stadiumi

anc-1280x720.jpg
G. P.16:15 | 12/09/2019

Një skandal i vërtetë me stadiumin e Napolit në Serinë A. Pak ditë para ndeshjes së parë të sezonit në shtëpi, skuadra napolitane nuk ka gati dhomat e zhveshjes.

Kalendari e deshi që të mos luante në shtëpi deri tani. Napoli pati dy ndeshje jashtë fushe në Serinë A, në Firence dhe Torino, por mirë do të ishte që të kishte qenë edhe një e tretë si këto.

Përse kështu?

Sepse dhomat e zhveshjes në stadiumin “San Paolo” nuk janë gati, edhe pse duhen më pak se 3 ditë që nga dueli me Sampdorian, ndërsa të martën do të luhet në Champions ndaj Liverpool-it, po në Napoli.

Prej muajsh stadiumi po i nënshtrohet punimeve për modernizimin e tij, por duket se afatet nuk janë respektuar. Kabllo të ndryshëm ende nuk janë mbuluar, banjot nuk janë montuar, ndërsa ka edhe vonesa të tjera.

Një skandal, jo vetëm për kompaninë që kryen punimet, por sidomos për komunën e Napolit dhe organet e tjera shtetërore, pasi “San Paolo” është stadium publik. Trajneri Karlo Ançeloti shkoi vetë të vizitonte punimet dhe u shpreh shumë ashpër më pas.

“Pashë nga afër kushtet e dhomave të zhveshjes në “San Paolo”, – tha ai, – nuk ka fjalë për të shprehur skandalizimin tim. Në dy muaj mund të ndërtohet një shtëpi, si nuk përfundohen dhomat e zhveshjes? Ku mendojnë ata se duhet të zhvishemi ne për ndeshjet ndaj Sampdorias dhe Liverpulit? Jam i indinjuar nga moskorrektesa e atyre që duhej të ndiqnin punimet”.

Napoli cilësohet si një nga pretendentët kryesorë për titull në Serinë A, por këto probleme mund të ndikojnë për keq në gjendjen psikologjike dhe sportive të skuadrës./ABC News Albania 24/7

STADIUMI-ARENA-KOMBETARE.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela22:30 | 11/09/2019

Në stadiumin “Arena Kombëtare” ka nisur shtrimi i tapetit të gjelbërt. Punimet në impiantin më modern në Shqipëri janë drejt fundit, ndërkohë që parashikohet të jetë gati për ndeshjen Shqipëri-Francë.

Punimet në stadiumin “Arena Kombëtare” janë drejt fundit.  Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar pamje të reja nga impianti më modern në Shqipëri. Aktualisht punimet janë në fazën finale ndërkohë që ka nisur shtrimi i tapetit të gjelbërt dhe pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Fusha  do të jetë plotësisht gati vetëm pas një muaji. Shtëpia e re e Kombëtares ka një kapacitet prej 22 mijë spektatorësh. Stadiumi parashikohet të jetë gati për sfidën Shqipëri-Francë në datën 17 nëntor. Më herët FSHF kishte lënë si afat muajin shtator, afat që skadoi pas vonesave në punime. Kostoja e ndërtimit të stadiumit “Arena Kombëtare” kap vlerën 75 mln euro. /ABC News Albania 24/7

STADIUMI-I-KUKESIT.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela13:18 | 21/08/2019

Kolektorët e ujërave të zeza vonojnë punimet në stadiumin e Kukësit. Gjithsesi, Federata Shqiptare e Futbollit beson se impianti do të përfundojë brenda vitit.

Punohet prej vetëm pak ditësh. Stadiumi i Kukësit është një kantier ndërtimi, ndërsa premtimi është që viti 2020 t’i gjejë tifozët dhe skuadrën duke luajtur aty.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, ishte për inspektim në impiant, duke treguar për gjendjen në të cilën janë punimet, dhe duke theksuar një problem.

Premtimi ishte për të nisur punë që në fund të vitit të kaluar, por vonesat nuk munguan.

Tashmë, që stadiumi po ndërtohet, kur pritet të jetë gati?

Në fazën e tanishme, përveç zhvendosjes së kolektorëve, do të bëhet zmadhimi i fushës hapja e kanalizimeve të reja, dhe heqja e drenazhimeve të vjetra.

Stadiumi është një investim prej afro 5 milionë eurosh dhënë nga qeveria shqiptare dhe Federata, do ketë një kapacitet prej 8 mijë shikuesish dhe në të do të luhen edhe ndeshjet e Kupave të Europës. /ABC News Albania 24/7

stadiumi-Zeqir-Ymeri-1280x724.jpg
nev ila18:50 | 05/08/2019

Kanë nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit të Kukësit. Kapaciteti i impiantit të ri arrin 8 mijë vende dhe kap vlerën e 4 mln eurove ndërkohë që punimet do të përfundojnë pas 15 muajve.

Këtë të hënë  kanë nisur punimet për rikonstruksionin  e stadiumit të Kukësit, “Zeqir Ymeri”. Impianti ka një kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe kostoja e ndërtimit kap vlerën e 4 mln eurove. Punimet do të përfundojnë pas 15 muajve ndërkohë që skuadra do ti luajë ndeshjet në një tjetër stadium.

Kryetari i bashkisë së Kukësit Safet Gjici i cili njëkohësisht është edhe presidenti i skuadrës  tha se stadiumi përmbush standartet e kërkuara nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve në turet evropiane.

Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe federate shqiptare e futbollit./ABC News Albania 24/7

apolinia.jpg
G. P.22:25 | 27/06/2019

Një tjetër impiant modern pritet të ndërtohet në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ka publikuar plan projektin për stadiumin e Apolonisë.

Futbollit shqiptar pritet t’i shtohet edhe një tjetër stadium modern. Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ka publikuar në rrjetin social Facebook një video ku tregon plan projektin për stadiumin e ri ku do të luajë ndeshjet skuadra e Apolonisë.

Siç shihet edhe nga pamjet, impianti i ri është modern dhe brenda parametrave të kërkuar nga UEFA. Në rast se konkretizohet ndërtimi i një stadium të tille pa dyshim që do të cilësohej si një ndër impiantet më të mira në Shqipëri.

Stadium do të shërbente pozitivisht jo vetëm për skuadrën e Apolonisë, por edhe qytetit të Fierit. Kostoja e stadiumit do të sigurohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Fierit./ABV

arena-1280x711.jpg
ent ela19:45 | 18/06/2019

Punimet vazhdojnë intensivisht në stadiumin Arena Kombëtare ku janë kryer mbi 90 përqind e punimeve. Impianti modern pritet të jetë gati për ndeshjen Shqipëri-Islandë në muajin shtator.

Janë kryer më shumë se 90 përqind e punimeve në stadiumin Arena Kombëtare. Impianti i ri i Kombëtares kuq e zi parashikohet të jetë gati në muajin shtator në ndeshjen ndaj Islandës në datën 10 shtator por paraprakisht duhet të zhvillohet një test kontrolli për të marrë dritën jeshile. Pjesa metalike dhe e betonit ka përfunduar dhe tashmë stadiumi është në fazën e montimeve të materialeve përkatëse. Mbështjellja e impiantit me dizanjin përkatës është në hapat përfundimtarë.

Ka filluar vendosja e stolave që janë rreth 22 mijë në numër ku mbizotëron ngjyra e kuqe. Puna vazhdon me ritme të shpejta edhe në ambientet e brendshme të stadiumit. Janë drejt përfundimit dhomat e zhveshjes dhe tualetet, ndërkohë që lyerja dhe montimet elektrike vijojnë me ritme të larta. Një pjesë tepër e rëndësishme e impiantit është edhe fusha. Parashikohet që në muajin korrik të filloje vendosja e tapetit që pritet të kushtojë rreth 400 mijë euro.

Problematikat e vetme deri në këtë pikë janë punimet me ritme të ngadaleta në sheshin përpara stadiumit, ku ëshë projektuar edhe hyrja e impiantit më modern në Shqipëri kostoja e së cilës kap vlerën e 50 mln eurove. Puna vijon normalisht edhe në kullën e stadiumit që përbën një pjesë të veçantë të këtij impianti. Një vend i posaçëm është rezervuar edhe për tifiogrupin tifozat kuq e zi.

Në Shqipëri ndodhen prej disa ditësh dy inspektorë të UEFA-s, të cilët monitorojnë punimet. Ditën e sotme në ambientet e Arenës Kombëtare inspektuan punimet Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka nën praninë e Presidentit të Federates çeke të futbollit Martin Malík së bashku me stafet përkatëse. /ABC News Albania 24/7

duka.jpg
G. P.12:40 | 18/06/2019

Stadiumi i ri kombëtar mund të mos përfundojë as në shtator. Vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu dyshime për mbylljen në kohë të punimeve.

Afatet janë shkelur, dhe fundi ende nuk dihet. “Arena Kombëtare”, stadiumi i ri dhe modern në Tiranë, mund të mos shijohet nga ekipi përfaqësues dhe nga tifozët as në muajin Shtator.

I menduar fillimisht për t’u bërë gati shumë muaj më parë, impianti nuk mundi të përfundonte as në fund të vitit të kaluar, dhe as në Qershor, siç e kërkoi me ngulm kryeministri Rama, në përpjekje për të pasur një sukses sportiv në fushatën zgjedhore.

Shtatori u dha si koha e re e mbylljes së punimeve, dhe këtë gjë e komentoi presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

“Shumë kush e sheh gjysmë plot dhe gjysmë bosh për çka i përket termave kohorë për Shtatorin. Ne i kemi vënë objektiv kompanisë që duam të luajmë në Shtator dhe me të vërtetë e kemi shumë të domosdoshme të luajmë në Shtator në këtë stadium jo vetëm sepse duam ta shijojmë stadiumin e ri, duam të kemi kushte sa më të mira për spektatorin, por duam të arrijmë më shumë rezultat në praninë e më shumë spektatorëve dhe me një atmosferë akoma më të mirë. Kështu që do bëjmë të gjitha përpjekjet dhe kompania gjithashtu po bën të gjitha përpjekjet, por nuk mund të jemi shumë të sigurt për Shtatorin”, tha ai.

Nëse nuk arrihet shtatori, atëherë shpresohet që stadiumi të mund të presë ndeshjen kryesore të grupit tonë eliminator në Euro 2020, atë ndaj Francës. Duka vizitoi Arenën në krah të presidentit të Federatës Çeke të Futbollit, Martin Malik, i cili erdhi në Shqipëri me ftesë pikërisht të palës shqiptare. Së bashku, ata vizituan më pas edhe zyrat e reja të Federatës Shqiptare, që po ndërtohen në ish-kompleksin Dinamo./ABC News Albania 24/7

arben-dervishaj.jpg
G. P.23:59 | 29/01/2019

Federata Shqiptare e Futbollit ka dërguar në gjyq Drejtorinë e Tatimeve. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj tha për ABC News se stadiumi është në rrezik për të përfunduar pasi mungon një sasi e konsiderueshme fondesh. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që Federata kërkon të kthehet është rreth 2.5 milionë Euro.

Federata Shqiptare e Futbollit e ka dërguar Drejtorinë e Tatimeve në Gjykatën administrative. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishaj, tha për ABC Neës është i bindur se federata do të fitojë pasi ka plotësisht të drejtë në të kundërt stadiumi nuk përfundon pasi mungon një sasi e konsiderueshme fondesh. Tatimi mbi mbi Vlerën e Shtuar që federata pretendon të kthehet është rreth 2.5 milionë Euro.

I mungon pjesa e rimbursuar e TVSH-së të cilën ne kishim bërë plan biznesin tonë që do mbyllnim punimet në stadium. Stadiumi vazhdon ende të rrezikohet që të mos përfundojë plotësisht në aspektin e plotësimit me të gjitha gjërat e nevojshme sepse Federatës i mungon një sasi lekësh. Shpresojmë që organet gjyqësore ta shikojnë me precedencë këtë problem për të dhënë një zgjidhje”, tha Derishaj.

Federata shqiptare e Futbollit nuk dëshiron të komentojë nëse qeveria nuk i jep paratë edhe në rast se gjyqi i jep të drejtë Federatës. Gjithashtu Federata vlerëson bashkëpunimin me qeverinë për stadiumet e ndërtuara në Elbasan, Shkodër dhe Kukës.

“Ne shpresojmë që dhe qeveria të gjejë mirëkuptimin përveç problemit të TVSH qeveria do na ndihmojë ashtu siç na ka ndihmuar. Ne nuk po ankimojmë qeverinë sepse qeveria është treguar të paktën me Federatën jashtëzakonisht bashkëpunuese për problemet e investimeve në infrastrukturë”, tha Dervishaj.

Stadiumi “Arena Kombetare” parashikohet të përfundojë nëmuajin Qershor, por problemet gjatë rrugës pritet ta shtyjnë akoma më tej datën për inagurimin e impianitt më modern në Shqipëri./abcnews.al

dervi.jpg
G. P.22:49 | 21/01/2019

Anëtari i komitetit të FSHF-së, Arben Dervishaj, ndau disa detaje interesante rreth ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar. I ftuar në “Pressing”, ai tregoi se kostoja totale e stadiumit shkon rreth 75 milionë Euro. Në kontratën e lidhur me kompaninë që po ndërton stadiumin, Dervishaj tha se FSHF do të jetë pronare e stadiumit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në pronësi të kompanisë.

“Deri tani sa di unë, kostoja totale do shkojë diku te 75 milionë Euro. Kapaciteti 22 mijë të ulura neto, spektatorë.  Kostoja nuk është për ne. Është për ata që ka hedhur lekët. Kontrata është e tillë që ajo i merr ambientet vetë. Ne na tranferohen stadiumit dhe ambientet e saj ndërsa pjesën tjetër e ka kompania tjetër në pronësi. Kjo është formula e bashkëpunimit”, tha ai.

Përsa i përket emrit nëse do quhet “Arena Kombëtare” apo jo, Dervishaj theksoi se mund të ndryshohet duke qenë se emri është subjekt marketingu.

“Emri është subjekt marketingu. Ajo do bëhet me ankand. Nuk e vendos unë. Emri siç janë të gjitha stadiumet në botë është subjekt i marketingut. Ata do ta vendosin  janë shoqëria “Kuqezi” që vendosin nëse e shesin apo jo. Procedura do të jetë në formën e ankandit. Ai që ofron më shumë ai do të marrë dhe ankandin”, tha Dervishaj.

Dervishaj tregoi se si po vazhdojë punimet dhe se si do të ndahen disa nga ambienetet e “Arenës Kombëtare”. Në Qershor pritet që fusha të jetë gati.

“Tribuna e gazetarëve është menduar të ketë 160 gazetarë në ndeshjet e kategorisë A. Ambientet do të jenë më të mira se në Shkodër. Tribuna e gazetarëve do të jetë mbi tribunën VIP.

Në këto momente vazhdohet të punohet. Fusha fillon në muajin Mars se atëherë është dhe periudha më e mirë për të mbjellë barin. Tapeti do porositet që tani që të jetë gati për në Mars që të instalohet. Nga Marsi në Qershor është kohë e mjaftueshme që ai bar të stabiliziohet që të luhen ndeshjet.

Nuk ndodhi ndonjë gjë, punimet nuk janë shtyrë aq shumë. Ne na vonoi shkalla monumentale se në projektin e parë nuk ishte dhe ne na detyroi të ndryshonim planin. Në pjesën veriore të stadiumit, në gërmie bazamenti doli më i dobët dhe u detyruam të shkonim një kat më poshtë. Kjo na vonoi që na kërkon këtë kohë. Nuk është se ka vonesa për gjëra të tjera.

Stadiumi është i mbuluar në të gjitha tribunat. Biles tribunat janë mbuluar më shumë se stadiumet e tjera. Asnjë nga rrjeshtat e parë nuk mund të lagen. Fusha nuk do mbulohet. Kemi pororsitur mbulesë që do përdoret për të mbuluar fushën në raste kur ka shtrëngatë apo bie borë”, tha anëtari i Komitetit të FSHF-së.

Përveç ndeshjeve të futbollit, “Arena Kombëtare” do shërbejë edhe për koncerte apo aktivitete të tjera të ndryshme. Përveç kësaj, Dervishaj theksoi se stadiumi më modern në Shqipëri do t’i ketë dyert e hapura për ekipet e kryeqytetit.

“Ndeshjet i zhvillon federata jo stadiumi. Ky stadium do funksionojë si ekonomi. Do krijojë të ardhura. Përveç të ardhurave nga ndeshjet do nxjerrë dhe të ardhura të tjera sepse ka kosto. Zoti Bardhyl Minxhozi do menaxhojë stadiumin dhe është menduar të zhvillohen koncerte.

Në atë stadium kombëtarja do lozë. Ekipet e kryeqytetit natyrisht e kanë të hapur për të luajtur. Tirana ka një stadium, mesa di unë ka dhe në plan për ta rregulluar. Partizani hë për hë nuk ka një stadium, por ka nisur për të pasur një misnitadium. Derbi do ta shijojmë në stadium tamam me të gjitha kushtet”, tha ai./abcnews.al

KUR-MBARON-STADIUMI-I-KOMBETARES-1280x720.jpg
G. P.16:30 | 16/01/2019

Federata Shqiptare e Futbollit shpreson të arrijë një akord me qeverinë, për stadiumin e ri të kombëtares, deri në mesin e shkurtit. Nëse kjo nuk ndodh, mbetet vetëm rruga e gjyqit.

UEFA mbërriti në Tiranë me një synim kryesor. Stadiumi i ri i kombëtares është në rrezik dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Theodhoridhis, nuk u vonua aspak për t’ia komunikuar një gjë të tillë kryeministrit të vendit, Edi Rama. Theodhoridhis u thirr me urgjencë nga Federata Shqiptare e Futbollit, sepse qeveria shqiptare i kishte bërë me dije se nuk do t’ia rimbursonte TVSH-në për vlerën e investimit në stadium, një shifër që arrin në 2.55 milionë euro.

Takimi i UEFA-s dhe Dukës me Ramën ndodhi Dhjetorin e kaluar dhe u la një afat, fundi i Janarit ose maksimumi mesi i shkurtit. Burime në Federatë bëjnë me dijë për ABC Neës se UEFA i propozoi kryeministrit që qeveria të zgjidhte dy studio ligjore të njohura ndërkombëtare, po ashtu, Federata të zgjedhë dy studio të tjera, për të interpretuar ligjin dhe për të vendosur nëse TVSH-ja duhet rimbursuar apo jo.

Këto burime shtojnë Federata shpreson që shifra të rimbursohet, por gjithsesi, është e përgatitur edhe për Planin B, për të shkuart në gjyq. Mësohet edhe se kryeministri i tha përfaqësuesit të lartë të UEFA-s se ai vetë ishte i pritur për ta ndihmuar, por ministri i Financave, Ahmetaj, kishte mendim tjetër. Nuk dihet sesa ka ndryshuar situata, tani që Ahmetaj u vendos të mos jetë më ministër, por për TVSH-në nuk ka ende asnjë akord.

Burimet në Federatë pohojnë se institucioni e ka pranuar si fakt të kryer që qeveria nuk do të japë 25 për qind të shumës që i takon për ndërtimin e stadiumit, sipas marrëveshjes për shoqërinë aksionere. Duka nuk ka ndërmend t’i kërkojë ato para, që mund të jenë ndoshta 3 milionë euro apo më shumë, duke gjykuar se qeveria krijoi lehtësi për projektin. Nëse TVSH-ja rimbursohet, Federata beson se stadiumi i ri kombëtar do të jetë gati në qershor, ndryshe gjithçka mund të shtyhet, në varësi edhe të procesit gjyqësor./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono