skaf

barii.png
G. P.11:28 | 12/10/2018

Rreth 300 kilogramë marijuanë e sekuestruar, e cila në treg do të jepte një fitim prej 3 milionë eurosh dhe dy skafistë shqiptarë në pranga. Është ky bilanci i operacionit të policisë së Barit mëngjesin e së premtes.

Policia e Barit gjatë një patrullimi rutinë kanë sinjalizuar në det një gomone që ishte e ngarkuar më shumë se duhet. Drejtuesit e saj sapo kanë parë agjentët u përpoqën të largoheshin me shpejtësi duke u detyruar më pas të braktisin gomonen me 294 kilogramë marijuanë dhe 16 kilogramë hashash.

Dy skafistët, me shtetësi shqiptare u fshehën në një ndërtesë të braktisur, por agjentët e policisë së Leçes arritën t’i prangosin. Sipas të dhënave të para vlera e drogës nëse do të hidhej në treg do të ishte 3 milionë euro.

Që nga fillimi i këtij viti policia italiane ka arritur të sekuestrojë më shumë se 17 tonë marijuanë, 18 gomone dhe skafe si dhe ka vënë në pranga 42 persona./abcnews.al

drogaaa.png
G. P.10:58 | 11/10/2018

Një tjetër ngarkesë me marijuanë është kapur nga autoritetet italiane në Kanalin e Otrantos. Këtë herë në pranga ka rënë një 41-vjeçar italian nga qyteti i Leçes ndërsa mediat shkruajnë se ngarkesa po i drejtohej brigjeve të Italisë.

Droga ishte fshehur në një fund të dyfishtë në skaf që u zbulua pas kontrollit të imtësishëm të Guardia Di Finanzia. Në total u gjetën 222 pako, të cilat peshonin 352 kilogramë. Në treg droga do të kishte një vlerë prej 3 milionë eurosh.

Gjithashtu autoritetet sekuestruan edhe skafin e përdorur për trafikun e jashtëligjshëm.

Mediat italiane shkruajnë se ky aksion tregon bashkëpunimin e konsoliduar operacional dhe informativ mes autoriteteve shqiptare dhe Guardia Di Finanzias italiane. Që nga fillimi i vitit në vijën bregdetare italiane janë sekuestruar më shumë se 17 tonë marijuanë, janë arrestuar rreth 40 skafistë dhe janë bllokuar 17 mjete lundruese./abcnews.al

droga.jpg
G. P.10:50 | 30/08/2018

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza finalizuan një operacion dhe bënë të mundur sekuestrimin e një skafi që autoritetet shqiptare i ishin vënë në ndjekje që të mërkurën.

Mjeti lundrues u gjend në afërsi të lokalitetit Sant Andrea të Otrantos dhe drejtohej nga dy shqiptarë, A.R, 30 vjeç dhe D.G, 22 vjeç.

Të mërkurën e 29 Gushtit, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative u vu në ndjekje të skafit. Por pasi humbën kontaktet dhe mjeti hyri në ujërat ndërkombëtare, policia njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.

Operacioni mes dy palëve u finalizua mëngjesin e kësaj të enjteje, ku u sekuestruan 700 kilogramë marijuanë. Ndërkohë po vijojnë hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.

Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda./abcnews.al

tahiri-skaf.jpg
G. P.12:49 | 15/05/2018

Një tjetër e dhënë që është konsideruar nga prokuroria e vlefshme dhe me vlerë për rrethanat e hetimit për çështjen penale në ngarkim të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë dhe të dhënat e përftuara nga deklarimi i Orges Liperit. Ky person figuron të jetë, sipas prokurorisë, dhe pronari ligjor i skafit të përdorur për një kohë të gjatë nga Saimir Tahiri, kryesisht gjatë pushimeve. Liperit figuron që i janë marrë dy herë deklarime, përkatësisht gjatë datave 26.04.2018 dhe 07.05.2018.

Citim i dokumentit që tvklan.al ka siguruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për deklarimet e Orges Liperit

“Sipas deklaruesit, mjetin lundrues “Auras” e bleu tek një shtetas italian me ndërmjetësinë e një miku të tij. Roni Shqopa. Blerja u bë në Durrës dhe në ditën kur dorëzoi lekët, mori mjetin lundrues që ndodhej në Portin e Durrësit dhe që ishte i pajisur me karel. Nuk i kujtohet të ketë përpiluar kontratë shitje në Shqipëri. Me procedurat e zhdoganimit dhe regjistrimit të mjetit të kryera në datë 06.08.2014, u mor agjencia doganore dhe për kryerjen e tyre me shpejtësi, ndikoi Roni Shqopa, i cili paraprakisht i kishte kërkuar që këtë mjet t’ia linte në përdorim Saimir Tahirit.

Nuk kujton të ketë përpiluar dokument për lënien në përdorim të mjetit dhe nuk tregoi interes për të. Mjetin nuk e përdori, por në ndonjë rast pagoi tarifë për lëvizjen me vinç. Gjithashtu, mjetit lundures në vitet 2015 dhe 2017 iu bë servis në Itali. Pagesat u kryen nëpërmjet llogarisë bankare në emrin e tij. Ishin shtetasit Boge Budini dhe Roni Shqopa, që e njoftuan për servisin e bërë dhe i sollën edhe faturat. Faturat iu paguan një servisi në Jug të Italisë dhe kishin vlerë 30 000 Euro.

Ndërsa nuk njihte shtetasit Artan dhe Moisi Habilaj, shtetasin Naim Brahimaj kishte mundur ta fiksonte si personin që merrej me mjetin lundrues të regjistruar në pronësinë e tij. Para disa muajsh (referuar ditës së dhënies së deklarimeve), pas njoftimit të Roni Shqopës për urdhërin që ndalonte qëndrimin e mjeteve lundruese në port, mjeti lundrues i tij u dërgua tek Resorti i Arben Likmetës.

Shtetasin Saimir Tahiri e takoi pas paraqitjes në prokurori, pra pas datës 26.04.2018. Takimi iu kërkua nëpërmjet Roni Shqopës. U takuam në Tiranë dhe në takim, krahas shokut të tij Elvin Kuraja ishte Saimiri dhe bashkëshortja e tij. Në takim, Saimiri i kërkoi ndjesë për shqetësimin që i ishte krijuar nga thirrja në prokurori”.

Këto dhe prova të tjera pjesë e materialit prej 33 faqesh, bindën gjyqtaren Liljana Baku që të vendoste masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri./tvklan.al

*Boge Budini ish-drejtor i policisë Kufitare Durrës-Ministria e Brendshme
*Roni Shqopa ish-drejtor i shtëpisë së pushimit-Ministria e Brendshme

parlamenti-foto-skafi-933x445.jpg
G. P.10:39 | 15/05/2018
Në dokumentin që Prokuroria e Krimeve të Rënda i paraqiti Gjykatës si prova të rëndësishme që duhet të mbanin Saimir Tahirin në masën e sigurisë “arrest me burg” ishte dhe dëshmia e dhënë nga punonjësi i policisë kufitare Naim Brahimaj. Në këtë pjesë të dytë të dëshmisë së Brahimajt, të cilën tvklan.al po e publikon pasi ka siguruar dokumentin e prokurorisë, flitet për udhëtimin drejt Brindizit në Shtator të 2014 me Moisi Habilajn (i arrestuar në Itali) dhe Aurel Konakciun, për të rregulluar skafin të cilin mbante në përdorim Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri.

Pjesë nga dëshmia e policit Naim Brahimaj

Pas rreth një muaji, Aureli e mori në telefon dhe i kërkoi ta shoqëronte për në Itali, ku do të dërgonte skafin (e përmendur më sipër) në servis. Shkoi në Vlorë dhe takoi Aurelin dhe Moisi Habilajn, ndërsa skafi ndodhej në vendin ku e kishin lënë të ankoruar. Moisiu u kërkoi të shkruanin edhe emrin e tij, ndërsa shkoi në Kapiteneri dhe mori lejen e lundrimit. Udhëtuan të tre në drejtim të Italisë dhe mbërritën në Portin e Brindisit duke qenë Aureli kapiteni dhe ai motorist.

Qëndruan disa ditë në Brindizi dhe tek stafi shkuan disa persona të cilët morën përsipër rregullimin e tij. Gjatë ditëve të qëndrimit atje, shpenzimet u paguan nga Moisiu. U kthye sëbashku me Aurelin me traget në Durrës, ndërsa Moisiu ishte larguar një ditë më parë.

Disa ditë pas kthimit Aureli e mori në telefon dhe e njoftoi se duhej të shkonin në Itali për të marrë skafin, i cili nuk ishte rregulluar. Shkuan me traget nga Durrësi në Bari dhe më pas në Brindizi me tren. Të nesërmen morën skafin dhe u kthyen në Durrës. E nxorën skafin në tokë dhe e lanë atë pasi ishte i prishur. Shpenzimet e udhëtimit nuk arriti të mësojë se nga kush u paguan”.

Naim Brahimaj në vitin 2014 ka mbajtur detyrën e ndihmës specialistit të forcës speciale, shofer dhe komandant skafi pranë repartit “Delta Force”. Ai aktualisht është punonjës policie me detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës./tvklan.al

naim-brahimaj.jpg
G. P.08:59 | 15/05/2018
Faktet e reja të sjella nga Greqia dhe që disponohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, lanë në “arrest shtëpie” ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Punonjësi i policisë Naim Brahimaj ka pranuar njohjen me Saimir Tahirin dhe që është takuar me të në Gusht të vitit 2014 për shkak se ish-ministrit të Brendshëm i ishte prishur skafi.

Në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një pjesë të së cilën e disponon tvklan.al, që mban datën 11 Maj 2018, thuhet se ish-ministri i kishte kërkuar ndihmë policit Brahimaj për skafin e prishur.

Naim Brahimaj, i cili aktualisht mban detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës, u telefonua nga Greqia nga Saimir Tahirit në Gusht të vitit 2014. Në atë periudhë, ish-ministri ka qenë me pushime në shtetin fqinj, dhe kishte shkuar në Korfuz me skaf, ku dhe i ishte prishur.

Saktësojmë se mjeti lundrues nuk është në pronësi të Saimir Tahirit, por në atë kohë ishte në përdorim prej tij.

 

Deklarime të shtetasit Naim Brahimaj, aktualisht punonjës policie me detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës, dhënë në datë 26.04.2018 para prokurorit të çështjes, dokumentuar në procesverbal ‘Për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale’.

Në tërësi, deklaruesi njoftoi për angazhimin e tij mbi kërkesën e Saimir Tahirit, në funksionin e ministrit të Brendshëm, për rregullimin e skafit të përdorur nga ky i fundit në pushimet e tij në Greqi, në Gusht 2014 si dhe për angazhimin më pas në dërgimin e skafit në Itali për servis dhe kthimin e këtij të fundit përsëri në Shqipëri.

Sipas deklaruesit, gjatë karrierës së tij punoi në Vlorë me detyrën e ndihmës specialistit të forcave speciale, shofer dhe komandant skafi, pranë Repartit Delta Force. Gjatë kësaj kohe dhe në vazhdimësi, njohu Artan Habilajn, Moisi Habilajn dhe Aurel Konakçiun.

Në Gusht 2014, në mbrëmje vonë, në numrin e tij telefonik 06********, u telefonua nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, i cili i tregoi se i ishte prishur një motorr skafi, ndodhej larg dhe i kërkoi mendim se si duhej të vepronte. E udhëzoi të mundohej ta ankoronte diku. Komunikoi disa herë me të atë natë dhe u njoftua se ishte mundësuar ankorimi. Saimiri i kërkoi që të nesërmen të shkonte në Greqi, ku ai ndodhej me pushime, ndërsa do ta merrte dikush me makinë dhe do të shoqërohej edhe nga një teknik tjetër.

Të nesërmen rreth pasdites, u telefonua nga Artan Habilaj, të cilin e njihte më parë. Me të, së bashku dhe një shtetas tjetër, të quajtur Aurel Konakçiu, udhëtuan me automjetin Audi i cili i ishte blerë Saimirit, në drejtim të Greqisë, duke kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë. Mbërritën kur ishte ende natë, në vendin e ankorimit të skafit, ndërsa Artani si drejtues mjeti orientohej shumë mirë. Duke filluar që në mëngjes, ai dhe Aureli u morën me rregullimin e skafit me mbishkrimin Solemar me fuqi 234 kw me dy motora Nanni, me gjatë rreth 12 metra, ndërsa Artani lëvizi pa ditur se për ku. Më vonë aty mbërriti edhe Saimiri. Gjatë kohës së qëndrimit atje, u takua me babain e Saimirit, Bashkimin, me Elona Gjebrenë që ndodhej së bashku me bashkëshortin“, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. /tvklan.al

 

skafi.jpg
ent ela21:58 | 26/04/2018

Një skaf është bllokuar në grykëderdhjen e lumit Pavllo në Sarandë. Mjeti lundrues, 5 metra i gjatë, dyshohet se do të përdorej për trafik droge drejt Greqisë.

Operacioni u krye nga sektori i luftës kundër krimit të organizuar në komisariatin e Sarandës në bashkëpunim me policinë kufitare. Efektivë të shumtë ndodhen ende në terren për të zbuluar nëse ka sasi droge të fshehur në grykëderdhjen e lumit Pavllo. /abcnews.al

vlcsnap-error673-1280x720.jpg
us er19:17 | 09/01/2018

28 shqiptarë u mbytën në ujrat e detit Jon 14 vite më parë. Këta banorë, kryesisht të qarkut Shkodër, ishin të moshës nga 15 deri në 33 vjeç.

U dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u rregullonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen.
Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane.

Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora i dorëzohet stuhisë detare. Pasojat? 18 burra e tre gra gjenden të pajetë në agimin e 10 Janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane. 7 rezultojnë të zhdukur edhe pas 14 vjetësh. Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.

Ngjarja u përjetua nga të gjithë shqiptarët, nga telefonata për ndihmë drejtuar një televizioni privat e deri në përcjelljen mortore të shqiptarëve që bënë atë që bënin shumica në atë kohë, të zgjidhnin të ishin klandestinë.

Tragjedia nuk është zbardhur plotësisht.

Vetëm pas 13 vitesh u arrit ekstradimi për në Shqipëri i njërit prej skafistëve, Elton Tafilit, i dënuar me 25 vite burg nga gjykata e Vlorës për trafik të qënieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono