spiunazh

wire-9775396-1550075323-269_634x519.jpg
ent ela23:20 | 13/02/2019

Tradhtoi vendin dhe kolegët për të spiunuar në favor të Iranit. Tani ish-oficeres amerikane të inteligjencës do t’i duhet të përballet me drejtësinë e Shteteve të Bashkuara, që lidhur me çështjen ka sanksionuar edhe një seri individësh e kompanish.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara akuzuan të mërkurën një ish-oficere të shërbimeve sekrete ushtarake për spiunazh në favor të Iranit. Sipas mediave amerikane, ish-oficerja Monika Uit kishte ndihmuar Republikën Islamike në një operacion spiunazhi kibernetik, që kishte vënë në shënjestër ish-kolegët e saj. Burimet mediatike bëjnë të ditur se drejtësia amerikane ka ngritur gjithashtu padi ndaj 4 shtetasve iranianë, të përfshirë në sulme kibernetike ndaj institucioneve të Shteteve të Bashkuara, si dhe ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive elektronike iraniane dhe shumë personave të tjerë.

Zyrtarët kanë deklaruar se ish-oficerja kishte furnizuar me informacione palën iraniane mbi agjentët amerikanë, pasi kishte dezertuar në Teheran në vitin 2013. Ajo ishte rekrutuar për operacionin nga agjentët e Teheranit pasi kishte marrë pjesë në dy konferenca ndërkombëtare të organizuara nga kompanitë e sanksionuara iraniane, që mbështesnin institucionet e Republikës Islamike në mbledhjen e informacioneve.

Uit kishte qenë oficere e kundër zbulimit në radhët e inteligjencës së forcave ajrore nga viti 1997 në 2008 dhe më pas kishte punuar si kontraktore për shërbimet sekrete amerikane për dy vjet. Përmes informacioneve të saj, kompanitë iraniane sulmuan agjencitë qeveritare amerikane dhe adresat elektronike të personelit ushtarak me një fushatë agresive virusesh kibernetike./abcnews.al

spiunazh.png
G. P.23:40 | 04/10/2018

Kompanitë më prestigjoze të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, mes të cilave Apple dhe Amazon kanë rënë viktima të sulmeve kibernetike. Duke publikuar rezultatet e një investigimi, agjencia “Bloomberg” ka bërë me dije se spiunazhi kinez ka depërtuar në rrjetet e mbi 30 kompanive.

Apple dhe Amazon janë mes shumë kompanive dhe agjencive amerikane të cilave u janë vjedhur të dhënat nga shërbimet kineze të spiunazhit. Sipas agjencisë së lajmeve “Bloomberg”, të dhënat janë transmetuar përmes qarqeve të vogla elektronike të vendosura në qarqet mëmë të kompanive.

Sipas “Bloomberg”, serverat janë kompromentuar gjatë punës fizike dhe qarqet janë vënë në punë menjëherë sapo ata janë ndezur.

Vetë gjigandët e teknologjisë e kanë mohuar lajmin, por agjencia e lajmeve insiston në investigimin e saj njëvjeçar, gjatë të cilit ka gjetur prova për një sulm kibernetik në masë të madhe, që i ka mundësuar Pekinit aksesin në 30 kompani dhe institucione federale amerikane.

Sipas investigimit, të dhënat e para për një vjedhje kibernetike kanë dalë gjatë testit të sigurisë së kryer nga Amazon në vitin 2015, përpara se të kishte filluar përdorimin e serverave të një kompanie amerikane, por të prodhuar në Kinë.

Konstatimi bëri që agjencitë amerikane të inteligjencës të nisnin një hetim sekret, përmes të cilit është zbuluar se depërtimi kinez kishte arritur bazat e të dhënave të Pentagonit, sistemet elektronike të luftanijeve dhe në të dhënat e mbledhura nga dronët e CIA-s.

“Bloomberg” nënvizon më tej se, Pekini ka të gjitha mundësitë për të bërë një sulm të tillë sepse 90 për qind e kompjuterëve në mbarë botën prodhohen në Kinë./abcnews.al

LUFTA-II-HISTORI-SPIUNAZHI-NE-KARABURUN-FOTO-1280x893.jpg
G. P.15:51 | 16/06/2018

Të shtunën, në orën 22:15 në televizionin Abc News në emisionin Abc Story do të transmetohet premierë një dokumentar historik që fokusohet në ngjarjet e ndodhura në zonën e Karaburunit, në fshatrat Dukat e Tragjas gjatë Luftës së Dytë Botërore pas mbërritjes aty të misioneve britanike e amerikane të ngarkuara për të ngritur rrjeta spiunazhi pas linjave të pushtimit gjerman.

Instalimi i celulave amerikane e britanike në këto zona të Vlorës bënë që informacioni të kishte rëndësi të dorës së parë dhe rrjetet e spiunazhit lulëzuan.

Gjermanët, që ruanin regjimin e pushtimit, ishin të interesuar që të kishin informacion për qëllimin e misioneve anglo-amerikane. Por në lojën e madhe të spiunazhit dhe sigurimit të informacioneve ishin në të njëjtën kohë edhe xhandarmëria e qeverisë kuislinge të Tiranës, komunistët si dhe ballistët, të cilët në zonën e Vlorës dëshmohet të kenë qenë dominantë.

Pikërisht këtë situatë të tendosur, veprimtarinë e celulave të Aleatëve, ndihmën dhe sakrificën e agjentëve shqiptarë që ata rekrutuan dhe fatet e gjithsecilit do të sjellë ky dokumentar./abcnews.al

spiunazhi.jpg
G. P.18:27 | 29/03/2018

Ekspertë të shërbimeve të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara shprehen skeptikë ndaj vendimit të Presidentit Trump për të dëbuar diplomatët rusë. Sipas tyre, kjo masë ka fare pak gjasa që të dëmtojë aktivitetet e spiunazhit “Putinian” në Amerikë.

Vendimi i administratës amerikane për të dëbuar 60 diplomatë rusë të akuzuar si spiunë ka pak gjasa që të dëmtojë spiunazhin rus në Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi, siç thonë zyrtarë e ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane, të tjerë kanë shtruar rrugën e tyre për të hyrë në kompanitë amerikane, shkollat dhe madje institucionet qeveritare.

Shërbimet inteligjente të Moskës përdorin ende ambasadat dhe konsullatat për ushtrimin e spiunazhit, sikurse bën edhe Uashingtoni, por ata gjithashtu rekrutojnë emigrantë rusë, hapin biznese për të mbuluar aktivitetet e tyre e madje rekrutojnë edhe amerikanë për të depërtuar në rrjetet kompjuterike.

“Rusia dikur kishte një mënyrë për të bërë punët e saj. Sot, Putin ka bërë që të lulëzojnë mijëra mënyra”, thotë një ish-oficer.

Në një intervistë për agjencinë “Reuters”, në kushte anonimati, ish-zyrtari e përshkruan spiunazhin e sotëm rus nën drejtimin e Putin si një rrjet me shumë fytyra. Është FBI që monitoron lëvizjet dhe komunikimet e të dyshuarëve si agjentë të huaj, por me rritjen e pranisë ruse dhe metodat e kodifikuara të komunikimit, sfida për të bëhet edhe më e vështirë. I pyetur nëse identifikimi i spiunazhit rus është i vështirë, një zyrtar i shërbimeve amerikane thotë se është më tepër komplekse sesa e vështirë.

“Sot është më komplekse. Dhe ky kompleksitet vjen për shkak të teknikave që mund të përdoren”, thotë zyrtari, edhe ai në kushte anonimati.

Nga ana tjetër, edhe aparatet amerikane të kundërspiunazhit kanë avancuar, me njerëz dhe mjete që arrijnë të gjurmojnë personat e dyshuar. Por sërish vështirësitë janë të mëdha. Duhen të paktën 10 ose më shumë agjentë të përgatitur dhe oficerë të forcave të policisë për të mos ia ndarë sytë një spiuni të stërvitur, duke mbikëqyrur hyrje-daljet e ndërtesave, ashensorët, si dhe të kujdesen për të vënë re ndërrimin e rrobave, makinave dhe madje modelit të flokëve./abcnews.sl

vlcsnap-error458-1280x720.jpg
G. P.22:30 | 02/03/2018

Drejtësia turke ka mbajtur në gjendje burgimi dy ushtarë grekë të akuzuar për spiunazh, një veprim ky që mund të acarojë më tej marrëdhëniet me Athinën, që ka kërkuar kthimin e dy efektivëve të saj në atdhe.

Një gjykatë në Turqi ka vendosur këtë të premte të mbajë në burgim dy ushtarë grekë të cilët u ndaluan pasi kishin hyrë në territorin turk. Vendimi i marrë këtë të premte ka gjasa që të acarojë më tej marrëdhëniet e tensionuara mes Athinës dhe Ankarasë, që muajin e kaluar kanë arritur pranë konfrontimeve.

Sipas mediave turke, mbajtja në burg e dy ushtarakëve ka ardhur pavarësisht thirrjeve të palës greke për një kthim të shpejtë të tyre në atdhe. Qeveria helene ka deklaruar se dy ushtarët po kryenin një patrullim normal dhe kishin ngatërruar kurs për shkak të motit të keq. Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” ka bërë me dije se ushtarët u burgosën nën dyshime të bazuara se po kryenin spiunazh ushtarak, duke hyrë në një zonë të ndaluar.

Nga ana e tyre, dy efektivët i thanë trupës gjykuese se kishin përfunduar në territorin turk pasi kishin ndjekur gjurmët në dëborë. Sipas burimeve të tjera mediatike, ata kanë pranuar se kishin fotografuar me telefonët e tyre zonën e ndaluar ushtarake dhe se fotografitë do t’ua dërgonin eprorëve të tyre. Për këtë arsye, sipas agjencisë DHA, gjykata vendosi hetimin e të dhënave në telefonët e tyre./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono