skocia

skocia-2.jpg
G. P.15:35 | 21/11/2018

Skocia doli në krye të grupit të Ligës së Kombeve, ku ndodhej edhe kombëtarja shqiptare. Skuadra britanike mundi Izraelin 3-2 pas një sfide me shumë emocione.

Një fitore dhe dy objektiva të arritur. Skocia fitoi vendin e parë në grupin tonë të Ligës së Kombeve, kaloi në gjysmëfinale, si dhe siguroi një vend në plej ofin për në Euro 2020.  Kjo, pas fitores 3-2 ndaj Izraelit në “Hampden Park” të Gllazgout, me lojtarin e Sëlltikut, Xhejms Forrest, autor të të tre golave. Skocezët i përfunduan ndeshjet me 9 pikë, izraelitët me 6 dhe Shqipëria me 3.

Miqtë shënuan të parët me anë të Beram Kajalit, por Forrest u përgjigj në minutat 37, 43 e 64. Eran Zahavi shënoi për 2-3 në 75’, dhe dy minuta para fundit, Izraeli pati rastin për të barazuar dhe për t’u kualifikuar, por portieri Alan Mekgregor ndaloi gjuajtjen e Tomer Hemedit. Skuadra britanike pret shortin gjysmëfinal, ndërsa kundërshtarë do të jenë Finlanda, Norvegjia dhe Serbia.

Po ashtu, skocezët do të jenë në plej ofin e Europianit, nëse nuk do të jenë të kualifikuar direkt nga eleminatoret. Një përmbysje e vërtetë e situatës për skuadrën e trajnerit Aleks Meklish, që u turpërua pas humbjes 0-4 në miqësore ndaj Belgjikës në Gllazgou, dhe pastaj disfatën 1-2 në Izrael për Ligën e Kombeve.

I habitshëm edhe transformimi i 27-vjeçarit Forrest. Lojtari ofensiv i Sëlltikut nuk kishte shënuar asnjë herë në 24 ndeshje të luajtura për kombëtaren deri mbrëmjen e 17 Nëntorit në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Shqipërisë. Forrest realizoi dy herë në Shkodër, dhe tani tri herë kundër Izraelit./abcnews.al

shqiperiaaa.jpg
G. P.13:08 | 20/11/2018

Kombëtarja luan miqësoren ndaj Uellsit, në orën 20:00, në “Elbasan Arena”. Ekipi përfaqësues ka shumë mungesa, ndërsa pritet që trajneri Panuçi të luajë në mënyrë më të kujdesshme.

Besimi në këtë skuadër ka rënë shumë, por në futboll kurrë nuk i dihet. Me këtë motiv shkon kombëtarja shqiptare në ndeshjen e sotme, miqësoren ndaj Uellsit në “Elbasan Arena” në orën 20:00, e fundit për vitin 2018. Humbja e rëndë me Skocinë sikur i vuri kapak gjithçkaje, dhe sfida e tanishme mund të mendohet si pa vlerë, por nuk cilësohet e tillë nga trajneri Panuçi dhe nga lojtarët.

Një reagim dhe një fitore gjithnjë janë lajme pozitive, që ndihmojnë.Siç deklaroi në konferencën për shtyp, italiani pritet të nisë me atë që mund të quhet Plani B, pra një skemë dhe një mënyrë loje më e kujdesshme, pak a shumë një rikthim në kohën e De Biazit.

Me mjaft mungesa për shkak dëmtimesh apo sëmundjesh, Panuçi do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Pritet që Strakosha të jetë në portë, mbrojtja të luajë me katër lojtarë, Ismajli, Veseli, Mavraj e Hysaj. Në mesfushë mendohet treshja Kaçe-Basha-Xhaka, ndërsa në sulm Balaj, i mbështetur në krahë nga Gavazaj e Grezda.

I fundit që u largua nga ekipi ishte sulmuesi Manaj, për shkak të gripit, pas Skocisë ikën edhe Gjimshiti, Ndoji e Binaku, ndërsa Sadiku, Cikalleshi e Roshi ishin të dëmtuar që më parë. Uellsi, ndërkaq, vendosi të mos stërvitej në Shqipëri, ndërsa mbërriti vonë, pasditen e së hënës.

Trajneri Rajan Gigs e përgatiti skuadrën që pas ndeshjes me Danimarkën, ndërsa në Tiranë thjesht dha konferencën në shtyp, pas vendosjes në hotel.

“Nuk duam të humbasim dy ndeshje radhazi, – ishin fjalët e tij, – kjo sfidë është e rëndësishme për ne, duke menduar për Europianin e ardhshëm. Duhet të luajmë më mirë sesa ndaj Danimarkës, por gjithsesi kam besim tek skuadra për një rezultat pozitiv”.

Ashtu si skocezët, uellsianët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe mjaft të shpejtë, ndërsa mund të ndihmohen edhe nga moti me reshje./abcnews.al

pressing.jpg
G. P.08:28 | 20/11/2018

Në këtë puntatë të emisionit “Pressing” pas intervistës me ish-trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, mes gazetarësh u diskutua humbja e thellë e kombëtares ndaj Skocisë. Por jo vetëm kaq. Nën drejtimin e Gerti Çarçanit u debatua edhe rreth pritshmërive të futbollit shqiptar.

Të ftuar në studio ishin: Enos Skarço, gazetar sportiv në RTSH; Bashkim Tufa, gazetar sportiv i njohur; Anton Cicani, kryeredaktor në Telesport dhe Ervin Baku, gazetar sportiv në Radio Tirana./abcnews.al

PRESING-DE-BIAZI-PJ-1.mpg_snapshot_00.29-1280x720.jpg
G. P.22:47 | 19/11/2018

I ftuari i parë i kësaj puntate të emisionit sportiv “Pressing” nga gazetari Gerti Çarçani, ishte ish-trajneri i skuadrës përfaqësuese të futbollit shqiptar Gianni de Biasi. Një bisedë e zhvilluar për situatën aktuale në ekipin kombëtar dhe se si e ka ndjekuar ai këtë ekip që në gjenezë.

Fillimisht ish-trajneri foli për mendimin e tij se si e vlerësoi këtë raund të ekipit tonë në Nations League.

“Ishte një turne i ekuilibruar dhe pse Shqipëria nuk arriti të jepte maksimumin dhe nuk arriti ta shprehë potencialin që ka. Besoj se pak nga mungesat, por edhe kërkimi për një identitet të ri nuk ndihmoi që objektivat të arriheshin.”

De Biasi u shpreh edhe për arsyet që e çuan Shqipërinë në humbjen e thellë ndaj Skocisë.

“Ne fatkeqësisht bëmë një gabim tek goli i parë nga dalja e gabuar e një mesfushori. Ishin 3 kundër 2 dhe humbëm topin. Kur humbet topin në gjysëm fushën tënde dhe pas 13 minutash kë pësuar një gol për 1 – 0 dhe nuk është e lehtë. 10 minuta më vonë mbetesh me 10 lojtarë dhe kjo ndikon tek pjesa e mbetur e lojës. Mungesa kishte Shqipëria, mungesa kishte dhe Skocia. Unë gjithmonë kam bërë si dhe Panuçi nuk mund të bënte ndryshe me ato që kishte në dispozicion. Nuk mund të qash kur të mungon dikush, nuk mund të bësh asgjë. Natyrisht po të kishte patur Roshin, Sadikun, Hysajn, Bashën do të luhej një ndeshje tjetër.”

Ai bëri dhe një krahasim ndërmjet kombëtares në kohën e tij dhe kombëtares së sotme nën drejtimin e Panuçit.

“Nuk e di nëse ka ndryshuar. Unë u përpoqa të isha shumë i kujdesshëm ndaj rivalëve ndaj vendosa tu hiqja mundësitë dhe burimet e lojës të ekipeve që luanin kundër nesh. Tentova të shfrytëzoja cilësitë e futbollistëve që kisha. S’mund të sillesh si Brazili kur je Shqipëria. Gjithësecili me mundësitë që ka duhet të japë maksimumin. Aftësia e një trajnerit është ajo që të dijë situatën dhe të japë maksimumin.”/abcnews.al

DEKLARATAT-PAS-NDESHJES.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
ent ela16:46 | 18/11/2018

Dëshpërim dhe dorëzim thuajse i plotë i trajnerit Panuçi dhe lojtarëve të kombëtares pas ndeshjes me Skocinë. Italiani, sidoqoftë, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ky brez nuk ishte ndjerë ndonjëherë kështu.

Futbollistët e kombëtares e padyshim edhe Kristian Panuçi, ishin të dërrmuar në përfundim të ndeshjes së humbur 0-4 me Skocinë. Më shumë sesa vendi i fundit në grupin e Ligës së Kombeve dhe rënia nga kategoria, tronditja ishte nga dorëzimi i plotë i ekipit në fushë. Panuçi nuk e fshehu aspak, thjesht bëri një kronologji.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Ndeshja nuk ka filluar mirë, kundërshtari shënoi gol që në goditjen e parë, pastaj pësuam një karton të kuq dhe një gol në minutën e fundit të pjesës së parë, i cili demoralizoi skuadrën. Të gjithë kritikat duhet të jenë mbi mua jo tek lojtarët. Nuk ndihem aspak i tradhëtuar, lojtarët kanë ndjekur të gjitha skemat dhe udhëzimet e mia, por përgjegjësitë bien mbi mua.”

Mos është normale të jepet dorëheqje pas një katastrofe të tillë?

“Nuk mendoj se është koha që të jap dorëheqjen. Nëse presidenti Duka kërkon diçka të tillë do të ulemi dhe do të bisedojmë. Kjo është ndeshja më e keqe që kur së unë drejtoj Shqipërinë. Ndeshja e radhës do të ndryshojë. I gjithë faji është i imi.”

Kapiteni Mavraj e pati shumë të vështirë që të fliste, thuajse refuzoi.

Mergim Mavraj, kapiten i Kombëtares: “Kur ndodh një humbje mund të ndodhin shumë gjëra. Kështu që mund të bëhet analiza me një situatë përfundimtare. Ishin shumë situata që u shumuan dhe u bënë bashkë dhe u vendos ndeshja kështu. Aktualisht po i përjetojmë disa momente shumë të vështira, por duhet ti përgjigjemi edhe kësaj situatë, ashut siç kemi qenë bashkë edhe në momentet e mira e të suksesshme, ashtu duhet me qenë dhe në momentet e vështira bashkë, e të afrojmë njëri-tjetrin.”

E rëndë ishte humbja për një shkodran në Shkodër, si Bekim Balaj.

Bekim Balaj, futbollist i Kombëtares: “Një humbje që le shije të keqe tek të gjithë ne. Që nga fillimi s’e nisëm mirë. Ndoshta me një gabim tonin arritën të shënonin dhe dalja me të kuqe na i vështirësoi gjërat. Por 4-0 mund të them që janë shumë për ne. Sigurisht që rrethanat ishin negative në këtë ndeshje, por është e papranueshme për ne që të dorëzohemi.”

As portieri Etrit Berisha nuk u duk në formën e zakonshme.

Etrit Berisha, futbollist i Kombëtares: “Na kanë penalizuar shumë gjerat që kemi bërë gabime në lojë. Kemi bërë shumë gabime edhe më herët dhe kjo na ka penalizuar shumë. Pastaj edhe motivimi apo qetësia e ekipit nuk ishte në  nivelin e duhur.”/abcnews.al

 

shqiperi-skoci.jpg
G. P.22:53 | 17/11/2018

Kombëtarja shqiptare luajti këtë të shtunë ndeshjen ndaj Skocisë të vlefshme për Nations League. Ka përfunduar më rezultatin 0-4 për kundërshtarët skocezë ndeshja që u luajt në Shkodër. Shqipëria renditet tashmë e fundit në grup me vetëm 3 pikë, duke patur një fitore dhe 3 humbje./abcnews.al

skocia-1.jpg
G. P.22:23 | 16/11/2018

Në Shkodër kanë mbërritur tifozët skocezë për ndeshjen Shqipëri–Skoci që zhvillohet ditën e nesërme. Rreth 300 shtetas skocezë pritet të jenë të shtunën në stadiumin Loro Boriçi për të ndjekur ndeshjen që është e vleshme për Ligën e Kombeve.

Deri atëherë, ata po shijojnë atsmoferën në kryeqytet duke shpresuar për një fitore të shtunën në mbrëmje. Edhe policia e Shkodrës ka marrë një sërë masash për të menaxhuar trafikun në qytet në orarin e ndeshjes dhe për të shmangur ndonjë incident të mundshëm./abcnews.al

skocia.jpg
ent ela22:22 | 15/11/2018

Plot 26 autobusë me tifozë skocezë pritet të mbërrijnë këtë të shtunë në Shkodër. Ata do të mbështesin ekipin e tyre kombëtar për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Tradita ia do që të jenë të shumtë.

Tifozët skocezë pritet të jenë në numër të madh në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Tabloidi “The Sun” raporton se do të jenë plot 26 autobusë me përkrahës së Skocisë këtë të shtunë, dhe e përkthyer në numra, kjo do të thotë ndoshta mbi 2 000. Të mbiquajtur si “Ushtria e Tartanit”, tifozët skocezë janë të famshëm për mbështetjen e tyre të pakufishme për ekipin e tyre përfaqësues, që është një simbol i kombit të tyre, në mungesë të një shteti të pavarur.

Autoritetet shqiptare nuk kanë arsye të shqetësohen, pasi tifozët skocezë, ndryshe nga disa anglezë, nuk sillen si huliganë, përveçse në ndeshjet Skoci-Angli, madje ata kanë marrë edhe çmim për sjelljen e kulturuar, siç ndodhi në Bruksel apo Zagreb. Një grupim i tifozëve skocezë, të njohur për veprime humanitare, kanë vendosur të dhurojnë 5 000 paund stërlina për një fondacion bamirësie në Shqipëri. Kjo është një traditë këtij grupimi, e nisur që nga viti 2003, në një ndeshje në Lituani, ndërsa sasia e përgjithshme e dhuruar arrin në 120 000 paund stërlina.

Numri i tifozëve skocezë në Shkodër është i përafërt me atë të tifozëve të Uellsit, që pritet të jenë në “Elbasan Arena”, për miqësoren e datës 20 Nëntor. Për Uellsin janë dhënë 2 000 bileta, por tifozët uellsianë janë ankuar për çmimin e lartë të biletave në “Elbasan Arena”, prej 15 paund stërlinash për copë, ndërsa tifozët skocezë, sipas tyre, i kanë marrë biletat me vetëm 4 paund stërlina./abcnews.al

kombetarja.jpg
ent ela18:06 | 15/11/2018

Futbollistët e kombëtares kanë bërë gabime në ndeshjet e Ligës së Kombeve, por nuk ka qenë tërësisht faji i tyre. Mesfushori Sabien Lilaj i përgjigjet kritikave të trajnerit Panuçi.

Gabimet janë të qarta për të mos u pranuar. Ekipi përfaqësues shqiptar ka shfaqur pasiguri të shumta në ndeshjet e Ligës së Kombeve, diçka që trajneri Panuçi e quajti faj të lojtarëve. Vetë futbollistët nuk kanë dashur të komentojnë shumë këto ditë, përpara mediave, veçse Sabien Lilaj bën përjashtim. Mesfushori thotë se e di arsyen pse ndodh.

“Githmonë që ndërrohen lojtarët është e vështirë për grupin. Që të merresh vesh me lojtarin e skuadrës nuk është e lehtë. Megjithatë zgjedhjet i bën trajneri dhe nuk miund të themi pse nuk po luan në një formacion stabël”, u shpreh Lilaj.

Lilaj, gjithashtu, nuk e quan ndonjë katastrofë që kombëtarja nuk ka shkëlqyer në këtë konkurrim.

“Ky kompeticion është në vend të ndeshjeve miqësore, kështu që është një pregatitje më shumë për Europianin. Pas këtyre ndeshjeve është shumë e vështirë për të shkuar. Ne sigurosht që tentuam që të futeshim sepse është shumë e vështirë, por duke parë që është shumë e vështirë besoj që të na ketë shërbyer për frymën e mirë të grupit”, tha ai.

Futbollisti tjetër kuqezi, lojtari i krahut, Enis Gavazaj, thotë se ndaj Skocisë shkohet me besim.

“Na ka shpjeguar gjithçka për ndeshjen e kaluar. Besoj se ajo ishte ndeshje e mirë nga ana jonë. Sidomos nga ana e rasteve. Mendoj që vetëm fati nuk kanë qenë me ne, kështu që gjithë gjërat e tjera kanë qenë në rregull”, tha Gavazaj./abcnews.al

LAJMET-NGA-KOMBETARJA-1280x720.jpg
ent ela14:34 | 15/11/2018

Kombëtarja po përgatitet për lojë sulmuese ndaj Skocisë. Trajneri Panuçi ka ende dyshime për formacionin, me kapitenin Mavraj që mund të lihet rezervë, dhe  Grezdën ende me probleme fizike.

Dyshimet mbeten, ndonëse mendimi po qartësohet. Kombëtarja pritet të dalë në fushë me skemë sulmuese në ndeshjen e fundit zyrtare të vitit, atë ndaj Skocisë, ndërsa trajneri Panuçi ka ende lojtarë në pikëpyetje.

Skema e italianit besohet se do të jetë me tre lojtarë në mbrojtje, dhe me pesë në mesfushë, në përpjekje për të bërë presion e për të arritur fitoren.

Mërgim Mavraj, njëri nga kandidatët për kapitenë, pritet të jetë në stol, ndërsa Panuçi ndoshta mendon që Gjimshiti është në formë më të mirë, duke luajtur e duke shënuar në Serinë A.

Në mungesë të Bashës dhe të Ramadanit, në mesfushë mendohet të jenë titullarë Sabien Lilaj dhe Ergys Kaçe. Dyshimi më i madh ka të bëjë me Eros Grezdën, një nga lojtarët më të rëndësishëm për Panuçin, por që sërish nuk është 100 për qind i gatshëm.

Për dy ditë me radhë lojtari i Gllazgou Rejnxhërsit bëri stërvitje individuale, ndonëse ende ka shpresë që të jetë titullar.

Në sulm, besohet se zgjedhje e parë do të jetë Bekim Balaj, kurse pas tij pritet të jetë treshja Uzuni-Memushaj-Grezda.

Gjithsesi, ekziston mundësia që Panuçi të ndryshojë në momentet e fundit përsa i përket skemët dhe lojtarëve, pasi gjatë përgatitjes ai ka bërë prova të shumta.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono