shqiperia u21

broja-1-1.png
Vladimir Prenga15:17 | 30/11/2019

Armando Broja shpëton skuadrën e Chelsea nga humbja e parë sezonale. Sulmuesi nga Malësia e Madhe realizoi golin që i barazoi shifrat në 2-2 në derbin kundër Fulham, skuadrës kryesuese në kampionatin e 18-vjeçarëve.

Fulham ka një pikë më shumë se Chelsea, që renditet në vendin e dytë dhe ka një ndeshje më pak. “Blutë e Londrës” kanë regjistruar deri më tani tetë fitore dhe dy barazime.

Sa i takon shifrave të Brojës, futbollisti i Shqipërisë U21 ka shkuar në kuotën e nëntë golave dhe vetëm dy lojtarë kanë realizuar më shumë se ai deri më tani. /abcnews.al

bushi.jpg
Vladimir Prenga18:41 | 14/11/2019

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Anglinë. Kreu i pankinës kuqezi foli për ndeshjen e nesërme në Loro Boriçi dhe dha porositë për futbollistët e tij, që duhet të japin më shumë se sa i kanë mundësitë.

“Anglia është një ekip i fortë dhe i ka fituar të gjitha ndeshje. E dimë forcën e tyre dhe çfarë duhet të bëjmë. Duhet të shmangim çdo dyluftim, fizikisht janë më të fortë. Janë të shpejtë dhe i kemi marrë masat. Kam shumë besim se ekipi nesër do të bëjmë maksimumin. Një ekip si Anglia përballohet vetëm nëse jep 150% nga vetja”.

“Është një ndeshje që do shumë durim. Është një ndeshje që duhet pritur. Kemi përballë një ekip që e kontrollon topin, nuk të lë hapësira dhe për këtë jemi përgatitur. Duhet durim dhe sakrificë. Duhet të luftojmë për njëri-tjetrin, dukë dhënë maksimumin”, shtoi Bushi.

“Anglia ka objektiv fitimin e Kampionatit Europian. Kanë një ekip të rinj në moshë dhe me vlera. Luajnë me ekipe shumë të mëdha. Jemi të përgatitur për këtë gjë. Do të jetë një Shqipëri shumë e fortë. Rezultatin nuk e kemi ne në dorë, por duhet të luftojmë, t’i bëjmë hyzmetin dhe të sakrifikojmë për njëri-tjetrin, për veten tonë, për ekipin, për Shqipërinë”.

“Fitorja e parë në kualifikuese ishte ndaj Kosovës. Na motivon ky 3 pikësh. Pse mos pretendojmë një rezultat pozitiv ndaj Anglisë, për të pasur idetë e qarta përse po pretendojmë. Gjithsesi duhet të jemi me këmbë në tokë. Duhet të dimë kush është Anglia dhe kush jemi ne. Unë e kuptoj çfarë pret publiku. Pret që ne të luftojmë dhe të luajmë futboll të bukur. Tifozët dhe ne jemi të kënaqur nëse kemi djersitur bluzën, pavarësisht nga rezultati. Kemi menduar strategjinë tonë. Do mundohemi të luajmë topin poshtë dhe shpejt, si dhe të jemi sa më të qartë në sulm. Mund të dalim dhe me një rezultat pozitiv pse jo”, tha Bushi në mbyllje.

SHERIF KALLAKU – Kapiteni i Shpresave, fantazisti i Teutës, Kallaku tha: “Futbolli i sotëm ka treguar që ekipet me emër më të vogël mund t’i përballojnë ato me emër më të madh dhe të marrin një rezultat pozitiv. Shpresojmë ta bëjmë edhe ne. Përderisa unë futem në fushë me ata, jam i barabartë dhe nuk më tremb askush. Janë tre rezultate dhe nuk kemi presionin e pikëve, siç e ka Anglia. Edhe një barazim do të ishte pozitiv për ne”.

“Sa shërben për të ardhmen? Në një të ardhme mund të jetë e mirë, sepse na shërben nga eksperienca. Pse jo dikush nga ne që luan në Superligë, mund të luajë dhe jashtë, do e ketë më të thjeshtë duke u përballuar me këta emra. Të ardhmen ia lëmë kohës. Jemi të qetë dhe e shohim si ndeshje radhe. Nuk na tremb asnjë emër”, u shpreh mesfushori i Shqipërisë U21. /abcnews.al

shqiperia-u21-1280x861.jpg
Vladimir Prenga12:27 | 08/11/2019

FSHF ka njoftuar një ndryshim në listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen me Anglinë, që luhet në Shkodër më datë 15 nëntor. Arbnor Muçolli, mesfushori i Vejle BK, është dëmtuar dhe nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve. Në vendin e tij, trajneri Alban Bushi ka marrë mesfushorin e Tiranës, Jurgen Çelhaka, i cili ishte programuar të grumbullohej me Shqipërinë U20.

:Shqipëria U-21, e drejtuar nga Alban Bushi, do të fillojë ditën e diel grumbullimin dhe përgatitjet për ndeshjen zyrtare me Anglinë në “Loro Boriçi” më 15 Nëntor. 21-vjeçarët e trajnerit Bushi do të stërviten në qytetin e Durrësit ku dhe do të jenë të grumbulluar.

Ditën e sotme ka pasur ndryshime në listën e Bushit. Arbnor Muçolli për shkak dëmtimi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Anglisë dhe në vend të tij është thërritur Jurgen Çelhaka nga skuadra e Tiranës”, thuhet në njoftimin e FSHF-së. /abcnews.al

Bushi.png
Vladimir Prenga11:24 | 07/11/2019

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka dalë sot në konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen me Anglinë. Ai thekson se do të futen në fushë për të marrë maksimumin e pikëve, por sigurisht duke zhvilluar një lojë të kujdesshme dhe me kundërsulme.

“E dimë kush është Anglia, kjo është favor për ne, Futemi gjithmonë të fitojmë, edhe nëse është Anglia, apo San Marino. Normal nuk do futemi të bëjmë sulmuese, por të bëjmë sulme të sakta. Strategjia është të mbrohemi mirë dhe të kundërsulmojmë”.

“Domi dhe Tuci? Kemi marrë tre lojtarë të rinj, është edhe Ismajlgeci. Ata janë të rinj dhe luajnë në ekipet e tyre. Janë edhe në formë. Do shohim në stërvitje se kush do të luajë nga fillimi. Kemi pasur probleme, pasi kemi tre lojtarë te U19, Tafa me kartonë, Vrioni i dëmtuar. Gjithsesi do mundohemi që me këta lojtarë të bëjmë më të mirën”.

“Patjetër që është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për tifozët. Ata duhet të vijën të shohin Shqipërinë, pastaj Anglinë. Kemi bërë ndeshej të mira për të respektuar flamurin, veten dhe tifozët. Duhet të dimë kush jemi dhe më kë luajmë. Kur jep maksimumin nuk është se kërkohet diçka më shumë, edhe nëse mundesh. Në Shkodër do të vijnë tifozët, kanë ardhur edhe më parë”.

“Rrallë shkojnë lojtarë poshtë. Normal është penalizim kur na ikin lojtarë. Na ndryshon skema dhe strategjia, që nderohet në bazë të lojtarëve. Edhe ata që janë thirrur janë të mirë. Problemi që kemi luajtur me disa ndryshime në formacion ka qenë edhe më parë. Po stabilizohemi dhe besoj se për një apo dy vite nuk do kemi më probleme me lojtarët”.

Anglia është ekip i madh, por nuk duhet pasur frikë. Edhe mund të fitojmë, të barazojmë apo humbim. Kemi luajtur me Italinë, Spanjën dhe Francën. Kemi pësuar për fajin tonë. Nëse nuk bëjmë gabime individuale, Anglia nuk na shënon. Po të jemi të bashkuar do e kenë të vështirë. Edhe Spanja vetëm në fund na shënoi në ‘Selman Stërmasi’ kur luajtëm me ta”.

Jurgen Çelhaka (Tirana)

“Golat në fund? Është problem për të gjithë, do ekzistojë edhe 100 vite më pas. Nuk është se e kemi problem këtë pjesë. Pësojmë, por edhe mund të shënojmë. Është ndeshje futbolli, normal në fund duhet më shumë kujdes Duhet përqendrim. Në minutën e fundit ne shënuam”.

“Rada dhe Lakti? Rada është pjesë e jona. Janë të perspektivës, datëlindje e vitit. Lakti do jetë me U20, sikurse edhe Çelhaka. Do të luajnë me Kroacinë. Çelhakën e kam pasur në konsideratë ta marr edhe tani, por është më mirë të luajë. Janë të dy të perspektivës. Për 2-3 muaj, me këto ritme mund të bëhen pjesë e jona. Rezart Rama do të jetë me Shqipërinë U20. kur t’i vijë mosha, do të vijë me U21-shin, ai dhe të tjerët. Kemi marrë lojtarë të datëlindjes 1998, që mund ta përballojnë më mirë Anglinë”.

“Lojtarët të gjithë kanë minuta, sidomos të formacionit që e kam në kokë. Sidomos mesfushorët, që po luajnë mirë në Shqipëri dhe jashtë. Kemi të tre lojtarët e Lokomotivës që po luajnë rregullisht në Kroaci”.

Florent Shehu? Nga Lacio kemi marrë lojtarë edhe në të shkuarën. Tani kemi Kalajn, që mund të bëhet lojtar i madh nëse ndryshon pak stilin e lojës. Mund të flasim për të sikur për Kumbullën. Për Shehun nuk ka pasur bisedime për ta afruar”. /abcnews.al

shqiperia-u21-1280x861.jpg
Vladimir Prenga11:01 | 07/11/2019

Shqipëria U21 do të përballet me Anglinë më datë 15 nëntor në stadiumin “Loro Boriçi”. Trajner Alban Bushi ka dalë sot në konferencë për shtyp, ndërkohë që për mediat është shpërndarë edhe lista e lojtarëve që do të jenë të ftuar për këtë takim. Sikurse dihet, lojtarë të rëndësishëm ai Armand Broja, Emiliano Bullari dhe Angelo Ndrecka do të jenë pjesë e Shqipërisë U19, që do të luajë kualifikueset në Belgjikë këtë muaj.

Kështu, trajneri Bushi ka bërë disa lëvizje. Indrit Tuci, sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit është ftuar për herë të parë. Risia tjetër janë Franklin Domi (QPR) dhe Marsel Ismajlgeci (Tirana), ndërkohë që konfirmohen pjesë e grumbullimit sërish Enis Çokaj dhe Eridon Qardaku. Jashtë ka mbetur mbrojtësi Shaqir Tafa, ndërkohë që është rikthyer Omari Imeri i Shkëndijës së Tetovës.

LISTA E SHQIPËRISË U21 PËR NDESHJEN NDAJ ANGLISË
PORTIERË:
Gentian Selmani (Menemenspor), Andrea Hoxha (Villingen), Romeo Harizaj (Apolonia)
MBROJTËS:
Jon Mersinaj (Lokomotiva Zagreb), Jorgo Pëllumbi (Skënderbeu), Geraldo Bajrami (Birmingham), Leonard Maloku (San Roque Lepe), Serxhio Kalaj (Lazio), Franklin Domi (QPR), Marsel Ismailgeci (Tirana)

MESFUSHORË: Sherif Kallaku (Teuta), Esat Mala (Partizani), Julian Shehu (Laçi), Enis Çokaj (Lokomotiva Zagreb), Arbnin Zejnullai (Shkëndija T.), Aristidi Kolaj (Pro Patria), Arbnor Muçolli (Velje BK), Omar Imeri (Shkëndija Tetovë)
SULMUES: Agim Zeka (Sittard), Redon Xhixha (Laçi), Eridon Qardaku (Bylis), Indrit Tuci (Lokomotiva Zagreb)

/abcnews.al

bushi.png
Vladimir Prenga12:30 | 17/10/2019

Alban Bushi, trajneri i kombëtares U21, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për fitoren e fundit me Kosovën. Ai prek shumë tema, deri te lojtarët që Shqipëria e madhe merr nga Shpresat. Nuk mungon një koment edhe për festën që kuqezinjtë bënë pas ndeshjes me dardanët në “Elbasan Arena”.

NDESHJA ME KOSOVËN – “Mendoj se kanë bërë një ndeshje të mirë, ishin të mobilizuar. Kishim kohë në dispozicion, ndaj u sollën mirë ndaj detyrave taktike. Nuk ndodhi si herët e tjera. Dhanë maksimumin dhe i falënderoj, pasi nuk ishte një ndeshje e lehtë. Kosova është një ekip i fortë”.

LOJTARËT ME PAK MINUTA – “Gjithmonë kemi pasur probleme me lojtarë me pak minuta. E vuajtëm në pjesën e dytë. U munduam të aktivizojmë ata që kanë pasur minuta, përveç Tafës. Në atë repart nuk kemi shumë alternativa. Mihaj dhe Kumbulla janë në ekipin e parë. Nuk kemi qenë shumë fanatikë në qendër të mbrojtjes, mund të kishim pësuar në fillim”.

LOJA – “Nëse e keni parë ndeshjen me qetësi, e kemi dominuar. Kishte vetëm 15 minuta në pjesën e dytë që ata kishin më shumë kontrollin e topit. Kishin dy raste për gol, me Kastratin në pjesën e parë dhe me Mustafën pjesën e dytë. Kishim më shumë raste, zotëruam shumë mirë lojën në fillim. Luajtëm rrjedhshëm kryesisht, por dolëm para edhe me topa të gjatë me Brojën. Ai ishte pika jonë e fortë dhe duhet të shërbenim për të dhe të përdornim më pas sulmuesit e krahut”.

Shqipëria U21, para ndeshjes me Kosovën

ECURIA – Kemi ekip të mirë. Po t’i marrësh ndeshjet të gjitha, me Turqinë humbëm në mënyrë të pamerituar. Me Andorrën nuk na falet. Në Turqi mund të fitonim, por dolëm 2-2. Kishim rast të pastër me Omar Imerin dhe gjërat do shkonin ndryshe. Humbëm me Austrinë dhe është një ndeshje për t’u harruar. U munduam të rregullojmë gjërat. Kemi edhe pesë ndeshje, dy me Anglinë. Në futboll ndodh diçka. Mund të dalim edhe të dytët, nuk i dihet. Por mund të rrimë edhe me kaq pikë. Po të luajmë si me Turqinë dhe Kosovën, kemi shanset tona.

FESTA E FITORES – “Është njëlloj si me çdo ekip. Sa kohë lodhesh dhe punon, normal vjen ai lloj shpërthimi, adrenaline. Unë gëzohem edhe kur fitoj në kalceto, edhe pse mund të kem vëllanë tim përballë. Edhe Kosova ka festuar kur mundi Shqipërinë 3-0 në Zvicër, është normale. Kur luan Kosova dua që ata të fitojnë, e dua më zemër. Këtë herë doja fitoren e Shqipërisë”.

PRESIONI PËR FITORE – “Humbjet të mërzisin. Këtu nuk është klub. Këtu shihet si luajmë futboll dhe nuk kemi çaluar. Kemi qenë mirë, përveç ndeshjes me Austrinë. Nuk kam pasur asnjë presion. Shuëm lojtarë të Shpresave janë në ekipin A. Sadiku e Balaj kanë shkuar në ekipin A, por kanë bërë një pauzë dhe më pas kanë luajtur aty. Tani shihet te Shpresat direkt dhe kjo është gjë e mirë. Kjo vjen prej punës së mirë me moshat. Normal për ne ka probleme kur na marrin shumë lojtarë. Nuk jemi Gjermania të kemi aq shumë lojtarë. Na gëzon fakti që kemi lojtarë të mirë tek ekipi kombëtar. Me Selahin, Mihajn dhe Kumbullën do ishim ekip tjetër. Do kishim më shumë fitore me ekip të plotë”.

KUALIFIKIMI – “Shqipëria mund t’ia dalë edhe tani, pa menduar për lojtarët që janë pjesë e kombëtares tani. Po të ishin edhe ata, do ishte më mirë. Por edhe ekipi i parë ka një fazë tranzicioni. Kur të stabilizohet, atëherë do të jetë ndryshe dhe mund të kemi shanset tona që të kualifikohet në të ardhmen”.

KOMUNIKIMI ME REJËN – “Reja flet i pari, kur i duhen lojtarët i merr. Edhe nëse më duhen, unë nuk mund t’i them jo. Kombëtarja është më e rëndësishme. Edhe Panucci nuk i merrte të na bënte dëm, I duheshin dhe nuk mërzitem pse i marrim. Gëzohem dhe mundohem të bëj më të mirën me të tjerët. Edhe unë i kam marrë Brojën dhe Bullarin ekipit U19”. /abcnews.al

shqiperia-u21-1280x861.jpg
Vladimir Prenga21:06 | 16/10/2019

Shqipëri-Kosovë për 21-vjeçarë ka sjellë shumë debate. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2-1, në një ndeshje që mund të konsiderohet derbi. Edhe pse është tentuar të shikohet si një vëllazërore, kjo do të jetë shumë e vështirë. Askush nuk do të humbasë dhe Shqipëria me atë triumf i ka prishur shumë punë Kosovës, që mund të pretendonte vendin e dytë.

Dje në fushë u pa tension, ndërkohë që edhe deklaratat para dhe pas ndeshjes linin për të kuptuar se fitorja kishte shumë vlerë për të dyja ekipet. Videoja  e festës së lojtarëve dhe stafit pas ndeshjes ka sjellë reagime të ashpra në rrjetet sociale. Ndërkohë në FSHF kanë menduar që nesër të organizojnë një konferencë për shtyp.

“Përshëndetje të gjithëve. Nesër në orën 12:00 do të zhvillojmë konferencën për shtyp të trajnerit tëU-21, Alban Bushi. Konferenca si gjithmonë do të mbahet në ambientet e FSHF.  Ju mirëpresim!”, thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Me siguri do të flitet edhe për klimën e krijuar mes dy ekipeve. /abcnews.al

kallaku1.png
Vladimir Prenga12:17 | 14/10/2019

Sherif Kallaku është rikthyer në kombëtare dhe do të mbajë shiritin e kapitenit në sfidën e nesërme me Kosovën, që luhet në “Elbasan Arena” prej orës 19:00. Mesfushori mungoi në miqësoren kundër Francës dhe në takimin ndaj Austrisë. Mesfushori ndihet mirë, edhe pse e pranon se akoma nuk është në maksimum.

“Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë”, tha fillimisht Kallaku.

Në lidhje me ecurinë e Kosovës, ai shtoi: “Siç e tha edhe profesori, ata kanë më shumë pikë se ne. Dua të theksoj se kualiteti tek ne është pak më i madh se tek ata. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Është thjesht një ndeshje e radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim”, shprehet mesfushori, i cili më tej thekson se nuk është vetëm ai lider në ekipin e Shqipërisë U21, por janë të tërë.

Ai vijon të flasë për ndeshjen me Kosovën dhe e shikon si një derbi: “Normalisht mund të quhet ndeshje vëllazërore, por janë kualifikuese dhe janë detyrim tre pikët. Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Derbi? Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku nuk ka gjëra të tipit ‘jemi vëllezër’. Pas ndeshjes mund të jemi vëllezër”. /abcnews.al

Bushi.png
Vladimir Prenga11:50 | 14/10/2019

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka dalë para mediave ditën e sotme për të folur për ndeshjen me Kosovën U21. Një ndeshje ndryshe, edhe pse tekniku i kuqezinjve mundohet ta trajtojë si një ndeshje normale. “Nuk kemi asnjë lloj ndjesie, thjesht është një ndeshje e radhës. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion, pothuajse shtatë ditë. Të tetën është ndeshja.

“Kemi bërë atë lloj strategjie, që do e shprehim nesër në fushë, për të mundur ekipin e Kosovës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe me emocione. Kosova ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, ka më shumë pikë se ne, por kjo nuk do të thotë se ata janë më të mirë se ne. Ditën e martë pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë dhe jam i sigurt për këtë. Mbështetja e tifozëve do të jetë maksimale për ta mundur Kosovën”, tha Bushi fillimisht.

BROJA – I pyetur për sulmuesin e londinezëve të Chelsea, Armand Broja, Bushi tha: “Të gjithë lojtarët që janë në ekipin kombëtar, janë lojtarët më të mirë të momentit. Për këtë arsye i përzgjedhim. Broja është një lojtar i perspektivës, me moshë shumë të vogël në krahasim me ekipin aktual. Mendoj se do të bëhet një lojtar shumë i mirë, ndaj edhe e kemi aktivizuar. Kam besim se do të ecë shumë. Do të jetë e ardhmja e sulmit, se bashku me lojtarët e tjerë”.

KALIMET TE KOMBËTARJA A – “Është pozitive fakti që kanë shkuar lojtarë tek ekipi A. Shumë futbollistë të ekipit U21 janë marrë nga ekipi A. Kjo tregon se po punohet mirë tek të gjitha ekipet e moshave të kombëtares. Shumë lojtarë vijnë nga poshtë, ne i aktivizojmë dhe i bëjmë gati për ekipin A. Kjo ka edhe anën negative, pasi prishen ekuilibrat në skuadër. Mundohemi ta rregullojmë ekipin Shpresa. Me Austrinë patëm 8 mungesa dhe nuk kishim ekuilibër.

E rëndësishme është që ekipi A të ketë një ekip që tregon forcë, siç bëri në Turqi.  Reja mund të marrë këdo lojtar kur të doje. Shpresat kanë si objektiv të çojnë lojtar në kombëtare. Nëse do kemi një grup të plotë, atëherë mund të flitet edhe për rezultate. Sigurisht që rezultatet duhet të jenë të pranishme, pavarësisht objektivit të institucionet për të çuar sa më shumë lojtarë lart”, shtoi trajneri i Shqipërisë U21.

PRESIONI – Bushi më tej theksoi se nuk ndjen aspak presion dhe është i mendimit se rezultatet e kombëtares U21 nuk janë të këqija. “Nuk kemi aspak rezultate negative. Morëm një barazim në Turqi, bëmë lojë të mirë. U mundëm në fund në Elbasan nga Turqia, na mposhti Austria dhe nuk është turp diçka e tillë. Hap fals ishte vetëm Andorra. Vetëm për një gabim nuk mund të kem presion. Mund të shkojmë edhe 20 pikë, kështu që nuk kam asnjë lloj presioni”.

NDESHJA ME KOSOVËN – “Në futboll janë të tria rezultat. Ndodh siç na ndodhi ne me Andorrën, ku shumë kush thoshte që ose barazojmë ose fitojmë, sikurse kishte edhe të tjerë që thoshin vetëm fitojmë.  Nuk jam i këtij mendimi, të tria rezultate janë të pranueshme. E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të dalësh me kokën lart, siç doli Shqipëria me Turqinë brenda Stambollit. Nëse bëjmë maksimumin, ne dalim krenarë, pavarësisht rezultatit.

E kam thënë edhe herë tjetër, kemi djem shumë të rinj. Janë këtu për të mësuar dhe për të shkuar në ekipin kombëtar. Ndonjëherë do qeshim, ndonjëherë do qajmë. Duhet që djemtë të lagin fanellën, e kanë detyrim moral, e kanë detyrim kombëtar për të dhënë maksimumin. Duhet që të gjithë të bëjnë maksimumin që të fitojmë, jo se kemi Kosovën përballë. Këta djem e meritojnë të fitojnë, pasi kanë bërë lojëra të bukura dhe kanë qenë pa fat. Ndonjëherë e kemi pësuar edhe për gabime tonat. Ndeshja me Kosovën do jetë krejt tjetër dhe do e shihni në fushë”, përfundoi Bushi. /abcnews.al

Kosova-1.jpg
Vladimir Prenga20:51 | 11/10/2019

Kosova U21 dhe Shqipëria U21 do të përballen të martën në stadiumin “Elbasan Arena”. Para pak ditësh Dardanët publikuan listën e futbollistëve që do të ishin nën urdhrat e trajnerit Rafet Prekazi.

Ky i fundit ka marrë një dhuratë nga trajneri Bernard Challandes, i cili ka lënë të lirë dy nga të rinjtë e ekipit të parë. Sulmuesi anësor, Lirim Kastrati, do të luajë me përfaqësuesen U21, ashtu sikurse mbrojtësi i Arbenit Xhemajli.

Shqipëri-Kosovë është një ndeshje e veçantë. Kjo është ndeshja e parë zyrtare mes tyre. Trajneri Rafet Prekazi, gjatë konferencës për shtyp e pranoi se nuk do kishte dashur që shorti t’u rezervonte të njëjtin grup. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono