skripal

100701285_skripal_comp-1.jpg
ad min13:15 | 09/10/2018

Një media britanike ka zbuluar idenditetin e vërtetë të personit të dytë, të akuzuar se ka kryer sulmin me agjent nervor, ndaj ish spiunit rus Sergej Skripal. Ai është një doktor, i cili punon për inteligjencën ushtarake të Kremlinit.

Emri I të dyshuarit të dytë të rastit në Salisbury ku ish spiuni rus Sergej Skripal dhe e bija Julia u helmuan me agjent nervor Novichok, është Aleksandër Mishkin. Kjo bëhet e ditur nga BBC që citon uebsajtin investigativ “Bellingcat”.

Raportohet se personi në fjalë ka udhëtuar me emrin e rremë Aleksandër Petrov dhe në të vërtetë është një doctor ushtarak, i cili punon për Inteligjencën Ushtarake Ruse, GRU. Muajin e kaluar, “Bellingcat” zbuloi idenditetin e vërtetë të dyshuarit të parë Anatolju Çepiga. Megjithatë këto pretendime janë mohuar nga Rusia.

Ish spiuni Skripal dhe e bija u helmuan në muajin mars të këtij viti. Uebsajti investigativ britanik ka idendifikuar dy autorët e dyshuar duke përdorur dëshmi nga të njohurit e tyre dhe ka skanuar kopje të letrave të identifikimit.

Thuhet se pasaporta e vërtetë dhe ajo false, me të cilën udhëtoi për në Mbretërinë e Bashkuar me emrin Aleksandër Petrov, mbanin të njëjtën datë lindjeje.

“Bellingcat” pretendon se ai është rekrutuar nga inteligjenca ruse ndërsa po përfundonte studimet për mjekësi. Ai ka zhvilluar udhëtime të ndryshme në Ukrainë, përfshirë periudhën e trazirave në 2013. Autoritetet britanike nuk kanë komentuar zbulimin e agjencisë investigative.

Sergej Skripal, i cili i ka shitur sekrete inteligjencës britanike, dhe e bija e tij i mbijetuan helmimit me noviçok me 4 Mars. Vetë, personat e akuzuar zyrtarisht nga shteti britanik, në një intervistë për Russia Today konfirmuan vizitën në Salisbury në datën e sulmit, por mohuan çdo përfshirje./abcnews.al

PUTIN-SKRIPAL-1280x620.jpg
ent ela13:25 | 04/10/2018

Presidenti rus Vladimir Putin ka sulmuar ashpër ish spiunin Skripal të helmuar gjatë një tentative për vrasje në Salisbury të Britanisë. Shefi i Kremlinit thotë se ai nuk është aktivist për të drejtat e njeriut, por tradhëtar dhe mashtrues.

Presidenti rus Vladimir Putin ka sulmuar ashpër Sergej Skripal, ish-spiunin sovjetik të helmuar marsin e këtij viti në Angli, duke e quajtur atë një “mashtrues” dhe “një tradhtar të atdheut”. “Unë shoh se shumë prej jush mendojnë se Skripal ishte një lloj aktivisti për të drejtat e njeriut”, tha Putin gjatë një takimi të Energjisë në Moskë. “Ai ishte vetëm një spiun, një tradhtar i atdheut. Ekziston ky koncept – tradhtar i atdheut. Ai është njëri prej tyre. Ai është një mashtrues dhe kjo është e gjitha”, shtoi shefi i Kremlinit.

Marsin e këtij viti, Sergej Skripal dhe vajza e tij Julia u gjetën pa shenja jete në një stol në qytetin Salisbury në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas autoriteteve britanike, babai dhe vajza janë helmuar me agjent nervor Novichok. Dhe pas sulmit të parë kimik në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore është Rusia. Moska, nga ana tjetër, gjithmonë ka mohuar përfshirjen e saj.

Londra gjithashtu identifikoi dy agjentë të dyshuar të shërbimeve të inteligjencës ushtarake GRU si autorë të sulmit, të cilët në një intervistë me Russia Today, pranuan se ishin në Salisbury në ditën e tentativës për vrasjen e Skripal, por pretendojnë se ishin vetëm “me pushime”. Gjithashtu nuk pranojnë se janë agjentë të inteligjencës ushtarake. Marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme: incidenti ka shkaktuar dëbime të ndërsjellta të diplomatëve. /abcnews.al

rt.png
ad min22:59 | 30/09/2018

Pak kohë pas identifikimit të autorëve të sulmit me agjent nervor në Salsibury, Londra ka paralajmëruar Moskën se do ta paguajë shtrenjtë nëse vijon me praktikat e saj frikësuese dhe nuk luan sipas rregullave ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ka paralajmëruar të dielën Rusinë se do ta paguajë shtrenjtë nëse vazhdon me aksionet e saj agresive, që bien ndesh me rregullat ndërkombëtare. Paralajmërimi ka ardhur pasi autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar akuzuan më herët gjatë muajit dy agjentë të shërbimit sekret ushtarak rus GRU për helmimin e ish-oficerit Sergei Skripal dhe së bijës Julia, më 4 Mars në Salisbury.

“Qeveria konservatore e Britanisë ka një mesazh fare të thjeshtë për Kremlinin, nëse përpiqeni të frikësoni këtë vend me veprimet tuaja, nëse përdorni armë kimike dhe nëse nuk luani sipas rregullave ndërkombëtare çmimi që do të paguani do të jetë shumë i shtrenjtë”, ka deklaruar Hunt.

Ministri ka paralajmëruar më tej se shumë shpejt agjencitë britanike të inteligjencës do të asgjësojnë një rrjet spiunazhi të GRU-së ruse. Pak ditë më parë, një nga personat e akuzuar për helmimin e Skripal dhe së bijës me agjent kimik Noviçok u identifikua si një oficer rus, i nderuar me medalje nga presidenti Vladimir Putin.

Personi në fjalë u identifikua me emrin Ruslan Boshirov dhe rezulton të ketë marrë pjesë në luftrat në Çeçeni dhe në Ukrainë dhe në vitin 2014 është shpallur “Hero i Federatës Ruse”. Por presidenti Putin në fillim dhe zëdhënësi i tij më pas deklaruan se Boshirov është civil dhe se e kishte vizituar Anglinë si turist./abcnews.al

shampanje-e1526641948876.jpg
ad min10:00 | 28/09/2018

Njëri prej të dyshuarve për rastin Skripal, është agjent i inteligjencës ruse, i cili është dekoruar në 2014-n nga presidenti Vladimir Putin me dekoratën “Hero i Rusisë”. Kështu shkruan BBC, duke cituar një investigim të një uebsajti ndërkombëtar. Sipas medias britanike, i dyshuari, i cili ka përdorur emrin Ruslan Boshirov, në të vërtetë quhet Anatolju Çepiga.

Shtetasi rus i akuzuar nga autoritetet britanike për sulmin në Salisbury është një officer ushtarak që ka marrë një nderim nga Vladmir Putin. Kështu shkruan BBC duke cituar investigimin e një agjencie ndërkombëtare. Pas tentativës për helmimin e ish spiunit rus Sergej Skripal dhe të bijës Julia në Mars, hetuesit e Mbretërisë së Bashkuar identifikuan njëri prej dy të dyshuarve si Ruslan Boshirov. Megjithatë presidenti Putin tha më herët se Boshirov ishte civil dhe i dyshuari në Russia Today pranoi se ka vizituar qytezën Salisbury si turist.

Por uebsajti “Bellingcat” thotë se aktualisht ai është një officer i inteligjencës dhe quhet Kolonel Anatoliy Chepiga. Ai ka shërbyer në Çeçeni dhe Ukrainë dhe është nderuar me titullin “Hero i Federatës Ruse” në 2014. Zyrtarët britanikë nuk kanë komentuar ende lidhur me zbulimet, por BBC mëson se nuk ka asnjë dyshim për identifikimin. Zëdhënsja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova përgënjeshtroi pretendimet e reja, duke thënë se nuk ka asnjë provë për këtë.

Ish spiuni rus, Sergej Skripal, i cili i ka shitur sekrete inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar, dhe vajza e tij u helmuan me agjent nervor Novichok. Të dy mbijetuan, por Dawn Sturgess – një banore në Salisbury jo e lidhur me sulmin fillestar – ndërroi jetë në KOrrik pasi u ekspozua ndaj së njëjtës substancë. Dyshohet se Chepiga udhëtoi për në Britani me një pasaportë false, sëbashku me bashkombësin e tij, i cili përdori emrin Alexander Petrov.

39-vjeçari është trajnuar në një nga akademitë e elitës së Rusisë dhe ka shërbyer në një njësi të forcave speciale nën komandën e Shërbimit të Inteligjencës së Rusisë, GRU. Ai ka fituar më shumë se 20 çmime për shërbimin e tij. Ai besohet se është transferuar në Moskë rreth 2009-s, ku i është dhënë një idenditet fals si Ruslan Boshirov. Ai ka punuar si i infiltruar për 9 vite./abcnews.al

livitenko.jpg
ad min09:41 | 21/09/2018

E veja e një ish agjenti të KGB-së, që u helmua me lëndë radioaktive në vitin 2006, thotë se përgjigja e menjëhershme mjekësore dhe diplomatike e Britanisë ndaj sulmit me agjent nervor ndaj ish spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, tregon për përmirësim në trajtimin e situatave të ngjashme nga zyrtarët britanikë.

Rasti i Skripalëve shpesh është krahasuar me atë të Alexander Litvinenkos, ish oficerit të KGB-së të shndërruar në agjent britanik dhe kritik të hapur të presidentit rus Vladimir Putin.

Litvinenko u nda nga jeta më tepër se një dekadë më parë, me një vdekje të mundimshme, disa ditë pasi kishte pirë çaj, ku i kishin hedhur lëndën radioaktive helmuese polonium-210, në një hotel të Londrës. Mjekëve britanikë iu desh kohë e gjatë ta identifikonin substancën që shkaktoi vdekjen e tij.

Në një intervistë për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, Marina Litvinenko, e veja e Aleksandrit, u pyet nëse zyrtarët britanikë të sigurisë kishin bërë sa duhet për të parandaluar, ose të paktën për t’u përgatitur për një sulm të ngjashëm.

Ajo tha se kur mësoi, që një tjetër ish spiun rus, ishte sëmurur rëndë në mënyrë misterioze në Britani – Skripali dhe vajza e tij u gjetën pa ndjenja në një stol në qytetin Salisbury të Anglisë marsin e kaluar – ishte ndjerë e shokuar dhe “tepër e dëshpëruar”.

“Por në këtë rast, gjithshka ishte ndryshe, nuk kishte nevojë të shpjegoje se ç’po ndodhte” – tha ajo.

Kur bashkëshortin e saj e patën shtruar në spital, në nëntor të vitit 2006, mjekët fillimisht patën thënë se helmimi kishte ndodhur për shkak të një viroze të rëndë në stomak, ose ngaqë mund kishte gëlltitur një kimikat. Marina tha se përpjekjet e saj të vazhdueshme, për të shpjeguar mundësinë e një tentative të maskuar për vrasje, kishin shkuar në vesh të shurdhët.

“Mjekët nuk kishin fare idenë përse flisnim ne. Kur u përpoqëm të shpjegonim se ne nuk ishim thjesht refugjatë politikë, por se Aleksandri kishte patur një konflikt serioz me një agjenci speciale të zbulimit rus, reagimi i tyre ishte sikur ne jetonim në një planet tjetër. Jo se nuk na besonin – ata thjesht nuk ishin në gjendje të kuptonin se përse bëhej fjalë,”- tha Marina.

Në rastin e Skripalit, megjithatë, “nuk ishte e nevojshem të shpjegohej se ç’po ndodhte”, pjesërisht për shkak të statusit të tij zyrtar në raport me autoritetet britanike. Zonja Litvinenko tha se ndryshe nga rasti i saj, që e kishte informuar zbulimin britanik në kapacitet jo-zyrtar, Skripali, kishte marrë azil në kuadrin e shkëmbimit të spiunëve, që do të thotë se zyrtarët e sigurisë dhe analistët mjeko-ligjorë ishin shumë më mirë të përgatitur për të kuptuar skenën e krimit dhe për të përcaktuar skenarin që mund të kishte ndodhur.

Konfirmimi i menjëhershëm i të kaluarës së Skripalit, thotë ajo, po ashtu i përgatiti specialistët e mjekësisë të shqyrtonin mundësinë e përdorimit të ndonjë substancë jashtëzakonisht të rrallë.

“Nuk kishte nevojë të provohej se kush donte ta helmonte Skripalin, apo arsyeja përse.” – tha ajo, duke shtuar se: “Megjithëse nuk ishte e informuar për ndonjë mekanizëm zyrtar për mbrotjen e spiunëve të arratisur nga përpjekje për t’u helmuar në të ardhmen, Britania e Madhe ka treguar se ka nxjerrë mësime nga ky rast.”

Përgjigja diplomatike

“Vetëm një javë pas helmimit të Skripalëve, pati një reagim tërësisht të ndryshëm nga ai në rastin tonë” – tha në intervistën për Zërin e Amerikës zonja Litvinenko. “Kryeministrja Theresa May bëri një deklaratë publike mjaft të ashpër, por do të ishte gabim të thuhej se ajo e akuzoi menjëherë Rusinë. Nuk ndodhi kështu. Ajo tha thjesht se kishte dyshime dhe se ishte e rëndësishme që Rusia të sillte menjëherë fakte se nuk e kishte kryer ajo helmimin. Dhe çfarë pamë? Përgjigje të zemëruara nga zyrtarët rusë, që thonin se rusët nuk kishin të bënin aspak me këtë rast”.

Ndërsa Britania filloi një hetim zyrtar për sulmin kimik të Salisbury-it, për të cilin ekspertët zbuluan se ishte kryer me një agjent nervor të periudhës sovjetike, të quajtur “Novichok”, Rusia, tha zonja Litvinenko, nuk pranoi të diskutonte mundësinë e ndarjes së informacioneve, që mund të kërkonte që ekspertët e huaj të kërkonin në laboratoret e armëve kimike të Rusisë.

“Pastaj erdhi një reagim ndërkombëtar”, – tha Litvinenko. “Mënyra se si Britania pati menjëherë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së; dëbimi masiv i diplomatëve ishte mbresëlënës. Asgjë e ngjashme nuk ndodhi pas helmimit të burrit tim. Po ashtu, mënyra se si Britania filloi të trajtojë paratë e investitorëve rusë: invesimet e mëdha ruse tani verifikohen dhe trajtohen me seriozitet të madh. Kjo është e rëndësishme të kuptohet…që njerëzit që përfitojnë nga regjimi rus nuk duhen prauar në vendet e civilizuara, thjesht si njerëz që kanë para.

Nuk dua aspak të them që të gjithë nejrëzit me para janë hajdutë. Por kur themi se ky regjim përbën kërcënim dhe këta njerëz bëjnë shumë para, thjesht ngaqë kanë lidhje me regjimin dhe jo ngaqë janë të talentuar, jo ngaqë kanë krijuar bizneset e veta…këta njerëz duhet ta kuptojnë se nuk mund t’i shpenzojnë paratë e tyre – para të vjedhura, në se më pyesni mua, në Amerikë, apo në Europë.”- tha Marina Litvinenko.

Tregjet e pasurisë së patundshme në Londër, Nju Jork dhe Miami, janë që të gjitha, edhe pse në nivele të ndryshme shqyrtimi, të njohura për transaksione në shuma të pazakonta parash, që hyjnë në mënyrë anonime përmes kompanive-fantazmë, që realizojnë pastrim parash; ato shpesh zbulohen se i përkasin investitorëve të pasur nga Rusia, ose nga ish republikat sovjetike.

Rusia ka mohuar me forcë të ketë patur rol në sulmet në tokën britanike, një mohim që ka patur edhe familjarë të të dy viktimave që ta kenë mbështetur.

Për shembull, në vitin 2012, Walter Litvinenko, babai i spiunit të helmuar rus, u shfaq në televizionin rus RT, në krah të Andrei Lugovoit, personi që Britania e akuzoi se i kishte helmuar të birin, për të mohuar idenë e shprehur më parë, se djalin ia kishte vrarë zbulimi rus, me urdhër të drejtpërdrejtë të Vladimir Putinit.

“Unë mendoj se Walterin e përdorën,” i tha Marina Zërit të Amerikës. “Ai sapo kishte humbur të shoqen. Ndodhej në një situatë financiare të vështirë, në mërgim, në Itali. Unë mendoj se zyrtarët rusë të zbulimit i kishin thënë se Aleksandri kishte bashkëpunuar me agjentët britanikë, duke i dhënë atij kështu një justifikim për t’u kthyer në Rusi dhe t’i lutej presidentit që ta falte.”

Gjatë të njëjtit emision televiziv, që u transmetua edhe nga televizioni shtetëror rus “Channel One”, babai i Litvinenkos, i cili kishte qenë mjek në një nga gulagët e periudhës sovjetike dhe tani banonte në një pallat për të moshuarit në Moskë, i cilësoi të arratisurit rusë në Britani, “pengje” të agjencive perëndimore të spiunazhit.

Lugovoi, të cilin Rusia ka refuzuar për një kohë të gjatë që ta ekstradojë, fajësoi për vrasjen e Litvinenkos në vitin 2006 Alexander Goldfarin, mik i afërt i Litvinenkos, për të cilin ai tha se ishte oficer kundërzbulimi i CIA-s i ngarkuar me detyrën për të punuar me operativët rusë.

Rreth një vit para intervistës në televizionin RT, Lugovoi u bë anëtar I parlamentit rus, Dumës, duke përfaqësuar Partinë Liberal-Demokrate, aleate e Kremlinit, duke siguruar kështu imunitet për jetë nga ndjekja ligjore në vendin e tij.

Goldfar kohët e fundit ngriti padi për shpifje në një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara, ku akuzonte të dyja rrjetet ruse, RT dhe Channel One, se kishin transmetuar qëllimisht raporte çorjentuese lidhur me rrethanat e vdekjes së Litvinenkos. Në aktakuzë thuhet se mbulimi nga televizioni RT i rastit të Skripalit, që vazhdimisht prek vrasjen e Litvinenkos, është pjesë e një fushate të motivuar politikisht nga Kremlini, për të shmangur përgjegjësinë e autorëve të vërtetë të të dy sulmeve.

Padi për shpifje

Përfaqësues të televizionit RT bënë një deklaratë publike, ku thuhej se janë në procesin e rishikimit të ankesës.

Në fillim të vitit, Viktoria Skripal, mbesa e spiunit të helmuar në Salisbury, foli disa herë në radiot ruse, duke shprehur skepticizëm lidhur me mënyrën se si Britania e trajtoi hetimin e xhaxhait të saj, duke lënë të kuptohet se agjencia britanike e zbulimit, MI5, e kishte manipuluar kushërirën e saj, Yulia-n, e cila kishte refuzuar ofertën për ndihmë nga ambasada ruse në Londër, pasi ishte helmuar së bashku me të atin.

Më 3 korrik, mbesa e Skripalit, u shfaq në televizionin rus, për të njoftuar se kandidatura e saj për zgjedhjet e Dumës në rajonin Yaroslavl, ishte mbështettur nga partia pro-Kremlinit “Just Russia”.

“Këto veprime vazhdojnë të bëjnë agjencitë ruse të zbulimit”, – i tha Zërit të Amerikës zonja Litvinenko. Ajo shpjegoi se në komunitetin rus të spiunazhit, ka qenë një metodë e zakonshme kundërvënia e anëtarëve të së njëjtës familje ndaj njeri tjetrit.

“Ata gjejnë një person që mund të ndikohet me lehtësi, që i kupton përfitimet e pozicionit të vet.” – tha ajo. “Si Viktoria, edhe Walter Alexandrovich, ndodheshin në situatë të vështirë, kështuqë atyre ju dha mundësia për ta përmirësuar atë. Tani të dy ata kanë rroga dhe

Walter Alexandrovich ka edhe një apartament në Moskë. Ndërsa Victoria Skripal do të kandidojë për Dumën e Yaroslavlit.” Marina Litvinenko shtoi me një ton sarkastik. “Ky është një fillim i shkëlqyer për karrierën e saj.”/Zëri i Amerikës

RUSET-FLASIN-PER-SULMIN_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.29-1280x729.jpg
ad min09:14 | 14/09/2018

Dy rusët e akuzuar nga Londra për sulmin ndaj ish-spiunit rus Skripal dhe të bijës nuk kanë pranuar se qëndrojnë pas këtij atentati. Ata u shprehën për Russia Today se udhëtuan për në Britani për turizëm.

Dy rusët e akuzuar nga Londra për helmimin e ish spiunit rus në Mbretërinë e Bashkuar kanë thyer heshtjen dhe kanë folur për mediat vendase. Të identifikuar si Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, thanë për Russia Today se ishin thjeshtë turistë në Britani, ndërsa në Salisbury kishin shkuar vetëm për të parë dhe ishin kthyer brenda një ore në Londër. Ata akuzohen nga Mbretëria e Bashkuar se janë përpjekur të vrasin ish spiunin rus, Sergej Skripal dhe vajzën e tij Julia në Mars. Londra i ka përshkuar ata si agjentë të shërbimit inteligjent të ushtrisë së Rusisë, GRU.

“Qyteti ishte i mbuluar nga ngricat. Ne u lagëm, dhe pastaj morëm trenin më të afërt dhe u kthyem për në Londër”, u shprehen për Russia Today. Shërbimi Mbretëror i Prokurorisë në Britani thotë se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar dy shtetasit rusë, të cilët kanë udhëtuar nga Moska për në Londër me 2 mars me anë të pasaportave ruse.

Dy ditë më pas, thotë policia, ata spërkatën agjentin nervor Novichok në derën e jashtëme të shtëpisë së Skripal në qytezën Wiltshire në Salisbury, përpara se të ktheheshin për në Rusi po atë ditë. Në intervistë ata konfirmuan emrat e tyre si Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, gjithashtu dhe se mund të kenë kaluar afër banesës së Skripal, por mohuan të kenë kryer sulmin.

Të mërkurën, presidenti Vladimir Putin tha se “dy të akuzuarit nuk kanë kryer asgjë kriminale. Ndërkohë, Skripal dhe e bija u lënduan rëndë nga sulmi kimik dhe pas javësh trajtimi mjeksor ata u larguan nga spitali. Vendndodhja e tyre mbahet sekret. Kjo ngjarje shkaktoi përplasje diplomatike massive mes Moskës dhe Perëndimit, ku palët dëbuan diplomat të shumtë./abcnews.al

101203869_putinnewafp.jpg
ad min21:01 | 12/09/2018

Presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se është zbuluar vendndodhja e dy personave që akuzohen nga Britania se kanë kryer sulmin me Noviçok kundër ish-spiunit rus Sergej Skripal dhe të bijës. Megjthatë shefi i Kremlinit tha se ata nuk janë kriminelë.

Dy të dyshuarit në helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij janë civilë, jo kriminelë, thotë presidenti rus, Vladimir Putin. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar i kanë identifikuar ata si Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, që mendohet të jenë oficerë të shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU.

Putin tha se qeveria e tij i kishte gjetur dy personat dhe shpresonte që ata të paraqiteshin së shpejti dhe të tregonin historinë e tyre. Skripal, 66 vjeç dhe Julia, 33 vjeç, u helmuan në Britani të Madhe në Mars me substancë kimike Novichok.

“Ne e dimë se kush janë ata, ne i kemi gjetur”, tha Putin në qytetin lindor të Vladivostok.

“Unë shpresoj se ata do të dorëzohen vetë dhe do të tregojnë gjithçka, kjo do të ishte më e mira për të gjithë. Nuk ka asgjë të veçantë, asgjë kriminale, unë ju siguroj. Ne do ta shohim këtë në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.

Scotland Yard dhe Shërbimi i Prokurorisë së Mbretërisë së Britanisë thonë se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar dy personat, për të cilët është zbuluar se kanë udhëtuar në Britani të Madhe nga Moska më 2 Mars me pasaporta ruse.

Dy ditë më vonë, policia thotë se spërkatën agjentin nervor, Novichok, në hyrjen e shtëpisë së Skripal në qytetin Wiltshire të Salisbury, përpara se të udhëtonin për në Rusi më vonë atë ditë.

Sekretari i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar paralajmëroi të dyshuarit se do të arrestohen dhe gjykohen sapo të largohen nga Rusia. Kërkesa për ekstradim nuk funksionon me Moskën, pasi nuk pranon ekstradimin e qytetarëve të saj.

Megjithatë, një urdhër arresti evropian është lëshuar në rast se ata do të udhëtojnë për në BE. Ndërkohë, sulmi ndaj ish agjentit Skripal shkaktoi një përplasje të madhe diplomatike. Për këtë vende perëndimore dëbuan diplomatë të shumë rusë. Nga ana tjetër edhe Kremlini iu përgjigj me të njëjtën mënyrë./abcnews.al

SKRIPAL-BRITANIA.mpg_snapshot_00.05.jpg
ad min14:17 | 05/09/2018

Janë identifikuar dy shtetasit rusë të cilët akuzohen se janë përpjekur të helmojnë në muajin mars në Britaninë e Madhe ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia. Por Londra ende nuk ka zyrtarizuar kërkesën për ekstradimine tyre, ndërsa Moska i ka quajtur të kota këto të dhëna.

Policia britanike është e bindur se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar për dy shtetas rusë që akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë në muajin mars me anë të helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Lajmi u konfirmua për mediat britanike nga numri dy i Skotland Jard, Neil Basu, i cili bëri publik dhe emrat e dy shtatesave rusë: Aleksander Petrov e Ruslan Boshirov.

Por ai shtoi se të dy të dyshuarit mund të jenë duke përdorur një identitet të rremë. Por Londra zyratre ende s’ka pranuar të bëjë një kërkesë zyrtare për ekstradimin e tyre. Nga ana e saj Moska reagoi duke thënë se emrat e dy shtetasve rusë nuk nënkuptojnë asgjë, ashtu si dhe dy fotografitë e publikuara nga mediat britanike të dy të dyshuarve./abcnews.al

RUSIA-PARALAJMERON-BRITANINE-1280x720.jpg
ent ela23:21 | 05/04/2018

Rusia paralajmëroi Britaninë të enjten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se po luan me zjarrin duke fajësuar Moskën për helmimin e ish-agjentit rus dhe së bijës.

“U kemi thënë kolegëve britanikë se po luani me zjarrin dhe se do të pendoheni”, ka deklaruar ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya. Diplomati rus ka theksuar se, agjenti nervor i familjes Noviçok nuk është produkt ekskluziv i Rusisë, pavarësisht emrit që mban, dhe ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë kapacitetet për ta prodhuar atë. Mbretëria e Bashkuar akuzon Rusinë se qëndron mbrapa helmimit të Sergei Skripal dhe së bijës Julia në Salisburi të Anglisë, akuzë të cilën Moska e mohon. Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte thirrur nga Rusia, e cila pretendon se Britania duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve legjitime. Ambasadori Nebenzya i ka cilësuar akuzat si “të tmerrshme dhe të pabaza” dhe ka akuzuar Londrën se ka nisur një “propagandë lufte” kundër Rusisë.

“Nuk mund të sajonit diçka më të mirë? Të gjithë e dimë se vlera e informacioneve që zotërojnë shërbimet sekrete britanike bazohet në eksperiencën e Tony Blair”, ka thënë ambasadori./abcnews.al

Dstl-Gary-Aitkenhead.jpg
ent ela18:24 | 03/04/2018

Shefi i Qendrës kërkimore ushtarake të Britanisë ka deklaruar të martën se nuk ishte në gjendje të vlerësonte me saktësi nëse agjenti nervor i përdorur për të helmuar ish-agjentin rus muajin e kaluar ishte prodhuar në Rusi.

“Ne arritëm të identifikonim agjentin kimik si Noviçok, arritëm të verifikonim gradën e tij nervore, por nuk arritëm të identifikonim burimin e saktë”, ka deklaruar Gary Aitkenhead për “Sky News”.

Megjithatë, zyrtari i lartë ka nënvizuar se e kishte pajisur qeverinë me një sërë të dhënash, që të bashkuara me konstatimet e agjencive të tjera policore mund të kenë çuar në përfundimin me të cilin ekzekutivi britanik doli publikisht. Sidoqoftë, ai ka konfirmuar se substanca kërkonte metoda jashtëzakonisht të sofistikuara për t’u prodhuar, kapacitetet për të cilat, sipas tij, i kanë vetëm aktorët shtetërorë.

“Po vazhdojmë punën për të siguruar informacion shtesë që mund të na çojë më pranë burimit, por deri tani nuk kemi arritur ende atje”, ka shtuar Aitkenhead. Kryeministrja britanike Theresa May ka akuzuar Moskën si përgjegjëse për helmimin e ish-oficerit rus dhe së bijës, Sergei dhe Julia Skripal, por deklarata e shefit të Laboratorit ushtarak për shkencën dhe teknologjinë mund të përbëjë një dush të ftohtë për qëndrimin e saj. Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi lidhur me sulmin e ndodhur në lokalitetin Salisburi, në jug të Anglisë, më 4 mars. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono