stop

1547116411_rolandhysi.jpg
ent ela16:47 | 11/01/2019

 Gjykata për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, të denoncuar në programin “STOP” për korrupsion dhe kërkim favoresh seksuale. Në paraburgim do të hetohet edhe psikologia Elona Meçani. Seanca për ta u zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa Hysi u pa të presë i qetë vendimin qe e izoloi në qeli.

 Roland Hysi, gjyqtari i Fierit, i arrestuar pas denoncimit në programin “Stop” në TvKlan për marrje rryshfeti dhe kërkim favoresh seksuale nga një palë në gjykim, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të lërë të pandryshuar këtë masë sigurie dhënë në mungesë për të të mërkurën për të dhe psikologen Elona Meçani.

Seanca ku do të verifikohej masa e sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë për Hysin dhe Meçanin, u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime brenda sallës pohuan se Hysi nuk shfaqi pretendimet në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij, atë të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve”. Vetë por edhe përmes avokatit gjyqtari Hysi, i pezulluar tashmë nga detyra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka pretenduar papërdorshmëri si provë të video-përgjimit të transmetuar në programin “Stop”. Avokati ka pohuar se mungon rreziku i largimit, apo i dëmtimit të provave. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe mbrojtja e psikologes Meçani, e akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.

Shpallja e vendimit u lejua të ndiqej nga gazetarët, por jo nga kamerat.

Teksa gjykata ndodhej në dhomën e këshillimit Hysi qëndroi në këmbë, herë me duar të kryqezuara e herë në xhepa, shtendosje që u vu re edhe gjatë shpalljes së verdiktit që e la në qeli.

Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “ABCneës” gjykata vlerëson se për gjyqtarin Hysi dhe psikologen Meçani, ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale për të cilat akuzohen, ekziston rreziku i largimit, rreziku i dëmtimit të provave dhe fakti se mund të përfshihen në fakte më të rënda penale./abcnews.al

gjyqtari.jpg
G. P.17:26 | 09/01/2019

Arrestohet gjyqtari dhe psikologia e Gjykatës së Fierit, të përfshirë në skandalin seksual e korruptiv të publikuar në emisionin “Stop”.  Gjyqtari i Fierit, Roland Hysi shfaqej teksa i kërkonte një nëne të divorcuar rryshfet e marrëdhënie seksuale në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës. Bashkë me gjyqtarin në pranga u vu dhe psikologia Elona Meçani, e cila luante rolin e sekseres.

Policia ka arrestuar gjyqtarin e Shkallës së Parë në Fier, Roland Hysi, i cili u denoncua në emisionin “Stop” në TV Klan, pasi kërkonte favore seksuale dhe ryshfete. Sipas uniformave blu, ai akuzohet për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike’. Po ashtu  mbi gjyqtarin rëndon akuza ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të drejtësisë’. Hysi u filmua nga kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Stop” duke i kërkuar para dhe favore seksuale një nëne që luftonte për kujdestarinë e fëmijës së saj.

Të njëjtin fat kishte edhe psikologia e Gjykatës së Fierit, Elona Meçani, e cila bënte edhe rolin e sekseres që gjithashtu merr “pjesën e vet” prej 500 eurosh. Të dy të prangosurit ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë që do të jepet nga Krimet e Rënda.

Ndërkohë pak orë pas trasmetimit të videos, Krimet e Rënda regjistruan kryesisht një procedim për veprat penale. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi të mërkurën edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Duke shprehur shqetësim dhe indinjatë për implikimin e mundshëm të gjyqtarit në afera korruptive, KLGJ nxiti shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të ngjarjes nga strukturat përkatës.

Rasti i gjyqtarit të Fierit u denoncua në programin “Stop” mbrëmjen e së martës. Ai u denoncua nga një nënë, palë në një proces gjyqësor për kujdestarinë e fëmijës së saj. Sipas denoncueses, e cila pranoi të regjistronte bisedën me gjyqtarin, Hysi i kërkoi para dhe raport seksual në këmbim të vendimit gjyqësor. /abcnews.al

1-26-933x445.jpg
G. P.21:16 | 25/12/2018

Pronari i një parkimi privat, Setki Shini denoncoi në emisionin investigativ “Stop” se në mes të këtij muaji është dhunuar fizikisht nga vëllezërit Xhevahir dhe Arbër Meshi, çka e provojnë me një video të regjistruar nga kamera e sigurisë së subjektit. Setkiu dhe e shoqja Pranvera rrëfyen se konflikti me vëllezërit Meshi vijon që prej vitit 2007, kur kanë hapur subjektin e licencuar.

“Ata dalin provokojnë burrin, e shajnë në të gjitha llojet e mënyrave, e kërcënojnë vazhdimisht që bëhen dhe në grup. Ka mbi 10 raste. Në të gjitha rastet kemi shkuar në polici dhe kemi bërë kallëzime”, u shpreh Pranvera.

Ajo tregoi se i kanë falur gjithmonë, për shkak të ndjesës së kërkuar, por këtë herë nuk do të tërhiqen nga denoncimi në polici, pasi Setkiu ka përfunduar në spital me hematoma e brinjë të thyer.

“Nuk i fal dot më se kanë arritur në atë fazë sa të ma kanë bëjnë burrin gjysmë njeriu. Ku mund të toleroj më shumë se kaq?”, tha e shqetësuar denoncuesja.

Vetë i dhunuari rrëfeu se në datën 11 Dhjetor, ora 17:40, iu afrua Xhevahir Meshi me pretendime të kota dhe më pas u afrua dhe i vëllai, Arbri dhe debati degradoi në përleshje fizike.

“Nuk ka patur asnjë ofendim, nga unë jo një herë. Pas debatit që bëmë, ata filluan të më godisnin fizikisht me grushta dhe tullë te balli, hunda dhe të dyja buzët i kam patur të çara”, tregoi Setkiu.

Menjeherë pas përplasjes bashkëshortja e tij telefonoi policinë, por Arbri Meshi e qëlloi sërish me tullë, duke e lënë të pavetëdijshëm në mes të rrugës. Nga trauma e shkaktuar Pranvera nuk mundi as t’i jepte ndihmën e parë bashkëshortit të saj. Fatmirësisht u gjend një kalimtare që ndërhyri dhe ndihmoi Setkiun.

Më pas shkuan në polici për t’i denoncuar për dhunën e përsëritur, ku komunikuan me oficerin e policisë gjyqësore, Fatjon Moni, i cili i siguroi se vëllezërit Meshi do të arrestoheshin. Por për habinë e bashkëshortëve Xhevahir dhe Arbër Meshi u ndaluan vetëm një natë dhe të nesërmen u lanë të lirë.

Sipas burimeve të sigurta të Pranverës, Besim Basha, një i afërmi i vëllezërve, si dhe ekspert i policisë bëri të mundur lirimin e tyre.

Setki Nishi rrëfeu se ka qenë i shtruar për katër ditë në Spitalin Ushtarak dhe se ende nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndaj kërkon të merret masë ligjore ndaj agresorëve nga Policia e Shtetit, prokuroria dhe gjykata, në mënyrë që të jetojnë të qetë.

“Unë çuditem me Policinë e Shtetit çfarë ka bërë. Pse nuk i izolon këta persona? Ata janë përveçse me burrin tim, që është e dhjeta herë që kemi patur këto përplasje fizike, por janë edhe me precedentë. E di shumë mirë policia, pa përmendur asnjë lloj detaji tjetër. Nuk e kuptoj? Kjo është policia që duam ne?”, u shpreh bashkëshortja e të dhunuarit.

I pyetur për rastin nga gazetarja e emisionit “Stop”, Fatjon Moni u shpreh se agresorët janë proceduar për “plagosje të lehtë në bashkëpunim” dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit.

Oficeri Fatjon Moni-Si kaluat? Mirë?

Gazetarja-Juve jeni OPGJ-ja e çështjes së dhunës më datë 11 Dhjetor, ora 17:40, ku shtetasi Setki Shini është gjuajtur me grushta nga Arbër dhe Xhevahir Meshi.

Oficeri Fatjon Moni-Po, po!

Gazetarja-Interesohemi se çfarë ëshët bërë me këtë çështje. Juve si OPGJ si keni vepruar? Sepse kam informacion që dy vëllezërit janë thërritur nga komisariati numër 2 dhe pastaj janë liruar.

Oficeri Fatjon Moni-Po! Janë proceduar për “plagosje të lehtë në bashkëpunim”.

Gazetarja-Plagosje e lehtë quhet dhuna që është ushtruar ndaj personit?

Oficeri Fatjon Moni-O zonjë, po deshe informacion, shko tek Prokuroria. S’të jap informacion në telefon!

Gazetarja-Zotëri, është e disata herë. Juve si komisariat i policisë kur do të merrni masa? Kur personi të humbë jetën?

Por OPGJ preferoi të ndërpresë telefonatën dhe të mos kthejë më asnjë përgjigje. Në këto kushte agresorët mund ta dhunojnë sërish denoncuesin, i cili tanimë nuk ka më asnjë siguri për jetën e tij./tvklan.al

sherues-shefqeti-933x445.jpg
G. P.14:18 | 21/11/2018

Në shumë raste qytetarët shqiptarë kanë rënë pre e mashtrimeve të kryera nga persona që pretendojnë se zgjidhin problemet e tyre, me menyra nga më të çuditshmet. Një prej ketyre rasteve u publikua në emisionin investigativ “STOP”, ku një person i ashtuquajtur “shëruesi” Shefqet, zgjidhte problemet e qytetarëve.

Emisioni “Stop” trajtoi rastin e një “shëruesi” që pretendon se zgjidh hallet e qytetarëve. Por të gjitha këto probleme, “shëruesi” Shefqet i lidh me seksin. Pavarësisht nga objekti i ankesave që paraqiteshin nga ana e qytetarëve, synimi i të ashtuquajturit “shërues” ishte që meshkujt të jenë të shëndetshëm dhe potentë. Madje për këtë qëllim, nuk mungojnë as “ushtrimet demonstrative” me të gjithë ata që i drejtohen siç dallohen mjaft qartë në videon e publikuar nga emisioni investigativ “Stop”.

“Stop” ka ndjekur me kamera të fshehtë disa 3 prej seancave të këtij shëruesi. Në rastin e parë, është një vajzë e cila kërkon “shpëtim”, sepse nuk i ecën me meshkujt, ndërsa në dy rastet e tjera janë dy djem. Siç shihet në video me vajzën nuk zgjatet shumë dhe i jep disa këshilla, të shkruara në copa të vogla letre që pretendohet se janë në gjuhë arabe. Këto ishin tre kamerat e fshehta të “shëruesit” Shefqet nga emisioni investigative “Stop”, që në fakt shumë qytetarë kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve./abcnews.al

SINKRON-PAMPURI.mpg_snapshot_01.08-1280x720.jpg
G. P.14:32 | 17/10/2018

Investigimi i emisionit STOP i cili zbardhi shqetësimin e mjekëve dhe infermierëve të cilët detyrohen përmes kontratave të punës që të punojnë për plotësimin e kuotave të koncesionit të check-up.

Solli reagimin e Partisë Demokratike, e cila këtë akuzë drejtuar qeverisë e ka artikuluar prej muajit shkurt të këtij viti.

“Nëpërmjet një kontrate të paligjshme, që prej 31 janarit, Edi Rama ka detyruar mjekët të pranojnë të punojnë për të shtuar numrin e personave që bëjnë check up, përndryshe ata gjobiten deri në 300 mijë lekë. Skema që detyron mjekët dhe infermierët të punojnë për koncesionarin korruptiv synon të mbulojë dështimin e konçesionit 120 milionë eurosh”.

Kjo sipas deputetes demokrate Orjola Pampuri, vetëm që klientja e kryeministrit Vilma Nushi, të vazhdojë të paguhet miliona euro për një shërbim të pakryer, pavarsisht zgjerimit të fashës së moshës që përfiton nga ky shërbim, apo manipulimit të të dhënave të atyre që e kanë marrë atë, që sipas demokratëve sërisht nuk kalojnë 27% të shqiptarëve.

“Partia Demokratike është e vendosur të anulojë koncesionin e dështuar të check up-it dhe çdo koncesion tjetër korruptiv!”

Do të jetë ligji i amenduar antimafia ai që çdo pasuri dhe qindarkë të grabitur do ua kthejë qytearëve, përfundon deklarata e selisë blu./abcnews.al

 

 

 

BeFunky-collage-16-933x445.jpg
G. P.21:47 | 09/10/2018

Veterineri: Ne i përdorim vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale të kafshëve

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” solli me zë dhe figurë llojet e lëndëve narkotike të ndaluara, që u shiten nën dorë nxënësve dhe të rinjve. Mjafton një interesim i thjeshtë e disa para me vete dhe do të gjeni njerëz jashtë çdo lloj dyshimi që tregtojnë me shumicë e pakicë ketaminë, një anestetik ky i fuqishëm për kafshët.

Mjeku veteriner Martin Toro shpjegoi se ketaminën mund ta marrin vetëm veterinerët me licencë.

“Është një medikament që përdoret vetëm për anestezi të përgjithshme te kafshët, te qentë dhe të macet. Ne i përdorim vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale”, u shpreh mjeku veteriner.

Ndërsa mjekja toksikologe Sonila Bitri tregpo efektet negative të këtij medikamenti te njeriu.

“Ketamina është anestetik me veti haluçinogjene dhe disicioative. Përdoret në mjekësinë veterinere për qëllimin anestetik, ndërsa te njerëzit, te adoleshentët kryesisht, abuzohet për efektet haluçinogjene, psikoaktive që kjo substancë ka. Abuzohet në disa forma si inhalatore, venoze, orale, por format më problematike dhe më shpesh të abuzuara janë ato inhalatore. Shpesh herë për fat të keq përzihet dhe me cigare dhe kanabis. Efektet kryesore janë në sistemin nervor qendror, por jo vetëm. Jep ndjesinë e shkëputjes nga trupi dhe realiteti dhe kanë probleme me memorjen, probleme të rënda mendore, haluçinacione, probleme me orientimin e humorin. Jep çrregullime me ritmin e tensionin, probleme me frymëmarrjen dhe për fat të keq në doza të larta edhe në fatalitet”, tha toksikologja.

Ajo gjithashtu shtoi se kjo substancë jep varësi, çka nuk dihet nga përdoruesit, ndaj dhe abuzohet me të. Gjatë kamerës së fshehtë të emisionit “Stop”, shitësja e ketaminës shfaqet e qartë mbi atë se çfarë është duke bërë, duke treguar se “mallin” e saj e marrin shumë të rinj, të cilët dinë edhe si përgatitet.

Shpresa – Si je?

Blerësi – Mirë! Çfarë ke bërë?

Shpresa  Si dukesh? Si ia kalove? Ça ke bërë ti?

Blerësi – Mirë!

Shpresa –Tani, çfarë doje ti. Unë për momentin kam te shtëpia, kam një të vogël, kam dhe një gjermane 35. Ke marrë ndonjëherë nga këto gjermanet?

Blerësi – Unë nuk kam marrë asnjëherë, asnjë. Mua më thanë që mund të më ndihmoje. Sa është gjermania?

Shpresa – Kam dy lloje. Ja të tregoj! Kam dy lloje, po domethënë do vish te shtëpia taksirat, aty kam plot.

Blerësi – Ku e ke shtëpinë?

Shpresa – E kam aty poshtë te Ministria e Arsimit, po për momentin me vete kam këto se po vij nga puna, se jam në punë. Për momentin kam këtë.

Blerësi – Ça është kjo?

Shpresa – Kjo është gjermane, KETAMINA, është 35.

Blerësi – Kjo është për qetësim?

Shpresa – Po pra, nga ajo që të kanë thënë ty.

Blerësi – Është 35, është e mirë kjo?

Shpresa  Gjermanen ma marrin shumë domethënë, me thënë të drejtën, unë…

Blerësi – Me ça ashtu kjo? Me shiringë në damar?

Shpresa – Nuk e di mo, si e bëjnë. Jo nuk e di, e bëjnë pluhur, a nuk e di… Pyet ndonjërin që mund të ashtu, unë s’të ndihmoj dot.

Blerësi – Po kjo?

Shpresa – E njëjta gjë është edhe kjo, po kjo është 10 mililitra, është 20 mijë lekë.

Blerësi – Ketaminë?

Shpresa – Po, po, po. Edhe kjo e ka.

Blerësi – Ta provoj, po me shiringë si injektohet?

Shpresa – Jo, unë nuk e di, nuk e di, unë i mbaj kështu, nuk di më tepër. Unë i shes dhe te farmacia. Kam ca klientë i marrin, po sesi.., ashtu nuk të ndihmoj dot.

Blerësi – Ok! Sa të detyrohem për këtë?

Shpresa  35! Unë e kisha një gocë, ajo e bënte kshu pluhur.

Blerësi – Si e bënte pluhur?

Shpresa – E bënte pluhur. Ta thyejmë këtë 5-mijëshen, ta thyejmë tek kjo, hajde ta thyejmë te kjo!

Blerësi – Qysh ëëë?

Shpresa – E merr ndonjë çun, ashtu pa marrë në telefon, pa folur me ndonjërin!

Blerësi – Dakord!

Shpresa  Vetëm se s’ashtu aman! Të lutem, se nuk dua…!

Blerësi – Mirë, mo mirë! Të kuptoj, të kuptoj drejt. Unë mendova, se ti do të dije, sesi do ta bëja se…

Shpresa – Jo, jo unë. Ajo përdoret më shumë për kafshët.

Blerësi – Për kafshët?!

Shpresa – Po! Ne e kemi narkozë për kafshët, por i marrin edhe çunat, i marrin. Kam një kosovar që i merr me shumicë, një çun tjetër vetëm aq, unë nuk e di, vetëm aq di. Për kafshët përdoret narkozë, për t’i vënë në gjumin e vdekur, për njerëz nuk e di. Kisha një gocë që i merrte, ajo gjithmonë e ziente e bënte pluhur.

Blerësi – Si e bën kshu?

Shpresa – Zihet ajo me xhezve.

Blerësi – A zihet?

Shpresa – Zihet kjo dhe e përdor ashtu. Zihet dhe është më e lehtë ashtu për mendimin tim. Ti fol me ndonjë çun nga këto dhe mos të kesh ndonjë problem a ndonjë gjë!  Pafshim!

Takimi i dytë

Shpresa – Si je? Si ia kalove? Të ngatërrova me një çun tjetër se vjen dhe te shtëpia, e kam shtëpinë këtu.

Blerësi – Pashë në internet, si bëhej.

Shpresa  Epo mirë! Në qoftë se ke parë, pa problem fare! Kështu, ça do lloj? Këtë e kam 35, këtë e kam 20!

Blerësi – Po shumë e vështirë për t’u gjetur!

Shpresa – S’ka! Është vështirë, s’ka!

Blerësi – Unë kam pyetur në çdo lloj farmacie. Jo tha, hyn te drograt e forta.

Shpresa – Ne jemi me burrin veteriner. Unë kam farmaci veterinare se dhe mua nuk më lejohet. Po ka pas ca klientë që m’i thonë kështu edhe i shes. Vijnë dhe ata çunat nga Kosova që i marrin.

Blerësi: Për këtë do të pyesja dhe unë, për punën e shumicës.

Shpresa: Sa do? Me shumicë? Në qoftë se do me shumicë ti, ka çmim tjetër. Me fol mua për shembull, sa copë duhen, aq të flas unë, aty ku i marim se i merr burri im. Lëviz burri larg, m’i merr burri se këtu në Tiranë s’ka.

Edhe më porosit 2 ditë përpara që të them se ça cmimi, mund t’i marri çikë më lirë ai. Po nuk japin, as unë kam vite, që e kam farmacinë të lidhur, i shesim, se i kam thënë që i duam për kuaj, për kto gjëra, po nuk… ëëëë, janë çikë me problem këto, prandaj janë dhe të shtrenjta.

Shpresa – Edhe herë tjetër mund të vish deri te shtëpia, mund të vish poshtë.

Blerësi – Po mirë! Vij!

Shpresa – E, se jam çikë më poshtë, se unë biles, unë punën e kam larg, unë vij pasdite pas orës 5.

Blerësi – Rrofsh!

Shpresa – Pas orës 5, unë vij në shtëpi nga kjo orë, unë jam në punë po sot më ka ardhur vëllai nga Italia.

Blerësi – Mirë! Faleminderit!

Shpresa – Mirupafshim!

Ky ishte denoncimi i emisionit “Stop” për këtë fenomen të tmerrshëm që po ndodh në vendin tonë. Nuk mjaftojnë substancat narkotike që shpërndahen madje edhe në shkollat 9-vjeçare, por tanimë u shiten të rinjve edhe anestetik të fuqishëm për kafshë…/tvklan.al

10-10-933x445.jpg
ent ela22:26 | 18/09/2018

Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë letra nga persona që vuajnë dënimin në burgun e Fierit apo familjarë të tyre. Ata ankohen për sjellje të padenja nga ana e drejtorit Arjan Hasani, i cili i dhunon dhe nuk u lejon të burgosurve të drejtat më minimale.

Në një nga letrat shkruhet: “Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Po ju shkruajmë nga burgu i Fierit. Saimir dhe Genti, për shoqërinë jashtë ne jemi llumi i shoqërisë, por edhe pse jemi në burg, kemi dhe ne të drejtat tona. Dhe në burg nuk ka vetëm përdhunues dhe pedofila, por ka dhe (persona) pa patentë, ndërtim pa leje, mospagim dritash dhe uji.

Problemi jonë është sesa herë ky burg drejtohet nga Arjan Hasani këtu mbizotëron dhuna dhe asgjë nuk funksionon. Ky në punë fut kushërinjtë e vet dhe të zonës së vet dhe këtu nuk funksionon më asgjë, përveç se dhuna, druri, izolimi, hakmarrja dhe arroganca.

Ne nuk kërkojmë privilegje në burg, se ky është burg i sigurisë së ulët, ku ka krime të lehta. Ne kërkojmë që të mos ketë dhunë dhe që drejtori të mos bëjë me ne si të dojë ai dhe kundra ligjit, se para ligjit jemi të gjithë njësoj.

Na vjen në 2 të natës kontroll, ushtrojnë dhunë fizike e psiqike, na tallin, na shajnë. Dhe kështu ne i hymë në grevë. E di si na tha me atë arrogacën prej tepelensi? ‘Shkoni ankohuni te Stopi’. Ne ndodhemi në katin e parë, godina e paraburgimit. Pse u ngritëm në grevë, vetëm neve na ka mbyllur dyert. Në asnjë godinë nuk është kështu, vetëm te ne, pse u ankuam kundra këtij.

Ju lutemi na ndihmoni që të trajtohemi si të gjithë të dënuarit e burgut e të burgjeve të tjera. Mjaft i kemi larë muret me gjak! Ju lutem na sillni përfaqësues të Avokatit të Popullit që ta shikojnë gjendjen këtu”.

Ndërsa në një tjetër thuhet: “Urojmë që letra t’ju gjejë mirë. Ne që po ju shkruajmë jemi të dënuarit e burgut të Fierit, godina e paraburgimit, kati i parë. Jemi në grevë qysh nga e premtja. Problemet tona ia shkruajtëm dhe ia thamë në sy pronarit të burgut, Arjan Hasanit. Themi pronari, se nga dita që është rikthyer në punë e ka kthyer burgun në privat.

Sapo iu ankuam në sy dhe i dhamë dhe letrën me firma, grisi letrën dhe na ka mbyllur dyert që të mos takohemi me njëri-tjetrin. Ka bllokuar telefonatat që të mos ankohemi te gazetarët, Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit.

Pika jonë e parë e grevës është të hiqet dhuna fizike dhe psiqike që ka instaluar Arjan Hasani me kushërinjtë e vetë, që i ka punësuar në grupin e gatshëm!

Të na lejohen ilaçet që na sjell familja se këto të burgut nuk i kemi parë asnjëherë. Mos harrojmë se në këtë burg kanë vdekur 3 të dënuar, përsa kohë e ka drejtuar drejtori Arjan Hasani.

Duam që të funksionojnë dushet e uji i nxehtë që të lahemi. Duam që shitësi nga Tepelena, njeriu i drejtorit, të ulë çmimet. Një kos 1 mijë e 500 lekë të vjetra.

Duam që të mos na terrorizojnë me kontrolle që na bëjnë në 1, 2 ose 3 të natës. Sa i ankohemi ky njeri hakmerret. Duam që burgu të kthehet si ka qenë me drejtorët e mëparshëm, institucion edukimi dhe jo institucion xhunglimi dhe druri.

Shpresojmë të na mirëkuptoni se nuk duam luks, as pishina në burg, por duam që të mos të na rrahin më tek izolimet se aty nuk ka kamera.  Ju lutemi na çoni përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit ta shikojnë gjendjen vetë”.

Po ashtu për këtë burg është ankuar edhe e ëma e një të burgosuri nëpërmjet një letre, ku shkruhet: “Përshëndetje Saimir dhe Genti. Jam një shqiptare e jo serbe. Kam djalin në burgun e Fierit për aksident me makinë dhe jo për terrorizëm dhe krime lufte. Kur shkova para 2 ditësh te djali e pashë me shenja në fytyrë e të trembur. Plaçkat që nxori jashtë që t’ja laj ishin me gjak. Më tregoi djali që janë në grevë kundra dhunës që ushtron drejtori Arjan Hasani.

Saimir të keqen nëna, sa është rikthyer ky drejtor kemi frikë të shkojmë në takim se na dalin fëmijët të trembur dhe gjithë shenja.

Policët janë ndërruar të gjithë dhe këta të rinjtë nuk sillen mirë dhe me ne familjarët. Ju lutemi Saimir na ndihmoni, të keqen nëna. Me respekte, anonim se na rreh çunin prapë”.

Një ish-efektiv policie pohoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga drejtori Arjan Hasani ndaj të dënuarve dhe tregoi se është i papunë vetëm pse e kundërshtoi këtë fakt.

“Tani jam i papunë sepse me rikthimin e drejtorit Arjan Hasani nuk pranova të dhunoj të dënuarit. Ai më hoqi nga puna dhe ka futur në punë kushërinjtë e vetë dhe tepelensa. Ky drejtor e ka kthyer burgun në privat. Sa erdhi filloi të hakmerret kundër të gjithë personelit duke i hequr nga puna dhe duke vendosur njerëzit e tij. E ka kthyer burgun e Fierit në ferr të vërtetë. Na thoshte: ‘Mos komunikoni me të dënuarit se janë armiqtë tanë’. Po puna ime e tillë është se i dënuari te polici shkon për çdo gjë.

Ju lutem, ju bëj thirrje që në burgun e Fierit të hyjë për kontroll Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve që quhet SHKBB dhe varet nga Ministria e Drejtësisë e do shikojnë shkeljet që ka bërë e po bën drejtori Hasani. Ky të heq nga puna sikur ta ketë pronë të babës”.

Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i bëri thirrje Avokatit të Popullit dhe SHKBB-së së Ministria e Drejtësisë për të kryer një kontroll në burgun e Fierit, pasi drejtori Arjan Hasani nuk mund t’i trajtojë të dënuarit në këtë mënyrë./tvklan.al

makarona-933x445.jpg
ent ela21:14 | 17/09/2018

Një vajzë është filmuar teksa vjedh të brendshme në dyqan.

Autobuzi i Ndroqit bën kthesa në mes të rrugës, duke u kthyer në burim aksidentesh.

Një qytetar ka filmuar makaronat e markës “Divella”, ku duken mizat që ushqehen para se produkti t’u shkojë njerëzve.

Këto janë disa nga videot, që u shfaqën dhe u komentuan në “Stop”, në rubrikën e përjavshme “Hitparade i Absurdit”./tvklan.al

10-6-933x445.jpg
G. P.21:52 | 12/09/2018

Zoje Latifaj tregoi për emisionin”Stop” sesi bashkëshorti i saj, Rito Latifaj humbi jetën i asfiksuar nga gazi më 26 Maj 2016, vetëm një muaj pasi kishte filluar punë tek puset e naftës në Kocul.

“Kishte 20 ditë i punësuar si roje në zonën e naftës. E pritëm në darkë që të vinte në shtëpi, por nuk erdhi. E telefonuam dhe kur nuk e ngrinte telefonin, djemtë ikën për ta kërkuar. Por këtu është një vend burimi shumë i madh dhe ikën nga sektori i dytë. Djali kaloi dhe e ka gjetur pikërisht në këtë vend, afër tubit të gazit dhe naftës. Ora ishte 2.30 – 3.00 e natës”, rrëfeu bashkëshortja e viktimës.

Ajo u shpreh se familjarët e tyre e larguan trupin e pajetë nga vendi i ngjarjes dhe e çuan në shtëpi, në pritje të policisë. Zonja Zoje tha se bashkëshorti nuk kishte shenja dhune në trup, por vetëm fytyrën të nxirë dhe me flluska.

Sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes së Rita Latifajt ishte rrjedhja e gazit, duke eleminuar të gjitha pistat e tjera të mundshme.

Por më pas gjithçka ndryshoi. Avokati i familjes Latifaj, Adriatik Lapaj tha se mjeku ligjor, i cili bëri skedën e vdekjes së viktimës, përcaktoi si shkakun e vdekjes thyerjen e këmbës. “Ndërkohë që nga akti që është bërë në vendngjarje rezulton nga të gjitha të dhënat që personi ka qenë i padëmtuar fizikisht”, u shpreh avokati.

Nëpunësi i gjendjes civile tregoi se sipas raportit të mjekut Auron Rexhitaj, Rito Latifaj ka ndërruar jetë më 26 Maj 2016 në orën 21:00 dhe i ka dalë certifikata e vdekjes më 2 Qershor të po atij viti.

“Shkakun që i ka vënë të shkruar është shkak aksidental i lidhur me ambientin rrethues dhe të tjera të papërcaktuara, me një kod 928”, tha nëpunësi.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë caktoi prokurorin Erion Shqarri për zbardhjen e vdekjes së Rito Latifajt. Ky prokuror vendosi mosnisjen e hetimeve, duke mosngritur një grup ekspertimi për të përcaktuar gjendjen fizike dhe amortizimin e puseve të naftës, si dhe dëshminë e punonjësve.

Avokati i familjes Latifaj tha: “Për mua është një nga rastet tipike, ku shteti ka dështuar në 100% të hallkave të tij dhe ku është manipuluar totalisht vdekja e një njeriu, me qëllim mendoj unë. Prokuroria vendosi pushimin e çështjes sepse nuk gjente elementë të një vepre penale, çka e kundërshtuam në gjykatë. Gjykata vendosi rifillimin e hetimeve”.

Pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për rifillimin e hetimeve, çështja iu caktua prokurorit Erion Çela. Por ky i fundit për rreth 7 muaj nuk e ka prekur ende dosjen e çështjes së vdekjes së Rito Tafilajt. Familjarët e viktimës iu drejtuan Prokurorisë Vlorë për të pyetur prokurorin Çela për të mësuar se çfarë ka ndodhur me këtë çështje.

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Çfarë t’i them unë?

Zoje Latifaj – Ta takojmë një çikë, ku është dhe dua të bëj një takim se çfarë është bërë me çështjen e dosjes së Ardian Latifajt.

Djali i viktimës – O vëlla, merre telefon!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Do t’i ta takosh, por…

Djali i viktimës – O vëlla, ka mundësi ta marrësh në telefon?

Zoje Latifaj – Kështu na thanë, telefonoje që të lesh një takim. Vetëm kaq!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – O shef, është mamaja eee… Ardian Latifit, do të bëjë një takim! E ka pas njëherë, e ka pasur Erion, ky Shqarri dhe e keni marrë ju. Dakord! Ai e di se çfarë më tha?

Merri numrin e telefonit atyre dhe do t’i thërras unë se s’e kam parë fare, nuk e njoh fare si çështje se e ka pas ai tjetri. Tani kështu më tha mua, s’e njof fare nuk e njoh çështjen fare.

Zoje Latifaj – Nuk e njeh fare, 7 muaj kjo çështje nuk e njeh ëëëë… sa mirë!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Edhe merri numrin, do i thërras unë!

Zoje Latifaj – Në rregull! Ai këtë çështje nuk e ka njohur këtu e 7 muaj. Faleminderit! Mirupafshim!

Gazetari i emisionit “Stop” shkoi në Kocul për të parë nga afër sesi janë kushtet në puset e naftës dhe për të pyetur punonjësit nëse ka patur raste të ngjashme me atë të Rito Tafilajt.

Gazetari – Ka pasur raste të tjera që mund të jenë helmuar nga gazi këtu, qoftë bagëti ose persona?

Punonjësi – Raste ka pasur plot.

Gazetari – Ka pasur më përpara ëëë?

Punonjësi – Më përpara plot ëëë…

Gazetari – Po se është zona, se dallohet.

Punonjësi – Zona, çfarë flet…

Gazetari – Po është zona se dallohet, edhe ne kur zbritëm këtu. Po ju si ia bëni?

Punonjësi – Po tani me të ruajtur, i dalim në të kundërt, kur…

Gazetari – Halli të bën. Po si dallohet gazi kur del apo thjesht nga era?

Punonjësi – Nga era edhe kur ka shumë, duket kështu.

Gazetari – Duket, që del si …Ja na mbyti shiko era… Nga del?

Punonjësi – Fryn erë tani. Dil më tutje!

Gazetari – Bo, bobo… të marrim kështu ndonjë shami ndonjë gjë. Po nga vjen? Nga del?

Punonjësi  Nga depot.

Gazetari – A nga depot del ajo era? Kurse atje që ka ndodhur ajo e z.Latifaj?

Punonjësi – Atje ka qënë linja.

Gazetari – Ndonjë avari në linjë?

Punonjësi – S’e kam idenë se kanë qënë tuba të vjetër, amortizohen ato në çdo kohë.

Nga ana tjetër, eksperti Auron Rexhitaj, i përballur më familjarët e viktimës, pranoi se Rito Tafilaj ka humbur jetën nga gazi dhe se nuk është në dijeni të raportit që e klasifikon ngjarjen si aksident.

Djali i viktimës – Ti je Auroni ëë?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Po!

Djali i viktimës – Unë jam Marjano Latifaj, djali i Ritos.

Zoje Latifaj – Ti si mjeko-ligjor, kur ke ardhur në shtëpinë time, si të është dukur? Të është dukur nga gazi apo si vetëvrasje?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj-  Nga gazi nga gazi, nuk është vetëvrasje!

Zoje Latifaj – Tani, kur ke bërë këtë fletën tjetër, që është përpiluar kjo fleta tjetër, ndërkohë që ti e ke thënë atje ka thyerje gjymtyrësh…

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj –  Thyerje gjymtyrësh?

Zoje Latifaj – Po, është e shkruajtur aty. Mirë në rregull, nuk është shkruajtur, nuk është shkruajtur, ndërkohë që Rito Latifaj a ka thyerje gjymtyrësh? Ndonjë dëmtim në trup?

Djali i viktimës – Asnjë gjë!

Zoje Latifaj – Jo! Është nga gazi?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Ta kam shkruajtur në kllapa: mundësia më e madhe është elemimi nga gazi. Pse?

Zoje Latifaj – Janë dy skeda vdekje?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Do flasim edhe për të dytën, por të mbarojme një herë me të parën!

Zoje Latifaj – Dhe ke kërkuar një falje…

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Një sekondë një çikë…

Zoje Latifaj – Që kam ngatërruar kod. A të kujtohet?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Një sekondë, një çikë! Unë i kam të shkruara të gjitha shenjat, që korrespondojnë me helmimin nga gazi. Kupton? Se unë nuk mund të ve dot një diagnozë pa përcaktuar shenjat, që është korrespodente me këtë diagnozë. Dhe unë kam thënë të gjitha këto shënjat, që janë fizikisht dhe në fund kam shkruajtur, nuk e them dot shkencërisht, por mundësia më e madhe është helmimi nga gazi dhe aty u mbyll.

Djali i viktimës – Unë s’di pse më ka vdekur babai, o vëlla! Që ta di për shembull, ka vdekur nga gazi? Ka vdekur nga gazi e ta lë? Tani, në qoftë se i ka thyer njeri këmbën, ta di ku ta marr hakun. Dua të di, pse prokuroria për shembull nuk të ka thirrur ty në një seancë gjyqi, kur unë kam bërë seancat e gjyqit? Të sqarohet, o vëlla, që është bërë kështu, kështu! E kupton? Kam dy vjet në prokurori, nuk jeni prezantuar asnjëherë.

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj  Është bërë kjo ngatërresa dhe unë kam ardhur në prokurori dhe kam thënë jo, në asnjë mënyrë! Ky e ka nga gazi. Kjo këtu është gabim mund të jetë lapsus, mund të jetë marrë… kështu, por e vërteta është kjo.

Pra eksperti mjeko-ligjor ka pranuar edhe në prokurori se ka ndodhur një ngatërresë me kodin e skedës, çka do të thotë se nuk ka dy skeda dhe se viktima ka ndërruar jetë për shkak të helmimit nga gazi dhe jo nga shkaqe të tjera.

Me provat që siguroi emisioni “Stop”, prokurori i çështjes, Erion Çela mundi të zbardhë dhe t’i japë zgjidhje çështjes së vdekjes së Ridvan (Rito) Tafilajt./tvklan.al 

avokatja.jpg
G. P.21:52 | 11/09/2018

Gëzim Beqiri tregoi në emisionin “Stop” se i ka dhënë 11 mijë Euro avokates Alma Bala në këmbim të nxjerrjes së dhëndrit nga burgu, i cili ishte dënuar në Itali me 6 vjet heqje lirie, por tani ndodhet i burgosur në Shqipëri.

“Dhëndri im është dënuar me 6 vjet burg nga gjykata italiane, nga të cilat bëri 4 vjet. Nga gjykata shqiptare është dënuar me 7 vjet burg për të njëjtën çështje. Dhëndrin e ekstraduan nga Italia këtu në Shqipëri dhe po bën të njëjtin burg. Neve iu drejtuam avokates Alma Bala, e cila kërkoi 11 mijë Euro dhe i ka marrë me këste. Janë bërë 3 gjyqe, por s’na ka bërë asnjë lloj pune. Përkundrazi, ajo e la brenda”,rrëfeu denoncuesi, i cili e quajti avokaten “mashtruese” dhe “intrigante”.

Zoti Beqiri u shpreh se ai nuk është viktima e parë e kësaj avokate, që nuk zgjidh çështjet dhe i zvarrit klientët për u mos kthyer paratë. Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” shfaqi premtimet e kota të avokates Alma Bala për likujdimin e parave.

Avokatja – Mirë që të pashë, hajde hyr brenda! Tani deri në 11 nesër nuk të bëj dot gjë, deri në 11 se unë prandaj po lëvizja. Kështu që në 11 e gjysmë hajde tek mua! Tani Gëzimo boll! Nuk diskutohet!

Qytetari – Sot, nesër, sot, nesër.

Avokatja – Nesër në 11 hajde këtu se atëherë bëhen të rimbursueshme!

Qytetari – Pa bërë asnjë diçka, e le brenda djalin, pa ashtu…

Avokatja – Ik tani! Ik, nesër në 11 e gjysmë të jesh këtu! Në 11 e gjysmë, nuk po të bëj telefon. Po e bëra më shpejt, do të marr më shpejt!

Ditën tjetër:

Qytetari – Alma, unë erdha.

Avokatja – Po ti shpejt ke ardhur. Në 11 e gjysmë të thashë dje. Në 11 e gjysmë do i marrësh. Në 11 e gjysmë të thashë, nuk lëviz nga fjala. Këtu jam unë. Në 11 e gjysmë në zyrën time!

Qytetari – Ok!

Më pas e merr në telefon dhe i ndryshon orarin, i thotë të shkojë në orën 12.30.

Avokatja – O Gëzim! Mos më rri vërdallë se do të marr unë, do ta mbyll sot! Do ta mbyll, kur të them unë do ta mbyll, do ta mbyll!

Qytetari – Më the në 12 e gjysëm.

Avokatja – Ja do të marr unë, thashë. Unë e mora numrin e telefonit të asaj, do të më marrë direkt, kam folur 2 herë . Tani unë po të them ik se do të marr unë!

Qytetari – Pse po vonon kaq shumë?

Avokatja – Po vonon kaq shumë, sepse…

Ja, ta them unë! Ajo m’i ka hedh në numër llogarie. Ne jemi të bllokuar nga tatimet, që kemi detyrime atje dhe s’po i marr dot. Po me miq e shokë, t’i lëvroj. Jo, se s’i kam. I kam aty, por i kam të bllokuara nga tatimet, na kanë vënë bllok.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zyrës së avokates, por ajo sapo e pa u largua me nxitim, duke i thënë ta priste në zyrë sepse do të kthehej.

Pas 5 orësh pritjeje, denoncuesi e telefonoi zonjën Bala për ta pyetur se kur do të kthehej, por ajo i tha se nëse dëshironte një takim me të, atëherë emisioni “Stop” duhej të largohej.

Qytetari – Hajde sot, hajde nesër!

Avokatja – Meri në telefon dhe hiqmi nga këtu. Sot i ke të mbyllur, i kam të marra. Ik! Të zhduken tani se kam frikë! Tani do më shkatërrosh kështu. Meri në telefon! Meri këtu t’i dëgjoj unë!

Pas “largimit” të emisionit “Stop”, avokatja Alma Bala kërcënoi denoncuesin:

Qytetari – Fol shqip tani, ca ashtu?

Avokatja – Ke 500 Euro këtu, mbaji numëroji! Kjo e “Stopit” do ta ndjekësh, do vijnë prapë këto të “Stopit”?

Qytetari –  Në qoftë se nuk mbaron punë me mua, do vijnë prapë.

Avokatja – Më zgjidh këtë pjesën e “Stopit” burrërisht! Më hëngre prapa shpine, deri të hënën, deri sa të ndahemi nga Luani, o do të vras, o do më vrasësh!

Qytetari – Nuk je për të vrarë ti, jo! Po hëëë…

Avokatja – Ik e pirdhu! Unë jam shumë e besës. Ju do më vini lapidar në mes të Lushnjes dhe unë do të vras ty! Ja për këtë ujë!

Qytetari – Hallall! Gjithë të mirat!

Avokatja – Do ta kesh vdekjen nga mua!

Qytetari – Ishalla e paça që sot vdekjen, se unëëëë…c

Avokatja – Ti do ta kesh vdekjen nga mua! Ik zhduku Gimo, se unë do të vras për kokë të… Të më bësh ti mua, të më sjellësh ti mua… Ik, se jam me nerva!

Gazetarja e emisionit “Stop” tentoi sërish të komunikonte me avokaten, që sa e sheh largohet me nxitim. Gjatë ndjekjes për ta pyetur se kur do t’ia kthejë paratë Gëzim Beqirit, Alma Bala tha: “E kam likujduar. Ik moj andej mos më bëj kot! Hajde ditën e hënë, të jesh dhe ti prezente”.

Denoncuesi falenderoi emisionin “Stop”, pasi mundi të merrte të paktën 500 Euro nga 11,000 Euro që i detyrohet avokatja Alma Bala. Tani i mbetet vetëm të presë nëse ajo do t’ia likujdojë edhe pesën tjetër të parave./tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono