skandal

shkoder12.jpg
G. P.12:11 | 21/09/2018

Gjykata e Shkodrës ka shtyrë seancën për njohjen me masën e sigurisë për të  arrestuarit e skandalit të ilaçeve. Pala mbrojtëse kërkoi kohë nga Gjykata dhe prokuroria për t’u njohur me akuzat.

Ky vendim unanim u mirëprit nga palët dhe seanca u la për të shtunën në mëngjes në orën 9.00. Të arrestuar janë mjekët Përparim Çela e Luan Dragusha dhe infermierin Renato Kepi.

Kurse në arrest shtëpie janë punonjësit Amanda Matlija, Juliana Zhuri e Albana Mehmetaj dhe farmacistja Karmen Kaculi. Kurse shpallur në kërkim mjekët Edi Smajli dhe Dhurata Uruçi.

Të gjithë akuzohen për shpërdorim detyre, pasi kanë porositur e prokuruar pas miratimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ilace dhe materiale mjekësore për kabinetin e hemodinamikës, në një sasi jashtë çdo kriteri, apo kapaciteti të spitalit rajonal të Shkodrës.

Vlera e materialeve të porositura për vitin 2016-2017 shkon në shifrën mbi 570 milionë lekë. Një ditë më pas kolegët e tyre dolën në mbrojtje dhe i kërkuan prokurorisë të rishikojë akuzat./abcnews.al

KISHA-SKANDALI.mpg_snapshot_00.23-1280x695.jpg
G. P.13:02 | 15/08/2018

Një kishë katolike në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përfshirë nga skandali pasi është zbuluar se gjatë viteve 300 priftërinj të saj kanë abuzuar seksualisht me mijëra fëmijë.

Skandal i ri abuzimesh seksuale në kishën katolike amerikane. Gjykata e lartë e Pensilvanisë ka bërë publik raportin e jurisë së madhe ku listohen qindra fetarë të përfshirë në 70 vitet e fundit. Publikimi i këtij raporti është vonuar pasi disa priftërinj pretendonin se po i shkeleshin të drejtat kushtetuese. Por gjykatësit vendosën ta publikonin me të gjithë emrat dhe detajet e ngjarjeve.

Mund të jenë 300 priftërinj që janë identifikuar gjatë hetimeve. Shpërndarja e raportit i jep fund 18 muaj hetimeve të drejtuara nga prokurori i Përgjithshëm Xhosh Shapiro, në gjashtë prej tetë dioqezave dhe pason atë të një jurie tjetër të madhe që ka zbuluar abuzime dhe fshehjen e tyre në dy dioqezat e tjera.

Publikimi vjen pas dorëheqjes së kardinalit Teodor Mekerik, një figurë e rëndësishme e kishës amerikane, i akzuuar se ka abuzuar me të mitur por dhe me të rritur prej dekadash./abcnews.al

kockat.jpg
G. P.15:05 | 06/05/2018

Në vendin ku një burrë u shkrumbua brenda makinës, ka ende mbetje kockash.  Gazetari i ABC News, i cili filmoi orëve të para të kësaj të diele tregon se mes blozës dalloi dhe copëza eshtrash të njeriut të djegur. Ekspertët duket se kanë realizuar një këqyrje të dobët të vendit të ngjarjes, i cili një ditë më pas duhet të ishte pastruar plotësisht.

Siç shikoni dhe nga pamjet, aty në Derven, ku të shtunën u gjet makina e djegur e brenda saj një burrë i karbonizuar, shumë detaje janë lënë pas. Makina është larguar nga policia dhe grupi hetimor po merret me identifikimin e viktimës. Paraprakisht dyshohet të jetë shtetasi Xhavit Osmanit nga Pestova e Vushtrrisë.

Zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti u ka thënë mediave vendase se më 4 Maj, familjarët e kanë raportuar si të zhdukur një person me identitetin e njejtë me trupin e pajetë që u gjend dje në Fushë-Krujë. Kurse burime të policisë shqiptare treguan se Xhavit Osmani, 60 vjeç, disa ditë më parë ka hyrë bashkë me mjetin e tij nga Morina.

Ka dyshime që burri mund të jetë ekzekutuar më parë dhe më pas makina bashkë me trupin e tij u dërguan në vendin ku dhe i është vënë flaka. Gjasat janë për një hakmarrje nga ish-miqtë e kosovarit në Fushë-Krujë.

Një zyrtar i policisë i tha ABC News, që vendasit e njihnin Osmanin si pronar të një lokali me muzikë, në të cilin punojnë dhe vajza nga zona, ku u gjet makina e djegur. Kështu të paktën e njohin kosovarin në Fushë Krujë. Megjithatë pritet ADN dhe ballafaqimi me familjarët për të saktësuar zyrtarisht nëse viktima është Xhavit Osmani, apo jo./abcnews.al

amber.png
G. P.11:34 | 30/04/2018

Ministrja e Brendshme e Britanisë, Amber Rudd ka dhënë dorëheqjen. Vendimi i saj erdhi pas presionit të opozitës, pasi ajo ishte përfshirë në skandalin me kuotat e emigrantëve nga Karaibet, që dëboheshin nga Mbretëria e Bashkuar.

Prej ditësh në shënjestër, ministrja e Brendshme britanike, Amber Rudd, në fund është dorëzuar dhe ka dhënë dorëheqjen, në valën e zbulimeve për të drejtat e mohuara ndaj një gjenerate emigrantësh të ish-kolonive të Karaibeve. Ky vendim i saj është pranuar edhe nga kryeministrja Theresa May. Ngjarja me skandalin “Windrush”, prej mijëra emigrant të Karaibeve që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ‘70 – varka e parë e mbërritur në Londër ishte emërtuar “Windrush” – për të rindërtuar vendin pas Luftës së Dytë Botërore.

Këta emigrantë kishin përfituar të drejtën për të qëndruar në Britani për një kohë të pacaktuar. Disa prej tyre kanë dhe shtetësinë britanike pasi kanë lindur në periudhë koloniale. Por ata që nuk kanë kërkuar kurrë shtetësinë, e kanë parë veten të trajtohen si emigrantë të paligjshëm, dhe rrezikojnë dëbimin nëse nuk mbledhin prova për çdo vit qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar. Amber Rudd u përfshi në skandal pasi konfirmoi në sallë se nuk ishte në dijeni të kuotave të dëbimit të përvitshme të vendosura nga dikasteri i saj.

Më pas tentoi përgënjeshtrimin me anë të një shënimi. Por në atë pikë, ministrja ka kërkuar ndjesë publike, një shembull ky që u ndoq dhe nga kryeministrja May, përballë liderëve të 12 vendeve të mbledhur në Londër për një samit të Commonwealth.

Por e gjithë kjo nuk e zbuti protestën e opozitës Laburiste, e cila bëri thirrje për dorëheqjen e ministres së Brendshme. Qeveria konservatore vazhdoi ta mbrojë atë, duke pasur frikë, ndër të tjera, që të humbiste një tjetër ministër udhëheqës, si ish-sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon, i cili përfundoi në skandalin e ngacmimeve në Westminster. Me anë të këtij skandali, opozita kërkonte që të godiste drejtëpërdrejtë kryeministren May, por në fund ajo vendosi të pranonte dorëheqjen e Amber Rudd./abcnews.al

junichi-fukuda.jpg
G. P.09:50 | 19/04/2018

Një zyrtar i rëndësishëm japonez dha dorëheqjen nga detyra pas akuzave për ngacmime seksuale ndaj disa gazetareve.
Junichi Fukuda i ka mohuar akuzat e raportuara nga revista “Shukan Shincho”, që gjithashtu thotë se ka prova kundër tij.
Sipas revistës, Fukuda, një nga drejtuesit më të rëndësishëm në Ministrinë e Financave, ka bërë komente seksuale drejt disa femrave gazetare.
Në materialin që u shfaq në fillim të javës tregohet edhe një klip audio, ku dëgjohej zëri i Fukudës duke thënë: “Mund të të përqafoj”? dhe “Mund të të prek gjoksin”?
Ndërkohë, një drejtues tjetër vendor në Japoni, u dorëhoq pak kohë më parë mbi akuzat se paguante femra për të pasur marrëdhënie.
Deri më tani, shoqëria konservative japoneze ka qenë e ngadaltë për t’iu bashkuar lëvizjes mbarëbotërore #MeToo.
Nxitur nga skandali i Harvey Weinstein në Hollywood, lëvizja #MeToo, kundër ngacmimeve seksuale, filloi të përhapet në shumë vende të ndryshme të botës./abcnews.al

shitja.jpg
G. P.14:21 | 01/04/2018

Dhe pse policia ndërhyn për të larguar ambulatorët nga rruga, në autostradën Rrogozhinë-Kavajë, shitësit dhe blerësit vazhdojnë punën e tyre. Ata rrezikojnë jetën për të shitur patatet apo karrotat, kurse blerësit ndalojnë sa herë t’u jepet mundësia.

I duhet të shesë patatet në thes dhe nuk e shikon rrezikun. Pamje janë xhiruar në Gosë të Rrogozhinës, në anë të autostradës.

Drejtuesit e mjeteve ndalojnë për të blerë patate me shumicë. Blerësi qëndron në njërën anë të korsisë të rruges Rrogozhinë-Kavajë.

Shitësi në krahun e kundërt pasi merr porosinë kalon mes për mes trafikndarëses për të dorezuar mallin dhe të marrë parate. Kështu vepron nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Mbrojtëset në dy anët e autostradës nuk i pengojnë tregtarët ambulante të vazhdojnë shitjet. Nga Bishti i Zhurit në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, në Gosë, e deri në Kavaje, rruga është e mbushur nga të dy anët me tezga frutash e perime.

Policia herë pas here ndërhyn. Ky djalë thotë se është paralajmëruar për t’u larguar shitjes në rrugë.

Në jug të vendit, kjo lloj tregtie ushtrohet edhe në autostradën Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat./abcnews.al

vlcsnap-error043-1280x720.jpg
G. P.16:33 | 11/02/2018

Shtypi britanik ka bërë me dije se skandali seksual ka përfshirë disa organizata humanitare dhe jo vetëm shoqatën OXFAM. Sipas gazetave, në këtë skandal është përfshirë Save The Children, “Christian Aid” dhe Kryqi i Kuq Britanik.

Jo vetëm festa me prostituta në Haiti dhe jo vetëm “OXFAM”. Skandali i abuzimit seksual i atribuar disa vullnetarëve të OJQ-ve humanitare po përhapet në shtypin britanik. The Times, e cila për herë të parë zbuloi historinë, tani zgjeron fushëveprimin, duke raportuar se në vitin 2017 “OXFAM” është përfshirë në 87 incidente të sjelljes së papërshtatshme të personelit të saj që punojnë jashtë vendit 53 nga të cilat janë raportuar në polici, Save the Children në 31 raste; 10 prej të cilave janë denoncuar dhe “Christian Aid” në dy. Ndërsa Kryqi i Kuq Britanik pranon 5 raste të dushimeve për ngacmime brenda vendit.

The Observer zbulon se marrëdhëniet mes përfaqësuesve të “OXFAM” dhe prostitutave të reja ishin denoncuar që në vitin 2006, në Çad, ku kreu i misionit ishte gjithmonë Roland van Hauwermeiren, pastaj dha dorëheqjen në vitin 2011 për festat e organizuara në Haiti. “OXFAM”, duke mohuar raportimet, pranon që sjellja e një “pjese të vogël” të stafit të tij ka qenë “e turpshme”.

Ndërkohë, qeveria britanike po shqyrton hipotezën e rishikimit të mardhënieve me “OXFAM”. “Raporti për sjelljet e papranueshme nga ana e personelit të lartë të”OXFAM” në Haiti është shokuese”, tha një zëdhënës i Downing Street, i cili tani kërkon që OJQ-ja e famshme “të dërgojë të gjitha provat që zotëron në komisionin e brendshëm për një hetim të menjëhershëm dhe të plotë”. “OXFAM” ka për të dhënë përgjigje”, tha një zëdhënës për Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar, që po konsideron rishikimin e financimit të organizatës humanitare, e cila vitin e kaluar ka marrë rreth 37 milionë euro./abcnews.al

genc-ruli..jpg
G. P.18:27 | 08/02/2018

Genc Ruli, ish-deputeti dhe ministri i qeverisë Berisha, u thirr për të dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me skandalin e CEZ. Ish-ministri, Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, ishte i pranishëm në organin e akuzën të mërkurën në mbrëmje rreth orës 18:40.

Ruli dëshmoi rreth një orë para prokurorit Ardian Braho, duke theksuar se, edhe ai vetë është i interesuar që kjo çështje të shkoje deri në fund.

Kjo ishte dëshmia e dytë për dosjen CEZ, pas asaj të Shkëlzen Berishës pak ditë më parë.

Skandali i CEZ u hetua nga një komision parlamentar, që i dërgoi dosjen Prokurorisë, por kjo e fundit e mbylli, ndërsa Gjykata e Tiranës rreth një muaj më parë, urdhëroi hapjen e çështjes përsëri duke i lënë detyra Prokurorisë se kush duhet të merret në pyetje./abcnews.al

volkswagen.jpg
G. P.19:14 | 30/01/2018

Një ditë pas publikimit të lajmit për përdorimin e kafshëve si kavie për të testuar emetimet e motorëve me dizel, “Volkswagen” ka shkarkuar nga detyra kryemenaxherin e grupit. Krerët e prodhuesit të automjeteve kanë deklaruar se hetimi mbi këtë çështje duhet të shkojë deri në fund.

Gjigandi gjerman i automjeteve “Volkswagen” ka shkarkuar nga detyra kryemenaxherin e tij, një ditë pas publikimit të lajmeve për përdornimin e kafshëve si kavie për të testuar tymin e çliruar nga motorët me dizel.

Kompania bën me dije se Thomas Steg, drejtor për marrëdhëniet me jashtë dhe menaxhimin, do të qëndrojë i pezulluar deri në përfundimin e hetimeve. “Aktualisht jemi në proces hetimi dhe presim të dalin përfundimet. Zoti Steg ka deklaruar se do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i “Volkswagen Group”, Matthias Mueller. Prodhuesi i automjeteve pranoi të hënën se kishte financuar një studim të vitit 2014, i cili parashikonte përdorimin e kafshëve, kryesisht majmunë, për të testuar nivelin e ndotjes. Testet kishin si qëllim të tregonin se motorët me dizel ishin më të pastër se modelet parardhëse, në përpjekje për të ulur jehonën e skandalit të emetimeve, që më vonë do t’i kushtonte kompanisë dhjetëra miliardë euro. Kafshët e përdorura në eksperimente ekspozoheshin për disa orë ndaj tymit, përpara se të bëheshin subjekt i kontrolleve mjekësore.

Reagimet nuk munguan. Qeveria gjermane u doli në krah grupeve për mbrojtjen e kafshëve, duke dënuar praktikat e kompanisë. “Këto teste janë të pajustifikueshme dhe ngrenë pyetje për ata që fshihen pas tyre”, deklaroi kancelarja Angela Merkel. Edhe Hans Dieter Potsch, kryetar i bordit mbikëqyrës të “Volkswagen” tha se do të bëjë gjithçka që kjo çështje të hetohet deri në fund. “Kushdo qoftë përgjegjës për këtë duhet të dalë para drejtësisë”, tha ai./abcnews.al

hillary-clinton.jpg
G. P.22:01 | 26/01/2018

Gazeta amerikane “New York Times” akuzon ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton se fshehu një skandal seksual gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, kur ajo garonte kundër Barack Obama për kandidatin e demokratëve.

Një ish-këshilltar i stafit elektoral të Hillary Clinton në vitin 2008, i cili u akuzua vazhdimisht për ngacmim seksual ndaj një vartëseje, u mbrojt nga ish-zonja e parë e Amerikës. Lajmin e bën të ditur “New York Times”, që citon katër persona në dijeni për ngjarjen, të cilët pretendojnë se kishte qenë pikërisht Clinton që kishte kërkuar mbajtjen sekret të skandalit.

Ankesa ndaj këshilltarit Burns Strider u bë nga një 30-vjeçare, e cila e akuzoi atë se i kishte prekur shpatullat në mënyrë të papërshtatshme, se e kishte puthur në ballë dhe se i kishte dërguar email-e provokuese, edhe gjatë natës. Kjo konfirmohet nga katër ish-pjesëtarët e stafit elektoral, sipas të cilëve ankesa i shkoi në vesh edhe ish-zonjës së parë, të cilës iu sugjerua shkarkimi i Strider, por ajo refuzoi për hir të fushatës.

Sipas gazetës prestigjoze, zotit Strider iu dha rroga për disa javë dhe u urdhërua të këshillohej me një mjeke, ndërsa vajza e re e ngacmuar u lëviz në një vend tjetër pune. Strider, që ishte këshilltari i besuar i zonjës Clinton dhe kujdesej për fjalimet e saj, u punësua sërish 5 vjet më vonë për të drejtuar një grup të pavarur që mbështeti kandidaturën e saj në vitin 2016 kundër Donald Trump. I kontaktuar nga “New York Times”, Strider ka refuzuar të bëjë komente e po ashtu edhe menaxherja e fushatës që kishte denoncuar rastin tek shefja e saj.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono