Simon Shkreli

Simon-SHkreli-godina.jpg
nev ila19:57 | 15/02/2020

Çdo gjë është shkrumbuar, në këtë godinë ka mbetur vetëm hiri dhe muret. Zjarri që ra të premten në ish-konviktin e shkollës veterinere në lagjen “Kiras” të Shkodrës ka lënë pa strehë 20 familje të varfra.

Banorët thonë se nuk e braktisin godinën se nuk kanë mundësi ekonomike të strehohen vetë.

“Kështu do rrimë, s’kemi çfarë të bëjmë. Këtu janë strehuar një shtresë shumë e varfër, po të ishim më mirë nga gjendja ekonomike nuk kishim ardhur këtu. Këtu ka familje që kanë listën me borxhe prej 6 muajsh në dyqane”.

Dëmet materjale siç shihet dhe nga pamjet janë të shumta. Banorët po pastrojnë vetë mbeturinat.

“Dje kanë ardhur zjarrfikëse, policia etj, sot askush s’ka ardhur të flasë me ne”.

Gjergj Mhilli thotë se është ndër banorët më të vjetër, dhe për të transformuar banesën e tij, ka investuar shumë para. Tani gjithçka është kthyer në hi.

“Vetëm unë si familje, kam hedhur 15 milion lekë, tjetri ka hedhur 30 milion lekë vetëm meremetim për shtëpinë”.

Zjarri i rënë në konviktin e ish-shkollës veterinere, ditën e premte, u shkaktua si pasojë e shkëndisë elektrike nga rrjeti i amortizuar.

Ndërhyrja e zjarrfikësve, të ndihmuar edhe nga vetë banorët, ka bërë që zjarri të mos përhapet, në banesat përreth, por kjo godinë vështirë se mund të rikuperohet./abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

abashkia-e-shkodres.jpg
ad min16:05 | 20/08/2019

Voltana Ademi është kundër çdo marrëveshjeje politike mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak në Shkodër, në një intervistë ekskluzive për Abc News, kryetarja në detyrë e bashkisë Voltana Ademi tregon për pozicionin e saj pas këtij procesi. Gazetari i Abc News Simon Shkreli bisedoi me të.

Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Voltana Ademi shpreson të ketë zgjedhje për Shkodrën. Qytetarëve sipas saj i është mohuar e drejta për të zgjedhur, jo vetëm duke ju referuar 30 Qershorit, por zhvillimeve pas kësaj date, që nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit për shkak të akuzave.

“Unë dua të shpresoj që shpejt të kemi zgjedhje për Shkodrën, besoj do kemi zgjedhje për gjithë Shqipërinë, por ngjarjet e Shkodrës e kanë dëshmuar se qytetarëve u është mohuar kjo e drejtë, prandaj duhet t’u jepet sa më shpejt mundësia për të zgjedhur”, tha Ademi.

“Nëse palët bien dakord për Shkodrën a do të jetë Voltana sërish kandidate e PD për Shkodrën”?

“Zgjedhjet vendore nuk janë vendim që lidhen domosdoshmërisht atë që them unë. Dua të them që askush edhe unë në këtë rast, nuk do merrja guximin që të veja njerëzit e ndershëm të qytetit përballë krimit kur bëhet fjalë për vendosur qofte edhe Voltana Ademin në një pozicion, të vështirë në një situatë kriminale”, shprehet Ademi.

Por Voltana Ademi nuk e shikon zgjidhjen e situatës në një marrëveshje midis PD dhe PS. Ajo është kundër çdo lloj marrëveshjeje politike.

“Unë jam kundër çdo marrëveshje politike. Ajo që duhet t’i futemi në themel të gjithë atyre që e kanë shkelmuar ligjin që e kanë dëmtuar sistemin ligjor dhe të zbatimit të ligjit, çdo marrëveshje politike është e pa vend dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje politike kurrsesi, sepse e gjithë kauza do të binte poshtë nuk është e mundur të ndodhë kjo”, tha Ademi.

“Nëse situata vazhdon, a do jeni kandidate e pavarur nëse PD nuk hyn në zgjedhje”?

“Nuk bëhet fjalë të garojmë në aspektin individual të fjalës, kjo shkon përtej partive politike, kjo shkon tek njerëzit, do filloi nga Shkodra për të siguruar polaritetin që kërkohet në një proces zgjedhor”, u shpreh Ademi.

“Pra ju thoni nëse këto kushte nuk do merrni pjesë në zgjedhje”.

“Unë këtë nuk e thashë, përkundrazi, Shkodra ka qenë gjithmonë inovative, ka qenë e qartë në qëndrimin e vetë dhe qytetarët e Shkodrës në atë moment besoj se do të mund të reagojnë për të siguruar atë që do të jetë më e mira për ta”, tha Ademi.

Në fund Voltana Ademi thotë se ndoshta jemi në fazën e rrugëdaljes dhe do të duhet të gjejmë një rrugëdalje. Ndryshe sipas saj do të jetë edhe më e rëndë dhe me të vërtetë ndoshta s’paskemi parë asgjë akoma./ABC News Albania 24/7

liqeni-i-shkores.jpg
ad min16:40 | 18/08/2019

Liqeni i Shkodrës është në ditët e tij më të këqija. Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë bërë që të ulet niveli i ujit dhen breg të dalin plehrat si në një moçal.

Niveli i ujit ka rënë shumë në liqenin e Shkodrës. Kurse plehrat mbulojnë bregun. Kryesisht nga barishtet që tashmë pjesën më të madhe të liqenit  në territorin shqiptar e kanë kthyer në një moçal.

Kohën kur është thatësirë, barishtet nxjerrin pjesën më të keqe. Bregu ngjason me një kënetë të lënë pas dore dhe liqeni humbet komplet bukurinë e tij.

Nga ana tjetër në pastrimin e një pjese të liqenit kanë menduar pushuesit ditorë që e shfrytëzojnë afërsinë me Shkodrën për t’iu shmangur vapës së verës. Por edhe peshkatarët që ankohen se nuk ka peshk.

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në Ballkan, i pasur me florë dhe faunë, ndërsa kujdesi ndaj bregut lë për të dëshiruar përveç ndërhyrjeve nga vetë pushuesit.

Gazetar: Simon Shkreli

bicikleta.jpg
ad min15:02 | 03/07/2019

Në Shkodër nuk ka kuptim nëse nuk ke një biçikletë. Një lidhje e hershme e banorëve me këtë mjet, por që për të pasionuarit shkon më tej. Ata koleksionojnë tipa të ndryshme biçikletash deri tek ato të personalizuara që nuk shiten asnjëherë. I tillë është edhe Sokol Gjoni.

Për shkodranët, biçikleta është liri. Nuk ka shtëpi pa një të tillë. Sokol Gjoni çdo gjë në jetë e lidh rreth këtij mjeti. I njeh deri në detaje. Një dashuri e cila nisi në moshën 13-vjeçare.

“Ka qenë një biçikletë “Ylli” në moshën 13-vjeçare. Unë punova verë dhe e bleva. Mandej nuk i jam ndarë më biçikletës”, tha Sokoli.

Tregon për biçikletat që sot preferohen në treg. Biçikleta për ecje në mal, ato që mundësojnë edhe terrene shumë të vështira, ato për rrugë të gjata dhe biçikleta për gara. Lidhja e tij me këtë dy rrotak është e veçantë.  Pavarësisht ofertave për blerje, disa lloje ai nuk i shet, por i koleksionon. Ai flet për detaje si duhet trajtuar një biçikletë.

“Si njeri në kuptimin e fjalës se biçikleta ka një shpirt. Nuk merret biçikleta dhe hidhet për tokë”, tha Sokoli.

Ajo që përdor Sokoli është 28-vjeçare.  Por shumë nga biçikletat që ka në punishten e tij janë më shumë se 40 vjet. Më e veçanta është ajo e tipit “Mercedes-Benz”. Janë prodhuar vetëm 200 copë në gjithë botën dhe të personalizuara. Ai nuk i ka vënë çmim dhe sido ti paraqiten nevojat e jetës, nuk do t’ia japë askujt.

“Kjo është e rrallë sepse është një biçikletë që nuk ka dalë në treg. Pra janë bërë dhuratë kur ka dalë “McClaren Mercedes” makina. Janë dhënë personave që e kanë blerë. Si këto janë pak në botë”, tha ai.

Shkodra njihet si një qytet që lëviz mbi dy rrota. I pari që u pa ne vitin 1907 të lëvizte me një mjet të tillë, ishte një i huaj, konsulli i nderit i Suedisë. Shkodranët u bënë kuriozë dhe vrapuan ta shikonin ç’është ky dy rrotësh që nuk tërhiqet nga kafshët. Në fundin e viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte rreth 60.000 banorë, ka të dhëna se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta.

Gazetar i ABC News në Shkodër, Simon Shkreli

berhan-bajrakurti.jpg
ad min13:56 | 02/03/2019

Ish-polici i zonës së Gruemirës në Malësinë e Madhe që u shfaq disa javë më parë në një video intime me pretendimin se ngacmonte një të mitur ka thënë për ABC News se ndihet i kryqëzuar nga ajo që i ka ndodhur. Ai kërkon ballafaqim me personat që i ngritën akuzat. Bajrakurti ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pragun e kësaj shtëpie e ka kaluar vetëm për të thënë të vërtetën sipas tij. Në ndonjë studio televizioni ose me ndonjë gazetar. Kafe me shokët e miqtë këtu në Koplik akoma nuk ka pirë.

Ish-polici i Gruemirës Berhan Bajrakurti, prind i katër fëmijëve rri brenda mureve që kur video-skandali, siç thotë ai, e kryqëzoi. Këmbëngul se i është cënuar privatësia dhe se as vetë nuk di si ato filmime dolën nga kjo dhomë.

“Mua më kanë vra për së gjalli. Më kanë kryqëzu në mënyrën më të… Është një dorë shumë e zezë në Malësi të Madhe, e mirëorganizume, që ma stisi këtë gja që nuk është ndierë asnjëherë në këto zona. Është ba për të më goditur mua personalisht, për të ulur imazhin e Policisë së Shtetit”, tha Bajrakurti.

Që në momentet e para kur është njohur me video-skandalin ka kërkuar të ballafaqohet. Me ata që i ngritën akuzat për ngacmim të minorenes, me këdo që po e akuzonte ligjërisht dhe publikisht. Por kanë kaluar kaq kohë dhe askush për këtë qëllim nuk është takuar me Bajrakurtin.

“Kërkoj vetëm të ma gjejnë atë minorenen për të cilën unë akuzohem, që kam vu në makinë me gjithë të ëmën. Që i paska vënë mbrapa në makinë, që e kam ndjek. Që paska ardh te komisariati, unë e kam kap për krahu dhe nuk e kam lënë të hyjë brenda. Vetëm atë person dua që të më gjejnë tash”, tha ai.

Kalon orë e ditë të tëra këtu ulur në divan, por nuk është në gjendje akoma të tregojë nga ku i doli një video e tillë. Cilët janë ata njerëz, çfarë qëllimi kishin.

“Mua më është marrë privatësia. Se ku është bërë, a aty ku riparojmë telefonat, a ndonjë shoq i pabesë, këtë do ia lë drejtësisë”, tha Bajrakurti.

Pas skandalit, Berhan Bajrakurti u akuzua për ngacmim seksual ndaj një të miture. Aktualisht ai ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”./abcnews.al

Gazetar: Simon Shkreli

shkoder.jpg
ad min14:28 | 04/02/2019

Pavarësisht vendimit të Rektoratit të Universitetit të Shkodrës për fillimin e mësimit ditën e sotme, dyert e universitetit janë të bllokuara. Studentët e ngujuar nuk kanë lejuar të hyjnë pjesën tjetër të studentëve që duan të zhvillojnë mësim.

Më 4 Shkurt sipas vendimit të rektoratit Shkodër të gjithë studentët duhet të riktheheshin në auditore. Por në të vërtetë mësimi nuk ka nisur. Hyrja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” është bllokuar nga bankat dhe karriget.

Studentët që duan të vijojë procesi mësimor nuk janë lejuar të futen në brendësi të godinës. Nga ana tjetër të ngujuarit nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre. Prej dy javësh, pjesa më e madhe e studentëve që ndjekin studimet në degët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kanë bojkotuar mësimin.

Gazetar i ABC News në Shkodër: Simon Shkreli

shkodraaa.jpg
ad min15:12 | 12/12/2018

Studentët në Korçë, Shkodër, Elbasan përshkallzuan protestën e tyre këtë të mërkurë. Ata bllokuan rrugët nacionale si dhe denoncuan stafet pedagogjike që pengonin gjimnazistët t’i bashkoheshin protestës.

Shkodër – Për më shumë se tre orë tubim studentët e Shkodrës marshuan përmes qytetit duke u bërë thirrje banorëve dhe gjimnazistëve. Ata  u ndalën edhe para ndërtesës së njërit nga gjimnazet. Aty stafi pedagogjik kishte penguar nxënësit t’i bashkoheshin protestës.

“Studentët nuk duan negociata sepse nuk mund t’i besojnë një manipulatori, një njeriu që shfrytëzon rininë për qëllime të veta”, u shpreh një student.

“Do bashkangjitemi me Tiranës sepse atje është lufta”, u shpreh një tjetër.

Korçë – Gjatë pesë orëve protestë në qytetin e Korçës studentët arritën të bllokonin dy rrugët nacionale, atë të Korçë-Pogradec dhe Korçë–Kapshticë.

Më pas ata u informuan për presionet në gjimnaze dhe protestuan para godinave denoncuar hapur mësuesit që penguan nxënësit të protestonin bashkë me ta. Studentët e Korçës ishin të parët këtë të mërkure që nisën protestën para godinës së universistetit për të marshuar më pas drejt bulevardit “Republika”. Më herët drejt Tiranës ishin nisur dy autobusë me studentë që do të qëndrojnë në protestën e kryeqytetit.

Gjirokastër – Në Gjirokastër pati rritje të numrit të studentëve që protestuan. Këtë të mërkurë u boshatisën auditoret dhe protestuesve të ditëve më parë, iu janë bashkuan edhe studentë të tjerë. Ata u grumbulluan para godinës së universitetit dhe qëndruan në heshtje për tre-katër orë.

Vlorë – Studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë u kërkuan edhe studentëve të tjerë të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen atyre.

“Nuk ka dialog, dialogu ynë është në shesh. Jemi kërcënuar, por ne nuk kemi frikë.  Bashkohuni me ne, jo politikë”, janë parrullat e tyre.

Elbasan – Studentët e Elbasanit mbajtën për rreth 3 orë të bllokuar rrugën Elbasan-Tiranë. Fillimisht u grumbulluan para Korpusit të Universitetit dhe më pas marshuan në bulevardin e qytetit.

Autostrada Elbasan-Metalurgji u bllokua në vendin e njohur si “Rrethrrotullimi i luleve”. Por kur konstatuan se automjetet po qarkullonin nga rruga e vjetër, studentët ecën mbi 6 kilometra në këmbë dhe bllokuan rrugën Elbasan-Tiranë tek rrethrrotullimi i Bradasheshit./abcnews.al

Gazetar i ABC News në Shkodër: Simon Shkreli

Gazetar i ABC News në Korçë: Daniela Zisi

Gazetar i ABC News në Gjirokastër: Orges Sako

Gazetar i ABC News në Vlorë: Elton Nika

Gazetar i ABC News në Elbasan: Fatos Salliu

drogaaaa.jpg
ad min11:29 | 27/06/2018

Një sasi kanabis sativa në formë bohçeje, u gjet e hedhur në breg të liqenit të Shkodrës. Ishte gazetari i ABC News, Simon Shkreli, ai që ndërsa po punonte për një reportazh, u ndesh me hashashin. Gazetari njoftoi policinë, e cila ka nisur hetimet.

Gazetari i ABC News, Simon Shkreli, ishte duke punuar nje reportazh për ndotjen e liqenit të Shkodrës, kur papritur u ndesh me pirgjet e hashashit. Pasi filmoi atë çfarë pa dhe bëri detyrën si gazetar, njoftoi policinë.

Nuk vonuan dhe uniformat blu të Malësisë së Madhe shkuan në vendin e ngjarjes. Gazetari i ABC News i priti aty.

Hetueset kryen veprimet proceduriale për një rast të tillë. Kurse ka dyshime që kjo sasi droge do të transportohej në Mal të Zi.

Gjithashtu në vend ngjarje kishte edhe qese plastmasi me valvul ajrimi. Për policinë mendohet se hashashi në formë bohçe ishte paketuar në atë mënyrë që t’i rezistonte ujit. Por mesa duket gjërat kanë shkuar keq.

Trafikantët, sipas ekspertëve, duhet ta kenë hedhur drogën në breg, kur panë që ajo ishte  dëmtuar.

Për këtë ngjarje po bëhen hetimet, të cilat fillimisht nisën me deklaratën në polici të gazetarit të ABC News, Simon Shkreli. /abcnews.al

vlcsnap-error884-2-1280x720.jpg
ent ela13:12 | 19/02/2018

Aksidenti tragjik me tre viktima në Velipojë cilësohet si më i dhimbshmi, i ndodhur këto kohë në qarkun e Shkodrës. ABC News shkoi në vendin e ngjarjes aty ku njëra nga makinat ishte ende në rrugë. Shpejtësia dhe lagështira në rrugë, duket se janë shkaku i aksidentit.

Ajo që ndodhi në këtë vend është më tepër se e dhimbshme. Babai Edmond Preka humbi jetën bashkë me dy fëmijët e tij vajzën 5 vjeçare dhe foshnjën nëntë muajshe. Vajza tjetër tij, është në koma në spitalin e Shkodrës. Mjekët nuk japin shpresa për të.

Ishte përplasja e fortë e dy makinave që shkaktoi tragjedinë. Nuk ka zyrtarisht ende një fajtor, në kushte kur njëri nga drejtuesit, ai i makinës Tip Alfa Romeo humbi jetën në vend, kurse drejtuesi i mjetit tip Fuoristradë  Ndrek Gjergji ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Edhe gruaja e viktimës, ka dhënë shenja jete dhe ka kaluar rrezikun. Ashtu dhe pasagjeri në makinën e Gjergjit.

Aksidenti ndodhi pasditen e dielë në vendin e quajtur “Sektori” në Velipojë. Mjetet fuoristradë dhe Alfa Romeo u përplasën aq fort sa zhurma shkoi deri tek banorët në Velipojë. Skena ka qenë horror. Nëna kërkonte fëmijët, kurse trupat të gjakosur jepnin shpirt. Ekspertët në hetimet e tyre kanë dalë me dyshimet se shpejësia dhe errësira ndikuan në përplasjen e makinave. Por priten ende të dhëna shkencore për një version të saktë të ngjarjes.

Gazetar i ABC News, Shkodër: Simon Shkreli

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono