skenderbeu

Skenderbeu.jpg
Vladimir Prenga15:46 | 30/11/2019

Skënderbeu ka vendosur që të dhurojë për të prekurit nga tërmeti të ardhurat nga shitja e biletave në ndeshjen kundër Vllazninë. Korçarët këtë javë luajnë jashtë fushë, me Teutën, ndërsa në sfidën e radhës shtëpiake do u bëjnë thirrje tifozëve të jenë në stadium dhe të japin kontributin e tyre.

“Klubi i Futbollit Skënderbeu ka vendosur të dhurojë të gjitha fitimet e ndeshjes të javës së 15-të ndaj Vllaznisë në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Bëjmë thirrje tifozëve bardhekuq dhe komunitetit sportdashës të ndihmojnë dhe kontribuojnë sadopak për familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore. Detajet e shitjes së biletave do të publikohen një moment të 2-të! Të gjithë bashkë për Shqipërinë”, shkruan klubi korçar në faqen zyrtare në “Facebook”. /abcnews.al

romero-dhe-gripshi.png
Vladimir Prenga08:19 | 30/11/2019

Futbolli gjatë kësaj periudhe ka qenë në plan të dytë, për shkak të situatës së krijuar në vend prej dëmeve dhe viktimave  që ka shkaktuar tërmeti i datës 26 nëntor. Gjithsesi ka edhe nga ata që janë të qetë dhe mendojnë të përforcojnë skuadrat e tyre në merkaton e janarit.

Në të përditshmen “Panorama Sport” raportohet se në klubin e Skënderbeut kanë trokitur për shërbimet e anësorit Nazmi Gripshi. Paraqitjet e mira kanë tërhequr vëmendjen e klubeve çeke dhe Teplice është në listë.  Gjithsesi në Korçë janë të qartë dhe kërkesa e tyre është e qartë: “Doni Gripshin, derdhni në llogaritë e klubit 300 mijë euro”.

Ky është çmimi, ndërsa tanimë mbetet të shihet nëse çekët do të jenë të gatshëm ta paguajnë këtë shifër. Skënderbeu nga ana tjetër thuhet se në janar pritet të afrojë Donald Rapon nga Luftëtari, ndërkohë që në listën e objektivave lakohet edhe Vangjel Zguro.

Titulli kryesor i gazetës

PROBLEMATIKU ROMERO – Një artikull tjetër kryesor i gazetës është ai i Aristoteles Romero. Mesfushori venezuelian pritej të ishte një nga prurjet që do të bënte diferencën, por deri më tani prej tij mbahen mend tensioni me Malën dhe kartoni i kuq në ndeshjen me Teutën.

Në listën e problemeve të tij shtohen edhe festat e natës, të organizuara prej tij në shtëpi.  Bëhet fjalë për festa të zhurmshme, që kanë shqetësuar edhe banorët e pallatit. Këta të fundit janë ankuar te administratori i pallatit, por situata nuk ka ndryshuar.

Më pas ata kanë raportuar në polici atë që ndodh në shtëpinë e Romeros deri në orët e para të mëngjesit. Madje, sipas banorëve aty grumbullohen edhe futbollistë të tjerë me bashkëshortet dhe festat e tyre kthehen në një problem për të gjithë komunitetin që jeton aty. /abcnews.al

Artikulli i Romero në faqen e parë të Panorama Sport

 

Bruno-Dita.png
Vladimir Prenga16:55 | 29/11/2019

“Shqiptarë të Kosovës, italianë, greke dhe francezë, të gjithë në këmbë në ndihmë të shqiptarëve të prekur nga tërmeti i para pak ditëve. Solidarizim nga të gjitha anët dhe ndihma monetare dhe materiale.

Mundet që ndaj të gjithëve të kemi folur apo vepruar keq, por në një moment të vështirë të gjithë u bënë bashkë për shqiptarët, për jetën që është shumë e rëndësishme pavarësisht gjithçkaje, qofshim edhe popuj armiq”.

Bruno Dita, mesfushori i Skënderbeut, për të gjitha që kanë ndodhur këto ditë, ka diçka për të thënë dhe e shpreh përmes një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”. Një mesazh shumë domethënës dhe kuptimplotë. /abcnews.al

Postimi i kapitenit të Skënderbeut
Dita-Skenderbeu-1280x763.png
Veronik Istrefaj19:22 | 23/11/2019

Mbrojtësi dhe kapiteni i Skënderbeut, Bruno Dita, foli për Supersport pas ndeshjes ndaj Tiranës. “Ujqërit e Dëborës” morën tri pikë të vlefshme dhe për këtë fitore, Dita tha:

NDESHJA – “Jam dinamovit, jo me Tironën (qesh). Shiriti i kapitenit është përgjegjësi shumë e madhe, e kanë mbajtur lojtarë shumë të mirë para meje. Po ambientohem si qendërmbrojtës, ka nevojë ekipi. Pollozhani po më ndihmon shumë, ka shumë eksperiencë. Presidenti na ka dhënë besim se do të rikthehet Skënderbeu që ka qenë vite më përpara. Nuk e di, është ambient shumë i mirë kur dëgjon se çfarë ndodh në ekipet e tjera. Këtu është super ambient, të lejojnë të punosh ashtu siç do çdo futbollist”.

DËNIMI – Tani të futemi në lojë dhe ta bëjmë baltë? Edhe ne bukës, bukë i themi. Ne luajmë për vete, të jemi sa më lart në renditje. Pastaj gjyqi, në maj apo në qershor, është punë tjetër. Ne duam të jemi sa më lart dhe të luajmë për veten.

GRUPI – “Këtë vit, kemi shumë lojtarë të rinj që nuk kanë luajtur dhe nuk kanë eksperiencë. Kur të merr rezultati i keq, të merr, nuk ke çfarë të bën. Vjet humbëm gjashtë ndeshje, na mori një rrjedhë e keqe”.

DAJA – “Ka qenë e vështirë të luaj në qendër të mbrojtjes, por do të jap maksimumin aty ku ka nevojë ekipi. Kam luajtur mbrojtës i djathtë, para mbrojtjes, si numër 8, si mesfushor i djathtë. Aty ku ka nevojë trajneri, aty do të luaj”, tha Dita./abcnews.al

Daja-1.jpg
Veronik Istrefaj18:43 | 23/11/2019

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli për Supersport pas fitores 2-1 kundër Tiranës, duke i thurur elozhe të besuarve të tij. Mes të tjerash, trajneri i ekipit korçar tha:

NDESHJA – “E kemi vlerësuar në maksimum Tiranën, ka lojtarë shumë cilësorë edhe në stol dhe mund ta fitonin ndeshjen në çdo minutë. Por siç e thashë dhe para ndeshjes, na kanë munguar disa lojtarë që kanë eksperiencë, si Dita, Krasniqi, Bregu. Të gjithë futbollistët kishin dëshirë sot për të marrë rezultatin dhe sakrifikuan jashtë mase për të marrë fitoren”.

DËNIMI – “Nëse nuk do të ishte ai dënim, do të kishim një Skënderbe tjetër. Një pjesë e këtyre lojtarëve do të luanin edhe me Skënderbeun e madh. Gripshi, Keasniqi e disa të tjerë. Por po na shijon dhe kjo gjë që luajmë me sakrificë dhe me lojtarë që japin maksimumin dhe tregojnë dëshirë për të shkuar te fitorja”.

GRIPSHI – “Ne urojmë që jo vetëm Gripshi, por çdo lojtar që do të kishte një ofertë të mirë, të largohej diku më mirë për veten e tij. Kjo është filozofia e Skënderbeut. Është e vështirë t’i zëvendësojmë, por kemi një brez të ri mbrapa dhe që po presin një fanellë titullari. Elezi është 18-vjeç, në Ballsh luajti titullar, sot u prezantua mirë. Po ashtu edhe Essien. Vazhdimësia e një filozofie të tillë është e klubit, pasi kështu mbushet arka”.

QARKULLIMI – “Ishte strategji e jona, 50% e zgjodha që t’ia linim topin Tiranës nëse nuk e kapim në presing lart. Vendosëm të kalonim në presing difensiv. Rezultoi pozitive dhe dëshira e futbollistëve, bëri që të merrnim rezultatin”.

OTO JOHN – “Në pjesën e parë, kishim disa momente që mund të dilnim në kundërsulm të shpejtë, por mungoi pasimi i shpejtë. E kemi pritur rikthimin e Oto John, i kemi dhënë besim edhe kur nuk është paraqitur mirë. Çdo lojtar do kohën e vet”.

DITA&POLLOZHANI – “Sigurisht që u pozicionuan goxha mirë. Kemi disa defekte tona, por nuk do t’i tregoj. Ndoshta t’i tregoj ty në mënyrë sekrete (drejtuar Nevil Dedes). Gripshi bëri një ndeshje shumë të mirë, duke i ndihmuar dhe dy qendrat e mbrojtjes. Gripshi sakrifikoi shumë”.

HALILI – “Ka qenë një situatë e sikletshme pyetja para ndeshjes, pasi kam dy javë në Korçë. Siç kam takuar Takajn kur kam qenë trajner i Flamurtarit, ashtu do të takoj çdo president. Kam takuar edhe Idrizin edhe Halilin. Kam 40 vite karrierë sportive dhe nuk dua të futem në listën e të paragjykuarve. Unë kam bërë maksimumin kudo ku kam qenë, me presidentët e tjerë thjesht pi kafe”, tha Daja./abcnews.al

Skenderbeu-Laci-1280x720.jpg
Vladimir Prenga16:07 | 23/11/2019

Skënderbeu e Tirana janë gati. Trajnerët Ilir Daja dhe Julian Ahmataj kanë përzgjedhur formacionet. Bardheblutë do të luajnë ashtu siç pritej, pa një sulmues të mirëfilltë. Halili do të jetë në majë të repartit të avancuar, duke u alternuar me Hasanin.

Nga ana tjetër Skënderbeu ka mbrojtjen e zakonshme, ndërkohë që mesfusha ndryshon. Daja dhe Essien janë në qendër,kurse Bregu luan para tyre. Gripshi dhe Ndecky janë përzgjedhur për krahët e sulmit, kurse Krasniqi luan në majë.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 13
E shtunë, më 23 nëntor, ora 16:30
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

SKËNDERBEU-TIRANA
Skënderbeu:
Koliçi, Meksi, Pollozhani, Dita, Pëllumbi, Essien, Daja, Ndecky, Bregu, Gripshi, Krasniqi. Trajner: Ilir Daja
Tirana:
  Lika, Kërçiku, Osmani, Imami, Vangjeli, Karabeci, Cale, Torasa, Cobbinah, Halili, Hasani. Trajner: Julian Ahmataj

GJYQTARË: Klajdi Kola, Rejdi Zaimi, Edlir Malo, Roxhers Muska

/acbnews.al

daja.png
Vladimir Prenga16:07 | 22/11/2019

Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, ka dalë në konferencë para ndeshjes me Tiranën. Ai foli për luhatjet që ka pasur skuadra e tij deri në këtë moment të kampionatit dhe për sfidën me bardheblutë. Daja do të kënaqej edhe me një pikë, por për këtë ka një kusht. Në fund ai jep një këshillë për lojtarët me eksperiencë si dhe i përgjigjet një pyetje ngacmuese për një takim me presidentin e Tiranës, Refik Halilin.

“Sigurisht ka pasur arsye për luhatjet. Dëmtimet kanë qenë një arsye. Asnjëherë nuk kemi përdorur një formacion, s’e kemi pasur grupin e plotë. Shpresoj që me rikthimin e lojtarëve të mos kemi më luhatje. Normalisht do ketë, por shpresoj të mos jenë në të njëjtën shkallë si deri më tani”, u shpreh fillimisht Daja.

RIVALI I RADHËS – “Tirana ka objektiva madhorë, kanë lojtarë me eksperiencë që kanë fituar tituj. Është një ndeshje e vështirë, por si në çdo ndeshje futemi me objektivin për të fituar. Edhe pse e dimë që e kemi shumë të vështirë, për të gjithë problematikat që kemi pasur këto dy javë. Gjithsesi do të futemi në fushë të japim maksimumin”.

Lojtarët e Skënderbeut gjatë një seance stërvitore

OBJEKTIVI – “Kishim dy javë kohë të përgatitemi, por vetëm dy ditët e fundit grupi ishte i plotë. Kishim disa lojtarë me kombëtaret, kurse disa ishin të diferencuar. S’kemi vendosur akoma as formacionin. Praktikisht kishim vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur për Tiranën. Një pikë do më kënaqtë nëse ekipi do shprehej si me Kukësin. Në atë ndeshje bëmë një lojë të mirë. Nuk ishim të zemëruar se nuk fituam. Një lojë e tillë të jep shpresa për vazhdimësinë. Në të kundërt nuk na bën punë, nëse nuk shprehemi mirë në fushën e lojës”.

GJENDJA E SKUADRËS – “Tani kemi 3-4 lojtarë nga mosha 18-20 vjeç që mund të jenë pjesë e formacionet. Skënderbeu është mësuar në elitë dhe në këtë moment nuk e kemi potencialin e duhur, nëse nuk sforcohemi të gjithë bashkë, nëse ata me eksperiencë nuk japin kontributin maksimal që lojtarët e rinj ta kenë më të lehtë të shprehen. Kjo na shqetëson, por me frymën që ekziston brenda grupit jam optimist se gjërat do të shkojnë mirë”.

TAKIMI ME HALILIN – “Nuk kam pasur takim me Halilin. Të gjithë presidentët i takoj, pasi ky është një vlerësim për punën që kam bërë. Me të gjithë presidentët e Superiores mund të pi kafe. Nuk kam pasur një takim për probleme sportive. Thjesht takim për një kafe. Jo vetëm me Halilin, por takohem edhe me të tjerët”, përfundoi Daja. /abcnews.al

Krasniqi-Skenderbeu.jpg
Vladimir Prenga13:15 | 21/11/2019

Skënderbeu rikthehet të luajë në Korçë të shtunën dhe këtë herë përballë do të ketë Tiranën. Kjo përballje, e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Superiore, do të nisë prej orës 16:30. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja do tentojë të vijojë ecurinë pozitive, pas fitores së arritur me Bylisin.

Nga ana tjetër edhe Tirana do maksimumin, në mënyrë që të paktën Partizani kryesues mos ta rritë diferencën prej tre pikësh që ka për momentin. Të dyja skuadrat, për arsye kartonësh nuk do të kenë të gatshëm mesfushorët Shqiprim Taipi dhe Idriz Batha.

Klubi i Skënderbeut sot ka nxjerrë në shitje edhe biletat, çmimet e të cilave variojnë nga 200 lekë në 1000 lekë. Korçarët kanë publikuar edhe detajet për shitjen e tyre, duke nisur nga pikat e shitjes, te çmimet e biletave për çdo sektor.

INFORMACION PËR SHITJEN E BILETAVE

BILETARITË
-Pika e shitjes ngjitur me bankën ‘Credins’
-Pika e shitjes (20 metra poshtë dyqanit Vodafone) pranë stadiumit.
-Pika e shitjes së gazetave (pazari)
-Stadiumi ‘Skënderbeu’ (Ditën e ndeshjes)

ÇMIMET
*Tribuna Gold A & B – 1000 Lekë
*Tribuna A, B – 400 Lekë
*Tribuna C – 300 Lekë
*Tribuna E, D – 200 Lekë
*Tribuna E (Miqtë) – 200 Lekë

/abcnews.al

radas-1280x719.jpeg
Vladimir Prenga08:52 | 19/11/2019

Skënderbeu një vit më parë ka pasur ka pasur probleme financiare, ndërkohë që ka lojtarë që ende nuk janë shlyer. Një prej tyre është edhe kroati Marko Radas, që sipas “Panorama Sport” pret të marrë nga klubi korçar një shumë prej 15 mijë eurosh.

Gazeta në fjalë raporton për një marrëveshje të bërë mes mbrojtësit qendror dhe klubit të Skënderbeut dhe tashmë ai pret muajin janar për të rishikuar edhe njëherë gjendjen në llogarinë e tij bankare.

Ndërkohë presidenti Takaj i ka ofruar atij edhe një bashkëpunim të mëtejshëm si drejtues në klub, ose si zbulues talentesh në Ballkan. Radas, tashmë 36 vjeç, aktualisht aktivizohet me Rudes në Kroaci dhe karriera e tij si futbollist është drejt fundit.

Kështu që padyshim ai do ta marrë në konsideratë propozimin e korçarëve, sigurisht nëse merr garancitë e duhura në aspektin financiar. Me një Skënderbe jashtë Europe, padyshim që situata nuk do të jetë e lehtë në këtë aspekt. /abcnews.al

Skenderbeu.jpg
Vladimir Prenga23:47 | 18/11/2019

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptarë te Futbollit, në emisionin “Pressing” në ABC News, foli për gjykimin në Superiore, shtimin e arbitrave, sistemin VAR, Ligën dhe çështjen Skënderbeu. Për korçarët nuk do të ketë një vendim tjetër të FSHF-së.

“Pesë arbitra në një ndeshe? Është edhe çështje kosto, numër arbitrash. Nuk kanë shumë ndryshim në kualitet. Ka gabime edhe me VAR. Edhe po vumë pesë, do na thoni pse nuk vendosni shtatë. Ndoshta eliminohen gabime, por duhen më shumë financa. Nuk është e lehtë, futboll luhet në çdo nivel. Do ishte një barrë e madhe. Me pesë bëhen ndeshjet më të nxehta. Të ecim hap pas hapi, të shkojmë me dy ndeshje e me radhë”.

“VAR është çështje investimi. Është krejt tjetër gjykim. Arbitri nuk është më arbitër. Me sistemin VAR duhet të dëgjojë se çfarë i thotë ai në radio dhe se çfarë thotë teknologjia. Kemi nisur një projekt dhe do mundohemi ta fusim pas dy sezonesh”.

“Kemi një projekt me Federatën e Kosovës, por nuk do t’ua them. Do e bëjmë publik në të ardhmen”.

“Ka një gjykim në Gjykatën Federale. Varet nga vendimi aty, nëse mbetet në fuqi do vuajë dënimin. Ndryshe do luajnë në Europë. Ne e kemi mbyllur çështjen, i  kemi marrë vendimet. Disa kanë mbetur në fuqi, disa janë rrëzuar nga CAS-i”.

“Liga? Vazhdon organizimi, nuk është marrë forma e plotë. Hap pas hapi ndikon në organizimin e garës. Janë miratuar propozimet e tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes së garës”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono