siguri

durresss.jpg
G. P.15:39 | 21/07/2018

Në plazhin më të madh në vend rojet bregdetare mungojnë. Bashkia kishte lënë afat datën 20 Korrik për të gjithë bizneset, por asnjë prej tyre nuk e ka plotësuar këtë kusht. Ata vazhdojnë aktivitetin.

Pushuese e rregullt në plazhin publik në jo pak raste ka ndërhyrë për të shpëtuar jetë njerëzish. Në mungesë të rojeve bregdetar dhe elementeve të tjera të sigurisë janë këta njerëz të vetmit që futen në det për t’i dhënë ndihmë njëri-tjetrin.

“Vit për vit edhe fëmijët e humbur mundohemi t;i gjemë vetë. Kemi blerë dhe altoparlant edhe fëmijë që desh u mbytën”.

Siguria e pushuesve mbetet parësore për një turizëm të shëndetshëm, por në Durrës asgjë nuk po ndryshon. Pavarësisht paralajmërimeve të shumta institucionale rojet bregdetare ende mungojnë. Të vetmit që ata shohin janë patrulla të efektivave të policisë që lëvizin në tokë, kurse siguria në det mungon.

Zyrtarë të Bashkisë së Durrësit deklaruan se 20 Korriku do t’i gjente në terren për të larguar të gjithë plazhet private që nuk zbatuan ligjin. Por, pavarësisht se afati ka kaluar bizneset jo vetëm që nuk janë mbylluar por vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre pa u shqetësuar nga askush./abcnews.al

flamuri.jpg
G. P.14:42 | 13/07/2018

Në Shëngjin për herë të parë po vendosen standardet e sigurisë. Bizneset në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes kanë vendosur sinjalistikën dhe logjistikën e duhur për sigurinë e pushuesve. Ministrja Qato u bëri apel të gjitha bizneseve në bregdetin e vendit të veprojnë si në atë të Shëngjinit.

Pushuesit në Shëngjin do të jenë më të sigurtë. Ky flamur jeshil i vendosur për herë të parë në plazh të njofton për not të qetë.

Në zonën ujore ka dhe bova kufizuese. Kurse vrojtuesit tashmë janë ngjitur në kullat e shpëtimit. Ata mbulojnë 2 km vijë bregdetare.

Bizneset që operojnë në këtë bregdet po bashkëpunojnë me Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes për një sezon të mirë turistik.

“Të gjithë bizneset që operojnë në vijën bregdetare të kontribuojnë në rritjen e sigurisë së plazheve”, tha Sonila Qato.

“Më vjen mirë që edhe Shëngjini po kthehet në modën e të rinjve dhe të rejave”, tha ministrja Nikolla.

Prej ditësh Bashkia e Lezhës ka ngritur grupe pune vetëm për çështjet e sigurisë dhe duket që situata po ndryshon për mirë.

Deri pak kohë më parë, ky bregdet pavarësisht numrit të larte të turisteve, nuk ofronte standarde në shërbim./abcnews.al

shengjin.jpg
G. P.15:31 | 11/07/2018

Pushuesit në Shëngjin kërkojnë të vendosen rojet e shpëtimit pasi kullat e vrojtimit janë bosh. Por megjithatë në këtë plazh mos qarkullimi i motorave të ujit i ka bërë më të sigurtë.

Në Shëngjin për sa kohë pushuesit nuk shikojnë rrotull motorat e ujit ndjehen më të sigurtë. Policia Kufitare nuk ka lejuar lëvizjen e mjeteve motorike, por ata kërkojnë zgjidhje edhe për pedalinat që ndodhen përgjatë bregut.

Kullat e vrojtimit janë zhvendosur para pushuesve dhe janë shtuar në numër, por si në çdo plazh tjetër edhe këtu mungojnë pajisjet dhe vrojtuesit.

Siguria në bregdetin e Shëngjinit i interesonte edhe zv/ministrit të Turizmit, Hajrulla Çeku. I ndodhur në takimin e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit në Lezhë, ai i kujtoi Fran Frrokaj se familjarë të tij po pushonin në këtë territor.

Kryebashkiaku Fran Frrokaj tha se për këtë do të kërkojë vetëm zbatimin e ligjit që do të thotë zbatim i kontratave që stacionet e plazhit kanë me bashkinë. Task forcë do të dalë menjëherë në terren për të monitoruar situatën dhe ndërhyrë për përmirsimin e situatës./abcnews.al

blendi-klosiiii.jpg
G. P.13:47 | 11/07/2018

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, iu ka dërguar një letër kryetarëve të bashkive të zonave bregdetare, të cilëve iu kërkon të marrin masa për stacionet e plazheve pa roje.

6 jetë të humbura pushuesish që nga nisja e sezonit turistik, katër në plazhet e Durrësit, 1 në atë të Velipojës dhe 1 në Sarandë detyruan ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, t’ju dërgojë nga një letër 12 kryebashkiakëve të zonave bregdetare.

Përmes saj, ministri kërkon administrim të stacioneve të plazheve. Taskforca e posaçme shkruhet në letrën që mban firmën e Blendi Klosit gjatë monitorimit në terren ka konstatuar se një pjesë e plazheve ende nuk kanë marrë masat për përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Plazhe të caktuara nuk kanë vendosur kufizime për hapësiren e lejuar për notim apo për  përdorimin e mjeteve lundruese për argëtim. Problematike mbetet pajisja me kulla vrojtimi e vrojtues plazhi. Nëse nuk merren masa urgjente për plotësimin e këtyre kushteve, ministri kërkon nga kryebashkiakët të ndërpresin menjëherë kontratën me subjektin në fjalë.

Në letrën e tij, ministri përmend tre rastet e fundit të humbjes së jetëve të pushuesve përkatësisht në Durrës dhe Sarandë dhe nxit prokurorinë të hetojë për të nxjerrë në pah përgjegjësitë ligjore dhe ndëshkimit prej tij./abcnews.al

 

karolinna.jpg
G. P.15:13 | 16/04/2018

Një sherr masiv i dhunshëm në një burg të sigurisë së lartë në Karolinën e Jugut ka shkaktuar 7 të vdekur dhe 17 të plagosur. Të gjithë janë të burgosur.

Raportohet se sherri filloi pas fyerjeve mes dy grupeve rivale brenda qendrës së vuajtjes së dënimit. Burgu i sigurisë së lartë është i njohur prej vitesh si një ndër më të dhunshmit në Shtetet e Bashkuara.

Sherri masiv nisi mbrëmjen e së dielës dhe agjentët e sigurisë arritën të merrnin kontrollin e burgut vetëm mëngjesin e së hënës./abcnews.al

meksike-droga-1280x661.jpg
G. P.21:04 | 15/03/2018

Kartelet meksikane të drogës i kanë zgjatur tentakulat e tyre në vende të tjera të Amerikës Latine. Duke dhënë alarmin, kryeprokurori i Kolumbisë ka deklaruar se këto grupe janë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kartelet meksikane të drogës po shtrihen edhe në vendet fqinje, duke u kthyer në kërcënim për sigurinë kombëtare të tyre. Prokurori i përgjithshëm i Kolumbisë ka dhënë alarmin për praninë e shtuar të grupeve kriminale meksikane, nga të cilat spikat karteli famëkeq i Sinaloas. Ky i fundit blen kokainën nga bandat lokale dhe e transporton atë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

“Ne i kemi identifikuar këto grupe dhe kemi informuar qeverinë për rritjen e pranisë së tyre në vendin tonë, një prani që kërcënon sigurinë kombëtare”, ka thënë kryeprokurori Nestor Humberto Martinez.

Autoritetet kolumbiane kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për goditjen e grupeve kriminale të huaja në territorin e tyre, por duket se kanë qenë të pamjaftueshme. Vendi latin mbetet numri një në botë për prodhimin e kokainës, që llogaritet të arrijë deri në 910 tonelata në vit.

Karteli meksikan i Sinaloas ka bërë një aleancë të fortë me një grup prej 300 disidentësh të lëvizjes FARK, që vitin e kaluar u shpërbë pasi nënshkroi marrëveshjen e paqes me qeverinë kolumbiane.

Disidentët veprojnë pranë kufirit mes Kolumbisë dhe Ekuadorit, i njohur për prodhimin e narkotikëve dhe qeveria ofron 50 mijë euro për kë ndihmon në identifikimin e liderit të tyre./abcnews.al

vlcsnap-error330-1280x720.jpg
G. P.12:53 | 18/02/2018

Kryeministri Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka thënë në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Irani është kërcënimi më i madh për të gjithë botën. Ai ka ironizuar dhe me ministrin i Jashtëm të Teheranit, ndërsa në duar mbante një pjesë të një avioni Iranian.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, gjatë zhvillimit të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ka treguar një pjesë të një avioni Iranian të rrëzuar disa ditë më parë nga aviacioni izraelit, pasi kishte hyrë në territorin e shtetit hebre.

Duke ironizuar me përgënjeshtrimet zyrtare të Teheranit, Netanjahu ka drejtuar një pyetje për ministrin e jashtëm të Iranit: “Zoti Zarif, e njihni këtë? Besoj se po pasi është e juaja. Këtë mund ta marrësh në shtëpi si një mesazh për tiranët e Teheranit dhe ju bëj thirrje që të mos na vini në provë”.

“Izraeli nuk do t’i lejojë regjimit Iranian që të mbjellë frikë. Do të veprojmë nëse është e nevojshme, jo vetëm kundër atyre që na sulmojnë, por kundër vetë Iranit”, shton kryeministri izraelit nga skena e Konferencës së Sigurisë në Mynih. Ndërsa më tej shton: “Irani paraqet sot kërcënimin më të madh për botën tonë. Irani nuk është kërcënim vetëm për ne, por edhe për ju”.

Ai akuzoi Teheranin për “mbjelljen e terrorit në Lindjen e Mesme” dhe për “krijimin e një perandorie nga Kaspiku në Mesdhe”. Netanjahu u shpreh dhe kundër marrëveshjes bërthamore iraniane. Sipas shefit të qeverisë së vendit hebre, akordi “u prezantua me qëllime paqësore, por e bëri këtë regjim edhe më shumë ambicioz”. Gjëja pozitive, vazhdoi kryeministri, është se ka sjellë arabët dhe izraelitët më afër se kurrë më parë dhe paradoksalisht mund të çojë në paqe të gjerë dhe ndoshta në paqe midis Izraelit dhe Palestinës./abcnews.al

ushtria.jpg
G. P.22:40 | 16/02/2018

Qeveria braziliane ka emëruar një gjeneral ushtrie për të vendosur rendin dhe sigurinë në shtetin e Rio de Janeiro.
Kjo lëvizje vjen si kundërpërgjigje e qeverisë ndaj rritjes së dhunës nga ana e bandave kriminale.
Presidenti i vendit, Michel Temer, e krahasoi dhunën me një kancer dhe tha që grupet e organizuar kriminale kanë vëndosur kontrollin në të gjithë shtetin.
Ushtria do të mbikëqyrë policinë dhe shërbimet e tjera të sigurisë.
Në krye të këtij operacioni gjigand do të jetë Gen Walter Souza Braga Netto, kreu i Komandës Ushtarake Lindore të Brazilit. Ai drejtoi sigurinë në Lojërat Olimpike të Rios në vitin 2016.
Duke nënshkruar dekretin, Temer tha se po merrte këto masa ekstreme sepse rrethanat e kërkojnë.
“Qeveria do të përgjigjet fort dhe me vendosmëri, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të zhdukur krimin e organizuar”, tha ai.
Gjatë karnavaleve të famshme të Rios këtë vit pati skena kaotike dhune me të shtëna armësh dhe plaçkitje. Tre oficerë policie mbetën të vdekur si pasojë e përplasjeve të dhunshme./abcnews.al

vlcsnap-error732-1-1280x720.jpg
G. P.16:03 | 12/02/2018

Siguria në shkolla nuk do të ketë vetëm kangjella mbrojtëse dhe një polic që kujdeset për kalimin e rrugës.

Edi Rama: “Që është oficeri I sigurisë apo oficerja. Do të vendosen fillimisht në 15 shkolla”.

Funksioni i i këtij oficeri nuk është ai i një polici por i një kujdestari tha kryeministri Rama. Për të marrë dhe për të transmetuar informacion në kohë reale për cdo problem të brendshëm apo të jashtëm.

Edi Rama: “Të kenë më tepër informacion lidhur me kërcënëmiet e jashtme ndaj shkollës. Me ngacmimet, me mundësinë, ofrimet dhe të shitjes e blerjes së lëndës narkotike”.

Kushti për të qenë oficer siguri është trajnimi përkatës në akademinë e rendit. Në ambientet e gjimnazit “Qemal Stafa” me të rinjtë mësuesit dhe prindërit në fund të bisedës, kreu i qeverisë preferoi edhe të bërit pak humor.

Edi Rama: “Drejtori ka punë dhe do të shkojë të vazhdojë punën. Unë që jam i papunë kam kohë për muhabet”./abcnews.al

 

albana-vokshi1.jpg
G. P.20:38 | 23/01/2018

Ka reaguar kryetarja e Komisionit të Arsimit, Albana Vokshi, pas lajmit për helmimin e ndodhur në një shkollë në Durrës. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, demokratja kujton rastet e mëparshme të incidenteve në shkolla.

“- U helmuan 60 fëmijë në Bulqizë – askush nuk mbajti përgjegjësi…
– pothuajse çdo ditë ka sherre e përplasje edhe me armë, brenda ambienteve të shkollave – përsëri askush nuk mban përgjegjësi…
– sot janë helmuar 5 nxënës në një shkollë në Durrës, e përsëri as Ministria dhe as DAR nuk mbaka përgjegjësi…” shkruan Vokshi në Facebook duke i ftuar qytetarët të bashkohen në protestën e 27 Janarit, pasi sipas saj as Ministria, as zonja Nikolla dhe as institucionet e varësisë nuk përgjigjen për mungesën e sigurisë së jetës së fëmijëve të shqiptarëve./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono