sokol cikalleshi

edi-rejajj.jpg
G. P.11:53 | 11/09/2019

As edhe një fitore 4-2 nuk e kënaqi plotësisht trajnerin e kombëtares, Edi Reja. Italiani pati kritika për golat e pësuar, ndonëse u ndje i lumtur për reagimin e ekipit.

Doli krejt si papritur në zonën e intervistave. Vëmendja u zhvendos menjëherë nga Sokol Cikalleshi tek Edi Reja, por fillimisht, trajneri i kombëtares pati një ankesë pasi u pengua.

“Po si mund të vendoset kjo tavolinë këtu, për cilin është kjo tavolinë këtu? Epo mirë, le të flasim për ndeshjen”.

Pyetja e parë ishte pikërisht për Cikalleshin.

“Nëse ai dëshiron të luajë, duhet të shënojë gola, të ndihmojë mesfushën, dhe madje edhe mbrojtjen. Ndryshe, me mua nuk luan. Sokoli është i fortë, dhe mund t’ia dalë. Ka kohë që nuk luan në klubin e tij, por sot bëri 90 minuta , po ashtu luajti 30 minuta në Paris. Kjo, sepse ai është profesionist, kujdeset për veten. Por, duhet të përmirësohet, sepse humbi më shumë topa sesa duhet”.

Fitorja ishte çlirim, por Reja nuk u duk shumë entuziast, as plotësisht i kënaqur.

“Përtej 4 golave, për të cilët jam shumë i lumtur, nuk pranoj dot që të pësojmë dy gola. Nuk pranoj golin e pësuar në fillim të pjesës së dytë. Një skuadër e mirë nuk pëson gol të tillë, sepse e rrezikuam veten seriozisht. Kjo, sepse Islanda ka cilësi fizike superiore ndaj nesh. Sidoqoftë, lojtarët u treguan të zotët që ruajtën zotërimin e topit”.

Pavarësisht kritikave, italiani e vlerësoi lart skuadrën e tij.

“Nuk më intereson edhe aq fitorja, por më intereson shpirti i garës që tregoi skuadra, reagimi që ajo bëri, dëshira për të fituar. Luftoi për çdo top, dhe është pikërisht kjo që tregon se je skuadër. Suksesi im si trajner ishte ky, që lojtarët reaguan, dhe që kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin, që punojnë shumë mirë. Nuk më interesoi shumë fitorja, por fryma dhe uniteti që u rikthyen. Kjo do të thotë se jemi një skuadër”./ABC News Albania 24/7

cikalleshi.jpg
G. P.14:45 | 29/08/2019

Sokol Cikalleshi mund të transferohet në Serinë A të Italisë. Sulmuesi i kombëtares pëlqehet nga klubi i Leçes.

Nuk është aspak i vjetër, por zakonisht kulmi profesional arrihet më shpejt. Duket se është rezervuar në moshën 29-vjeçare që Sokol Cikalleshi të luajë në një nga 5 kampionatet më të fortë të botës, në atë italian.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare pëlqehet nga Leçe, një klub ndoshta jo i madh, por gjithsesi pjesë e Serisë A.

Drejtori sportiv i puljezëve, Mauro Meluzo, kërkon të forcojë ende një skuadër që ka nevojë të përballojë nivelin elitar dhe njëri prej emrave që ka në tavolinë, është edhe ai i shqiptarit.

Leçe dëshiron të mbijetojë në Serinë A, por nuk do ta ketë aspak të lehtë siç e tregoi humbja 0-4 në fushën e Interit, ndërsa trajneri Fabio Liverani ka nevojë për alternativa në mbrojtje e në sulm.

Kavajasi luan që prej vitit 2015 në Turqi, ku ka veshur fanelat e Istanbul Bashaksehirit, Akhisarit, Osmanlisporit e Gëztepesë, ndërsa ka pasur përvojë në Kroaci me Splitin dhe në Korenë e Jugut.

Në Shqipëri, u aktivizua me katër skuadra, Besën, Skënderbeun, Tiranën e Kukësin. Në total, ai ka luajtur gati 300 ndeshje për klubet dhe ka shënuar gati 90 gola. Me kombëtaren ka 31 ndeshje e tre gola, që nga viti 2010, duke qenë sërish njëri nga sulmuesit kryesorë, me trajnerët Kuzhe, De Biazi apo Edi Reja./ABC News Albania 24/7

kombetarja.jpg
G. P.21:13 | 27/07/2019

Disa prej futbollistëve të kombëtares shqiptare të futbollit janë në udhëkryq sa i përket të ardhmes. Situata është mjaft e komplikuar për Hysajn dhe Sadikun .

Shume prej futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë janë me valixhe në duar. E ardhmja e tyre është në pikëpyetje dhe situata e krijuara mund të ndikojë negativisht edhe në kombëtare.

Një nga futbollistët më të lakuar sa i përket të ardhmes është mbrojtësi Elseid Hysaj. Futbollisti i Napolit ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga klubi italian dhe destinacionet nuk mungojnë.

Pengesa e vetme që mban peng të ardhmen e futbollistit shkodran është kërkesa e Napolit. Bardhekaltërit kërkojnë plot 25 milionë euro për futbollistin e kombëtares ndërkohë që skuadra më e interesuar për anësorin e djathtë, Atletiko Madrid është ndalur në 15 milionë. E ardhmja e 25-vjeçarit është në udhëkryq.

Bomberi i kombëtares, Armando Sadiku pritet t’i japë fund aventurës në Spanjë tek Levante. Trajneri Pako Lopez nuk e ka aktivizuar sulmuesin në asnjë prej takimeve miqësore dhe i ka komunikuar se nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ardhshëm. Sadiku ka oferta nga kampionati turk, por kërkon të qëndrojë në Spanjë.

Balliu, Ajeti, Grezda dhe Aliji janë në kërkim të një aventure të re dhe situata është mjaft e ndërlikuar.

Mesfushori Ergys Kaçe është rikthyer tek Paok pas huazimit njëvjeçar tek skuadra e Panathinaikos, por e ardhmja mbetet e paqartë. Nuk dihet me siguri nëse shtatshkurti do të shitet përfundimisht apo do të qëndrojë tek Paok që zotëron kartonin e futbollistit.

Qendër mbrojtësi i kombëtares Kastriot Dermaku u transferua në Serinë A tek skuadra e Parmës. Një ngjitje e jashtëzakonshme në karrierën e futbollistit shqiptar, por nuk dihet ende nëse do të luajë sezonin e ardhshëm tek klubi italian apo do të huazohet diku tjetër për të luajtur me tepër pasi tek Parma nuk e ka të sigurtë vendin e titullarit.

Sokol Cikalleshi mund të largohet nga Turqia ku aktivizohet prej katër sezonesh. Aventura në futbollin turk është shoqëruar me ulje ngritje për sulmuesin e kombëtares.

Kristal Abazaj, një ndër emrat më të lakuar në Shqipëri, i cili konsiderohej si e ardhmja e sulmit të kombëtares mund të rikthehet tek Anderleht në Belgjikë ose të vijojë edhe për një tjetër sezon tek Osijek në futbollin kroat. Futbollisti shqiptar nuk përmbushi pritshmëritë tek Anderlehti dhe e ardhmja është në dyshim./ABC News Albania 24/7

cikalleshi.jpg
G. P.12:59 | 08/02/2019

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi ka shënuar 2 gola në ndeshjen e Kupës së Turqisë. 28-vjeçari ishte vendimtar në fitoren që Akhisaspor arriti ndaj Kasimpasa.

Sokol Cikalleshi vazhdon të shënojë në Turqi. Sulmuesi i kombëtares kuqezi u transferua në merkaton e Janarit tek skuadra e Akhisasport, një lëvizje që i garantoi 28-vjeçarit rolin e titullarit.

Sulmuesi kavajas realizoi një dopietë personale në ndeshjen e Kupës së Turqisë, ku Akhisarsport fitoi me shifrat 3-1 përballë Kasimpasa. Goli i parë për Cikalleshin erdhi në minutën e 41. Sulmuesi shtatlartë fiton duelin me mbrojtësin kundërshtar duke realizuar një gol mjaft të bukur me kokë.

Gjithsesi futbollisti i kombëtares nuk ndalet me kaq pasi në fillimin e pjesës së dytë realizoi një gol të mrekullueshëm duke marrë edhe duartrokitjet e publikut vendas. Dy golat e tij e ndihmuan skuadrën e Akhisaspor që arriti një fitore me mjaft peshë.

Forma e mirë që po kalon Cikalleshi është një lajm pozitiv edhe për kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjeve eliminatore të Euro 2020 që do të startojnë në muajin Mars./abcnews.al

shqiperia.jpg
G. P.13:06 | 02/11/2018

Lojtarët e ekipit përfaqësues shqiptar po tregohen aktivë në ligat europiane. Cikalleshi shënoi gol, ndërsa Aliji gjeti skuadrën e tij të re.

Edhe dy lajme të mira për kombëtaren. Një tjetër futbollist shënon, ndërsa dikush gjen ekipin e ri. Sokol Cikalleshi realizoi rrjetën e parë për skuadrën e tij të re, Gëztepe, në Turqi, në një fitore të thellë për kupë. Sulmuesi i ekipit përfaqësues ishte autor i golit të tretë të Gëztepesë që fitoi 4-0 në fushën e vet ndaj Çengelkojsporit.

Futbollisti 28-vjeçar shpreson të ketë sukses në karrierën e tij në Turqi, ku më parë luajti për Istanhul Bashaksehirin, Akhisarin dhe Osmanlisporin. Lajmi i dytë i mirë është për Naser Alijin, i cili ishte i fundit ende i pasistemuar.

Aliji duket se do të mbyllë periudhën e vështirë të kombëtares shqiptare, me mjaft lojtarë pa skuadër, pasi edhe ai e gjeti të vetën. Mbrojtësi i majtë do të jetë pjesë e Dinamos së Bukureshtit, klubit të shquar rumun ku dikur luajti Sulejman Demollari.

24-vjeçari u largua nga Italia kur Virtus Entela ra në kategorinë e tretë, ndërsa në të kaluarën luajti për Bazelin e Vaducin në Zvicër dhe Kaizerslauternin në Gjermani. Trajneri i Dinamos së Bukureshtit, Mirçea Redniç, deklaroi se do të sillte përforcime në skuadër, pas eleminit të turpshëm në Kupën e Rumanisë.

Aliji ka pasur probleme për një kohë të gjatë për të gjetur skuadrat, ndonëse është përkrahur nga trajneri i kombëtares, Panuçi.

Duke mbetur në Rumani, ndërkaq, një tjetër lojtar i kombëtares shënoi gol, dhe ky ishte Azdren Llullaku që realizoi në fitoren 4-3 të ekipit të tij, Astra Xhurxhu, në Kupën e Rumanisë ndaj Universitateas së Kluzhit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono