Siria

erdogani.jpg
Autor E10:47 | 19/02/2020

Presidenti i Turqisë, Erdogan ka paralajmëruar një operacion në shkallë të gjerë të ushtrisë së Turqisë në veri të Sirisë. Në një fjalim para anëtarëve të partisë AK, Erdogan tha se po mbaron ultimatumi ndaj ushtrisë së Asadit për t’u larguar nga veriu i Sirisë.

Sipas tij, fundi i shkurtit është afati final brenda të cilit ushtria e Asad duhet të largohet nga Idlibi dhe Aleppo, të cilat i mban të rrethuara.

“Një operacion ushtarak në Idlib është shumë i mundshëm tani. Ne nuk mund të presim më. Po bëjmë paralajmërimin tonë final”, tha Erdogan duke shtuar se do të imponojnë një zonë sigurie në këtë rajon me çdo çmim.

Ushtria siriane ka rrethuar Idlibin si zonën e fundit të mbajtuar nga rrebelët.

Ndërkohë, Turqia ka futur tashmë mijëra ushtarë në veri të Sirisë me qëllim parandalimin e fuqizimit të forcave kurde, por edhe të refugjatëve që ikin nga zonat e luftës.

Turqia mbështet gjithashtu një pjesë të mirë të grupeve kundër Asadit në veri të Sirisë. /abcnews.al

iman.jpg
Autor E09:32 | 15/02/2020

Ajo ishte një vjeç e gjysmë, por lufta dhe tmerri në Siri nuk e kursyen. Vogëlushja Iman vdiq e ngrirë në duart e babait që po vraponte për ta dërguar në spital duke i bërë me dije edhe njëherë botës tmerrin që po ndodh në Siri.

Ajo u sëmur rëndë në një kamp refugjatë pranë qytetit të Idlibit. Vogëlushja pati temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen duke bërë që babai ta marrte në krah për ta çuar në një spital dy orë larg në këmbë, shkruan abcnews.al.

Zona tani është mbërthyer nga një i ftohtë i madh duke bërë që temperaturat të jenë shpesh nën zero.

Babai i Iman u nis për në një spital pranë qytetit të Alepos, por vajza nuk mbërriti gjallë. Ajo kishte ngrirë në duart e babait.

Iman nuk është fëmija i vetëm që ka humbur jetën nga tmerri i Sirisë. Prej më shumë se 9 vitesh vijon lufta e përgjakshme duke u bërë shkak për vdekjen e dhjetra mijëra fëmijëvë.

Operacioni u ushtrisë së Asadit për të marrë qytetin e fundit të madh në duart e rrebelëve ka gjasë të kthehet në një tragjedi humanitare pasi më shumë se 700 mijë njerëz janë shpërngulur tashmë nga zonat e luftës duke ndejtur në tenda dhe nën të ftohtë. /abcnews.al

alvini-1280x720.jpg
Autor E11:11 | 07/11/2019

Alvin Berisha tashmë është një duar të sigurta jashtë Sirisë dhe sipas mediave italiane pritet të niset nga Libani për në Romë brenda disa orësh.

Ndërkohë, janë publikuar momentet e shpëtimit të Alvinit duke e marrë me eskortë nga kufiri mes Sirisë dhe Libanit për të dërguar në ambasadën italiane në Bejrut.

Shpëtimi i Alvinit u bë temë kryesore e emisionit “Le Iene” në Itali, të cilët shkuan në kampin “Al Hol” të Sirisë ku mbahen ish-luftëtarët e ISIS.

Alvini u dërgua në Siri nga nëna e tij, e cila shkoi atje për t’iu bashkuar të ashtuquajturit Shtet Islamik. Nëna më pas mbeti e vdekur gjatë luftës, ndërsa Alvini ngeli vetëm mes shkretëtirës siriane dhe xhihadistëve në kampe.

/abcnews.al

alvin.jpg
nev ila19:03 | 29/10/2019

“Të sjellim Alvinin e vogël në shtëpi“. Asambleja legjislative e Liguria miratoi sot unanimisht axhendën e paraqitur nga nënkryetari i Lidhjes, Paolo Ardenti dhe nga këshilltari i Lidhjes Alessandro Puggioni, për të sjellë në shtëpi Alvinin e vogël.

Këshilli i Qarkut miratoi unanimisht një axhendë, të paraqitur nga Paolo Ardenti dhe Alessandro Puggioni (Lega Nord Liguria-Salvini) e nënshkruar nga të gjitha grupet, e cila angazhon këtë këshill të bëhet interpretues në Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane në bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ky Këshill do të vendosë, së bashku me Këshillin e Ministrave në Itali, të gjitha instrumentet diplomatike dhe praktike, të dobishme për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që kjo e fundit të arrijë në një përfundim pozitiv, të historisë dramatike të fëmijës 6-vjeçar Alvin Berisha.

Ai u lind në Itali dhe u largua nga nëna e tij në dhjetor 2014 e cila e dërgoi 6 vjeçarin në Siri, me qëllim regjistrimin e tij në ushtrinë e ISIS.

Në këtë dokument, Këshilli kërkon që fëmija të ribashkohet me babanë dhe motrat e tij në Itali, dhe të favorizojë një dialog diplomatik, midis ambasadës italiane dhe asaj shqiptare në Turqi, vend i cili ndodhet më afër Sirisë, aty ku fëmija mbahet i burgosur.

“Me këtë axhendë kemi angazhuar Regione Liguria të bëhet interpret në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në mënyrë që të mund të vërë në praktikë të gjitha mjetet praktike të dobishme për një përfundim pozitiv të historisë dramatike, duke lejuar ribashkimin e Alvinit të vogël me babanë dhe motrat e tij në Itali , dhe të inkurajojë një dialog diplomatik midis ambasadës italiane dhe asaj shqiptare në Turqi”, shkruhet në dokument.

Megjithë gjetjen e Alvinit të vogël në kampin Al – Hol në Siri, ekzistojnë komplikime serioze burokratike dhe diplomatike që e ndalojnë babanë të riatdhesojë djalin e tij.

Sic duket qeveria dhe autoritetet italiane, janë duke bërë maksimumin e tyre, për rikthimin e Alvinit të vogel pranë familjes së tij. Ndërsa autoritetet shqiptare, ende nuk kanë bërë të ditur se në cilën fazë kanë mbetur tratativat, për tërheqjen e djalit të vogël nga kampi Sirian./abcnews.al

 

TURQI-SIRI-MBULIM_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela17:54 | 26/10/2019

Turqia do të pastrojë zonën kufitare me Sirinë nga Njësitet për Mbrojtjen e Popullit, YPG, një milici kurde, nëse Rusia nuk i përmbahet obligimeve që dalin nga marrëveshja e arritur këtë javë në Soçi, tha të shtunën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas marrëveshjes, që Erdogan arriti me presidentin rus, Vladimir Putin, ushtria ruse dhe rojet kufitare siriane, duhet të largojnë luftëtarët e YPG-së rreth 30 kilometra nga kufiri Siri-Turqi. Ankaraja e konsideron YPG-në organizatë terroriste.

Erdogan po ashtu përsëriti kërcënimin e tij se do “të hapë portat” për refugjatët që të nisën drejt Evropës, nëse shtetet evropiane nuk mbështesin planet e Ankarasë për të krijuar “zonë të sigurt” në verilindje të Sirisë, ku dëshiron të vendosë mbi tre milionë refugjatë, që aktualisht gjenden brenda Turqisë. /ABC News Albania 24/7

siria-2.jpg
ad min20:47 | 22/10/2019

Turqia dhe Rusia kanë firmosur një armëpushim të ri 6-ditor në veri të Sirisë për të përfunduar evakuimin e milicive kurde Ypg. Vendimi u bë i ditur nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, në përfundim të takimit të tij me homologun rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë, luftëtarët kurdë kanë njoftuar Shtetet e Bashkuara se janë tërhequr plotësisht nga “zona e sigurisë” në Veri të Sirisë. Komandanti i Forcave Demokratike Siriane, Mazloum Abdi, i shkroi një letër zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence, në të cilën e informonte për tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake. Ndërkaq, sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo e cilësoi këtë tërheqje si progres, por tha se është ende herët për të qenë të sigurt.

Shtyrja e armëpushimit erdhi pas takimit që presidenti turk Rexhep Taip Erdogan zhvilloi në Soçi të Rusisë me homologun Vladimir Putin. Turqia dërgoi trupa në Sirinë verilindore disa ditë më parë në një ofensivë për të luftuar forcat rebele kurde, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat nga rajoni./ABC News Albania

YPGsyria4354.jpg
Autor E10:21 | 21/10/2019

Trupat kurde kanë filluar të tërhiqen nga qytetet në kufi me Turqinë pas marrëveshjes për një armëpushim 120 orë të arritur mes presidentit Erdogan dhe Zv.Presidentit amerikan Mike Pence pak ditë më parë.

Sipas marrëveshjes forcat kurde duhet të tërhiqen nga disa qytete në kufi me Turqine, boshllëk që do të mbushet nga forcat e Asadit dhe policia ushtarake ruse, të cilat nuk do të lejojnë përplasjen e drejtpërdrejt të ushtrisë turke dhe forcave kurde në këtë zonë.

Qendra siriane e Mbikqyrjes sё tё Drejtave tё Njeriut njofton, se rreth 500 luftёtarё SDF janё tёrhequr nga Ras al-Ain, një qytet vetëm pak metra larg kufirit turk.

Ndërkohë, nga të dyja palët ka patur akuza për shkelje të armëpushimit. Kurdët kanë akuzuar ushtrinë turke se ka vazhduar sulmet përmes saj dhe grupeve xhihadiste, ndërsa ushtria turke deklaroi se po e respekton marrëveshjen pavarësisht sulmeve të vazhdueshme nga SDF.

Turqia nisi mё 9 tetor një ofensivë ushtarake nё Veri tё Sirisё për tё luftuar, sipas tyre, njёsitё kurde tё milicёve YPG dhe pёr t’i larguar ata nga kufiri. Turqia i konsideron ata si terroristё.

Ky veprim irritoi mjaft SHBA-të, të cilat i vendosën ultimatum Turqisë që të ndërpriste sulmin ose do të fillonte identifikimin e pasurive të presidentit Erdogan dhe familjes së tij në bankat perëndimore. /abcnews.al

turkey-01-as-gty-191019_hpMain_4x3_992.jpg
ad min19:00 | 19/10/2019

Ankaraja vendosi për një armëpushim pesë ditor në veri të Sirisë pas takimit të presidentit turk Erdogan me zv/presidentin amerikan Pencë dhe sekretarin amerikan të shtetit Pompeo. Uashingtoni premtoi se nëse armëpushimi do të zgjasë atëherë do të hiqen sanksionet. Por përse Turqia e mbron kaq shumë sulmin në veri të Sirisë?

Përgatiti Dorina Kurtaj – Lufta mes Turqisë dhe militantëve kurdë që kontrollonin deri pak kohë më parë veriun e Sirisë shkaktoi shumë viktima mes kurdëve, sipas të dhënave zyrtare të Ankarasë. Ushtria turke ka marrë nën kontroll disa zona, ndërsa militantët kurdë akuzojnë turqit se kanë përdorur armë jo konvencionale. Lufta e Turqisë kundër kurdëve në veri të Sirisë nisi me militantët e YPG që i kërkuan ndihmë Rusisë pas asaj që e konsideruan tradhti të shteteve të bashkuara të amerikës me të cilët në vitet e fundit kishin luftuar së bashku kundër ISIS.

Qëllimi i Ankarasë mbetet krijimi i një zone neutral përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë në territorin e pasur me naftë që për momentin kontrollohet nga militantët kurdë pas shkatërrimit të kalifatit të ISIS. Prej kohësh Erdogan flet për domosdoshmërinë e realizimit të një zone sigurie për të mbrojtur Turqinë nga kërcënimi terrorist i kurdëve, të cilët shprehen të gatshëm për gjithçka vetëm për të mbrojtur territorin e tyre.

Pas braktisjes së trupave amerikane të zonës, nisën menjëherë operacionet ushtarake nga ana e Ankarasë e cila mori nën kontroll qytetin sirian Ras al-Ain që gjendet në kufi me Turqinë. Objektivi i ushtrisë turke ishte marrja nën kontroll e qyteteve strategjike të Manbij dhe Kobane.

Bilanci tragjik flet për më shumë se 500 militantë të vrarë, ndërsa ende nuk ka një shifër zyrtare për viktimat në radhët e civilëve apo ushtrisë turke. Përveç akuzave për përdorim të armëve kimike, bombardimet nga ana e aviacionit turk bëjnë të vështirë që mjekët dhe personeli shëndetësor të mbërrijë në zonë.

Sipas të dhënave të organizatave jo qeveritare janë më shumë se 250 mijë kurdët që kanë braktisur banesat e tyre dhe janë drejtuar për në Raka, ish kryeqyteti i vetëshpallur i ISIS që tashmë kontrollohet nga kurdët.

Nga burime jo zyrtare bëhet e ditur se janë me qindra xhihadistët e arratisur nga burgjet kurde, për momentin flitet për 700 terroristë, meqenëse ata që i ruanin kanë shkuar në kufi në përpjekje për t’i rezistuar avancimit të Ankarasë.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar në mënyrë unanime dënoi pushtimin e urdhëruar nga Erdogan duke kufizuar shitjen e armëve për Turqinë, bëri bujë lajmi për vrasjen e aktivistes së njohur kurde, e cila u ekzekutua nga militantët filo-kurdë së bashku me tetë civilë të tjerë.

Ndërsa në vitet e fundit i është dhënë prioritet luftës kundër kalifatit, tashmë që ISIS në Siri është mundur dhe pse ka disa xhihadistë që ende rezistojnë, në zonë janë rikthyer problematikat e vjetra që ekzistonin para vetëshpalljes së Shtetit Islamik.

Mes konflikteve të ndryshme ai mes Turqisë dhe kurdëve i ka rrënjët e thella në kohë, më çështjen e tyre që nuk është zgjidhur asnjëherë me të vërtetë që nga koha e pasluftës.

Me traktatin e Lozanës u anulua mundësia e krijimit të një shteti autonom të Kurdistanit. Pas një diskriminimi disa vjeçar, në vitet’80 me krijimin e PKK kurdët nisë një revolt të armatosur dhe që zgjati deri në vitin 2001. Një revoltë që shkaktoi me mijëra viktima në të dy frontet.

Veriu i Sirisë deri pak ditë më parë ka qenë në duart e YPG, militantët kurdo sirianë të unitetit për mbrojtjen popullore, që nisi negociatat me Damaskun për ta kthyer vendin në një lloj shteti federal duke përfituar në këtë mënyrë një autonomi të rëndësishme nga qeveria qendrore e Asad.

Një ide që e tremb Turqinë e cila nuk do krijimin e një territori të ligjshëm në duart e kurdëve, përgjatë kufirit të saj. Por çdo ide pushtimi deri më sot ishte ndaluar nga veto-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në zonën kurde të Sirisë ndodhen pothuajse të gjitha rezervat e naftës të vendit, kontrolli i të cilave tashmë mund të kalojë në duart e Damaskut, vetëm nëse do të ndalohet avancimi i ushtrisë turke

Por a ka në të vërtetë dhe një arsye financiare sulmi i Turqisë në veri të Sirisë?

Ndërhyrja e ushtrisë turke në verilindje të Sirisë është vetëm kapitulli i fundit i një lufte të gjatë dhe të tmerrshme. Më shumë se 500 mijë të vrarë, më shumë se 6 milionë të shpërngulur dhe pothuajse aq refugjatë, është bilanci tragjik i konfliktit të nisur në vitin 2011.

Sot viktimat janë kurdët; siguri kombëtare dhe lufta ndaj terroristëve janë objektivat e shpallur nga Turqia por sipas ekspertëve në lojë është një biznes prej 27 miliard dollarësh.

Brenda pak ditësh janë 100 mijë civilët që janë shpërngulur nga qytetet me mazhorancë kurde. Erdogan këmbëngul se do të rikthejë të paktën dy milionë refugjatë sirianë, aktualisht në Turqi, në zonën e sigurt në kufi me një gjatësi 480 kilometra deri në Irak, dhe 30 kilometra të gjerë, aktualisht të administruar nga kurdët.

Qeveria turke ka prezantuar tashmë projektet për fshatrat, shkollat, xhamitë dhe spitalet që do të ndërtohen për të pritur rikthimin në atdhe të refugjatëve. Një projektligj prej 27 miliard dollarësh për të cilin presidenti turk ka kërkuar dhe kontributin e Bashkimit europian.

Para se të shohë realizimin e projekteve të saj, Ankara duhet të mundë ata që i konsideron si terroristë të urryer kurdë. Kur luftëtarët e Kalifatit luftonin për të marrë nën kontroll Kobane apo Tal Abiad, përgjatë kufirit turko – sirian, të vetmit që morën armët në dorë për t’i luftuar ishin burrat dhe gratë e Ypg, trupa vullnetarë të cilëve iu bashkuan dhe qytetarë nga e gjithë bota.

Luftëtarë që paguan një çmim të shtrenjtë për të çliruar qytetet e tyre nga ekstremistët islamikë. Justifikimi i presidentit turk në fund nuk befason dhe aq shumë. E gjithë lufta siriane u konsumua nëpërmjet logjikës së luftës kundër terrorizmit.

Presidenti sirian Assad ishte i parë që përdori forcën për të masakruar popullin e tij I cili u rebelua kundër dekadave të pushtetit absolute. Arsyeja zyrtare? Rebelët janë terroristë dhe duhen asgjësuar. Pak rëndësi ka nëse në mes ishin dhe qindra mijëra sirianë, të vrarë pa mëshirë dhe me përdorimin e armëve kimike.

Pjesëmarrja e Rusisë pranë Damaskut ndoqi të njëjtin skenar: edhe për Moskën, arsyeja e ndërhyrjes së saj ishte lufta ndaj grupeve xhihadiste. Por nën bomba përfunduan dhe spitale, qendra të banuara dhe shkolla.

Në fund koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që rrafshoi Raka-n, për të mundur të vetëshpallurin shtet islamik. Dhe tani Erdogan i cili nuk heziton të përdorë avionë dhe artileri kundër popullsisë kurdo siriane. Çdo gjë në emër të sigurisë kombëtare.

Turqia ka luajtur një rol vendimtar në luftën siriane. Në fillim të protestave kundër Assad, Ankara mbështeti krijimin e ushtrisë së lirë siriane. Grupe rebelësh të cilat u mbështetën financiarisht dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë e Gjirit Persik me miliarda dollar dhe armatime.

Objektivi ishte vetën një: rrëzimi nga pushteti i Bashar al Assad. Do të ishte ndërhyrja e Rusisë në shtator 2015, që do të spostonte situatën në favor të presidentit sirian. Turqia ndër të tjera akuzohet se nuk bën asgjë për të ndaluar kalimin e mijëra luftëtarëve të huaj, që mbërritën në Siri për të luftuar përkrah xhihadistëve të ISIS.

Ushtria turke ka ndërhyrë në vend dhe në raste të tjera: me operacionin Mburoja e Eufratit në vitin 2017 dhe Dega e Ullirit një vit më pas. Përveç ofensivave ushtarake Erdogan ka qenë shumë aktiv dhe në frontin diplomatik. Së bashku me Rusinë dhe Iranin, fuqitë e tjera të përfshira në luftën siriane, ka firmosur marrëveshje të cilat duhet të kishin vendosur paqen në vend.

Takimi i fundit trepalësh u mbajt në Shtator të 2019-s, ndërsa diskutohej për një armëpushim në provincën verilindore të IDLIB, bastioni i fundit ende në duart e militantëve anti-Asad, ku prej muajsh konsumohej një luftë e përgjakshme.

Duke lënë mënjanë këndvështrimin ushtarak, lëvizja e Erdogan, të paktën në planin politik ka nxjerrë fitues dhe humbës. Fituesi i parë është ai vetë duke i imponuar botës pushtimin e verilindjes së Sirisë. Por dhe qeveria siriane del më e fortë. Bashar Al Asad në fakt mund të negociojë një marrëveshje të mirë me kurdët duke përfituar nga dobësia e tyre aktuale.

Me përfitime do të dalin dhe Rusia e Iran, të kënaqur me vendimin e Trump për tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Siria. Nga njëra anë presidenti amerikan kishte deklaruar që në Dhjetor të 2018-ës se pas zhdukjes së ISIS, rreth 2 mijë ushtarët e vendosur në vend do të ktheheshin në shtëpi. Por vendimi shkaktoi pakënaqësi dhe mes anëtarëve të vetë partisë republikane.

Në fund ekziston rreziku i rishfaqjes së shtetit islamik që mund të përfitojë nga situate për të rilindur sërish, ashtu si paralajmërojnë shumë analistë. Dhe xhihadistët që mbaheshin të burgosur nga kurdët, bëhet fjalë për rreth 12 mijë ekstremistë islamikë, nga të cilët një e katërta luftëtarë të huaj, mund të përpiqen të arratisen.

Bashkimi Europian në këtë krizë, ashtu si dhe gjatë viteve të luftës në Siri, dëshmoi dhe njëherë se është e pamundur të flasë me një zë të vetëm dhe se nuk ka një politikë të jashtme të fortë dhe të vendosur.

Protestat ndaj ofensivës turke u bënë në mënyrë të veçuar nga kancelaritë dhe qeveritë europiane. Franca, Gjermania dhe Holanda ndaluan shitjen e armëve për Turqinë, por kjo nuk duket se lë shumë përshtypje tek presidenti Erdogan.

Në rrezik është dhe administrate kurde në rajonin e Rojava. Modeli i konfederatës demokrate, rrëzimi i poligamisë, roli i gruas në jetën sociale dhe politike, ekologjia, të gjitha këto progrese të vështira për t’u arritur në Lindjen e Mesme, rrezikojnë të fshhen si pasojë e ndërhyrjes ushtarake turke.

I humburi i madh dhe i vërtetë në fund mbetet populli siriani cili prej më shumë se tetë vitesh e gjysmë njeh vetëm luftë dhe shkatërrim. Dhe njëherë më shumë burra, gra dhe fëmijë janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për t’u arratisur nga dhuna që i persekuton.

Vetëm pak ditë pas sulmeve ushtarake turke në Siri, mund të kuptohet qartë se kush është fituesi më i madh në këtë situatë, i cili për më tepër nuk është I përfshirë në konflikt: Vladimir Putin.

Presidenti rus është përfituesi i madh i destabilizimit të shkaktuar nga ndërhyrja turke në verilindje të Sirisë. Që nga mbrëmja e 18 tetorit, forcat e regjimit të Bashar Al Asad, i shpëtuar pesë vjet më parë nga Putin, kanë hyrë në disa qytete që kontrolloheshin nga luftëtarët kurdë.

Të braktisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurdët iu drejtuan të vetmes alternativë të mbetur: regjimit sirian – e keqja më e vogël në krahasim me armikun historik turk. Nga këtu një përzierje kartash në tryezën e lojës. Në fakt deri pak kohë më parë një pjesë e madhe e Sirisë rrëshqiste nga kontrolli i Damaskut dhe ishte në duart e kurdëve të mbështetur nga Uashingtoni, por dhe nga Franca dhe Mbretëria e bashkuar të cilat kanë ende forcat e tyre special në terren.

Rusia e ka kthyer Sirinë në skenën e rikthimit të saj me statusin e fuqisë së planit të parë duke përfituar nga tërheqja amerikane e nisur nga Barak Obama në vitin 2013. Në atë kohë Rusia dhe Irani, mbushën vendin e lënë bosh nga largimi amerikan duke mbështetur Asad, gjë që solli pasoja të rënda humanitare dhe politike

Tashmë Putin përfiton sërish nga eklipsi i Uashington për të konfirmuar vendin e tij si fuqi e vetme e huaj e pranishme në terren dhe e aftë për të dialoguar me të gjithë aktorët e përfshirë. Aleat dhe mbrojtës i Damaskut, presidenti rus është lideri I negociatave që bashkon protagonistët e luftës, përveç se takohet rregullisht me liderët e Iranit dhe Turqisë

Putin ruan një marrëdhënie shumë të ngushtë me presidentin turk Erdogan të cilit i ka shitur një sistem mbrojtjeje anti raketë S-400 prodhim rus – pavarësisht se Turqia është anëtare e NATO. Për pasojë vështirë se Moska do të vendosë një embargo të ngjashme me atë të Parisit dhe Berlinit, që gjithsesi mbetet simbolike.

Presidenti rus po përfiton më së miri nga vendimi i Shtëpisë së bardhë. Donald Trump i përsërit votuesve të tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë punë në Lindjen e Mesme dhe se vendosja e trupave ushtarake amerikane atje ishte një gabim i madh. Në këtë mënyrë i lihet rrugë e lirë fuqive të tjera të mëdha.

Në kohën e luftës së ftohtë Lindja e Mesme ndahej mes palëve me qëndrime të ndryshme. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik loja u bë shumë më komplekse, duke nxjerrë në pah fuqi rajonale autonome

Cila do të jetë situate në Lindjen e Mesme pas kaosit të krijuar nga ndërhyrja turke? Do të dijë Putin të përfitojë dhe më shumë nga situate? Në çfarë mënyre? Duke parë situatën aktuale të kurdëve kuptohet se objektivi i Moskës nuk është mbrojtja e popullsive të rajonit, viktima të përjetshme të strategjive të fuqive të radhës./ABC News Albania

wo31-Syria-Rukbanpic.jpg
nev ila21:23 | 18/10/2019

Belgjika dhe shtete të tjera europiane do të nisin evakuimin e familjarëve të luftëtarëve të ISIS që ndodhen në qendrat e burgimit në Siri. Mes tyre ka edhe shtetas shqiptarë, por qeveria në Tiranë nuk ka deklaruar se cilat do të jenë lëvizjet e saj për riatdhesimin e tyre.

Belgjika dhe vende të tjera europiane po përgatiten të evakuojnë qytetarët e akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik nga kampet e burgimit në veri-lindje të Sirisë, përmes një zone të shpallur të sigurt nga forcat turke përgjatë kufirit.

Zyrtarët belgë informuan familjarët e të burgosurve që mbahen në dy kampe se do të përfitojnë nga armëpushimi 5-ditor për të tërhequr shtetasit që dyshohen për lidhje me grupin terrorist.

Gazeta britanike “The Guardian” ka mësuar se edhe shtete të tjera europiane si Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë se si të përfitojnë nga armëpushimi për të riatdhesuar gratë dhe fëmijët, mes të cilëve ka edhe shtetas shqiptarë.

Ndërkohë, sa i takon Britanisë dhe vullnetit për të tërhequr shtetasit e saj nga Siria, kjo mbetet për t’u parë.

Sidoqoftë, vendimi i aleatëve për të lëvizur me shpejtësi ka gjasa të rrisë presionin ndaj Londrës për të bërë të njëjtën gjë.

Se çfarë do të bëhet me luftëtarët e ISIS dhe familjet e tyre ishte kthyer në një shqetësim ndërkombëtar pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr papritur trupat nga Siria.

Vendim që shkaktoi frikë se vakumi që do të krijohej do të çonte në shkërmoqjen e sigurisë në katër kampet kryesore të të burgosurve.

Rojet kurde kanë braktisur tashmë një qendër burgimi, duke u lejuar 800 personave, mes të cilëve anëtarë të ISIS, të largohen. Ministri i Jashtëm francez, Zhan Iv lë Drio deklaroi se 9 gra franceze të lidhura me grupin terrorist ishin mes tyre./abcnews.al

nuk-te-le-babi-me.jpg
Autor E12:36 | 18/10/2019

Turqia nisi bombardimet në zonë me qëllimin për të eliminuar militantët kurdë, të cilët Ankaraja i cilëson terroristë .

Me dhjetëra viktima.

Me mijëra të pastrehë .

Dhe rreziku i lirimit nga burgjet të militantëve të ISIS.

Por gazetarët e emisionit investigative “Le Iene” ndodheshin në këtë zonë pikërisht pak ditë para fillimit të sulmeve ushtarake turke.

Ata arritën të futeshin në një nga kampet – burgje ku kurdët mbajnë ish-luftëtarët e ISIS. Në këtë kamp janë gratë e luftëtarëve të ISIS, por dhe shumë fëmijë, shumë prej të cilëve kanë lindur pikërisht këtu.

Gazetari shpjegon se reportazhi në këtë kamp nuk ishte një rastësi, por një mision i vërtetë, për të gjetur një fëmijë shqiptar me emrin Alvin. Një fëmijë, i cili ka lindur në Itali 11 vite më parë, raporton abcnews.al.

Alvini ëshët shpallur i zhdukur në vitin 2014, sepse nëna e tij papritur dhe pa lajmëruar njeri vendosi të marrë djalin e saj dhe iu bashkua ISIS.

Që kur ajo iku, babai i fëmijës nuk ka më asnjë lajm për të birin.

“Të shohësh këto fotografi prej pesë vitesh ……Cfarë të ka bërë nëna jote…ishte i vogël shihni si ka qenë “.

Kampi – burg ku kanë hyrë gazetarët italianë përmban 70 mijë persona , 20 mijë gra dhe 49 mijë fëmijë. Dhe një nga këtë fëmijë mund të jetë pikërisht Alvini.

Historia e kërkimit të tij nisi që tri vjet më parë, pikërisht nga emisioni “Le Iene”, kur babai i fëmijës, Berisha apeloi për gjetjen e të birit. Kur në 12 dhjetor të vitit 2014 bashkëshortja e tij vendosi të bëjë gjënë më absurde që mund të mendohet, rrëmbeu fëmijën e saj 6 vjec dhe u nis në Siri. Deri pak kohë para ndodhisë, familja shqiptare, nëna, babai dhe tre fëmijët jetonin në Itali dhe kishin një jetë shumë normale.

Berisha tregon se papritur gruaja e tij ndryshoi dhe mbulohej për të dalë në rrugë ose nëse dikush vinte në shtëpinë e saj.

Nëpërmjet internetit ajo njihet me dikë që e radikalizon dhe brenda një kohe të shkurtër e bind që të marrë djalin e vogël dhe të niset për në Siri.

Babai i fëmijës kontakton me disa të njohur të tij në turqi të cilët i premtojnë se do ta ndihmojnë për të gjetur djalin, por në këmbim të parave, 250 mijë euro.

Gazetari italian vendos të shoqërojë Berishën për të parë se cilët janë këta njerëz që pretendojnë se janë pjesë e shërbimeve sekrete turke.

Por ata rezultuan të ishin pa asnjë lidhje me shërbimet sekrete.

Pak muaj më parë papritur Berisha merr një letër nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar. I dërgon një mesazh nga djali i tij Alvin, i cili i shkruan në gjuhën angleze duke i thënë se e ka marrë malli  dhe i kërkon që ta marrë pasi do të kthehet në shtëpi .

“Nisa të qaj…shih…po rrëqethem

Letra e Kryqit të Kuq ndërkombëtar tregon se djali ndodhet në kampin e refugjatëve “Al Hol” në Siri në mes 73 mijë personave. Letra daton në muajin qershor të këtij viti.

Para mbërritjes në kamp gazetari Italian dhe babai  tij ndalojnë në një treg pranë për ti blerë veshje 11 vjecarit.

Janë kurdët që i mundësojnë hyrjen në kamp…

Por gratë që ndodhen këtu nuk janë më paqësore se burrat e tyre që ndodhen në burg pasi dhe ato i janë bashkuar ISIS me vetëdije. Vetëm ditën që trupa italiane e xhirimit ndohej në kamp u ekzekutuan tri gra. Dhe pse pjesa më e madhe e tyre vijnë nga vende muslimane ka dhe nga ato që vijnë nga Belgjika apo Holanda.

Duke pretenduar se janë thjesht shtëpiake dhe viktima lufte, këto gra pranojnë se e kanë të pamundur të dalin nga kampi pasi të tjerët i konsiderojnë si të burgosura..

Më vonë gazetarët mësojnë se nëna e Alvin ka vdekur. Autoritetet kurde thonë se ajo mbeti e vrarë gjatë bombardimeve, për të shkatëruar bastionin e fundit të Isis në këtë zonë. Ajo ndodhej së bashku me bashkëshortin e ri, një xhihadist dhe tre fëmijët e saj…

I vetmi I mbijetuar është Alvin..

“Djali im ka lindur në Itali…tani është atje ka bërë këtë jetë dhe unë nuk e di si jeton. Gratë dhe fëmijët si jetojnë…nuk e di si mbijetojnë me këtë vapë, pa ushqime, pa ujë. Nuk kanë asgjë ecin zbathur mes gurëve…unë nuk e lë më këtu tim bir. Do të jetoj dhe unë këtu me ‘të. Zoti e mallkoftë. O Zot! Nuk mund ta lë këtu. Cfarë të ka bërë nëna jote…Ajo la dy fëmijë në Itali dhe solli djalin këtu..jo ..jo”.

Më në fund Alvin vjen dhe duket qartë se ai çalon…

Djali e ka pak të vështirë të komunikojë pasi e ka harruar totalisht gjuhën italiane. E vetmja mënyrë është nëpërmnjet gjuhës shqipe.

Gjatë bombardimeve ku humbi jetën nëna e tij djali është plagosur në këmbë, por ai gjen kurajën për t’i thënë babait të tij se nuk është asgjë .

Tashmë problem është se si të nxjerrin djalin nga kampi, kjo për arsyen se dhe pse Alvin ka lindur në Itali ku aktualisht jetojnë babai i tij dhe dy motrat, dhe babai i tij punon dhe paguan taksat në Itali, djali është me shtetësi shqiptare.

Për këtë arsye fillimisht është marrë një certifikatë e përkohshme nga Shqipëria. Dhe për këtë folëm me ambasadorin shqiptar në Turqi. I cili kishte premtuar se do të bëhej e pamundura që djali të rikthehej në Itali.

Por zëdhënësja kurde bën të qartë se vetëm prania e një të dërguari të qeverisë shqiptare mund të bënte të mundur daljen e Alvin nga kampi.

Është e pamundur që Berisha të marrë djalin e tij me vete dhe as të qëndrojë atje me të, ai detyrohet ta gënjejë duke i thënë se duhet të largohet për të bërë dokumentet gati.

Gazetari shprehet i revoltuar dhe i zhgënjyer me qeverinë shqiptare dhe me ambasadorin shqiptar në Turqi sepse i ishte premtuar ndihmë dhe pse kanë kaluar 10 ditë asgjë nuk ka ndodhur. Madje herën e fundit që gazetari e kontakton ai i mbyll telefonin . /abcnews.al/


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono