pasurohen duke ndotur ambientin. Aktivistja 16-vjeçare u shpreh se nuk kërkonte më shpresa, por veprime reale. Sipas saj, alarmi i shkencëtarëve duhet marrë seriozisht sepse politikanët dhe pse janë në dijeni të situatës e kanë lënë të ardhmen në duart e përfituese, dëshira e të cilëve për pasuri rrezikon ekzistencën njerëzore.

Në nivel europian, presioni i të rinjve ka një objektiv të drejtpërdrejtë në lidhje me liderët e Bashkimit Europian që do të mblidhen në samitin e Brukselit në datat 21 dhe 22 Mars, ku në axhendë është pikërisht lufta ndaj ndryshimeve klimatike. Një tjetër takim i rëndësishëm ndërkombëtar, ndaj të cilit janë përqendruar manifestuesit është dhe samiti i ardhshëm në OKB për klimën, në muajin Shtator, ku të gjithë vendet e botës duhet të prezantojnë planet e tyre për të luftuar ngrohjen globale./abcnews.al

fakulteti-i-drejtesise.jpg
G. P.21:55 | 11/02/2019

Pas më shumë se dy muaj protesta dhe bojkot, nje grup studentesh te Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, që mbanin të bllokuar mjediset e kësaj  ndërtese, kanë dalë nga ngujimi. Sonte në mbrëmje  dyert e bllokuara të Fakultetit të Drejtësisë janë hapur dhe në mjediset e brendshme po punohej për përgatitjen për procesin mësimor.

Ky vendim për të liruar ndërtesën e pushtuar, erdhi pas disa kërkesave që ky grup studentësh i kishin drejtuar dekanit Artan Hoxha. Studentët kanë kërkuar si fillim shtyrjen e sezonit akademik në përputhje me orët e humbura si dhe zëvendësimin e këtyre orëve.

Gjithashtu ata kanë kërkuar shtyrje të afatit për dorëzimin e dokumenteve për bursë dhe përgjysmimin e tarifave dhe mospenalizim të studentëve protestues./abcnews.al

basha-me-studente-e-pedagoge-1280x664.jpg
ent ela22:15 | 09/02/2019

Pas premtimit për anulimin e ligjit të arsimit të lartë, kryetari i PD premton edhe reduktim e zerim të tarifave për studentët, edhe në studimet master. Në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë në Vlorë, Lulzim Basha shpjegoi edhe planin për të rritur rolin e figurën e mësuesve në sistemin parauniversitar.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë e pedagogë të universitetit Ismail Qemali në Vlorë, kreu I PD Lulzim Basha, ka pranuar gabimet e qeverisjes së PD, dhe shpjegoi vizionin e ri për arsimin, si prioritet I demokratëve kur të vijnë në pushtet. Duke nisur me kërkesat që nxitën protestat e studentëve dhjetorin e kaluar. Basha premtoi ulje dhe zerim të tarifave si për sistemin bachelor ashtu edhe për masterin

Basha: Familjet nën 640 mijë lekë të ardhura, do të përfitojnë subvencionim të plotë të studimeve, qoftë në nivelin e parë, qoftë në nivelin e dytë. Praktikisht kjo do të thotë se fëmijët që i përkasin grupit të parë, nuk do ta paguajnë fare tarifën dhe universitetit do t’i subvencionohet kjo nga buxheti i shtetit.

Basha tha se financimi 5% i buxhetit për arsimin është modest por prioritar për vendin, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk kursen për koncesionet.

Basha: 5 % e financimit për arsimin është një mimimum i minimumeve. Maqedonia dhe Kosova e kanë kaluar 6 përqindëshin e ne s’financojmë dot as 5 %, ndërkohë që vetëm këtë vit do të shpenxohen 1,5 miliardë euro, 1/3 e buxhetit të shtetit do të shpenzohet vetëm nga 3 apo 4 koncesionarë, sipas skemave të famshme të PPP-ve. Pra 33 % do të harxhohen nga koncesionarë për të cilat askush s’e di se ku shkojnë e nuk gjejmë dot 1/7 e kësaj shume për arsimin e vogëlushëve e studentëve. Kjo s’është neglizhencë, është sjellje kriminale.

Një vlerësim i një pedagogu për rritjen e pagave të arsimtarëve në 8 vitet e qeverisjes së demokratëve dhe Basha shpjegoi se projekti afatgjatë i PD përfshin edhe arsimin parauniversitar, atë 9 vjecar e të mesëm për forcimin e rolit te mesuesit.

Mësuesi Edmond Fetahu: Në 8 vitet e qeverimit të PD, një vëmendje ju kushtua rritjes së pagave të mësuesve. Në tregun e sotëm, pozicioni i mësuesit është një pozicion joatraktiv, çka sjell rënien e cilësisë së mësimdhënies.

Basha: Mbështetja me kapacitetin njerëzor, pra mësuesit dhe kapacitetet e tjera profesionale, në mënyrë që shkolla të ofrojë jo vetëm mbulimin e detyruar të programit mësimor, por edhe për të ofruar një kohë shtesë, derisa të dalin prindërit nga shkolla, në mënyrë që të avancojmë edhe aktivitete ekstrakurrikulare. Kjo kërkon një investim të fortë që konsiston me një rritje prej 25 % të numrit të mësuesve në sistemin parauniversitar.

Basha tha se pas 28 vitesh, vendi ka arritur në një stad ku në arsim emërohen njerëz injorantë e me precedent penale, cka ka shkatërruar cilësinë e mësimdhënies dhe besimin e prindërve tek arsimi publik. /abcnews.al

edi-rama-korce-1280x713.jpg
G. P.13:54 | 08/02/2019

Gjatë një takimi me studentë të Universitetit “Fan Noli” në Korçë, kryeministri Rama shpjegoi Paktin për Universitetin. Rama paralajmëroi pedagogët që nxitën bojkotin e mësimit se do të vendosen me shpatulla pas murit.

I flet studentëve të Korçës që të dëgjojnë edhe pedagogët protestues në Tiranë.

“Është shumë interesante se janë mbledhur disa pedagogë që kërkojnë gjëra të mëdha, kërkojnë abrogimin e ligjit dhe thonë të ndalet denigrimi i pedagogëve. Kush po i denigron? Të ndahen pedagogët e nderuar dhe të respektuar nga sharlatanët. Është shumë interesante se janë tre pika, thelbësore për vendimin tim që pakti i ka”.

Prandaj u kërkon studentëve që t’i shkojnë deri në fund kërkesës për titujt akademikë farsë.

“Kjo nuk mund të jetë një gjë që duhet të harrohet, nuk mund të fshihen pedagogët që duhet të kalojnë në filtër. Të paguarit e tarifës përgjysmë për të gjithë, bursat etj. janë shtrëngim financiar i shoqërisë, por në këmbim të një arsimi më cilësor, jo vetëm me lehtësim financiar të studentëve. Kam parasysh që të mos mbetet rrugës një nga kërkesat themelore të studentëve dhe pikat më të dobëta që kemi, farsa e titujve dhe korrupsioni i pedagogëve, tregtia e librave”.

Megjithatë jo të gjithë studentët janë në një mendje me kryeministrin Rama ndonëse në këtë takim u përfaqësuan vetëm me një zë.

Studentja: “Jam kryetare e Këshillit Studentor. Çdo ditë jam në kontakt me studentët dhe ata më falin shumë energji pozitive. Këtu po shikoj që një energji negative. U përmendën studentët që ishin jashtë. As unë as studentët e tjerë, shumica, nuk jemi dakord që në këtë sallë janë vetëm studentët e ekselencës. Universiteti është i të gjithë studentëve, jo vetëm i studentëve të ekselencës. Ky Pakti i Universitetit që po ngrihet këtu është rezultat i atyre studentëve që janë jashtë. Shqetësimet që ata ngritën e sollën universitetin në këtë fazë ku jemi sot”.

Edi Rama: “Në varësi të asaj që do zgjedhësh ti mund të kesh sukses në bujqësi, por edhe në politikë mesa shoh unë. Se kë takojmë ne e zgjedhim ne, por nëse ju si Këshill Studentor, apo nëse ju si studentë doni të më takoni mua, e zgjidhni ju”.

Ajo që u kërkon Kryeministri Rama është kthimi i paktit për universitetin në një kontratë të matshme mes studentëve dhe qeverisë./abcnews.al

shkoder-1.jpg
G. P.15:24 | 05/02/2019

Në Universitetin e Shkodrës vazhdon të mos zhvillohet mësim në tre fakultete. Protesta e studentëve sot u organizua në Fakultetin e Infermierisë, por pezullim pati edhe tek Juridiku dhe tek Fakulteti i Ekonomikut.

Debatet mes studentëve protestues dhe Rektorit Adem Bekteshi u spostuan nga rektorati, tek Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Ngujimi i një grupi studentësh pas valës së protestave ka bërë që prej dy muajsh mësimi të jetë i pezulluar. Orët e pakta që po zhvillohen në fakultete të caktuara dhe zvarritja e zgjidhjes po rrezikon këtë vit akademik./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono