shteti

Screenshot_9.png
R D14:46 | 06/02/2020

Banorët e Thumanës të mbetur ta shtëpi që nga tërmeti i 26 nëntorit jetojnë në çadra në kushte tejet të vështira. Abc News ishte në familjen e Besim Jangozit, i cili thotë se moti me shi dhe erë e ka vështirësuar jetesen. Po kështu ai shprehet se në zyrat e shtetit po i sorollasin për dokumentet.

Jetesa në çadra është vështirësuar gjatë dy ditëve të fundit, ku moti u përkeqësua dhe era e fortë i tmerroi banorët në çadra. Besim Jangozi duke kujtuar mbrëmjen e martës shprehet: “Thashë se na dyndi fare me gjithë çadër. Kështu nuk rrihet nuk jetohet. Ishalla shteti vë dorë mbi ne!”

Meraku më i madh janë fëmijët. Ai rrëfen se janë ngritur natën dhe i ka dërguar fëmijët tek kunati. “Thashë se dolëm faret (u shfarosëm)”, shprehet ai tejet i mërzitur për pasigurinë në çadër.

Besimi tregon se ajo që e shqetëson më shumë janë sorrollatjet e pakuptimta nga pushteti vendor për dokumentat e vlerësimit të dëmit.

“Dje kam shkuar dy herë në Krujë për letrat. Bëjme letra kot poshtë e lart. Këtu në komunën e Thumanës na thonë nuk i firmosim ne. Ecen populli poshtë e lart, në vend se ti bëjë këto vlerësime shteti”, shprehet ai.

Si familja Jangozi ka dhe shumë të tjera në Thumanë, banesat e të cilëve u shkatërruan nga termeti 26 nentorit 2019. /abcnews.al

salianjiii.jpg
nev ila23:07 | 29/01/2020

Ish deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji këtë të mërkurë nga studio e “Byrosë Politike”, në ABC News është shprehur se  krimi në vendin tonë është i lidhur me shtetin.

Gjithashtu Salianji ka bërë me dije se personat e përfshirë në krim e cilësojnë veten se janë në territorin e tyre dhe kane mbrojtjen e PS-se.

“Ky personi ka ikur nga kërkimi 8 muaj apo një vit para zgjedhjeve dhe hiqet nga kërkimi unë kam parë kryetarin e bashkisë së Durrësit që i përdor në çdo qep. Këta janë persona që kanë pasur mbështje nga PS-ja, edhe dyshimi te pyetja jote se pse këta persona nuk kanë hequr kamerat e sigurisë është se ato mendojnë se janë në territorin e vet. Gjithçka që ka të bëjë me shtetin e kanë të vetin pasi emërojnë drejtues policie shkarkojnë drejtues policie në çdo vend ku ju duhet për të falicituar vepra”.

Ndër të tjera ish deputeti demokrat ka theksuar se shteti nuk ka forcë të hetojë pasi është bërë një me mafjan.

“Nuk ka funksionuar gjithmonë kështu po të dëgjosh gazetaret e kronikës mëson se nuk ka film që se ka arrit këtë imagjinatë që po ndodh këtu në realitet prandaj po ikin njerëzit. Nuk ka forcë shteti nuk dihet me ku fillon shteti dhe ku mafja ato janë të bëra në një. Mjafto që të bësh një bisedë me një qytetar të thjeshtë dhe e mëson se cili është banori i tij”, tha Salianji./abcnews.al

EMISIONI I PLOTË

duka-1.jpg
Vladimir Prenga16:30 | 17/01/2020

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mendon se politika shqiptare nuk e ka  ende ne liste sportin. Ai e tha gjithçka hapur, në një takim që pati një ditë më parë me studentët e ekonomikut. 

Sporti nuk është ende në listën e politikës dhe strategjisë e vëmendjes që shteti duhet të ketë për të. E thotë Armand Duka, anëtari i KE të UEFA-s, njëherësh president i FSHF-së. Kjo ndodhi përpara studentëve të ekonomikut, dikur student vetë aty në auditore.

Me siguri që kurrë nuk e mendonte atëherë që më vonë do shkonte deri në majën e olimpit të futbollit. Sidoqoftë, Duka e tërheq një shuplakë përsëri për shtetin, shtetarët dhe ligjbërësit e ligjzbatuesite vendit tonë.

“Lufta jonë nuk është që ta vendosim sportin në prioritetin e zhvillimit të vendit. Lufta jonë është që ta fusim në listë. Mua më duket sikur politika shqiptare nuk e ka në listë sportin, por thjesht vijnë në momente që ka rezultate të mira dhe u duhet për ndonjë votë majtas apo djathtas.

Atëherë bëjnë sikur janë të interesuar. Nuk ka një institucion të mirëfilltë për zhvillimin e sportit në Shqipëri, apo një strategji të mirëfilltë kombëtare”, është shprehur Duka, duke u treguar i drejtpërdrejtë.

Edhe pse e shfaq pak, Duka duket i dorëzuar. Paketa e ligjeve i ka dhënë sinjalin e fundit që në këtë vend, sërish nuk çojnë asgjë deri në fund. Futbolli ka hyrë në kolaps, teksa shteti ka bërë bllokadën e madhe fiskale, kushedi se deri kur. /abcnews.al

ekspert.jpg
ad min09:08 | 31/10/2019

Së fundi në media qarkullon lajmi se shteti nuk ka para që të paguajë rrogat dhe pensionet. Kjo pasi sipas një verifikimi të KLSH rezultojnë se 1100 ente shtetërore nuk paguajnë sigurimet shoqërore. Për pasojë kjo krijon një gropë të madhe financiare gjë që rrezikon rrogat dhe pensionet.

Që një person të marrë pension sot duhet të paguajnë tre persona. Kur ata nuk paguajnë skema ka qenë me humbje, por bëhet me humbje të papërballueshme. Në një reagim disa ditë më parë, ish-ministri Arben Malaj në një postim në Facebook thoshte se borxhet e papaguara në 2018 për sigurimet shoqërore arrinin në vlerën 110 mln euro.

Vjoldi Danaj, ekspert ekonomie, ishte i ftuar këtë të enjte në “ABC-në e mëngjesit” me Enkel Demin ku theksoi se situata është shqetësuese. Ai deklaroi se disa bashki janë në borxh të thellë me shtetin aq sa nuk kanë para për të paguar pagat e punonjësve të tyre. Për këtë arsye ata nxjerrin punonjwsit për të mbledhur taksat që të mblidhen paratë e mjaftueshme për të paguar rrogat.

Kjo ka ardhur sipas Danajt edhe si pasojë e tenderëve të panevojshëm.

“Unë besoj se ka vend për tu shqetësuar. Për alarm është fjalë e madhe, por për pika shqetësuese ka. Duke qenë se përveç administratës qendrore janë disa bashki që nuk paguajnë sigurimet ose më saktë janë në borxh kaq të thellë edhe me shtetin saqë nuk kanë para që t’u japin edhe punonjësve. Këta bashki i kanë shtyrë me 6 muaj pagesat për punonjësit. Punonjësit nuk kanë marrë edhe rrogat. Kjo ka ardhur si arsye e tenderave të bërë përtej nevojave dhe kjo ka bërë që disa bashki të gjenden buxhet dhe nuk shpërndahen rrogat. Bashkitë çfarë bëjnë? nxjerrin punonjësit për të mbledhur taksat, me qëllim që të mbledhin paratë e nevojshme për të paguar rrogat e tyre”, tha Danaj.

Megjithatë kjo nuk e habit si fenomen ekspertin e ekonomisë. Ajo që e shqetëson është fakti se shteti nuk është në gjendje të paguajë sigurimet shoqërore. Sipas tij mungojnë strukturat shtetërore që të ushtrojnë audite të brendshme tek këto institucione. Në të kundërt do të jetë shumë e afërt dita që do të ndodhemi përpara skenarit kur nuk mund të paguhen pensionet.

“Imagjinoni çfarë mund të ndodhë në sektorë të tjerë. Sektori privat është më i rregullt. Mungojnë struktura shtetërore që të bëjnë audite të brendshme. Nëse është e vërtetë ajo që thuhet në media, nëse është i vërtetë ai lajm që vërtetë nuk kemi para të paguajmë sigurimet e njerëzve është një problem i madh sepse administrata në Shqipëri është punëdhënësi më i madh. Kjo do të thotë që në vitet nuk do jenë shumë të largëta do të jemi vërtetë në atë situatën ku nuk mund të paguhen pensione gjithmonë nëse vërtetohet. Situata është alarmante vërtetë nëse verifikohet”, tha Danaj.

Ndërkohë një ditë më parë reagoi edhe Ministria e Financave sipas të cilës, detyrimet e prapambetura të sigurimeve shoqërore nuk cënojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Intervista e plotë:

/abcnews.al

edi-rama23-1280x710.jpg
ad min13:24 | 22/09/2019

Një ditë pas tërmetit që tronditi mbarë vendin, kryeministri Edi Rama ka mbledhur prefektët, të cilëve u ka kërkuar që gjithë vëmendjen ta përqendrojnë në Durrës. Rama u kërkoi pjesëmarrësve që të kontaktojnë të gjithë personat e prekur nga tërmeti, si dhe të bëjnë një vlerësim sa më të saktë të dëmeve.

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, prefektët por edhe përfaqësues të Forcave të Armatosura. Gjatë takimit, kryeministri Edi Rama u kërkoi prefektëve që të kontaktojnë çdo person të prekur nga tërmeti, si dhe identifikim dhe vlerësim të saktë të dëmeve.

“Çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe brenda ditës së sotme duhen kontaktuar të gjithë sy më sy. Do të angazhohen deputetët, do të angazhohen dhe ministrat. Stadiumi duhet të jetë i hapur dhe duhet të jetë i pajisur për mbrëmjen me të gjithë infrastrukturën akomoduese. Të identifikohen dëmet dhe të mos mbetet pa u asistuar asnjë që është dëmtuar, por të mos kemi flukse spekulantësh”, tha Rama.

Ndërsa ministrat Olta Xhaçka e Sandër Lleshaj folën për bilancin e dëmeve, sipas informacioneve të deritanishme si dhe për masat e marra për përballimin e situatës.  Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari dhe Prefekti i Durrësit Roland Nasto, u shprehen se kanë ngritur shtabet e emergjencave për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari.

Tërmetet kanë goditur vendin tonë që prej pasdites së të shtunës, duke përhapur panik tek qytetarët. Ky tërmet, i pasuar edhe nga disa tërmete të tjera me intensitet më të ulët, cilësohet si më i fuqishmi në 40 vitet e fundit./ABC News Albania 24/7

rama3.jpg
ad min10:56 | 22/09/2019

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim ditën e sotme me ministren e Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm, prefektët dhe anëtarë të Forcave të Armatosura. Në qendër të diskutimit ishte situata pas tërmeteve që tronditën vendin të shtunën.

Kreu i qeverisë përgëzoi strukturat shtetërore për reagimin dhe theksoi se fokusi ditën e sotme është qyteti i Durrësit duke qenë se ishte më pranë epiqendrës së tërmetit. Rama bëri thirrje për koordinim dhe ndarje punësh mes strukturave pasi duhet t’u gjenden pranë qytetarëve që kanë pësuar më së shumti stres dhe ankth prej lëkundjeve.

Kryeministri kërkoi që të bëhet inspektim i ndërtesave që kanë pësuar dëme për të kuptuar nëse përbëjnë rrezikshmëri ose jo për qytetarët. Rama theksoi se të gjithë prefektët, ministrat dhe deputetët do të jenë në Durrës në ndihmë të qytetarëve të prekur nga tërmetet.

“Meriton vlerësim struktura e emergjencave civile dhe çdo strukturë tjetër që ka bërë detyrën e vet, që nuk ka harruar në asnjë moment të informojë se në këtë moment shkëmbimi i informacionit është baza. Sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndjerë goditjen dhe janë në efektin e atij stresi. Është dita për t’ju qëndruar afër, për t’ju shpjeguar sepse plasaritjet e godinave jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik, në të shumtën e herës nuk përbëjnë rrezik. Ashtu sikurse nuk është çarje kur në pallate funksion fuga sizmike, janë ndarje që bëjnë shkëputjen duke amortizuar goditjen. Është me shumë rëndësi që çdo plasaritje të inspektohen në mënyrë profesionale dhe çdo cënim i dukshëm i çdo pallati të inspektohet se mund të jetë, reagimi i fugës sizmike, por mund të jetë dhe cënim strukturor që e bën të rrezikshme godinën.

Do kërkoja që të gjithë ju, edhe prefektët të spostoheni menjëherë në Durrës me një synim, që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të kontaktohet për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar.

Do të thotë ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit që kanë kryer një punë voluminoze në aspektin e identifikimit bashkë me strukturat e pushteti vendos dhe strukturat e Mirëqenies Sociale të organizohen dhe shpërndahen në destinacione konkrete dhe brenda ditës së sotme duhen kontaktuar të gjithë sy më sy. Ky është objektivi. Do të angazhohen dhe deputetë dhe ministrat”, tha Rama.

Kryeministri i kërkoi prefektit të Durrësit që të hapet stadiumi i qytetit për të akomoduar të gjithë ata persona që kanë frikë të kalojnë natën në banesat e tyre. Në dispozicion të tyre për lëvizjen, kreu i qeverisë tha që duhen vënë autobusë.

Ndërkohë me prioritet të lartë është verifikimi nga ana e Institutit të Ndërtimit për dëmet. Sipas kryeministrit, ndërtesat e dëmtuara duhen investiguar fillimisht nga jashtë në mënyrë që të sigurohet nëse janë të banueshme ose jo. Më pas sipas tij do të fillojë edhe vlerësimi i brendshëm, ku pritet të ketë edhe spekulantë.

“Inventar të saktë në mënyrë që nesër kur të ketë rënë kjo barrë e rëndë dhe ne të kemi kapërcyer momentin e parë të identifikimit të dëmeve strukturore të kalojmë në fazën tjetër në një hartë të qartë. Harta e dëmeve kërkon përditësim. Do kemi dhe spekulantë dhe kjo gjë kërkon që të bëhet verifikimi në terren”, tha Rama.

Shqipëria u trondit nga një tërmet i fuqishëm të shtunën. Lëkundjet që u regjistruan ishin të magnitudës 5.6 të shkallës Rihter dhe me intensitet 7.5 ballë. Qytetet që pësuan më së shumti dëme ishin Tirana dhe Durrësi. Në këto dy qytete janë raportuar edhe dëme të shumta materiale.

/abcnews.al

OK-PROVOKACIA-13-SHTATOR-MONOLOGU-FATMIR-MEDIU-PJESA-1.mpg_snapshot_14.51-1280x720.jpg
ent ela20:30 | 13/09/2019

 “Jemi në momentet e inekszistencës së shtetit”. Këtë deklaroi në studion e Provokacijas në ABC neps kreu i republikanëve Fatmir Mediu, i cili e bazon këtë në mungesën e funksionimit të shtetit dhe rrugëve juridike.

“Shqipëria përballet me ekzistencën ose jo të shtetit. Kemi vendosjen e pushtetit mbi shtetin. Jemi në situatë kritike e kam si qytetar këtë. Një shtet organizohet mbi bazë qytetare-vullnetare me përfaqësues të zgjedhur që ndërton një kushtetutë që respektohen liritë e të drejtat e qytetarëve, ku sot s’kemi Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të lartë dhe as qeverisje, se nuk kemi parlament dhe përfaqësues se qeverisja është e një individi. Jemi nën kushtet e mungesës së plotë të funksionimit të shtetit, mungesë e rrugëve juridike për t’u ballafaqur me konfliktet politike”.

Për këtë kreu republikan bën përgjegjëse mazhorancës, e cila sipas tij ka shkelur kushtetutën 3-4 herë që nga zgjedhja e prokurorit dhe tejkalimi i afateve për KED.

“Reforma në drejtësi pati miratimin e  140 deputetëve pozitë –opozitë , miratimi i ligjeve do bëhej me konsensus, elementi i konesnsuit është se tejkalon  interesat politike të forcave dhe PS ka shkelur 3-4 herë kushtetutën dhe kjo është përgjegjësi i mazhorancës. Që nga zgjedhja e prokurorit tejkalimi i afateve për KED e KLD. E gjithë reforma  në drejtësi u bazua në dy kolona në veting dhe emërimin e gjyqtarëve të rinj, nëse vetingu eci, u vonua emërimi i gjyqtarëve. Ka pasur mungesë dëshire, janë refuzuar e hedhur poshtë. Gjykata e lartë dhe Gjykata kushtetuese ishin më të lehta për shkak të kufizimit të mandatit”.

Sipas Mediut, Rama e rrëzoi qëllimisht Gjykatën Kushtetuese për të kontrolluar çdo element.

“Rënia e Gjykatës Kushtetuese do të thotë të bjerë garanti kushtetues. Rama e rrëzoi qëllimisht për të kontrolluar çdo element. Rama goditi sistemin në mënyrë diabolike për interesat e veta. Shkatërroi sistemin gjyqësor, parlamentin dhe elementin qeverisës”./abcnews.al

Policia-e-Tiranes-1280x662.jpg
ad min10:45 | 01/08/2019

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar “Investimi”, ku ka sekuestruar 1.500.000 euro llogari bankare. Paratë i përkasin një ish-punonjësi të administratës shtetërore, identiteti i të cilit është Ferdinand Shehu. Sipas policisë në vitet 2006-2011, ai ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizmit dhe Integrimit të Zonave Urbane.

“Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, ish-punonjësi i administratës ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat. Policia nuk jep detaje të tjera me arsyetimin se hetimet janë në vijim.

Ai reagoi për ABC News, ku u shpreh se ndodhet në Itali me pushime bashkë me familjen. Ndërkohë thekson më tej se do të ngrejë padi ndaj prokurorisë dhe policisë sepse nuk është thirrur asnjëherë në lidhje me këtë hetim.

“Jam në Itali bashkë me familjen, më kanë bllokuar çdo cent në llogarinë bankare. Kam 8 vite në Shqipëri, pse nuk është bërë asnjë hetim ndaj meje? Çdo lëvizje e kam bërë nëpërmjet bankës. Shteti kishte plot kohë për të më hetuar, por gjeti momentin kur ika në Itali me pushime. Do bëj padi ndaj prokurorisë dhe policisë, pasi nuk më kanë thirrur asnjëherë për këtë hetim”, është shprehur Shehu./abcnews.al

petrit-ago.jpg
ad min22:08 | 12/07/2019

Biznesmeni në fushën e agro-industrisë, Petrit Ago, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija” në ABC News. Ai deklaroi se prej 30 vitesh vëmendja e qeverive në këtë sektor ka qenë shumë e vogël.

Ndër të tjera biznesmeni tha se shteti duhet ta ndihmojë këtë sektor me financime korrekte. Kjo për shkak se subvencionet në agro-industri sipas Agos janë mikroskopike dhe lidhen me interesa të ngushta partiake.

“Shteti duhet të ndërhyjë me financime, por me financime korrekte. Jo me financime që s’kanë lidhje dhe nuk çojnë përpara këtë sektor, por që lidhet me interesat e ngushta partiake, të ta them copë që lidhet me marrjen e votave. Mbarojnë punë me votat në këtë sektor dhe kujtohen 2 muaj, tre muaj përpara se të vijë. Subvencionet në të sektor janë mikroskopike, të mos them zero.

Kjo është në shumë forma, por konkretisht është me ato pak financime që bën shteti nëpërmjet AZHBR-së. Paratë që qeveria akordon për subvencion në këta sektorë nuk adresohen ose nuk iu jepen atyre që iu takojnë. Ose nuk saktësohet mirë se ku do të jepen këto subvencione. Këto i jepen fermerëve që kanë një licencë fermeri. Këta i përzgjedh Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural. Për hir të së vërtetës unë kam parë në një nuancë që ka tentativë për t’u shkëputur nga një lloj koncepti, por që edhe këta nuk dalin dot për arsyen që paratë që adresohen në këtë sektor janë mikroskopik”, tha Ago./abcnews.al

RTX6OBIK-1280x869.jpg
ad min23:15 | 30/04/2019

Kaosi ka mbërthyer Venezuelën pas thirrjes së liderit të opozitës Huan Guaido për grusht shteti. Në kryeqytetin Karakas kanë nisur protestat dhe autoblindat e ushtrisë kanë depërtuar mes turmës së njerëzve.

Autoritetet në Venezuelë kanë deklaruar se po vënë nën kontroll një përpjekje të vogël për grusht shteti, pasi lideri i opozitës Huan Guaido njoftoi se ai dhe mbështetësit e tij ndodheshin në fazën finale të rrëzimit të presidentit Nikolas Maduro. Guaido u shfaq në një video me disa oficerë ushtarakë duke thënë se kishte mbështetjen e ushtrisë, por presidenti Maduro doli më vonë duke thënë se ka ende mbështetjen absolute të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, protestues nga secila palë janë mbledhur në zona të ndryshme të kryeqytetit Karakas. Mediat ndërkombëtare raportojnë për përleshje mes mbështetësve të zotit Guaido dhe trupave ushtarake, të cilët kanë dalë në rrugë me autoblinda. Manifestuesit kanë gjuajtur gurë ndaj forcave të armatosura, të cilat janë përgjigjur duke përdorur gaz lotësjellës. Gjithashtu, dy autoblinda kanë depërtuar mes një turme njerëzish, duke shtypur të paktën një person. Ndërkohë, nga komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen për liderin e opozitës Guaido, ndërsa në Europë qeveria spanjolle ka deklaruar se Venezuela ka nevojë urgjente për zgjedhje, por ka refuzuar të shprehë mbështetjen për asnjë nga palët./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono