siri

civile.jpg
G. P.22:44 | 29/03/2019

Janë të paktën 1.257 civilët e vrarë gabimisht në Irak dhe Siri gjatë bombardimeve ajrore nga ana e koalicionit anti-ISIS në një periudhë pesëvjeçare: nga Gushti i 2014-s deri në Shkurt të këtij viti.

Gjithsej janë kryer më shumë se 34 mijë bombardime ajrore. Ndërkohë mendohet se numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur vazhdimisht mund të jetë dhe më i lartë./abcnews.al

download-7.jpg
ent ela12:13 | 11/03/2019

UNICEF e ka cilësuar alarmante gjendjen në Siri për sa i përket fëmijëve. Sipas të dhënave të fundit të verifikuara nga Kombet e Bashkuara, vetëm në vitin 2018 kanë mbetur të vrarë 1.106 fëmijë.

Në Siri vetëm në vitin 2018, kanë mbetur të vrarë 1.106 fëmijë në luftime. Ky është bilanci më i rëndë në vetëm një vit që nga fillimi i luftës në 2011-ën. Këta janë numrat që organizata e Kombeve të Bashkuara ka qenë në gjendje të verifikojë, por shifrat mund të jenë dhe më të larta. UNICEF i bëri apel shteteve anëtare të OKB-së që të mbajnë përgjegjësinë për fëmijët.

Minat janë dhe shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në Siri, një vit më parë ata që humbën jetën ose mbetën të plagosur si pasojë e minave të pashpërthyera kanë qenë 434. Ndërsa në vitin 2018 ka pasur dhe sulme ndaj shkollave dhe qendrave shëndetësore.

UNICEF thekson përtej shqetësimit se aktualisht mbizotëron një keqkuptim alarmues, sipas të cilit konflikti në Siri do të përfundojë shumë shpejt. Por fëmijët në disa zona të vendit mbeten ende në rrezik.

Por fëmijët rezultojnë viktimat kryesore të luftës në cdo palë pasi dhe fëmijët e luftëtarëve të ISIS kanë një të ardhme jo  të sigurtë dhe janë object sulmi.

E rëndë është dhe situate e refugjatëve në vendet kufitare me sonën e luftës, 2.6 milion fëmijë që pavarësisht mbështetjes së vendeve pritëse, të Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar, përballen me sfida; duke pranuar të punojnë pa mbushur moshën, të martohen në moshë të mitur dhe të jetojnë në varfëri dhe pa arsim. /abcnews.al

 

880x495_cmsv2_6a01c335-8709-54bf-b9fc-fca5cc25beee-3656228.jpg
ent ela13:41 | 10/02/2019

Ndonëse të pakët në numër, militantët e Shtetit Islamik kanë zgjedhur të luftojnë për të mbrojtur bastionin e tyre të fundit në Siri. Njësitë paraushtarake pro-amerikane kanë deklaruar se beteja për neutralizimin e tyre është shumë e ashpër.

Të grumbulluar në enklavën e fundit, në kufirin me Irakun, militantët e ISIS në Siri po u bëjnë një rezistencë të ashpër fraksioneve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane ka deklaruar për “Associated Press” se po përballen me xhihadistët me më shumë eksperiencë luftarake, të cilët po mbrojnë bastionin e tyre të fundit. Deri dy vjet më parë, ISIS kontrollonte zona të konsiderueshme në Siri dhe Irak, por tashmë ata janë mbledhur në një zonë të vogël në lindje të Sirisë, ku po përpiqen të mbijetojnë.

Në ditët e fundit, pas një ndërprerjeje njëjavore të luftimeve për të lejuar largimin e rreth 20 mijë civilëve, Forcat Demokratike Siriane kanë nisur betejën finale për të shtypur ISIS në fshatin kufitar të Baguzit. Zëdhënësi i fraksionit të mbështetur nga ushtria amerikane ka deklaruar se beteja është shumë e ashpër.

“Aty kanë mbetur xhihadistët me më shumë përvojë, që do të luftojnë deri në fund. Ndaj mund t’i imagjinoni vetë agresivitetin dhe përmasat e luftimeve”, ka thënë zëdhënësi.

Forcat Demokratike Siriane, të mbështetura nga ajri nga koalicioni ndërkombëtar, kanë dëbuar Shtetin Islamik nga shumë qytete dhe fshatra në veri-lindje të Sirisë në muajt e fundit. Në 2014-n, që ishte dhe viti i pikut, ISIS ngriti kalifatin duke u shtrirë në mbarë Sirinë dhe Irakun fqinj, në një sipërfaqe të barabartë me atë të Britanisë së Madhe, duke sunduar mbi 7.7 milionë njerëz. Dhjetorin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tërheqjen e 2 mijë trupave me argumentin se militantët e rrjetit terrorist ishin mposhtur. /abcnews.al

sl_syria_230119_42.jpg
ent ela17:40 | 23/01/2019

Një varr masiv me disa qindra kufoma është zbuluar në një qytet në veri të Sirisë, që për tre vjet ka qenë në duart e Shtetit Islamik. Dyshohet se viktimat janë civilë të ekzekutuar në mënyrë të pamëshirshme nga militantët e grupit terrorist.

Rreth 600 trupa të pajetë janë zhvarrosur nga një varr masiv i zbuluar në Raka, qytet në veri të Sirisë që për 3 vjet ka qenë bastioni kryesor i Shtetit Islamik. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale të qytetit, që aktualisht kontrollohet nga forcat kurdo-siriane dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Burimet kanë nënvizuar se bëhet fjalë për varrin e 14-të masiv të verifikuar në qytet dhe rrethina. Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, të paktën 20 civilë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, mbetën të vrarë në një sulm ajror në jug-lindje të Sirisë. Agjencia shtetërore e lajmeve “SANA” fajëson për sulmin koalicionin ndërkombëtar anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimit, viktimat ishin civilë që po arratiseshin nga zona e fundit në duart e ISIS, mes Eufratit dhe kufirit iraken. Konkretisht, vijon agjencia e lajmeve, bombardimet ajrore kanë goditur një karvan në të cilin udhëtonin familje nga zona e Baguzit, ku aktualisht po zhvillohen luftime mes militantëve të rrjetit terrorist dhe njësive kurdo-siriane. Sidoqoftë, informacionet janë të pamundura të verifikohen në mënyrë të pavarur në terren. Po të mërkurën, regjimi sirian bëri me dije se mund t’i përgigjet në mënyrë “simetrike” sulmit izraelit ndaj aeroportit të Damaskut, duke goditur aeroportin e Tel Avivit./abcnews.al

Dcs1alFV4AELX82-725x453.jpg
ent ela15:22 | 20/01/2019

Dy shpërthime janë verifikuar të dielën në Siri, njëri prej të cilëve ka lënë tre viktima. Pas hetimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se atentatet kishin si objektiv forcat e sigurisë.

Një shpërthim i ndodhur mëngjesin e së dielës ka tronditur periferinë jugore të Damaskut, në Siri. Një person u arrestua në lidhje me atentatin, që për fat të mirë nuk la njeri të plagosur. Sipas agjencisë së lajmeve “SANA”, ekspertët e forcave të armatosura bënë një shpërthim të kontrolluar të eksplozivit të gjetur. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup që monitoron luftën me bazë në Londër, bëri me dije se shpërthimi ndodhi pranë një postoblloku të forcave të sigurisë. Ndërkohë, një tjetër bombë shpërtheu po të dielën në qytetin veri-perëndimor të Afrinit duke vrarë 3 persona dhe plagosur 20 të tjerë. Shpërthimi ndodhi ditën e përvjetorit të operacionit “Dega e Ullirit”, i nisur nga ushtria turke në vitin 2018 në qytetin me shumicë kurde, për të goditur milicinë lokale, të cilën e konsideron njësi terroriste. Lufta 8-vjeçare në Siri u ka marrë jetën disa qindra mijëra njerëzve, ndërsa ka detyruar një pjesë të mirë të popullsisë të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të dhunës. Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ushtria e presidentit Bashar al Assad ka arritur të mposhtë rebelët dhe Shtetin Islamik, duke marrë nën kontroll zona të shumta të vendit./abcnews.al

erdogani.jpg
G. P.08:39 | 20/01/2019

Një ditë pasi u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, senatori amerikan Lindsey Graham tha se shpreson që Presidenti Donald Trump të mos bëjë një tërheqje të plotë nga Siria, deri kur Shteti Islamik të jetë mposhtur.

Zoti Graham tha të shtunën në Ankara se “objektivi i mposhtjes së ISIS-it nuk është arritur ende”.

Ligjvënësi amerikan tha se tërheqja amerikane nga Siria pa një plan do të shkaktonte kaos dhe do ta tensiononte gjendjen në Irak.

Takimi i së premtes në Ankara, ishte përpjekja më e fundit për të çtensionuar marrëdhëniet dypalëshe lidhur me Sirinë.

Forcat turke vazhdojnë të jenë të grumbulliar në kufirin verilindor të Sirisë, të gatshme për të ndërmarrë ofensivë ndaj milicive kurde, YPG, që janë aleate të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik. Ankaraja i konsideron ata terroristë që kanë lidhje me një kryengritje brenda Turqisë./Zëri i Amerikës

1051237497.jpg
G. P.19:00 | 16/01/2019

Një atentat terrorist i marrë përsipër nga Shteti Islamik në veri të Sirisë u ka marrë jetën 4 ushtarëve amerikanë. Episodi ka bërë që të ngrihen dyshime mbi pretendimet e presidentit Donald Trump se ISIS është mposhtur dhe se trupat amerikane duhet të tërhiqen nga vendi.

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën në një atentat vetëvrasës i ndodhur të mërkurën në një lokalitet në veri të Sirisë. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, 4 nga viktimat janë ushtarakë të koalicionit anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa pjesa tjetër militantë lokalë të mbështetur nga amerikanët dhe civilë.

Sipas mediave ndërkombëtare, atentati i ndodhur në një restorant në qytetin e Manbixhit, i kontestuar nga SHBA dhe Turqia, është marrë përsipër nga Shteti Islamik. Muajin e kaluar, presidenti Donald Trump njoftoi tërheqjen e 2 mijë trupave amerikane nga Siria me argumentin se ISIS ishte mposhtur, por mesa duket jo plotësisht.

Kundërshtarë të projektit të Trump deklarojnë se edhe pse ISIS aktualisht kontrollon vetëm 1 për qind të territorit që kontrollonte 5 vjet më parë, ende nuk është zhdukur tërësisht.

Ndërsa një raport i fundit i shërbimeve të inteligjencës vlerëson se organizata ka rreth 14 mijë militantë në Siri dhe shumë më tepër në Irakun fqinj, të cilët pritet të kthehen në njësi guerrile në përpjekje për të ringritur rrjetin. Agjencia e lajmeve kurdo-siriane ANHA ka raportuar më tej se, trupat e pajetë të 4 marinsave u evakuuan me helikopter. Më vonë, një zëdhënës i koalicionit anti-ISIS konfirmoi vdekjen e anëtarëve të ushtrisë amerikane, duke saktësuar se ata po kryenin një patrullim rutinë./abcnews.al

ERDOGAN-TURQI-1280x720.jpg
ent ela23:03 | 08/01/2019

Në planin e tij të ri për paqen në Siri, presidenti i Turqisë Erdogan ka propozuar dhe një bashkëpunim me luftëtarët kurdë, me kusht që ata të mos kenë pasur lidhje me organizata terroriste.

Krijimi i një force stabilizimi me luftëtarë që vijnë nga e gjithë shoqëria siriane, përfshirë dhe kurdët sirianë që nuk ka pasur lidhje me organizata terroriste. Është hapi i parë në planin për paqe në Siri të propozuar nga presidenti turk Erdoan. Në një intervistë për prestigjozen New York Times, presidenti turk theksoi se duhej siguruar përfaqësia politike e të gjithë komuniteteve.

Linja e re turke u konfirmua dhe nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo i cili u shpreh se Ankara ka premtuar se do të vazhdojë fushatën kundër Isis pas tërheqjes së trupave ushtarake amerikan nga Siria dhe se do të mbrojë luftëtarët kurdë, aleatë të amerikanëve. Sipas Pompeos, presidenti turk Erdogan i ka premtuar një gjë të tillë presidentit amerikan Donald Trump. /abcnews.al

wo24-erdogan.jpg
G. P.19:49 | 25/12/2018

Pas vendimit të presidentit amerikan Donald Tramp për tërheqjen e trupave ushtarake nga Siria, një delegacion amerikan do të udhëtojë në Turqi këtë javë për koordinimin e tërheqjes nga Siria. Ky vendim i Trump në lidhje me Sirinë, i dha një tjetër frymë raporteve të tensionuara së fundi mes Uashingtonit dhe Ankarasë.

Presidenti turk Erdoan ftoi homologun e tij amerikan Donald Trump që të vizitojë Turqinë në vitin 2019, ndërsa Ankara dhe Uashingtoni forcojnë marrëdhënien mes tyre për të koordinuar tërheqjen e parashikuar të trupave amerikane ushtarake nga Siria. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë. Ndërkohë presidenti amerikan në një mesazh në profilin e tij në Tuiter bën të ditur se aktualisht është përqendruar në krijimin e ekipit të punës për Korenë e Veriut. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan se janë shënuar progrese në pritje të takimit të rradhës me Kim Jong Un.
Edhe pse nuk është përcaktuar ende diçka zyrtarisht, Tramp është më se i gatshëm për një takim të tillë në të ardhmen, konfirmoi zëdhënësi i ekzekutivit amerikan. Ndërkohë një delegacion amerikan do të udhëtojë në Turqi këtë javë për koordinimin e tërheqjes nga Siria.

Të dielën pas një bisede telefonike mes Tramp e Erdogan, presidenca turke konfirmoi se dy liderët kanë pranuar të koordinojnë ushtarët, diplomatët dhe liderë të tjerë të vendeve të tyre për të shmangur një boshllëk pushteti që mund të shfrytëzojë largimin e SHBA nga vendi si dhe fazën e tranzicionit në Siri.
Turqia dërgoi të hënën përforcime të reja ushtarake në kufi me Sirinë./abcnews.al

NDIHMAT-SIRI-2-1280x645.jpg
ent ela09:02 | 04/11/2018

Dhjetëra mijëra civilë sirianë, të zhvendosur në shkretëtirë për t’i shpëtuar luftës, kanë marrë ndihmat e para humanitare që nga fillimi i vitit.

Autokolona me ndihma e dërguar nga OKB mbërriti të shtunën në kampin ku strehohen 50 mijë civilë sirianë të zhvendosur për shkak të luftës. Bëhet fjalë për kampin Rukban, i ngritur në zonën e shkretëtirës në kufirin siriano-jordanez, ku aktivistët nisën shpërndarjen e ndihmave për herë të parë që prej muajit janar. Në pjesën siriane, aksesi për në kamp kontrollohet nga ushtria e presidentit Bashar al Assad; ndërsa në anën jordaneze aksesi është i mbyllur dhe kalimi i ndihmave i pamundur. Autokolona ishte planifikuar të mbërrinte në destinacion më 27 tetor, por misioni i saj ishte shtyrë për arsye sigurie, edhe për faktin se kampi ndodhet pranë bazës së një grupi rebel të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Që prej fillimit të vitit në Rukban ka patur gra shtatëzëna që kanë sjellë në jetë fëmijët pa patur asistencën minimale mjekësore, si dhe fëmijë që kanë vdekur për shkak të kushteve të rënda sanitare dhe mungesës së ndihmës shëndetësore. Autokolona, e përbërë nga 78 kamionë të OKB-së dhe Gjysmë Hënës së Kuqe, mbërriti më në fund ditën e shtunë. Sipas njoftimeve zyrtare, vullnetarët po shpërndajnë ushqime, mbathje, ilaçe dhe objekte higjenike për të zhvendosurit, 80 për qind e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Operacioni mund të zgjasë nga 3 deri në 4 ditë dhe aktivistët kanë nisur edhe një fushatë vaksinimi për rreth 10 mijë fëmijë, për të shmangur prekjen e tyre nga sëmundjet e ndryshme. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono