sot

REPORTAZH-MASAKRA-E-KRUSHES-ABCM2T1.mpg_snapshot_00.45-1280x720.jpg
ent ela13:20 | 29/09/2019

Një nga masakrat më të mëdha dhe më të egra gjatë luftës në Kosovës është ajo e Krushës afër Prizrenit. Ekipi i ABC News u takua me banoret gra, ato që ndërtuan jetën nga hiçi dhe janë ende në kërkim të njerëzve të tyre të zhdukur.

Masakra e Krushës njihet si më e madhja gjatë luftës në Kosovë në ‘99. Më shumë se 250 burra e djem të rinj u vranë nga paramilitarët serbë. Qindra nëna u lanë pa djem dhe po aq  gra të veja.

Njëra prej tyre është edhe Fahrije Hoti. Vetëm 28 vjeçe kur ia morën burrin. Sot e kësaj dite, ende nuk dihet gjë rreth fatit të tij. E kanë vrarë, është i burgosur apo çfarë tjetër ndodhi në mars të ’99-ës.

Gjatë rrugëtimit të saj, Fahrija mendoi se i vdiq edhe foshnja tre muajshe. E la atë në anë të rrugës. Pas pak minutash i ndjeu frymëmarrjen dhe e mori sërish në gji. Sot është 21 vjeç.

Për të harruar dhimbjen Faria nisi të mendojë sesi do të jetojë. Si të sjellë të ardhura për të rritur fëmijët e saj.

Ngriti një punishte për përgatitjen e zaireve me perimet e kopshteve të saj. Pa përvoje dhe gjithnjë në nevojë krijoi shoqatën e grave të Krushës. Mblodhi rreth vetes vejusha e të dhunuara.

Në fillim, thotë ajo, klientet blinin për lëmoshë e keqardhje.  Sot ato kanë krijuar tregun e qëndrueshëm. Produktet e tyre shkojnë në të gjitha shtetet e BE-së.

Në qendër të Krushës ndodhet memoriali me 300 varre të të masakruarve. Por ende qindra meshkuj të fshatit janë të zhdukur.

Mes të cilëve burri i Fahrijes dhe profesori me emër në Kosovë e më gjerë Ukshin Hoti.

Gazetar i ABC News, Kukës: Bujar Muçmata

/abcnews.al

juventus-napoli.jpg
nev ila15:48 | 31/08/2019

Juventus-Napoli është përballja e madhe e Serisë A ditën e sotme. Dy pretendentët kryesorë për titull ndeshen në orën 20:45 në stadiumin e Torinos, dhe vendasit janë favoritë, edhe pse me mungesa

Është padyshim derbi i Italisë i viteve të fundit.

Me gjithë respektin për Interin e Milanin, pa harruar Romën apo Lacion, ka qenë Napoli antiJuventusi në Itali, dhe do të përpiqet të jetë edhe sot, në përballjen e javës së dytë të Serisë A.

Luhet në stadiumin “Alianc” të Torinos, në shtëpinë e kampionëve që mendohet se janë favoritë, por që e kanë tepër të qartë se nuk do ta kenë të lehtë.

Në stol nuk do të kenë trajnerin Mauricio Sarri, i cili është i sëmurë me pneumoni dhe nuk po e merr veten.

Mungesë e rëndësishme edhe ajo e kapitenit Xhorxho Kielini, shënues i golit në fitoren në Parmë, por për të cilin është gati zëvendësuesi, një rezervë luksi si Matijs De Ligt.

Napoli nuk ka probleme të tilla, pasi Karlo Ançeloti i ka lojtarët , me një dyshim për polakun Milik.

“Do të jetë një ndeshje tepër e vështirë, – deklaroi trajneri napolitan, – ky duel do të tregojë se ku jemi me të vërtetë. Do të kemi përballë favoritët për titullin, dhe ne e dimë sesa i fortë është Juventusi, por ne kemi besim. Skuadra jonë është cilësore, dhe u forcuam edhe më shumë gjatë verës. Shpresojmë t’ia dalim mbanë dhe të nderojmë tifozët”.

Padyshim që derbi ishte lajmi kryesor i mediave sportive në Itali.

“La Gazeta delo Sport” bën lojë fjalësh:

“Kampionë në prerje”, duke ndryshuar vendin e një shkronje, pasi titulli mund të dilte “kampionë të Italisë”.

Media e shquar thekson diferencën në centimetra të skuadrave:

Juventus-Napoli, gjigandët përballë gjenive të vegjël!

“Il Korriere delo Sport:

Shumë shpejt, tronditje Kielini, Sarri mbetet jashtë. Në javën e dytë, Juve-Napoli kthehet në një sfidë plot me të papritura!

“Tutosport”: Kielini, nokaut, forca kapiten! De Ligt, të takon ty! S’ka stol për Sarrin, Ançeloti i lumtur që merr Jorenten!

Juventusi do të llogarisë edhe reagimin e zemëruar të Kristiano Ronaldos, pas golit të anuluar nga VAR-i javën e kaluar në stadiumin e Parmës./ABC News Albania 24/7

moti-i-nxehte-1280x716.jpg
nev ila14:45 | 12/08/2019

Vala e të nxehtit afrikan që ka goditur prej disa ditësh vendin tonë, kulmon sot që është parashikuar edhe si dita më e nxehtë e muajit gusht.

Temperaturat e ajrit sipas shërbimit “Meteoalb” në disa qytete i kanë kaluar 40 gradë celcius.

Në Gjirokastër vlerat e termometrit kanë shënuar 41.6 gradë, ndërsa në Elbasan 41 gradë.

Meteorologët thonë se temperaturat  ndihen 5 gradë më shumë në zonat urbane dhe ato pa bimësi.

Ndonëse pritet një rënie e lehtë e temperaturave, në vlerat 38 -39 gradë celcius, të martën, i nxehti përvëlues parashikohet të largohet nga vendi vetëm në mesin e javës.

Në pjesën më të madhe të territorit do të rikthehen reshjet e shiut ndërsa termometri do të shënojë katër gradë më pak.

Pjesën e dytë të gushtit sipas meteorologëve temperaturat në vend do të kthehen në vlerat tipike të muajit./ABC News Albania 24/7

gjykate-1280x702.jpg
Sej rie15:30 | 11/07/2019

I paligjshëm është konsideruar nga Apeli i Shkodrës ndalimi i ish-deputetit Bardh Spahia. Në seancën e sotme  u vendos masa detyrim paraqitjeje ndaj ish-deputetit. Spahia akuzohet se ka nxitur aktet e dhunshme të mbështetësve opozitarë ndaj godinës së KZAZ-së nr. 3 në Shkodër, pak ditë para zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Gjykata e Apelit të Shkodrës liroi ish-deputetin demokrat Bardh Spahia. Në seancën e drejtuar nga gjyqtarja Marina Rraboshta u vendos masa detyrim paraqitje për Spahinë pasi gjykata e konsideroi të paligjshëm ndalimin e tij.

Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa avokati mbrojtës Ivi Kaso kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-deputetit. Në sallën e gjyqit ishte edhe kryebashkiakja Voltana Ademi.

Pasi fitoi lirinë, Spahia u prit jashtë dyerve të Gjykatës nga simpatizantët e PD-së. Avokati i tij, Ivi Kaso deklaroi se policia ka kryer arrestimin e paligjshëm për ta frikësuar ish-deputetin për t’u tërhequr nga e drejta e tij për të protestuar.

Ish-deputeti demokrat ndodhej në arrest shtëpie. Ai u vu në pranga pas sulmeve që ndodhen në KZAZ nr.3 në Shkodër ku iu vu flaka materialeve zgjedhore. Ndaj tij rëndonin akuzat për veprat penale “Kundërshtim i punonjësve të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”./ABC News Albania

diber-1280x708.jpg
Sej rie13:01 | 30/06/2019

Kandidati i PS-së për Bashkinë e Dibrës Dionis Imeraj i bëri thirrje qytetarëve të japin votën e tyre pasi sot është një ditë feste.

“Sot është një ditë e veçantë, është një ditë feste, pasi çdo shqiptar ka të drejtën të japë mendimin e tij nëpërmjet votës. Ju bëj thirrje votuesve të vijnë patjetër të votojnë, sepse është suporti më i madh që i jepet familjes së tyre. Procesi po vazhdon normalisht dhe kështu do jetë. Dibranët dijnë gjithmonë të vlerësojnë mirë njerëzit”, tha Imeraj./abcnews.al

celsi.jpg
Sej rie11:00 | 29/05/2019

Luhet sot, në orën 21:00, finalja e Ligës së Europës. Arsenali dhe Çelsi përballen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndërsa atmosfera është tensionuar

Finalja angleze do të luhet këtu.

Arsenali dhe Çelsi ndeshen sonte në orën 21:00, në stadiumin “Olimpik” të Bakusë, për trofeun e Ligës së Europës.

Tifozë londinezë të të dyja skuadrave kanë vërshuar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, edhe pse e patën shumë më të vështirë sesa kudo tjetër.

Udhëtuan nga 5 orë e gjysmë deri në 27 orë, në varësi të biletave, ndërsa me ta u bashkuan edhe përkrahës nga vende të tjera.

Një tifoz I Çelsit udhëtoi gati 5 700 kilometra, përmes tre vendeve të ndryshme për të mbërritur në Baku.

Futbollistët e të dyja skuadrave kanë detyrimin të japin maksimumin dhe të fitojnë, edhe për të shpërblyer sakrifica të tilla.

Gjithsesi, për Çelsin punët nuk shkuan shumë mirë në seancën e fundit stërvitore në stadiumin e finales.

David Luiz e Gonzalo Higuain u përplasën gjatë gjithë kohës, në dyluftime të ashpra fizike dhe me nerva, diçka që duket se acaroi edhe trajnerin Mauricio Sarri.

Italiani, që e ka postin në dyshim, u largua duke protestuar nga fusha, ndonëse Çelsi sqaroi se kjo nuk ndodhi për shkak të zënkës së lojtarëve.

Blutë kanë në dyshim mesfushorin Kante, ndërsa mungojnë Hadson-Odoi, Loftus-Çik dhe Rydiger.

“Ne jemi gati për ta luajtur këtë finale, – ishin fjalët e trajnerit, – unë kam 22 lojtarë të bashkuar dhe të cilët unë I dua fort. Fillimisht e pata shumë të vështirë të kuptoja mentalitetin në Angli, por tani është ndryshe. Nuk dua të flas për të ardhmen, por vetëm për finalen”.

Nëse Çelsi dëshiron trofeun, për Arsenalin finalja ka edhe më shumë rëndësi, pasi vetëm fitorja do ta kualifikonte për në Champions sezonin e ardhshëm.

Presioni, pra pritet të jetë tepër I madh mbi të besuarit e trajnerit Unai Emeri.

“Topçinjtë” nuk do të kenë sulmuesin Mkitarian, që nuk udhëtoi dot në Baku, dhe të dëmtuarin Aron Ramsej, një problem I madh taktik për ta.

Një tjetër motiv për trofe për Arsenalin është edhe sedra, sidomos tani që skuadra e femrave u shpall kampione e Anglisë, diçka që djemtë kanë kohë që nuk e bëjnë.

“Kualifikimi për në Champions nuk do të na pengojë të luajmë futbollin tonë, – u shpreh trajneri Emeri, – synojmë titullin, dhe synojmë që shpejt të jemi ndër ekipet më të mirë të botës. Arsenali duhet të kthehet tek mentaliteti fitues, pasi kohët e fundit ka pasur vetëm futbollin e bukur”.

Disa tifozë të Arsenalit patën një të papritur në rrugët e Bakusë, pasi u ndalën nga policia azere.

Shkak duket se u bë fanela e armenit Mkitarian që mbanin veshur, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Për fat, oficerët e policisë, nuk I penguan gjatë tifozët, pasi morën udhëzime në radio.

E gjitha kjo nuk e pengoi atmosferën entuziaste, që krijohet para çdo finaleje.

Tifozë të Arsenalit e të Çelsit, banorë vendas dhe tifozë të ardhur nga gjithë bota, e kthyen në festë pragun e ndeshjes./ABC News Albania 24/7

european-commission-building-flags-780x439.jpg
Sej rie09:15 | 29/05/2019

Sot pritet të publikohet progres-raporti për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbi ecurinë e reformave të integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Komisioneri  evropian për zgjerimin Johanes Han do të prezantojë këtë raport përpara deputetëve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian rreth orës 11.00.

Më pas në orën 12,30 komisioneri Hahn dhe shefja e politikes se jashtme të BE, Mogherini, në një konferencë shtypi nga Brukseli do të prezantojnë progres-raportet për secilin nga vendet e Ballkanit dhe Turqinë. Pas ndjekjes drejtpërdrejt të kësaj konference në zyrën e delegacionit të BE në Tiranë, ambasadori Soreka do të shkojë në kryeministri në orën 15.00 për t’i dorëzuar progres-raportin e Komisionit Evropian shefit të qeverisë shqiptare. Më pas Rama dhe Soreka do të japin një konference shtypi në Kryeministri.

Ky progres-raport i Komisionit Europian i paraprin vendimit të Samitit të 20 dhe 21 Qershorit në Bruksel, për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Pak javë më parë në Tiranë shefja e politikës së jashtme Federika Mogerini tha se vendi ynë i ka përmbushur kushtet për negociatat, duke përmendur si shembull reformën në drejtësi./ABC News Albania 24/7

eb19ef7a-55b1-4be5-834d-65a8c4726a80.jpg
Sej rie13:20 | 15/05/2019

Trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, që humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, mbërriti sot në drekë në atdhe me një avion ushtarak. Nesër paradite, tek Muzeu Historik Kombëtar do të zhvillohen homazhe nderimi për oficerin e vrarë në Letoni, para se ai të përcillet për në banesën e fundit.

Major  Klodian Tanushi u nis drejt Letonisë 6 muaj më parë në krye të kontigjentit shqiptar në misionin e NATO-s. Por trupi i tij mbërriti në Rinas i pajetë, në një arkemort të mbuluar me flamurin kombëtar kuq e zi.

Arkemorti që mbante trupin e majorit ishte përcjelle me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e kontigjentit shqiptar ne Letoni.

Avioni ushtarak që sillte trupin e oficerit të vrarë në krye të detyrës në një tokë të huaj, u ul në aeroportin e Rinasit pak pas mesditës.

Ceremoni shtetërore dhe nderime ushtarake nga drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave tona të Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku, kolegë, familjarë e miq të ushtarakut të vrarë në krye të detyrës ishin të pranishëm.

Arkivoli me trupin e Major Tanushit, i mbuluar me flamurin kombëtar u mbajt në krahë nga kolegë të tij. Të enjten nga ora 10:00 deri në 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar do të zhvillohen homazhe nderimi, para se major Klodian Tanushi të përcillet në banesën e fundit.

Trupi i major Klodian Tanushit do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. 16 maji u shpall ditë zije kombëtare, në nder të major Klodian Tanushit, i cili u shpall njëherësh edhe dëshmor i atdheut.

Në incidentin e shpërthimit të minave gjatë misionit të NATO-s në Letoni, në datën 6 maj, humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj si dhe u plagos rreshteri, Julian Kapaj.

/ABC News Albania 24/7

gazment-bardhi-1-1280x743.jpg
Sej rie16:04 | 25/04/2019

Paralajmërimin për protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në 5 akse kryesore në vend e bëri sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi nga foltorja e selisë blu ku akuzoi kryeministrin për bllokim të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së.

Bllokimin e rrugëve, të organizuar nga opozita e bashkuar për pasditen e së enjtes në 5 akse kryesore të Shqipërisë, e njoftoi sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke hequr një paralele me bllokimin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-se, autor të së cilit identifikon kryeministrin Edi Rama.

“Opozita dhe qytetarët do të jenë sërish së bashku në të njëjtën kohë, për të demonstruar se një qeveri e paralizuar nga krimi dhe e krimbur nga korrupsioni i ka bllokuar Shqipërisë rrugën e saj europiane. Së bashku me mijëra qytetarë, ne do të ndalojmë makinat dhe do të kërkojmë që Kryeministri i votave të blera me paratë e bandave dhe krimit të organizuar të mos ketë më mundësi të shkatërrojë jetën e familjeve shqiptare, duke grabitur me babëzi të pakufishme çdo pasuri të këtij vendi”, tha Bardhi.

Për selinë blu, shqiptarët e kanë kuptuar skemën grabitëse të kësaj qeverie ndaj sot me ndalimin e makinave në gjithë Shqipërinë dhe nesër me ndalimin e zgjedhjeve false./abcnews.al

shqiperia-bruksel-1280x693.jpg
Sej rie10:40 | 24/04/2019

Në Bruksel po mbahet takimi në nivel teknik, i nënkomisionit BE-Shqipëri. Në focus, menaxhimi i kufijve e lufta kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës. Komisioni Europian prêt përgjigje të detajuara nga Shqipëria.

Sot zhvillohet në Bruksel takimi i nënkomisionit BE-Shqipëri për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në kuadrin e marrëveshjes së MSA-së. Në fokus të kolonës së parë mbi çështjet e brendshme është kapaciteti i qeverisë shqiptare për menaxhimin e kufijve, të dhënat që dispononohen mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar nga Shqipëria, si dhe bashkëpunimin me FRONTEX.

Nga ana tjetër, Komisionit Europian kërkon përgjigje mbi masat që kanë marrë autoritetet shqiptare për uljen e kërkesave të pabazuara të azilit të qytetarëve shqiptarë në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Çështja e luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës zë vend kyç në kolonën e parë të axhendës. Kërkohen përgjigjje të detajuara mbi masat që janë marrë nga qeveria shqiptare për të evituar ndryshimet e shpeshta për personat nën hetim në gjirin e personelit të policisë dhe si po zbatohet strategjia e planit të aksionit për armët e lehta. Komisioni Evropian ka kërkuar  statistika për gjurmën e provave lidhur me paditë dhe dënimet përfundimtare për luftën kundër krimit të organizuar.

Në të njëjtën linjë, është kërkuar informacion i detajuar mbi rezultatet e strategjisë kundër kanabisit dhe masat kundër rritjes së drogave të forta si heroina dhe kokaina, konfiskimin e aseteve kriminale dhe zbatimin e rekomandimeve të Moneyval. Në agjendë është përfshirë edhe bashkëpunimi lidhur me luftëtarët e huaj dhe masat kundër terrorizmit.

Kolona e dytë e takimit  i kushtohet reformës së drejtësisë, ku kërkohen të dhënat e fundit lidhur me ecurinë e ngritjes së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, SPAK dhe procedimit të dosjeve të Vettingut. Kolona e tretë e agjendës ka të bëjë me të drejtat themelore, që lidhen me aksesin në drejtësi dhe asistencën ligjore për grupet e ndjeshme, çështjen e reformës së pronave, lirisë së shprehjes dhe të medias, mbrojtjen e minoriteteve dhe politikave antidiskriminuese për grupe të ndjeshme të popullsisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono