speciale

ARENA-KOMBETARE-FUSHA-NUK-KA-NISUR-_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
Vladimir Prenga13:09 | 02/11/2019

Arena Kombëtare do të jetë gati pas një jave. Në impiantin me vlerë 70 milionë euro, po jepet dora e fundit e punimeve, ndërsa është ndryshuar vendi i kamerave dhe i gazetarëve

Është ende i rrethuar nga pluhuri dhe rrënoja, por të betohen se do jetë gati në kohë. Kjo është Arena Kombëtare, ende pa emër sponsori, pa asfaltin në rrugët rreth saj, edhe pse me fasadën tashmë të përfunduar.

Vonesat për shkak të parkimeve kuturu të qytetarëve tashmë janë harruar, por ka të tjera sa për t’i shqetësuar ata që punojnë aty. Probleme të paparashikuara ka plot, kabllo nëntokësorë apo tubacione, si dhe zvarritje për shkak të bashkëpunimit të çalë me UKT-në apo OSSHE-në.

Gjithsesi, sa më shumë afron 17 nëntori, aq më shumë gjendja kthjellohet. Për fat, në brendësi syri nis të ndihet më mirë. Fusha thuajse e përfunduar, po ashtu tribunat dhe ulëset e kuqe të vendosura, ndoshta 99 për qind. Ndriçimi LED është gati, i testuar disa herë, po ashtu gati kamerat e sigurisë dhe bokset e fonisë. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

njesia.jpg
Autor E15:59 | 29/10/2019

Forcat speciale që ndoqën dhe vranë liderin e Shtetit Islamik, Al Bagdadi janë një njësi shumë sekrete, të cilën as Pentagoni nuk e pranon që ekziston.

Delta Force është një ekip i formuar me komandantë amerikan të cilët janë rekrutët më të mirë dhe luftojnë sipas mënyrës së tyre. Në qarqet ushtarake ata njihen thjesht si “Njësia” dhe merren me misionet më të vështira dhe më të specializuara në botë. Delta Force është përdorur rregullisht në misioni luftimi përreth botës si në Afganistan, Siri, Somali dhe Libi.

Së bashku me Ekipin e 6 të Navy Seal, “Njësia” ka punuar për lokalizimin dhe eliminimin e krerëve më të lartë në hierarkinë e ISIS. Deri tani Delta Force ka mbajtur një profil më të ulët se Ekipi 6 të cilët rrëmbyen faqet e para të lajmeve botërore kur vranë Osama Bin Laden në vitin 2011.

Në fakt, Pentagoni normalisht nuk e pranon ekzistencën e Delta Force, diçka që iu përshtatet qartë të dy palëve. Delta merret me shpëtimin e pengjeve, antiterrorizmin, si dhe operacione të drejtpërdrejta e misione speciale zbulimi në lidhje me “personat më të kërkuar”. Është e njohur si një nga njësitë më të përparuara në botë kur bëhet fjalë për trajnime dhe pajisje me teknologji të lartë veprimi.

aktualitet.jpg
ad min14:07 | 17/10/2019

Shtatë persona nga Selenica u arrestuan  gjatë operacionit të specialeve në Vlorë kurse tre të tjerë janë në kërkim. Të gjithë këta akuzohen për aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.

Pas vrasësit Tesi Basho, shtatë të tjerë nga Selenica u vendosën në pranga. Tre të tjerë ndodhen në kërkim. Janë dashur gjashtë muaj hetime e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me prokurorinë për të kapur këta persona të cilët njihen si kultivues dhe trafikues të kanabis sativa. Sikurse Selenica është cilësuar zonë me risk të lartë kriminal.

“Ky operacion është realizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, të cilat kanë zgjatur për një periudhë 6-mujore. Operacioni është përqëndruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal kryesisht kundër ”Kultivimit të bimëve narkotike”, por edhe veprave të tjera penale si ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, ”Shpërdorimi i detyrës”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe ”Moskallëzimi i krimit””

Sipas Drejtorit të Policisë së Vlorës në vazhdimësi të hetimit ndaj këtyre personave janë evidentuar edhe 24 raste të kultivimit të bimëve narkotike në 5 njësi të ndryshme administrative, Armen, Sevaster, Brataj, Kotë dhe Vllahinë. Në lidhje me këto raste janë arrestuar 8 persona, proceduar 4 të tjerë dhe janë shpallur në kërkim 4 persona. Duka tha se po vazhdon hetimi për dokumentimin e plotë ligjor të personave të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal./ABC News Albania

prokue-1280x719.jpg
ad min16:15 | 17/08/2019

Kreu i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, në Maqedoninë e Veriut, Vilma Ruskoska, do të marrë në pyetje shefen në dorëheqje të Prokurorisë së Posaçme Publike, Katica Janeva. Paraqitja e kësaj të fundit pritet me interes për shkak se dëshmitë e saj do të hedhin më shumë dritë, si për rastin ‘Zhvatja’, por edhe për spekulimet se në Prokurorinë Speciale mund të jenë zhdukur shumë prova për raste shumë të ndjeshme.

Ekspertët e fushës nuk ngurojnë ta ndërlidhin këtë krizë më të re institucionale me atë që quhet gatishmëri e shtetit për të luftuar krimin e organizuar. Kjo për shkak se në regjistrimet-audio, të publikuara në gazetën italiane ‘La Verita’, rezulton pa pikë dyshimi se në skandalin ‘Zhvatja’ është e implikuar edhe prokurorja speciale publike Katica Janeva nga e cila pritej që ta zhbllokojë shtetin e kapur prej vitesh.

Të martën, kjo zonjë, që ndërkohë humbi epitetin ‘e çelikt’, do të dëshmojë në Prokurorinë e Shkupit dhe deponimet e saj do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve, temave e dilemave, të shtruara e të hapura pas skandalit më të fundit. Kjo për shkak se ‘Zhvatja’ rezulton të na dalë një aferë shumëdimensionale, sikundër u shpreh presidenti Pendarovski në paraqitjen e fundit publike të tij. Të rikujtojmë: Javëve të shkuara ka pasur lajme për kompjuterë, për telefona të fshirë, jo dikur tjetër, por pikërisht në Prokurorinë Speciale Publike.

Burime të Televizionit Klan thonë se zbardhja e së vërtetës mund të përshkallëzojë edhe më këtë krizë ngaqë në ‘trezorët’ e saj kanë qenë ose ka qenë dashur të jenë ‘bombat’ politike të dorëzuara nga opozita e para tre vjetëve, Lidhja Socialdemokrate, sot në pushtet, e kryeministrit Zoran Zaev.

Risetimi i kompjuterëve nënkupton edhe zhdukjen e provave për rastet për të cilat Kryeministri me shokë rrihte gjoksin se ka për t’i zbardhur e që kanë të bëjnë me keqqeverisjen e qeverisë së kaluar të Nikola Gruevskit, por edhe me rastin e incidentit të rëndë të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë apo ‘Monstrën’ – me shumë viktima në njerëz.

Prandaj është me rëndësi dëshmia e prokurores Katica Janeva që, ndër të tjera të heq dilemën e shtruar në median maqedonase dhe jo vetëm maqedonase, nëse projekti politik i quajtur Prokuroria Speciale Publike, është pasuar me ndonjë pazar, po ashtu politik, mes kreut të saj Katica Janeva, dhe shefit të ekzekutivit, Zoran Zaev.

Komuniteti ndërkombëtar euro-amerikan nuk është se, jo njëherë, nuk ka tërhequr vërejtjen që mazhoranca dhe opozita në Shkup të bëjnë punën e tyre, pa veprime e manovrime për interesa thjesht politike-partiake, por të japin kontributin e tyre për vendosjen e shtetit të së drejtës, para së gjithash, dhe për llogaridhënie e përgjegjësi, çfarëdo natyre qoftë ajo. Shi për këtë menaxhimi juridik i skandalit ‘Zhvatja’ ka për të qenë busull orientuese se nga do të shkojë Maqedonia e Veriut./ABC News Albania 24/7

xhacka-1280x724.jpg
ad min11:00 | 06/08/2019

Për rreth një javë njësia operative e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, kreu veprime dhe fluturime stërvitore në hapësirën ajrore shqiptare.

Tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre kryen fluturime stërvitore në mbështetje të operacioneve speciale në Evropë.

E shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka u ngjit në bordin e një prej këtyre avionëve, ku u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e këtij mjeti fluturues dhe ekuipazhit të tij.

Përdorimi i hapësirës ajrore shqiptare dhe bazave tona nga njësia për mbështetjen e operacioneve speciale amerikane, sipas ministres se mbrojtjes, është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes.

Ministrja Xhaçka u njoh gjithashtu me qëllimin e stërvitjes si dhe me misionin dhe detyrat e Krahut të 352-të të Operacioneve Speciale, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Krahu i 352-të të Operacioneve Speciale shërben si pikë qendrore për të gjitha aktivitetet e operacioneve speciale të Forcës Ajrore të SHBA-ve në të gjithë Evropën. Kjo njësi është e përgatitur të kryejë një shumëllojshmëri misionesh me përparësi të lartë e shikueshmëri të ulët, që mbështesin forcat speciale të SHBA-ve dhe aleatëve në kohë paqeje, në stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet luftarake./ABC News Albania 24/7

ruskovska-wwwww222-800x445.jpg
ad min19:45 | 19/07/2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka bërë publike ndryshimet qe propozohen t’i bëhen ligjit për Prokurorinë Speciale. Është bërë publik dhe emri i ri i kësaj strukture që i është lëne sërish në dorë një gruaje.

Takimi i liderëve ishte tentimi i fundit i Kryeministrit, për ta bind opozitën për ligjin për Prokurorinë Publike. Pasi mbrëmë u bë e qartë se takim liderësh nuk do të ketë, Zaev sot para opinionit shpalosi propozim-ligjin për Prokurorinë Publike.
Katica largohet, por ligji u garanton punë të gjithë personelit që është i punësuar në PPS, përfshirë këtu edhe prokurorët. E shumica propozon që me institucionin e ri hetues të vazhdojë të udhëheqë prokurorja më e kritikuar nga opozita pas Katica Janevës, Villma Ruskoska.

Zoran Zaev:Prokuroria Speciale Publike integrohet si strukturë në Prokurorinë e deritanishme për ndjekjen e krimin të organizuar dhe korrupsionit dhe merr emër të ri… Prokuroria Publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.  Prokuroria e re për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, do të udhëhiqet nga prokurorja, Villma Ruskoska, e cila ka mandat, dhe e cila momentalisht po e udhëheq momentalisht Prokurorinë për krim të organizuar, kurse të gjithë prokurorët që punojnë në PPS, do të vazhdojnë të punojnë në Prokurorinë e re për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë”. 

Tema që ishte më e rëndësishme për shumicën e opinionit, fati i bombave, do të rregullohet në bazë të Kodit Penal aktual, si dhe procedurave për Hetim të veçantë, të cilat parashohin shkatërrimin e të gjitha materialeve, përveç atyre që kanë hyrë në procedurë gjyqësore.

Zoran Zaev :Është qartë e definuar se çka do të ndodhë me materialet e përgjimeve… Përveç atyre që tanimë janë në gjykata, për të gjitha tjerat, qartë është e përshkruar procedura, e ajo është shkatërrimi si në procedurë e Masave te veçanta hetimi… . Atë e përshkruan edhe Kodi Penal, dhe kjo do të vlejë edhe për këtë lloje të bisedave sepse aty ka edhe biseda private”. 

Opozita nuk dëshiron të komenton ligjin pa e analizuar mirë tekstin.
“Po e presim ligjin në formë të shkruar e pastaj do ta shqyrtojnë anëtarët që ishin pjesë e grupit të punës si dhe Komisioni juridik i partisë. Jemi të koncentruar në hartimin e propozim ligjit tonë të cilin e kemi paralajmëruar”. 

Edhe pse takimi i liderëve nuk ndodhi, mbetet e hapur mundësia nga ana e shumicës, e Presidenti e ofroi kabinetin e tij për ti mbledhur liderët politik. Kryeministri tha se teksti do të dërgohet deri tek të gjitha partitë politike, e ditëve në vazhdim priten edhe qëndrimet e partive politike shqiptare./ABC News Albania 24/7

prokurorja-1280x721.jpg
ad min17:30 | 15/07/2019

Prokuroria Speciale Publike në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Paralelisht me deklaratën e saj para gazetarëve, kryeministri Zoran Zaev i bëri apel partive politike që të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur për emrin që do të drejtojë Prokurime Speciale. Zaev theksoi se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pavarësisht kërkesës së opozitës./ABC News Albania 24/7

brexit-11-1280x561.jpg
ent ela10:15 | 15/06/2019

Nga Dorina Kurtaj – Cili do të jetë ai që do të marrë postin e Tereza May, fillimisht si lider i konservatorëve e automatikisht atë të kryeministrit  të ri britanik? Me çfarë do të përballet dhe si do të ndikojë në përfundimin e BREXIT?

Deri në fund të muajit korrik partia konservatore në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë e impenjuar në zgjedhjen e liderit të ri, i cili sapo të zgjidhet automatikisht do të marrë vendin e Tereza May si kryeministër i vendit. Zgjedhja e liderit të ri të konservatorëve do të jetë në këtë mënyrë shumë e rëndësishme jo vetëm për mënyrën se si do të ndryshojë Mbretëria e Bashkuar, por dhe për influencimin e politikës në nivel europian, kur të rinisin negociatat për BREXIT.

Përse duhet një lider i ri?

Tereza Meay, e cila u zgjodh lidere e konservatorëve dhe kryeministre në vitin 2016 pas referendumit për Brexit, dha dorëheqjen nga posti i sekretares së partisë së saj dhe automatikisht nga posti i kryeministres. Në fakt në sistemin britanik, kreu i partisë në mazhorancë në parlament është automatikisht kryeministri i vendit. May u detyrua të hapë dorëheqjen: për muaj të tërë u përpoq të bindte parlamentin që të miratonte marrëveshjen për BREXIT që kishte negociuar me Bashkimin Europian, duke dështuar në mënyrë të përsëritur dhe duke humbur besimin e mazhorancës së deputetëve konservatorë. Dorëheqja e saj shënoi hapjen e fazës së seleksionimit të një lideri të ri, dhe sapo të zgjidhet i vjen radha formaliteteve: May do i dorëzojë dorëheqjen Mbretëreshës, e cila do të emërojë pasardhësin e saj. Por beteja e vërtetë politike luhet tani.

Cilët janë kandidatët?

“Komiteti 1922”, grupi parlamentar i konservatorëve publikoi listën e dhjetë deputetëve që prezantuan një kandidaturë të vlefshëm për zgjedhjen e liderit të ri. Kandidatët janë:

Majkëll Gov, Ministri i Ambientit

Met Henkok, Ministër i Shëndetësisë

Mark Harper, ish kreu i grupit parlamentar të konservatorëve

Xheremi Hant, ministër i jashtëm

Saxhid Javid, ministër i brendshëm

Boris Xhohnson, ish ministër i jashtëm dhe ish kryebashkiak i Londrës

Andrea Ledsom, ish ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin

Ester MekVej, ish ministër e Punës dhe Pensioneve

Dominik Raab, ish ministër për BREXIT

Rori Stjuart, ministër për zhvillimin ndërkombëtar

Si funksionon zgjedhja?

Zgjedhja e liderit të ri u takon deputetëve konservatorë dhe të regjistruarëve në parti. Në javët e ardhshme, do të ketë disa votime ku do të marrin pjesë vetëm deputetët: cdo herë do të eliminohen kandidatët që kanë më 0pak vota dhe do të vazhdojë votimi deri sa të mbeten vetëm dy. Në këtë pikë në procesin e votimit do të marrin pjesë dhe të regjistruarit në parti: do të votohet për dy javë dhe nga 22 korriku e më pas cdo ditë do të jetë e vlefshme për komunikimin e emrit të fituesit. Në vitin 2016 May u zgjodh pasi të gjithë kandidatët e tjerë u tërhoqën: por ishte një moment shumë ndryshe nga ky aktuali dhe është e pamundur që të ndodhë e nëjta gjë sërish.

Kush është i favorizuari?

Dhjetë kandidatë janë shumë dhe në Mbretërinë e Bashkuar përjetohet si sinjal për rrëmujën brenda partisë konservatore, ku prej muajsh zhvillohet një debat i ashpër për atë që duhet të bëhet për Brexit ndërkohë që pas çdo faze votimi situata përshkallëzohet. Nga dhjetë kandidatë, vetëm tre ose katër janë ata që kanë ndonjë mundësi për t’ia dalë

Boris Johnson

Konsiderohet i favorizuar dhe kryeministri i ardhshëm më i mundshëm i Mbretërisë së Bashkuar. Është shumë i njohur në të gjithë botën, edhe pse shpesh për të flitet më shumë rreth gafave që bën, për cuditë e tij dhe për gënjeshtrat e mëdha që tregon sidomos mbi Bashkimin Europian. Janë shumë ata që e konsiderojnë si një politikan pak serioz dhe jo të besueshëm, por prej vitesh Xhonson po ndërton figurën e tij në përpjekje për tu bërë kryeministër i vendit – u përpoq dhe në vitin 2016, dhe dështoi. Në momentin e dorëheqjes së May ai u paraqit shumë gati dhe është kandidati që ka marrë mbështetjen publike të numrit më  të madh të deputetëve. Por ai është dhe personi që ka qëndrimin më të ashpër për sa i përket Brexit: ditët e fundit ai deklaroon se është më shumë se dakord për të hequr dorë nga një marrëveshje me Bashkimin Europian

Michael Gove

Është një politikan konservator i konsideruar i aftë dhe shumë i zoti në debate. Ai ka mbuluar pothuajse çdo ministri në qeveritë konservatore dhe çdo herë ka dalë mirë. Ai konsiderohej si kundërshtari kryesor i Xhonson, por fushata e tij elektorale u bllokua para evenit të parë zyrtar, kur pranoi se në të kaluarën kishte përdorur kokainë.

Jeremy Hunt

Njësoj si Gov, është një politikan konservator i vlerësuar dhe i respektuar, por si Gov, nuk ka as 1/10 e popullaritetit të Xhonson apo karizmën e tij, në të mirë e në të keq. Mes atyre me një mundësi për t’ia dalë, është kandidati që ka shprehur qëndrimin më të moderuar për Brexit. Në pak fjalë ai thotë se dalja e vendit nga Bashkimi Europian pa marrëveshje do të ishte një tragjedi, dhe BE është e vetëdijshme për këtë prandaj do të ishte e gatshme për të bërë disa lëshime. Kandidatura e tij përfitoi nga problemet e Gov dhe nga mbështetja e dy ministreve të rëndësishme konservatore, Amber Rudd he Peni Mordaunt.

Të tjerët

Dominik Raab, i cili nuk kishte bërë një figurë të mirë në muajt e tij si ministër Brexit dhe që në Bruksel konsiderohet një personazh pak i besueshëm, mori fillimisht mbështetje por nuk ka shumë mundësi për të fituar. Met Henkok nga ana e tij ra në sy për një ngjarje të cuditshme elektorale, ku dritat nuk funksionuan mirë dhe ku ai foli për domosdoshmërinë për t’i shtuar “emotivitet” politikës: dikujt i pëlqeu dhe dikujt jo. Të tjerët shpresojnë të gjithë në një kthesë fati në ditët e ardhshme, por nuk duket se kanë një mundësi  reale për të kaluar fazat përfundimtare të votimit.

Si do të jetë beteja elektorale?

Boris Xhonson konsiderohet nga të gjithë si më i favorizuari dhe tashmë duket e pashmangshme që ai të jetë një nga dy kandidatët në votimin final. Por ai mbetet një kandidat shumë kontrovers, një person që konsiderohet pak serioz dhe për të cilin ka pak respekt. Të gjithë të tjerët po luftojnë për të qenë kandidati i dytë në votimin final: apo si shkruajnë mediat britanike, kushdo përveç Boris.

Pesë nga kandidatët organizuan evente për të prezantuar programet e tyre dhe të gjithë sulmuan kryesisht Xhonson. Gov dhe Hant këmbëngulën shumë për idenë e të qënit të vetmit kandidatë seriozë dhe të besueshëm dhe ideja e tyre duket e qartë: të shkojnë në votimin përfundimtar dhe më pas të mbledhin të gjitha votat të atyre që nuk duan ta shohin Xhonson në postin e kryeministrit. Është e vështirë por e mundur, pikërisht për shkak të personalitetit të komplikuar të Xhonson. Ky i fundit në përpjekje për të kufizuar dëmet, prej ditësh po i shmanget çdo kontakti me mediat: nuk pati asnjë organizim për fillimin e fushatës së tij elektorale, e cila për momentin përfshin vetëm takime private me deputetë konservatorë.

Brexit

Çështja më e rëndësishme me të cilën duhet të merret kryeministri i ri do të jetë sigurisht Brexit, dhe është pikërisht kjo tema për të cilën po flitet më shumë ditët e fundit. Xhonson është kandidati me qëndrimin më të ashpër – të paktën me fjalë – dhe është njëri prej atyre që në kohën e referendumit bënë fushatë elektorale në favor të daljes nga Bashkimi europian. Gov kishte pak a shumë të njëjtin qëndrim me ‘të, por është dhe një politikan më pragmatik dhe ppo përpiqet të prezantohet si më i moderuar dhe në gjendje për të negociuar me efikasitet me Bashkimin Europian; të njëjtën gjë po bën dhe Hant, i cili në fillimin e fushatës elektorale për kandidaturën e tij u mburr se kishte pasur një rol vendimtar në organizimin e lojërave olimpike dhe se kishte marrë pjesë në negociata të rëndësishme për paqen në Jemen. Deklarata që u shoqëruan me mosbesim nga një pjesë e mirë e elektoratit.

Pyetja e madhe që shumë po ngrenë këto ditë është e njëjta: çfarë besojnë se kanë të gjithjë këto kandidatë që May nuk e kishte? Si mendojnë se mund të bëjnë më shumë për Brexit, përballë vullnetit të Bashkimit Europian që të mos rinegociojë marrëveshjen? Përgjigja nuk është shumë e qartë: Xhonson ndoshta mendon të sillet pak si Tramp, me një zë të lartë, kërcënime dhe shumë ndoshta – ndërsa të tjerët kanë qëndrime më të mjegullta. Një deputet konservator mbështetës i Hant u shpreh se Mej ishte pak e aspër si karakter, ndërsa Hant është më i dashur dhe miqësor. Veti që sipas tij do e ndihmojnë në negociatat me Bashkimin Europian. Por gjithsesi nuk prezantohet shumë bindës

Çfarë mund të ndodhë përveç Brexit?

Xhonson premton uljen e taksavve për ata që deklarojnë të ardhura 50 deri në 80 mijë stërlina në vit; gjitahshtu theksoi se do të bëjë më shumë për tregtarët dhe sipërmarrësit. Të tjerët natyrisht deklaruan se do të bëjnë të kundërtën dhe do të ulin taksat për më të varfërit. Tema të tjera të rëndësishme nuk janë trajtuar, madje dhe ajo e taksave duket gjithsesi e rëndësisë së dytë. Me mazhorancën e brishtë në parlament, konservatorët do e kenë të vështirë të miratojnë reforma të rëndësishme të çdo lloji dhe për ta bërë një gjë të tillë duhet të ketë zgjedhje të reja, të cilat mund të ndryshojnë çdo gjë.

Jeremy Hunt ka qenë ai që ka folur më qartë për këtë skenar, duke shpjeguar se nëse konservatorët nuk do të arrijnë të çojnë deri në fund Brexit me sukses, rrezikojnë të zhduken. Ai ishte shumë i prerë dhe nuk e kishte gabim: partia e tij mori në zgjedhjet e fundit parlamentare europiane rezultatin më negativ në histori; dhe sipas Hunt mundësia e zgjedhjeve të reja me Brexit ende të papërfunduar, mund të sjellë një humbje dhe më të rëndë

Ndërkohë për Brukselin një skenar për daljen e Mbretërisë së Bashkuar pa një marrëveshje në tetor, mbetet shumë i mundshëm dhe pse nuk është i dëshirueshëm. Komisioni Europian përpiqet të jetë pragmatik, dhe njëherë më shumë verifikon se masat e emergjencës të marra për këtë rast janë të mjaftushëm dhe kjo duket e qartë.

Aktualisht Komisioni Europian vendosi se në thelb nuk ka asnjë domosdoshmëri për të amenduar asnjë prej masave dhe këto mbeten të përshtatshme për qëllimin, në këtë mënyrë komisioni nuk ka në program asnjë ndërhyrje para datës së daljes së vendit nga Bashkimi Europian

Në një kohë që situata në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të jetë e nxehtë politikisht me parlamentin britanik që përgatitet të zgjedhë kryeministrin e ri, Komisioni Europian dëshiron të jetë i sigurtë se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian të përgatiten sa më mirë në kuadër të një daljeje të mundshme pa marrëveshje të Britanisë së Madhe të parashikuar për 1 nëntor 2019, duke inkurajuar të gjitha palët që të përfitojnë nga koha në dispozicion për të marrë masat e duhura për t’u përballur me situatën.

Për këtë arsye komisioni prezantoi këndvështrimet e ndryshme në mbledhjen e Këshillit Europian mbi masat emergjente në momentin që artikulli 50 i traktatit mbi funksionimin e Bashkimit Europian do  të jetë efektiv dhe Londra do të dalë nga Bashkimi Europian. Deri tani propozimet e prezantuara nga komisioni kanë qenë 19, nga të cilat 18 janë miratuar nga parlamenti dhe dhe këshilli ndërsa e fundit duhet të gjejë ende një marrëveshje Brenda muajit qershor. Pika e fundit ka të bëjë me bilancin e BE-së për vitin 2019.

Komisioni Europian gjithashtu ka miratuar 63 akte legjislative dhe ka publikuar 93 lajmërime për përgatitje, të gjitha të konsideruara të domosdoshme për të ndihmuar Bashkimin Europian gjatë periudhës së parë të krizës post-Brexit. Ndër të tjera, institucioni thekson se se nuk ka ndërmend të marrë masa të tjera para vendosjes së datës së saktë të daljes së Britanisë së Madhe

Në rastin e një daljeje pa një marrëveshje, Europa dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të gjejë zgjidhje për tre probleme që konsiderohen të një rëndësie të madhe nga Bashkimi Europian: si për shembull mbrojtja e qytetarëve europianë dhe britanikë që gjenden nga ana tjetër e kufirit të ardhshëm mes dy zonave, të cojë përpara impenjimet ekonimike dhe financiare mbi të cilat Londra ka vendosur të mbajë përgjegjësi; dhe së fundmi respektimi i klauzolave të firmosura në marrëveshjen e të premtes së shenjtë me Irlandën mbi çështjen e “Backstop”.

Nga ana e palës europiane punimet në rast të mungesës së një marrëveshjeje parashikojnë fillimisht një aktivitet monitorimi në zona të caktuara, si adminiastratat publike, për t’u siguruar që të gjithë të jenë gati për punime të jashtëzakonshme mbi cështje ligjore dhe administrative. Prioritet është dhe çështja e të drejtave të rezidencës dhe sigurisë së qytetarëve, për të garantuar që britanikët mund të mbeten rezidentë në çdo vend të Bashkimit Europian në periudhën menjëherë pas Brexit.

Planet e promovuara nga Bashkimi Europian do të lejojnë dhe mbajtjen e një situate neutral në nivel normativ të mjekimeve dhe përbërjes së tyre, por dh etë aparaturave mjekësore; të përgatiten për rifunksionimin e doganave nëpërmjet shumë investimeve në krijimin e infrastrukturave të reja për kontrollet në kufi si dhe për burimet njerëzore të domosdoshme për të kryer këto kontrolle. Gjithashtu për të lejuar që trafiku ajror dhe hekurudhor të mos bllokohet dhe për pasojë të krijohet një krizë në sektorin e transportit. Do  të aktualizohen më pas dhe rregullore emergjence për peshkimin në mënyrë që autorizimet e duhura të jenë menjëherë të aplikueshme.

Ata që përfitojnë më shumë nga termat e reja të daljes duhet të jenë operatorët financiarë. Janë ende të shumta kompanitë që punojnë në këtë fushë të cilat rezultojnë të jenë ende të papërgatitura nag shumë këndvështrime, si për shembull menaxhimi i kontratave dhe aksesi në infrastruktura në momentin që rregullat e vendosura nga Bashkimi Europian do të humbasin vlerë. Për këtë arsye komisioni po impenjohet në mënyrë që të mbërrihet sa më shpejt të jetë e mundur në një zgjidhje përfundimtare që do të lejojë aktualizimin e plotë të planeve të emergjencës të sipërmarrjeve. /abcnews.al

 

 

putin-kronologjia.jpg
ad min13:44 | 24/03/2018

Gjatë 18 viteve në pushtet të Presidentit rus, Vladimir Putin, vendi është shenjuar me vrasje, mistere dhe me një portret gjithnjë e më të komplikuar të carit të kohëve moderne, i cili premton se do të qëndrojë i tillë deri 100 vjeç.

Nga viti 2000, kur Vladimir Putin u zgjodh President i vendit, deri në vitin 2016 në Rusi janë shënuar 1860 atentate, 3429 viktima, dhe 6307 të plagosur. Nëse do të bëhej një kronologji e 18 viteve në pushtet të Putin, për vrasjet e mistershme por dhe më të bujshme, atëherë e para do të ishte

Anna Politkovskaya

E vrarë në Moskë, ekzekutuar me pistoletë në 7 Tetor të 2006-ës teksa hynte në ashensorin e shtëpisë së saj. Gazetare dhe shkrimtare e njohur dhe e vlerësuar në nivel ndërkombëtar, ajo punonte për Novaja Gazeta – një nga të rrallat e pavarur në Rusinë e Putin, por sidomos ka shkruar libra që kanë bërë xhiron e botës: Një luftë e pisët në 2001, Rusia e Putin në 2004, dhe një Ditar rus, i botuar pas vdekjes së saj. Në shkrimet e saj Anna tregon për tortura nga ana e Forcave Speciale ruse dhe militantëve vendas, për vrasje, korrupsion, dhe sipas gazetës, në momentin e vrasjes ajo kishte premtuar se do të publikonte detaje të reja me emra dhe mbiemra. Në funeralin e saj nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i qeverisë, ndërsa dyshimet dhe hetimet u përqendruan menjëherë në Çeçeni. Pista e pranuar në Rusi, por dhe jashtë saj, është se ajo u eliminua fizikisht nga militantët paraushtarakë të Ramzan Kadyrov, një njeri shumë besnik i Putin. I dyshuari kryesor, një çeçen, u arrestua, u la i lirë për mungesë provash dhe më pas u akuzua sërish. Po për porsitësin e vrasjes nuk dihet asgjë.

Natalya Estemirova

Në 15 Korrik 2009, gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, anëtare e Memorial dhe vejusha e një agjenteje policie femër, banonte në Ceceni, u mor në shtëpinë e saj nga persona të panjohur. Trupi i pajetë, i bërë shoshë nga plumbat, u gjet pak ditë më pas në pyll. Estemirova kishte mbledhur dokumente dhe dëshmi për luftën e dytë çeçene. Dhe ajo bashkëpunonte me Novaja Gazeta dhe sipas Human Rights Uatch, vrasja e saj u bë që të ndalohej publikimi i lajmeve për një rast torture. Dimitri Medvedev, President, ndërsa Putin ishte Kryeministër, premtoi hetime, ndërsa dyshimet bien sërish tek një nga njerëzit më besnik të Putin, Kadyrov.
Sipas Reporterëve pa Kufij janë 24 gazetarët e vrarë që nga 2003-shi deri tani, ndërsa 7 të tjerë janë në burg. Agjencitë kryesore të pavarura të lajmeve janë vënë nën kontroll ose janë mbyllur. Ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut janë shpallur agjentë të huaj

Sergej Magnitsky

Një avokat i njohur dhe ekspert i çështjeve fiskale, që merrej me interesat e biznesmenëve të rëndësishëm rusë dhe të huaj. Ai u arrestua papritur, me akuzën e evazionit fiskal dhe riciklim parash. Magnitsky ishte një njeri i sëmurë dhe në burg iu mohua për muaj të tërë mjekimi.
Më pas, sipas asaj që dëshmon Bill Brouder, një biznesmen amerikan që ishte klienti i tij, Magnitsky u rrah barbarisht nga disa të burgosur të tjerë. Ndërron jetë në 16 Nëntor të 2009-s. Kongresi amerikan me votë unanime, miraton në Nëntor të 2012-s, në presidencën e Obamës, “Magnitsky Act”: praktikisht iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të gjithë funksionarëve rusë përgjegjës për vdekjen e Magnitsky si dhe ndalimi për të përdorur sistemin banker amerikan. Personalitetet e prekura nga ky vendim ishin kryesisht gjykatës, avokatë, personel i Ministrisë së Brendshme dhe autoritete fiskale.

Aleksandër Litvinenko

Në 23 Nëntor 2006 Litvinenko ndërron jetë në një siptal londinez pasi u helmua nga rrezatimi me polonium -210, një izotop shumë radioaktiv. Agjent i KGB-s dhe më pas i FSB-së pasardhëse, Litvinenko u përplas me pushtetin rus. Pasi arriti të strehohej në Britaninë e Madhe, ai kthehet në një informator të rregullt i shërbimeve britanike, dhe me sa duket dhe të atyre spanjolle. Në vitin 2002 ai publikon një libër, të financuar nga Berezovski, armik i betuar Putin, ku akuzon FSB-n se me urdhër të Putin kishte kryere masakrat e 1999-s, të cilat provokuan luftën e dytë çeçene. Moska përgënjeshtron. Ditën kur u helmua, Litvinenko u takua në një hotel në Londër për arsye që ende nuk dihen, me dy ish-agjentë rusë, Lugovoi e Kovtun, të cilët akuzohen që atëherë si autorë material të vrasjes. Moska refuzon ekstradimin e tyre pas rikthimit në atdhe. Para se të vdiste Litvinenko akuzoi Putin se donte vrasjen e tij, e madje e akzuoi dhe për pedofili.

Boris Berezovski
Në 23 Mars 2013, Boris Berezovski, tutor dhe financues i Litvinenkos, u gjet i varur në shtëpinë e tij në Londër. Policia britanike atëherë deklaroi se bëhej fjalë për vetëvarje. Por aktualisht në Londër çështja është rihapur sërish së bashku me një listë të gjatë vdekjesh të tjera të dyshimta.

Boris Nemtsov

Në 27 Shkurt 2015, Boris Nemtsov u vra nga një ekzekutor me pistoletë, teksa po kthehej në këmbë në shtëpi së bashku me partneren e tij vetëm dhjetë metra larg Kremlinit. Nemtsov ishte zëvendëskryeministër i Boris Jeltsin në vitet ’90, me profesion fizikant, ai ishte një nga kundërshtarët më në zë të Putin. Dhe në këtë rast ashtu si në atë të Anna Politkovskaja, data koincidon me ditëlindjen e Putin, dhe fajtorët i përkasin botës cecene. Por urdhëruesit nuk gjenden e madje as kërkohen në disa raste. Gjykata dënon ekzekutorin material të vrasjes, dhe me 11 deri në 19 vjet burg bashkëpunëtorët e tij. Gjatë seancës gjyqësore, pavarësisht kërkesës së akuzës, nuk tregohen filmimet e kamera të sigurisë me të cilët Moska është e mbushur, aq më shumë që bëhet fjalë për një zonë pranë Kremlinit. Familja e Nemtsov dhe avokatët e tij janë të bindur se vrasja është urdhëruar nga komandantët e batalionit “Sever”, një nga të cilët ka lidhje dhe me partinë Rusia e Bashkuar, parti e presidentit Putin. Por të dyshuarit nuk u morën asnjëherë në pyetje.

Sergei Skripal

Më pas është dhe rasti më i fundit, në Londër, ende një mister. Në 4 Mars të 2018-s ish-spiuni rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Julia, u helmuan në Londër me Novichok, një gaz nervin i prodhuar nëRusi. Të dy u gjetën në një stol në Salisbury. Sipas analistëve, ky rast që ka shkaktuar shumë polemika dhe tension mes Londrës dhe Moskës, i ka sjellë avantazhe politike dhe Putin por dhe kryeministres britanike Tereza Mej.

Mikhail Khodorkovsky

Në vitin 2003, Mikhail Borisoviç Khodorkovski ishte njeriu më i pasur i Rusisë, pronar i rafinerisë Jukos. Marrëdhëniet e tij me Putin ishin të mira deri në momentin që ai shfaq ambicie politike në rivalitet me Putin. Por mbi të gjitha, ai arrin një marrëveshje të rëndësishme me rafineri nafte amerikane pa marrë më parë mendimin e Kremlinit. Në Tetor të vitit 2003, ai arrestohet teksa zbriste nga avioni i tij personal. Menjëherë nis një çështje gjyqësore, e cila dëshmon se sa influencë ka Vladimir Putin në sistemin e drejtësisë në vend dhe si ka ndëmend të ushtrojë një pushtet të tillë. Jukos shpërbëhet pjesë për pjesë. Një gjykatë dënon Khodorkovskin, në Maj të 2005-ës, me nëntë vjet burg. Ndërsa në Dhjetor të 2010-s, ai gjykohet sërish dhe dënohet për herë të dytë. Duhej një ndërhyrje personale e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrih Genscher, që ai të lirohej. Aktualisht Khodorkovski, i cilësuar si një i burgosur ndërgjegjeje nga Amnesty International, jeton në Zvicër.

Nga viti 2000, vit i zgjedhjes së Putin president dhe deri në 2016-n, në Rusi janë kryer 1.860 atentate, janë vrarë 3.429 persona, dhe janë plagosur 6.307.

Në 23 tetor 2002, 40 çeçenë të drejtuar nga Movsar Barajev, të cilët vetëdeklarohen si aleatë të lëvizjes separatist islamike çeçene, morën peng rreth 900 persona në një teatër në zonën Dubrovka, katër kilometra larg Kemlinit. Çeçenët kërkonin tërheqjen e trupave ushtarake ruse nga Çeçenia si dhe përfundimin e luftës së dytë çeçene. U lanë të lirë rreth 200 persona mes të cilëve gra, fëmij, të huaj dhe muslimanë, por dhe ata që kishin nevojë për mjekim. Pas rreth tre ditësh negociatash, agjentët e Specnaz, forca speciale, futën një agjent të fortë kimik në sistemin e ajrimit të ndërtesës, duke filluar operacionin e shpëtimit. 40 çeçenët vdiqën së bashku me 130 pengje si pasojë e helmimit me gazin, të cilit nuk iu bë asnjëherë publik emri. Putin nuk mbeti i kënaqur nga raportimi i ngjarjes nga televizioni NTV, i fundit që kishte mbetur i pavarur nga qeveria ruse. Kështu që në Janar të 2003-shit zëvendësoi të gjithë drejtuesit.

Ishte mëngjesi i ditës së parë të shkollës, kur një grup militantësh islamikë çeçenë, u futën në një shkollë të Beslan në Osetinë e veriut, duke marrë peng 1.100 persona, mes të cilëve 777 fëmijë: për t’i liruar ata kërkonin pavarësinë e Çeçenisë dhe tërheqjen nga vendi të ushtarëve rusë. Pas tre ditësh, forcat ruse të sigurisë sulmuan ndërtesën me automjete të blinduar, raketa dhe armatime të rënda. Mbetën të vrarë 334 persona, mes të cilëve 186 fëmijë. Një ditë më pas një bulldozer mblodhi atë që kishte mbetur nga ndërtesa e shkollës pa vënë re se kishte dhe trupa të pajetë, të cilët gjithashtu përfunduan në grumbullimin e mbeturinave. Pas këtij sulmi, qeveria miratoi një seri reformash që përforconin pushtetin e Presidentit rus. Po asnjëherë nuk u mor vesh se sa ishin terroristët e përfshirë dhe nëse dikush prej tyre arriti të largohej. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2017 vendosi se Rusia nuk kishte marrë masat e duhura duke përdorur forcë të tepruar nënjë ndërhyrje që shkel të drejtën për të jetuar

Natën mes 7 dhe 8 Gushtit, ushtria gjeorgjiane hyri në Republikën e Osetisë jugore. Forcat ruse, të cilat kanë një prani ushtarake në rajon dhe Abkazi, ndërhynë ashpër duke mundur brenda pak ditësh gjeorgjianët. Moska njohu menjëherë pavarësinë e Osetëisë së Jugut dhe të Abkazisë duke vendosur një protektorat rus.

Rajoni ukrainas me mazhorancë ruse kërkonte ndarjen nga pjesa tjetër e vendit. Qeveria vendore nuk njeh Presidentin ukrainas dhe qeverinë e tij duke mbajtur një referendum që përfundon me firmosjen e një traktati që e bënte rajonin pjesë të Rusisë. Komuniteti ndërkombëtar kundërshton vendimin, ndërsa Purin dërgon njësitë ushtarake për të mbrojtur Krimenë.

Kriza ukrainase nis në 4 Prill të 2014-s dhe vazhdon ende. Shpallja e pavarësisë nga ana e Doneskut dhe Lugansk nga Kievi, shkaktoi një luftë civile, ku Rusia bëhet pjesë e saj në 22 dhe 25 Gusht të 2014-s duke mbështetur sepratistët filorusë.

Rusia mbështei regjimin e Asad që nga fillimi i krizës në Siri në 2011-n, një mbështetje dhe politike, por dhe ushtarake. Në Shtator të vitit 2015 Rusia deklaroi se kishte arritur një marrëveshje me Sirinë, Irakun, dhe Iranin për të shkëmbyer informacione të shërbimeve të inteligjencës në lidhje me shtetin e vetëshpallur islamik. Janë avionët rusë që kryejnë sulmet e para ajrore në territorin sirian. Moska i frikësohet faktit që avancimi i shtetit islamik mund të ndezë dhe lëvizjen islamike në Kaukazin rus. Siria për Moskën është baza më e avancuar në Lindjen e Mesme .

Putin i bëri rusët që të harrojnë humbjen në Ukrainë, meaneksimin e Krimesë dhe me ndërhyrjen ushtarake në Siri. Duke luajtur gjithnjë me popullaritetin e tij me nxitjen e krenarisë nacionaliste ruse. Pika e dobët është ajo ekonomike. Kriza e parë e rëndë është ajo e 2008-s, e shkaktuar nga rënia e çmimit të naftës, por që u tejkalua falë rezervave – 650 miliardë dollarë në total, duke i lejuar Bankës Qendrore që të shpenzonte 20 miliardë për të mbështetur bankat dhe bizneset e mëdha, duke mundësuar rimëkëmbjen e ekonomisë. Por kriza e dytë ekonomike në 2014-n, zgjati 3 vjet.
Ajo që ndikon më shumë në situatën negative ekonomike në Rusi është çmimi i hidrokarbureve, shitja e të cilave përbën pjesën më të madhe të eksportit rus. Vendosja e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare si reagim për ndërhyrjen e moskës në krizën në Ukrainë, roli i tepruar i shtetit në ekonomi, aparati burokratik shumë i ngadaltë, paaftësia dhe korrupsioni janë dhe arsyet më të rëndësishme të gjendjes aktuale ekonomike në vend. Sipas Transparency International, Rusia është në vendin e 135° nga 180 në klasifikimin e korrupsionit.

Triumfi i Putin përballet me një perëndim të akullt:

Vladimir Putin fitoi, dhe fitoi bindshëm. Se si ndodhi, kjo është një gjë tjetër. OSBE – Organizata për sigurinë dhe bashkëpunimin në Europë, denoncoi se standartet e besueshmërisë së votës në zgjedhjet presidenciale ruse janë shumë larg nga ato të perëndimit. Dhe raporti i hartuar nga dëshmitë e 481 vëzhguesve ndërkombëtarë në qendrat e votimit lë shumë pak vend për dyshim.

“Kufizimet ndaj lirisë thelbësore të asamblesë, shoqërisë dhe shprehjes, kufizuan dhe hapësirën për përfshirjen politike duke shkaktuar një mungesë të një gare të vërtetë elektorale”, lexohej ndër të tjera në raport. Në një kohë që shumë sipërmarrje dhe shkolla bënin presion tek të punësuarit apo studentët që të merrnin pjesë në votime, duke organizuar dhe transportin e tyre. Përsa i përket klimës ku u zhvilluan këto zgjedhje. OSBE flet për një ambient politik të shenjuar nga një presion i vazhdueshëm ndaj zërave kritikë. Por theksi bie dhe te fakti se pjesa më e madhe e mediave nuk i jepnin zë kritikëve të mundshëm të Putin, pa harruar dhe persekutimit ndaj të vetmit rival të Putin, Aleksei Navalni. Kandidatura e tij u ndalua nga një vendim i diskutueshëm, ndërsa arrestime të shumta sekuestrime materialesh dhe masa të tjera kufizuan lirinë e shprehjes së mendimit dhe të organizimit të militantëve të partisë së tij.

Deri këtu janë të dhënat nga OSBE, por është niveli ndërkombëtar matësi më i mirë i një fitoreje të paplotësuar të Putin. Përballë urimeve të para nga Kuba, Venezuela, Bolivia dhe autoratë të ndryshëm si kinezi Xi, iraniani Rohani, egjptiani al-Sisi turku Erdoan dhe siriani Assad, përballë ndodhet perëndimi i akullt. Vetëm Presidenti francez, Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dërguan një telegram urimi në Kremlin, por gjithësesi duke përmendur sulmin e papranueshëm në Britaninë e Madhe në lidhje me helmimin e ish-spiunit rus, apo dhe sfidat në marrëdhëniet dy palëshe. Ndërsa pjesa tjetër e perëndimit, ka zgjedhur heshtjen. Një heshtje që u thye disi nga Bashkimi Europian, i cili përmend zgjedhje jo të rregullta dhe nga Suedia, ku ministrja e Jashtme Uallstroem i cilësoi të manipuluara zgjedhjet presidenciale që i dhanë Putin mandatin e katërt.

Arsyeja kryesore e kësaj heshtjeje mbetet sigurisht çështja Skripal. Putin mohoi sërish çdo rol në përpjekjen për vrasjen me gaz nerving të ish-spiunit rus dhe vajzës së tij, por nga Londra, kryeministrja Mej këmbëngul: “Nuk ka asnjë përfundim tjetër përveç faktit se Rusia është fajtore.”

Por mbetet fakti që Putin triumfoi me 76,66% të votave. Aktualisht i vetmi kundërshtar i vërtetë i Putin do të jetë Navalni. Jashtë parlamentit, në sheshe, ku i kërkonte rusëve që të bojkotonin zgjedhjet pasi procesi i votimit ishte i manipuluar. Shumë prej tyre duhet ta kenë dëgjuar pasi pjesëmarrja në votime ndaloi në pragun e 67.4%./abcnews.al

vlcsnap-error976-1280x720.jpg
ent ela11:43 | 03/03/2018

Emigracioni, ekonomia dhe papunësia kanë qenë temat kryesore të fushatës elektorale në Itali. Por Brukseli është i shqetësuar për atë që mund të ndodhë në vend pas 4 marsit, në një moment që çdo gjë tregon se nuk do të ketë mazhorancë absolute për asnjë nga tre koalicionet në garë. Detajet na i sjell materiali i përgatitur nga gazetarja Dorina Kurtaj. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono