spanje

policia-spanje.jpg
nev ila17:47 | 11/07/2019

Agjentët e Policisë Kombëtare në Ibiza, Spanjë, ditën e sotme, kanë arrestuar dy gra me origjinë shqiptare dhe një burrë me origjinë iraniane për falsifikim dokumentash.

Siç raportohet nga policia spanjolle, arrestimet kanë ndodhur kur këta persona janë përpjekur të udhëtojnë me dokumenta të falsifikuara, drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës.

Të arrestuarit, do të kalonin pikën e kontrollit të pasaportave, në momentin kur dokumentacioni i tyre ngriti dyshimet e agjentëve kufitarë, të cilët analizuan dokumentat e dy grave shqiptare dhe konkluduan se ato ishin të falsifikuara.

Sipas policisë, një prej grave të arrestuara udhëtonte me vajzën e saj të mitur në momentin e arrestimit. Vajza e vogël është lënë nën kujdesin dhe mbrojtjen e agjentëve policor derisa nëna e saj të lirohet.

Brenda harkut kohor të dy muajve, në postën kufitare të aeroportit të Ibizës, në Spanjë, janë kryer gjithsej 20 arrestime për falsifikim dokumentash, gjë e cila që tregon se, Ibiza është një nga rrugët më të përdorura nga organizatat kriminale, për trafikimin e qenieve njerëzore nga Irani ose Shqipëria, drejt destinacioneve të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar ose Irlandë./abcnews.al

 

808x454_cmsv2_19f35136-4d73-5972-b06c-612a436d6ad9-4009304.jpg
Sej rie11:51 | 10/07/2019

Moti i keq në Spanjë ka shkaktuar një viktimë ndërsa përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë qytete të vendit. Në disa zona ka pasur dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Trupi i pajetë i një personi të tërhequr nga uji në automjetin e tij u gjet në një zonë të Navarës në Spanjë ku reshjet e dendura shkaktuan përmbytje dhe dëme të mëdha në shumë qytete të vendit. Përmbytjet detyruan autoritetet të mbyllin për trafikun disa rrugë kryesore; gjithashtu ka pasur dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të ndryshme të vendit. Banorët e Tafalas dolën të pastrojnë rrugën nga balta pasi reshjet përmbytën qytezën.

E gjithë zona e Navaras pësoi përmbytje të papritura si pasojë e daljes nga shtrati të dy lumenjve. Autoritetet vendore deklaruan se një nga bashkitë më të prekura nga përmbytjet ishte ende e paarritshme për shkak të baltës në rrugë. Në Pamplonë dhe gara e demave në kuadër të festës së Shën Firminos u ndërpre si pasojë e kushteve atmosferike./ABC News Albania 24/7

gjermania-rumania.jpg
G. P.22:48 | 28/06/2019

Gjermani-Spanjë janë skuadrat që do të diskutojnë trofeun e  Evropianit të 21-vjeçarëve. Në sfidën e saj Gjermania ka mposhtur 4-2 Rumaninë për t’u kualifikuar në finale të Evropianit të 21-vjeçarëve.

Skuadra tedeske e nisi mirë takimin, duke shënuar për 1-0 përmes të Nadiem Amiri në minutën e 21’. Por, Rumania përmbysi gjithçka me dy gola të George Puscas, në minutat 27’ dhe 44’.

Në pjesën e dytë, përfaqësuesja gjermane reagon menjëherë: Fillimisht, GianLuca Waldschmidt shënoi për 2-2 nga penalltia në minutën e 51’, para se në minutën e 90 të realizojë një tjetër gol për 3-2. Kurse për 4-2, në kohën shtesë, Nadiem Amiri realizoi të dytin personal për t’ia siguruar finalen Gjermanisë U-21.

Teksa në gjysmëfinalen tjetër Spanja kalon Francën 4-1.  Të parët në epërsi kanë kaluan francezët, Jean-Philippe Mateta shënoi nga penalltia në minutën e 16’. Spanja barazoi gjithçka në minutën e 28’, Marc Roca shënoi për 1-1.

Para se skuadrat të shkojnë në pushim, Mikel Oyarzabal shënoi për 2-1 në minutën e 45’ për të përmbysur gjithçka. Me të filluar pjesa e dytë, Daniel Olmo shënoi për 3-1 në minutën e 47.

Kurse për rezultatin përfundimtar 4-1, shënoi sulmuesi i Real Madridit, Borja Mayoral, në minutën e 66’. Në finale, Spanja do të ketë punë me Gjermaninë, nga e cila humbi titullin në vitin 2017./ABC News Albania 24/7

16x9.jpg
G. P.08:45 | 28/06/2019

Spanja është vendi i parë i Europës që po përjeton zjarre masive të nxitura nga temperaturat e larta. Flakët kanë përfshirë rajonin e Katalonjës dhe sipas autoriteteve rrezikojnë të shtrihen deri në 20 mijë hektarë. Ndërkohë, i nxehtë përvëlues është verifikuar edhe në Itali e Francë.

Disa qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në rajonin spanjoll të Katalonjës, ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë celsius. Autoritetet vendase kanë deklaruar se, zjarret janë më të këqijat e 20 viteve të fundit dhe mund të përhapen me shpejtësi.

Të paktën 4 mijë hektarë tokë janë prekur nga flakët në afërsi të qytetit La Torre del Espanjol, që ndodhet 80 kilometra nga qyteti bregdetar i Tarragonës. Por për shkak të të nxehtit intensiv flakët mund të përhapen deri në 20 mijë hektarë, kanë paralajmëruar autoritetet.

Për arsye sigurie, të paktën 30 persona janë evakuuar dhe 5 rrugë janë mbyllur. Në tërësi, 11 provinca në lindje dhe qendër të Spanjës kanë përjetuar ose do të përjetojnë temperatura mbi 40 gradë Celsius.

Ndërkohë, në disa zona në veri-lindje ato mund të arrijnë në 45. Përveç Spanjës, edhe Franca e Italia po kalojnë një valë të nxehti ekstrem. Pas mesditës së të enjtes, temperaturat arritën në 39 gradë Celsius në Torino të Italisë dhe 40 në qytetin jugor francez të Avinjonit.

Ndërsa të mërkurën, Gjermania, Polonia dhe Republika Çeke regjistruan temperaturat më të larta të verifikuara ndonjëherë në muajin qershor. Për shkak të ajrit të ngrohtë nga Afrika e Veriut, temperaturat pritet të rriten më tej në shumë vende të kontinentit të vjetër në 3 ditët e ardhshme./ABC News Albania 24/7

operación-Finito.jpg
G. P.17:01 | 24/06/2019

Një bandë që grabiste bankomate është shkatërruar në Alicante të Spanjës. Në pranga kanë rënë shtatë persona, katër prej të cilëve shqiptarë. Sipas asaj që shkruajnë mediat, të përshirë në këtë grup kriminal janë edhe dy serbë dhe një spanjoll.

Për të kryer grabitjet, banda përdorte kamionçina me të cilat hapte bankomatet. Shqiptarët, dhe serbët akuzohen për grabitje me forcë të pikave të ATM-ve, vjedhje makine, falsifikim të targave dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Operacioni ndaj këtij grupi u krye pasi raportimeve për vjedhje të ndryshme të kryera gjatë muajve Janar dhe Mars në provincat e Alicante-s, Albacete-s, Valencia-s dhe Murcia-s. Kjo shpërndarje gjeografike e grabitjeve bëri autoritetet të dyshojnë se grupi ndodhej në jug të provincës së Alicante-s.

Shumë shpejt u zbulua se hajdutët vepronin orët e para të mëngjesit në rrugët dytësore ku në disa prona industriale vidhnin kamionçina. Më vonë i përdorin këto të fundit për të shkatërruar bankomatet, ku merrnin paratë. Sipas autoriteteve spanjolle, ky grup është autor i të paktën 9 grabitjeve të kryera në disa zona të ndryshme.

Të premten e kaluar, ata kryen edhe grabitjen e fundit në Archivel të Murcia-s. Ky rezultoi dhe gabimi i tyre pasi atë mëngjes u arrestuan edhe shtatë anëtarët e bandës dhe u sekuestruan 48 mijë euro që ishin vjedhur në bankomat.

Pas një kontrolli në banesat e tyre, policia sekuestroi edhe 14.500 euro të tjera, makineri të ndryshme, 6 makina, maska për ski, xhaketa, kapuça dhe doreza, të cilat dyshohen se përdoreshin për të kryer krimet.

Pas arrestimeve ata u dërguan para gjykatës, ku 6 prej tyre u dënuan pa të drejtë lirimi me kusht, ndryshe nga spanjolli, i cili sipas autoriteteve kishte bashkëpunuar vetëm për grabitjen e makinave./abcnews.al

bravo.jpg
G. P.23:33 | 29/05/2019

Autoritetet spanjolle kanë zbardhur skemën se si operonte grupi i strukturuar kriminal nën drejtimin e ish-futbollistit të Real Madrid, Raul Bravo. Grupi përzgjidhte ndeshjet për t’u trukuar në fillim ose fund të sezonit.

Pas arrestimeve të fundit për fiksime dhe trukime rezultatesh, Policia e Spanjës ka zbardhur edhe skemën se si operonte ky grup i strukturuar kriminal me në krye Raul Bravon, ish-futbollistin e Realit.

Gjithsesi 5 ishin hapat që duhet të ezauroheshin deri në fitimin e shumave marramendëse. Sipas autoriteteve spanjolle Bravo me shokë kishin ndërtuar një skemë të qartë dhe të pakuptueshme, deri te detajet se si do të luheshin ndeshjet në kompanitë e basteve. Pëlqehej kombinimi i koeficienteve, në mënyrë që fitimi të ishte sa më i madh.

Së pari, bëhej përzgjedhja e ndeshjeve që do të luheshin në baste. Grupi preferonte më shumë ato në fillimin e sezonit, ose në fund për ta bërë më të lehtë trukimin e tyre. Më tej vendosej bashkërisht se si do të luheshin këto takime në baste. Preferoheshin më shumë rezultatet e kombinuara (rezultat i pjesës së parë dhe ai final, korne, etj). Hapi i radhës kishte të bënte me vendosjen e kontakteve, me procesin e ndërlidhjes me aktorët që do ta trukonin përballjen.

Vendoseshin kontaktet e para me pjesëtarët e klubeve që do të trukonin ndeshjet. Jo vetëm lojtarë, por edhe anëtarë të stafit teknik. Dhe sapo arrihej marrëveshja, duhet që grupi i strukturuar të paguante lojtarin që kishte marrë përsipër të trukonte ndeshjen (vetëm, ose në bashkëpunim me pjesën tjetër të skuadrës). Pagesa bëhej në dorë dhe në dy këste.

Kësti i parë përpara zhvillimit të ndeshjes dhe i dyti pasi gjërat të ishin bërë ashtu siç duhej dhe rezultati të dilte siç kërkohej. Grupi i organizuar merrte përsipër që të paguante të gjithë ata që do të përfshiheshin në trukim, të përzgjedhur nga kapiteni ose nga drejtuesit e klubit. Në fund pas realizimit të fiksimit të rezultatit, operohej me kompanitë për tërheqjen e lekëve dhe ndarjen sipas kontributeve./ABC News Albania 24/7

spanje.jpg
G. P.22:27 | 28/05/2019

Spanja është përfshirë nga një skandal i trukimit të ndeshjeve. Nën pranga kanë përfunduar drejtues klubesh dhe ish-futbollistë. Ndër të arrestuarit është edhe ish-lojtari i Real Madrid, Raul Bravo.

Spanja trondiet nga një skandal trukimesh i përmasave të mëdha. Autoritetet spanjolle kanë arrestuar shumë persona madje edhe figura të njohura të futbollit europian. Nën pranga kanë përfunduar disa drejtues klubesh, por edhe futbollistë.

Lajmi i bujshëm është arrestimi i ish-mbrojtësit të Real Madrid, Raul Bravo, i cili ka mbajtur veshur fanellën madrilene për plot 6 sezone. Ish-futbollisti i Realit konsiderohet përgjegjësi kryesor i grupit. Është arrestuar edhe Borja Fernandez, i cili është tërhequr nga futbolli vetëm pak kohë më parë.

Sezonin e kaluar u aktivizua me skuadrën e Valladolid president i së cilës është braziliani Ronaldo. Nën pranga ka përfunduar një ish-lojtar i formuar në akademinë e Real Madrid, Karlos Aranda ashtu sikurse Samu Ruiz dhe Inigo Lopez, i cili ka luajtur më parë me Atletiko Madrid.

Gjatë operacionit, policia ka bastisur zyrat e Hueskas ku është arrestuar presidenti Agustin Lasaosa dhe mjeku i skuadres Lanuza.  Të arrestuarit akuzohen për trukime ndeshjesh, korrupsion dhe pastrim parash./ABC News Albania 24/7

coutinho-1280x720.jpg
G. P.23:12 | 09/05/2019

Tifozët e Barcelonës kërkojnë largimin e Coutinho-s në merkaton verore. Inter interesohet për sulmuesin Sanchez.

Aleksis Sanchez po zhvillon një nga sezonet më të dobëta në karrierën e tij. Kiliani u transferua vitin e kaluar tek Manchester United dhe ka shënuar vetëm një gol në 20 takime. Për të ka shfaqur interes Interi në kampionatin italian, por paga është një problem për drejtuesit zikaltër. Ish-lojtari i Arsenal fiton plot 15 milionë euro në sezon që nuk mund të paguhet kurrsesi nga shoqëria zikaltër. Marrëveshja mund të arrihet në rast se futbollisti pranon reduktimin e pagës.

Tifozët e Barcelonës kërkojnë me çdo kusht largimin e mesfushorit Coutinho. Paraqitjet e brazilianit këtë sezon lënë për të deshiruar dhe nuk e ka justifikuar aspak shifrën e 120 mln euro që katalanasit shpënzuan për ish-lojtarin e Liverpool. Të paktë janë klubet që mund të pranojnë të paguajnë një shifër të tille për Coutinho-n, i cili ka humbur shkëlqimin që ka patur dikur në Angli.

Me paratë që do të përfitohen nga shitja e 26-vjeçarit, Barcelona do të investojë tek Griezman. Klauzola e francezit aktualisht është 200 milionë euro dhe do të ulet në 120 milionë në merkaton e verës. Mediat në Spanjë raportojnë se janë plot 9 futbollist që janë me valixhe në duar për t’i thënë lamtumirën kampionëve në fuqi të Spanjës. Dështimi në Champions për të katërtin sezon radhazi do të sjellë ndryshime rrënjësore në Camp Nou./ABC News Albania 24/7

zgjedhje-1.jpg
G. P.09:38 | 29/04/2019

Socialistët fituan zgjedhjet e përgjithshme në Spanje, ndërsa Partia Popullore shënoi rezultatin me negativ në historinë e saj. Për herë të parë që nga rënia e dikatorit Franko 40 vjet më parë, hyn në parlamentin spanjoll partia e ekstremit të djathtë. Por pas zgjedhjeve të djeshme asnjë koalicion nuk ka shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë.

Socialistët e PSOE-së, kanë fituar në zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë por pa një mazhorancë të qartë. Grupi i Pedro Sançez ka lënë prapa Partinë Popullore, Siudadanos, Podemos dhe ekstremin e djathtë Vox, por kjo e fundit për herë të parë hyn në parlament.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e lartë, 75 për qind. Nuk ka një mazhorancë të qartë për të krijuar qeverinë e re: partitë e të pavarurve mund të mbajnë dhe njëherë një rol të rëndësishëm në krijimin e aleancave. Blloku i së majtës në fakt, në mënyrë që të qeverisë do të ketë nevojë për mbështetjen e një pjese të lëvizjeve katalanase.

Socialistët kanë marrë 123 vende në parlament, të ndjekur nga popullorët me 66 vende, një shifër e përgjysmuar kjo në krahasim me vitin 2016. Partia e qendrës Siudadanos renditet e treta me 57 vende, e majta radikale Podemos e katërta me 35, deputetë, dhe për herë të parë ekstremi i djathtë Vox ka 24 deputetë duke tejkaluar çdo parashikim të sondazheve.

Katalanasit e ERC kanë 15 deputetë, partia e Puixhdemon 7, baskët e PNV 6 deputetë. Për momentin asnjë nga dy koalicionet e mundshme nuk ka mazhorancën absolute prej 176 vendesh. Dhe ata që do të përbëjnë ndryshimin mund të jenë dhe një herë më shumë, katalanasit që duan pavarësinë nga Spanja.

Pikërisht në Katalonjë, ndër të tjera, votuesit duket se i kanë kthyer shpinën ish presidentit Puixhdemon, aktualisht në azil në Beligjikë, duke preferuar të votojnë të majtën republikane, e cila është më e prirur për të dialoguar me Madridin. Partia drejtohet nga Oriol Junkueras, i cili ndodhet në burg me akuzën se shpalli në mënyrë të paligjshme pavarësinë e vendit pas referendumit të 2017-s.

Mbështetur në të dhënat e para, partia e Junkueras ka 14 deputet në parlamentin e ri spanjoll, ndërsa ajo e Puixhdemon vetëm 5. Lideri socialist Sançez, në fjalimin e tij të fitores u shpreh se me këtë votë i është dërguar një mesazh Europës dhe pjesës tjetër së botës. Mund të fitohet kundër autoritarizmit dhe Spanja do të ketë një qeveri pro europiane.

Partia socialiste fitoi të ardhmen me këto zgjedhje dhe humbi të kaluarën shtoi ai duke theksuar tre objektivat kryesorë të qeverisjes së tij: lufta ndaj pabarazisë, promovimi i bashkëjetesës, dhe lufta ndaj korrupsionit.

Sekretari i përgjithshëm i ekstremit të djathtë Vox, nga ana e tij paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi. Havier Ortega Smith në një fjalim para turmës në Madrid premtoi se çdo deputet i kësaj partie do të bëjë një opozitë të vërtetë dhe do të jenë të pandalshëm.

Atmosferë e vakët dhe e heshtur ajo në selinë e partisë popullore pas një rezultati mes më të këqinjve në historinë e këtij grupimi politik. Partia sheh të përgjysmuar numrin e deputetëve të saj.

Lideri 38 vjeçar Pablo Kasado shpresonte të risillte në jetë partinë objekt të skandaleve të korrupsionit. Ai u ka premtuar mbështetësve të tij se do të nisnin punën menjëherë dhe pavarësisht rezultatit negative asnjë nuk i mohon përgjegjësitë./abcnews.al

zgjedhjet-spanje.jpg
nev ila20:54 | 12/04/2019

Janë pesë partitë e mëdha në Spanjë që kërkojnë fitoren në zgjedhjet e 28 prillit. Dhe pse fushata elektorale sapo ka nisur, është e qartë se asnjë nga këto parti nuk do të mund të krijojë qeveri pa një aleat.

Nis fushata elektorale në Spanjë në kuadër të zgjedhjeve të 28 prillit. Një panoramë e pasigurtë politike me pesë parti të cilat duan fitoren, por asnjëra prej tyre nuk është në gjendje që të krijojë një mazhorancë të sigurtë. Të paktën sipas sondazheve të fundit.

Nëse do të konfirmoheshin të dhënat e deritanishme nga këto sondazhe, parti e parë do të ishte PSOE e kryeministrit në largim Pedro Sanchez. Ky i fundit u shpreh se një aleancë e mundshme mes tre partive të së djathtës, një ditë pas zgjedhjeve, do e çonte sërish vendin në kaos. Kjo sepse korrupsioni do të rikthehej në institucionet shtetërore për shkak të një partie e cila nuk është ende e pastër në radhët e saj, dhe këtë e tregojnë raportimet e përditshme në media, theksoi ai.

Pa një mazhorancë të qartë, krijohet mundësia për një marrëveshje me separatistët katalanas, ndërsa socialistëve do i mbeteshin votat e nacionalistëve baskë.

Blloku tremb gjithsesi popullorët e Kasados i cili u shpreh se e vetmja parti që mund  të fitojë përballë Pedro Sanchez është partia popullore: parti e qendrës së djathtë e cila mbron kushtetutën e vendit. Ai shtoi se partia e tij ka më shumë vota se blloku separatist aleat me komunistët dhe socialistët.

Socialistët shohin dhe mundësinë e një aleance me Podemos, e fortë nga sondazhet që parashikojnë se, mund të ketë deri në 30 deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Pra dhe në këtë rast do të jenë partitë e vogla ato që vendosin, si partia e ekstremit të djathtë Voks, që sipas sondazheve mund të marrë deri në 30 deputetë.

Por ka dhe nga ata që flasin për një aleancë të mundshme të Psoe me Siudadanos, pavarësisht se të dyja palët kanë nxituar të përgënjeshtrojnë këtë mundësi. Të paktën për momentin./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono