situata

klosi-velipoje-1280x716.jpg
nev ila15:47 | 16/07/2019

Përplasjet politike, fushata dhe zgjedhjet e 30 qershorit kanë ndikuar negativisht në përgatitjen dhe menaxhimin e sezonit turistik, tha ministri Blendi Klosi nga Velipoja. Ai deklaroi në mbledhjen e Task Forcës se ende nuk janë lidhur kontratat me përdoruesit e plazhit nga Bashkia Shkodër.

Në mbledhjen e Task Forcës për menaxhimin e turizmit në Velipojë ministri Blendi Klosi ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit kanë patur një impakt negativ në përgatitjet për sezonin turistik.

“Jemi më keq se një vit më parë“,- tha Klosi duke renditur disa nga problematikat e konstatuara në terren.

“ Janë 29 të evidentuara prej tyre 17 janë të regjistruara në tatime, por pa lidhur kontratë me Bashkinë e Shkodrës, ndërsa në gjithë plazhin janë vetëm 10 kulla vrojtime”, tha Klosi.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe ministrat Balluku dhe Cakaj.

Në mbledhje morën pjese përfaqësues të Prefekturës Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe institucioneve qendrore në nivel vendor./ABC News Albania 24/7

ilir-meta-1.jpg
ent ela09:45 | 08/07/2019

Pak orë para ngritjes së komisionit hetimor në Kuvend për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta ka publikuar qëndrimin e tij për situatën politike në vend. Ai ka bërë edhe njëherë një kronologji të akteve të ndërmarra prej tij lidhur me dekretet për zgjedhjet, duke rikujtuar se i është referuar dispozitave kushtetuese, ndaj sipas tij, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Tij.

“Dekreti për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor”, vëren Presidenti.

Prandaj sipas tij, dekreti i datës 10 qershor është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

“Sipas Kodit Zgjedhor”, thotë Meta, “Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.

Padinë e Partisë Uniteti Kombëtar, Meta e cilëson si një inskenim për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit. “Por, në këtë proces Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga Kolegji Zgjedhor, për të qenë palë në proces”, sqaron presidenti.

Në qëndrimin e tij, Kreu i Shtetit sjell ne vëmendje se Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve. Për pasojë, veprimtarinë zgjedhore të 30 qershorite quan të paligjshëm dhe antikushtetues.

Përkundrazi, sipas tij, dekreti për zgjedhjet e 13 tetorit është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Në fund, Presidenti i fton të gjithë aktorët t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës. /ABC News Albania 24/7

 

zgjedhje-4-1280x716.jpg
Sej rie21:45 | 29/06/2019

E ndërsa vendi nesër do të shkojë në votime, gazetarët e ABC News në të gjithë qarqet kanë raportuar për situatën aktuale.

Nga Shkodra gazetari i ABC News në këtë qark është shprehur se situata është paraqitur e qetë pavarësisht ndërhyrjes së policisë në disa qendra votimi. Ata ishin kyçur, pasi ishin në pronësi të bashkisë së qytetit që drejtohet nga Voltana Ademi. Hapja e disa prej këtyre qendrave është bërë me ndërhyrjen e forcave të policisë. Nuk ka pasur incidente dhe përplasje, por vetëm ndërhyrje.

Edhe në Dibër pas incidenteve të mbrëmjes së djeshme situata sot është paraqitur e qetë. Lidhur me incidentet deri më tani në Dibër janë shoqëruar 12 persona dhe 39 janë shpallur në kërkim. Dita e sotme ka qenë e qetë dhe normale.

Ndërsa gazetari i ABC News në Lezhë është shprehur se gjatë mbrëmjes së sotme do të përfundojë procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore.

Gazetarja e ABC News në Korçë deklaroi se shpërndarja e materialeve zgjedhore është bërë në qetësi dhe normalitet të plotë.

Edhe në Durrës gazetarja komunikoi se situata është paraqitur e qetë, si dhe procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore pritet të mbyllet rreth orës 22: 00 të mbrëmjes së sotme.

Gazetari jonë në Vlorë u shpreh se shpërndarja e materiale zgjedhore është mbyllur rreth orë 20 : 15 minuta dhe nuk është shënuar asnjë incident apo problematikë.

Edhe në Lushnje janë shpërndarë materialet nëpër qendrat e votimit në një proces të qetë dhe normal.

Në Fier gjithashtu në të 4 bashkitë e këtij qarku ka përfunduar procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore.

Po ashtu edhe në Librazhd ka përfunduar rreth orës 16: 30 minuta procesi i shpërndarjes së materiale zgjedhore në normalitet të plotë.

Por edhe në Qarkun e Gjirokastrës ka përfunduar procesi i shpërndarje së materialeve në kushte normale.

Së fundmi edhe në qytetin e Elbasanit ka përfunduar pa probleme shpërndarja e gjithë bazës materiale./abcnews.al

mirela-kumbaro.jpg
G. P.18:06 | 24/06/2019

Situata përpara zgjedhjeve të 30 Qershorit është shumë e qetë sipas ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumabro. Ajo ishte e ftuar në rubrikën “Mbrëmje ABC” ku theksoi se fushata e këtyre zgjedhjeve është e njëjtë si fushata e para dy viteve.

“Nga terreni i zonave të tjera të Shqipërisë, unë jam deputete e qarkut  të Gjirokastrës dhe në të 7 bashkitë e qarkut të Gjirokastrës është një situatë që për sa i përket publikut dhe njerëzve, një situatë shumë e qetë, shumë normale. Njerëzit janë përfshirë tashmë në një temperaturë të zakonshme që parashikojnë grafiku i fushatave elektorale. Nuk më ngjan as më shumë e as më pak se fushata e dy viteve më parë në të njëjtën periudhë, po në të njëjtën qark. Sigurisht nuk mund të them që është krejtësisht normale për sa i përket skemës, së kësaj fushate sepse nuk kemi konkurrentin përballë, atë që do duhej të ishin konkurrentë ligjorë, fshihen ferrave duke pritur në ndonjë kthesë ku del kryeministri, ku del kandidati i PS. Këtë e them me një lloj buzëqeshje dhe keqardhje”, tha Kumbaro.

Më tej, ajo nënvizoi se nuk ekziston përplasje civile siç shprehet opozita. Madje sipas deputetes së PD-së, të njëjtët persona që dolën në protestë kur kryeministri Rama shkoi në Gjirokastër, i kanë konfirmuar se kanë qenë të detyruar të dalin.

“Dje le të themi ishte një nga ato ditët ku ishte supozuar sipas thënieve të opozitës që do duhej të kishte tensione. Shkuam nga skaji jugor i qarkut në skajin verior të qarkut dhe ku sipas atyre që thotë opozita që flet për luftë civile, për konflikte për përplasje është për të ardhur keq se çfarë degradimi ka pësuar ligjërimi publik i opozitës duke dashur me çdo kusht dhe gati në mënyrë perverse për të nxitur një lloj konflikti, i cili nuk ekziston të paktën në qarkun e Gjirokastrës, por edhe në shumë qarqe të tjera ku unë kam informacionet e mia. Ka disa episode aty ku elementë të dhunshëm, ose të paditur ose shumë naivë, nxiten dhe përdoren në mënyrë kamikaze nga udhëheqësit. Kur vjen puna udhëheqësit janë ata që fshihen mbrapa ferrave. Nuk ka tension. Kishte një grup të vogël në Gjirokastër të cilët detyrohen, unë i mirëkuptoj ata kanë marrë urdhër që duhet të dalin në grup. Ata dalin sepse vjen udhëheqësi politik i qarkut. Por janë të njëjtët njerëz që në darkë në mëngjes, kur takohen me ne na konfirmojnë që janë të detyruar të dalin. Unë këtë nuk e quaj përplasje civile, nuk e quaj as tension”, tha Kumbaro./abcnews.al

ministria-e-drejtesise.jpg
ent ela21:15 | 19/06/2019

Pas kërkesës së Presidentit Ilir Meta për sigurinë në burgje, ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Drejtësisë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat ky institucion njofton se situata është në normalitet të plotë dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme.

Njoftim i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve

 Duke marrë shkas nga kërkesa për informacion që Presidenti i Republikës i ka dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, disa portale kanë spekuluar duke publikuar lajme të rreme të natyrës destabilizuese.

 Në këto kushte e çmojmë të nevojshme të përgënjeshtrojmë këto lajme dhe të informojmë publikun se asgjë nga sa është publikuar në këto portale në lidhje me situatën në burgje nuk është e vërtetë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se situata është në normalitet të plotë dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme sipas protokolleve të sigurisë të sistemit penitenciar, kjo edhe në përputhje me zbatimin e procedurave për 41 bis.

Garantojmë për normalitet të plotë në sistemin penitenciar dhe për shërbimin ndaj personave të paraburgosur dhe të dënuar, në përputhje me legjislacionin për të drejtat dhe trajtimin e tyre.

 Ftojme mediat në informacionet që bëjnë publike, ti referohen komunikimit me institucionet përgjegjëse. /abcnews.al

 

lleshaj-1-933x445.jpg
Sej rie21:30 | 18/06/2019

Pas situatës së krijuar në Shkodër ka reaguar në Twitter edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duke e quajtur, përpjekje te turpshme e përfaqësuesve të PD, për të djegur një shkollë në Shkodër. Lleshaj fton qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky turp i pamasë, sic e quan ai dhe të izolojnë bijtë e dhunës.

Në një tjetër ragim, Lleshaj shkruan: “Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron”. Kreu i ministrisë brendshme theksoi se nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit dhe se pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve./ABC News Albania 24/7

NEGOCIIAYTA-1280x710.jpg
Sej rie20:45 | 18/06/2019

Bashkimi Evropian do të marrë në fund të Tetorit vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet anëtare kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar raportet e Komisionit Evropian për vendet aspirante.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë aprovuar konkluzione të njëjta për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Në këto konkluzione thuhet, se nisur nga koha e kufizuar dhe rëndësia e vendimit, Këshilli do t’i rikthehet hapjes së negociatave me dy vendet në fund të tetorit për një vendim të qartë dhe substancial. Presidenca rumune ka dhënë shpjegimin e saj për ABC News për arritjen e konkluzioneve të njëjta për dy vende ndërkohë kur disa shtete anëtare bëjnë një diferencim të dukshme midis tyre.

George Ciamba, ministri i jashtëm i Rumanisë: “Së pari, ne duhet të jemi të ndershëm dhe të themi që ne arritëm sot atë që mendonim dje se ishte e pamundur për t’u arritur sot. Së dyti, ne e ruajtëm për Maqedoninë e Veriut vlerën e marrëveshjes së Prespës . Kjo është e rëndësishme dhe i përgjigjet në një mënyrë edhe pyetjes tuaj. Së treti, është e rëndësishme që një vend si i yni që arti unanimitetin sot për disa çështje që nuk ishin të lehta. Dje kishte disa vende që nuk ishin dakord me disa pika kryesore dhe ne e shohim këtë në tekst. Ndoshta ne nuk arritëm një vendim historik, por arritëm të evitonim pengesat për marrjen e një vendimi në Tetor. Kjo është inkurajuese dhe gjuha e përdorur është pozitive dhe ajo u pranua nga Këshilli i ministrave”.

Komisoneri Hahn është pyetur nga Finantial Times nëse Komisioni Evropian është i shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe përfshirë përgjimet e gazetës Bild, duke venë në pah nga ana tjetër, se aktualisht shtetet anëtare nuk duken të gatshëm të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: “Ajo që mundohem të shpjegoj dhe të argumentoj, se Bashkimi Evropian ka një fuqi të veçantë për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe përgjatë këtij procesi dhe ka shumë pak pas anëtarësimit. Sigurisht që ju mund të shihni situatën sot në Shqipëri dhe mund të keni shqetësim lidhur me situatën politike dhe kryesisht para zgjedhjeve lokale. Është e rëndësishme që të bëhet diferenca se për çfarë është rënë dakord bazuar në një vendim unanim të Bashkimit Evropian. Ka 5 kritere që duhen përmbushur dhe sipas vlerësimit tonë, Shqipëria i ka përmbushur rezultatet dhe veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për një reformë të paprecedentë. Dhe t’ia vëmë fajin tani që 8 nga 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë pranuar për shkak të procesit të vështirë dhe të fortë të Vettingut, që monitorohet nga një mision ndërkombëtar, nuk do të ishte e ndershme, pasi ka prova për efikasitetin e procesit. Sigurisht, nuk mund të injorojmë situatën e brendshme të Shqipërisë dhe kjo po e influencon shumë vlerësimin e disa shteteve anëtare. Shpresoj, që periudha deri në Tetor do të shërbejë për të ndryshuar opinionin e një ose disa shteteve anëtare”.

Lidhur me shanset për të patur një tjetër vendim në Tetor, komisionberi Hahn është përgjigjur:  “Ne po përballemi me disa probleme institucionale, por nuk e fsheh se ka disa shqetësime të disa shteteve anëtare lidhur me situatën e brendshme të Shqipërisë dhe shpresoj që kjo të një sinjal alarmi për qeverinë dhe opozitën. Sot pata një diskutim shumë konstruktiv me sekretaren e shtetit të Francës që argumentojnë, se Bashkimi Evropian duhet reformuar para zgjerimit, ndërkohë që të dyja proceset mund të bëhen paralelisht”.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të marrin vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të Tetorit./ABC News Albania 24/7

deputeti-1280x717.jpg
Sej rie14:40 | 12/06/2019

Një delegacion i Bundestagut gjerman që pati takime këto ditë në Tiranë, deklaroi gjatë një konference shtypi, se situata aktuale politike në Shqipëri mund të ketë ndikim në vendimin për negociatat. Deputeti Josip Juratovic tha se zgjedhjet duhet te zhvillohen siç përcaktohen në Kushtetutë.

Në këtë situatë që po kalon Shqipëria, vëmendjen e tërheqin të gjithë ndërkombëtarët që i drejtojnë mesazhe politikës, direkt apo indirekt. Kështu ka ndodhur edhe me delegacionin nga Bundestagu gjerman.

Të  pyetur nga gazetarët se sa i ligjshëm është anullimi i datës së zgjedhjeve dhe nëse duhet të gjejë zbatim apo jo nga institucionet e tjera, deputeti gjerman  Josip Juratovic thotë se nuk pranon të ndërhyjë në punët e brendshme por gjithsesi një përgjigje e jep.

“Nuk e konsideroj si përgjegjësi apo kompetence timen që t’i jap përgjigje  pyetjeve mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një shteti. Të paktën në Gjermani është kështu. Kushtetuta është baza e të gjithë institucioneve  shtetërore dhe gjithsekush ka besim tek ajo që përcakton kushtetuta. Nëse kushtetuta parasheh që zgjedhjet do të duhet të zhvillohen në një moment të caktuar kohor, atëherë ato duhet të zhvillohen në këtë moment kohor. Vetëm në këtë mënyrë, këtë mund ta vendosin përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, duke u bazuar në kushtetutë”.

Më i drejtpërdrejtë tregohet përfaqësuesi i delegacionit të parlamentit gjerman kur flet për bojkotin parlamentar.

E thënë thjesht parlamenti ka të njëjtën shenjtëri sa edhe Kisha, duke qene se jam i besimit ortodoks, nuk është një treg pazari. Mund të them se bojkoti është shndërruar në një sport të dashur për shqiptarët, po bojkotoj kur s’më pëlqen një gjë”.

Këshillon shqiptarët e  forcave politike që ti kushtojnë rëndësi integrimit të vendit për më tepër në këtë moment që jo të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e shohin me sy të mirë Shqipërinë.

“Situata aktualë do të luaj një rol në vendimmarrjen e KiE. Duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE janë parlamentet që vendosin për çeljen  e negociatave, kemi nevojë të gjejmë sa më shumë argumente që të bindim që shqipëria është pjesë integrale e Europës. Kjo është dhe bindja ime. Por, sigurisht që do të flasim hapur si europianë. Duart ta themi qetësisht që jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziast për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Edhe në Shqipëri apo rajon nuk janë të tërë entuziastë për një anëtarësim të mundshëm. Besoj i referohem këtu të gjithe atyre që kanë një llojë droje përkundrejt kapitujve  23, 24”.

Delegacioni parlamentar i Bundestagut ka ndërmarrë këtë turne në rajon, duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Kosova. Në vendin tonë kjo ndalesë ka patur për qëllim marrjen e informacionit rreth gjendjes dhe zbatimit të reformave e për të ditur me saktësi se sa e përgatitur është Shqipëria në kuadër të integrimit.

/ABC News Albania 24/7

termeti-korce-1280x699.jpg
nev ila10:14 | 02/06/2019

Ka qenë një natë e gjatë ajo e mbrëmshmja për 230 banorët të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti i djeshëm në Korçë. Ata e kanë kaluar natën në çadrat e ngritura nga Emergjencat Civile dhe forcat e armatosura. Të prekurit nga tërmeti bëjnë thirrje për rindërtimin e banesave të tyre, ndërsa nënkryetarja e Këshillit Bashkiak të Korçës kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Çadra do të jetë tashmë streha për rreth 230 banorë të fshatit Floq, Vidovë dhe Qafzes në Korçë, të cilët u prekën nga tërmeti i së shtunës me magnitudë 5.3 ballë të shkallës Rihter.

Ata e kanë kaluar natën mes frikës dhe pasigurisë, teksa lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe gjatë natës.

Të shqetësuar për çfarë humbën nën rrënoja, banorët i tremb më shumë e nesërmja. Ata nuk e dinë sa kohë do t’u duhet të jetojnë në çadra, ndërsa kërkojnë nga autoritetet rindërtimin e banesave, në një kohë sa më të shpejtë.

Përballë këtyre kushteve, nënkryetarja e këshillit bashkiak të Korçës kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe reagim të autoriteteve shtetërore, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura.

Situatë të vështirë po kalojnë edhe banorët e fshatit Qafëzez në Kolonjë, ku mbi 70 shtëpi rezultojnë të dëmtuara, gjysma prej të cilave janë të pabanueshme.

Sipas njoftimit zyrtar të Emergjencave Civile, pas tërmeteve të djeshme janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, si dhe 8 kabina elektrike të dëmtuara, 7 prej të cilave janë riparuar. Gjithashtu, sipas emergjencave, ne Floq funksionon shërbimi shëndetësor 24 orë, ndërsa banorët e prekur nga tërmetet janë furnizuar me ushqime dhe ujë./ABC News Albania 24/7

arben-ahmetaj1.jpg
G. P.20:22 | 29/05/2019

Deputeti, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se Partia Socialiste mezi po pret zgjedhjet e 30 qershorit, duke shuar kështu çdo zë që flet për ngritje tonesh brenda partisë mes tij dhe Taulant Ballës.

Ahmetaj theksoi se ai dhe Balla kanë debate çdo ditë për shkak të punës, por nuk mund të zihen për shkak të miqësisë personale dhe vjetërsisë që kanë në parti.

“Unë të zihem me Ballën është e pamundur edhe për arsyet e miqësisë personale që kemi, por edhe për arsye të vjetërsisë në institucione që kemi është e pamundur. Debate pune me Taulantin çdo ditë bëjmë. Por në historinë e PS-së, unë dhe Taulanti kemi shumë vite aty siç ka Erion Braçe, siç ka Damiani, siç ka Ditmir, siç ka Niko, siç ka Pandi, siç ka Gramozi dhe debatet midis nesh kanë qenë të shumta për çështje, debate për ligje, debate për fiskun. I bie që me Braçen mos të flas fare se kemi bërë debate pafund për fiskun. I bie që me Damianin mos të flas fare se kemi bërë debate për energjinë pafund. Situata brenda PS-së mezi presim zgjedhjet e 30 Qershorit”, tha ish-ministri.

Por për sa i përket zgjedhjeve të 30 Qershorit, Ahmetaj u shpreh se PS po bën fushatë modeste. Ai sqaroi në rubrikën “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, arsyet se pse mazhoranca po e bën diçka të tillë.

“Po bëjmë fushatë modeste, për respekt të qytetarëve që nuk do kenë mundësi të votojnë për shkak se opozita nuk do i lerë në respekt të tyre. Po bëjmë një fushatë modeste në respekt të situatës për të mos provokuar askënd, por themi që ne po bëjmë një grass-rout. Po bëjmë një fushatë si milingonat, aty tek fijet e barit, në respekt të qetësisë së vendit, por edhe se nuk kemi kundërshtar. Qëllimi jonë është i trefishtë. E para dhe mbi të gjitha janë standardet”, tha ish-ministri Ahmetaj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono