skoci

scoci.png
G. P.23:48 | 11/10/2018

Dy rivalët e Shqipërisë në Ligën e Kombeve do të ndeshen sot në Izrael. Vendasit presin Skocinë dhe kërkojnë vetëm fitoren për të mbetur me pretendime për kualifikimin.

Morali i miqve është i lartë, por asnjëra nga skuadrat nuk jep garanci.

Izraeli dhe Skocia, dy rivalët e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, ndeshen sot në stadiumin e Haifës në orën 20:45, ndërsa rezultatet e kohëve të fundit i kanë pasur për t’u harruar.

Izraeli, i mundur 0-1 në “Elbasan Arena” nga kombëtarja jonë, ka katër humbje radhazi, dhe 8 disfata në 10 duelet e fundit.

Tepër keq për një formacion që pretendon kualifikimin në grup.

Trajneri Hercog i bën thirrje tifozëve, por duket se vetëm 10 000 do të jenë në stadiumin 30-mijë vendësh.

Mos vallë, Skocia është më mirë se kundërshtari?

Fitorja ndaj Shqipërisë nuk mund të krijojë iluzione, pasi trajneri Meklish ka fituar vetëm 2 nga 6 ndeshjet e deritanishme.

“Izraeli është shumë më i fortë në fushën e vet sesa jashtë, – shprehet trajneri skocez, Meklish, është e vërtetë që nuk ka fituar prej disa kohësh, por trajneri Andi Hercog po përpiqet ta ndryshojë mentalitetin. Ne e pamë sesi Rusia pati 7 ndeshje pa fitore, por pastaj shkëlqeu në Kupën e Botës”.

Skocia nuk do të ketë sulmuesin e Sëlltikut Leig Grifits, që besohet se është i pakënaqur me trajnerin.

Po ashtu mungon lojtari i krahut, Rajan Frejzër për shkak dëmtimi, ndërsa sulmuesi i Salcburgut, Dabur, është në formë shumë të mirë dhe pritet të jetë titullar.

Izraeli i ka humbur të tria ndeshjet e mëparshme ndaj britanikëve./abcnews.al

ministrja.png
G. P.21:57 | 08/10/2018

Nëse nuk do të ketë një marrëveshje mes Londrës dhe Brukselit për Brexit, apo një referendum të dytë për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga bashkimi Europian, atëherë Skocia do të mbajë referendumin e saj për ndarjen nga Britania e Madhe.

Partia skoceze kombëtare është gati të kundërshtojë sërish Brexit, sidomos nëse nuk do të ketë një marrëveshje mes Brukselit dhe Londrës.

Me këtë rast ajo është gati dhe për një referendum të dytë për daljen nga Bashkimi Europian. Lajmi është konfirmuar nga Nikola Sturxheon, kryeministrja e qeverisë vendore të Edinburg dhe liderja e partisë pro pavarësisë së Skocisë nga Britania e Madhe.

Ajo ka këmbëngulur në faktin se partia që drejton është pro europiane dhe se pjesa më e madhe e zgjedhësve në Skoci janë dakord me të. Sturxheon tha se do të pranonte një dalje nga Bashkimi Europian vetëm nëse Mbretëria e Bashkuar do të qëndronte brenda tregut të përbashkët dhe unionit doganor.

Në rast të kundërt si një alternativë e një referendum të dytë për Brexit, ajo ka theksuar se mund të ketë një referendum për ndarjen e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar. Një arsye që mblodhi më shumë se 100 mijë skocezë në Edinburg mbrëmjen e së dielës./abcnews.al

kristian-panuci.jpg
G. P.18:20 | 11/09/2018

Humbja në Skoci ka krijuar dyshime për të ardhmen e trajnerit Panuçi në stolin e kombëtares. Vetë italiani duket i dorëzuar, ndërsa presidenti Duka po bën llogaritë e tij.

Vështirë të jetë ndjerë më keq ndonjëherë në karrierë. Kristian Panuçi u duk njeri i dorëzuar në stadiumin “Hampden Park” të Gllazgout, më keq edhe se skuadra e tij në fushën e lojës. Trajneri i kombëtares nuk arriti ta ngrinte moralin, as në intervistën pas ndeshjes, dhënë për “Supersportin”, menjëherë pas sfidës ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve. Në analizën e ndeshjes, italiani sikur e harroi plotësisht pjesën e parë.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Nëse ajo mendon kështu, atëherë respektoj mendimin e saj. Por, ne bëmë përgatitjen tonë, patëm edhe raste, pësuam gol që në minutën e parë të pjesës së dytë, një gol i dhuruar, po ashtu siç dhuruam të dytin. Ne patëm raste, por ne nuk shënuam gol, ndërsa ata po”.

Panuçi e justifikoi zgjedhjen e Lilajt në vend të Bashës, që besohet se ka më shumë përvojë, por përsa i përket lojës në mbrojtje, fjalët e tij ishin si një kapitullim.

“Edhe lojtarët e tjerë kanë përvojë. Skocia pati ritëm më të lartë sesa ne dhe kjo u duk qartë. Ne kemi disa limite në mbrojtje, të tjerët nuk na lejojnë që të shënojmë, ndërsa ne i lejojmë shumë lehtë që të hyjnë në zonën tonë”.

Cili pritet të jetë fati i trajnerit, që sapo ka mbushur një vit në detyrë?
Burime në Federatë pohojnë se presidenti Duka nuk e mendon aspak një shkarkim të shpejtë, edhe pse është padyshim i pakënaqur me Panuçin. Besohet se Duka do të presë të paktën deri në fund të ndeshjeve në grupe, në nëntor, për të vepruar edhe pse ka shprehur shqetësime dhe paralajmërime në të kaluarën. Kritikat e analistëve kanë qenë të ashpra, por problemi më i madh në kombëtare duket mungesa e qetësisë dhe atmosfera disi e shtypur.

Burime në ekip, që nuk duan të dalin me emër, pohojnë se Panuçi ka krijuar një klimë prej kazerme ushtarake, diçka që nuk u pëlqen lojtarëve. Po ashtu, ndryshimet e shpeshta duket se tregojnë se trajneri është i paqartë në idetë e tij. Gjithsesi, goditje e rëndë ka qenë edhe mungesa e lojtarëve të dëmtuar si Sadiku, Grezda, Abrashi, apo edhe dalja jashtë forme e Mavrajt./abcnews.al

scotlandd.jpg
G. P.23:01 | 10/09/2018

Dorëzim pa kushte i kombëtares në fushën e Skocisë, në sfidën e dytë të Ligës së Kombeve. U pësua një humbje e merituar, ndërsa shqetësimi mbetet i madh për të ardhmen.

Nëse fitorja me Izraelin na bëri të harrojmë disa të vërteta, mbrëmja e Glasgow-t na i kujtoi përsëri. Shqipëria fitoi edhe me fat në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, ndërsa pësoi disfatë plotësisht të merituar në fushën e Skocisë.

Dorëzimi pa kushte në “Hampden Park” na kujtoi se ishim pikërisht ne që humbëm 0-3 me Kosovën dhe 1-4 me Ukrainën, edhe pse në miqësore.

Na solli ndërmend sesa herë largohen nga fusha lojtarë si Basha, kombëtarja sikur nuk di ta qarkullojë topin, qoftë edhe përballë një kundërshtari që nuk ishte ndër më të fortët e mundshëm.

Tifozët, padyshim që u zhgënjyen, edhe ata që ishin në stadium, edhe ata që e ndoqën nga televizori, ndërsa pyesin se kur do të arrijmë të shikojmë atë ekip që fitoi në Portugali, mundi Francën e barazoi në Francë në miqësore, përballoi Serbinë në Beograd, apo shkëlqeu në Euro 2016?

Panuçi bëri dy ndryshime në formacion, duke hedhur në fushë Lilajn në vend të Bashës, dhe Ndojin në pozicionin e Hykës, por sidomos pjesa e parë ishte tepër e dobët, edhe pse përfundoi 0-0.

Skocezët, pikërisht ata që u mundën 0-4 nga Belgjika, patën mundësi të realizonin disa herë, edhe pse herë nuk patën fat, dhe herë gabuan vetë. Fati u kthye përmbys pas pushimit, me vendasit që u dukën se shënuan në pozicion jashtë loje.

Po ashtu, britanikët shpëtuan mirë në dy raste të pastra që pati Bekim Balaj, në minutat pas pësimit të golit. Gjithsesi, reagimi shqiptar ishte me minutazh të shkurtër, ndërsa nuk u kuptua mirë nëse ekipi ra fizikisht apo edhe moralisht.

Kjo humbje tregoi se nuk mund të quhemi favoritë për kualifikimin në grupin tonë, madje pritet ta kemi të vështirë edhe në eleminatoret e Europianit./abcnews.al

skociii.jpg
G. P.15:27 | 10/09/2018

Kombëtarja shqiptare vendosi të dilte edhe një herë në fushë përpara ndeshjes së sotme në orën 20:45 në Skoci. Trajneri Panuçi zhvilloi një seancë të lehtë në një kompleks sportiv, në kryeqytetin skocez, Glasgow, duke e vendosur theksin më shumë tek ushtrimet taktike.

Italiani nuk i ngarkoi fizikisht lojtarët, të cilët e kryen seancën e plotë stërvitore në “Elbasan Arena” përpara nisjes drejt Skocisë. Burimet pranë ekipit kombëtar bëjnë me dijë se asnjëri nga futbollistët nuk ka probleme fizike apo dëmtime, dhe se të gjithë janë të gatshëm për ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Kombëtarja e fitoi 1-0 sfidën e parë, atë ndaj Izraelit luajtur në Elbasan./abcnews.al

PANUCI-FLET-PER-SKOCINE-1280x720.jpg
ent ela13:42 | 10/09/2018

Në Skoci nuk do të luhet për barazim. Ky është premtimi i trajnerit të kombëtares, Kristian Panuçi, në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve. Formacioni mbetet mister.

Në “Hampden Park” ishin thjesht vizitorë. Kombëtarja shqiptare vetëm shkeli tapetin e stadiumit të famshëm ku do të luajë sonte ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve, ndërsa “detyrat e shtëpisë” i kishte bërë në “Elbasan Arena”.

Futbollistët nuk duhej të shpenzonin energji pas një udhëtimi të gjatë, dhe pas sfidës së vështirë ndaj Izraelit, ndërsa trajneri Kristian Panuçi kërkon që ata të jenë në formë maksimale.

Panuçi: “Kemi ardhur në Gllazgou për të bërë maksimumin e mundshëm dhe për të synuar fitoren e ndeshjes. I njohim vlerat dhe defektet tona, por sot nuk kemi rrugë tjetër përveçse të provojmë që të fitojmë. E dimë se do të kemi përballë një skuadër të lënduar në sedër pas humbjes me Belgjikën, e dimë se do të jemi në një ambient të vështirë, por ne jemi mirë dhe i kemi rigjeneruar forcat tona. Do të japim maksimumin dhe sigurisht nuk do të hyjmë në fushë për një barazim”.

Në Elbasan dhe Durrës u provuan shumë skema dhe shumë lojtarë.

A mund ta zbulojë Panuçi formacionin e sotëm?

Panuçi: “Kam menduar shumë këto ditë, pasi ndeshjet janë shumë afër njëra-tjetrës. Duhet ndryshuar diçka dhe do ta ndryshoj, por shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura, por gjithçka do ta shihni në fushë”.

Në skuadër papritur vjen Ergys Kaçe, përse trajneri ndryshoi mendje për mesfushorin?

Panuçi: “Patëm problem me Lilën, që kishte dëmtim muskulor. Solla në mendje të gjithë mesfushorët e mundshëm dhe vendosa për Kaçen. Ai do të jetë në stol, pasi nuk mund të luajë 90 minuta. Në tri javët e fundit nuk ka luajtur, por ka qenë në 50 për qind të kohës në ndeshjet përgatitore në verë. Gjithashtu, është lojtar me personalitet”.

Panuçi deklaroi se nuk do të përpiqet thjesht t’i përshtatet kundërshtarit, edhe pse duhet kujdes me lojën e Skocisë në ajër dhe në dyluftime.

Trajneri theksoi se Shqipëria duhet të bëjë lojën e saj. Për kapitenin Agolli nuk mund të mungonte ngacmimi se ai del në krah të trajnerit përpara mediave, por lihet në stol gjatë ndeshjeve.

Çdo lojtar dëshiron të luajë, por e vendos trajneri. Pak rëndësi ka nëse mërzitem apo jo, rëndësi ka që skuadra t’ia dalë. Pavarësisht se formacioni mbahet sekret, sërish besohet se kombëtarja ndaj Skocisë do të jetë pak më mbrojtëse sesa kundër Izraelit.

Dyshimi kryesor i Panuçit është nëse duhet të luajë në mbrojtje me 3 lojtarë në qendër, apo me dy, si në takimin e kaluar. Kjo mund të linte Gavazajn në stol, por formacioni mund të jetë i njëjtë si me Izraelin, veçse ekipi pak më i tërhequr. /abcnews.al

shqiperia-1.jpg
G. P.19:29 | 09/09/2018

Kombëtarja shqiptare udhëtoi drejt Skocisë me shpresën për rezultat pozitiv në Ligën e Kombeve. Siç pritej, kalimi në aeroportin e Rinasit nuk u bë në zonën VIP.

Stërvitja e fundit u zhvillua pak orë para nisjes.

Christian Panucci nuk është se zbuloi ndonjë gjë nga planet e tij për ndeshjen ndaj Skocisë, por gjithsesi, u tregua pak më tolerant sesa të shtunën, kur nuk i lejoi kamerat për asnjë minutë.

Më pas, skuadra u nis drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Durrës, ku mbërriti vetëm 15 minuta përpara sesa të nisej për në Glasgow.

Ashtu siç ishte lajmëruar më parë, kalimi nuk u bë në sektorin VIP të Rinasit, por nga hyrja e udhëtarëve të zakonshëm, pasi nuk u arrit marrëveshje me Protokollin e Shtetit.

Kombëtarja shpreson të arrijë një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, pas fitores 1-0 ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”.

Skocia, ndërkaq, do të luajë ndeshjen e parë zyrtare.

Disfata 0-4 në miqësoren ndaj Belgjikës krijoi presion të madh mbi trajnerin Aleks Meklish, dhe mbi skuadrën e tij.

“Ne duhet të fitojmë – u shpreh Meklish në konferencën një ditë para ndeshjes, – e kemi detyrim që të fitojmë. Nëse barazojmë apo humbim, do të thotë se kemi bërë nisje të keqe. Duam që ta fillojmë me fitore. Jam i bindur se e kemi kaluar tronditjen e humbjes me Belgjikën”.

Mediat skoceze nuk kanë harruar të intervistojnë ish-kapitenin e Shqipërisë, dhe ish-mbrojtësin e Celtic-ut, Rudi Vatën.

“Edhe pse jetoj në Skoci, – thotë shkodrani, – nuk kam dyshime se me kë jam. Dua 100 milionë për qind që të fitojë Shqipëria”.

Dy vendet janë ndeshur ndërkaq në nivel kombëtar në futboll, veçse për femra.

Skocia i fitoi të dyja ndeshjet ndaj vajzave shqiptare, fillimisht 5-0 në fushën e saj, dhe pak ditë më parë 2-1 në Shkodër, për eleminatoret e Kupës së Botës./abncews.al

SKOCIA-PANUCI-GOLI-1280x720.jpg
ent ela18:44 | 08/09/2018

Skocia e njeh mirë trajnerin e Shqipërisë, Kristian Panuçi. Ai shënoi pikërisht në Gllazgou, një gol që kualifikoi Italinë në finalet e Europianit.

E njeh shumë mirë stadiumin ku do të luajë këtë herë.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, Kristian Panuçi ishte lojtar i Italisë, dhe i dha kualifikimin për në Europian, me golin shënuar në “Hampden Park” të Gllazgout ndaj Skocisë, pikërisht në minutat shtesë.

Trajneri I Shqipërisë u pyet për këtë, ndërsa të hënën skuadra e tij do të jetë pikërisht në Gllazgou, dhe italiani vlerësoi lart atë gol, por e quajti diçka të kaluar.

Gjithsesi, Panuçi, do të ketë mbetur i kënaqur nga fakti që Skocia u shkatërrua nga Belgjika, madje brenda në fushën e saj, edhe pse trajneri kuqezi e quajti thjesht një miqësore.

Prova në “Hampden Park” ishte vërtet e rëndë, me belgët që dominuan plotësisht takimin, duke shënuar 4 gola, e duke mos pësuar asnjë.

Romelu Lukaku, Eden Hazar dhe sulmuesi i ri, Miçi Baçuai, ishin ata që realizuan, duke detyruar shpesh skocezët që të bënin gabime.

Kjo ishte disfata më e rëndë në shtëpi për britanikët në 45 vjet, ndërsa mediat patën kritika se përse u zgjodh pikërisht Belgjika si kundërshtar në prag të ndeshjes me Shqipërinë.

Këtë e thotë “Deili Meil”, por edhe gazetat e tjera.

BBC ndërkaq thekson se “Skocia duhet të fitojë ndaj Shqipërisë nëse dëshiron të ketë shpresë për kualifikim nga grupi në Ligën e Kombeve”.

“Shqipëria vërtet është mundur 0-3 me Kosovën, 1-4 me Ukrainën dhe 0-3 në shtëpi me Izraelin, – shton BBC, – por e mundi 3-0 Izraelin jashtë fushe, si dhe e theu në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve”.

Trajneri skocez, Meklish deklaroi se pavarësisht nga kjo që ndodhi, skuadra e tij do të reagojë ndaj Shqipërisë, dhe se tregoi shenja të mira edhe në sfidën ndaj belgëve.

Përsa I përket Panuçit, ai zhvilloi këtë të shtunë një stërvitje me kombëtaren shqiptare, me dyer absolutisht të mbyllura.

Ai nuk deshi jo vetëm mediat, por as kamerën e Federatës, për të mbajtur në fshehtësi të plotë përgatitjet për duelin e së hënës.

Shpresa e tij është që lojtarët të shlodhen sa duhet e të mos kenë probleme fizike. /abcnews.al

FLASIN-LOJTARET-E-KOMBETARES-1280x720.jpg
ent ela16:15 | 08/09/2018

Futbollistët e kombëtares u shprehën shumë të kënaqur për suksesin ndaj izraelitëve. Tashmë, synimi është për një rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës, në Skoci.

Kur autobusi i tyre mbërriti në stadium, emocionet e tifozëve ishin të forta.

Shpresat ishin të shumta për futbollistët e kombëtare, që do të hynin në fushë për ndeshjen ndaj Izraelit.

Për fat, ata ia dolën, e nisën siç duhet Ligën e Europës, dhe kënaqësinë e tyre e shprehën në deklaratat pas ndeshjes.

I pari kapiteni i ri, Jahmir Hyka.

“Nuk e dija se do isha kapiten, e mora vesh para ndehsjes. Është krenari, por besoj se më e rëndësishme ishte fitorja. Ishte e rendësishme ta nisnim këtë kompeteicion dhe besoj e treguam, të shkojmë në Skoci me të njëjtin mentalitet dhe të marrim pikë”.

Basha pyetet për ndërhyrjet e shumta të Panuçit gjatë ndeshjes.

“Panuçi ndërhyn cdo herë, por është normale, ne kemi qëndruar shumë mirë në fushë pavarësisht rasteve që i kemi leju Izraelit kemi bërë gabime ne, dueht patjetër t’i përmirësojmë këto gjëra se do jetë shumë më ndryshe të hënën”.

E patëm gjithsesi një dobësi të madhe, lojën në mbrojtje.

“Humbja e Lorikut është e rëndë ka qenë ikonë e skuadrës dhe ne do provojmë të luajmë sa më mirë dhe ta prezantojmë kombëtaren”.

Vendin e Sadikut këtë herë e zuri i riu Sidrit Guri, edhe pse nuk pati kënaqësinë e golit.

“Si sulmues më erdhi keq që nuk shënova se sulmuesi për këtë punë është. Jam shumë i kënaqur që ekipi fitoi”.

Tifozët, ndërkaq e festuan fitoren, ndërsa dëshira është e madhe që edhe në Skoci, kombëtarja të dalë me pikë.

Jo më kot jemi shqiptarë dhe mesdhetarë, emocionet tona ndryshojnë totalisht nga një humbje dhe një fitore. /abcnews.al

kombetarja-e-femrave.jpg
G. P.14:47 | 05/09/2018

Kombëtarja e femrave në futboll e mbylli me humbje fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2019.

Vajzat e drejtuara nga Armir Grima u mundën nga Skocia me rezultatin 2–1 të martën në Shkodër. Golin për Shqipërinë e shënoi Megi Doçi.

Kombëtarja e femrave u rendit e parafundit në këtë edicion me 4 pikë të grumbullura, një paraqitje më pozitive se kualifikueset e mëparshme.

Skocia me fitoren e arritur ndaj Shqipërisë siguroi kreun e grupit dhe kualifikimin në finalet e Botërorit 2019./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono